e hënë, janar 30, 2006

Në ’91 i bëmë të palundrueshme anijet e bazës së Pashalimanit





Gjatë inspektimit në Sazan mësova për bllokimin e anijes me emigrantë

Manjola Bregasi

Ishte shkurti i vitit 1991, kur tre anije ushtarake së bashku me disa elementë të ekuipazhit u larguan nga baza e Pashalimanit drejt Italisë. Një ngjarje tepër e rëndë kjo për ushtrinë shqiptare dhe sidomos për qeverinë e asaj kohe, që ishte duke përjetuar ditët e saj më të vështira.
Në një moment kur të gjithë i kishin kthyer sytë nga ushtria, edhe në radhët e saj kishte nisur degradimi. Situata e krijuar po vinte në pikëpyetje të plotë ekzistencën e qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe mbi të gjitha forcën e komunizmit në vend. Protestat e studentëve, të cilat kishin nisur me kërkesat ekonomike dhe kushte më të mira po përshkallëzoheshin çdo ditë e më tepër dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera. Çfarë po ndodhte në vend në një moment të tillë, të mbushur me lëvizje dhe tension kur një pjesë njerëzish i kishin kthyer sytë nga perëndimi? Shembulli i parë ishte dhënë me të ikurit në ambasada, ndaj dukej që akulli ishte thyer. Ndërkohë, në qytetin bregdetar të Durrësit, më tepër se 10 mijë qytetarë u përleshën me policinë pas përhapjes së fjalës se kishte ardhur një traget për të çuar njerëz në Itali. Qytetet bregdetare, ambasadat dhe bazat ushtarake ishin në qendër të vëmendjes si nga shteti, ashtu edhe nga turmat. Ata po rrëmbenin anijet e ç’të gjenin në porte vetëm me qëllimin për t’u larguar nga Shqipëria. Protestat kishin nisur në të gjitha qytetet dhe po shoqëroheshin me dukuri nga më të ndryshmet. Ministria e Brendshme e kishte të pamundur të përballonte fluksin e ngjarjeve, që po shtriheshin gjithmonë e më tepër, ndaj në këtë kuadër u kërkua ndihma e ushtrisë dhe kalimi i garnizoneve të saj nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Në vijimin e kujtimeve të tij, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Halim Habazaj, pjesëmarrës në momentet e marrjes së disa vendimeve të rëndësishme për atë kohë, tregon për masat për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Përse ushtria u përfshi në këto detyra që nuk i përkisnin me Kushtetutë? Çfarë ndodhi në bazën e Pashalimanit pas largimit të tre anijeve ushtarake drejt Italisë? Si reagoi turma kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm mbërriti në Vlorë dhe përse ky i fundit nuk pranoi, që ushtria të përfshihej në ruajtjen e qytetit? Përse u vendos që anijet e bazës ushtarake të dilnin jashtë lundrimit? Si i ndihmoi shefi i shtabit qytetarët të arratiseshin drejt Italisë? Zoti Habazaj, në vitin 1990 ju jeni emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kush ju emëroi në këtë post?Shefi i shtabit emërohej drejtpërdrejt nga Byroja Politike ndaj edhe mua më emëruan pikërisht anëtarët e kësaj byroje. Vitet ’90-‘91 shënojnë edhe ndryshimet rrënjësore të sistemit politiko-shoqëror në Shqipëri, gjë që u shoqërua me zhvillime të vrullshme në vend. Duke qenë se ju në këtë periudhë keni pasur një pozicion të rëndësishëm në ushtrinë shqiptare, ç’mund të na thoni për përfshirjen e saj në këto lëvizje dhe për qëndrimin që u mbajt në këtë situatë? Dua të theksoj se në atë periudhë ushtria përbënte një forcë të armatosur, të organizuar dhe të përgatitur për të kryer detyrën e përcaktuar nga Kushtetuta. Ajo kishte një efektiv prej 550 mijë personash, me armë e municione të bollshme, me teknikë dhe armatim të çdo lloji, me përgatitje të lartë profesionale dhe drejtohej nga komanda e shtabe të aftë ushtarakisht. Por fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 shënoi probleme edhe në radhët e ushtrisë. Shqetësimet nisën të ndjehen më tepër në çështjet që lidheshin me disiplinën, në largimet pa leje, moskryerjen e detyrave të ndryshme, tentativat për vjedhje armësh apo për sulme ndaj objekteve ushtarake. Në këto kushte lëvizjesh dhe ndryshimesh vëmendja jonë ishte përqendruar në ruajtjen e objekteve ushtarake, përforcimin e rregullit dhe të disiplinës në radhët e ushtrisë. Sipas Kushtetutës së asaj kohe, detyra e ushtrisë ishte ruajtja e kufijve nga agresorët e huaj dhe mbrojtja e vendit në raste sulmesh. Por siç e thashë edhe më sipër, me komplikimin e situatës së brendshme ushtria mori pjesë edhe në disa detyra të tjera jashtë profilit si ruajtja e rendit, ruajtja e institucioneve të rëndësishme, RTSH, ATSH, Banka e Shqipërisë, portet dhe ambasadat. Për ruajtjen e këtyre institucioneve u angazhuan shkolla e kuadrove rezervë të Zallherit dhe ajo e Vlorës. Kush vendosi dhe kush e kërkoi përfshirjen e ushtrisë në këto detyra? Vendimet e rëndësishme merreshin nga Këshilli i Mbrojtjes që e kryesonte komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ramiz Alia, ku bënin pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Ekonomisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Këshilli i Mbrojtjes i drejtuar nga komandanti i Përgjithshëm, Ramiz Alia, u mblodh disa herë për të diskutuar në lidhje me gjendjen e krijuar. Vendimi i parë që mori ky këshill ishte kalimi i disa reparteve të ushtrisë, nga Ministria e Mbrojtjes në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke qenë se kjo e fundit nuk kishte forca të mjaftueshme për të përballuar situatën. Këto reparte kaluan ashtu siç ishin, me të gjithë ushtarakët dhe godinat. Më pas, me përkeqësimin e situatës përfshirja e ushtrisë në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë nisi të jetë më e gjerë, aq më tepër që probleme ka pasur edhe në vetë radhët e ushtarakëve. Çfarë kuptoni ju me probleme? Të ç’karakteri ishin ato?E përmenda edhe më sipër, që problemet themelore në ushtri lidheshin me disiplinën, moszbatimin e urdhrave apo edhe tentativat për vjedhje armësh, megjithatë ka pasur edhe raste të tilla më të rënda, siç ishte ai i largimit të tre anijeve ushtarake nga baza e Pashalimanit në Vlorë. Në këto anije ndodhej i gjithë ekuipazhi?Jo. Brenda tyre ndodheshin vetëm disa elementë, megjithatë për këtë problem unë udhëtova vetë drejt Vlorës, në shkurt të vitit 1991. Ndërkohë Vlora ziente nga protestat dhe rrugët ishin të mbushura me njerëz. Para se të shkoja në bazë, u ndala në qytet. Në takimin me shtabin e rrethit u kërkua që forcat e ushtrisë të ndërhynin në ruajtjen e qytetit dhe mbajtjen e rregullit e të qetësisë, kërkesë të cilën unë e refuzova. “Shkoni e flisni me njerëzit”, u thashë. Vetë u përqendrova në bazë, nga ku ishin larguar edhe anijet. Në kohën që kalova me makinë nëpër qytet, turma u nda dhe më hapi rrugën. Pashë që ndaluan makinën që vinte pas meje me radion dhe radistin. Shoferi bisedoi diçka dhe pastaj u nis përsëri. Njerëzit e kishin pyetur me kë udhëtonte. “Jam me shefin e Shtabit të Përgjithshëm”, ishte përgjigjur shoferi dhe kaq, vazhduam rrugën pa ndonjë incident.Çfarë u diskutua në bazën e Pashalimanit për largimin e anijeve? Aty mora kontakt me drejtuesit e bazës dhe diskutuam në lidhje me ngjarjen.A u vendos të merrej ndonjë masë për ushtarakët “dezertorë” apo drejtuesit e bazës dhe çfarë ndodhi më pas me anijet?Jo, nuk morëm masa. Më pas anijet u kthyen. Si paraqitej situata e përgjithshme në bazë? A ekzistonte rrezik për arratisje të tjera në radhët e ushtarakëve?Edhe kjo mundësi nuk përjashtohej, por në ato kushte rreziku më i madh ishte prej civilëve dhe turmave të protestuesve që në përpjekje për të gjetur mënyra largimi drejt Italisë, mund të sulmonin edhe bazat ushtarake për të marrë mjetet lundruese. Pasi e analizuam situatën vendosëm që të gjitha anijet e bazës t’i nxirrnim jashtë lundrimit, duke hequr një mekanizëm të nevojshëm për punën e tyre dhe ashtu bëmë.A ishte normale për një bazë detare që të mos kishte mjete lundruese të gatshme?E përmenda edhe më sipër, që në atë periudhë rreziku ishte i brendshëm, jo i jashtëm, ndaj për të evituar çdo incident në rast se civilët sulmonin bazën, menduam që kjo ishte rruga më e mirë, dhe arsyen e ilustron ajo që ndodhi vetëm pak orë më pas, kur me helikopter kisha mbërritur në Sazan. Duke ndjekur situatën, mora informacion se një rimorkiator, që shërbente për transportin e anijeve dhe që qëndronte i braktisur në portin e Vlorës ishte rrëmbyer nga civilët, të cilët e kishin vënë në gatishmëri dhe e kishin nxjerrë në det për t’u nisur drejt Italisë. Por në Mezokanal rimorkiatori kishte zënë në cektinë, duke ngecur pas cepit të ishullit. Ishin më tepër se 100 vetë, të cilët ndodheshin në gjendje të vështirë. Menjëherë urdhërova komandantin e Brigadës t’u dërgonte ushqime dhe ta shtynte mjetin për lundrim. Ata mesa duket nuk patën besim dhe jo vetëm që e kthyen mbrapsht makinën me ushqime, por dërguan edhe një peticion.Çfarë shkruanin në këtë peticion dhe përse kishin frikë?Më saktë ishte një copë letër e vogël, përmes së cilës kërkonin të liheshin të lirë. Si vepruat?E dërgova përsëri komandantin. Ata morën ushqimet dhe pasi u shtynë në det dolën në lundrim. Në mbrëmje kishin mbërritur në Itali. Më pas mora vesh edhe historinë e tyre. Rimorkiatori kishte vite që qëndronte jashtë funksionit në port. Ishin mbledhur specialistët më të mirë nga Fieri dhe Vlora, të cilët pasi kishin gjetur bateri e pajisje të tjera e kishin vënë në punë për ta përdorur si mjet lundrimi. (Vijon nesër)

Ngjarja Vdekja e Çausheskut nxiti antikomunizmin evropian
Gjendja e elektrizuar, që kishte nisur të ndjehej në Shqipëri në vitin 1990 ndoshta ishte përcjellë edhe nga zhvillimet e vendeve komuniste në rajon. Situata e krijuar në vitin 1989 në Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani si dhe rënia e murit të Berlinit kishin lënë të kuptohej, që blloku komunist nuk kishte më forcën e dikurshme dhe se diktaturave në lindje po u vinte fundi. Kur në maj të vitit 1989, presidenti rus, Mikhail Gorbaçov, takoi kancelarin e Gjermanisë perëndimore, Helmut Kohl, i bëri të ditur këtij të fundit se rusët nuk do të pengonin reformat demokratike në vendet e Traktatit të Varshavës. Ky premtim i dha fund doktrinës së Brezhnjevit. Forcat demokratike në traktatin e Varshavës nuk humbën kohë për të testuar vërtetësinë e fjalëve të Gorbaçovit. Duke ndjekur shembullin e Polonisë, Hungaria përcaktoi zgjedhjet për vitin 1990 dhe i hapi kufijtë e saj për qindra gjermano-lindorë, që kërkuan të kalonin në Perëndim në shtator të vitit 1989. Në 9 nëntor të këtij viti, rënia e murit të Berlinit do të shënonte edhe bashkimin e dy Gjermanive. Javë të tëra protestash në Pragë, në nëntor 1989, çuan në rënien e regjimit komunist në Çeki, i ndjekur nga Bullgaria po këtë muaj dhe Rumania në muajin dhjetor, ku diktatori Nikola Çaushesku dhe bashkëshortja e tij u ekzekutuan. Rënies së Traktatit të Varshavës i ishin dashur më pak se gjashtë muaj. Në vitin 1990, atëherë kur ekonomia sovjetike kishte nisur të binte me ritme të ndjeshme dhe reformat po fitonin territor gjithmonë e më të gjerë në Bashkimin Sovjetik, Boris Jelcin, një lider i reformuar i Partisë Komuniste në Moskë, u zgjodh president i Rusisë. Në prill 1991, Gorbaçovi kërkoi një takim të Presidentëve të Republikave Sovjetike për të hartuar një kushtetutë të re. Në këtë mënyrë ai shpresonte se do të arrinte të reduktonte reformat në vend, por përkundrazi, presidentët e disa republikave nuk u paraqitën në këtë takim, ndërkohë që të tjerë kërkuan pavarësinë. Në vend nisën fjalët se liderët e vjetër të ushtrisë po komplotonin në mënyrë që të ruanin linjën e vjetër komuniste. Në orët e para të 19 gushtit, tanket e Ushtrisë së Kuqe pushtuan Moskën dhe njerëzit u njoftuan që Gorbaçovi ishte i “sëmurë” dhe kishte kapitulluar. Menjëherë pas kësaj, televizionet në të gjithë botën do të shfaqnin drejtpërsëdrejti pamjet e Jelcinit mbi tank dhe mes protestuesve. Shtetet e Balltikut, Estonia, Letonia dhe Lituania deklaruan pavarësinë. Më 1 dhjetor Jelcin takoi presidentin ukrainas, Leonid Kravchuk, dhe presidentin bjellorus, Stanislav Shushkevich, për të firmosur një deklaratë të përbashkët pavarësie. Në Krishtlindjen e vitit 1991, duke u përballur me refuzimin e Jelcinit për të paguar detyrimet e qeverisë sovjetike, Gorbaçovi u shfaq në televizionin rus dhe deklaroi dorëheqjen. Pak orë më pas, flamurët sovjetikë mbi Kremlin do të zëvendësoheshin nga flamuri kombëtar rus dhe zyrtarët rusë do të vendoseshin në Kremlin. Me këtë veprim të thjeshtë, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari. Ky akt shënoi edhe fundin e epokës komuniste në Evropë.

HistoriaLëvizja studentore e ’91 solli pluralizmin
Ngjarjet që po zhvilloheshin në Shqipëri në fillim të vitit 1991, shumë shpejt do të sillnin rrëzimin e regjimit komunist. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, bëri atë që pas 45 vjetësh Shqipëria monopartiake të kishte edhe një parti të dytë. Ndërkohë, reagimet dhe grevat e studentëve dalëngadalë nisën të gjenin mbështetje edhe në masa më të gjera. Por si rrodhën ditë pas dite momentet më të rëndësishme historike dhe kush ishin protagonistë të tyre? Më 5 shkurt 1991 në Institutin e Lartë Bujqësor një grup studentësh, të pakënaqur nga gjendja ekonomike filluan protestat, të cilat arritën deri në bojkotim të mësimit. Të nesërmen në mëngjes, në Qytetin Studenti në Tiranë u afishuan posterat e parë, ku kërkohej solidaritet me studentët e Kamzës. Protestat dhe tubimet po shtriheshin dalëngadalë në të gjitha fakultetet. Ndërkohë në një peticion të tyre drejtuesit e studentëve, kërkojnë veç të tjerave edhe largimin e drejtorit të TVSH-së, V. Kule si dhe ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reis Malile. Por si ishte e mundur që për herë të parë, studentët të kërkonin diçka që ndoshta paraardhësit e tyre as nuk kishin guxuar ta mendonin: Universiteti “Enver Hoxha” të mos mbante më këtë emër, por të quhej thjesht Universiteti i Tiranës, duke lënë të kuptohej qartë se ata kishin nisur një sfidë të hapur ndaj regjimit komunist në vend. Situata e krijuar po bëhej gjithmonë e më kritike, pasi lëvizjet studentore po shtriheshin dalëngadalë edhe në rrethe. Duke mos gjetur miratim të kërkesave të tyre drejtuar qeverisë, studentët e Tiranës vendosën të hyjnë në grevë urie më 18 shkurt. Vetëm dy ditë më pas, Shqipëria do të përjetonte një ngjarje të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme për të gjithë: rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

neser do te lexoni
Përse shefi i Shtabit të Përgjithshëm i kërkoi ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, heqjen e bustit të Enver Hoxhës nga ambientet e Shkollës së Bashkuar dhe cilët qenë njerëzit që nuk e zbatuan këtë urdhër
Thirrjet e acaruara të njerëzve kur shihnin bustin të qëndronte ende në oborr. Ku e shkelën rregulloren ushtarakët e shkollës dhe përse shefi i Shtatmadhërisë kërkoi mbylljen e saj
Cilat ishin fjalët dhe porositë e Ramiz Alisë për drejtuesit e ushtrisë në ato ditë historike të ndërrimit të sistemit në Shqipëri

e diel, janar 29, 2006

Ish-shefi i Shtatmadhorisë së ’90 tregon historinë e rrallë




Ish-shefi i Shtatmadhorisë së ’90 tregon historinë e rrallë

“Ata që u futën në ambasadat e ‘90 kujtuan se do t’i pushkatonim”
Në çastin që po i dërgonim në tragete menduan se ishin për në Malin me Gropa

Manjola Bregasi

Ajo që po ndodhte në Tiranë më 2 korrik të vitit 1990 ishte diçka e paimagjinueshme për të gjithë shqiptarët. Ata që jetuan, por edhe ata që ndoqën nga ekrani i televizionit shpërthimin me forcë të ambasadave të huaja, e kanë të pamundur të fshijnë nga kujtesa pamjet e rralla të një ngjarjeje të pakonceptueshme për realitetin e atëhershëm.
Grupe të tëra njerëzish, të përfshirë nga një eufori e jashtëzakonshme, ishin drejtuar për në ambasadat e vendeve perëndimore. I gjithë kryeqyteti ndodhej nën një kaos të tmerrshëm dhe ajo që po ndodhte ishte e pazakontë. Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët po kapërcenin muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim. Rroba që vareshin dhe griseshin mbi kangjellat e ambasadave, njerëz që ndihmonin njëri-tjetrin për të kapërcyer matanë, nëna që me lot në sy lusnin fëmijët të ktheheshin pas, gra që përpiqeshin të bashkoheshin me bashkëshortët në anën tjetër të murit dhe fëmijë që dukej sikur fluturonin mbi hekura. Ishin këto pamjet e gjalla që përjetoi kryeqyteti shqiptar më 2 korrik të vitit 1990 dhe që televizioni i transmetoi atë ditë në të gjithë vendin. Një panoramë rrënqethëse dhe imazhe të pazakonta për shoqërinë tonë, që për më tepër se 45 vjet kishte qenë e izoluar në këtë drejtim. Historia e atij që më pas mori emrin “eksodi i ambasadave”, nisi pikërisht në ambasadën gjermane, kur një grup njerëzish me një makinë të madhe goditën murin rrethues të ndërtesës dhe pasi e rrëzuan depërtuan në territorin e brendshëm të saj. Lajmi që hyrja në ambasadë ishte e lirë u përhap shumë shpejt nëpër rrugët e Tiranës dhe kjo mjaftoi që njerëzit, sidomos të rinjtë, të drejtoheshin atje. Pas ambasadës gjermane, histori të ngjashme pati edhe në ambasadën italiane, greke dhe franceze. Ishin rreth 2700 persona, burra, gra dhe fëmijë, që pas hyrjes së dhunshme në ambasada, për më tepër se 2 javë jetuan në oborret e tyre. Ndërkohë selitë diplomatike në Shqipëri ishin të mbyllura dhe nuk kryenin asnjë funksion. E gjithë vëmendja e shoqërisë dhe e shtetit shqiptar të asaj kohe ishte përqendruar në këtë problem. Ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por në radhë të parë për krerët e qeverisë, të cilët nuhatën se situata po u rrëshkiste nga duart. Shpërthimi i ambasadave bëri që Evropa dhe gjithë organizatat ndërkombëtare të kthenin sytë nga Shqipëria, duke dërguar në vend përfaqësues të ndryshëm. Në këto kushte drejtuesit e vendit dhe Këshilli i Mbrojtjes i drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ramiz Alia, vendosën që për zgjidhjen e situatës dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend të përfshihej edhe ushtria. Halim Habazaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm,(1990-1991) dhe protagonist i disa çasteve vendimtare në ato vite, tregon për herë të parë në gazetën “Panorama” misionin që i ngarkoi ministri i Brendshëm, Kiço Mustaqi. Si vendosi qeveria për fatin e njerëzve që hynë në ambasada dhe cili ishte qëndrimi që mbajtën përfaqësuesit e OKB-së për emigrantët? Përse qarkullonin fjalë që këta persona do të vriteshin në Malin me Gropa? Cila ishte arsyeja që i trembi njerëzit në momentin që autokolona u ndal në Shijak? Incidenti me tragetin e jugosllavëve që kishte ardhur për të marrë emigrantët, të cilët do të udhëtonin drejt Marsejës.Zoti Habazaj, në korrikun e vitit 1990 kur në Shqipëri ndodhi fenomeni i paimagjinueshëm, ku njerëzit shpërthyen ambasadat dhe depërtuan brenda tyre keni qenë në piramidën e ushtrisë së atëhershme popullore si ndihmës i parë i shefit të Shtamadhorisë dhe më pas si shef i saj. Do të ishte me interes për publikun e gjerë të dinte nga ju se si kanë vijuar ato ngjarje të befasishme dhe të çuditshme për kohën dhe cila ka qenë veprimtaria juaj në misionin që iu ngarkua ushtrisë?Atëherë unë isha asistent i shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant i Frontit Bregdetar. Çështja e njerëzve që kishin hyrë në ambasada ishte kthyer në problem serioz dhe në zgjidhjen e tij u kërkua ndihmë edhe nga ushtria. Nga ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Kiço Mustaqi, i cili kishte biseduar me Ramiz Alinë u ngarkova të merresha me evakuimin e personave që kishin hyrë në ambasada. Këtë detyrë ai ma ngarkoi gojarisht pa hartuar ndonjë, dokument zyrtar dhe urdhra të tillë ne i merrnim shpesh.Si ishte klima në Tiranë dhe si u zgjidh çështja e këtyre personave?Ishin bërë më tepër se dy javë që nga koha kur shumë qytetarë shqiptarë, të cilët kishin hyrë me forcë në ambasadat perëndimore në Tiranë, vazhdonin të qëndronin në oborret e tyre në një gjendje tepër të rëndë. Ushqimet i merrnin nga familjarët jashtë kangjellave dhe nevojat fiziologjike i kryenin ku të mundnin. Ishte krijuar një situatë që ç’të të them. E gjithë Tirana ishte e përfshirë në një kaos. Ambasadat ishin mbyllur dhe nuk funksiononin. Vëmendja e gjithë shtetit shqiptar ishte përqendruar në atë çka po ndodhte brenda dhe jashtë mureve të ambasadave të huaja. Ndërkohë mes njerëzve qarkullonin fjalë nga më të ndryshmet në lidhje me fatin e njerëzve që kishin hyrë në ambasada. Fjalët mbërrinin edhe në veshët tanë. Thuhej se të gjithë do të burgoseshin e madje që do të çoheshin në Malin me Gropa dhe do të digjeshin. Por me sa duket qeveria e asaj kohe arriti të sigurojë marrëveshjet për sistemin dhe dërgimin e të gjithë këtyre njerëzve në vendet e perëndimit. Rrugët që u gjetën për zgjidhjen e këtij problemi unë nuk i di, sepse kanë qenë në kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ushtria u angazhua vetëm për evakuimin e tyre nga ambasadat në Portin e Durrësit. Siç ju thashë, unë u ngarkova për drejtimin e këtij operacioni. Çfarë masash morët për zbatimin e detyrës që ju ngarkuan?Pasi mora detyrën, hartova një plan për përmbushjen e saj. Situata nuk ishte aspak e qetë dhe duhej pasur kujdes në çdo veprim. Në këtë kohë, në Shqipëri erdhën dy përfaqësues të Kombeve të Bashkuara për emigrantët, të cilët do të vëzhgonin situatën dhe do të ndihmonin në zgjidhjen e problemit. Emrat nuk ua mbaj mend, por di që njëri prej tyre ishte holandez dhe tjetri danez. Më thanë se duhej të takohesha me ta. Ministri i Jashtëm, Reis Malile, më njoftoi me telefon se takimi me përfaqësuesit e OKB-së do të bëhej në Ministrinë e Jashtme. U takuam në ministri, ata të dy, unë dhe një përkthyes. Pasi biseduam në lidhje me problemin e krijuar, u thashë, se, sipas planit që kisha hartuar, mendoja që evakuimi të niste rreth orës 21:00 të mbrëmjes, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit. “Eshtë e pamundur të arrihet kjo”, më tha danezi, duke pasur parasysh që evakuimi nga Tirana dhe zbarkimi në Portin e Durrësit kërkonte kohë. Sa ishte numri i personave që kishin hyrë në ambasada dhe si ishte menduar të zgjidhej problemi i tyre? Në të gjitha ambasadat llogariteshin rreth 2700 qytetarë. Fluksi më i madh ishte tek ambasada gjermane, ajo italiane dhe më pak tek grekja dhe francezja. Nuk di të them shumë për sistemimin e tyre në shtetet e ndryshme, sepse kjo ishte diskutuar nga autoritet tona dhe ato të vendeve përkatëse dhe se detyra ime ishte evakuimi nga ambasada në porte. Pavarësisht hezitimit të përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, i cili gjithashtu na shoqëroi, operacioni nisi në orën 21:00. Nuk e mbaj mend datën e saktë. Me 50 autobusë, që u vunë në autokolonë morën emigrantët në të gjitha ambasadat. Në dorë kisha listat me emrat e të gjithë personave dhe ngjitja në autobusë u bë sipas emrave dhe destinacioneve për ku do të niseshin. Ndërkohë ishte biseduar me drejtorin e Portit të Durrësit dhe rruga do të ishte e lirë në pritje të trageteve, që do të vinin posaçërisht për të marrë njerëzit. Unë isha përpara me makinë. Duke ditur oraret e trageteve që ishin ca më vonë, në Shijak mendova të bënim një ndalesë për t’u çlodhur, por edhe për të qenë në port sa më afër orës së trageteve, në mënyrë që edhe njerëzit të mos prisnin kot.Por, sapo ndaloi makina e parë dhe pas saj e gjithë autokolona, nga autobusët nisën fjalët dhe të thirrurat. Ishte ajo që ju thashë më lart. Njerëzit u trembën dhe menduan se do t’i vrisnim. Këto fjalë më erdhën edhe mua, ndaj menjëherë vendosa të niseshim përsëri. Rruga kaloi e qetë. Shkuam në port, që ishte i gjithi i rrethuar me ushtarë. Aty njerëzit nisën të qetësoheshin se kuptuan që vërtet po dërgoheshin jashtë Shqipërisë. Autobusët e parë u futën brenda, ndërkohë që vargu i autokolonës vazhdonte deri tek ura e Dajlanit. Pritëm pak sa mbërriti trageti i parë, kur nisi të bëhet edhe zbarkimi i njerëzve nga autobusi. Edhe sot kur i kujtoj ato çaste ndjehem i emocionuar. Ishte vërtet diçka e pazakontë. Ata që iknin nxirrnin nga xhepat lekët e gjithë ç’kishin dhe ua jepnin shoferëve. Të tjerë uleshin dhe puthnin tokën. Dukej se nuk po e besonin që po largoheshin. Pas largimit të tragetit të parë, që mori një pjesë të njerëzve, pritëm të dytin e kështu me radhë, për t’i zbarkuar të gjithë. Autobusët ishin rreshtuar sipas destinacioneve. Pasi përfundoi zbarkimi i tyre që ishin për Itali, filluan ata të Gjermanisë, Greqisë dhe Francës. Kjo vendosje na e bëri edhe më të lehtë punën. Në orën katër të mëngjesit kishte përfunduar gjithçka. I gjithë ky proces përfundoi pa incidente?Mund të them që patëm një incident të vogël, por që gjithsesi kaloi qetësisht. Ishte trageti malazez, por me ekuipazh jugosllav që krijoi problemin. Ky traget do të merrte njerëzit që ishin për Marsejë. Sapo u fut në port, trageti ngriti flamurin dhe i gjithë ekuipazhi doli mbi kuvertë duke thirrur dhe bërtitur. E kam para sysh fytyrën e nervozuar të përfaqësuesit evropian, i cili reagoi në moment dhe urdhëroi që ekuipazhi të futej menjëherë brenda. Pas kësaj gjithçka kaloi qetësisht. “Nesër nuk do të flitet për këtë çështje”, më tha përfaqësuesi i OKB-së, kur u kthyem në Tiranë në mëngjes herët. Duke parë mënyrën e organizmit të punës, pasi mbaruam misionin, edhe pse nuk e dinte profesionin tim ai më tha: “ti duhet të jesh ushtarak”. Nuk i dhashë përgjigje. Ai madje më ftoi që të shkoja të punoja me të, por unë iu përgjigja se atë punë e dinte qeveria ime. Atë ditë bisedova në telefon me Ramiz Alinë, që më falënderoi dhe kishte mbetur i kënaqur nga puna që bëmë. Më vonë mora vesh që përfaqësuesi danez në OKB kishte folur shumë pozitivisht për mua tek Ramiz Alia dhe ndoshta kjo ndikoi që pak kohë më pas mua të më emëronin shef të Shtabit të Përgjithshëm...(Vijon nesër)

JetshkrimiHabazaj, njeriu që përcolli shqiptarët e ambasadave
Kolonel Halim Habazaj, u lind më 24 dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Pasi përfundoi mësimet e para në vend, shkoi në Tiranë ku kreu shkollën ushtarake “Skënderbej”, për të vazhduar më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Akademinë Ushtarake dhe kursin e lartë të Filozofisë. Gjatë karrierës ushtarake ka kryer detyra të ndryshme si komandat toge, komandat kompanie dhe batalioni. Ka qenë edhe shef Shtabi i brigadës dhe komandant brigade. Më pas, Habazaj ka pasur edhe detyra të tjera si oficer drejtimi, shef i degës së Planifikimit Luftarak dhe zv/drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes, komisar dhe komandant i Akademisë Ushtarake. Në vitin 1990 Halim Habazaj emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pasi kishte kryer më parë detyrën e ndihmës/shefit të Shtabit dhe komandantit të Frontit Bregdetar. Në këtë pozicion do të qëndronte deri në vitin 1991, kur me vendim qeverie mori detyrën e komandantit të Akademisë.

Vizita e Perez de Kuelarit tronditi komunizmin shqiptar
Askush nga shqiptarët e atyre ditëve nuk e harron atë moment sa të çuditshëm, aq edhe të papritur. Ajo që nuk ishte menduar jo për një kohë të shkurtër, por për 50 vjet me radhë, ndodhi në mes të kryeqytetit shqiptar, që për rreth 5 dekada ishte drejtuar me dorë të hekurt nga komunisti fanatik, Enver Hoxha. Pikërisht përpara monumentit të tij, që uzurponte sheshin kryesor të Tiranës, një turmë prej qindra e qindra njerëzish po duartrokiste politikanin e famshëm të botës Perez de Kuelar gjatë një vizite kortezie në Muzeun Historik Kombëtarë. Ishte një moment që shokoi shqiptarët në të gjithë shtrirjen gjeografike të shtetit, të cilët e ndiqnin drejtpërsëdrejti nga ekrani. Perez de Kuelarinë atë periudhë kryente detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës më të fuqishme të botës, siç ishin Kombet e Bashkuara. Pikërisht për këtë fakt opinioni i gjerë mbeti i befasuar, pasi ishte mesazhi më i saktë që tregonte absolutisht se në Shqipëri diçka po lëvizte. Kur dalja e politikanit Perez de Kuelar nga salla e Muzeut shkaktoi stuhinë e duartrokitjeve, shumë prej njerëzve e kuptuan saktë se pushteti komunist kishte pësuar çarjen e madhe. Dhe ashtu po ndodhte në të vërtetë. Gjithçka e tregoi së fundmi situata e krijuar në muret e ambasadave, kur vetëm pak muaj më pas, njerëzit u dyndën mbi to për të përfunduar në perëndim për në shtete të tjera, mjafton që të mos ishin komuniste.

neser do te lexoni
Cila ishte gjendja e ushtrisë shqiptare në muajt e parë të vitit 1991 dhe përse forcat e saj u përfshinë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë? Çfarë masash mori qeveria për të mbajtur nën kontroll situatën, në një kohë kur në radhët e forcave të armatosura nisi degradimi?
Çfarë ndodhi në bazën e Pashalimanit pas largimit të tre anijeve nga baza drejt Italisë dhe cili ishte vendimi që Shtabi i Përgjithshëm mori për ushtarakët e arratisur
Si e rrëmbyen civilët rimorkiatorin nga Porti i Vlorës, për t’u larguar drejt Italisë. Përse komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nuk e ndali largimin e tyre

e mërkurë, janar 25, 2006

Ngushellime familjes se dr. Ibrahim Rugoves


Ngushellimet e mija me te sinqerta familjes se Dr. Ibrahim Rugoves ( Gruasdhe tre femijeve) per vdekjene e parakohshme te Presidentit Ibrahim Rugova.Marre pjes shpirterishte ne kete dhimbje te madhe per familjen e Dr.Ibrahim Rugoves si dhe per mbare popullin shqiptare kudo qe ndodhet neBote.

Engjell Shehu
Belgjike
25/01/2006

Orët që shkarkuan Kadri Hazbiun dhe Veli Llakajn

Orët që shkarkuan Kadri Hazbiun dhe Veli Llakajn


Veli LlakajFurtuna në Ministrinë e Mbrojtjes, Enver Hoxha urdhëron shkarkimetOperacioni luftarak, (mijëra vetë në gatishmëri për një grup me tre veta) për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës, përveçse misteret e misionit të saj që ende nuk janë bërë publike, siç del nga shënimet e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, për specialistët ushtarakë qe jo i argumentuar, veçanërisht për raportin e forcave në terren. Por gjithsesi, realizimi i detyrës për neutralizimin e saj(një i kapur e dy të vrarë), e përkeqësoi më tej situatën në ushtri, në shtabe e në bazë, ku pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, vazhdonin të ishin në një shkallë të lartë gatishmërie luftarake. Krerët e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Kadri Hazbiu, si specialisti agjenturor më i mirë i vendit, po kuptonte se “kurbani” i radhës do të ishte ai. Sipas kujtimeve të Veli Llakajt, një kërkesë e Enver Hoxhës, bërë atij më 10 tetor 1982, si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për përgatitjen e një urdhri që asnjë repart ushtarak të mos ngrihej në alarm pa urdhrin e kodin sekret të komandantit të përgjithshëm (Enver Hoxha), duke anashkaluar ministrin e Mbrojtjes, ishte shenjë e mosbesimit të hapur dhe goditjes që po përgatitej. Dy ditë më pas, pikërisht në orën 10.00 të 12 tetorit, sipas shënimeve të Llakajt, ai dhe Maliq Sadushi, zëvendësministër i Mbrojtjes, mësojnë urdhrin se Komiteti Qendror kishte shkarkuar nga të gjitha funksionet shtetërore Kadri Hazbiun. Ndërkaq, në godinën nga drejtohej vendi, gjithçka në prapaskenë po përgatitej me shpejtësinë e jasht zakonshme. Në orën 12.00 të po asaj dite, kryeministri i vendit, Adil Carçani, vjen “rrufe” në Ministrinë e Mbrojtjes, duke komunikuar edhe shkarkimin e Llakajt dhe drejtuesve të tjerë të lartë të ministrisë. Në vend të Kadriut emërohet Prokop Murra, ndërsa si shef i Shtabit të Përgjithshëm emërohet Kiço Mustaqi. E nesërmja në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror do t’i cilësonte “armiq” Kadri Hazbiun, Veli Llakajn e disa kuadro të tjerë të lartë. Këto momente kritike për ushtrinë shqiptare, me pasoja të rënda dhe në jetën e vendit, nëpërmjet shënimeve të një prej protagonistëve të ngjarjeve Veli Llakaj, shkëputur nga arkiva personale, vijnë për lexuesin me detaje tensioni, drama, njerëz e ngjarje, shumica të panjohura publikisht.Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:* Mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror. Akuza për Kadri Hazbiun: “25 vjet si ministër i Brendshëm, ka bërë faje me dashje kundër Partisë!”* Akuza për Veli Llakajn: “Me njësitë tankiste të Tiranës do të rrëzonte Komitetin Qendror, do të vriste Enver Hoxhën dhe do të vinte në vend të tij Mehmet Shehun!”Ditari i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, vazhdon me rrëfimin e prapaskenave që po përgatiteshin në Ministrinë e Mbrojtjes pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Vizita e ish-kryeministri i vendit, Adil Carçani, në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u komunikua shkarkimi i Kadri Hazbiut, Veli Llakajt dhe drejtuesve të tjerë të lartë të ministrisë. Në vend të Kadriut emërohet Prokop Murra, ndërsa si shef i Shtabit të Përgjithshëm emërohet Kiço Mustaqi. Paralajmërimi për të nesërmen në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror, ku drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes do të cilësoheshin “armiq”. Situata vazhdonte të përkeqësohej nga ora në orë. Më 10 tetor 1982 Enver Hoxha me cilësitë e Komandantit të Përgjithshëm më kërkon mua që të formuloj një urdhër për të gjitha njësitë e Tiranës, pra për çdo regjiment, brigadë apo korpus, për njësitë e aviacionit kudo që ndodheshin, si dhe për Forcat Ushtarako-Detare, që pa urdhrin direkt, kundrejt kodit personal të Enver Hoxhës si Komandant i Përgjithshëm, asnjë njësi ose repart nuk do të ngrihej për të ndërmarrë asnjë lloj veprimi luftarak. Ky urdhër u përgatit po më 10 tetor 1982 dhe po brenda kësaj dite u firmos nga Enver Hoxha, në cilësitë e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Urdhri u lexua në çdo njësi me kuadrot ushtarakë e politikë dhe kundrejt një firme të komandantit e komisarit të njësisë që morën dijeni dhe u njohën me këtë urdhër të gjithë kuadrot e njësisë së tyre.Më datën 12 tetor 1982, ora 10.00, më vjen në zyrë shoku im, Maliq Sadushi, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe më thotë: “More, Veli! Tani më prunë dhe firmosa si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor që me vendim të Byrosë politike të Komitetit Qendror të Partisë që Kadri Hazbiu shkarkohet nga funksionet shtetërore; dini gjë ju për këtë?”. E shikoj drejt në sy pa i dhënë të kuptoj diçka, i drejtohem: “Jo, nuk di gjë; por kjo sëmundje mos është dhe për ne, o i dashuri Maliq!”Pasi largohet Maliqi, marr në telefon ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiun, duke e pyetur nëse e mbaruat mbledhjen e Byrosë Politike apo jo, se kemi përgatitur një urdhër për t’u firmosur nga ju lidhur me disa shqetësime në repartet dhe njësitë ushtarake të vendit. Kadriu, nëpërmjet telefonit më thotë që urdhrin ta firmosësh vetë (pra, unë, V.Ll), por me cilësitë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe mua mos më merr më në telefon se jam i “sëmurë”. E marr Maliqin në telefon në zyrën e tij, i them se sapo kisha biseduar në telefon me Kadri Hazbiun, duke i thënë gjithashtu që të zbriste poshtë dhe të pinim bashkë nga një kafe. Gjatë rrugës drejt kafesë që ishte brenda ministrisë, i pohova Maliqit se ministri më tha që ishte i “sëmurë”, të mos e merrja më në telefon, ndërsa urdhrin që kisha përgatitur për njësitë ushtarake të vendit, do ta firmosja unë në cilësitë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.Ishte ora 11.00 e kësaj dite, momenti në të cilin unë dhe Maliqi u futëm në lokal për të pirë kafe. Por me t’u futur në prag të saj, u befasova, teksa në një cep të lokalit pashë te rrinin bashkë Kiço Mustaqi që ishte zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (pra, vartësi im) së bashku me Bajram Manen, komandant i Korpusit të Korçës, Simon Ballabanin, komandant i Korpusit të Tiranës (atëherë Grupim) dhe Jaçe Lulajn, komandant i Korpusit të Burrelit. Këta tre të fundit, pra komandantët e Korpuseve që i kisha në këto momente fare pranë, në bazë të rregullores së regjimit të gatishmërisë, në çdo rast do të largoheshin nga vendi i punës, pra edhe të vinin në Tiranë për çfarëdo pune, duhet të merrnin lejë tek unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Fakti që kjo kërkesë rigoroze e detyrueshme ishte shkelur, pra ata kishin ardhur në Tiranë pa lejen time por me lejen apo urdhrin e dikujt tjetër, fliste e tregonte shumë. Ishte më se e qartë si për mua, ashtu dhe për zëvendësministrin Maliq Sadushi, që po pinim kafenë në ato çaste ballë për ballë, se vendimi i Byrosë Politike i asaj dite nuk paska qenë vetëm për ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, por edhe për ne. Qëndruam pak kohë në lokal, aq sa pimë kafenë, duke kuptuar gjithçka, por pa e dhënë veten, duke dalë e duke shkuar përsëri në zyrat tona. Prisnim “tërmetin” që do të vinte, e nuk vonoi.Pa u mbushur një orë kohë në ministri, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes vjen kryeministri i vendit, Adil Çarcani, shefi i Sektorit Ushtarak në Komitetin Qendror të Partisë, Gafurr Cuçi si dhe Ali Vukatana, ish-sekretar i Komitetit të Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Një mbledhje tepër e shkurtër, pak minuta, ku u lexua vetëm vendimi i Byrosë Politike për shkarkimet nga të gjitha funksionet shtetërore të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, nga ministri Kadri Hazbiu, unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministrat.Njëkohësisht, në ato pak minuta u komunikua dhe vendimi i Byrosë Politike për emërimet e reja në vendet tona. Kështu, ministër i Mbrojtjes u bë Prokop Murra, Kiço Mustaqi bëhej shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ndërsa Bajram Mane, Simon Ballabani e Jaçe Lulaj zëvendësministra të Mbrojtjes.Po në këtë datë, pra më 12 tetor në ora 19.00, na thirrën në Komitetin Qendror për të lexuar materialin e përgatitur për mbledhjen e nesërme të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë. Edhe ato pak orë unë vazhdoja të isha anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, kështu që e lexova materialin. Ky material nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar përveçse një fraze që thuhej se Kadri Hazbiu ishte kritikuar ashpër në Byro, se kishte bërë faje me dashje kundër vijës së Partisë gjatë kohës që ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Raporti ishte në linjën e analizës së “Poliagjentit Mehmet Shehu”. Aty thuhej se të gjithë grupet “armiqësore”, kudo ishin zbuluar nga partia e jo nga Sigurimi i Shtetit e në këtë aspekt Kadri Hazbiu ka përgjegjësi e duhet të përgjigjet para partisë. Në këtë raport nuk thuhej për ndonjë masë konkrete, për ‘të ose ndonjë tjetër, por Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë që do të niste mëngjesin e nesërm do të përcaktonte e kryqëzonte armiqtë”, ku në krye të listës ishte Kadri Hazbiu dhe unë.
25/01/2006

e martë, janar 24, 2006

Zbardhen kujtimet e kryemisionarit anglez të ‘43




Zbardhen kujtimet e kryemisionarit anglez të ‘43

Gjenerali Dejvis: Enveri më mohoi që ishte komunist
Si u shfaqën konceptet politike të Hoxhës gjatë bisedave me gjeneralin

Kapitullimi i ushtrisë italiane në vitin 1943 nuk do të shënonte aspak përfundimin e luftës në Shqipëri. Në këtë moment, vendi do të njihte një armik të ri dhe shumë më të egër se ai që po ikte.
Ushtria gjermane dhe ofensiva e saj u drejtuan pikërisht në këtë pjesë të vogël të Ballkanit, pushtimi i së cilës do të shërbente si urë për vazhdimin e rrugës hitleriane në drejtim të vendeve të tjera të gadishullit. Ishte koha kur në botë ishin krijuar dy kampe të mëdha: kampi nazifashist, i drejtuar nga Gjermania dhe kampi i aleatëve. Pikërisht në këtë moment të nxehtë të historisë së globit, gjenerali Edmond Dejvis ngarkohet nga kryeministri britanik, Uinston Çërçill, të vijë në Shqipëri. Destinacioni i Dejvisit ishte programuar për në Normandi, por urdhri i kreut të qeverisë britanike e spostoi atë për në vendin tonë. I ardhur në Shqipëri me një mision të rëndësishëm, gjetjen e mbështetësve për të luftuar nazizmin, gjenerali anglez Dejvis nuk e kishte menduar në asnjë moment që në këtë vend të vogël të Evropës, të cilin ai e njihte fare pak, do të gjente një numër të madh problemesh, të cilat nisnin me vetë shqiptarët dhe dy forcat politike që kishin lindur në atë periudhë, për të vazhduar me fatin e copave të ushtrisë së kapitulluar italiane dhe për të përfunduar me pushtimin gjerman që po bëhej gjithmonë e më i pranishëm. Në këtë kuadër, për të realizuar sa më mirë qëllimin dhe detyrën që i ishte ngarkuar, gjenerali Dejvis vendosi që në Shqipëri të ndërmerrte takim me përfaqësuesit e të dyja partive politike, nga ku do të shihte më pas aleatin më të përshtatshëm për të bashkëpunuar. Ditët e misionit të Dejvisit në Shqipëri kanë qenë tepër aktive dhe gjithë veprimtarinë e tij në këtë vend të vogël me njerëz kryeneçë dhe zemërakë, siç i cilëson ai, Dejvisi vendosi ta hedhë në letër. Por, si e ka parë Shqipërinë e viteve 1943-1944 një sy perëndimor? Ç’mendim do të krijonte një ushtarak i lartë i Mbretërisë së Bashkuar për “Vendin e Bardhë” ose “Malësinë e Borës”, siç ia kishte cilësuar antropologia Hezllak kur i kishte folur për Shqipërinë? Cilat qenë mendimet që gjenerali shkëmbeu me krerët e të dyja forcave politike në vend? Cili ishte opinioni që ai krijoi për këta drejtues dhe për rrymat që ata përfaqësonin? Bisedat e gjeneralit anglez me Enver Hoxhën, Mustafa Gjinishin, Ymer Dishnicën, Abaz Kupin, Mit’hat Frashërin etj. Përse fillimisht Dejvisi vendosi t’i ndihmonte dhe t’i përkrahte të dyja palët? Udhëtimet e tij me drejtuesit e LANÇ pas takimit me ta në Labinot. Një pjesë e historisë shqiptare e shkruar nga dora e një gjenerali perëndimor, protagonist dhe dëshmitar i gjallë i ngjarjeve, vjen për herë të parë në shqip.

... Oficerët gjermanë duhet të ishin vrarë në ndonjë pritë, por ne nuk pyetëm se si përfunduan. Hamshorët, njëri i zi dhe tjetri ngjyrë gështenjë, ishin në formë të shkëlqyer, të ushqyer dhe të stërvitur më së miri, saqë kuajt tanë të palodhur na dukeshin të katandisur shumë keq. Shala dhe frerët e tyre ishin punuar mirë dhe vendosur siç duhej. Kalërova me të dy hamshorët njëri pas tjetrit, kishin gojë të vogla, të gjendeshin në rrezik, ishin energjikë dhe ndiheshin krenarë. U tmerrova kur mendova se si do të katandiseshin me kalimin e kohës, të mbuluar nga plagët në kurriz dhe nën bark, me gojë të çapëlyer dhe përgjithësisht të keqtrajtuar. Ata kishin trup ta madh për t’u ngjitur malit dhe kishin këmbë shumë të mëdha për të ecur nëpër shkëmbinj dhe shtigje malore. Ishte për të ardhur keq që i kishin rrëmbyer.Ndërkohë që qëndruam këtu edhe 36 orë të tjera, i dërguam Harit një korrier për të na siguruar ca ushqime, mushka dhe disa specialistë italianë, me një kod të shifruar, sipas vjershës së Lui Meknisit, “Muzika e Gajdes”, që thotë:Nuk po shkon Meri vërdallë,Nuk po shkon të zhvishet,Ne s’kaluam dot ShkumbininAtje fryma krejt të mbytet!
* * *Dielli depërtoi retë, por era frynte më e ftohtë dhe toka ishte tharë, prandaj kishte mundësi që lumi mund të ulej dhe të bëhej i kalueshëm, nëse do të gjendej vau. Skalioni i parë mbërriti pa lajmëruar, Çizshajëri, Rrsh. Melrouz dhe Çizholmi, me kuzhinierët italianë dhe shqiptarë, bashkë me shumë kafshë të tjera të ngarkuara me rezerva ushqimore. Plani ynë ishte që të ndaheshim në dy grupe, Çizshajëri të komandonte grupin e dytë që të na ndiqte pas një intervali prej 48 orësh. Ai s’kishte marrë vesh gjë ç‘kishte ndodhur dhe erdhi te ne në Labinot. Kur mori vesh për dështimin e Shkumbinit, shau siç e kishte zakon. “Copat e budallenjve, e ç‘do bëjmë tashti brigadier?”“Kam frikë se do të kthehemi në Orenjë, Xhim, s’mund të shoh gjermanët të na kryqëzojnë tani. Po presim Enverin që të vendosë”, iu përgjigja. “Nuk po shkon të zhvishet”.
* * *Mezi po prisja të kaloja në jug, pasi kishte mbërritur një mesazh nga Kajro, që miratonte vajtjen time në Egjipt, për të takuar ministrin e ri për Shqipërinë dhe t’i raportoja atij zhvillimet më të reja. Po përpiqeshim të organizonim ikjen me anë të një hidroplani në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit, në veri të Pogradecit. Një pjesë e futur në breg mund t’i pengonte motoskafët bullgarë dhe të bllokonte rrugën pranë bregut, në veri dhe jug. Sidoqoftë, largimi nëpërmjet hidroplanëve mund të kryhej, përpara se të arrinin t’i diktonin. Kishim shpresë se do të vinte ndonjë hidroplan nga Italia, i ngjashëm me ata që përdornin rregullisht italianët. Po të mos realizohej kjo, kishim gjithmonë si zgjidhje “Pamjen e detit”, ndonëse kjo ndodhej më larg se liqeni i Ohrit. Synonim të bënim një vrojtim të bregut të liqenit kur të zbrisnim në jug. I thashë Enverit se po largohesha për pak kohë për të qartësuar pozitën tonë, për t’u kujdesur për rezerva më të mira dhe për t’u shpjeguar direkt se çfarë nevojitej.
* * *Ndërsa po prisnim të gjendej vau nga Shkumbini, Enveri dhe unë zhvilluam disa biseda të gjata rreth së ardhmes. Në njërën prej tyre e pyeta drejtpërdrejt: “A është vërtet LANÇ komuniste dhe a keni ndërmend të vendosni sundimin komunist, bazuar te Moska, në rast se merrni pushtetin pas luftës?” Ai u tregua shumë i kujdesshëm për t’i bërë bisht pyetjes dhe nuk pohoi se ishin komunistë. “Qëllimi ynë është të mundim fashizmin, sido që të paraqitet nga gjermanët apo nga Balli”. “Organizimi i L.A.N.Ç. po imiton sistemin rus, me komisarët e saj politikë”, nënvizova unë. Ai m’u përgjigj, “Sistemi ynë ka pasur sukses në Shqipëri, sikundër në Rusi. Rusia është një prej aleatëve tanë, atëherë pse të mos i kopjojmë? Përshëndetja e partizanëve me grushtin e shtrënguar “Vdekje Fashistëve” me përgjigjen “Rroftë Populli”, është përhapur në mbarë vendin dhe shpreh vullnetin e popullit”. Enveri merrte zjarr shumë dhe eksitohej kur fliste. Ai ishte trupmadh dhe të linte përshtypjen se qe shumë i vendosur. Më foli shumë për konditat e Shqipërisë në të kaluarën – për varfërinë ndër qytete, për fshatarët e malësisë, për gjakmarrjen midis familjeve, për mungesën e hekurudhave dhe për gjendjen e pazhvilluar të vendit, që kishte shumë pasuri natyrore si naftën, lëndën drusore dhe kromin. Pjesën më të madhe të bisedës e zhvillonte në frëngjisht, gjuhë të cilën e fliste shumë mirë, por vura re se kur diskutonte mbi politikën, gjithmonë rrëshqiste në shqip, kështu që duhej ta përkthente Frederiku. Anëtarët e këshillit hanin dhe jetonin njëlloj me të tjerët, në qiell të hapur apo në vendstrehim dhe, ndonëse Enveri kishte një kalë të mirë, ai kurrë nuk kalëronte gjatë marshimit, kur duhej të përshkonte rrugë të gjata. Ai e përçmonte mbretin Zog, që, siç thoshte ai, e kishte braktisur popullin kur kërcënohej nga pushtimi dhe kishte marrë miliona florinj nga vendi për t’i siguruar gruas dhe motrave një jetë luksoze në Francë dhe Angli.
* * *Ne bisedonim ndërsa shëtisnim nëpër fushat jashtë shtëpisë, pas kopshteve të qershive, sipër shkëmbinjve, prej nga gurgullonte uji i ftohtë akull. Ky ishte rasti i parë që flisja vetëm për vetëm me Enverin, dhe për ta njohur me të vërtetë. Ai kishte shumë plane për zhvillimin e vendit pas luftës, edhe për ndërtimin e hoteleve turistike. Udhëtimet në Francë dhe Belgjikë ia kishin hapur horizontin dhe i kishin nxitur iniciativën. Ai ishte i shqetësuar të dinte se cilën parti kisha vendosur të përkrahja. Ia përsërita për të disatën herë që, derisa aty vazhdonte lufta civile nuk do përkrahja asnjë parti, por shpresoja që të bënte të gjitha përpjekjet kundër gjermanëve dhe të mënjanonte grindjet me Ballin, derisa të mposhteshin gjermanët. Në pranverë, kur të shpejtoheshin veprimet, nuk do të kishte kohë për t’u grindur, pasi do të çmohej vetëm lufta e paprerë kundër mbeturinave të boshtit...Historitë pikante të doktor Dishnicës ...Kaluam edhe dy ditë të tjera në Labinot, ditë që kaluan ngadalë, por që ishin të dobishme meqë i kaluam pranë këshillit, duke u dhënë mundësi të dyja palëve të vërenin anët e mira të tjetrit. Habiteshim me humorin e tyre. Dr. Dishnica kishte një mendje shumë të hollë dhe tregonte histori pikante në një frëngjishte të bukur, shoqëruar me gjestet e duhura. Ai kishte qenë student Mjekësie në Francë dhe si rrjedhim, u bë ministër i Shëndetësisë në qeverinë e parë të pasluftës. Shqiptari i vetëm që e njihnim vërtet mirë deri atëherë ishte Frederik Nosi, që e fliste shumë mirë anglishten, pasi i pati dhënë mësim znj. Hezllak kur erdhi në Elbasan. Kështu që ai i kishte mësuar prej saj sjelljet dhe zakonet angleze. Frederiku rrinte vazhdimisht me mua dhe ishte një shoqërues i mirë dhe i zgjuar. Ai kishte qenë në Gllazgou si udhëheqës i një grupi skautistësh, në një grumbullim ndërkombëtar dhe ishte i vetmi shqiptar që takova, i cili kishte qenë në Britani. Mendoj se ai kënaqej që rrinte me ne, pasi mund të ushtronte anglishten. Edhe ai ishte njeri me mjaft humor dhe kishte një hundë të madhe shqiptare, me formë të çuditshme. Ai e kishte për turp që xhaxhai i tij, Lef Nosi, që e pati rritur, bashkëpunonte me gjermanët si president i Asamblesë Kombëtare. Herë pas here Frederiku na nxirrte telashe, por në përgjithësi s’mund të gjenim një oficer ndërlidhës më të mirë, pasi pa të kurrë s’do ta bënim punën tonë kaq shpejt për njohjen e vendit dhe popullit.
* * *Më në fund vendosëm të ktheheshim në Orenjë për ca ditë, përpara se të përpiqeshim edhe një herë tjetër të kaptonim lumin. Fatmirësisht, Labinoti nuk gjendej shumë larg nga rruga kryesore dhe që andej dëgjohej një zhurmë e vazhdueshme qitjesh. Tani lumi ishte ulur dhe mund të kalohej, kurse banorët e zonës ishin tepër të tronditur nga sulmet mbi fshatrat e Ballit dhe patrullat gjermane të rrugës ishin në lëvizje. U nisëm një mëngjes, disa me Çizshajërin në krye, ndërsa të gjithë ne të tjerët një orë e gjysmë mbrapa. Kuajt ishin gjithë gjallëri dhe dukej se e kuptonin që po ktheheshin në stallat e tyre të ngrohta, poshtë shtëpisë sonë, ku mund të dëgjonim si çukërmonin dhe hidhnin shqelma gjithë natën. Në mbërritje u tronditëm kur na thanë se një natë më parë kishte ardhur një aeroplan, por gëzimi ynë nuk zgjati shumë kur morëm vesh për ngarkesën – një pako e vogël postare, disa eksplozivë dhe granata, as ushqim, as municion, ca pushkë “Sten” dhe ca veshje speciale dimërore. Kadri Hoxha, që priste armë, veshje ushtarake, kapota dhe barna mjekësore për spitalin e zonës, për këtë arsye u tregua harbut me Harin dhe u tërbua nga zemërimi. Ai u kthye më vonë dhe ma nxiu fare situatën në vend. Gjermanët gjendeshin në fshatrat e Ballit poshtë dhe në lindje; asgjë nuk mund t’i ndalte që të vinin drejt nesh. Brigada e dytë partizane ishte tërhequr në malësinë sipër Shëngjergjit bashkë me italianët. Përveç tyre, dhe partizanët e Çermenikës ishin shpërndarë. E pashë të udhës që të shpërndaja një pjesë të furnizimeve që sapo kishin ardhur. I thashë Kadri Hoxhës që t’i merrte të gjitha pushkët dhe granatat, ndërsa ne do të mbanim eksplozivët, meqë ata s’dinin t’i përdornin. Ai u ngrit dhe tha si i harbuar: “Nuk i duam fare. Aeroplani erdhi për të sjellë letra dhe veshje të ngrohta për misionin, kurse njerëzit e mi janë me lecka, me këmbët plagë, ndërsa të plagosurit po vdesin nga mungesa e barnave”. Unë e mbajta veten dhe u tregova i durueshëm me të. “Kadri,- i thashë - ai ishte vetëm njëri prej aeroplanëve që duhej të vinin këtu. Të tjerët mbase s’kanë ardhur dot, por do të vijnë dhe të gjitha ato që kemi kërkuar do të mbërrijnë. Kjo ishte vetëm partia e parë – merre dhe shpërndajua njerëzve të tu. Pushkët “Sten” dhe granatat mund të vrasin shumë gjermanë”...

neser do te lexoni
Ditët e misionarit anglez në shoqërinë e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Pritjet e gjata për të marrë ndihmat e aleatëve nga ajri
Qëndrimi i fshehtë dhe i rrezikshëm në pyjet e Orenjës. Përpjekjet për t’iu fshehur gjermanëve dhe ballistëve që ishin vënë në kërkim të tyre

Biografi e shkurtër e Rugoves



Biografi e shkurtër e Rugoves

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, Komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. U diplomua në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-'77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare. Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit, ai u shpall "Doktor nderi" i Universitetit të Parisit VIII në Paris. Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-'72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse ndërkohë u shfaqën në skenë edhe parti e grupe të tjera. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit. Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

-Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

- Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall "Doktor Nderi" (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

- Më 1998, Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

- Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall "Qytetar nderi" i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

- Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.

- Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004.
Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:

- Mbreti i Spanjës Huan Karlos, Helmut Kohl, Ronald Regan-i, Oto fon Habsburg dhe Emil Konstantinesku.

- Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, zonja Kethrin Bejker Noll (Catherine Baker Knoll).

"...Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t'ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t'ju falenderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara" (znj. Kethrin Bejker Noll)

- Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane, të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë, paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
"Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajo që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit".
"Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t'i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian, që të mos dekurajohet". (Zoti Oto fon Habsburg)

- Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall "Doktor Nderi" (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

- Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe udhëheqjen e tij politike frymëzuese.

e hënë, janar 23, 2006

Lavdi per jete udheheqesit dhe prijesit te madh Kosovar Ibrahim Rugova!




e diel, janar 22, 2006

“Mehmeti vrau veten se nuk duronte kritikat e të paaftëve”



“Mehmeti vrau veten se nuk duronte kritikat e të paaftëve”
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj, rrëfen për “Shekullin”, sesi u përgatit plani për çlirimin e Kosovës, marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën e Mehmet Shehun, si dhe korrespodencën me Ramiz Alinë deri në vitet ’90

Kujtim Boriçi

Veli Llakaj, ish- protagonist për 8 vjet rresht në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare e jetës së vendit, si bashkëpunëtori ushtarak më i afërt i ish-ministrit të Mbrojtjes e kryeministrit të vendit në atë kohë, Mehmet Shehu e njëkohësisht edhe bashkëpunëtor ushtarak i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Enver Hoxha.
Njohja e jetës së ushtarakut të lartë Llakaj, nga oficer i thjeshtë deri në majën e strukturës më të lartë ushtarake të vendit, më pas deri në dënimin si armik, siç del nëpërmjet intervistës që ai jep, vjen nga një kujtesë e admirueshme, shënime origjinale të ruajtura me kujdes si dhe dokumente zyrtare të kohës. Njëkohësisht, ndonëse në momentin e kryqëzimit, në kontrollin e banesës iu sekuestruan materiale të shumta, përfshi qindra faqe dorëshkrime e foto të rralla, përsëri ai ka ruajtur apo gjetur foto tepër interesante të kohës që do të shoqërojnë në numrat në vazhdim pjesë të shkrimeve të tij të shkëputura nga arshiva personale. Në numrin e nesërm për lexuesin do të botohet shkrimi i Veli Llakajt për momentet e pas vrasjes së Mehmet Shehut, situata në vend e veçanërisht në ushtri, roli i tij, përgatitja e kryqëzimit të nr. 1 të ushtrisë shqiptare e kuadrove të tjera të larta, provokimet, prapaskenat, cilësimet “armik i popullit”, internimet etj..Në numrin nesërm, nga Veli Llakaj do të lexoni:-Skenat dhe prapaskenat për goditjen e kuadrove më të larta të ushtrisë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.-Letra anonime kërcënuese e provokuese me nënshkrimin “Vjosa” (pseudonimi Mehmet Shehut) që ju dorëzua Llakajt e kuadrove madhorë të ushtrisë.-Ç’bisedoi Llakaj me Kadri Hazbiun për këto kërcënime.-Terrori në familje dhe si u përgatit dhe u përhap lajmi se Veli Llakaj është arratisur me helikopter dhe më pas me anije.-Takimi i Llakajt me Ramiz Alinë për këto situata.-Përgjigjja e Alisë “Nuk është faji i yni, as i Partisë, por i yti!”-Si e detyrojnë Llakajn të bëjë një shkrim rreth situatës në ushtri, ku të vërtetohej në opinion se Llakaj nuk ishte arratisur, po ishte në krye të ushtrisë.Sot, pas kaq dekadash, mund të na thoni se cili qe shkaku i përzgjedhjes suaj nga Mehmet Shehu në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërkohë që situata ishte e rëndë?Nuk mund ta them saktë këtë, por them se gjithçka erdhi pas analizave të hollësishme në të gjithë ushtrinë mbi të ashtuquajturën “Veprimtari armiqësore e Beqir Ballukut”. Ka mundësi që këtë propozim ta ketë bërë dhe Haki Toska, i cili ishte i deleguari i Byrosë Politike në analizën e bërë në Korpusin e Fierit, ku megjithë “lenten” e qëmtimit të kërkimit të “veprimtarisë armiqësore”, për mua dhe ushtarakët e Fierit nuk u gjet gjë. Mund të ketë qenë propozimi i vetë Mehmetit, pasi më kishte ndjekur vazhdimisht në punë në Shtabin e Përgjithshëm kur isha oficer drejtimi për Korpuset e veriut, kur isha komandant i Brigadës së Parë që mori dhe titullin “Hero i Popullit”, në Korpusin e Fierit, e veçanërisht në stërvitjen “Semani”, e cila u drejtua nga vetë Mehmet Shehu.A ka vrarë veten Mehmet Shehu, sipas jush?Mehmet Shehu e dënonte vetëvrasjen, por në këtë rast, vrau veten. Mendoj se këtë akt e bëri nga sedra e tij e sëmurë, pasi karakteri i tij nuk mund të pranonte ta kritikonin padrejtësisht të paaftët që e rrethonin në Byronë Politike..Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kishit vartësi edhe nga Enver Hoxha që ishte komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Diçka rreth këtyre takimeve?Në bazë të platformës së Këshillit të Mbrojtjes, me Enver Hoxhën që ishte dhe komandant i përgjithshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ishte i detyruar të takohej një herë në muaj, përkatësisht në datat 4-6 të çdo muaji. Kjo praktikë përgjithësisht ndiqej dhe kur unë isha në detyrë, me ndonjë përjashtim kur vetë Enver Hoxha nuk kërkonte të bëhej takimi mujor. Në shkrimet e mia, zënë vend edhe këto takime.Është publikuar nga media e huaj edhe si fakt (pa hollësi) dhe për një plan për çlirimin e Kosovës, a ka ekzistuar ky plan, kush janë hartuesit dhe ç’u bë?Po, ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë. Hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm. Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Është një problem që kërkon dhe do të bëjmë një trajtim veças për lexuesin tuaj. Por theksoj se ky plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një zyrë të veçantë të dokumenteve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm, dhe çelësat e kësaj kasaforte mbaheshin direkt nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga askush tjetër. Pra, ky rregull garantonte që asnjë njeri nuk mund të hapte këto dokumente pa qenë prezent ne të dy.Pse të dënuan?Dënimi im ka qenë politik, pse mendohej se do të isha bashkëpunëtor dhe mbështetës direkt i Mehmet Shehut që vrau veten. Jam shkarkuar dhe më është bërë gjyqi politik dhe ndëshkimi, 11 muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. U kam vënë në dispozicion arkivën time personale, ku do të gjeni hollësitë, mëkatarët dhe viktimat. Gjyqi im politik u bë në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, më 13 tetor 1982, në të cilin u dënuan me masa të rënda ndëshkimore partie dhe shtetërore dhe Kadri Hazbiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes, Ndreci Plasari, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit pranë Komitetit Qendror të Partisë si dhe Nazar Berberi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Gjithçka trajtohen në një kapitull të veçantë të kujtimeve të mia.A mendoni se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e kanë tradhtuar Kosovën dhe kanë qenë kundër çlirimit të saj, siç është folur e shkruar jo pak gjatë këtyre viteve të fundit?Absolutisht jo. Do të them vetëm një hollësi për sot. Mehmet Shehu më ka takuar mua me një grup aktivistësh të Kosovës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që më 1979-ën, të cilët ishin në krye të revoltave e demonstratave të njohura më 1980-ën. Edhe sot ruaj miqësinë me ta. Po të njihesh me planin për çlirimin e Kosovës, do të njihesh edhe me qëndrimin dhe përpjekjet e Enverit për çlirimin e saj, si ideatori kryesor për një Kosovë të lirë e sovrane, deri në dhënien e detyrës direkte Shtabit të Përgjithshëm për një ndërhyrje të mundshme në Kosovë.Ju keni përjetuar kohën dhe pasojat e një materiali të përpunuar nga një grup ushtarakësh të që më vonë u quajtën “Tezat e Zeza”, dhe të gjithë ata që kishin marrë pjesë në punimin e këtyre materialeve janë dënuar, internuar ose pushkatuar. Ç’mund të na thoni për këtë?Unë këtë material e kam lexuar së bashku me dy shokë të tjera, përkatësisht me shefin e shtabit të Korpusit, zotin Gjergji Titani dhe shefin e artilerisë së Korpusit, zotin Zeqir Shehu, kur urdhri ishte që ky material të lexohej vetëm nga komandanti dhe komisari i Korpusit. Përgjigjen zyrtare me shkrim që kemi dhënë për këtë material, unë do t’ua vë në dispozicion për lexuesin se e kam në kujtimet e mia. Por paraprakisht mund t’ju them se po ta lexosh me kujdes dhe të bësh konsulta me kuadro specialistë, ashtu siç kemi rehatuar dhe ne me shkrim në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, në këto materiale nuk ka asgjë armiqësore. Më vjen jashtëzakonisht keq që ky qe një shkak politik për dënimin dhe pushkatimin e Beqir Ballukut dhe të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të tij, kuadrove më të talentuar të ushtrisë shqiptare si Petrit Dume e Hito Cako apo të dënuarve dhe internuarve të tjerë, një nga gjeneralët më të talentuar të strategjisë ushtarake, gjeneralin e dy akademive të Bashkimit Sovjetik, Spiro Shalësi, është një mëkat. Po kështu, edhe gjeneralët e tjerë si Vaskë Gjino dhe Ernest Jakova. Këto materiale vërtet kishin disa trajtime në terma jo në përputhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, por kurrsesi nuk mund të quhen materiale të sabotimit të artit ushtarak.Të kthehemi te dënimi i juaj?Përjashtimi nga Komiteti Qendror dhe nga partia siç thash më 13 tetor 1982, ishte automatikisht dhe nga të gjitha funksionet e tjera partiake e shtetërore, duke filluar nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, si deputet i Kuvendit Popullor, si anëtar i Këshillit të Mbrojtjes etj... Fillimisht më çuan në Cërrik në detyrën e shefit të stërvitjes të brigadës, ndërsa financiarisht merrja rrogën e komandantit të togës, aq sa merrte një oficer i sapo dalë nga bankat e shkollës ushtarake. Kam qëndruar familjarisht në këtë qytet 8 vjet. Si të dënuar, asnjë njeri nuk na hynte e dilte ditën në shtëpi, bile dhe kur më vdiq nëna, nuk më mori pjesë asnjë njeri. Ndërsa gruas sime që ishte e sëmurë dhe prej vitesh ishte në kemp, ia hoqën të drejtën e invaliditetit, duke e detyruar të bënte punët më të rënda në fermën bujqësore të Cërrikut. Ndërsa fëmijëve të mi u duhet të vuanin një kalvar të stërmundimshëm, që nga privimi i arsimimit të mëtejshëm, të rrinin larg shoqërisë etj. Por nuk do t’i harroj njerëzit e mrekullueshëm të asaj zone, të Gostimës, Belshit etj. që na deshën e respektonin tej mase, shpesh shmangnin frikën dhe natën na takonin në shtëpi. Ruaj sot e kësaj dite miqësi me ta.Keni qëndrua në Cërrik deri në vitin 1990, më pas ikët në Fier. Pse në Fier dhe kush u ndihmoi?Po. Kam qëndruar në Cërrik deri në prill të vitit 1990, nga ku më pas jam transferuar me të njëjtën detyrë në Fier, pasi kisha mbushur moshën e pensionit. Transferimi në Fier lidhet me një letër që i bëra Ramiz Alisë, si sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe falë interesimit të tij. Dua të shtoj këtu, se gjatë gjithë kohës që isha në Cërrik, kam dërguar një sërë letrash udhëheqjes së kohës, korrespodencë që e ruaj dhe ua vë edhe ju në dispozicion. Në letrën që i dërgoja Ramizit, i kërkoja të më transferonin se po dilja në pension në një vend ku më kishin çuar si “armik” dhe më shihnin si të tillë, nuk doja që vuajtjet e familjes sime të vazhdonin më tej. Pra, i kërkoja që të jepte të drejtën që jetën si pensionist ta kaloja në një qytet tjetër. Ramizi, në përgjigjen e tij më shkruante: ”Vitet e pleqërisë t’i bësh në çdo qytet që dëshiron, por me kusht që të qëndrosh oficer derisa të marrësh shtëpi e të sistemosh njerëzit e shtëpisë në punë!”. Kështu u bë. Në lëvizjen time, në sistemimin me shtëpi dhe punën të familjarëve, më kanë ndihmuar dy nga ushtarakët madhorë e të njohur të vendit, Kiço Mustaqi e Bajram Mane, të cilët, meqë më dhatë rastin ju në këtë intervistë, dua t’i falënderoj.Pleqëria, proceset demokratike ju gjetën në Fier, por përsëri ndërrimi i vendbanimit nuk qe i mbarë për ju, ju arrestuan?Po. Jam arrestuar në vitin 1993, pikërisht më 18 shkurt të këtij viti. Po zhvillonim një protestë të ligjshme me ish-ushtarakët e liruar dhe pensionistët për pensionet e mohuara nga qeveria e re demokratike..Ishim 17 veta që na arrestuan, na futën në dhomat e izolimit e nisën hetimet..Gjatë luftës në Kosovë, ju e shumë kolegë tuaj keni qenë atje, diçka më konkretisht?Çlirimin e Kosovës (çlirim për mua është pavarësia e plotë që presim) çdo bashkëkombës e ka pasur peng, e për më tepër unë që hartova dy dekada më parë planin për çlirimin e Kosovës dhe i kisha një borxh të madh Kosovës në këtë rast për t’ia shlyer. Ndaj po bëj një korrigjim (qesh), që kam qenë në Kosovë, shto këtu dhe Medvegjë-Bujanoc e tokat shqiptare në Maqedoninë e sotme, jo vetëm ditën që nisi lufta e deri sa mbaroi, por dhe më parë. Duke ua lënë të drejtën e leximit të arkivës sime personale, për këtë rast, disa detaje mund t’ua them dhe në këtë intervistë. Na erdhi një platformë nga Këshilli i Mbrojtjes së Kosovës, si shoqatë e Ushtarakëve Shqiptarë në Rezervë, të cilën na e dorëzoi një emër i njohur kosovar. Na kërkohej ndihmë direkte për përgatitjen e disa grupe kuadrosh e luftëtarësh nga ana ushtarake, njëkohësisht dhe ndihmë direkte me kuadro të larta në shtabe e drejtim luftimesh në tokat kosovare të pushtuara. Dua të theksoj këtu dhe ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim dhe kolegu im, Zyhdi Kroi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve shqiptar në Rezervë. Kemi takuar edhe presidentin e vendit Rexhep Mejdani për këtë “mëkat” tonin, e sigurisht ai bëri atë që duhet të bënte.Pra kemi bërë vetëm detyrën, ndonëse mund të ndodhte, siç kemi disa raste, që mund edhe unë të mos isha sot këtu me ju në këtë intervistë.Si jeton Veli Llaka sot?Si gjithë shqiptarët, me një pension 12 470 lekë në muaj që marr unë. Jetoj në një pallat parafabrikat në Breg-Lumi të Alliasit, vetë i gjashtë. Por nuk jam ankuar as dje, as sot, nuk është në natyrën time të ankohem, por të jem dinjitoz.

e shtunë, janar 21, 2006

Njoftim !


Njoftim !

Sot ne oren 11.38 minuta date 21 Janare 2006 u nda nga jeta Ibrahim Rugova Prsidenti i Kososves,simboli i qendreses kosovare kunder regjimit gjakate te serbise, biri i Kosoves martire, udheheqesi i dashur i popullit te Kosoves, burri i mençurise, zgjuaresise, qendreses,beses, urtesise dhe simboli i lirise.


e enjte, janar 19, 2006

Byroistët e 1991: Nexhmije Hoxhës nuk do t’ia heqim shërbëtorët e familjes

Byroistët e 1991: Nexhmije Hoxhës nuk do t’ia heqim shërbëtorët e familjes


Fatos Veliu
Dy ditë zgjati ai takim sfilitës për byroistët e partisë që kishte drejtuar shtetin shqiptar për 50 vjet me radhë.
Ndërsa Ramiz Alia i kishte thërritur për të diskutuar dhe për të marrë një vendim urgjent mbi një ultimatum që i kishte dhënë Partia Demokratike, për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të cilat ishin caktuar në 10 shkurt, dialogu i tyre preku dhjetëra probleme që lidheshin jo vetëm me situatën në të cilën ndodheshin, por edhe me gabimet e tyre si udhëheqës të lartë të partisë, aq sa e
kishin çuar zemëratën popullore në ekstrem. Gjithçka rreth kësaj historie ka ndodhur plot 15 vjet më parë, pikërisht më 9 dhe 10 janar të vitit 1991, kur Shqipëria për herë të parë pas 50 vjetësh të regjimit komunist kishte hyrë në fushatën për zgjedhjet pluraliste. Shumë probleme u prekën dhe shumë u diskutuan gjatë. Dy ditë të tëra iu deshën për të analizuar shkaqet dhe pasojat e rrugëve politike që do të ndërmerrnin ata njerëz, që deri në atë ditë ishin njohur si “baballarët e kombit”. U diskutuan problemet e grevave, ato të privilegjeve të tyre ndaj njerëzve të afërt, madje deri te farefisnitë dhe krushqitë e tyre. Megjithatë, pavarësisht shpresës që ata kishin për ta mbajtur situatën nën kontroll, ata arritën të pranonin më në fund shumë gabime të tyre në lidhje me autoritetin dhe shembullin në drejtim të udhëheqjes së shtetit. Me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën frymë, byroistët në atë takim misterioz arritën edhe në fund të ditës së dytë, kur do të përfundonin krejt dialogun. Konkretisht, edhe në fund të takimit ata diskutuan jo vetëm për kufizimin e privilegjeve të njohura që kishin miratuar vetë me ligj, por deri te eliminimi i makinave me të cilat lëviznin. Në atë mënyrë, pa kuptuar se po bëheshin disi qesharakë me ato që pranonin se eliminonin, mendonin se mund të jepnin shembullin më të mirë para opinionit, të cilit duhej t’i paraqiteshin si engjëj. E veçanta e atij momenti ishte edhe rasti kur u diskutua për familjen e Enver Hoxhës, të cilës, sikur të mos shikonin dhe kuptonin se çfarë ndodhte rreth tyre, i qanin hallin për faktin se si kishte mundësi që Nexhmije Hoxha nuk kishte më në shtëpi pastrueset, kuzhinieret dhe punëtorët e tjerë të shtëpisë. Jo vetëm kaq, por ata byroistë që po përjetonin kalimin e Shqipërisë në pluralizëm, gjë që do të thoshte se vetë ishin në rrëzim e sipër, pranonin që të hiqeshin qoftë edhe shërbëtorët e tyre, ndërsa me Nexhmijes të mos i ndodhte kurrsesi një gjë e tillë. Gjithçka rreth atij takimi për opinionin e gjerë bëhet i mundur vetëm sot, pas 15 vjetësh, në këtë cikël botimesh të “Panorama”, të mundësuar pas sigurimit nga redaksia të procesverbalit origjinal të atij takimi.SHOKU RAMIZ ALIA: ...Problemi është si do të vendosësh kontaktet që ke humbur me atë pjesë të inteligjencës kulturore e krijuese dhe të rinisë, e cila është shkëputur nga ne, si do ta tërheqësh.SHOKU SPIRO DEDE: Me një ideologji që do të dalë nga analiza e kushteve konkrete, e realiteteve dhe zhvillimeve të reja me subjekte që janë tani.SHOKU XHELIL GJONI:Me këto subjekte do ta quaja më të lehtë bashkimin sesa me subjektin shtetëror. Pse? Se Partia tani do të vijë duke i lëshuar funksionet që ka, pavarësisht nëse i ka mbajtur apo jo me të drejtë. Do të vijë koha që vetë Partia do të dalë në opozitë me aparatin shtetëror, pasi do të mbrojë interesat e saj sepse ligji është, po administrata prapë do të ketë burokraci, mungesa.SHOKU SPIRO DEDE:Po nuk duhet ndërtuar më administrata kështu siç e kemi pasur deri tani.SHOKU XHELIL GJONI:Mirë, po ka subjektivizëm Spiro dhe në krijimin e tyre.SHOKU ABDYL BA-CKA: Nuk është se të tëra banesat, të tëra bursat etj, ndahen me hatëre.SHOKU RAMIZ ALIA:Nuk është e vërtetë që të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror i kanë dërguar fëmijët e tyre jashtë shtetit, por sikur edhe 10 veta t’i kenë dërguar, njerëzit flasin.SHOKU NIKO GJY-ZARI: Po mirë, shoku Ramiz, në qoftë se janë djem që e meritojnë, përse duhet të ketë alergji dhe të thuhet që nuk duhet të vejë djali i filanit?SHOKU RAMIZ ALIA:Se ka dhe nga ata që nuk e meritojnë.SHOKU NIKO GJY-ZARI:Të zgjedhim ata që e meritojnë.SHOKU RAMIZ ALIA: Pse e ngriti në plenum Marash Hajati për djalin e Sofos? Sepse ka vajtur jashtë për 5 vjet. Në qoftë se vajti, të kthehet mbas një viti, jo të qëndrojë 5 vjet. Realiteti është që nuk është kthyer mbas një viti. Pse është zgjatur afati? Pikërisht se është djali i Sofos. Unë nuk mbroj Marash Hajatin, po në këtë rast ai ka të drejtë.SHOKU SPIRO DEDE: Ndaj këtyre gjërave duhet të jemi të prerë dhe t’i zgjidhim.SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht ky është problemi, kush ta zgjidhë, sepse këtu futen lidhjet fisnore, miqësore etj.SHOKU NIKO GJY-ZARI:Të vejë ai që e fiton me konkurs.SHOKU PALI MISKA:Edhe kriteret i kemi caktuar, por çështja është që nuk duhet të venë ata që nuk e meritojnë.SHOKU RAMIZ ALIA: Unë nuk flas për individë, nëse e meritonte apo s’e meritonte filani që vajti jashtë, por flas në përgjithësi për çështjen e lidhjes së Partisë me masat, të shkëputjes së saj nga masat dhe këtu ka një mori faktorësh.SHOKU XHELIL GJONI: Një drejtor që s’u del për zot kërkesave të drejta të punëtorëve të tij ka mbaruar si drejtor.SHOKU PALI MISKA: Unë kam qenë drejtor vetë po u dilja zot halleve që kishin punëtorët dhe familjet e tyre.SHOKU RAMIZ ALIA: Ia thashë mbrëmë dhe Adilit që, kur dolëm nga mbledhja, 5 makina “Benz” ndodheshin para Komitetit Qendror. Përse? Që t’u tregojmë të tjerëve që kemi “Benz”-a apo që u mblodhëm? Na lodhen këmbët të vijmë prej shtëpive këtu në këmbë? Kështu dje, kështu edhe sot, 5 makina, 5 oficerë. Nuk ka rëndësi se të kujt ishin, por nuk të bën përshtypje të mirë. Kjo është mendjemadhësi, se duam të na e hapë derën e makinës oficeri dhe ne të dalim.SHOKU PALI MISKA: Unë shkoj me “Gaz” në zyrë. SHOKU RAMIZ ALIA: Mund të shkosh me se të duash, po unë e kam hallin se është bërë mentalitet.SHOKU LLAMBI GEG-PRIFTI: Le t’i heqim të gjithë makinat, veç jush dhe shokut Adil.SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk shtrohet problemi hiq këtë e hiq atë, por duhet ta kuptojmë se ç’opinion krijojnë këto gjëra. Kur vajta mbrëmë në shtëpi, i gjeta fëmijët të revoltuar. Pse kështu mor baba, më thanë, gruaja e Enver Hoxhës, ish-komandant i Përgjithshëm i Luftës Nacionalçlirimtare dhe ish-udhëheqës i Partisë sonë për 45 vjet, tani në moshën 70-vjeçare shkon e blen në pazar qumështin dhe detyrohet të bëjë gjellën, të marrë fshesën e të fshijë shtëpinë vetë, se asnjë njeri nuk i kemi lënë në shtëpi?SHOKU PALI MISKA: Më mirë të na e heqin neve punonjësen e shërbimit sesa asaj. Ky është ekstrem.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Duhet të rregullohet.SHOKU HEKURAN IS-AI: Po, të gjithë i kemi hequr.SHOKU RAMIZ ALIA: Ose po marr problemin tjetër: Haxhi Lleshi që ka qenë President i Republikës, duhet trajtuar si ish-president.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kështu e ka gjithë bota.SHOKU RAMIZ ALIA: E ka gjithë bota, kurse ne nuk e kemi. Ne ia kemi hequr të tëra. Unë jam dakord t’u hiqen të tërë shokëve, po Haxhi Lleshi është ish-President i Republikës, është nderi i vendit.Ne duhet ta përgatisim Partinë, që të lidhet me inteligjencën, me rininë, me klasën punëtore, t’i forcojë këto lidhje në qoftë se kanë filluar të dobësohen.SHOKU XHELIL GJO-NI: Disa lidhje duhet t’i riformojë.SHOKU RAMIZ ALIA: Disa lidhje duhen riformuar, disa duhen forcuar, disa duhen restauruar. Ja, unë po i shtroj këto çështje, po më thoni cilit nga shokët e Komitetit Qendror që kemi, i shkon mendja për këto punë?SHOKU XHELIL GJO-NI: Aparati duket i paralizuar, edhe nga poshtë.SHOKU RAMIZ ALIA: Unë po them për Komitetin Qendror, jo për aparatin.SHOKU KIÇO MUS-TAQI: Jo, jo nuk e mendon njeri. Kur ne këtu i kemi sytë dhe veshët te ju, lëre të tjerët.SHOKU RAMIZ ALIA:Prandaj thashë, a jemi në gjendje ta përgatisim këtë kongres.SHOKU NIKO GJY-ZARI: Po ato komisionet që krijuam, shoku Ramiz, për programin e Partisë dhe statutin e saj, nuk do të punojnë për përgatitjen e kongresit?SHOKU XHELIL GJONI: Ato komisione do të ulen të punojnë, po puna është që a e njohim ashtu siç duhet Partinë poshtë?SHOKU RAMIZ ALIA: Ja, këtu është problemi.(Deri këtu vazhdon incizimi)

e mërkurë, janar 18, 2006

Byroja në janarin e ‘91: E pësuam nga privilegjet që kemi siguruar për veten



Byroja në janarin e ‘91: E pësuam nga privilegjet që kemi siguruar për veten
Ramiz Alia analizon, se shkaku i mllefit popullor janë edhe hatëret e udhëheqjes

Fatos Veliu
Jemi plot 15 vjet më parë, kur në sallën e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, në datat 9-10 janar të vitit 1991, nën drejtimin e Ramiz Alisë, ishte mbledhur ekipi më i lartë politik i shtetit komunist. Shkak ishte bërë një takim dy orësh, që Alia kishte konsumuar një ditë më parë me përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila kishte vetëm pak kohë që ishte krijuar.
Opozitarët që kishin dalë pas 50 vjetësh në skenën e politikës shqiptare kishin kërkuar në mënyrë të padiskutueshme shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara në datën 10 shkurt (1991). Fakti se, në rast mosshtyrje të zgjedhjeve ato do të sabotoheshin nga Partia Demokratike, e cila kishte bërë plan të bënte thirrje për mospjesëmarrje të popullit në votime, Alia kishte mbledhur kolegët e tij në atë takim misterioz. “Të shtyhen apo të mos shtyhen zgjedhjet?” “Në qoftë se shtyhen, çfarë përfitojmë dhe humbasim ne?” “Po nuk u shtynë, a kemi mundësi të përballojmë situatat që do të gjenerojnë nga ky shkak?” “Kush është situata në Shqipëri?” “Çfarë qëndrimi mban masa e gjerë e njerëzve përballë Partisë së Punës, e cila ka qenë për 50 vjet në drejtim?” “Kush janë shkaqet që punëtorët në shumë ndërmarrje të vendit janë ngritur në greva, ku veç karakterit ekonomik kanë kaluar edhe në kërkesa me karakter politik, madje arritën të përkrahnin hapur opozitën e re demokratike?” Këto janë disa nga temat që u morën në shqyrtim dhe u diskutuan për dy ditë me radhë nga drejtuesit kryesorë të Partisë së Punës, pikërisht në sallën ku ata kishin marrë vendimet më jetike për ekonominë e popullit, siç ishin ato të shpronësimeve, të oborrit kooperativist apo të tufëzimeve të bagëtive të fshatarëve. Gjithsesi, pavarësisht se në atë tavolinë arritën të prezantoheshin vërejtje dhe probleme pafund, të cilat u pranua se kishin ndodhur për shkak të gabimeve të drejtimit politik, byroistët ende shpresonin se situata ishte në dorën e tyre, madje ata aludonin se mund të gjenin forma dhe rrugë për të kapërcyer situatat politike, që për mendimin e tyre ishin të përkohshme. Ajo situatë u mendua të kalohej me një ristrukturim të partisë së tyre, që mund të bëhej në një kongres të jashtëzakonshëm. Megjithatë, në vazhdim të bisedës së tyre, në ditën e dytë të takimit, u diskutua për emigrimin, që në atë kohë po merrte përmasa të paimagjinueshme. Ishte një gjest i shqiptarëve që ajo udhëheqje e ndjente veten shumë përgjegjëse. Në këtë prizëm, gjatë diskutimeve u prekën me tone shumë të nxehta abuzimet në detyrë, që ishin bërë nga ata njerëz të pushtetshëm. Ramiz Alia, duke kërkuar problemet që e kishin çuar popullin në atë zemëratë, saqë po distancohej çdo ditë nga partia që e kishte prirë për 50 vjet, kërkoi llogari për fëmijët që kishin çuar me studime jashtë shtetit, për punësimet që kishin mundësuar për të afërmit, madje në lidhje me këto pamje ai akuzoi emra konkretë. Pikërisht, ajo çka u diskutua në atë sallë misterioze plot 15 vjet më parë, pikërisht më 9-10 janar 1991, kur Shqipëria kishte hyrë në zgjedhjet e para pluraliste, arrin të zbardhet për publikun e gjerë vetëm tani, kur kanë kaluar plot 15 vjet. Gjithçka është bërë e mundur pas negociatave të bëra nga redaksia e gazetës “Panorama”, me ish-shtetarë të asaj kohe, të cilët në momentet e ndërrimit të sistemeve kanë mundur të shtinë në dorë procesverbale të atyre takimeve.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ne, shoku Ramiz, ta themi hapur, jemi mësuar vetëm të presim çfarë thoni ju.SHOKU SPIRO DEDE: Ne duhet të luftojmë së pari për të fituar në zgjedhje, dhe menjëherë pas kësaj t’i futemi rinovimit e të përgatisim kongresin, të cilin para zgjedhjeve nuk e bëjmë dot.SHOKU NIKO GJYZARI: Para zgjedhjeve jo, po brenda qershorit mund ta bëjmë kongresin.SHOKU SPIRO DEDE: Dhe para zgjedhjeve të shtyra nuk mund ta bëjmë.SHOKU RAMIZ ALIA:Nga ç’dëgjoj dhe nga çfarë lexoj në shtyp, fatkeqësisht se kohët e fundit u zumë me këto probleme dhe s’kam marrë kontakt me Partinë e me njerëzit, shikoj që në Parti ka pasivitet, prirje, hutim, frikë. E rëndë është ta thuash, por ky është një realitet. Dhe nuk ka dyshim që në këto fenomene ndikon në mënyrë të jashtëzakonshme çështja e ekonomisë, qoftë në klasën punëtore, qoftë në fshat, gjë që ka krijuar mundësi për depërtim të ideve të huaja, siç është në fshat çështja e privatizimit të pronës, siç është në qytet, në qendrat e punës prirja për të zhvatur, për të vjedhur, për të marrë pagë sa më të lartë, duke fituar sa më shumë, duke punuar sa më pak etj.E thoshte mirë sot në gazetë (Artikull i gazetës “Zëri i Popullit”, datë. 10. 1. 1991. me titull “Neni i Demokracisë: puna”.) Astrit Nuri që, duke shoqëruar nga Tirana deri në Berat dy sekretarët e Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, nëpër rrugët e bulevardet e qyteteve nga kalonim, shikonim plot njerëz që shëtisnin, megjithëse ishte ditë pune dhe orët e para të paradites. “Ç’bëhet kështu, kush punon tek ju dhe kur punoni?”, pyesnin ata dhe thoshin “Sa keq, sa keq!” Këtë fatkeqësi ne po e shikojmë me sy. Prandaj në fund të muajit janar, komisioni i Planit të Shtetit duhet të nxjerrë statistikën se si u realizua plani i këtij muaji, duke e shpallur dhe publikisht, sipas degëve dhe zërave. Të kemi kurajën t’i themi realizimet siç janë, jo t’i rrumbullakosim dhe të japim llogari përpara popullit. Kjo tregon së pari, që ka një defekt në veprimtarinë konkrete të partisë. Së dyti, Partia është shkëputur nga rinia. Për këtë të jemi realistë. Pse e them këtë? E para, sepse vetë Organizata e Rinisë po e thotë publikisht që s’është më e lidhur me Partinë. E dyta mentaliteti i Partisë është një mentalitet i vjetruar, nuk i përshtatet mentalitetit të rinisë. Pse rinia studentore, pjesa më e zgjedhur e tërë rinisë sonë del në kundërshtim me Partinë? E njëjta situatë është dhe me rininë punëtore dhe me atë të fshatit. S’ka fshat ku nuk po ikin njerëz, që nga minoriteti, nga bregdeti etj.SHOKU PALI MISKA: Në fshat kemi 65 për qind të popullsisë.SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, por në Velipojë e në të gjithë zonën kufitare njerëzit bëhen gati për të ikur jashtë.SHOKU HEKURAN ISAI: Me grupe bile.SHOKU PALI MISKA: Nuk përjashtohet që edhe ikin.SHOKU RAMIZ ALIA: Për zonën kufitare kjo është një gjë reale. Ja, duke biseduar dje me berberin që më qeth mua, i cili është minoritar , e pyeta: “Të ka ikur njeri ty Llambi jashtë?”. “Më iku djali i nipit”, tha. “Sa kanë ikur nga fshati juaj?” e pyeta përsëri. “23 djem, të tërë të rinj”, tha. Unë do të thosha që edhe ata 5 mijë veta që u futën në ambasada më 2 korrik erdhën në Tiranë nga të tëra rrethet. Pra, çështja është që rinia nuk ka atë lidhje të ngushtë që kishte me Partinë. Eshtë larguar për shumë arsye. Në radhë të parë për arsye ekonomike, por edhe për arsye të dobësimit të punës së Partisë. Jo vetëm rinia, por mund të themi pa frikë, që edhe inteligjenca krijuese është e shkëputur nga Partia, pavarësisht se ndonjëri e ka teserën e partisë, pavarësisht se ai është njeri i mirë dhe thotë se jam gati të vdes për Partinë, por në fakt që ka objeksionet e veta për vijën e Partisë, thotë të rishikohet vija e saj, të shikohet kjo dhe ajo çështje.SHOKU PALI MISKA:Inteligjencia e prodhimit është më ndryshe.SHOKU RAMIZ ALIA: Inteligjencia e prodhimit sigurisht është më ndryshe. Unë mendoj që kjo kategori inteligjence nuk është si inteligjencia krijuese. Por dhe aty për mendimin tim ka probleme të cilat janë mjaft serioze.SHOKU XHELIL GJONI: Inteligjencia teknike është shumë më agresive se ajo krijuese.SHOKU RAMIZ ALIA: Mundet. Me inteligjencën në përgjithësi Partia ka probleme.Le të marrim administratat. Për mendimin tim qoftë administratat e Partisë, qoftë ato të shtetit janë burokratizuar, në aparatet e Partisë dhe të pushtetit ka njerëz të vjetër, të cilëve u ka rënë vlera, sepse flasin, premtojnë, por nuk zgjidhin gjë, qofshin këta instruktorë të Partisë apo funksionarë të aparateve shtetërore, për arsye të vështirësive ekonomike, por edhe për arsye burokratike, se përtojnë, ka hatëre etj. Për veten e tyre janë rregulluar të tërë. Ky është një realitet, të mos kemi frikë ta themi. Nëpër komitetet ekzekutive nuk ka punonjës që kërkon punë ose të drejtë studimi për fëmijët e tij se i kanë rregulluar. Kush del jashtë shtetit? Kush shkon me bursë jashtë shtetit? Merrni listën dhe shikojeni.SHOKU XHELIL GJONI: Dhe mllefi më i madh i gjithë inteligjencies dhe ndaj rinisë është ndaj kësaj kategorie inteligjencie.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Dhe vetë inteligjencia është e implikuar në këto gjëra.SHOKU RAMIZ ALIA:Mua më shqetëson raporti që ekziston ndërmjet këtyre njerëzve dhe masave, shkëputja e Partisë nga masat, pasi të jemi realistë, këta njerëz masa nuk i sheh dot. Më erdhi një ditë një njeri i njohur dhe më tha: “Shoku Ramiz, na bën përshtypje kur shikojmë fëmijët e anëtarëve të Komitetit Qendror që janë jashtë shtetit, nëpër ambasada ka njerëz të lidhur me krushqi dhe miqësi me anëtarët e udhëheqjes së Partisë, po kështu në tregtinë e jashtme, me turizëm etj. “E kam fjalën që kjo kategori kuadrosh që kemi nëpër aparate janë shkëputur nga masat, këto janë bërë alergjike ndaj këtyre njerëzve, të cilët nuk gëzojnë simpatinë e tyre. Nuk them se janë të tërë kështu, por ky fenomen ekziston.Aparatet që ne kemi, qofshin partiake apo shtetërore, i kanë këputur lidhjet me masat. Pse vijnë njerëzit të ankohen në Komitetin Qendror dhe në Këshillin e Ministrave? Sepse komitetet e Partisë dhe ato ekzekutive të rretheve nuk u dalin zot problemeve, nuk duan të përplasen me masat, nuk mbajnë lidhje me to. Jo rrallë u thonë njerëzve “Nuk ta zgjidh dot hallin, shko ku të duash, deri lart”. Veprim partie është ky? Nuk mund të them që kjo është një parti efektive, që mendimi i saj ka lëvizur. Prandaj mua më duket se ajo ka nevojë për një rinovim, qoftë në aspektin politik e ideologjik ashtu edhe atë organizativ. Por kjo nuk është aq e lehtë, kështu që dhe përgatitja e kongresit është një gjë shumë e vështirë.SHOKU NIKO GJYZARI:Sidomos nga ana ideologjike...


neser do te lexoni
Vazhdon dialogu mbyllës i takimit dyditor, që Ramiz Alia bëri me byroistët në 9-10 janar të vitit 1991. Thirrja e fuqishme që Alia bëri para kolegëve të tij, për të bërë të pamundurën që të mbante inteligjencien pas partisë që drejtonte
Interpretimi i shkëlqyer, që Xhelil Gjoni i bëri mënyrës së funksionimit të Partisë së Punës, në kushtet e një shteti pluralist. Paralajmërimi i tij, se Partia në çdo rast do të ishte në opozitë me administratën shtetërore
Diskutimi që u bë në lidhje me fëmijët e anëtarëve të udhëheqjes së Partisë, të cilët ishin dërguar pa të drejtë për studime jashtë shtetit. Interpretimi i shembullit të djalit të Sofo Lazrit, i cili ishte ngritur si shqetësim nga Marash Hajati

e martë, janar 17, 2006

Alia para byroistëve të ‘91: Njerëzit me mllefe mund të hakmerren ndaj nesh




Alia para byroistëve të ‘91: Njerëzit me mllefe mund të hakmerren ndaj nesh
Në temën e hakmarrjeve ishte lajmi për përfshirje në politikë i kunatit të Theodhosit

Fatos Veliu
Në vazhdim të diskutimeve të byroistëve në janarin e vitit 1991, u hap çështja e partive të reja, që formoheshin çdo ditë, dhe pasojat që ata, si klasë politike e vjetër, mund të kishin nga e nesërmja parlamentare e këtyre partive.
Akoma më e rëndë bëhet situata në pjesën e dytë të mbledhjes së Byrosë Politike, të datës 10 janar, 1991. Ndërsa, mes byroistëve, të cilët i kishte thirrur një ditë më parë Ramiz Alia për ultimatumin e shtyrjes së zgjedhjeve që kishin marrë nga PD-ja, ishin diskutuar dhjetëra çështje dhe probleme, që mund t’u dilnin në dinamikën intensive të zhvillimit të ngjarjeve të atyre ditëve, papritmas u lindi edhe një temë tjetër e pamenduar më parë. Fjala ishte për zhvillimin e kongresit të Partisë, i cili do bënte një rinovim dhe rifreskim të plotë të saj nga qendra në bazë. Hekuran Isai e konsideroi, madje të gjithë atë që ishte bërë gjatë periudhës së mëparshme, si një mballomë në trupin e Partisë. Në këto çaste, ndërhyrja e Ramiz Alisë shokoi sallën, pasi ai deklaroi se tashmë nuk bëhej fjalë për një kongres të radhës së partisë, por për një kongres të jashtëzakonshëm të saj, gjë që kuptonte se ai si lider kryesor kishte mendimin e një revolucioni të plotë brenda partisë, duke shkaktuar në këtë mënyrë një rikuperim radikal të të gjitha strukturave të saj nga qendra në bazë. Ide dhe diskutime të reja, mbi të cilat u biseduagjerë, ishin edhe mundësitë se si ata do të hynin në zgjedhje përballë opozitës, e cila kishte vendosur të përballej me guxim, madje e barabartë me ata që kishin një parti 50- vjeçare. Në këtë lloj teme, Alia ndërhyn duke diskutuar mbi faktin që Partia e tyre ishte në pushtet dhe kishte në dorë që ligjin ta bënte në interesin e vet. Por, një moment akoma më delikat ishte ai kur u diskutua prania e partive të tjera në zgjedhjet pluraliste, siç ishte ajo Republikane. Në këtë rast byroistët shfaqën mendimin se do të ishte më mirë për ta, që të kishte parti të tjera për të coptuar elektoratin e Partisë Demokratike, e cila përbënte një rrezik serioz për ta. Gjithsesi nuk do të ishte shumë i diskutueshëm ai problem, sikur Alia të mos hidhte në tryezën e atij takimi edhe rrezikun, që atyre si persona mund t’u vinte nga njerëz me mllefe për shkak të persekutimeve që mund t’u kishin bërë, siç ishte rasti i kunatit të Koço Theodhosit. Gjithsesi, temat në vazhdim të atij dialogu ishin nga më të ndryshmet, të cilat lindnin rrjedhshëm gjatë vazhdimit të diskutimeve. Gjithçka që ka ndodhur, lexuesi i rubrikës sonë do të ndjekë në vazhdim të zbardhjes së procesverbalit origjinal të atij takimi të Byrosë Politike të mbajtur pikërisht në datat 9-10 janar, pas kërkesës ultimative të Partisë Demokratike të porsakrijuar për të shtyrë datën e zgjedhjeve të para pluraliste, të cilat ishin caktuar të mbaheshin një muaj më mbrapa, pikërisht në 10 shkurt 1991. Ai procesverbal i mundësuar në momentin e ndërrimit të pushteteve, nga një zyrtar i lartë i asaj kohe, vihet në dispozicion të publikut të gjerë për herë të parë, vetëm tashmë kur kanë kaluar plot 15 vjet nga ajo ngjarje.
SHOKU SPIRO DEDE:Kompetencën ( për të hequr deri dhe emërtimet nga Republikë Popullore socialiste, shënimi im F.V) e ka Kuvendi Popullor, jo ata.SHOKU RAMIZ ALIA: Të ngrejë masat në këmbë (Opozita) e t’i nxjerrë në rrugë. Pasi të bëhen zgjedhjet dhe fiton një pakicë, mund të kërkojnë të bëhen zgjedhje të reja. Ja në Bullgari, megjithëse opozita mori 40 për qind të votave, prapë nuk u kënaq, rrëzoi qeverinë, kërkoi dorëheqjen e presidentit etj.SHOKU ABDYL BACKA:Ata mund të nxjerrin arsye tjetër: opinioni i masës ndryshoi në raport me kohën kur u bënë zgjedhjet.SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj, thonë, duhet të bëjmë zgjedhje të reja.Në çdo vend të botës partia në fuqi e organizon ligjin dhe mënyrën e zgjedhjeve sipas interesave të veta, me qëllim që të sigurojë shumicën e votave, duke gjetur metoda të ndryshme: metodën e shumicës absolute, atë të shumicës relative, të shumicës midis partive, të shumicës sipas rajoneve etj. Nuk ka asnjë parti aq luajale sa thuhet. Ja, gjermanët, për shembull, përdorën një metodë të tillë që kandidati për deputet duhet të fitojë mbi 5 për qind të votave që të futet në Parlament.E kam fjalën që kur të mbarojnë zgjedhjet dhe të formohet Kuvendi i ri Popullor, në qoftë se një partie të caktuar i mbushet mendja se tani ka ajo shumicën në opinion, mund të organizojë një mijë e njëqind demonstrata dhe kërkon të përsëriten zgjedhjet, të ndryshojë qeveria, të krijohet një qeveri e unitetit kombëtar, të rrëzohet presidenti e të tjera.SHOKU XHELIL GJONI: Ata janë për shkatërrimin e pronës shoqërore dhe për privatizimin e saj, shitjen e mjeteve të prodhimit të pronarëve. Disa njerëz nuk e kuptojnë se kjo sjell diferencim, një pjesë do të ketë fitime, kurse disa do të mbeten rrugëve. Në këtë rast ne jemi të fuqishëm, se kemi pronën e përbashkët.SHOKU ABDYL BA-CKA: Në programin fillestar që shpërndanë e kishin dhe privatizimin e fshatit.SHOKU XHELIL GJONI: Përderisa janë të lidhur me jashtë këtu do të vijnë. SHOKU RAMIZ ALIA:Mos e harroni që ata vazhdojnë të jenë komision nismëtar. Pra, akoma nuk janë formuar komplet si parti, sepse kanë mendime të ndryshme. Por vija e përgjithshme e tyre është ajo antikomuniste. Këtë duhet ta kemi të qartë. Kurse republikanët, në qoftë se është Vangjushi brenda saj, nuk besoj të jenë me vijë antikomuniste, megjithëse ai mund të ketë mllefe, se i janë bërë edhe mjaft padrejtësi. Në fund të fundit, kunati i Koço Theodhosit ishte, as vëllai, as i biri, por ndaj tij është mbajtur një qëndrim tepër i egër. Njerëz si ky mllefe kundër nesh kanë me siguri, hakmarrës kundër nesh mund të bëhen.SHOKU ABDYL BACKA:Ka përgatitur një material prej 50 faqesh, ku del se është kundër ekonomisë së tregut. I ka llogaritur të tëra.SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po.SHOKU NIKO GJYZARI: Penën e ka pasur të fortë ai.SHOKU RAMIZ ALIA: Si nuk e ka pasur? Ai ka qenë nga ekonomistët më të zotë. Pra, antikomunist në kuptimin shpirtëror ai nuk është. Nuk na dyshim që në opozitë me ne do të jetë, se nuk mund të na i falë qëndrimin që është mbajtur ndaj tij. Mund të dalë me kritika, siç mund të bëjmë dhe ne kritika për ndonjë gabim që mund të kemi bërë. Ai, sigurisht, këtu do të thellohet më tej. Në fund të fundit, në këtë do ta konsistonte dhe opozita, po këta të Partisë Demokratike janë të tjerë.SHOKU SPIRO DEDE: Unë dhe mbrëmë dhe sot kam kontaktuar me të gjithë ata njerëz, janë djem shumë të mirë, që e duan Partinë, të cilët thonë se do të ishte një gjë shumë e mirë sikur të shtyheshin zgjedhjet. Ka disa arsye, thonë ata, e para, Partia Demokratike u krijuar pas daljes së ligjit të zgjedhjeve dhe s’ka kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, domethënë jepja këtë kohë, se ai s’ka për të fituar asgjë, dhe sqaro çfarë duhet bërë.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Këtë mos e thuaj që s’kanë për të fituar asgjë.SHOKU SPIRO DEDE: Po qe se ne, shoku Adil, kemi marrë fund, ata kanë për t’i fituar të tëra.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk është puna se kemi marrë fund, po ky është raport forcash.SHOKU SPIRO DEDE: Me përjashtim të atyre që kanë pasur pakënaqësi, apo ndonjë “i kapërcyer”, si mund të thuash, atyre nuk po u afrohet njeri. Intelektualët e vërtetë po qëndrojnë sa andej, sa këtej.Unë jam i mendimit që më ideale do të ishte sikur kjo parti të merrte pjesë në zgjedhje, dhe që unë të quaj jo si një shans të mbyllur, ata dhe mund të marrin pjesë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë.SHOKU RAMIZ ALIA:Deri më 25 janar kanë kohë.Unë për vete do të isha i mendimit, këtë ai kam thënë dhe Xhelilit, që për më shumë nga shokët komunistë të mos paraqiteshin kandidaturat. Pse? Eshtë çështje taktike. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Shumë e drejtë.SHOKU RAMIZ ALIA: Problemi këtu është që ne nuk duhet të shkojmë në një qendër votimi me katër kandidatë, se të shkosh me katër kandidatë do të thotë të mos zgjidhet asnjëri. Ne duhet të vemi me dy kandidatë. Po që të vemi me dy kandidatë, ditën e fundit, më 25 janar do e vendos unë këtë apo atë kandidaturë, sigurisht nga njerëz më të mirë, që mund të marrin shumicën e votave. Prandaj mua nuk më intereson shumë çështja që e paraqita para kohe a s’e paraqita.Argumenti i vetëm i tyre nuk është pse janë subjekte të pavarura elektorale dhe organizatat e masave, por se këto janë të Partisë së Punës. Po kjo është në favor të atyre, se kështu votat e një partie ndahen në 5 pjesë dhe i jep mundësinë subjektit të gjashtë të fitojë vota. Pra, nga pikëpamja e numërimit të votave s’kanë ç’të thonë.Problemi që duhet të na shqetësojë në këto momente është: a e kemi ne Partinë të përgatitur siç duhet? A është udhëheqja, që nga Komiteti Qendror i Partisë dhe Byroja Politike në krye të kësaj lufte?SHOKU HEKURAN ISAI:Në qoftë se shtyhen zgjedhjet, them që kongresin ta bëjmë para tyre.SHOKU SPIRO DEDE: Nuk mund ta bëjmë dot tani. Kongresi është një ngjarje e madhe. Edhe zgjedhjet janë gjithashtu një ngjarje shumë e madhe. Nuk mund të bëjmë ndryshime, reformim në Parti, në kuptimin e forcimit dhe gjallërimit të saj.SHOKU HEKURAN ISAI: Rinovim.SHOKU RAMIZ ALIA: Ato që kemi bërë ne deri tani janë mballoma, nuk janë rinovime.SHOKU XHELIL GJONI:Po nuk bëhet kongresi tani, shoku Hekuran.SHOKU HEKURAN ISAI: Me metodën e vjetër do të ecim?SHOKU RAMIZ ALIA: Veçse ka një gjë tani: kongresin e Partisë unë nuk e imagjinoj si kongres të zakonshëm.SHOKU XHELIL GJONI: Edhe unë prandaj them që nuk bëhet dot tani.SHOKU PALI MISKA: Rinovimi në Parti ka një rëndësi të jashtëzakonshme.SHOKU RAMIZ ALIA:Unë mendoj dhe një gjë tjetër: a jemi në gjendje aktualisht të organizojmë kongresin? Unë them jo, se duhet të kemi parasysh si duhet të jetë ky kongres partie, si duhet të rinovohet Partia nga pikëpamja ideologjike, organizative, politike, nga pikëpamja e përbërjes së saj, e pranimeve, etj.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne, po të bëjmë kongresin brenda gjashtëmujorit të parë, do të thotë se do t’i hyjmë kësaj pune.SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord, po a duhet t’i hyjmë kështu siç i kemi hyrë, me këto forma e me këto rrugë, apo forma të tjera?SHOKU ADIL ÇARÇANI: Do t’i hyjmë me forma që t’i përshtaten situatës dhe tërë zhvillimit të brendshëm e të jashtëm.SHOKU SPIRO DEDE: Ne duhet të shkojmë në zgjedhje me forca të përqendruara në këtë fushatë.SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Spiro thotë që t’i harxhojmë forcat për zgjedhjet.SHOKU SPIRO DEDE: Ne në fushatën e zgjedhjeve do të përpiqemi të gjallërojmë Partinë. Idetë për këtë i kemi në fjalën e shokut Ramiz.SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht për këtë them që s’jemi në gjendje ta realizojmë kongresin, se fjala e shokut Ramiz i ka ato ide, po asnjë njeri, asnjë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, asnjë anëtar i Byrosë Politike s’ka marrë mundësimin deri sot ta zbërthejë atë fjalë. Ky është realiteti. Mua më vijnë telegrame, ku thuhet që solidarizohemi me fjalën tuaj...

Deklaratat e ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai
Këta të Partisë Demokratike mund të mos jenë dakord të nënshkruajnë marrëveshje me subjektet elektorale, që përfaqësojnë organizatat e masave, por vetëm me partitë politike. Pra, del një pengesë.
Shtyrja e zgjedhjeve, them unë, do të ishte një kompromis.
Unë isha nga ata që mbështeta edhe shokun Pali, shokun Adil, edhe shokë të tjerë. Këtu ka dy probleme të mëdha: e para, ata të Partisë Demokratike do të kërkojnë me këmbëngulje që të shtyhen zgjedhjet, duke ngritur njerëzit në mënyrë masive. Do të bëjnë atë që diskutuam mbrëmë. E dyta, jemi të interesuar ne të dalim si monoparti në zgjedhje? Gjendja është mjaft e rëndë. Unë mendoj që situata në Valias do të jetë një flamur i ngritjes së gjithë klasës punëtore. Populli për studentët dhe për punëtorët ka sentimentalizëm.
Ka dy vjet që nuk punon më “Benzi”.
Për sa i përket policisë, mendoj se është periudha që ajo duhet të marrë në mbrojtje dhe duhen goditur shkelësit e ligjit me forcën më të madhe. Në rast se policia është urdhëruar që të kthejë fshatarësinë për të mos marrë pjesë në miting, për atë që ka urdhëruar duhet të merren masa. Përderisa e lejojmë ligjërisht që të bëhet mitingu, pse të kthehen fshatarët?
Ata po të duan të mbushin gjithë sheshin me njerëz ulur këmbëkryq.Ata (Përfaqësuesit e PD-së, në lidhje me pretendimet për deputetët e pavarur) nuk kanë të drejtë të thonë kështu, sepse individi paska të drejtë me 300 firma, të shpallet deputet i pavarur, kurse një organizëm nuk ka të drejtë të rekomandojë njerëzit e saj! Kjo nuk ka logjikë.
Ne nuk duhet të shkojmë në gjakderdhje. (Miratojnë dhe të tjerët)

neser do te lexoni
Dialogët, që çuan në sallën e Byrosë situatën e krijuar në Shqipëri me “hemorragjinë” e emigrimit që kishte filluar në masë. Rasti i prezantuar nga Ramiz Alia, i cili kishte mësuar se edhe nipi i berberit të tij personal ishte larguar jashtë shtetit
Ndërhyrja e irrituar e Ramiz Alisë në momentin që diskutohej problemi i privilegjeve të njerëzve me pushtet, të cilët, sipas tij, kishin çuar popullin në atë zemëratë që tashmë po shikonin. Cili ishte reagimi i byroistëve, kur ai u kërkoi listat e studentëve, që kishin dalë jashtë shtetit dhe shembujt konkretë që u prezantoi