e hënë, korrik 31, 2006

Maj 1961. Studentët ushtarakë shqiptarë braktisin Rusinë

Rusët shpallin “Non grata” Gjeneral Ramohiton
Kujtim Boriçi




Ekskluzive/ Nëpërmjet kujtimeve të ish-studentëve ushtarakë që ndërprenë studimet në Moskë në maj 1961, e dokumentave të kohës, në këtë numër sillen konfliktet e fundit me rusët, shpallja “Non grata” e gjeneralit shqiptar Halim Ramohito, si dhe urdhri i dhënë e peripecitë e kthimit në atdhe.Dokumenti“Meqenëse Shqipëria po largohet gjithnjë e më shumë nga kampi socialist, ju nuk mund të vazhdoni më studimet këtu, prandaj duhet të ktheheni në Shqipëri. Dorëzoni çfarë i detyroheni shkollës”.(Nga urdhëri i qeverisë ruse, drejtuar akademive ushtarake. Maj 1961)Në vazhdim do të lexoni:- Tensioni mes rusëve e shqiptarëve, në pragun e largimit të këtyre të fundit, sjell zëvendësministrin rus, Firjulini, në bazën shqiptare të Pashalimanit.- Komisioni i përbashkët për ndarjen e nëndetëseve dhe provokacionet e fundit të detarëve e oficerëve rusë.- 4 Qershor 1961. Largimi përfundimtar i rusëve dhe administrimi i plotë i bazës, nga ushtarakët shqiptarë.(Vijon nga numri i kaluar)Incidenti në takimin e studentëve shqiptarë me Halim Ramohiton, atasheun ushtarak e përfaqësuesin shqiptar në Traktatin e Varshavës, që atë ditë u pasua me masa të tjera shtrënguese e provokime për studentët ushtarakë shqiptarë në akademitë e Moskës dhe të gjitha akademitë e shkollat e tjera ushtarake, në ish-Bashkimin Sovjetik. Njëkohësisht, siç pohon më tej Myfit Qorduka, ish-studenti i atëhershëm e më pas ushtarak madhor në Flotën tonë Luftarake Detare, paralelisht me këtë presion e terror ndaj nesh, nuk munguan masa dhe ndaj studentëve apo grupimeve të huaja që mbështetën kolegët shqiptarë. Ndërkohë, sipas dëshmive të ish-studentëve tanë në Rusi dhe dokumentave zyrtare të publikuara më vonë, dhe shumë drejtues e ushtarakë madhorë rusë apo pedagogë të akademive ushtarake që mbanin qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve, u ndëshkuan nga eprorët e tyre, me masa nga më të rëndat.Eprorët rusë ndëshkojnë miqtë e studentëve shqiptarëNata e pastakimit të studentëve ushtarakë shqiptarë me Halim Ramohiton, ish-atashe ushtarak në Rusi e përfaqësues i vendit tonë në shtabin e Traktatit të Varshavës, siç kujtojnë katër dekada e gjysëm më pas ish-studentët, qe e pa gjumë dhe me shqetësimin që do të sillte e nesërmja. E, sipas shënimeve të Qordukës, që në mëngjesin e së nesërmes, të parët që ndëshkohen nga miqësia e korrektesa me shqiptarët, janë dhe ushtarakët madhorë rusë. Sipas kujtimeve të ish-studentëve, që në mëngjes, në mjediset e Akademisë Ruse ku studionin të huajt, u konfirmua lajmi se ushtaraku madhor rus e miku që i kishte siguruar gjeneral Ramohitos, sallën për takimin me studentët e Shqipërisë, ishte pushuar nga puna, e ishte nxjerrë në lirim nga drejtuesit e Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Po ato ditë, teksa terrori psikologjik e provokimet ndaj studentëve shqiptarë ishin në pikun e acarimit, po për të njëjtën arsye, për shkak se kishte respekt për shqiptarët dhe që qëndrimin ndaj tyre e quante të pamotivuar, nuk i shpëton të njëjtit ndëshkim dhe Egipkovi, komandanti i Akademisë së Nënujësave të San Petërburgut. “Ne që e kemi përjetuar atë situatë, kujtojmë se kanë qënë nga ditët më të vështira, por njëkohësisht, si asnjëherë tjetër, ne ndjeheshim krenarë për unitetin që kishim mes njëri-tjetrit, krenarë për vendin tonë, e njëkohësisht ndjemë respekt nga solidariteti me ne i pothuaj gjithë studentëve të vendeve të tjera, përfshi këtu dhe shumë prej atyre rusë, ndonëse për shkak të ndëshkimit të mundshëm, nuk mundnin ta shfaqnin hapur”,- shton Qorduka.Gjeneral Ramohito shpallet “Non grata!”.Nuk kishin kaluar veçse 4-5 ditë nga takimi i studentëve shqiptarë me gjeneral Ramohiton në Moskë, kur një urdhër i qeverisë ruse e shpall Ramohiton “Non grata”. Ky lajm i befasishëm, por jo i papritur, si për ne ashtu dhe për kolegët tanë, kujton Myfit Qorduka, ish-student i Akademisë Detare të Bakusë, që shënonte kulmin e marrëdhënieve, pritej që të shoqërohej shpejt dhe me ikjen e studentëve shqiptarë. Urdhëri “Non grata” për gjeneral Ramohiton, sipas dokumentave zyrtare të kohës, përcaktonte prerë dhe afatin e largimit të tij nga ky shtet, brenda 24 orëve. Sipas Qordukës e bashkëstudentëve të tjerë, ndonëse situata në mesmuajin maj 1961 ishte më e acaruar se kurrë, kishte studentë e pedagogë rusë, që vazhdonin të kishin simpati e të na respektonin si shokë, bile, duke na marrë edhe nëpër shtëpitë e tyre. Në javën e tretë të këtij muaji, sipas dëshmive të mësipërme dhe dokumentave zyrtare të kohës, qeveria ruse (nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes) dërgon me urgjencë një urdhër në të gjitha akademitë ushtarake të vendit, ku detyronte studentët shqiptarë që të ndërprisnin studimet e të largoheshin nga Rusia, për shkak se “Shqipëria po largohet gjithnjë e më shumë nga kampi socialist”. Nisi zbatimi i menjëhershëm i urdhrit...Qorduka: “Ja, si u larguam nga Rusia!”Ja, si e kujton këtë çast në shënimet e tij, ish-studenti i Detarisë në Akademinë Ruse të Bakusë: “...22 Maj 1961. Gjithë studentët ishim në mencë. Në këtë kohë na thërrasin të gjithë studentëve shqiptarë, për të na komunikuar me urgjencë një urdhër të rëndësishëm. Ishte urdhri për largimin urgjent nga Bakuja. Një autobus po na priste. Do të iknim pa takuar asnjë njeri, as shokët tanë. Për koincidencë, një shoku im i atëhershëm, që i rivendosëm përsëri kontaktet në vitin 1990, rusi Aleksandër Suvin, në kontaktin e parë me letra më shkruante me keqardhje, se përzënia jonë nga Rusia, ishte një turp i vërtetë. Por, atë që e penguan me urdhër në Akademi, nuk mundën ta pengojnë në stacionin e trenit, ku ne do të niseshim. Aty u bë një ceremoni e vërtetë. Dhjetëra shokë e shoqe sovjetikë e të kombësive të tjera, me lule në duar, lot e ovacione, na përcollën deri në shkëputjen e kontaktit viziv, gjatë trenit në ecje. Para nisjes, në këtë atmosferë të krijuar mes miqve tanë e popullit të thjeshtë në stacion, ne të emocionuar, natyrshëm bëmë dhe një demonstrim patriotik. Në krye të studentëve të Leningradit, prinin në ballë me portretin e Enver Hoxhës e flamurin kombëtar, studentët: Temo Ngjela e Spiro Gjika, ndërsa për ata të Bakusë, Faik Sinani e Milto Xhillari...”.Më 31 maj 1961, në momentin që avioni i nisur nga Moska me studentët ushtarakë shqiptarë u ul në Aeroportin e Rinasit, studentët i priti ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku.Një prej ish-studentëve, Iljaz Muço, tregon se asnjë nga studentët ushtarakë që ndërprenë studimet në akademitë ruse, nuk ndejti atje, siç bënë, bie fjala jugosllavët (rreth 50% qëndruan atje) apo dhe të tjerë. Dhe një student shqiptar, që ishte i sëmurë e në momentin e largimit nuk kishte mundësi të vinte me ne, shton më tej ai, këmbënguli, dhe ne e muarëm me barrelë... (Vijon)

e shtunë, korrik 29, 2006

Si survejoheshin dhe provokoheshim nga rusët studentët shqiptarë




Acarimi i marrëdhënieve Shqipëri-Rusi
Kujtim Boriçi



Ekskluzive/ Nëpërmjet shënimeve të radhës të Myfit Qordukës, ish-ushtarakut madhor të FLD-së dhe dokumentave të kohës, në këtë numës, sillen detaje rreth përcjelljes së Enver Hoxhës nga studentët tanë ushtarak në Moskë pas përplasjes me Hrushovin, presioni rus ndaj studentëve tanë atje si dhe incidenti i rëndë në Akademinë e Sanpetërburgut, ku padrejtësisht fajësohen shqiptarët.StatistikaNë fillimvitin 1961, kur në mbledhjen e 81 partive të Kampit Socialist u shfaqën hapur konfliktet ndërshtetërore Shqipëri-Rusi, nga Shqipëria vazhdonin të kryenin studimet nëpër Akademitë Ushtarake ruse rreth 1 500 vetë. Nga këta, 900 ishin ushtarakë të armëve e shërbimeve të ndryshme që nga detaria, aviacioni, artileria, këmbësoria, ndërsa 600 të tjerët studentë civilë të profilit inxhinierik si kontingjent i Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes.(Arkiva e Ministrisë së Mbrojtjes. Dosja e kontingjenteve shqiptare për shkollim ushtarak jashtë vendit)Dokumenti:Menjëherë pas përplasjeve mes Hrushovit dhe Enverit në Moskë, Komiteti Qendror i PKB-së, nëpërmjet një letre për përdorim të brendshëm në parti, udhëzon gjithë Akademitë ushtarake ku studiojnë studentët shqiptar për survejim e mbajtje nën kontroll të tyre të vazhdueshëm, për diferencime në trajtim dhe kufizim të tyre për kontakte me studentë rus dhe studentë të vendeve të tjera të lindjes që studionin në të njëjtat akademi.(Nga arshiva e ish- Komitetit Qendror të PPSH-së).Në vazhdim do të lexoni:-Provokimet e dhuna psikologjike ndaj studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, detyrojnë gjeneral Halim Ramohiton, atasheun ushtarak e njëkohësisht përfaqësuesin tonë në Traktatin e Varshavës të shkojë urgjent në takim me studentët.-Protestat e studentëve shqiptarë dhe mbështetja e tyre nga kolegët e vendeve të tjera në kundërshtimin e terrorit e provokimeve ruse në rritje.-Si u vu edhe KGB-ja ruse në funksion të represionit shtetëror ndaj studentëve ushtarakë nga Shqipëria.(vijon nga numri i kaluar)Pasojat e krisjes fillestare deri në prishjen përfundimtare të marrëdhënieve Shqipëri-Rusi, krahas efektivave detare të bazës ushtarake të Pashalimanit në Shqipëri, e përjetuan më direkt edhe studentët tanë ushtarakë që vazhdonin studimet në atë kohë nëpër Akademitë ruse. Nëpërmjet dokumenteve zyrtare që pasqyrojnë kontradiktat dhe incidentet e ndodhura, kryesisht nga fillimviti 1961, dhe kujtimeve të ish-studentëve shqiptar të atëhershëm, incidentet ishin të shumta, fillimisht si spontane, por që bëheshin në bazë të një skenari të studiuar me hollësi në oborrin e Hrushovit, jo vetëm për t’i treguar vendin Shqipërisë së vogël, por dhe për t’i nëpërkëmbur deri dhe studentët shqiptar që pritej të merrnin në dorë strukturat ushtarake dhe mbrojtjen e këtij vendi. “Pikënisja e situatës kritike për studentët tanë ushtarak në Rusi, nisi që me ditën e përfundimit të punimeve të mbledhjes së 81 partive, përcjelljes së veçantë që studentët i bënë Enverit e Mehmetit në udhëtimin në atdhe, për të vazhduar më pas me urdhrin e dhënë për mbajtjen nën survejimin e plotë tonin, diferencimin në trajtim, e deri tek incidentet e provokuara qëllimisht prej tyre”, - tregon për gazetën Myfit Qorduka, një nga ish-studentët tanë ushtarakë në Baku të Rusisë, më pas një nga kuadrot madhorë të FLD-së.Si e përcollën Enverin studentët ushtarak nga Shqipëria.Kundërshtimet e delegacionit shqiptar ndaj Hrushovit e mbështetësve të tij në mbledhjen e 81 partive në Moskë , ende pa u bërë publike, për studentët ushtarakë shqiptar në Akademitë ruse, sipas tyre, erdhi e paralajmëruar. Myfit Qorduka, një nga ish-studentët tanë në akademinë detare të Bakusë tregon se që gjatë zhvillimit të mbledhjes, në bazë të një porosie të dhënë nga lart, të cilën ata do ta mësonim më vonë, nga pedagogë rusë e drejtues rusë nisi një survejim, mbajtje nën kontroll e deri izolim të tyre. Por në njëfarë mënyre, klima e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore kishte arritur dhe mes studentëve shqiptar, të cilët u porositën të jenë të kujdesshëm, të ishin vigjilentë e gjithmonë së bashku në unitet. Kjo, sipas dokumenteve të kohës dhe ish-studentëve, u reflektua që ditën e mbarimit të mbledhjes së 81 partive në Moskë, ku në një demonstrim të pa parë, studentët shqiptarë dolën të përcillnin Enver Hoxhën, i cili për arsye të sigurisë, kishte ndryshuar mjetin dhe itinerarin e udhëtimit, nga lëvizje me avion në kthim në atdhe me tren. Një nga ish-studentët e Akademisë ushtarake të Moskës atë vit, Foto Dedej, pas 45 vjetësh, riprodhon në kujtimet e tij për atë moment: “Ishin momente të papërsëritshme. E prisnim prej kohësh në stacionin ku do të niste lëvizjen nga Moska drejt atdheut. Enver Hoxha, i shoqëruar dhe nga Mehmet Shehu, na vështroi të gjithëve, na e bëri një herë me dorë në drejtimin tonë duke parë ngazëllim në përshëndetjet tona. Në ato çaste e përshëndetje, në shikimet tona, ne e kuptuam që nuk do na linin vetëm. Pastaj, u largua me një hap të gjatë duke nxituar në mënyrë të çuditshme. Pastaj, së bashku me Mehmet Shehun, hipi në vagonin ku e drejtuan. Kur treni lëvizi nga vendi e mori shpejtësi, ai nxori dhe njëherë dorën në dritare, duke bërë një përshëndetje me dorë derisa humbi nga vështrimi ynë..”.Qorduka:”Ja si nisën të sillen me ne!”Ish-studenti Qorduka tregon për gazetën se ai së bashku me 70 studentë të tjerë nga Shqipëria, kishin filluar që nga janari i vitit 1958 studimet në Akademinë Detare të Bakusë në fakultetin me profil inxhinieri navale, ndërsa situata kritike i gjeti ende kur nuk kishin përfunduar as gjysmën e kohës së shkollimit, që shpejt do e ndërprisnin. Ndër të tjera, ai kujton: “Ne studentët e detarisë luftarake nga Shqipëria, studionin në të njëjtat kushte me studentët e tjerë që ishin nga shtete të tjera si Polonia Bullgaria, Rumania, Gjermania, Vietnami etj. Ishim në sezon provimesh, e mbaj mend se në atë kohë kishim dhënë dy të tillë e përgatiteshim për të dhënë të tjerat, ku provimi i radhës ishte ai i matematikës. Dikush nga shokët tanë, të mos gaboj ishte G.Begaj, na thotë që të mos lodheshim kot, të mos mësonim se dukej që nuk do ta mbaronim shkollën e nisur. Fillimisht e morëm si shaka apo më saktë, donim ta besonim si të tillë, por si po zhvilloheshin ngjarjet, kjo pritej të vinte, bile shpejt. Shikonim se të tjerët nuk guxonin të na afroheshin apo të flisnin me ne, na largoheshin e ne po na izolonin. Nuk e dinim se sapo ishte punuar një buletin partiak i PKK-së së BS-së lidhur me distancimin nga ne, mbajtjen në survejim, izolimin nga studentët e tjerë etj. Por disa pedagogë që për ne ishin e mbeten të aftë, njerëzorë, gjenin rast në fshehtësi, duke u ruajtur nga agjentët që na ndiqnin ne kudo, të mblidhnin supet e në shenjë mirëkuptimi të na linin të kuptojmë se ishte porosi nga lart. Nisën të shtojnë rreth nesh rojet, na transferuan nga kati i parë i godinës në të katin e katërt, ku të na kishin më mirë nën survejim, përpiqeshin që çdo takim të mundshëm tonin me kolegë të vendeve të tjera, ta kishin nën kontroll.. Por, shpesh, në këtë kuadër, nuk mungonin të provokonin incidente e të stisnin akuza të paqena në adresën tonë.Incidenti në Akademinë e SanpetërburgutNë klimën acaruese e provokuese për studentët shqiptarë në ato ditë, veçohet dhe ajo e datës 8 maj 1961 në Akademinë e Sanpeterburgut. Ish-studentët shqiptarë të atij viti në këtë akademi, Temo Ngjela dhe Kostandin Hoxha, tashmë pensionistë me emër e karrierë në FLD, e rikujtojnë e riprodhojnë pas disa dekadash këtë incident sikur të kishte ndodhur dje: “..Ishte mëngjesi i 8 majit, sapo kishim ngrënë bukë e po bëheshim gati të futeshim si zakonisht në sallat e leksioneve. Në sallën tonë të leksioneve ishte thyer korniza e xhamtë e fotografisë së Hrushovit e jepet alarmi. Gjeneral Trocki, njeri me peshë në Akademi dhe një ndër përçuesit e besueshëm të klimës politike mes dy vendeve tona tek efektivat ushtarakë të saj, tërbohet dhe na mbledh e na akuzon të gjithë ne studentët shqiptarë. Në akuzën direkte kolektive ndaj nesh, në shfrimin e pandalshëm të gjeneral Trockit, ne konstatuam një mllef të mbledhur e të urdhëruar nga lart ndaj nesh, një kërcënim të hapur, të rëndë që u premtua të realizohej shumë shpejt. I thamë se nuk e kishim thyer ne kornizën e Hrushovit, se nuk e pranonim akuzën e tij të pabazë dhe se do të protestonim, duke mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit tonë. Duke na kërcënuar se nuk do ta linte me kaq, të prisnim pas pak të shikonim si do të na ndëshkonin, iku duke përplasur derën e duke mos u dukur më të zhvillojë leksione me ne... As ai e as kolegët e tij”. (Vijon)

e enjte, korrik 27, 2006

Acarimi i situatës mes rusëve e shqiptarëve


Mehmeti udhëton urgjent në Pashaliman
Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës dhe kujtimeve të Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor në FLD, në këtë numër sillen detaje të acarimit të marrëdhënieve mes ushtarakëve rusë e shqiptarë në bazë, vizitën urgjente të Mehmet Shehu në Pashaliman, emërimin e Abdi Matit në FLD, si dhe tensionin që solli një lajm i datës 12 prill 1961, dhënë nga radio Moska.Në vazhdim do të lexoni:-Si ndodhi incidenti i rëndë mes rusëve e shqiptarëve në momentin që rusët ngrenë flamurin e tyre përkrah flamurit shqiptar në ceremoninë zyrtare në Pashaliman.- Debati i komandantit të FLD-së, Abdi Mati, me ushtarakun rus, Riballko, rreth incidentit të rëndë.- Si u kthye në simbol të qëndresës së FLD-së nëndetësja 105, histori e përjetuar në filmin “Ballë për ballë” dhe cilët janë protagonistët realë të ngjarjes.Dokumenti:Në shkurt të vitit 1961 zhvillon në Tiranë punimet kongresi i 4-t i Partisë Punës së Shqipërisë. Kongresi mori në analizë dhe miratoi qëndrimin që mbajti delegacioni shqiptar i kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive Komuniste e Punëtore në Moskë. Miratimi i qëndrimit të delegacionit shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në kongresin e katërt të PPSH-së, u shoqërua me vendime të KQPPSH-së lidhur me vazhdimin e luftës për mbrojtjen e Marksizëm-Leninizmit nga deviacionet e Hrushovit e pasuesve të tij që u shfaqën hapur në mbledhjen e 81 partive.(Arkiva e ish- KQPPSH-së, Kongresi i katërt i PPSH-së)Baza ushtarake e nëndetëseve në Pashaliman, e lakmuar me çdo kusht nga rusët, por objekt ushtarak i rëndësishëm i ushtrisë shqiptare, në prag të ftohjes së marrëdhënieve Shqipëri-Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kujtimeve të ish-ushtarakëve shqiptarë të FLD-së, veçanërisht pas mbledhjes së 81 partive në Moskë e kongresit të 4-t të Partisë Punës së Shqipërisë në shkurt të vitit 1961, u bë “arenë” e përplasjeve të shumta mes komandave të dubluara shqiptare e ruse, shpesh deri dhe mes marinarëve e punonjësve të thjeshtë. Sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, tashmë krisja politike mes udhëheqjeve të dy vendeve ishte bërë publike, veçanërisht pas qëndrimit kundërshtues të delegacionit shqiptar në Moskë, por zbatimi i detyrave të gatishmërisë në bazën e Pashalimanit, ende vazhdonte të ishte objekt i bashkëveprimit mes ushtarakëve tanë e atyre rus. “Për FLD-në e bazën në veçanti, nga Ministria jonë e Mbrojtjes ishin dhënë porosi konkrete që nga kalimi në gatishmëri të lartë luftarake, ruajtja e gjakftohtësisë e korrektesës me rusët, por gjithmonë të linim të kuptonin se baza ishte e jona e se shqiptarët ishin zotër. Ndërsa rusët, me orientimin tyre nga eprorët në Moskë, jo vetëm tentonin të vinin në dukje se ata ishin më të përgatiturit, më të aftët, por nga ana tjetër, synonin përforcime të reja në forca, mjete e logjistikë, me synim e avantazheve në situata më të vështira që priteshin”, - shton Qorduka.Mehmeti urgjent në PashalimanSipas dokumenteve zyrtare dhe kujtimeve të ish-ushtarakëve të FLD-së, në atë kohë situatat ndryshonin me ditë e me javë. Tashmë, kujton Qorduka, në linjë partie, por dhe nëpër shtabe, si kudo, por veçanërisht në bazë, ku komanda ishte e dubluar (ruse e shqiptare), punimet e mbledhjes së Moskës dhe qëndrimi i delegacionit shqiptar atje ishin bërë të njohura te kuadrot e efektivat shqiptare, gjë e cila nuk kishte si të mos binte në sy te pala ruse. Në këtë kohë, shton më tej ai, në shkurt të vitit 1961, u zhvillua në Tiranë kongresi i 4-t i PPSH-së, që miratoi qëndrimin e mbajtur nga delegacioni shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Gjatë punimeve të kongresit, por edhe më pas, kujtojnë ish-ushtarakët e Pashalimanit, efektivat e kuadrot, të përforcuar me ekipe nga ministria, qëndruan të pagjumë e me armë mbushur, por në çdo rast gjakftohtë e vigjilentë ndaj çdo provokimi e incidenti të mundshëm nga rusët. Situata në bazë, ftohtësia e qëndrimet e palës ruse, provokimet e incidentet, sipas dokumenteve të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakëve, raportoheshin rregullisht në Tiranë, nga ku merreshin edhe urdhra e udhëzime të veçanta. Duke shfrytëzuar zhvillimin e punimeve të sapopërfunduara të kongresit të 4-t, por sigurisht me synimin për të parë nga afër këtë “pikë të nxehtë”, ku reflektohej në teren krisja e marrëdhënieve me Rusinë, në Pashaliman, në fundmars 1961, vjen me urgjencë Mehmet Shehu. “Ardhja e Mehmet Shehut në bazë, edhe pse qëllimi i ardhjes zyrtare iu komunikua dhe palës sovjetike në këtë njësi, nga ana e tyre, kuptohej fare qartë misioni i vërtetë i ardhjes së kryeministrit shqiptar në Pashaliman”, - vazhdon tregimin Qorduka. Më tej në shënimet e tij thuhet: “Në takimin me Mehmet Shehun që u zhvillua në sallën e bazës që merrte deri 1 000 vetë, morën pjesë dhe kuadrot e detarët rusë. Mehmeti ishte veshur me një kostum sportiv, çizme të gjata lëkure, kasketë kafe dhe ishte i shoqëruar nga këshilltari rus i ministrit të Mbrojtjes për Flotën, kundëradmirali Zagrebin. Futaj e Mehmetit në sallë, pritja me duartrokitje e thirrje frenetike Partia e Punës, Enver Hoxha, imponuan që nga zori edhe rusët të çoheshin në këmbë, për kortezi të bënin sikur takonin duart, ndonëse vlonin nga brenda!”. Mes të tjerave, sipas ushtarakëve të Flotës të pranishëm në këtë takim, kryeministri shqiptar foli për revizionistin Tito, ç’përfaqësonte ai për vendin tonë, për kampin socialist, rrezikun që paralajmëron ideologjia e tij për vendin tonë e socializmin, duke lënë të nënkuptojnë hapur se edhe mbështetja e tij nga rusët, ishte hap me rrezik e jo në drejtimin e duhur! Tregimi për revizionizmin titist e rrezikun për socializmin, gjatë bisedës Mehmeti e lidhi dhe me njohjet e tij me Titon, udhëtimin në të njëjtin vapor së bashku me ‘të për në Amerikë, qenien së bashku për gjah etj... Më pas, Shehu, duke folur për fuqizimin e bazës së Pashalimanit, rolin e saj në mbrojtjen e Shqipërisë dhe vendeve të Traktatit të Lindjes kundër rrezikut të imperializmit ndërkombëtar, theksoi: “Kush do të punonte për likuidimin e kësaj baze, do të forconte krahun jugor të NATO-s!”. Në këtë rast, kujtojnë ish-ushtarakët, mesazhi qe i qartë si për ushtarakët rus, ashtu edhe për ata shqiptar...Zhvillime të tjera në PashalimanVizita e Mehmet Shehut në bazën e Pashalimanit, sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak i FLD-së, dha mesazhin e qartë dhe direkt, se tashmë krisja e marrëdhënieve me rusët ishte një fakt real, se me gjithë manovrat, presionet e kërcënimet me të gjitha format nga ana e tyre, baza ishte e shqiptarëve e do të mbrohej me çdo kusht nga kuadro e marinarë të flotës. Në këtë mënyrë, nuk bëhej më fjalë për eliminimin e incidenteve, por për mbajtjen e situatës nën kontroll, rritjen e vigjilencës e marrjen e masave të gjithanshme që krahas ruajtjes së gjakftohtësisë, komandantë shqiptar së bashku me efektivat që drejtonin, të diktonin në kohë çdo plan apo manovër të rusëve, duke sjellë neutralizim të çdo përpjekje për marrjen e bazës apo rrëmbim të anijeve e nëndetëseve në një ikje të mundshme. Pikërisht në këtë periudhë nga më delikatet e historisë së Flotës sonë Luftarake, sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës, drejtuesit e ushtrisë e shtetit shqiptar, firmosin emërimin e kundëradmiralit Abdi Mati si zëvëndës të Hito Çakos në krye të FLD-së, i cili së bashku me Ziqiri Meron e Qamil Podën, ishin ndër kuadrot specialistëve më të njohur të kësaj arme. “Në atë gjendje të vështirë, maturia e pjekuria, niveli i lartë profesional i Matit, jo vetëm arriti të administrojë suksesshëm situatën, të përgatisë e mobilizojë efektivat tona detare për të përmbushur me sukses urdhrin për ruajtjen e bazës e të nëndetëseve, duke detyruar rusët të dështojnë në misionin e tyre, por arriti që të bëhet në një farë mënyre dhe simbol i Flotës!” - shton Qorduka.12 prilli 1961 në Pashaliman...Ish-ushtarakët shqiptarë të bazës së Pashalimanit, në periudhën e pikut të acarimit të marrëdhënieve me ushtarakët rusë, kujtojnë një ngjarje të fillim prillit 1961, që nga rusët, por dhe nga ushtarakët tanë u mor si sinjal i fillimit të luftës me armë.“Jo vetëm për ushtarakët e bazave tona ushtarake në Shqipëri, por dhe për studentët tanë në Rusi e qytetarët e thjeshtë, ai komunikim i rëndësishëm në radion ruse, siç kishte qenë në traditë, na parapërgatiti për luftë”, - tregon Qorduka. Në shënimet e tij lidhur me këtë rast, Qorduka thotë: “Ishte 12 prillit 1961, e Radio-Moska, nëpërmjet zërit të spikerit të njohur Levetan, pohon se pas disa minutash, të rrinin në dëgjim për një lajm tepër të rëndësishëm. Rusët e dinin, por dhe ushtarakët tanë që ishin shkolluar në akademitë e këtij vendi, se zëri i tij, tradicionalisht lajmëronte për luftë e beteja. Pasi, zëri i Levetanit, ishte bërë i njohur për ushtrinë e kombin rus, por dhe aleatët, për transmetimin direkt në radio të Urdhërave Luftarak, që hidhnin në beteja miliona luftëtarë.Por, ankthi u shkri, kur ky spiker pohoi me solemnitet se për herë të parë, kishte zbritur në hënë, kozmonauti rus Juri Gargarin!”...Në bazën e Pashalimanit, ky lajm që në një farë mënyre kishte përgatitur moralisht detarët për luftë, në moment “shkrin” tensionin, duke sjellë një ndjenjë krenarie të shfaqur hapur tek ushtarakët rusë... Por dhe ata shqiptarë.. Veçse përkohësisht.... (Vijon)

e martë, korrik 25, 2006

Konfliktet në bazën e Pashalimanit, pas vizitës së Hrushovit



Hito Çako, i besuari i Enverit në krye të Flotës Luftarake Detare


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumentave të kohës dhe kujtimeve të Myfit Qordukës, ish-ushtaraku madhor i Flotës Luftarake Detare, në këtë numër sillen detaje interesante të prag përkeqçsimit të marëdhënieve Shqipëri-Rusi, reflektuar në rangjet e ndryshme komanduese në brigadën e nëndetseve të Pashalimanit, emërimin nga Enver Hoxha të Hito Çakos në krye të FLD-së, si dhe urdhri i dhënë nga ministri shqiptar i Mbrojtjes për mbrojtjen me çdo kusht, dhe me zjarin e armëve të kufirit detar e bazës ushtarake.Në vazhdim do të lexoni:-Përplasjet mes ushtarakëve në bazën e Vlorës pas ndërrimit të krerëve të FLD-së, “zbardhin” misteret e anullimit të vizitës së mëparëshme të Zhukovit në ishullin e Sazanit.-Çminimi i mesokanalit(distanca Sazan-Karaborun) dhe dy planet e rusëve për Pashalimanin e Sazanin.-Acarimi i marëdhënieve dhe dështimi i zbarkimit të palajmëruar të forcave t reja ruse në bazën e Vlorës.Dokumenti“..Pas tre ditësh, rreth orës 14.00, vjen nga Bashkimi Sovjetik dhe pritet të futet në port vapori rus Ciaturi, i cili sjell përforcime ushtarake për komandën sovjetike të bazës së Pashalimanit. Në të janë imbarkuar oficerë, ushtarë, detarë , ushqime dhe karburant. Të ndalohet me çdo kusht, futja e tij në bazë pa lejen e Komandës së Flotës.(Arshiva e Ministrisë së Mbrojtjes. Dosjet e F.L.D. Viti 1959)(Vijon nga numri i kaluar)Pas vizitës së Hrushovit në bazën e Pashalimanit, në maj të vitit 1959, që shënoi dhe krisjen e parë (që shumë shpejt erdhi duke u thelluar) të marrëdhënieve politike e shtetërore, mes vendit tonë e Rusisë, në bazën e Pashalimanit në Vlorë, ku ishte arsenali kryesor luftarak detar në administrim dypalësh, rus e shqiptar, sipas dokumentave të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve madhorë të FLD-së, nisën të jenë më të shpeshta e problematike, konfliktet mes drejtuesve, shtrirë deri tek ushtarakët e thjeshtë. “Jo vetëm kaq, por me orientim nga qendra, pala ruse, me qëllimin për të mos e lëshuar nga duart këtë pikë strategjike ushtarake, anijet e nëndetëset në organikë, filloi të sjellë teknikë të re, logjistikë dhe përforcime të tjera për komandën e saj në këtë bazë”,- pohon për gazetën Myfit Qorduka, ish-ushtarak madhor në Flotën Luftarake Detare. Njëkohësisht, sipas dokumentave zyrtare dhe ish-ushtarakëve komandues në këtë bazë të rëndësishme, mbajtja me çdo kusht e bazës së Pashalimanit, anijeve e nëndetëseve, kishte angazhuar direkt Enver Hoxhën e udhëheqjen shqiptare, duke përgatitur efektivat e duke vënë njëkohësisht në krye të Flotës bazës së Pashalimanit e bazave të tjera luftarake, njerëzit më të besuar.Hito Çako, i besuari i Enverit në drejtim të FLD-sëIncidentet dhe përkeqësimi i klimës së marëdhënieve ndërshtetërore, veçanërisht nga fillimi i vitit 1960 e në vazhdim, sipas kujtimeve të Xh. Rrokajt, ish-shefit operativ të Brigadçs sç nçndetseve, reflektohej dukshëm në marrëdhëniet e kuadrove dhe detarëve tanë me ato rusë, veçanërisht në bazën e Pashalimanit. Në fund të gushtit 1960, sipas dokumentave zyrtare të vitit 1960, vihet në pranga kundëradmirali Teme Sejko, komandanti i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë, nën akuzën e “tradhëtisë ndaj Atdheut”, e qënien “agjent i Shërbimeve Sekrete Ruse e Amerikane, e Asfalisë Greke”. Arrestimi i Sejkos, njeriut dhe ushtarakut me emër në Luftën Nacionalçlirimtare e në ushtrinë shqiptare më pas, i bërë në ato momente kur ai po përgatitej të dërgohej për studime të mëtejshme në Akademinë Ushtarake të Leningradit në Rusi, veçanërisht në pikun e përkeqësimit të marrëdhënieve me rusët, erdhi befasisht e ngjalli kureshtje, jo vetëm në strukturat e mbrojtjes, por në mbarë vendin. Pikërisht, pas prangave për Sejkon, në këtë situatë, Enver Hoxha, emëron si dorë të fortë e më të besuarin në krye të FLD-së, kundëradmiralin dhe ushtarakun e njohur, Hito Çako. Sipas ish-ushtarakut madhor, Myfit Qorduka, emërimi në këtë detyrë të rëndësishme i Çakos, që ishte njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, e që nuk ishte me profesion detar, më tepër kishte ardhur për funksion politik, për të menaxhuar këtë situatë kritike që po kalonin marrëdhëniet Shqipëri-Rusi, reflektuar me incidente e situata të paparashikuara në FLD, e në veçanti në bazën e Pashalimanit. Ish-shefi operativ i nçndetseve , kujton se nga dita e parë e emërimit në krye të detyrës e në vazhdim, ushtaraku i njohur Çako, si ushtarak karriere, por dhe si njeri, pothuaj gjatë gjithë kohës qëndronte mes efektivave detare, kryesisht mes atyre të Brigadës së Nëndetëseve në Pashaliman. Si njeri zemërmirë, operativ, me intelekt në kapjen në kohë e orientimin e duhur në çfarëdo situate, kundëradmirali Çako, së bashku me ushtarakë të tjerë madhorë të FLD-së, Abdi Matin, Mark Planin e shumë të tjerë, mbahet mend për drejtim me aftësi të efektivave detare, në këtë klimë tejet kritike.Një leksion i Çakos, për komandantin rus, RriballkoEmërimi i Çakos në krye të FLD-së, si i besuar e “dorë e fortë” e Enver Hoxhës, sipas dokumentave zyrtare të kohës, përkon dhe me emërimin nga rusët të kapitenit të rangut të Parë, Riballkos, si komandant (rus) i Brigadës së Nëndetëseve në bazën e Pashalimanit,nç vend tç Jegorovit, çka tregonte që në përputhje me “klimën” e acartë mes dy vendeve, edhe rusët edhe shqiptarët, kishin bërë emërimet e tyre më të mira. Gjatë një vizite në një nga nëndetëset e bazës, që vazhdonin të ishin nën komandë të dyfishtë, në një nga ditët e para të emërimit në detyrë, kundëradmirali Çako, gjen rastin t’i japë një “leksion” kapitenit rus Riballko, lidhur me respektin e detyruar që imponojnë gradat dhe hierarkia në ushtri. Në të vërtetë, qëllimi i këtij “leksioni”, kishte si nënteks, komunikimin palës ruse, se me gjithë manovrat, nuk do ta kishin të lehtë të përmbushnin misionin e tyre, të mbanin bazën, apo në një ikje të mundshme, të merrnin nëndetëset dhe anijet luftarake me vete.Pra, tç kuptonte dhe ai, se edhe artileria e gjithç kalibrave nç gatishmëri nç gjirin e Vlorçs, nuk lejonte njç ikje tç mundshme “fshehurazi” nga Gjiri.. Duke i konfirmuar kapitenit rus, faktin se “mua më kanë emëruar në disa raste, edhe në detyra që nuk jam specialist i mirëfilltë, pra, si ky në krye të FLD-së”, kjo nuk e pengonte që të kontrollonte vartësit, përfshi dhe atë e anijen ku Riballkovi ishte bashkëdrejtues me një shqiptar, si për gatishmërinë, ashtu edhe për përkushtimin e vartësve në detyrë. Gjithçka, sipas ish-ushtarakëve shqiptarë të pranishëm në këtë bisedë, ishte e qartë. Ndërkohë që kapiteni rus, pas fjalës së kundëradmiralit Çako, duke ruajtur qetësinë, buzëqesh lehtas e miraton.Urdhri: “Asnjë anije ruse në Pashaliman, pa lejën e komandës FLD!”Sipas Myfit Qordukës, në vazhdën e incidenteve, rusët, nga ana tjetër, në përmbushje të qëllimit të urdhëruar nga eprorët e tyre, synonin sjelljen në bazë të Pashalimanit dhe efektiva, logjistikë e pajisje të tjera. Këto, sipa tyre, por që kuptohej, shikohej e reagohej nga pala shqiptare, mendonin t’i kishin për situata të vështira që priteshin. Në një nga këto raste, siç kujton Sandër Gjeçi, një nga ish-ushtarakët shqiptarë, drejtues në këtë bazë, është dhe incidenti me anijen ruse “Ciaturi”. Ai kujton se, që nga mesi i vitit 1959 e në vazhdim, në përputhje me situatën e krijuar nga përkeqësimi i marrëdhënieve e incidentet mes ushtarakëve, urdhri i dhënë nga titullari i Ministrisë së Mbrojtjes (B.Balluku), grupit të Gjuajtësve tanë detarë, ju dha detyra e patrullimit të vazhdueshëm për ruajtjen e anijeve të huaja që synonin futjen në Gjirin e Vlorës, me qëllim bazën e Pashalimanit. Me përkeqësimin e situatës, Flota Luftarake Detare, kaloi në gatishmëri Nr.1. Ndërsa urdhri i ardhur nga titullari i ministrisë, ishte:” Gjuajtësit të ndalojnë çdo anije me destinacion Bazën e Pashalimanit, të mos lejohej hyrja pa lejën e komandës së FLD, personalisht të Hito Çakos”. Më tej, ai tregon se në një nga ditët vjen fonogrami ku thuhej se pas tre ditësh, rreth orës 14.00, pritet të tentojë futjen në bazë anija ruse “Citauri”, që kishte efektiva, teknikë karburant, ushqime etj. Më tej, ai kujton: “Në horizont, rreth orës 15.00, u duk anija që pritej, e iu afrua Karaburunit. I dhamë sinjalin të nxirrte flamurin dhe të bënte stopimin e kotorrave. Nuk bënë asnjë veprim. Lidhem direkt me komandantin Hito Çako. Përgjigja e tij, me gjakftohtësi ishte: “Ndaloje masakrën!”. Dhamë alarmin për efektivin. Ju afruam vaporit e i thamë se nuk e lejonim më tej, asnjë hap! Na thotë kapiteni me fodullëk, se ka urdhër nga komanda e tij në Detin e Zi. Vazhdoi në të tijën. I thashë se baza është e jona. Nuk fiku motorrat. Detyrohem të jap urdhër të kthehen gjithë grykat e topave drejt anijes, në pritje të komandës për zjarr. U detyruan të zbatojnë kërkesën tonë. Ishim krenarë, se zbatuam detyrën me përpikmëri”.Të nesërmen, kujton Gjeçi, Hito Çako i thërret, i përgëzon për realizimin detyrës luftarake dhe u thotë: “Ju lumtë, keni bërë detyrën! Këtu jemi ne, Zot!”.(Vijon)

e premte, korrik 21, 2006

Enver Hoxha dhe Hrushovi vizitojnë bazën e Pashalimanit



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës, kujtimeve të ish-ushtarakut madhor të FLD-së, Myfit Qorduka e kolegëve të tij, në këtë numër sillen detaje të vizitës që bënë Hrushovi, Enver Hoxha e Grotenvoldi në bazën detare të Pashalimanit, udhëtimi drejt Butrintit, bisedat e Hrushovit me ministrin e tij të Mbrojtjes rreth bazave ushtarake shqiptare, si dhe incidentet e para mes ushtarakëve shqiptarë e rusë me nisjen e ftohjes së marrëdhënieve mes vendit tonë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.Në vazhdim do të lexoni:-Si ndodhi incidenti i armatosur më 11 prill 1959 midis nëndetseve tona të Pashalimanit dhe atyre të NATO-s.-Urdhëri i Beqir Ballukut komandës së FLD-së: “Mbroni me zjarr kufirin!”.-Incidenti me nëndetsen amerikane, provë “fajësie” në gjyqin ndaj Teme Sejkos, ish-komandantit të FLD-së.DokumentiHrushovi: “Me këtë bazë tonën, kemi në dorë Mesdheun!”Hrushovi thirri pranë Malinovskin, ministrin e tij të Mbrojtjes. Shiko, -dëgjova të pëshpëriste, - ç’mrekulli është këtu. Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona. Të gërmohen e të hidhen në det këto vjetërsira, ta shpojmë këtë mal dhe të dalim matanë- duke treguar me dorë Ksamilin. – Do të kemi në dorë bazën më ideale e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e sulmojmë gjithçka...Pas nja dy ditësh po të njëjtën gjë e përsëriti edhe në Vlorë. - E mrekullueshme, e mrekullueshme- thirri Hrushovi, duke u drejtuar nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peizazhin me të vërtetë mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë: Çfarë gjiri, sigurisht rrëzë këtyre maleve - thanë - që këtej me një flotë të fuqishme kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori deri në Gjibraltar. Mund të bëjmë zap këdo... M’u drodh mishi kur i dëgjoja të flisnin kështu, si zotër të deteve, të vendeve të popujve të tjerë. Kurrë ti s’do t’i kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Butrintin, as Vlorën, asnjë gisht të tokës shqiptare!.. “Paqja” fiktive me rusët, gjithnjë e më tepër po tronditej nga themelet.(Enver Hoxha, libri “Hrushovianët” , faqe 357)Maj 1959(Vijon nga numri i kaluar)Viti 1959, për efektivat shqiptare e ato ruse në bazën e njohur të Pashalimanit në Vlorë, krahas kompletimit me nëndetëse e anije luftarake bashkëkohore, sipas ish-ushtarakëve tanë madhorë të FLD-së, shënon periudhën e aftësimit të plotë të efektivave tona kuadro të shërbimit (që nga kuadrot madhorë, detarët e deri te manovruesit teknikë më të thjeshtë), ndonëse anijet luftarake e nëndetëset vazhdonin të ishin ende me komanda e efektiva të dyfishtë, të dubluar, rusë e shqiptarë. “Njëkohësisht, qëndrimi i gjatë me ushtarakët rusë në detyrat luftarake, krahas aftësimit të efektivave tona, solli një frymë bashkëpunimi efektiv e sinqeriteti të ndërsjellë, shpesh të shtrira edhe jashtë detyrave luftarake”, - pohon për gazetën Myfit Qorduka, ish-kuadër madhor i Flotës sonë Luftarake Detare. Në këtë vit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve të FLD-së, në bazën ushtarake të Pashalimanit, atë të Sarandës e Butrintit, i viziton ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha e drejtues të tjerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës.1 qershor ’59, Enveri, Hrushovi e Grotenvold në PashalimanVizita e Hrushovit në bazat luftarake detare të vendit, sipas dokumenteve që ruhen në arkivën e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, u mësua në fund të muajit maj 1959, kur kreu i vendit më të madh të kampit socialist, kishte ardhur për një vizitë të gjatë në Shqipëri. Sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, një urdhër i dërguar nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes për komandat e bazave ushtarake, kërkonte vënien në shkallën më të lartë të gatishmërisë , si teknikën luftarake, ashtu dhe efektivat përkatëse, shqiptare e ruse; njëkohësisht, të krijonin mjedise të kulturuara e funksionale në të gjithë territorin e shtrirjes së njësive. Drejtues të lartë të ministrisë, sipas burimeve të mësipërme, ato ditë u gjendën në komandat e bazave për të ndihmuar nga afër, veçanërisht në bazën detare të Pashalimanit, ku ishin përqendruar teknika dhe forcat kryesore luftarake të Flotës, mes të cilave mendohej se do të kalonte më gjatë Hrushovi gjatë vizitës nëpër njësitë detare të jugut. Baza e Pashalimanit, kujtojnë ish-ushtarakët që drejtonin bazën atë vit, u përgatit si në festë, ndërsa mëngjesin e 1 qershorit 1959, ditë e hënë, në këtë bazë erdhën vizitorët e shumëpritur. Nën shoqërimin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit shqiptar, Hrushovi, së bashku me ministrat rusë që e shoqëronin, shkel në Pashaliman, ku pritet me ceremoninë përkatëse ushtarake. Së bashku me mikun e madh rus, në këtë vizitë, sipas dokumenteve të kohës dhe ish-ushtarakëve të Pashalimanit, ishte dhe Otto Grotenvold, ish-kryeministër i Gjermanisë Lindore.Udhëtimi nga Pashalimani në SarandëPritja e Hrushovit dhe miqve të tjerë në bazën e Pashalimanit, ishte një festë e vërtetë për efektivat shqiptare e ruse që shërbenin në këtë bazë të rëndësishme. Efektivat e bazës së Pashalimanit në atë kohë, nën drejtimin e kuadrove të aftë e të përkushtuar Xhemmal Shani, komandant i brigadës së nëndetseve, bashkë me komandantët e nëndetseve Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Jak Gjergji, Mihal Xhamo e Pali Carapuli, ushtarakët e tjerë Skënder Doçi, Beqir Gërbi, Dashamir Ohri, një pjesë e të cilëve më vonë do të ishin titullarë të FLD-së, kishin arritur jo vetëm të aftësoheshin vetë profesionalisht e në një nivel me ortakët rus, por ishin të gatshëm në çdo moment, të zgjidhin në mënyrë të pavarur detyra luftarake nga më të rëndësishmet. Në fjalën e tij, mes të tjerave, sipas dëshmitarëve të takimit, Hrushovi përgëzoi efektivat ruse e shqiptare për shkallën e gatishmërisë luftarake, miqësinë dhe bashkëpunimin e mirë mes tyre, si reflektim të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-ruse, por duke theksuar nevojën e fuqizimit të FLD-së, për të neutralizuar e pasur në shënjestër Flotën e 6-të amerikane që e kemi përballë dhe forcave ushtarake të NATO-s në Mesdhe. Edhe Enver Hoxha, sipas kujtimeve të ish-drejtuesve të FLD-së të pranishëm në këtë takim, duke falënderuar miqtë që vizituan Shqipërinë e bazën e Pashalimanit, theksoi nevojën e forcimit të gatishmërisë për ta mbajtur të paprekshëm kufijtë nga “imperialistët amerikanë dhe shërbëtorët e tyre të mbledhur në paktin agresiv të NATO-s”. Miqtë, të shoqëruar nga Enver Hoxha, pas takimit me kuadro e detarë të bazës së Pashalimanit, me anijen luftarake të komanduar nga kapiteni rus, Maksimov, u nisën në udhëtimin drejt Sarandës. Sipas dokumenteve të kohës dhe ish-ushtarakëve të flotës, përkrah rusit Maksimov, në drejtimin e anijes ku lundronin dy udhëheqësit më të lartë, ishte komandanti shqiptar Stavri Çika e disa kolegë të tjerë ushtarakë si S.Doçi, A.Pojani, etj...Marrëdhëniet mes ushtarakëve shqiptarë e rusë pas vizitësSipas Qordukës, jo shumë kohë pas vizitës së Hrushovit në Pashaliman e Sarandë, vizitë që u shoqërua me pritje madhështore e entuziazëm, nisën të ndjehet një farë ftohje dhe në marrëdhëniet mes bashkëdrejtuesve shqiptarë e rus të nëndetëseve, shtrirë në raste të veçanta dhe në rangje më të ulëta. Referuar dokumenteve që publikohen vite më vonë, kjo ftohje vinte nga kontradiktat që sapo kishin nisur mes udhëheqjeve përkatëse të dy vendeve, ku një nga pikat e mospërputhjeve, ishte dhe qëndrimi rus për misionin e bazës së Pashalimanit, për interesa të tyre, pa përfillur të zotët e shtëpisë, palën shqiptare. Enver Hoxha, në ditarin e tij (2 qershor 1959), midis të tjerave, sjell një fragment bisede mes Hrushovit dhe ministrit të tij të Mbrojtjes për Butrintin e Pashalimanin, ku Hrushovi është shprehur: ”...Që këtej, me një flotë të fuqishme, ne kemi në dorë të gjithë Mesdheun, që nga Bosfori në Gjibraltar..!”, që kundërshtohet prerë nga Hoxha.Mesviti 1959, shton më tej Qorduka, është periudha e incidenteve të para sporadike mes ushtarakëve tanë e atyre rusë, por muaj më vonë, ata do të ishin më të shpeshta e të ashpra.. (Vazhdon)

e hënë, korrik 17, 2006

Në kryqëzor udhëtonte presidenti amerikan, Ejzenhaur


Incidenti i nëndetëses shqiptare me kryqëzorin amerikan “De-Mojn”
Kujtim Boriçi


Ekskluzive/Nëpërmjet dokumenteve të panjohura deri vonë, si dhe nëpërmjet shënimeve të Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, në këtë numër të gazetës sillen detaje interesante rreth një incidenti të ndodhur në Mesdhe në dhjetor 1959 mes një nëndetëseje të Pashalimanit në mision luftarak dhe anijeve amerikane që shoqëronin presidentin Ejzenhuaur, veprimet e komandantit Kosllov për shmangien e ndjekjes së anijeve dhe aviacionit Amerikan, raportimi te Hrushovi, i cili më vonë, kthen propozimin nga ndëshkim në ngritje në përgjegjësi për Kozllovin. Në vazhdim do të lexoni:-Si u njohën dhe miqësuan studentët shqiptarë të detarisë luftarake në Rusi me aktorin e famshëm indian Raxh Kapuri, protagonistit i filmit “Vagabondi”, “Zotnia 420” etj..-Biseda me Raxhin në vilën e këngëtarit të njohur rus Bejbutov, dhe ftesa e mirëpritur e Raxhit për të vizituar Shqipërinë.-Çfarë ndodhi pas takimit në vilën e këngëtarit rus dhe pse dështoi vizita e Raxhit në vendin tonë.(Vijon nga numri i kaluar)Në misionin sekret të nëndetëseve shqiptare, që në vitin 1958-1959 ishin ende nën komandën e dyfishtë shqiptaro-ruse, një nga detyrat luftarake dhe dëshmive të kohës, ishte dhe diktimi, njohja, fotografimi dhe grumbullimi i të dhënave të anijeve, nëndetëseve, korridoreve të lundrimit si dhe zbulimi i aktivitetit të përditshëm të dy grupimeve goditëse atomike të NATO-s që ushtronin aktivitet në detin Mesdhe. “Këtë detyrë, ashtu si dhe detyra të tjera të vështira luftarake, fillimisht i kryenim në bashkëpunim me komandat ruse, ndërsa më vonë këto operacione planëzoheshin e drejtoheshin nga kuadrot e Flotës sonë Luftarake, - tregon Xhafer Rrokaj, ish-shefi operativ i brigadës së nëndetseve. Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara kohët e fundit, por dhe nëpërmjet kujtimeve të ish-ushtarakëve madhorë të FLD-së në ato vite, në një prej inkursioneve sekrete të nëndetëseve shqiptare në vitin 1959 në Kanalin e Tunizit regjistrohet dhe një incident me pasoja me Flotën Luftarake amerikane, pikërisht me grupin e anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, në të cilin po udhëtonte dhe presidenti amerikan, D. Ejzenhaur.Misioni sekret i nëndetëses shqiptareSipas dokumentave të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve të marinës luftarake, kur kuadrot shqiptare përgatiteshin të merrnin në dorëzim komandën e nëndetëseve dhe anijeve luftarake nga rusët, zhvilloheshin stërvitje intensive të shumta, me qëllim aftësimin e kuadrit komandues shqiptar. Ishin ditët e para të dhjetorit 1959, kur nëndetësja e katërt e bazës, e komanduar nga Valentin Stepanoviç, ndër komandantët rusë më të zotët në Pashaliman, nis udhëtimin sekret njëmujor në ujërat e Mesdheut. Më tej, në shënimet e Qordukës thuhet: ”Kjo nëndetëse, pas disa ditë përgatitjesh intensive për lundrim, doli nga baza e Pashalimanit dhe filloi lëvizjen në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar-Pashaliman. Me ekuipazhin rus, në këtë detyrë luftarake ishin dhe komandanti shqiptar i nëndetëses Sh. Çuka, bashkë me ushtarakët e tjerë A. Popa, G. Rryta dhe A. Katro. Udhëtimi i atij misioni po ecte sipas planit të parashikuar (ditën në thellësi të ujërave, natën më në sipërfaqe), ndërsa temperatura nën ujë, ndonëse ishte dhjetor, ishin nuk përbënin shqetësim për këtë detyrë të gjatë”. Sipas specialistëve, ky mision kishte si veçori e specifikë vështirësinë e lartë, pasi kalonte përgjatë korridoreve, pranë bazave e poligoneve luftarake të anijeve dhe aviacionit të NATOS-s, ku mes të tjerave, në këtë rrugëkalim kryenin aktivitet të përditshëm luftarak dy grupime goditëse atomike të NATO-s.“De-Mojn” zbulon nëndetësen shqiptareMe gjithë regjimin e rreptë të gatishmërisë në kryerjen e misionit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve, nëndetësja shqiptare, pak ditë pas nisjes në këtë mision, përballet e diktohet nga vrojtues të anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, në të cilin udhëtonte presidenti amerikan gjatë kthimit pas një vizite miqësore në Athinë. Kjo, sipas ditarit të kohës së FLD-së ndodhi në Kanalin e Tunizit, hapësira ujore midis ishullit të Maltës dhe bregdetit tunizian, në momentin që nëndetësja e Pashalimanit po shkonte drejt Gjibraltarit. Ndërsa nëndetësja e Kozllovit, sipas shënimeve të mësipërme, që tentonte t’i afrohej sa më pranë kryqëzorit amerikan, me qëllim fotografimi sa më mirë nga aparati i periskopit të nëndetëses, u zbulua nga fregata amerikane që dha alarmin për zbulimin e nëndetëses së huaj nën ujë , duke u vënë në alarm me synim neutralizimin e saj dhe evitimin e ndonjë incidenti të mundëshëm , pikërisht në kohën që në kryqëzor ishte dhe presidenti. Në moment e diktimit, tregojnë ushtarakët shqiptarë, filloi ndjekja e nëndetëses sonë nga anijet dhe aviacioni amerikan, i destinuar për luftë kundër nëndetëseve, për ta detyruar atë të dalë në sipërfaqe e për ta bërë të parrezikshme. Në këto kushte, ushtarakët shqiptarë e rusë të nëndetëses vihen në situatë reale luftarake. Mbajnë lidhje të vazhdueshme me qendrën (komandën e Bazës) duke marrë udhëzime dhe manovrojnë me shkathtësi. Në kujtesën e ish-ushtarakëve që kanë qënë në atë lundrim luftarak, mbetet i pa shlyer qëndrimi profesional dhe i guximshëm i komandantit rus Kozllov. Ky, me mjeshtëri e shpejtësi ndërroi kursin e nëndetëses, duke spostuar kursin drejt Gjirit të Sitres në Libi, duke evituar efektin e anijeve dhe aeroplanëve amerikanë. Ishte një situatë dramatike dhe e vështirë që zgjati rreth 48 orë, por që u përballua me sukses. Në fund, gjithçka shkoi mirë e të gjithë ishin të gëzuar nga ky sukses. Komandanti Kozllov mblodhi gjithë ekuipazhin, rus e shqiptar dhe i përgëzoi për këtë sukses. Por ky incident që u raportua në udhëheqjen e lartë të Moskës, deri te Hrushovi, shpejt do të futej në rrugën e pasojave...Hrushovi kthen ndëshkimin në falënderim për KozllovinPor zbulimi i nëndetëses nga anijet shoqëruese të presidentit amerikan, sipas dokumentave të kohës, në Moskë, nuk u prit mirë, veçanërisht nga komanda e flotës ruse. Në këto kushte, kjo komandë parashikon dhe propozon shkarkimin e Kozllovit, një nga specialistët më të mirë të flotës luftarake. Por kur informacioni se një nëndetëse ruse kishte mundur të depërtonte në brendësi të ordenit të lundrimit, në të cilën udhëtonte dhe Ejzenhaueri, kishte ndjerë kënaqësi, duke u shprehur: ”E marr me mënd se sa duhet të jetë trembur presidenti amerikan nga prezenca e nëndetëses sonë, brenda ordenit që e shoqëronte”. Në këto kushte, sipas pohimeve të Qordukës, ish-ushtarakut madhor në FLD, kuptohet që dhe fati i Kozllovit, merr tjetër kah. Pas vlerësimit të Hrushovit, komanda sovjetike, në vend që ta shkarkonte nga detyra Kozllovin, e ngriti atë në përgjegjësi, duke e bërë zëvendëskomandant të brigadës sovjetike të nëndetëseve të Pashalimanit, ku shërbeu deri vonë, në prag të ikjes përfundimtare . (Vijon)

e premte, korrik 14, 2006

Enverit: “Në akademitë ruse, studentët tanë më të mirë!”


Kujtim Boriçi



Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakëve madhorë të Flotës Luftarake Detare, Petrit Myftiu e Myfit Qorduka, sillen detaje rreth fuqizimit të FLD-së në vitet 1957-1958, përparësie e përzgjedhjes së studentëve më të mirë që do të studionin për detarinë luftarake në Rusi, në bazë të një urdhri të firmosur nga Enver Hoxha, si dhe roli i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Petrit Dume dhe ish-komandantit të FLD-së, kundëradmiralit Teme Sejko në fuqizimin e flotës dhe rritjen e gatishmërisë së saj.Në vazhdim do të lexoni:- Misteret e udhëtimit të fshehtë të nëndetëses shqiptare në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar- Pashaliman në dhjetor të vitit 1959.-Zbulimi dhe përballja në afërsi të Maltës e nëndetëses me ordenin e anijes amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, ku udhëtonte presidenti amerikan Ejzenhauer dhe manovrat e kapitenit rus, Kozllov.-Ndëshkimet e eprorëve për ushtarakët rusë, për shkak të zbulimit të nëndetëses në Mesdhe nga amerikanët.1957-1958, fuqizimi i FLD-së(Vijon nga numri i kaluar)Në vitet 1957-1958, kur Flota Luftarake shqiptare u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse e armatim bashkëkohor, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, qeveria shqiptare, në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga Rusia të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçëm për përzgjedhjen e kontingjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t’u përgatitur në akademitë detare të Bashkimit Sovjetik. Ky kontingjent, kujton mes të tjerave ish-ushtaraku madhor i FLD-së, Myfit Qorduka, kalonte në një “sitë” tepër të imët, duke qenë më të mirët mes të gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve e shërbimeve të ndryshme që dërgoheshin për shkollim akademik në vendin mik. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdhër të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës.Urdhri për studentët e FlotësPas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, tregon për gazetën Myfit Qorduka, ish-ushtaraku madhor i Flotës Luftarake Detare, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik. Vendimi i qeverisë shqiptare në vitin 1957 me nënshkrimin e Enver Hoxhës për përzgjedhjen e veçantë të studentëve tanë që dërgoheshin si kontingjent i flotës, shton më tej ai, tashmë bëri që nxënësi më të shkëlqyer të shkollës ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe ndër më të mirët e gjimnazeve të Shqipërisë, të përqafonin profesionin e bukur e të vështirë të ushtarakut detar. Këtë privilegj ndër vite (deri në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me Rusinë), e patën dhjetëra e qindra djem të talentuar, që atë kohë kryen deri në dy apo tri shkolla e akademi në Rusi, duke shërbyer më pas ndër dekada si komandues nënujësish (nëndetëseje), në anijet e bazat ushtarake që nga Saranda, Pashaliman, Sazan, Durrës, Vlora, e deri në bazën veriore të vendit në Shëngjin. Jo pak prej tyre, ndër vite, si Robet Bali, Ndue Jaku, Perikli Xhixho, Tasim Meçe, Astrit Sevrani etj..,shton më tej Qorduka, u bënë ndër drejtuesit kryesorë të bazave tona ushtarako-detare, të Flotës e deri në ministrisë e Mbrojtjes.Përkujdesja e Petrit Dumes e Teme Sejko Problemet e gatishmërisë së FLD-së, në këtë kuadër dhe përzgjedhja e përgatitje e kuadrove që dërgoheshin për shkollim në Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, mbanin të angazhuar drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu, Petrit Dume që ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, tregojnë për gazetën ish-ushtarakët madhorë të FLD-së, jo vetëm interesohej vazhdimisht në hollësi për problemet deri në hallkën më të ulët të njësive luftarake detare, por shpesh gjendej mes tyre, duke u dhënë udhë vetë problemeve të ndryshme. Ndërsa kundëradmirali Teme Sejko që në janar 1958 emërohet komandant i Flotës Luftarake Detare, deri sa qe në krye të saj për dy vjet (pasi në korrik të 1960-ës u arrestua së bashku me Taho Sejkon, Tahir Demin etj, për “tradhti” të lartë, si agjent i rusëve e amerikanëve, duke u pushkatua në maj të vitit 1961), nga ushtarakë e detarë të flotës, mbahet mënd si një njeri i aftë dhe i përkushtuar, që bëri jo pak për këtë shërbim të rëndësishëm në ato kohë të vështira. Njëkohësisht, në kujtesën e pa shlyer të dhjetëra studentëve që niseshin për shkollim në akademitë ruse, ai mbetet mes të tjerave për porosinë e shumëpërsëritur që ata (studentët) të mësonin, të përvetësonin dijenitë e profesionin deri në imtësi, pasi shuam shpejt do të zëvendësonin brezin që ishte në drejtim. Myfit Qorduka, një nga studentët e Akademisë Detare të Bakusë e më vonë në funksione të rëndësishme në FLD, lidhur me këtë përkujdesje, në kujtimet e tij shkruan: ”Ishte qershori i vitit 1959, kur unë, mes të përzgjedhurve për studime në Akademinë e Bakusë për detari, R.Bali, F.Gjinali, I.Bregasi, T.Gerveni, Sh.Skëndaj, T.Kola etj, pasi u përcollëm e u porositëm gjatë nga Petrit Dume, nisemi për në Vlorë, në një takim të gjatë para nisjes me kundëradmiralin e komandantin e FLD-së, Teme Sejko. Do të udhëtonim me vaporin rus Irgiz, por detyrat e fundit do na i jepte Teme Sejko!”. Pasi tregon për porositë e zakonshme që lidheshin me korrektesën dhe nevojën e përkushtimit në studime në vendin mik, ish-studenti kujton porosinë e Teme Sejkos: ”Ju shkoni në një vend të madh, me një ekonomi të zhvilluar, me shkencë konkurruese me shumë vende perëndimore. Duhet të përfitoni sa më shumë e të bëheni kuadro të mirë, se ju do të na zëvendësoni ne!”. Qorduka, që e ka fiksuar këtë shprehje jo vetëm në shënimet e tij të kohës, por dhe në kujtesë, tregon gjithashtu se në ato vite, kur kuadro të tilla të dalë nga lufta, të kthyer në një farë mënyre në “mite” në ushtri e popull, e që mendoheshin si të pazëvendësueshëm në funksionet e larta, me një kujdes të tillë, veçanërisht me shprehjen “do të na zëvendësoni”, sillnin një realitet-ëndërr tek ish-studentët që sapo hidhnin hapin e parë të shkollimit në rrugën e vështirë të detarisë luftarake. Në të vërtetë, pak vite më pas, do të ishin edhe këta studentë të shkolluar në Rusi që do të zëvendësonin gjeneralët e njohur shqiptarë në poste e detyra të tjera të ndryshme. Por vite më vonë, kuadro të tjerë në armë e shërbime të ndryshme të ushtrisë fatkeqësisht u zëvëndësuan nga brezi i ri, jo në rrugë normale, por nëpërmjet një kalvari të stërmundimshëm, pasi një pjesë e mirë e ushtarakëve madhorë, të etiketuar “armiq e tradhtarë”, do të pushkatoheshin nga regjimi i kohës, ndërsa dhjetëra të tjerë, do të bënin dekada vite burg e internime ... (Vijon)

e enjte, korrik 13, 2006

Meçollari, në ditët kur ishte në krye të Shtatmadhorisë




Si e kundërshtova urdhrin e Mehmetit për 500 mijë uniformat ushtarake”

Afrim Imaj


“Të punoje nga afër me Mehmet Shehun ishte kënaqësi, por edhe sfidë e jashtëzakonshme”. Kështu e përmbledh periudhën kur ka bashkëpunuar me të në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, Sami Meçollari.
Ushtaraku që ka zëvendësuar gjeneralin karizmatik, kujton se është ndjerë optimist në përmbushjen e detyrës, ndërkohë që kishte pranë asistencën e njeriut me vizion e përvojë, siç ishte Mehmet Shehu, që shquhej ndër të tjera për një afeksion të veçantë për problemet e mbrojtjes dhe ushtrisë, madje edhe në periudhën kur nuk kishte qenë ministër i Mbrojtjes. “Ai ishte një akademi më vete, i qartë e bindës për ato që ofronte, por edhe i prerë e këmbëngulës për çka kërkonte për t’u zbatuar”, përmend Meçollari, disa nga tiparet e spikatura të ish-ministrit të Mbrojtjes, për të cilat thotë se ishin të domosdoshme dhe shumë të vyera për kohën.Sidoqoftë, gjërat nuk kanë shkuar vetëm kreshento gjatë bashkëpunimit në kreun e institucionit të ushtrisë. Mehmet Shehu, siç kujton më tej Meçollari, ishte ndërkaq edhe befasues në shumë iniciativa dhe zgjidhje të momentit. Ka qenë pikërisht ky tipar i tij që është bërë shkak për të tronditur disa herë marrëdhëniet midis tyre. Madje ka pasur raste që ato kanë arritur deri në konflikt të hapur. Ndërkohë që atëherë këto lloj përplasjesh kanë qenë të mbyllura e njiheshin vetëm nga një grup i vogël njerëzish, Sami Meçollari zbardh për herë të parë një pjesë të këtyre përplasjeve, që me gjithë emocionalitetin e momentit, nuk kanë ndikuar për ndonjë pasojë të veçantë në jetën e ushtrisë.Po si ka vazhduar komunikimi midis tyre? Për cilat vlera e veçonte Mehmet Shehu punën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ardhur rishtaz nga korpusi i ushtarakëve të karrierës? Cili ishte roli i Enverit në raportet specifike midis tyre dhe në hierarkinë ushtarake si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura? Si guxoi Meçollari të kundërshtojë haptas urdhrin e Mehmetit për të shpërndarë 500 mijë uniforma ushtarake për gjithë trupën e forcave vullnetare? Si do të ndikonte në ushtri prania e shefit të ri Shtatmadhorisë? Cilat do të ishin marrëdhëniet e këtij të fundit me Petrit Dumen dhe ushtarakët e lartë, që do të arrestoheshin vetëm pas pak muajve? Këto dhe aspekte të tjera nga periudha e asaj kohë zbardhen në vijim të bashkëbisedimit me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Sami Meçollari...Mehmeti, titullari që prezantoi kreun e ri të ShtatmadhorisëAjo ishte një ceremoni normale në një takim të oficerëve të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku Mehmet Shehu shpalli vendimin e emërtesës së lartë për disa ndryshime në Shtabin e Përgjithshëm dhe dikasterin e Mbrojtjes. Njëherazi me komunikimin për detyrën e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm, ai citoi edhe pjesën tjetër të vendimit, sipas të cilit Petrit Dumja, deri atëherë shef i Shtabit të Përgjithshëm, emërohej zëvendësministër i Mbrojtjes. Një sërë ndryshimesh të tjera u bënë atë ditë, sipas të cilave linin vendin e punës një pjesë e mirë e kuadrove dhe ish-gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në vend të tyre vinte një grup tjetër nga radhët e oficerëve të trupës.Me ardhjen e Sami Meçollarit në krye të Shtatmadhorisë të ushtrisë, shënohej rasti i parë që në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm emërohej një nga ushtarakët që nuk kishte marrë pjesë në luftë. Po kështu, për herë të parë organi më i lartë i ushtrisë do të drejtohej nga një ushtarak i specializuar për mbrojtjen kundërkimike. Ndërkaq, ardhja në këtë detyrë e Sami Meçollarit, si një njeri pa asnjë lidhje me krerët e lartë të shtetit dhe partisë, ishte një tjetër precedent në besimin e postit shumë të rëndësishëm pa certifikatën e besnikërisë të liderëve kryesorë. Nga aq sa kujtojnë pjesëmarrësit në atë ceremoni, ndryshimi në kreun e mbrojtjes do të sillte një klimë më të çliruar në radhët e ushtarakëve, duke ndikuar drejtpërdrejtë në motivimin e tyre për detyrat...Komandanti i korpusit të Jugut në zyrën e Petrit DumesE ka përjetuar jo pa emocione detyrën në majën e piramidës ushtarake Sami Meçollari, ca më tepër kur kishte parasysh që do të kryente detyrën e një gjenerali karizmatik siç ishte Petrit Dumja. “Në plan të parë ishte njohja nga afër me gjendjen e armëve dhe shërbimeve strategjike që kishin të bënin direkt me problemet e gatishmërisë”, shprehet Meçollari. “Njohja me problemet e zbulimit, aviacionit luftarak, flotës Detare, Ndërlidhjes, njësive artmitraliere që shërbenin në vijën e parë të kufirit shtetëror etj., ishte një nga përparësitë e dinamikës së punës së ditëve të para”. Pastaj, ish-komandantit të Korpusit të Jugut, i duhej të përballej edhe me një sërë detyrash të tjera që kishin të bënin me problematikën e përditshme të njësive dhe reparteve, më prezantonin dita-ditës me kërkesa që duheshin zgjidhur hap pas hapi. Sidoqoftë, ndryshe nga detyrat e tjera që kishte kryer, ajo e shefit të Shtabit të Përgjithshëm ishte shumë më tepër komplekse, po edhe në raporte mjaft delikate me strukturat e partisë që fillonin që nga maja e piramidës komuniste e përfundonin në organizatën e partisë së repartit më të skajshëm. Një problematikë më vete ishin raportet me ministrin e Mbrojtjes, Mehmet Shehu. “Të punoje me Mehmet Shehun ishte një kënaqësi, por ndërkohë edhe një sfidë e jashtëzakonshme”, kujton Meçollari. Sipas tij, ishte kënaqësi e privilegj për faktin se Mehmeti në komunikimin e përditshëm ofronte një shkollë me vete për nga vizioni, përvoja dhe aftësitë drejtuese. Ndërkaq, ishte sfidë, ndër të tjera, për iniciativat dhe zgjidhjet e befasuese që ekspozonte hera-herës. Në këto të fundit, veçon ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, mjaft herë të gjente të papërgatitur, por edhe të paorientuar, gjë që bëhej edhe shkak për përplasje të herë pas hershme. Meçollari shton se nuk ishte fjala për ndonjë konflikt kush e di çfarë, por disa përplasje, të cilat janë ruajtur në një mjedis të ngushtë, me qëllim që mos të ndikonin në gjendjen moralo-politike të ushtrisë...Meçollari refuzon urdhrin e Mehmetit për 500 mijë uniforma ushtarakeQysh nga periudha kur Meçollari punonte nga afër me Mehmet Shehun, është ruajtur një dokument, që konfirmon hezitimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm për zbatimin e urdhrit të nënshkruar nga Mehmet Shehu për shpërndarjen e 500 mijë uniformave ushtarake tek të gjithë kontigjentët e rezervistëve dhe vullnetarëve popullorë. Kur bëhet fjalë për të, Sami Meçollari thotë se, tani pas kaq kohësh, në kushte e rrethana të tjera, nuk ia vlen të ndalesh në një “trimëri” të tillë. “Më shumë se kundërshtim urdhri, në rastin në fjalë kishim të bënim me mosnënshkrimin nga ana ime të një urdhri që e kërkonte procedura pas firmosjes nga ana e ministrit”, shprehet përmbledhtazi ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Pastaj shpjegon rrethanat dhe situatën lidhur me këtë: “Mehmet Shehut i kishte shkuar një projekt-urdhër i punuar nga një zyrë e veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes, që bënte fjalë për shpërndarjen e 500 mijë uniformave për forcat vullnetare dhe rezerviste dhe ai e kishte nënshkruar. Në krahun tjetër të shkresës duhej edhe firma e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të cilën unë me bindje të plotë refuzova ta hedh. Këtu nuk ishte fjala për karshillëk, as për guxim aventurier, po aty për aty mendova se në një kohë të mundshme do t’i shpjegoja Mehmet Shehut arsyet pse nuk duheshin shpërndarë nga pika e hapjes uniformat ushtarake. Po me sa duket, burokratët që ma sollën për ta nënshkruar, kishin nxituar për t’ia vënë në vesh ministrit, në mënyrë që ai të qëndronte rreptë pas kësaj shkeljeje të rëndë”.Stërvitjet ushtarake ishin hobi i MehmetitKa punuar nga afër Sami Meçollari me Mehmet Shehun për katër muaj, pa ndërprerje. Krahas përplasjeve të ndryshme, ai kujton edhe mjedisin e veçantë që inicionte Mehmeti kur ishte puna për të kërkuar zgjidhje të ndryshme. “Mjaft herë, kujton ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm diskutonim e rrihnim mendime për mjaft nga opsionet e stërvitjeve të ndryshme, sidomos të atyre komando-shtabi që drejtonte drejtpërdrejtë Shtabi i Përgjithshëm. Në asnjë rast ai nuk mbetej thjesht i deleguar në këto takime. Ca më tepër në ndjekjen e dinamikës së këtyre stërvitjeve që asokohe ishin të shpeshta”. Në kujtesën e Meçollarit, Mehmet Shehu në krye të dikasterit të Mbrojtjes, ka mbetur njeriu që hidhte situata të ndryshme e kërkonte zgjidhje racionale të cilat kishin të bënin me efektivitetin e veprimtarisë luftarake. “Sa dhe unë, përmbyll Meçollari, mbresa të shumta nga këto stërvitje ku Mehmeti ishte mjaft interesant, kanë edhe shumë nga ish-shtabovikët dhe komanduesit e njësive ushtarake të asaj periudhe...

“Kur ndryshuam ceremonialin ushtarak dhe vendosëm nderimin me grusht”
Në kohën kur Sami Meçollari u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm, me porosi të Enverit u ngrit një grup punë në Ministrinë e Mbrojtjes për të riparë tekstin e Rregullores së Disiplinës. Qëllimi lidhej me thellimin e karakterit popullor të ushtrisë dhe forcimin e rolit udhëheqës të partisë në strukturat ushtarake. Meçollari kujton rekomandimin e ministrit të Mbrojtjes për të parë në këtë kuadër edhe ndryshimin e nderimit të ceremonialit ushtarak. Deri në atë periudhë nderimi bëhej me pëllëmbën e dorës së hapur mbi vetull. Ishte hera e parë pas shumë dekadash që kërkohej të studiohej mundësia e ndryshimit të këtij rituali ushtarak. I vënë në krye të grupit të punës për të argumentuar një mënyrë tjetër nderimi, Sami Meçollari ftoi në këtë debat një numër të madh specialistësh, duke filluar që nga ata të Institutit të Studimeve Shkencore Ushtarake, pedagogë të Akademisë së Mbrojtjes, profesorë e studiues të Akademisë së Shkencave, kuadro të Shtabit të Përgjithshëm etj. “Pas disa javë konsultash e ballafaqime, përvoja e modelesh, kujton kreu i Shtatmadhorisë, vendosëm të propozojmë për t’u kthyer te nderimi me grusht. Argumentet që paraqitëm te Enveri lidheshin me traditën e hershme të nderimit të shqiptarit dhe atë të ushtrisë partizane, që qysh nga fillimi në fund nderoi me grusht. “Enver Hoxha e kishte pëlqyer këtë ide dhe menjëherë u miratua ndryshimi i ceremonialit. Me këtë lloj nderimi, që njihet ndryshe nderimi që ka futur në ushtri Sami Meçollari, Forcat e Armatosura shqiptare shkuan deri në fillimin e viteve ‘90, ku nisën proceset reformuese të tyre.

“Semani” demonstrimi ushtarak me 150 mijë trupa në Fier, që vuri në alarm fqinjët
Nga karriera ushtarake, Sami Meçollari, njeriu që i ka provuar të gjitha nivelet e karrierës, nga komandanti i nënrepartit e deri në majën e kupolës së Shtatmadhorisë, e veçon stërvitjen ushtarake “Semani” që u bë në vitin 1974, si demonstrimin më të madh ushtarak në të cilin ka marrë pjesë. Ishte koha kur Lufta e Ftohtë përjetonte kulmet e saj dhe vendi ynë duhej të krijonte imazhin se mbetej një barrikadë e pakapërcyeshme. Pikërisht për këtë, me porosi të lidershipit politik u mendua të zhvillohej një stërvitje masive, ku të konfirmohej konsolidimi i mbrojtjes dhe aftësitë e larta të trupave ushtarake në përballimin e një sulmi të mundshëm. Sami Meçollari, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, udhëhoqi nga afër tërësinë e masave për përgatitjen dhe zhvillimin e këtij demonstrimi, që u realizua në vjeshtën e vitit ‘74 me pjesëmarrjen e 150 mijë trupave. Në ditën e përfundimit të tij ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe të kabinetit qeveritar. “Shkëlqyeshëm!”, vlerësimi i bërë nga Mehmet Shehu do të ishte “nota” që Partia i vinte me këtë rast ushtrisë. Po entuziazmin e kreut të Shtabit të Përgjithshëm për këtë, do ta cenonte disi raporti i mbërritur në zyrat e drejtuesve kryesorë të shtetit nga shërbimi i Zbulimit, që ato ditë kishte konstatuar alarmin e papritur që kishte shkaktuar kjo stërvitje masive te disa nga vendet fqinje që e kishin ndjekur me shqetësim atë që kishte ndodhur në zonën rreth e qark Semanit. Kur shumë kush priste se si do të procedohej me këtë informacion, Enverit do ti dukej diçka normale. “U thoni të lënduarve nga stërvitja jonë, porosiste ai, se këto janë trupa që veprojnë brenda territorit dhe asnjëherë nuk do ta kalojnë kufirin shtetëror”

“Një mbrëmje vonë, mysafirë në shtëpinë e Mehmet Shehut”
Ka qenë mbrëmja e vonë e datës 24 nëntor 1974, kur Sami Meçollari, në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Bejdo Isufi, komandanti i garnizonit të Tiranës, janë thirrur për një vizitë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Mysafirët e orës së vonë do të raportonin në takimin me ministrin e Mbrojtjes mbi përgatitjet përfundimtare për paradën ushtarake, që do të bëhej vetëm pak ditë më vonë për nder të 30-vjetorit të çlirimit. Bejdo Isufi që ishte caktuar nga udhëheqja si drejtuesi më i lartë i paradës, teksa e njohu Mehmetin me masat më të fundit që ishin marrë për përmbushjen me sukses të saj, hodhi aty për aty një romuz në shenjë miqësie, po kryeministri u vrenjt menjëherë në fytyrë dhe iu kthye me ton të ashpër, gati fyes. “Prej këtej, kujton Meçollari, nuk mbeti gjë tjetër, vetëm të shpejtonim çastet kur do të dilnim nga vila e kryeministrit. Teksa po largoheshim, i thashë Bejdos se nuk duhej t’i jepte shkak Mehmetit për t’u nxehur, ca më tepër kur i dinte edhe karakterin e veçantë. “Po ai, bëri mirë, ma ktheu Bejdo, duke vënë në dukje se nuk është në zakonin e shqiptarit ta presës mysafirin në shtëpi pa i nxjerrë të paktën një gotë raki”. Në fakt kështu kishte ndodhur, ndërkohë që ndenjëm në vilën e kryeministrit për orë të tëra, nuk na serviri kush asgjë për mirëseardhje(!). Për këtë duhej t’i jepja të drejtë komandantit me emër të garnizonit të Tiranës, po preferova të hesht. Ishte hera e parë që shkoja mik në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe nuk më erdhi mirë nga sjellja e ftohtë në mjedisin familjar. Gjithsesi, bashkë me Bejdon duhej ta harronim këtë pakujdesi dhe të besonim për ditë e më shumë në fjalën dhe gjestet e Mehmetit.

neser do te lexoni
Makthi i lajmërimit të papritur për një mbledhje të jashtëzakonshme me udhëheqjen e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Feçorr Shehu në krye të një dyzine të oficerëve të lartë të Sigurimit ruajnë sallën e kolegjiumit, ku bëhet komunikimi i shkarkimit të lidershipit të ushtrisë.
Misteri i urdhrave në listat A B C D, që vinin nga Byroja Politike dhe penalizonin drejtuesit e lartë të ushtrisë.
Me se motivohej shkarkimi i Sami Meçollarit dhe çfarë synohej me vendosjen e dy rojave në hyrje të banesës së tij.

e shtunë, korrik 08, 2006

Flet Muhamet Xhaferri, i dënuari politik i “Grupit të Mallakastrës”




“Më dënuan se dyshova për vetvrasjen e Mehmetit”


Manjola Bregasi

Vetëm pak muaj pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, në vendlindjen e tij në Mallakastër do të niste një fushatë ndëshkimesh dhe terrori.
Ishte koha kur populli i asaj zone, tepër i lidhur me figurën e Mehmet Shehut, kishte filluar pëshpëritjet e para rreth dilemës që mbartte vdekja e tij e papritur. Dhe i mësuar tashmë me fenomenin “tradhti” në radhët e partisë, por edhe pasojat e tij, që nga koha e Koçi Xoxes, Enver Hoxha këtë herë nuk mund të gabonte. Ndëshkimi i disa kuadrove të zonës ishte mënyra më e mirë për t’i bërë të tjerët të ulnin kokën. Më 27 shtator të vitit 1982, Gjykata e rrethit Fier, do të dënonte me burg 7 anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi armik i Ballshit”, ndërkohë që familjet e tyre do të vuanin internimin. Në gjyq të hapur, ku merrnin pjesë jo vetëm banorë të Mallakastrës, por edhe të Beratit dhe Vlorës, të akuzuarit do të përballeshin me dëshmi e dëshmitarë të sajuar për t’u bërë kështu “pësim për mësim”. Por cila ishte akuza dhe krimi i anëtarëve të këtij grupi? Si lindi veprimtaria e tyre “armiqësore” dhe cila ishte bindja e vërtetë e tyre në lidhje me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Muhamet Xhaferri, një prej të dënuarve në këtë grup, tregon skenarin e montuar për t’i ulur kokën popullit të Mallakastrës. Ju jeni dënuar me tetë vjet burg, duke u cilësuar si anëtari i grupit armik të Ballshit, si nis kjo histori?Që të përshkruash të gjitha ato ngjarje në atë kohë është shumë e vështirë. Pas vrasjes së Mehmet Shehut në Mallakastër filloi një terror i kuq. Ishte momenti kur njerëzit brenda familjes survejoheshin nga pjesëtarët e familjes, p.sh. babai kishte frikë nga djali, djali kishte frikë nga babai, gruaja nga burri dhe burri nga gruaja. Arriti që brenda familjes njerëzit të flisnin me shenja. Këtë e kam përjetuar edhe vetë. Kishte ardhur momenti kur duhej goditur një elitë në Mallakastër për të mos folur kundër Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Në atë kohë unë kam qenë drejtor i Kulturës në kooperativën e bashkuar, Dukas. Kisha ardhur nga Fratari dhe kisha bërë një punë të mirë aty, me grupet folklorike. Isha në kulmin e punës. Në janar të vitit 1982, kam regjistruar grupin e parë në televizion, me regjisore Vera Grabockën dhe Marita Zykon. Pasi doli ky grup në RTSH filloi edhe përndjekja. Synimi kryesor ishte që të goditeshin kuadrot kryesorë dhe me influencë. Në Mallakastër u piketuan familjet e mira në zë, por edhe që ishin në punë të mira shtetërore. Kjo filloi që në janar të vitit 1982 dhe vazhdoi deri në shtator, momenti kur ne u arrestuam. Gjatë kësaj kohe u vunë në punë ish-sigurimsat, ata që punonin nëpër zona dhe çdo person nga këta kishte qëllim që fjalët e të tjerëve t’i përdornin si argumente për në gjyq. Pra, çfarë mund të thoshe ti që të dënoheshe. Me tre dëshmitarë në atë kohë dënoheshe. Dhe secili nga ne, anëtarët e grupit të Ballshit kishte tre dëshmitarë. U piketua që në Ballsh të goditej një grup prej 7 vetësh. Nga ishte bërë ky piketim dhe përse duhej të goditeshin pikërisht familje të caktuara?Ky piketim ishte bërë nga diktatura e kuqe, nomenklatura. Mallakastra duhej të nxirrte patjetër një grup armiqësor, në mënyrë që gjithë popullit t’i ulej koka dhe njerëzit të mos flisnin atë që mendonin në lidhje me vrasjen e Mehmet Shehut. Madje u hartua edhe një gjeografi e goditjes, duke u përfshirë pak a shumë të gjithë fshatrat e zonës: unë isha nga Çorushi, Musa Bega nga Çorushi, Kastriot Shehu nga Hekali, Hekuran Yzeiri (Qazimi) nga Aranitasi, Selfo Pasha nga Kremenari, Hasan Basha ishte nga zona e Fierit, Ferrik Hyseni ishte nga Greshica. Pra u piketuan fshatra, por edhe kuadro përfaqësues të tyre. Dhe kjo piketë u finalizua më 21 shtator 1982. Si e kujtoni momentin e arrestimit tuaj? Në vitin 1982, pas demaskimit publik që i është bërë Selfo Pashës në Ballsh unë kam qenë në plazh me leje të zakonshme. Në 15-ditëshin e dytë të plazhit jam thirrur në Komitetin e Partisë në Fier. Aty ka qenë Zylyftar Ramizi, ish-sekretar i Komitet të Partisë të Fierit dhe më tha:“Tregoi hapur partisë. Ke agjituar kundër partisë dhe pushtetit popullor. Çfarë ke thënë dhe çfarë ke bërë?”“Nuk e kuptoj këtë” i thashë. “Ik mendohu dhe do vish t’ia tregosh partisë”. “Po çfarë kam thënë unë, atë që ka thënë gjithë populli i Mallakastrës”, ia ktheva. Pra me pak fjalë ky ishte një hetim i bërë nga partia.Faktikisht kishe thënë gjë? Normalisht ishte edhe një zgjedhje krahinore. Kjo figurë kaq e madhe si Mehmet Shehu, në një periudhë as një muaj, nga hero legjendar kthehet në poliagjent. Ne nuk mund të bindeshim kaq kollaj dhe nuk e besonim një veprim kaq pervers. Madje në atë kohë doli një letër me 12 faqe, që sqaronte që nga lufta e Spanjës veprimtarinë e Mehmet Shehut si poliagjent. Kemi lëvizur nëpër fshatrat e Mallakastrës të tregonim pse Mehmeti ishte armik. Më kujtohet që në fshatin Belishovë u ngrit një plak dhe na tha: “T’i dërgojmë letër ngushëllimi Mehmet Shehut?”Pra edhe unë, si shumë intelektualë të asaj kohe, në një kuadër të tillë nuk isha i bindur. Dhe ky ishte momenti i duhur për goditje. Ç’ndodhi pas vërejtjes që Zylyftar Ramizi ju bëri në Fier?Pas takimit tim në Fier me Zylyftarin, erdha në Ballsh. Atë natë në orën 23:00 u bë mbledhja me sekretarin e parë, Koli Xhaxha, i cili veç të tjerave shtoi: “Do t’ju fus në burg të gjithë ju mallakastriotëve, sepse keni mbrojtur Mehmet Shehun”. Pak ditë më vonë më pezulluan edhe nga puna, derisa më 21 shtator të vitit 1982 erdhi momenti i arrestimit. Ku ju kanë ndaluar?Kam qenë në shtëpi. Ishte ora 23:00 e mbrëmjes, dhe pasi kisha ngrënë darkën po lexoja gazetën “Drita”, ndërkohë që fëmijët po flinin. Trokiti dera. Ishte i plotfuqishmi i zonës, i cili banonte pranë nesh. Derën ia hapi Shpresa, gruaja ime: “Keni ndonjë çikë raki në shtëpi se më kanë ardhur disa njerëz”, tha ai.Në fakt kishte ardhur të shihte nëse unë isha aty. Vetëm tre minuta pas largimit të fqinjit tonë dera trokiti sërish. Këtë radhë hynë brenda dy policë, hetuesi dhe operativi i sigurimit. Hetues ishte Pjetër Ndreca, dy policë të zonës, ndërsa Luftar Shehu ishte operativ sigurimi dhe mbajti një qëndrim jashtëzakonisht të keq. Në moment më thanë: “Në emër të popullit je i arrestuar”. U kërkova të vishem, sepse isha me pizhama. Më shoqëroi polici a dhe dola. Ndërsa gruaja më tha vetëm dy fjalë: “Në fund të fundit burgu për burrat është”. Kur zbrita shkallët, ndërsa BÇ-ja priste poshtë, nga dritaret kishin dalë të gjithë komshinjtë. Më kujtohet që më pyetën se si doja të m’i lidhnin duart dhe pasi hipa në makinë u nisëm drejt Fierit. Makina ka ndaluar para ish-komitetit ekzekutiv, vetëm 3 minuta. Aty operativi i sigurimit u lidh me dikë në radio dhe i tha: “27 u mor”.Po 6 personat e tjerë të dënuar me ju, kur janë ndaluar?Nga sa mora vesh më pas, të gjitha arrestimet u bënë brenda 1 ore, me përjashtim të Selfo Pashës që ishte arrestuar disa muaj më parë, dhe vjehrrit tim Hekuran Yzeiri, i cili u ndalua dy ditë më vonë. Në Armen, në zbor u arrestuan Musa Bega dhe Kastriot Shehu. Në atë kohë u arrestua edhe Ferrik Hyseni, kurse Hasan Basha ka ardhur nga Fieri dhe është arrestuar në mes të qytetit, ende pa zbritur mirë nga makina. Gjatë rrugës për në degën e brendshme të Fierit Luftar Shehu më tha: “Shiko se nga familja juaj do arrestojmë edhe dy të tjerë”. Hetuesia si vazhdoi? Është një skandal, ose një çmenduri të mendosh që për 4 ditë hetuesi të bësh një gjyq dhe të dënosh me 133 vite burg, internim dhe pa të drejtë vote një grup të ashtuquajtur armiqësor. Kjo ishte një montim që tregon se dënimet tona ishin përcaktuar më parë. Keni pasur dhunë fizike gjatë hetimeve?Po u fute në hetuesi do kesh edhe dhunë, por më tepër flitej për dhunë psikologjike se sa fizike. Të paktën unë flas për veten time. Për hetuesin tim Pjetër Ndreca mund të flas edhe fjalë të mira. Për më tepër të gjithë ne që ishim kuadro të asaj kohe njiheshim edhe me hetuesit. Një javë më parë kisha pirë kafe me hetuesin që mori çështjen time. Çfarë kërkonte të nxirrte hetuesia përmes pyetjeve dhe ku ishin të përqendruar? Problemi qëndronte në faktin që ne u quajtëm grup armiqësor për përmbysjen e pushtetit popullor. Ne si familje duheshim goditur dhe për këtë duhej gjetur motivi. Shkaku ishte që ne nuk iu bindëm fjalës së partisë se Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Nga e mësoi partia këtë fakt, me kë kishit folur? Regjimi i asaj kohe kishte sigurimsat, njerëzit e vet, spiunë, bashkëpunëtorë të sigurimit që punonin me ne, pinin kafe me ne. Unë pata një koleg pune, një shofer nga fshati im dhe një koleg tjetër pune, nga fshati Drenovë, të cilët dolët edhe në pozicionin e dëshmitarit. Thatë më sipër që një grup në Ballsh duhej goditur, mendoni që përzgjedhja juaj është bërë nga Tirana, apo nga partia në rreth? Do të thosha që nuk mund ta ndaj as Tiranën dhe as rrethin, sepse ishte një piramidë shtetërore që vepronte që nga qoftëlargu (Enver Hoxha) e deri tek qeliza më e vogël. Pra ishte ndërtuar një sistem i tillë, që neni i agjitacion- propagandës ishte neni më i fuqishëm i asaj kohe. Nuk mund t’i ndaj të dy këta elementë. Ndërkohë që flasim për dënimin, shohim që shkaku është dyshimi juaj në lidhje me vrasjen e Mehmet Shehut. Duke qenë se jeni nga i njëjti fshat me Mehmetin dhe u dënuat pikërisht për këtë fakt, a keni pasur ju njohje dhe marrëdhënie personale me të? Jo. Nuk kam pasur njohje personale. Im atë kishte qenë në luftë me Mehmetin, por unë nuk njihesha absolutisht me të. Po marrëdhëniet tuaja me të tjerët që u quajtën pjesë e grupit? Hekuranin e kisha vjehërr dhe Musain e kisha kushëri, kurse me të tjerët thjesht shoqëri. Me vjehrrin tuaj keni pasur biseda politike? Këto ishin sajesa dhe montime, për t’i ulur kokën mallkastriotëve që të mos ndodhte si në ‘48-‘49 me goditjen e Koçi Xoxes. Ne nuk kemi folur për çështje të tilla, pastaj të gjithë mallkastriotët dyshuan në vrasjen e Mehmetit, dhe e thashë më sipër, ne ishim vetëm shembull për të zbutur rebelimin e mallakastriotëve pas lajmit të papritur për vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe komenteve lidhur me tradhtinë e tij. Si vijuan gjërat më pas?Procesi i arrestimeve mbaroi më 21 shtator të vitit 1982. Pas 4 ditësh hetuesi, erdhi momenti i gjyqit, që ishte dita më e tmerrshme. Më 27 shtator të vitit 1982, në orën 7 e 30 u nisëm me shumë përforcime nga Dega e Brendshme e Fierit. Gjyqi do të mbahej në kinemanë e Ballshit. Ishte i hapur, me ftesa. Në gjyq merrnin pjesë kryetarë kooperativash, sekretarë byroje, kryetarë këshillash, anëtarë partie, përfaqësues të organizatave të masave, sepse duhej të ishte një gjyq shembullor. Nuk kishte vetëm mallakastriotë, por edhe nga Vlora e Berati, që nëse dikush do të fliste, kështu do ta pësonte, si ne. Kinemaja merrte 680 vetë, brenda ishte 2-3-fishi dhe 5-fishi qëndronte jashtë. Kryetar gjyqi ka qenë Fehmi Abdiu.Kishte përfaqësues të lartë të shtetit në atë seancë? Ishin deputetët e zonës, madje të vendosur në rreshtin e parë. Po për dëshmitarët, çfarë mund të na thoni?Dëshmitarët ishin të gjithë alla-shahitë, siç i themi ne. Një prej tyre ishte shok i imi. Kemi qenë bashkë në shtëpinë time në Çorrush dhe rrugës, duke u kthyer për në Ballsh, në makinë u hapën biseda politike. “Ç’ju duhen këto muhabete”, thashë unë. Por fjalët e mia ky shok i çoi tek Shkëlzen Bajraktari, kryehetues në Fier. Kurse dëshmitari tjetër, që ishte punonjës kulture, Agur quhej, erdhi në darkë tek unë në shtëpi i futur nga Rako Kola, operativ sigurimi i uzinës. Në mes të natës u çua dhe pasi mori një foto të Enverit me Mehmetin, të cilën nuk e kisha hedhur dhe një libër të Mehmetit nga biblioteka ime u largua. Ky fakt më doli si argument në gjyq. Më ka bërë përshtypje madje, që pas dëshmitarëve aty u paraqit edhe mësuesja e djalit tim, që në atë kohë ishte në klasë të parë. Edhe pse shoqe me gruan time, ajo erdhi dhe deklaroi se djali im nuk recitonte vjersha për Enver Hoxhën, por kërkonte vjersha për xhaxhi Mehmetin. (gjë që edhe një herë dëshmon se kemi të bëjmë me një montim, sepse nuk kishte vjersha për Mehmet Shehun dhe një fëmijë 6 vjeçe nuk kishte si ta bënte dallimin).

“Dënimi i grupit të Mallakastrës në shtator 1982”
Njihet tashmë ndëshkimi i mallakastriotëve menjëherë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kreu komunist i shtetit dhe syri vigjilent i tij, duke iu ruajtur një rebelimi të banorëve të vendlindjes së ish-kryeministrit, bëri një goditje spektakolare, me gjyqe publike, për të “denoncuar veprimtarinë armiqësore” si përthyerje e aktivitetit të “poliagjentit” Mehmet Shehu. Në shtator të vitit 1982, në qendër të qytetit të Ballshit, në një gjyq publik do të dënoheshin me bujë 7 nga banorët e zonës, që deri në atë kohë kryenin funksione të ndryshme në administratën lokale. Në krye të këtij grupi do të ishte ish-shoku i viteve të luftës dhe invalidi i Brigadës I Sulmuese, Hekuran Yzeiri, i cili kishte shprehur ndër të parët dyshimet e tij për aktin e vetëvrasjes së kryeministrit. Ndërkaq do të dënoheshin edhe Selfo Pasha, Kastriot Shehu, Ferrik Hyseni, Hasan Basha, Musa Bega dhe Muhamet Xhaferri.

AkuzaLetra për Mehmetin do t’i kushtonte 10 vjet burg
Në kongresin e tetë të PPSH, vetëm pak kohë përpara se Mehmet Shehu të vriste veten, një prej miqve të tij të vjetër nga Mallakastra, shok lufte me të, ndërsa e shihte në televizor vuri re pamjen e trishtuar dhe fytyrën e zbehtë të tij. I shtyrë nga ky fakt, Hekuran Yzeiri, njeri me pozitë në zonën e Mallakastrës, i shkroi një letër kryeministrit shqiptar, në të cilën e pyeste për shqetësimin që reflektonte gjatë punimeve të kongresit: “Pse nuk të pashë mirë në kongres? Çfarë ka ndodhur? I zbehtë dole”. Por kjo letër, vetëm pak muaj më pas, kur Mehmet Shehu përfundoi në vetëvrasje, do të bëhej shkak për të kryqëzuar mikun e vjetër të kryeministrit, që me sa duket e kishte parandjerë fatin e keq të tij. Më shumë se kaq, për Hekuran Yzeirin do të ishte torturues sidomos “demaskimi” 5 orë përpara qytetit të Ballshit. Dhe për më tepër gjendjen e tij e vështirësonte fakti që duhej të qëndronte me një këmbë, sepse këmbën tjetër e kishte humbur në luftë.

I dërguariKadri Hazbiu në Ballsh për të zbutur revoltën
Ndërkohë që Enver Hoxhës i kishin shkuar informacionet e para për shprehjen e dyshimeve nga mjaft prej banorëve të Mallakastrës në lidhje me aktin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, çoi aty për të “shëndoshur” gjendjen një nga njerëzit më të besuar të tij dhe një ndër figurat më popullore të zonës së Mallakastrës, ish-ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu. Siç kujtojnë ish të dënuarit, që kanë qenë pjesëmarrës në atë tubim, ai ndjehej ngushtë dhe hera-herës edhe vetë nuk dinte si t’u përgjigjej mjaft prej pyetjeve të njerëzve të thjeshtë të Mallakastrës, që me sa dukej nuk e kishin kapërdirë lajmin e politikës, për tradhtinë e bashkëfshatarit të tyre. E megjithatë, Kadri Hazbiut s’i mbeti gjë tjetër vetëm të citonte shprehjen standarde të tij, duke u bërë thirrje mallakastriotëve t’i qëndronin besnikë Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Për ironi të fatit, vetëm pak ditë pas këtij takimi, Kadri Hazbiu do të dilte vetë “tradhtar i partisë dhe popullit” dhe do të kryqëzohej në gijotinën e përbindëshit komunist.

e enjte, korrik 06, 2006

17 shtator 1958. Ministri Beqir Balluku në ceremoni



Në Pashaliman ulen flamujt rusë, ngrihen flamujt luftarakë shqiptarë
Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe kujtimeve të Petrit Myftiut e Myfit Qordukës, ish-ushtarakë madhorë të FLD-së, në këtë numër sillen detaje rreth evenimentit historik të kalimit nga komanda ruse në komandën shqiptare të brigadës së nëndetëseve të bazës së Vlorës, prania e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku në këtë eveniment, bashkëpunimi i ushtarakëve tanë me ata rusë, si dhe planet e afërta të rusëve për strategjinë e bazës së Pashalimanit.Në vazhdim do të lexoni:-Fuqizimi i FLD-së në vitet 1957-1958 dhe urdhri i Enver Hoxhës për përzgjedhjen e studentëve më të mirë për përgatitje në Akademitë e Rusisë.-Roli dhe përkujdesja e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petruit Dume dhe kundëradmiralit Teme Sejko për Flotën Luftarake Detare dhe përgatitjen e kuadrove në Akademitë jasht vendit.(Vijon nga numri i kaluar)Që nga vitet e para të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në prag të prishjes së marrëdhënieve me Rusinë, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve madhorë të Flotës Luftarake Detare shqiptare, ka qenë një periudhë e “artë” marrëdhëniesh e bashkëpunimi mes ushtarakëve sovjetikë që kishin ardhur për ndihmë e asistencë dhe kuadrove tanë të detarisë që përgatiteshin për të marrë vetë “frenat” e komandimit të anijeve e nëndetëseve luftarake. Shkollat dhe akademitë ruse, tregon për gazetën ish-ushtaraku madhor Myfit Qorduka, ishin ndër më të njohurat e kohës, ndërsa ndihma dhe kontributi i kuadrove rusë të Flotës Luftarake për ne e te ne, është i pakrahasueshëm. Por një nga ngjarjet më të rëndësishme të Flotës sonë Luftarake e të jetës së vendit, mbetet 17 shtatori i vitit 1958, kur në një ceremoni në bazën e Pashalimanit, efektivat shqiptarë marrin krejtësisht në dorë drejtimin e shërbimit luftarak detar.Beqir Balluku në evenimentin historik për FLD-nëPër Flotën Luftarake Detare e veçanërisht për brigadën e nëndetëseve të Pashalimanit, 17 shtatori i vitit 1958, është një nga ngjarjet më të shënuara, pasi nëndetëset, kuadrot dhe efektivat e tyre prej vitesh nën komandë e nën drejtimin ushtarakëve rusë, kalojnë krejtësisht në drejtim të kuadrove shqiptarë e nën komandimin Komandës së FLD-së shqiptare. 69-vjeçari Petrit Myftiu, një nga drejtuesit e Pashalimanit (komandant nëndetëseje) në atë kohë, tregon se përgatitjet për këtë eveniment të rëndësishëm e të shumëpritur kishin kohë që kishin filluar. E në fund, kjo ditë erdhi. Në bazën e Pashalimanit, të zbukuruar si për festë, në prani të efektivave shqiptarë e rusë, eprorëve të tyre më të lartë, ishin edhe komandanti i Flotës Luftarake Detare, kundëradmirali Teme Sejko dhe ministri i Mbrojtjes që kishte ardhur nga Tirana, Beqir Balluku. Petrit Myftiu, nga kjo ditë, në shënimet e tij shkruan: ”..Ishte mëngjesi i 15 shtatorit 1958. Në prani të shumë autoriteteve më të larta të ushtrisë shqiptare dhe të Flotës Luftarako-Detare, të ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, të komandantit të Flotës Luftarako-Detare, Teme Sejko, në mënyrë ceremoniale, në bazën lundruese dhe në të 4 nëndetëset u ulën flamujt luftarakë të flotës sovjetike dhe, në vend të tyre, u ngritën flamujt luftarakë të Flotës sonë Luftarako-Detare, çka shënonte ligjërisht edhe kalimin pronësisë mbi anijet, sigurisht në përputhje me aktmarrëveshjet në kuadër të Traktatit të Varshavës”. E veçanta e këtij hapi të rëndësishëm që konfirmoi ceremonia e nënshkrimi i dokumentit, sipas dokumenteve arkivore e dëshmive të ish-ushtarakëve madhorë të FLD-së, ishte se Komanda e Brigadës së Nëndetëseve do të ishte në vartësi ushtarake nga Komanda shqiptare e Flotës, me qendrën e saj në Vlorë, ndërsa vartësia e ekuipazheve do të ishte si më parë.Bashkëpunim i frytshëm me rusëtKalimi i nëndetëseve në komandën e ushtarakëve shqiptarë, përveçse një ndjenjë krenarie, ishte dhe një përgjegjësi e madhe për kuadrot tanë të rinj, që u duhej të përballonin situata nga më të vështirat në ditët e muajt që do të pasonin. Kur komandanti i Brigadës së Nëndetëseve të Pashalimanit, kapiteni i rangut të parë, rusi Jegerov dhe kolegë e vartës të tij (emra të njohur të detarisë luftarake ruse në dekada) Kastromov, Karelin, Nekrasov, Ushkov etj.. me një karrierë të gjatë e relativisht 35 - mbi 50-vjeçare, u dorëzuan detyrat kolegëve shqiptarë, të gjithë 24-26-vjeçarë, kujtojnë ish-ushtarakët madhorë të Flotës Luftarake, sfida për detyrat që dilnin, merrnin përmasa të tjera. Por edhe pas kalimit të komandës te shqiptarët, kujton ish-ushtaraku madhor Myftiu, bashkëpunimi me kuadrot rusë ishte tepër i frytshëm, miqësor e në funksion të realizimit sa më cilësor të detyrave, deri në momentin e ftohjes politike që solli dhe prishjen e marrëdhënieve 3-4 vite më vonë. Sipas dokumenteve të kohës, në çdo hallkë drejtimi të Flotës, pranë komandave shqiptare ishte dhe një konsulent rus. Kështu, pranë Teme Sejkos ishte kapiteni i rangut të parë, Kulik, ndërkohë që pranë ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, ishte konsulent kundëradmirali rus, Zagrebin. Gjithsesi, në këtë kohë, qeveria shqiptare, sipas dokumenteve të kohës, nisur nga rëndësia që merrte Flota Luftarake, mori një sërë masash të tjera të rëndësishme, që synonin rritjen cilësore të përgatitjes speciale të efektivave. “Në këtë kohë, krahas të tjerave, me vendim të qeverisë shqiptare, u bë shtimi nga 3 në 4 vjet koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për marinarët, gjë e cila vinte në rakordim të plotë me vitet e shërbimit të Flotës Sovjetike”, - kujton Petrit Myftiu. Por marrëdhëniet me ushtarakët rusë, kujtojnë kuadrot tanë të detarisë luftarake, krahas efektivitetit në funksion të punës, u shtrinë dhe në sferën shoqërore e deri në marrëdhëniet e ndërsjella të miqësisë familjare.Pashalimani në projektet e ushtarakëve rusëBaza e Pashalimanit dhe Sazani përkundruall ku ishin forcat detare shqiptare e ruse, një mrekulli jo vetëm e natyrës, por të vlerësuar si pika strategjike luftarake, dje dhe sot, nga specialistë të shteteve e kampeve ushtarake të njohura të grupimeve ushtarake, nga Hrushovi, ushtarakët rusë dhe nga ato të Traktatit të Varshavës deri në prishjen përfundimtare me ish-BS-në e daljen nga Pakti i Lindjes, ishin në qendër të vëmendjes. “Politika dhe strategjia ushtarake e shtetit sovjetik synonte hapjen e forcave ushtarako-strategjike në Detin Mesdhe, si kundërpeshë ndaj Flotës së 6-të të SHBA-së. Jemi në vitet kur shteti sovjetik synonte të afirmonte veten superfuqi në pikëpamjen politiko-ushtarake”, - tregon Petrit Myftiu. Në atë kohë, vazhdon më tej Myftiu, dëgjonim mjaft nga sovjetikët për të ardhmen e Pashalimanit, të cilët jo pa mburrje na thoshin që në një të ardhme jo shumë të largët, diku në gjirin e Raguzos, në rrëzë të Karaburunit do të hapeshin tunele të cilët do të strehonin deri 20-25 nëndetëse atomike. Kështu, atë kohë në rrafshin e Ravenës, mbi Karaburun, filluan punimet për ndërtimin e pajisjeve të nevojshme për lëshimin e raketave tokë-ajër, të cilat do t’i siguronin Bazës Detare të gjirit të Vlorës një mbrojtje të sigurt. Këto plane, sipas specialistëve ushtarakë, do ta kthenin bazën e Vlorës në një bazë tepër të fuqishme e të avancuar të Traktatit të Varshavës në Mesdhe.. Por prishja e afërt me rusët, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve... (Vijon)

e mërkurë, korrik 05, 2006

Si u përgatitën kuadrot e parë të Flotës në Jugosllavi dhe Rusi



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakut madhor të Flotës Luftarake Detare, Myfit Qorduka, sillen momentet e vështira të fuqizimit të FLD-së me anije e nëndetëse bashkëkohore, nisja në vitin 1946 e kontingjenteve të para të kuadrove për përgatitje në Akademitë e Jugosllavisë e Rusisë, përballimin e incidenteve dhe provokimeve të fqinjëve nga detarët tanë si dhe inspektimi e detyrat e Enver Hoxhës në prill të vitit 1954 në bazën e Pashalimanit dhe ishullin e Sazanit.Në vazhdim do të lexoni:-Beqir Balluku në ceremoninë në Pashaliman, ku komanda e brigadës së nëndetëseve kalon nga rusët te shqiptarët.-Si ishte bashkëpunimi mes ushtarakëve rusë dhe atyre shqiptarë në bazën e Pashalimanit, deri në fillimin e acarimit të marrëdhënieve shtetërore.-Çfarë planesh kishin rusët për Pashalimanin e Sazanin dhe si punohej për realizimin e planeve afatgjata.24 prill 1954. Enver Hoxha në Sazan(Vijon nga numri i kaluar)Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin Flotës Luftarake Detare shqiptare që në muajt e parë të pasluftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane. Fillimisht, menjëherë pas luftës, që në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhënieve, pas vitit 1968 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë ruse, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë”, - pohon për gazetën Myfit Qorduka, ish-ushtarak madhor në FLD. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarakë që ruhen në arkivën e FLD-së, efektivave tona detare iu desh që krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, pajisjeve me teknikë e armatim bashkëkohor, të përballonin gjithashtu edhe dhjetëra incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptarë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, viktima mes detarëve e oficerëve në këto incidente, por duke i përballuar këto me sukses. “Në prill të vitit 1954, në përgëzim të realizimit të detyrave me sukses në efektivat detare, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin dhe ishullin e Sazanit, duke dhënë njëkohësisht edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detarë”, - pohon për gazetën Duka.Jugosllavia, vendi i parë i përgatitjes së oficerëve të flotësSipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit, kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nis menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Në fillim të vitit 1946 deri në vitin 1947, sipas dokumenteve të kohës, në një kurs njëvjeçar, dërgohen në Dalmaci një grup ushtarakësh që të përgatiten si specialistë për anijet luftarake. “Ndër kuadrot e para të detarisë ushtarake që u përgatitën në Jugosllavi, kujtoj Selam Qejvanin, Petro Trenin, Rami Mborjen, Xhavit Selimullarin, Hajri Binaj, Vaskë Themeli etj., që falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan jo pak nga eksperienca e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”, - pohon për gazetën Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën jugosllave të detarisë luftarake, ndër vite punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke pasur rastin të jenë dhe drejtues të këtyre njësive.Ish-Bashkimi Sovjetik, vendi i përgatitjes masive të ushtarakëve tanë detarëQë nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura ruse të marinës ishin vendet ku u përgatitën breza të tërë të kuadrove të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe në detyra të ndryshme në flotë në vjeshtë të vitit 1949. Sipas ish-ushtarakut Qemal Hysaj, grupi i parë i kuadrove shqiptarë të marinës u përgatit në kryeqytetin e Republikës së Azerbajxhanit, Baku, mbi detin Kaspik. “Kuadrot e parë që studiuan për marinë në Rusi ishin 10 vetë, pikërisht Xhemal Shani, Aziz Hasa, Mark Plani, Stavri Çika, Andrea Papadhimitri, Piro Kola, Muharrem Lulolli, Mehmet Karashabani, Shaqir Kapexhiu dhe Shefqet Pinari”, - shton më tej Hysaj. Qysh me ardhjen në atdhe, kuadrove të përgatitur në Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kolegëve që ende jetojnë, u emëruan në detyra të rëndësishme. Kështu, Xhemal Sinani emërohet komandant i Flotiljes e më pas komandant i Brigadës së Nëndetëseve; Mark Plani emërohet shef i shtabit të Flotiljes e komandant baze; Aziz Hasa, komandant i ishullit të Sazanit etj. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, në vitin 1948 dërgohen dy grupe studentësh të tjerë detarie për në Rusi, njëri prej 23 vetash po në Baku e tjetri prej 5 vetash në shkollën e lartë të inxhinierisë detare në Leningrad (sot Sant-Petërburg). Ndërsa nga mezi i viteve 50 deri në fillim të vitit 1960, në akademitë ruse u dërguan dhjetëra ushtarakë të tjerë për marinën shqiptare.Vizita e Enver Hoxhës në ishullin e SazanitArdhja e kuadrove të parë të shkolluar jashtë vendit në krye të FLD-së shqiptare e njësi të tjera të kësaj arme, sipas rrëfimeve të ushtarakëve madhorë të Flotës, solli përmirësim rrënjësor të nivelit të gatishmërisë në mbrojtje të ujërave tona detare. Sipas ish-ushtarakut madhor të flotës, Myfit Qorduka, e veçantë në këtë periudhë të fuqizimit të FLD-së, përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim, Vangjel Nano, një nga drejtuesit e efektivave detare, në kujtimet e tij shkruan se më 24 prill 1954, nga Vlora edhi në Sazan shoku Enver Hoxha, i shoqëruar nga Silur-Hedhësja Heroi, komanduar nga ekuipazh krejtësisht shqiptar. Enveri, sipas shënimeve të Nanos, mes të tjerave, para efektivit të kuadrove e detarëve të Sarandës theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e Partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se detarët do t’i ruajnë e mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur..”. (Vijon)