e mërkurë, janar 18, 2006

Byroja në janarin e ‘91: E pësuam nga privilegjet që kemi siguruar për veten



Byroja në janarin e ‘91: E pësuam nga privilegjet që kemi siguruar për veten
Ramiz Alia analizon, se shkaku i mllefit popullor janë edhe hatëret e udhëheqjes

Fatos Veliu
Jemi plot 15 vjet më parë, kur në sallën e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, në datat 9-10 janar të vitit 1991, nën drejtimin e Ramiz Alisë, ishte mbledhur ekipi më i lartë politik i shtetit komunist. Shkak ishte bërë një takim dy orësh, që Alia kishte konsumuar një ditë më parë me përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila kishte vetëm pak kohë që ishte krijuar.
Opozitarët që kishin dalë pas 50 vjetësh në skenën e politikës shqiptare kishin kërkuar në mënyrë të padiskutueshme shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara në datën 10 shkurt (1991). Fakti se, në rast mosshtyrje të zgjedhjeve ato do të sabotoheshin nga Partia Demokratike, e cila kishte bërë plan të bënte thirrje për mospjesëmarrje të popullit në votime, Alia kishte mbledhur kolegët e tij në atë takim misterioz. “Të shtyhen apo të mos shtyhen zgjedhjet?” “Në qoftë se shtyhen, çfarë përfitojmë dhe humbasim ne?” “Po nuk u shtynë, a kemi mundësi të përballojmë situatat që do të gjenerojnë nga ky shkak?” “Kush është situata në Shqipëri?” “Çfarë qëndrimi mban masa e gjerë e njerëzve përballë Partisë së Punës, e cila ka qenë për 50 vjet në drejtim?” “Kush janë shkaqet që punëtorët në shumë ndërmarrje të vendit janë ngritur në greva, ku veç karakterit ekonomik kanë kaluar edhe në kërkesa me karakter politik, madje arritën të përkrahnin hapur opozitën e re demokratike?” Këto janë disa nga temat që u morën në shqyrtim dhe u diskutuan për dy ditë me radhë nga drejtuesit kryesorë të Partisë së Punës, pikërisht në sallën ku ata kishin marrë vendimet më jetike për ekonominë e popullit, siç ishin ato të shpronësimeve, të oborrit kooperativist apo të tufëzimeve të bagëtive të fshatarëve. Gjithsesi, pavarësisht se në atë tavolinë arritën të prezantoheshin vërejtje dhe probleme pafund, të cilat u pranua se kishin ndodhur për shkak të gabimeve të drejtimit politik, byroistët ende shpresonin se situata ishte në dorën e tyre, madje ata aludonin se mund të gjenin forma dhe rrugë për të kapërcyer situatat politike, që për mendimin e tyre ishin të përkohshme. Ajo situatë u mendua të kalohej me një ristrukturim të partisë së tyre, që mund të bëhej në një kongres të jashtëzakonshëm. Megjithatë, në vazhdim të bisedës së tyre, në ditën e dytë të takimit, u diskutua për emigrimin, që në atë kohë po merrte përmasa të paimagjinueshme. Ishte një gjest i shqiptarëve që ajo udhëheqje e ndjente veten shumë përgjegjëse. Në këtë prizëm, gjatë diskutimeve u prekën me tone shumë të nxehta abuzimet në detyrë, që ishin bërë nga ata njerëz të pushtetshëm. Ramiz Alia, duke kërkuar problemet që e kishin çuar popullin në atë zemëratë, saqë po distancohej çdo ditë nga partia që e kishte prirë për 50 vjet, kërkoi llogari për fëmijët që kishin çuar me studime jashtë shtetit, për punësimet që kishin mundësuar për të afërmit, madje në lidhje me këto pamje ai akuzoi emra konkretë. Pikërisht, ajo çka u diskutua në atë sallë misterioze plot 15 vjet më parë, pikërisht më 9-10 janar 1991, kur Shqipëria kishte hyrë në zgjedhjet e para pluraliste, arrin të zbardhet për publikun e gjerë vetëm tani, kur kanë kaluar plot 15 vjet. Gjithçka është bërë e mundur pas negociatave të bëra nga redaksia e gazetës “Panorama”, me ish-shtetarë të asaj kohe, të cilët në momentet e ndërrimit të sistemeve kanë mundur të shtinë në dorë procesverbale të atyre takimeve.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ne, shoku Ramiz, ta themi hapur, jemi mësuar vetëm të presim çfarë thoni ju.SHOKU SPIRO DEDE: Ne duhet të luftojmë së pari për të fituar në zgjedhje, dhe menjëherë pas kësaj t’i futemi rinovimit e të përgatisim kongresin, të cilin para zgjedhjeve nuk e bëjmë dot.SHOKU NIKO GJYZARI: Para zgjedhjeve jo, po brenda qershorit mund ta bëjmë kongresin.SHOKU SPIRO DEDE: Dhe para zgjedhjeve të shtyra nuk mund ta bëjmë.SHOKU RAMIZ ALIA:Nga ç’dëgjoj dhe nga çfarë lexoj në shtyp, fatkeqësisht se kohët e fundit u zumë me këto probleme dhe s’kam marrë kontakt me Partinë e me njerëzit, shikoj që në Parti ka pasivitet, prirje, hutim, frikë. E rëndë është ta thuash, por ky është një realitet. Dhe nuk ka dyshim që në këto fenomene ndikon në mënyrë të jashtëzakonshme çështja e ekonomisë, qoftë në klasën punëtore, qoftë në fshat, gjë që ka krijuar mundësi për depërtim të ideve të huaja, siç është në fshat çështja e privatizimit të pronës, siç është në qytet, në qendrat e punës prirja për të zhvatur, për të vjedhur, për të marrë pagë sa më të lartë, duke fituar sa më shumë, duke punuar sa më pak etj.E thoshte mirë sot në gazetë (Artikull i gazetës “Zëri i Popullit”, datë. 10. 1. 1991. me titull “Neni i Demokracisë: puna”.) Astrit Nuri që, duke shoqëruar nga Tirana deri në Berat dy sekretarët e Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, nëpër rrugët e bulevardet e qyteteve nga kalonim, shikonim plot njerëz që shëtisnin, megjithëse ishte ditë pune dhe orët e para të paradites. “Ç’bëhet kështu, kush punon tek ju dhe kur punoni?”, pyesnin ata dhe thoshin “Sa keq, sa keq!” Këtë fatkeqësi ne po e shikojmë me sy. Prandaj në fund të muajit janar, komisioni i Planit të Shtetit duhet të nxjerrë statistikën se si u realizua plani i këtij muaji, duke e shpallur dhe publikisht, sipas degëve dhe zërave. Të kemi kurajën t’i themi realizimet siç janë, jo t’i rrumbullakosim dhe të japim llogari përpara popullit. Kjo tregon së pari, që ka një defekt në veprimtarinë konkrete të partisë. Së dyti, Partia është shkëputur nga rinia. Për këtë të jemi realistë. Pse e them këtë? E para, sepse vetë Organizata e Rinisë po e thotë publikisht që s’është më e lidhur me Partinë. E dyta mentaliteti i Partisë është një mentalitet i vjetruar, nuk i përshtatet mentalitetit të rinisë. Pse rinia studentore, pjesa më e zgjedhur e tërë rinisë sonë del në kundërshtim me Partinë? E njëjta situatë është dhe me rininë punëtore dhe me atë të fshatit. S’ka fshat ku nuk po ikin njerëz, që nga minoriteti, nga bregdeti etj.SHOKU PALI MISKA: Në fshat kemi 65 për qind të popullsisë.SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, por në Velipojë e në të gjithë zonën kufitare njerëzit bëhen gati për të ikur jashtë.SHOKU HEKURAN ISAI: Me grupe bile.SHOKU PALI MISKA: Nuk përjashtohet që edhe ikin.SHOKU RAMIZ ALIA: Për zonën kufitare kjo është një gjë reale. Ja, duke biseduar dje me berberin që më qeth mua, i cili është minoritar , e pyeta: “Të ka ikur njeri ty Llambi jashtë?”. “Më iku djali i nipit”, tha. “Sa kanë ikur nga fshati juaj?” e pyeta përsëri. “23 djem, të tërë të rinj”, tha. Unë do të thosha që edhe ata 5 mijë veta që u futën në ambasada më 2 korrik erdhën në Tiranë nga të tëra rrethet. Pra, çështja është që rinia nuk ka atë lidhje të ngushtë që kishte me Partinë. Eshtë larguar për shumë arsye. Në radhë të parë për arsye ekonomike, por edhe për arsye të dobësimit të punës së Partisë. Jo vetëm rinia, por mund të themi pa frikë, që edhe inteligjenca krijuese është e shkëputur nga Partia, pavarësisht se ndonjëri e ka teserën e partisë, pavarësisht se ai është njeri i mirë dhe thotë se jam gati të vdes për Partinë, por në fakt që ka objeksionet e veta për vijën e Partisë, thotë të rishikohet vija e saj, të shikohet kjo dhe ajo çështje.SHOKU PALI MISKA:Inteligjencia e prodhimit është më ndryshe.SHOKU RAMIZ ALIA: Inteligjencia e prodhimit sigurisht është më ndryshe. Unë mendoj që kjo kategori inteligjence nuk është si inteligjencia krijuese. Por dhe aty për mendimin tim ka probleme të cilat janë mjaft serioze.SHOKU XHELIL GJONI: Inteligjencia teknike është shumë më agresive se ajo krijuese.SHOKU RAMIZ ALIA: Mundet. Me inteligjencën në përgjithësi Partia ka probleme.Le të marrim administratat. Për mendimin tim qoftë administratat e Partisë, qoftë ato të shtetit janë burokratizuar, në aparatet e Partisë dhe të pushtetit ka njerëz të vjetër, të cilëve u ka rënë vlera, sepse flasin, premtojnë, por nuk zgjidhin gjë, qofshin këta instruktorë të Partisë apo funksionarë të aparateve shtetërore, për arsye të vështirësive ekonomike, por edhe për arsye burokratike, se përtojnë, ka hatëre etj. Për veten e tyre janë rregulluar të tërë. Ky është një realitet, të mos kemi frikë ta themi. Nëpër komitetet ekzekutive nuk ka punonjës që kërkon punë ose të drejtë studimi për fëmijët e tij se i kanë rregulluar. Kush del jashtë shtetit? Kush shkon me bursë jashtë shtetit? Merrni listën dhe shikojeni.SHOKU XHELIL GJONI: Dhe mllefi më i madh i gjithë inteligjencies dhe ndaj rinisë është ndaj kësaj kategorie inteligjencie.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Dhe vetë inteligjencia është e implikuar në këto gjëra.SHOKU RAMIZ ALIA:Mua më shqetëson raporti që ekziston ndërmjet këtyre njerëzve dhe masave, shkëputja e Partisë nga masat, pasi të jemi realistë, këta njerëz masa nuk i sheh dot. Më erdhi një ditë një njeri i njohur dhe më tha: “Shoku Ramiz, na bën përshtypje kur shikojmë fëmijët e anëtarëve të Komitetit Qendror që janë jashtë shtetit, nëpër ambasada ka njerëz të lidhur me krushqi dhe miqësi me anëtarët e udhëheqjes së Partisë, po kështu në tregtinë e jashtme, me turizëm etj. “E kam fjalën që kjo kategori kuadrosh që kemi nëpër aparate janë shkëputur nga masat, këto janë bërë alergjike ndaj këtyre njerëzve, të cilët nuk gëzojnë simpatinë e tyre. Nuk them se janë të tërë kështu, por ky fenomen ekziston.Aparatet që ne kemi, qofshin partiake apo shtetërore, i kanë këputur lidhjet me masat. Pse vijnë njerëzit të ankohen në Komitetin Qendror dhe në Këshillin e Ministrave? Sepse komitetet e Partisë dhe ato ekzekutive të rretheve nuk u dalin zot problemeve, nuk duan të përplasen me masat, nuk mbajnë lidhje me to. Jo rrallë u thonë njerëzve “Nuk ta zgjidh dot hallin, shko ku të duash, deri lart”. Veprim partie është ky? Nuk mund të them që kjo është një parti efektive, që mendimi i saj ka lëvizur. Prandaj mua më duket se ajo ka nevojë për një rinovim, qoftë në aspektin politik e ideologjik ashtu edhe atë organizativ. Por kjo nuk është aq e lehtë, kështu që dhe përgatitja e kongresit është një gjë shumë e vështirë.SHOKU NIKO GJYZARI:Sidomos nga ana ideologjike...


neser do te lexoni
Vazhdon dialogu mbyllës i takimit dyditor, që Ramiz Alia bëri me byroistët në 9-10 janar të vitit 1991. Thirrja e fuqishme që Alia bëri para kolegëve të tij, për të bërë të pamundurën që të mbante inteligjencien pas partisë që drejtonte
Interpretimi i shkëlqyer, që Xhelil Gjoni i bëri mënyrës së funksionimit të Partisë së Punës, në kushtet e një shteti pluralist. Paralajmërimi i tij, se Partia në çdo rast do të ishte në opozitë me administratën shtetërore
Diskutimi që u bë në lidhje me fëmijët e anëtarëve të udhëheqjes së Partisë, të cilët ishin dërguar pa të drejtë për studime jashtë shtetit. Interpretimi i shembullit të djalit të Sofo Lazrit, i cili ishte ngritur si shqetësim nga Marash Hajati