Në ’91 i bëmë të palundrueshme anijet e bazës së Pashalimanit
Gjatë inspektimit në Sazan mësova për bllokimin e anijes me emigrantë
Manjola Bregasi
Ishte shkurti i vitit 1991, kur tre anije ushtarake së bashku me disa elementë të ekuipazhit u larguan nga baza e Pashalimanit drejt Italisë. Një ngjarje tepër e rëndë kjo për ushtrinë shqiptare dhe sidomos për qeverinë e asaj kohe, që ishte duke përjetuar ditët e saj më të vështira.
Në një moment kur të gjithë i kishin kthyer sytë nga ushtria, edhe në radhët e saj kishte nisur degradimi. Situata e krijuar po vinte në pikëpyetje të plotë ekzistencën e qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe mbi të gjitha forcën e komunizmit në vend. Protestat e studentëve, të cilat kishin nisur me kërkesat ekonomike dhe kushte më të mira po përshkallëzoheshin çdo ditë e më tepër dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera. Çfarë po ndodhte në vend në një moment të tillë, të mbushur me lëvizje dhe tension kur një pjesë njerëzish i kishin kthyer sytë nga perëndimi? Shembulli i parë ishte dhënë me të ikurit në ambasada, ndaj dukej që akulli ishte thyer. Ndërkohë, në qytetin bregdetar të Durrësit, më tepër se 10 mijë qytetarë u përleshën me policinë pas përhapjes së fjalës se kishte ardhur një traget për të çuar njerëz në Itali. Qytetet bregdetare, ambasadat dhe bazat ushtarake ishin në qendër të vëmendjes si nga shteti, ashtu edhe nga turmat. Ata po rrëmbenin anijet e ç’të gjenin në porte vetëm me qëllimin për t’u larguar nga Shqipëria. Protestat kishin nisur në të gjitha qytetet dhe po shoqëroheshin me dukuri nga më të ndryshmet. Ministria e Brendshme e kishte të pamundur të përballonte fluksin e ngjarjeve, që po shtriheshin gjithmonë e më tepër, ndaj në këtë kuadër u kërkua ndihma e ushtrisë dhe kalimi i garnizoneve të saj nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Në vijimin e kujtimeve të tij, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Halim Habazaj, pjesëmarrës në momentet e marrjes së disa vendimeve të rëndësishme për atë kohë, tregon për masat për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Përse ushtria u përfshi në këto detyra që nuk i përkisnin me Kushtetutë? Çfarë ndodhi në bazën e Pashalimanit pas largimit të tre anijeve ushtarake drejt Italisë? Si reagoi turma kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm mbërriti në Vlorë dhe përse ky i fundit nuk pranoi, që ushtria të përfshihej në ruajtjen e qytetit? Përse u vendos që anijet e bazës ushtarake të dilnin jashtë lundrimit? Si i ndihmoi shefi i shtabit qytetarët të arratiseshin drejt Italisë? Zoti Habazaj, në vitin 1990 ju jeni emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kush ju emëroi në këtë post?Shefi i shtabit emërohej drejtpërdrejt nga Byroja Politike ndaj edhe mua më emëruan pikërisht anëtarët e kësaj byroje. Vitet ’90-‘91 shënojnë edhe ndryshimet rrënjësore të sistemit politiko-shoqëror në Shqipëri, gjë që u shoqërua me zhvillime të vrullshme në vend. Duke qenë se ju në këtë periudhë keni pasur një pozicion të rëndësishëm në ushtrinë shqiptare, ç’mund të na thoni për përfshirjen e saj në këto lëvizje dhe për qëndrimin që u mbajt në këtë situatë? Dua të theksoj se në atë periudhë ushtria përbënte një forcë të armatosur, të organizuar dhe të përgatitur për të kryer detyrën e përcaktuar nga Kushtetuta. Ajo kishte një efektiv prej 550 mijë personash, me armë e municione të bollshme, me teknikë dhe armatim të çdo lloji, me përgatitje të lartë profesionale dhe drejtohej nga komanda e shtabe të aftë ushtarakisht. Por fundi i vitit 1990 dhe fillimi i vitit 1991 shënoi probleme edhe në radhët e ushtrisë. Shqetësimet nisën të ndjehen më tepër në çështjet që lidheshin me disiplinën, në largimet pa leje, moskryerjen e detyrave të ndryshme, tentativat për vjedhje armësh apo për sulme ndaj objekteve ushtarake. Në këto kushte lëvizjesh dhe ndryshimesh vëmendja jonë ishte përqendruar në ruajtjen e objekteve ushtarake, përforcimin e rregullit dhe të disiplinës në radhët e ushtrisë. Sipas Kushtetutës së asaj kohe, detyra e ushtrisë ishte ruajtja e kufijve nga agresorët e huaj dhe mbrojtja e vendit në raste sulmesh. Por siç e thashë edhe më sipër, me komplikimin e situatës së brendshme ushtria mori pjesë edhe në disa detyra të tjera jashtë profilit si ruajtja e rendit, ruajtja e institucioneve të rëndësishme, RTSH, ATSH, Banka e Shqipërisë, portet dhe ambasadat. Për ruajtjen e këtyre institucioneve u angazhuan shkolla e kuadrove rezervë të Zallherit dhe ajo e Vlorës. Kush vendosi dhe kush e kërkoi përfshirjen e ushtrisë në këto detyra? Vendimet e rëndësishme merreshin nga Këshilli i Mbrojtjes që e kryesonte komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ramiz Alia, ku bënin pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Ekonomisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Këshilli i Mbrojtjes i drejtuar nga komandanti i Përgjithshëm, Ramiz Alia, u mblodh disa herë për të diskutuar në lidhje me gjendjen e krijuar. Vendimi i parë që mori ky këshill ishte kalimi i disa reparteve të ushtrisë, nga Ministria e Mbrojtjes në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke qenë se kjo e fundit nuk kishte forca të mjaftueshme për të përballuar situatën. Këto reparte kaluan ashtu siç ishin, me të gjithë ushtarakët dhe godinat. Më pas, me përkeqësimin e situatës përfshirja e ushtrisë në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë nisi të jetë më e gjerë, aq më tepër që probleme ka pasur edhe në vetë radhët e ushtarakëve. Çfarë kuptoni ju me probleme? Të ç’karakteri ishin ato?E përmenda edhe më sipër, që problemet themelore në ushtri lidheshin me disiplinën, moszbatimin e urdhrave apo edhe tentativat për vjedhje armësh, megjithatë ka pasur edhe raste të tilla më të rënda, siç ishte ai i largimit të tre anijeve ushtarake nga baza e Pashalimanit në Vlorë. Në këto anije ndodhej i gjithë ekuipazhi?Jo. Brenda tyre ndodheshin vetëm disa elementë, megjithatë për këtë problem unë udhëtova vetë drejt Vlorës, në shkurt të vitit 1991. Ndërkohë Vlora ziente nga protestat dhe rrugët ishin të mbushura me njerëz. Para se të shkoja në bazë, u ndala në qytet. Në takimin me shtabin e rrethit u kërkua që forcat e ushtrisë të ndërhynin në ruajtjen e qytetit dhe mbajtjen e rregullit e të qetësisë, kërkesë të cilën unë e refuzova. “Shkoni e flisni me njerëzit”, u thashë. Vetë u përqendrova në bazë, nga ku ishin larguar edhe anijet. Në kohën që kalova me makinë nëpër qytet, turma u nda dhe më hapi rrugën. Pashë që ndaluan makinën që vinte pas meje me radion dhe radistin. Shoferi bisedoi diçka dhe pastaj u nis përsëri. Njerëzit e kishin pyetur me kë udhëtonte. “Jam me shefin e Shtabit të Përgjithshëm”, ishte përgjigjur shoferi dhe kaq, vazhduam rrugën pa ndonjë incident.Çfarë u diskutua në bazën e Pashalimanit për largimin e anijeve? Aty mora kontakt me drejtuesit e bazës dhe diskutuam në lidhje me ngjarjen.A u vendos të merrej ndonjë masë për ushtarakët “dezertorë” apo drejtuesit e bazës dhe çfarë ndodhi më pas me anijet?Jo, nuk morëm masa. Më pas anijet u kthyen. Si paraqitej situata e përgjithshme në bazë? A ekzistonte rrezik për arratisje të tjera në radhët e ushtarakëve?Edhe kjo mundësi nuk përjashtohej, por në ato kushte rreziku më i madh ishte prej civilëve dhe turmave të protestuesve që në përpjekje për të gjetur mënyra largimi drejt Italisë, mund të sulmonin edhe bazat ushtarake për të marrë mjetet lundruese. Pasi e analizuam situatën vendosëm që të gjitha anijet e bazës t’i nxirrnim jashtë lundrimit, duke hequr një mekanizëm të nevojshëm për punën e tyre dhe ashtu bëmë.A ishte normale për një bazë detare që të mos kishte mjete lundruese të gatshme?E përmenda edhe më sipër, që në atë periudhë rreziku ishte i brendshëm, jo i jashtëm, ndaj për të evituar çdo incident në rast se civilët sulmonin bazën, menduam që kjo ishte rruga më e mirë, dhe arsyen e ilustron ajo që ndodhi vetëm pak orë më pas, kur me helikopter kisha mbërritur në Sazan. Duke ndjekur situatën, mora informacion se një rimorkiator, që shërbente për transportin e anijeve dhe që qëndronte i braktisur në portin e Vlorës ishte rrëmbyer nga civilët, të cilët e kishin vënë në gatishmëri dhe e kishin nxjerrë në det për t’u nisur drejt Italisë. Por në Mezokanal rimorkiatori kishte zënë në cektinë, duke ngecur pas cepit të ishullit. Ishin më tepër se 100 vetë, të cilët ndodheshin në gjendje të vështirë. Menjëherë urdhërova komandantin e Brigadës t’u dërgonte ushqime dhe ta shtynte mjetin për lundrim. Ata mesa duket nuk patën besim dhe jo vetëm që e kthyen mbrapsht makinën me ushqime, por dërguan edhe një peticion.Çfarë shkruanin në këtë peticion dhe përse kishin frikë?Më saktë ishte një copë letër e vogël, përmes së cilës kërkonin të liheshin të lirë. Si vepruat?E dërgova përsëri komandantin. Ata morën ushqimet dhe pasi u shtynë në det dolën në lundrim. Në mbrëmje kishin mbërritur në Itali. Më pas mora vesh edhe historinë e tyre. Rimorkiatori kishte vite që qëndronte jashtë funksionit në port. Ishin mbledhur specialistët më të mirë nga Fieri dhe Vlora, të cilët pasi kishin gjetur bateri e pajisje të tjera e kishin vënë në punë për ta përdorur si mjet lundrimi. (Vijon nesër)
Ngjarja Vdekja e Çausheskut nxiti antikomunizmin evropian
Gjendja e elektrizuar, që kishte nisur të ndjehej në Shqipëri në vitin 1990 ndoshta ishte përcjellë edhe nga zhvillimet e vendeve komuniste në rajon. Situata e krijuar në vitin 1989 në Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani si dhe rënia e murit të Berlinit kishin lënë të kuptohej, që blloku komunist nuk kishte më forcën e dikurshme dhe se diktaturave në lindje po u vinte fundi. Kur në maj të vitit 1989, presidenti rus, Mikhail Gorbaçov, takoi kancelarin e Gjermanisë perëndimore, Helmut Kohl, i bëri të ditur këtij të fundit se rusët nuk do të pengonin reformat demokratike në vendet e Traktatit të Varshavës. Ky premtim i dha fund doktrinës së Brezhnjevit. Forcat demokratike në traktatin e Varshavës nuk humbën kohë për të testuar vërtetësinë e fjalëve të Gorbaçovit. Duke ndjekur shembullin e Polonisë, Hungaria përcaktoi zgjedhjet për vitin 1990 dhe i hapi kufijtë e saj për qindra gjermano-lindorë, që kërkuan të kalonin në Perëndim në shtator të vitit 1989. Në 9 nëntor të këtij viti, rënia e murit të Berlinit do të shënonte edhe bashkimin e dy Gjermanive. Javë të tëra protestash në Pragë, në nëntor 1989, çuan në rënien e regjimit komunist në Çeki, i ndjekur nga Bullgaria po këtë muaj dhe Rumania në muajin dhjetor, ku diktatori Nikola Çaushesku dhe bashkëshortja e tij u ekzekutuan. Rënies së Traktatit të Varshavës i ishin dashur më pak se gjashtë muaj. Në vitin 1990, atëherë kur ekonomia sovjetike kishte nisur të binte me ritme të ndjeshme dhe reformat po fitonin territor gjithmonë e më të gjerë në Bashkimin Sovjetik, Boris Jelcin, një lider i reformuar i Partisë Komuniste në Moskë, u zgjodh president i Rusisë. Në prill 1991, Gorbaçovi kërkoi një takim të Presidentëve të Republikave Sovjetike për të hartuar një kushtetutë të re. Në këtë mënyrë ai shpresonte se do të arrinte të reduktonte reformat në vend, por përkundrazi, presidentët e disa republikave nuk u paraqitën në këtë takim, ndërkohë që të tjerë kërkuan pavarësinë. Në vend nisën fjalët se liderët e vjetër të ushtrisë po komplotonin në mënyrë që të ruanin linjën e vjetër komuniste. Në orët e para të 19 gushtit, tanket e Ushtrisë së Kuqe pushtuan Moskën dhe njerëzit u njoftuan që Gorbaçovi ishte i “sëmurë” dhe kishte kapitulluar. Menjëherë pas kësaj, televizionet në të gjithë botën do të shfaqnin drejtpërsëdrejti pamjet e Jelcinit mbi tank dhe mes protestuesve. Shtetet e Balltikut, Estonia, Letonia dhe Lituania deklaruan pavarësinë. Më 1 dhjetor Jelcin takoi presidentin ukrainas, Leonid Kravchuk, dhe presidentin bjellorus, Stanislav Shushkevich, për të firmosur një deklaratë të përbashkët pavarësie. Në Krishtlindjen e vitit 1991, duke u përballur me refuzimin e Jelcinit për të paguar detyrimet e qeverisë sovjetike, Gorbaçovi u shfaq në televizionin rus dhe deklaroi dorëheqjen. Pak orë më pas, flamurët sovjetikë mbi Kremlin do të zëvendësoheshin nga flamuri kombëtar rus dhe zyrtarët rusë do të vendoseshin në Kremlin. Me këtë veprim të thjeshtë, Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari. Ky akt shënoi edhe fundin e epokës komuniste në Evropë.
HistoriaLëvizja studentore e ’91 solli pluralizmin
Ngjarjet që po zhvilloheshin në Shqipëri në fillim të vitit 1991, shumë shpejt do të sillnin rrëzimin e regjimit komunist. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, bëri atë që pas 45 vjetësh Shqipëria monopartiake të kishte edhe një parti të dytë. Ndërkohë, reagimet dhe grevat e studentëve dalëngadalë nisën të gjenin mbështetje edhe në masa më të gjera. Por si rrodhën ditë pas dite momentet më të rëndësishme historike dhe kush ishin protagonistë të tyre? Më 5 shkurt 1991 në Institutin e Lartë Bujqësor një grup studentësh, të pakënaqur nga gjendja ekonomike filluan protestat, të cilat arritën deri në bojkotim të mësimit. Të nesërmen në mëngjes, në Qytetin Studenti në Tiranë u afishuan posterat e parë, ku kërkohej solidaritet me studentët e Kamzës. Protestat dhe tubimet po shtriheshin dalëngadalë në të gjitha fakultetet. Ndërkohë në një peticion të tyre drejtuesit e studentëve, kërkojnë veç të tjerave edhe largimin e drejtorit të TVSH-së, V. Kule si dhe ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reis Malile. Por si ishte e mundur që për herë të parë, studentët të kërkonin diçka që ndoshta paraardhësit e tyre as nuk kishin guxuar ta mendonin: Universiteti “Enver Hoxha” të mos mbante më këtë emër, por të quhej thjesht Universiteti i Tiranës, duke lënë të kuptohej qartë se ata kishin nisur një sfidë të hapur ndaj regjimit komunist në vend. Situata e krijuar po bëhej gjithmonë e më kritike, pasi lëvizjet studentore po shtriheshin dalëngadalë edhe në rrethe. Duke mos gjetur miratim të kërkesave të tyre drejtuar qeverisë, studentët e Tiranës vendosën të hyjnë në grevë urie më 18 shkurt. Vetëm dy ditë më pas, Shqipëria do të përjetonte një ngjarje të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme për të gjithë: rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.
neser do te lexoni
Përse shefi i Shtabit të Përgjithshëm i kërkoi ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, heqjen e bustit të Enver Hoxhës nga ambientet e Shkollës së Bashkuar dhe cilët qenë njerëzit që nuk e zbatuan këtë urdhër
Thirrjet e acaruara të njerëzve kur shihnin bustin të qëndronte ende në oborr. Ku e shkelën rregulloren ushtarakët e shkollës dhe përse shefi i Shtatmadhërisë kërkoi mbylljen e saj
Cilat ishin fjalët dhe porositë e Ramiz Alisë për drejtuesit e ushtrisë në ato ditë historike të ndërrimit të sistemit në Shqipëri
<< Home