e martë, janar 17, 2006

Alia para byroistëve të ‘91: Njerëzit me mllefe mund të hakmerren ndaj nesh




Alia para byroistëve të ‘91: Njerëzit me mllefe mund të hakmerren ndaj nesh
Në temën e hakmarrjeve ishte lajmi për përfshirje në politikë i kunatit të Theodhosit

Fatos Veliu
Në vazhdim të diskutimeve të byroistëve në janarin e vitit 1991, u hap çështja e partive të reja, që formoheshin çdo ditë, dhe pasojat që ata, si klasë politike e vjetër, mund të kishin nga e nesërmja parlamentare e këtyre partive.
Akoma më e rëndë bëhet situata në pjesën e dytë të mbledhjes së Byrosë Politike, të datës 10 janar, 1991. Ndërsa, mes byroistëve, të cilët i kishte thirrur një ditë më parë Ramiz Alia për ultimatumin e shtyrjes së zgjedhjeve që kishin marrë nga PD-ja, ishin diskutuar dhjetëra çështje dhe probleme, që mund t’u dilnin në dinamikën intensive të zhvillimit të ngjarjeve të atyre ditëve, papritmas u lindi edhe një temë tjetër e pamenduar më parë. Fjala ishte për zhvillimin e kongresit të Partisë, i cili do bënte një rinovim dhe rifreskim të plotë të saj nga qendra në bazë. Hekuran Isai e konsideroi, madje të gjithë atë që ishte bërë gjatë periudhës së mëparshme, si një mballomë në trupin e Partisë. Në këto çaste, ndërhyrja e Ramiz Alisë shokoi sallën, pasi ai deklaroi se tashmë nuk bëhej fjalë për një kongres të radhës së partisë, por për një kongres të jashtëzakonshëm të saj, gjë që kuptonte se ai si lider kryesor kishte mendimin e një revolucioni të plotë brenda partisë, duke shkaktuar në këtë mënyrë një rikuperim radikal të të gjitha strukturave të saj nga qendra në bazë. Ide dhe diskutime të reja, mbi të cilat u biseduagjerë, ishin edhe mundësitë se si ata do të hynin në zgjedhje përballë opozitës, e cila kishte vendosur të përballej me guxim, madje e barabartë me ata që kishin një parti 50- vjeçare. Në këtë lloj teme, Alia ndërhyn duke diskutuar mbi faktin që Partia e tyre ishte në pushtet dhe kishte në dorë që ligjin ta bënte në interesin e vet. Por, një moment akoma më delikat ishte ai kur u diskutua prania e partive të tjera në zgjedhjet pluraliste, siç ishte ajo Republikane. Në këtë rast byroistët shfaqën mendimin se do të ishte më mirë për ta, që të kishte parti të tjera për të coptuar elektoratin e Partisë Demokratike, e cila përbënte një rrezik serioz për ta. Gjithsesi nuk do të ishte shumë i diskutueshëm ai problem, sikur Alia të mos hidhte në tryezën e atij takimi edhe rrezikun, që atyre si persona mund t’u vinte nga njerëz me mllefe për shkak të persekutimeve që mund t’u kishin bërë, siç ishte rasti i kunatit të Koço Theodhosit. Gjithsesi, temat në vazhdim të atij dialogu ishin nga më të ndryshmet, të cilat lindnin rrjedhshëm gjatë vazhdimit të diskutimeve. Gjithçka që ka ndodhur, lexuesi i rubrikës sonë do të ndjekë në vazhdim të zbardhjes së procesverbalit origjinal të atij takimi të Byrosë Politike të mbajtur pikërisht në datat 9-10 janar, pas kërkesës ultimative të Partisë Demokratike të porsakrijuar për të shtyrë datën e zgjedhjeve të para pluraliste, të cilat ishin caktuar të mbaheshin një muaj më mbrapa, pikërisht në 10 shkurt 1991. Ai procesverbal i mundësuar në momentin e ndërrimit të pushteteve, nga një zyrtar i lartë i asaj kohe, vihet në dispozicion të publikut të gjerë për herë të parë, vetëm tashmë kur kanë kaluar plot 15 vjet nga ajo ngjarje.
SHOKU SPIRO DEDE:Kompetencën ( për të hequr deri dhe emërtimet nga Republikë Popullore socialiste, shënimi im F.V) e ka Kuvendi Popullor, jo ata.SHOKU RAMIZ ALIA: Të ngrejë masat në këmbë (Opozita) e t’i nxjerrë në rrugë. Pasi të bëhen zgjedhjet dhe fiton një pakicë, mund të kërkojnë të bëhen zgjedhje të reja. Ja në Bullgari, megjithëse opozita mori 40 për qind të votave, prapë nuk u kënaq, rrëzoi qeverinë, kërkoi dorëheqjen e presidentit etj.SHOKU ABDYL BACKA:Ata mund të nxjerrin arsye tjetër: opinioni i masës ndryshoi në raport me kohën kur u bënë zgjedhjet.SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj, thonë, duhet të bëjmë zgjedhje të reja.Në çdo vend të botës partia në fuqi e organizon ligjin dhe mënyrën e zgjedhjeve sipas interesave të veta, me qëllim që të sigurojë shumicën e votave, duke gjetur metoda të ndryshme: metodën e shumicës absolute, atë të shumicës relative, të shumicës midis partive, të shumicës sipas rajoneve etj. Nuk ka asnjë parti aq luajale sa thuhet. Ja, gjermanët, për shembull, përdorën një metodë të tillë që kandidati për deputet duhet të fitojë mbi 5 për qind të votave që të futet në Parlament.E kam fjalën që kur të mbarojnë zgjedhjet dhe të formohet Kuvendi i ri Popullor, në qoftë se një partie të caktuar i mbushet mendja se tani ka ajo shumicën në opinion, mund të organizojë një mijë e njëqind demonstrata dhe kërkon të përsëriten zgjedhjet, të ndryshojë qeveria, të krijohet një qeveri e unitetit kombëtar, të rrëzohet presidenti e të tjera.SHOKU XHELIL GJONI: Ata janë për shkatërrimin e pronës shoqërore dhe për privatizimin e saj, shitjen e mjeteve të prodhimit të pronarëve. Disa njerëz nuk e kuptojnë se kjo sjell diferencim, një pjesë do të ketë fitime, kurse disa do të mbeten rrugëve. Në këtë rast ne jemi të fuqishëm, se kemi pronën e përbashkët.SHOKU ABDYL BA-CKA: Në programin fillestar që shpërndanë e kishin dhe privatizimin e fshatit.SHOKU XHELIL GJONI: Përderisa janë të lidhur me jashtë këtu do të vijnë. SHOKU RAMIZ ALIA:Mos e harroni që ata vazhdojnë të jenë komision nismëtar. Pra, akoma nuk janë formuar komplet si parti, sepse kanë mendime të ndryshme. Por vija e përgjithshme e tyre është ajo antikomuniste. Këtë duhet ta kemi të qartë. Kurse republikanët, në qoftë se është Vangjushi brenda saj, nuk besoj të jenë me vijë antikomuniste, megjithëse ai mund të ketë mllefe, se i janë bërë edhe mjaft padrejtësi. Në fund të fundit, kunati i Koço Theodhosit ishte, as vëllai, as i biri, por ndaj tij është mbajtur një qëndrim tepër i egër. Njerëz si ky mllefe kundër nesh kanë me siguri, hakmarrës kundër nesh mund të bëhen.SHOKU ABDYL BACKA:Ka përgatitur një material prej 50 faqesh, ku del se është kundër ekonomisë së tregut. I ka llogaritur të tëra.SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po.SHOKU NIKO GJYZARI: Penën e ka pasur të fortë ai.SHOKU RAMIZ ALIA: Si nuk e ka pasur? Ai ka qenë nga ekonomistët më të zotë. Pra, antikomunist në kuptimin shpirtëror ai nuk është. Nuk na dyshim që në opozitë me ne do të jetë, se nuk mund të na i falë qëndrimin që është mbajtur ndaj tij. Mund të dalë me kritika, siç mund të bëjmë dhe ne kritika për ndonjë gabim që mund të kemi bërë. Ai, sigurisht, këtu do të thellohet më tej. Në fund të fundit, në këtë do ta konsistonte dhe opozita, po këta të Partisë Demokratike janë të tjerë.SHOKU SPIRO DEDE: Unë dhe mbrëmë dhe sot kam kontaktuar me të gjithë ata njerëz, janë djem shumë të mirë, që e duan Partinë, të cilët thonë se do të ishte një gjë shumë e mirë sikur të shtyheshin zgjedhjet. Ka disa arsye, thonë ata, e para, Partia Demokratike u krijuar pas daljes së ligjit të zgjedhjeve dhe s’ka kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, domethënë jepja këtë kohë, se ai s’ka për të fituar asgjë, dhe sqaro çfarë duhet bërë.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Këtë mos e thuaj që s’kanë për të fituar asgjë.SHOKU SPIRO DEDE: Po qe se ne, shoku Adil, kemi marrë fund, ata kanë për t’i fituar të tëra.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk është puna se kemi marrë fund, po ky është raport forcash.SHOKU SPIRO DEDE: Me përjashtim të atyre që kanë pasur pakënaqësi, apo ndonjë “i kapërcyer”, si mund të thuash, atyre nuk po u afrohet njeri. Intelektualët e vërtetë po qëndrojnë sa andej, sa këtej.Unë jam i mendimit që më ideale do të ishte sikur kjo parti të merrte pjesë në zgjedhje, dhe që unë të quaj jo si një shans të mbyllur, ata dhe mund të marrin pjesë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë.SHOKU RAMIZ ALIA:Deri më 25 janar kanë kohë.Unë për vete do të isha i mendimit, këtë ai kam thënë dhe Xhelilit, që për më shumë nga shokët komunistë të mos paraqiteshin kandidaturat. Pse? Eshtë çështje taktike. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Shumë e drejtë.SHOKU RAMIZ ALIA: Problemi këtu është që ne nuk duhet të shkojmë në një qendër votimi me katër kandidatë, se të shkosh me katër kandidatë do të thotë të mos zgjidhet asnjëri. Ne duhet të vemi me dy kandidatë. Po që të vemi me dy kandidatë, ditën e fundit, më 25 janar do e vendos unë këtë apo atë kandidaturë, sigurisht nga njerëz më të mirë, që mund të marrin shumicën e votave. Prandaj mua nuk më intereson shumë çështja që e paraqita para kohe a s’e paraqita.Argumenti i vetëm i tyre nuk është pse janë subjekte të pavarura elektorale dhe organizatat e masave, por se këto janë të Partisë së Punës. Po kjo është në favor të atyre, se kështu votat e një partie ndahen në 5 pjesë dhe i jep mundësinë subjektit të gjashtë të fitojë vota. Pra, nga pikëpamja e numërimit të votave s’kanë ç’të thonë.Problemi që duhet të na shqetësojë në këto momente është: a e kemi ne Partinë të përgatitur siç duhet? A është udhëheqja, që nga Komiteti Qendror i Partisë dhe Byroja Politike në krye të kësaj lufte?SHOKU HEKURAN ISAI:Në qoftë se shtyhen zgjedhjet, them që kongresin ta bëjmë para tyre.SHOKU SPIRO DEDE: Nuk mund ta bëjmë dot tani. Kongresi është një ngjarje e madhe. Edhe zgjedhjet janë gjithashtu një ngjarje shumë e madhe. Nuk mund të bëjmë ndryshime, reformim në Parti, në kuptimin e forcimit dhe gjallërimit të saj.SHOKU HEKURAN ISAI: Rinovim.SHOKU RAMIZ ALIA: Ato që kemi bërë ne deri tani janë mballoma, nuk janë rinovime.SHOKU XHELIL GJONI:Po nuk bëhet kongresi tani, shoku Hekuran.SHOKU HEKURAN ISAI: Me metodën e vjetër do të ecim?SHOKU RAMIZ ALIA: Veçse ka një gjë tani: kongresin e Partisë unë nuk e imagjinoj si kongres të zakonshëm.SHOKU XHELIL GJONI: Edhe unë prandaj them që nuk bëhet dot tani.SHOKU PALI MISKA: Rinovimi në Parti ka një rëndësi të jashtëzakonshme.SHOKU RAMIZ ALIA:Unë mendoj dhe një gjë tjetër: a jemi në gjendje aktualisht të organizojmë kongresin? Unë them jo, se duhet të kemi parasysh si duhet të jetë ky kongres partie, si duhet të rinovohet Partia nga pikëpamja ideologjike, organizative, politike, nga pikëpamja e përbërjes së saj, e pranimeve, etj.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne, po të bëjmë kongresin brenda gjashtëmujorit të parë, do të thotë se do t’i hyjmë kësaj pune.SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord, po a duhet t’i hyjmë kështu siç i kemi hyrë, me këto forma e me këto rrugë, apo forma të tjera?SHOKU ADIL ÇARÇANI: Do t’i hyjmë me forma që t’i përshtaten situatës dhe tërë zhvillimit të brendshëm e të jashtëm.SHOKU SPIRO DEDE: Ne duhet të shkojmë në zgjedhje me forca të përqendruara në këtë fushatë.SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Spiro thotë që t’i harxhojmë forcat për zgjedhjet.SHOKU SPIRO DEDE: Ne në fushatën e zgjedhjeve do të përpiqemi të gjallërojmë Partinë. Idetë për këtë i kemi në fjalën e shokut Ramiz.SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht për këtë them që s’jemi në gjendje ta realizojmë kongresin, se fjala e shokut Ramiz i ka ato ide, po asnjë njeri, asnjë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, asnjë anëtar i Byrosë Politike s’ka marrë mundësimin deri sot ta zbërthejë atë fjalë. Ky është realiteti. Mua më vijnë telegrame, ku thuhet që solidarizohemi me fjalën tuaj...

Deklaratat e ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai
Këta të Partisë Demokratike mund të mos jenë dakord të nënshkruajnë marrëveshje me subjektet elektorale, që përfaqësojnë organizatat e masave, por vetëm me partitë politike. Pra, del një pengesë.
Shtyrja e zgjedhjeve, them unë, do të ishte një kompromis.
Unë isha nga ata që mbështeta edhe shokun Pali, shokun Adil, edhe shokë të tjerë. Këtu ka dy probleme të mëdha: e para, ata të Partisë Demokratike do të kërkojnë me këmbëngulje që të shtyhen zgjedhjet, duke ngritur njerëzit në mënyrë masive. Do të bëjnë atë që diskutuam mbrëmë. E dyta, jemi të interesuar ne të dalim si monoparti në zgjedhje? Gjendja është mjaft e rëndë. Unë mendoj që situata në Valias do të jetë një flamur i ngritjes së gjithë klasës punëtore. Populli për studentët dhe për punëtorët ka sentimentalizëm.
Ka dy vjet që nuk punon më “Benzi”.
Për sa i përket policisë, mendoj se është periudha që ajo duhet të marrë në mbrojtje dhe duhen goditur shkelësit e ligjit me forcën më të madhe. Në rast se policia është urdhëruar që të kthejë fshatarësinë për të mos marrë pjesë në miting, për atë që ka urdhëruar duhet të merren masa. Përderisa e lejojmë ligjërisht që të bëhet mitingu, pse të kthehen fshatarët?
Ata po të duan të mbushin gjithë sheshin me njerëz ulur këmbëkryq.Ata (Përfaqësuesit e PD-së, në lidhje me pretendimet për deputetët e pavarur) nuk kanë të drejtë të thonë kështu, sepse individi paska të drejtë me 300 firma, të shpallet deputet i pavarur, kurse një organizëm nuk ka të drejtë të rekomandojë njerëzit e saj! Kjo nuk ka logjikë.
Ne nuk duhet të shkojmë në gjakderdhje. (Miratojnë dhe të tjerët)

neser do te lexoni
Dialogët, që çuan në sallën e Byrosë situatën e krijuar në Shqipëri me “hemorragjinë” e emigrimit që kishte filluar në masë. Rasti i prezantuar nga Ramiz Alia, i cili kishte mësuar se edhe nipi i berberit të tij personal ishte larguar jashtë shtetit
Ndërhyrja e irrituar e Ramiz Alisë në momentin që diskutohej problemi i privilegjeve të njerëzve me pushtet, të cilët, sipas tij, kishin çuar popullin në atë zemëratë që tashmë po shikonin. Cili ishte reagimi i byroistëve, kur ai u kërkoi listat e studentëve, që kishin dalë jashtë shtetit dhe shembujt konkretë që u prezantoi