e martë, prill 25, 2006

Si i dënoi Mehmet Shehu “Bitëllsat” e Pogradecit


Bardhyl Berberi

Kush është familja Darova!Janë pesë djemtë e intelektualit të shquar Nevsus Darova. Për gati 40 vjet në profesionin e nderuar të mësuesit që nga Gjirokastra në Korçë e Pogradec, ai mësoi dhe edukoi breza të tërë nxënësish, por mjerisht, për shkak të kalvarit të stërmundimshëm të familjes së tij, nuk gëzoi asnjë ditë pension… Shkak bëhet njëri djalë i tij, Dylberi, i cili që në moshën 15-vjeçare gjatë luftës inkuadrohet me rininë e Ballit Kombëtar. Edhe pse Muhameti, vëllai i madh i familjes Darova del partizan në Brigadën e 20-të Sulmuese dhe lufton me armë në dorë deri në çlirimin e vendit, kjo nuk luajti asnjë rol në evitimin e kalvarit të mundimshëm të burgjeve, internimeve e persekutimeve të familjes së artistëve. Dylberit 15-vjeçar, në vitin 1946 i bëhet një gjyq në kinema ”Morava” në Korçë, ku dënohet me 101 vjet burg. Në vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar, orkestra e Pogradecit, me 5 vëllezërit Dorava, bëhet me famë dhe e kërkuar në të gjithë vendin, bile dhe jashtë tij. Një koncert në Shkodër i pagëzon muzikantët Dorava si “Bitëllsat e Pogradecit”, ndërkohë që koncerte të shumta në Elbasan, Durrës, Tiranë etj., që ngrenë në këmbë rininë e vendit, u shton famën, por dhe përgatit një kalvar tjetër të rëndë për ta. Fama e një orkestre me emër në qytetin e Pogradecit, e njohur ndryshe në opinionin e gjerë si “Bitëllsat e Pogradecit”, e përbërë nga 5 vëllezërit Dorava dhe familjarë të tyre, jo vetëm që nuk do të “zbuste” njollën e persekutimit nga lidhja e djalit të vogël 15-vjeçar me Ballin Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore, por do të kujtonte udhëheqjen e kohës për të urdhëruar ndëshkimin e më tejshëm të tyre me dekada të tjera burgimi e internimi. Në një vizitë që bënë në qytetin buzë liqenit kryeministrat çek dhe bullgar, të mahnitur nga klasi i orkestrës “Dorava” në mjediset e turizmit të qytetit, në fund i drejtohen kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu: ”Në Shqipërinë e vogël gjetëm një orkestër të madhe. Ke një orkestër internacionale, koleg!”. ”Hë, ju jeni ata të Starovës?!”- u drejtohet me kërcënim muzikantëve Mehmet Shehu. Kaq u desh. Nis ferri për artistët Dorava. 15-vjecarin e dënuar me 101 vjet burg, Mehmeti ia ul në 25 vjetSapo kishte mbaruar lufta. Ishte viti 1946 e në kinemanë “Morava” të Korçës, në bankën e të akuzuarve, ngjitet një i ri 15-vjeçar. Është Dylber Dorava, më i vogli i Doravajve. Akuzohet se gjatë luftës është bashkuar me rininë e Ballit Kombëtar, në kampin kundërshtar të partizanëve. Dënohet me 101 vjet burg. Edhe pse Muhamet Dorava, vëllai i madh i të atit kishte qenë partizan në luftë, masa e dënimit për 15-vjeçarin qe e rëndë, ndërsa për familjen nisin internimet, vuajtjet e më pas edhe burgime. I rikthyer këto ditë në Pogradec pas 37 vjetësh, Muhamet Dorava, mbi të 80-at, rikujton ata ditë të vështira të 6 dekadave më parë. Kishte vetëm pak kohë që Dylberi ishte dërguar në burgun famëkeq, kur në këtë kamp shkon për vizitë Mehmet Shehu. Mes të dënuarve, Shehut i bie në sy një djalë i vogël, trupimët dhe e pyet: “Po ti, mor djalë, sa vjet je dënuar?”“101 vjet “- i përgjigjet Dylberi Mehmet Shehut. “Pse kaq shumë?”- pyet kryeministri. “E dinë ata që më kanë dënuar!”- i kthen përgjigje 15-vjeçari, duke e parë drejt në sy Mehmet Shehun. Mehmet Shehu urdhëron ulje të dënimit për 15-vjeçarin; nga 101 vjet, në 25 vjet burg. Sapo mbaron 10 vjet burg, e lirojnë dhe Dylberi, në vitin 1956, vjen në Pogradec. Vjen në Pogradec pranë familjes. Martohet dhe lind tre fëmijë, ndërkohë që për shkak të biografisë, caktohet të punojë në Hotolisht të Librazhdit në një lokal buzë rrugës si bufetier. Dylberi bën një lutje të vijë në Pogradec të kujdeset për fëmijët se i kishte të vegjël. E sjellin në Pogradec. Por përkohësisht...Dënimi tjetër me 20 vjet burg për agjitacion e propagandëIshin vitet ’70, në kulmin e miqësisë me Kinën. Dylberi gjen në tavolinën e tij në bibliotekë, ku shkonte shpesh, disa revista kineze. ”Këto revista kineze m’i hiq se nuk i shoh dot me sy”, - i thotë ai punonjësit të bibliotekës. Aty e dëgjon rastësisht një mësues matematike që kishte qenë edhe bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe e spiunon. Dylberi rivihet përsëri në pranga dhe rinis jetën e qelisë. Del përsëri para trupit E dënojnë edhe me 10 vjet të tjera burgim. Këtë radhë dënimi është për agjitacion dhe propagandë kundër vijës së partisë e pushtetit popullor. Këtë radhë, “selia” e vuajtjes së dënimit për muzikantin Dorava nuk është burgu i Burrelit, por ai i Spaçit të Mirditës. E bën kohën e burgimit ditë më ditë në këtë ferr. Ditën që do të dilte nga burgu i Spaçit, sapo e përcjellin shokët e tek ndahet me ta, në afërsi të daljes së korridorit të qelive, pa prangat në duar, i afrohet një gardian dhe i thotë: ”Të kërkojnë pak në zyrën e drejtorit të burgut për të firmosur diçka!”. Përballet me një të papritur të dhimbshme. Sapo futet në zyrën e drejtorit, pa se, përveç titullarit, aty ishin dhe dy policë që kishin pranga të gatshme në duar. Teksa dy policët i rivënë përsëri prangat në duar Dylber Doravës, drejtori, i ngritur në këmbë, i thotë: “Do të bësh edhe 10 vjet të tjera dënim se ke bërë agjitacion dhe propagandë në burg!”. Këtë radhë dënimi ishte pa gjyq. Kështu Dylberi kreu në këtë burg edhe 10 vjet të tjera dënim, duke mbushur plot 30 vjet burg. Teksa tregon për “Shekullin”, këtë moment të rëndë për vëllanë e familjen e tyre, i moshuari Muhamet Dorava, risjell bisedën e çastit që pati me të vëllanë për këtë moment. “E pyeta vëllanë si e përballove shtesën tjetër prej 10 vjetësh burg kur ishe përgatitur për të dalë nga ai ferr”, -pohon Muhameti. Ndërsa fjalët e të vëllait ishin: ”Nuk më bëri përshtypje, isha i përgatitur për gjithçka prej tyre, ndonëse nuk e prisja që në momentin e kalimit të pragut të ferrit të Spaçit të më rivinin prangat e sapohequra e të më dënonin edhe me 10 vjet të tjera burgim!”Por për muzikantin që u fut në burg në moshën 15 vjeç e doli andej i thinjur pas 30 vjetësh, në moshën 45 vjeç, edhe vitet e mëvonshme, përfshirë ato të fillimit të demokracisë në vend, nuk qenë të mbara. Atë, siç tregon mes lotëve Muhameti, e ndoqi fati tragjik. Dylberi, me vizë në xhep për të shkuar tek tre fëmijët e tij në Kanada së bashku me bashkëshorten, vdes papritur, duke iu shuar jeta pa parë asnjë ditë të bardhë…Rikthimi i përmallshëm pas 37 vjetëshSapo makina del sipër, në Qafën e Thanës e shfaqet pamja e kaltër liqenit si në një ekran filmi, Muhameti zhytet i tëri në një meditim të thellë me syrin pranë xhamit të makinës. “Kam mall e brengë për qytetin tim të lindjes, vij këtu pas 37 vjetësh”, -pohon ai. Sapo mbërrin në qendër të qytetit drejtohet me një hap të shpejtë drejt Turizmit të vjetër, vështron lulishten, te vendi ku ishte dikur podiumi i orkestrës me famë në vitet 50 - 60, orkestër që tronditi jo vetëm Pogradecin, por të gjithë Shqipërinë. Me syrin e malluar ai vështron vendin ku ka qenë salla e vjetër e shfaqeve, por ajo mungon, është prishur. Qyteti në këto 37 vjet që ai ka munguar ka ndryshuar shumë gjithçka dhe si në një retrospektivë i vijnë para syve të gjitha. Muhamet Darova është vëllai i madh i pesë vëllezërve Darova. Edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe ka vite që nuk duket në skenë dhe as në ekran, imazhi i tij na vjen në kujtesë si një formë dashurie për mjeshtrin e madh të fizarmonikës që ngriti atë orkestër të madhe. Dikur Pogradeci mburrej me liqenin me koranin e famshëm, por edhe me orkestrën e madhe të vëllezërve Darova që i kaloi kufijtë e Shqipërisë. ”Jeta jonë është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje, internime e ndëshkime, por muzikën nuk e vunë në pranga, ajo na lidh e na mban të pandarë me njerëzit, qytetin”, -vazhdon tregimin i moshuari Dorava. (Vijon nesër)

e hënë, prill 24, 2006

Tragjeditë mister që morën jetën pilotëve tanë në Rusi e Slloveni


24 prilli,55 vjetori i krijimit të Aviacionit shqiptar


Kujtim Boriçi

Sot, më 24 prill, në ditën e 55-vjetorit të krijimit të aviacionit shqiptar, eshtrat e tre pilotëve shqiptarë të rënë në krye të detyrës, dy në Rusi dhe një në Slloveni, edhe pse kanë kaluar rreth 5 dekada, ende vazhdojnë të prehen në dhe të huaj. Kolegë, familjarë e të afërm, sot në këtë ditë të shënuar, nuk kanë një vend ku të vendosin, së paku, buqeta me lule në shenjë nderimi e respekti. “Deri vonë ende nuk diheshin se ku preheshin eshtrat e pilotëve shqiptarë, por falë kujtesës së vonë të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, kolegëve, bashkëpunimit me shoqatat e homologët rusë e kroatë, u arrit të gjenden eshtrat e tre pilotëve tanë, por ende nuk po mundësohet sjellja e tyre për prehje të përjetshme në atdhe”, -pohon Agustin Gjinaj, ish-ushtarak, gazetar e historian i aviacionit shqiptar. Kur mëson faktin se vetëm mungesa e një kostoje financiare rreth 4 mijë euro pengon sjelljen e eshtrave në Shqipëri, ndjen keqardhje e dhimbje për këtë harresë të pafalshme. Ibush Vokshi, piloti i parë i rënë në krye të detyrës Ibush Vokshi, kosovari me banim në Qerret të Durrësit, siç pohon për gazetën Agustin Gjinaj, është piloti i parë, pilot i yni, që është vrarë në dhe të huaj, e njëkohësisht i pari dëshmor i armës së aviacionit shqiptar. Që në fëmijëri, Ibushi me trup të bëshëm, i ardhur nga Kosova familjarisht në Qerret të Durrësit, do të niste rrugën e arsimimit e të dijes, por aty në Normalen e Elbasanit ku u shkollua, do t’i lindte një dëshirë e zjarrtë të bëhej pilot e të fluturonte mbi hapësirat e vendit të tij të shtrenjtë. Ishte një dëshirë që nisi të realizohej, por pikërisht në ditën e fundit të diplomimit e fluturimit në ajër, i ndërpriten në mes. Së bashku me jetën e tij të njomë. Por para se të merrte rrugën e shkollimit për pilot në Slloveni të ish-Jugosllavisë, në vitin 1942, Ibushi rreshtohet me armë në dorë në formacionet partizane, ku kontribuon në këtë luftë deri në çlirimin e vendit. Drejtues të aviacionit të sotshëm të Shqipërisë pohojnë se ato vite ndër të gjithë studentët për pilotë në Lubjanë të Sllovenisë, Ibushi ishte mes më të mirëve. Vitet e shkollimit ikin shpejt, e në ditën e fundit, ditën e fluturimit për provimin përfundimtar të diplomimit, ndodh tragjedia. Ishte vera e vitit 1947. “Aeroplani atë mesditë pësoi një defekt të rëndë, ku si pasojë e kësaj katastrofe humbi jetën Ibush Vokshi, piloti dëshmor i aviacionit shqiptar”, -pohon Gjinaj. Me gjithë interesimin në Ministrinë e Mbrojtjes, te drejtuesit e aviacionit, në stendat e muzeve, ende nuk jepet apo nuk mësohet një informacion i saktë edhe pas 59 vjetësh, nga vrasja e pilotit Ibush Vokshi. Në periferi të Lubjanës u bë dhe varrimi i trupit të pilotit shqiptar, por ende eshtrat e tij ndodhen në tokë të huaj, ende nuk po sillen në atdhe. Për më tepër, siç mësojmë për “Shekullin”, edhe pse Ibushi ka rënë në krye të detyrës, katër vjet para se të caktohej data zyrtare e krijimit të aviacionit, është i pari pilot shqiptar që humb jetën në detyrë, ai nuk rezulton të jetë shpallur Dëshmor i Atdheut. 1951. Katastrofa ajrore i merr jetën Qemal Mërtirit12 tetori i vitit 1951, siç kujtojnë kolegët, tashmë të moshuar pas 55 vjetësh nga ngjarja tragjike, shënon humbjen në një aksident ajror në Novosimbirsk të ish-Bashkimit Sovjetik të pilotit Qemal Mërtiri, djaloshit 22-vjeçar nga Tragjasi i Vlorës. Ajo ditë, kujtojnë shokët e tij, ishte një ditë e dhimbshme jo vetëm për studentët shqiptarë atje, për familjarët e tij, miq e të afërm, por edhe për kolegë të vendeve të tjera e drejtues të shkollës ruse të Aviacionit, mes të cilëve Qemali kishte bërë vend me përgatitjen e gjithanshme, korrektesën e aftësitë tepër evidente në fluturimet e zhvilluara, një pjesë e të cilave të një shkalle tepër të vështirë. Kështu që -shtojnë kolegë të tij- varrimi i trupit të të ndjerit në periferi të qytetit rus u shoqërua me një kortezh të rrallë si dhe me pjesëmarrje të qindra ushtarakëve e eprorëve që e përcollën Qemalin me ceremoni ushtarake për në banesën e fundit. Qemali, i lindur në vitin 1929 në Vlorë, në moshë fare të re rrëmben pushkën dhe rreshtohet përkrah partizanëve në luftën për liri. Menjëherë pas çlirimit, në mars të vitit 1945, ai fillon studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skenderbej” në Tiranë, të cilën e përfundon me sukses. Në mars të vitit 1948, shteti shqiptar i plotëson një dëshirë të zjarrtë, duke e nisur në ish-Bashkimin Sovjetik, në shkollën e Aviacionit në periferi të Novosimbirskut. Qemali, siç kujtojnë bashkëstudentët për pilotë në këtë qytet, ishte dhe komandant i atij grupi. Ishte 12 tetori i vitit 1951. “Avioni i tij kaloi në një pozicion të vështirë, ra në turjelë apo shtopër, një figurë në fluturim, ku avioni bëhet i pakomandueshëm dhe pësoi katastrofë ajrore në periferi të Novosimbirskut. Po në këtë qytet, edhe u varros me nderime të mëdha”, -pohon për gazetën Agustin Gjinaj. E që nga ajo ditë, eshtrat e tij, të gjetura pak muaj më parë, vazhdojnë të jenë në periferi të qytetit të largët rus.Misteri i vrasjes së pilotit Islam Myrteza XhaniEdhe eshtrat e Islam Xhanit, 48 vjet pas tragjedisë, vazhdojnë të prehen në vend të huaj, pikërisht në qytetin Borisogblegskur. Ai është i treti pilot shqiptar, eshtrat e të cilit gjenden ende jashtë vendit. I lindur më 20 qershor të vitit 1939 në fshatin Kajcë të rrethit të Përmetit, IslamXhani, pas Luftës së Dytë Botërore, filloi studimet në shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake të kryeqytetit shqiptar. Më pas, siç konfirmojnë kolegët, Xhani zgjidhet ndër skënderbegasit që do të niseshin për studime jashtë vendit për shkollimin e aftësimin e mëtejshëm për pilot. Studimet ai i filloi në shkollën e Aviacionit “Shkallov”. Ai vdiq pa pritur më 18 korrik të vitit 1958, ditë në të cilën shkolla e aviacionit zhvilloi një shëtitje me të gjithë studentët në lumin Verona. ”Është varrosur pas dy ditësh, më 16 korrik 1958 në varrezat e qytetit të Borisogblegskut të qarkut Voronjezhit. Rrethanat e vdekjes së tij, ende mbeten misterioze”, -pohon Gjinaj. Mossjellja e eshtrave, peng i politikës dhe paraveFtohja e marrëdhënieve mes vendit tonë e ish-Bashkimit Sovjetik deri në prishje të tyre, bën që harresa e parë e pajustifikueshme e shtetit komunist, të pasohet nga pamundësia praktike për sjelljen në Shqipëri të eshtrave të tre pilotëve tanë të vrarë jashtë kufijve. Kështu, deri në vitin 1990, kohë në të cilën ndodhën ndryshimet politike në Shqipëri, e vendi çau muret e izolimit të gjatë me botën. Por fatkeqësisht, edhe gjata këtyre viteve, për shumë kohë, sjellja e eshtrave të pilotëve u la në harresë. Vetëm këto vitet e fundit-shton për gazetën Agustin Gjini, - ka pasur një interesim të vazhdueshëm për këtë problem nga autoritetet zyrtare shqiptare, nga Komanda e Forcave Ajrore e struktura të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes u kërkua një sensibilizim më i madh e zgjidhje në rrugë institucionale të eshtrave të pilotëve të vrarë jashtë vendit dhe varrimin e tyre në atdhe”, -shton Gjinaj. Por për shkak të kohëzgjatjes, transformimeve strukturore të periferike në qytetet ruse (ngritja e një faltoreje në vend të varrezave në Voronjezhit, ndërtimit të objekteve, u paraqit jo pak vështirësi në gjetjen e varreve të pilotëve shqiptarë të vrarë, me gjithë interesimin palës ruse. Nga Rusia e largët, pas interesimit zyrtar shqiptar dhe mbështetjen e Ambasadës Ruse në Tiranë dhe shoqatës “Përmendoret ushtarake”, nga larg erdhi përgjigjja e shumëpritur “Eshtrat e Qemal Mertirit dhe Islam Myrteza Xhanit janë gjetur!”. Pra, tashmë, pas më shumë se 5 dekadash, është hapur drita jeshile që eshtrat e tre pilotëve të sillen e të prehen përjetësisht në vendlindjen e tyre. Por, siç mësohet nga ish-kolegë të pilotëve e të interesuar të tjerë, pengesë për këtë hap të shumëpritur bëhet kostoja financiare, rreth 4 mijë euro për secilin. E këtë dorë parash, as shteti nuk e ka dhënë. Së paku, deri tani. Sot, më 24 prill, familjarë e kolegë të tre pilotëve të vrarë jashtë Shqipërisë i pritën të ishin sjellë. Shpresuan, por shpresa mbeti e parealizuar, ashtu si për më shumë se 5 dekada. 37 dëshmorët e aviacionit shqiptar-Vasil Nikollë Trasha -Hektor Eftim Lako-Sokrat Gori Basha-Niko Selman Hoxha-Stilian Vani Tanku-Jovan Kacorri-Muharrem Murat Hida-Refit Asllan Jazo-Kaso Salo Petoshati-Shyqyri Aziz Balla-Hazbi Ramadan Serani-Islam Mani-Bego Isa Hoxha-Dhimitër Spiri Robo-Veiz Halil Kovaçi-Sefedin Hasan Tomçini-Vasil Thoma Noni-Shpëtim Selman Sula-Armando Liman Gjoka-Sabri Shefki Toçi-Luto Refat Sadikaj-Ndue Mëhill Logu-Haki Abaz Skuqi-Jorgji Fane-Agron Hasan Galanxhi-Enver Osman Haka-Pandeli Jorgo Zhupa-Tafil Njazi Agai-Vangjel Vangjel Postoli-Veledin Delo Resuli-Eduard Qiriako Kostëdhima-Fluturim Qani Molla-Idriz Ibrahim Hoxha-Jani Tarifa-Ibush Vokshi, vrarë në Rusi-Qemal Mërtiri, vrarë në Rusi-Ibush Vokshi, vrarë në SlloveniAviacioni fut Shqipërinë në librin GinnesVendi ynë është futur në librin Ginnes falë aviacionit, vetëm për faktin se në vitet ’20 të shekullit të kaluar,edhe pse pa asnjë kilometër rrugë hekurudhore,pa asnjë lloj industrie të zhvilluar,me bujqësi të prapambetur etj..,vendosi përdorimin e transportit ajror në shërbim të popullsisë.Në nëntor 1924 , qeveria shqiptare nënshkruan një marrëveshje konçesionare me shoqërinë gjermane “Lufthansa”.Kështu nisën fluturimet me destinacion Shkodrën e Vlorën me dy avionë “Albatros”.Data dhe fakte nga historia e Aviacionit Shqiptar-Në vitin 1925, nisin fluturimet e para me avionë civilë në teritorin e Shqipërisë.-Në prill të vitit 1928 u përurua linja e parë ajrore ndërkombëtare Brindizi-Vlorë-Brindizi.-Në gusht të vitit 1938 filloi linja Tiranë-Podgoricë-Beograd-Podgoricë.-Në maj të vitit 1940 nisi linja Milano-Ankona-Bari-Tiranë-Bari.-24 prilli i vitit 1951,dita kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të shtetit Shqiptar,të montuar e përgatitur nga specialistët e vendit tonë, shënon datën zyrtare të krijimit të Aviacionit Shqiptar.Shepard,kozmonauti shqiptar që shkoi në hënëShqiptaro-amerikani Alan Shepard, është astronauti shqiptar i cili në përbërje të ekipit amerikan, me anijen kozmike Apollo-14 ka shkelur në sipërfaqen e hënës duke qëndruar atje nga 30 janari deri më 9 shkurt 1971. Në arkivin e Muzeut Historik Kombëtar të vendit tonë ndodhet një foto e anijes kozmike Apollo-14 në sipërfaqen e hënës, ku mes kozmonautëve të tjerë është dhe shqiptaro-amerikani Shepard.Kjo foto, e nënshkruar nga vetë kozmonauti shqiptar,me shkrim dore e me një bojë të zezë, dhënë një diplomatit tonë në Sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.Shepard u lind në East Dery më 18 nëntor 1923 në një familje emigrantësh shqiptar.Kreu shkolla të njohura të pilotimit, shkeli me anijen kozmike në hënë më 1971 dhe është graduar Admiral nga shteti Amerikan.Ndërroi jetë më 21 korrik 1998.Piloti Gregori,astronauti tjetër i hapësirës.William Gregory,është astronauti tjetër shqiptar me famë që udhëtoi në hapësirë.Në ajnar 1990 ai u zgjodh nga NASA dhe fluturoi në hapësirë me Shuttle-67 nga 2 marsi 1995 kur u nis nga Qendra e Hapësirës Kenedi deri më 18 mars 1995 kur u ul në tokë. Gregory,piloti shqiptaro-amerikan i hapësirave lindi më 14 maj 1957 në Lock-Port të Nju Jorkut dhe është me origjinë nga fshati Dardhë i Korçës.Njëkohësisht, shqiptaro-amerikani Gregory,duke fluturuar me më shumë se 40 lloje avionësh e rreth 5000 orë në ajër, shënon një rekord më vehte.

e diel, prill 23, 2006

Ditët e fundit të misionin shqiptar në luftën e Vietnamit

Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Në këtë numër, nëpërmjet kujtimeve dhe shënimeve të kohës të Ramiz Fiçorit, një nga 12 ushtarakët shqiptarë, që më 1966 ishin pjesëmarrës në luftën vietnamezo-amerikane, sillen për lexuesin detaje të përfundimit të misionit të tyre në frontin e luftës, vështirësitë e udhëtimit, qëndrimi dhe befasitë në Kinë ku sapo kishte nisur Revolucioni Kulturor, deri tek arritja në Tiranë. 12 oficerët shqiptarë, 4 muaj në luftën e Vietnamit(Vijon nga numri i kaluar)Ditë-netët e ankthit dhe të papriturat e një lufte të vështirë, po shkonin drejt fundit të tyre, kur 12 ushtarakëve të misionit shqiptar në luftën vietnamezo-amerikane, u komunikohet urdhri se do të bëheshin gati që të niseshin për në atdhe. Kishin parë nga afër e ishin njohur me beteja të shumta, bombardime të vazhdueshme të aeroplanëve luftarakë amerikanë, kishin parë gatishmërinë deri në vetëmohim të një populli për mbrojtjen e vendit, e gjithashtu kishin parë masakra e viktima të panumërta në të dy kampet e përfshira në këtë luftë. “Por, sigurisht, gjatë qëndrimit tonë katërmujor në Vietnam, ne kishim përfituar teorikisht e praktikisht disa taktika të luftimit, kryesisht të metodave partizane, kishim mbajtur shënime e ishim aftësuar që me kthimin në Shqipëri, disa nga këto forma, në përputhje me situata të veçanta që planëzoheshin për stërvitjen e mbrojtjen tonë, t’i aplikonim”,-pohon Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë, në përbërje të misionit që mori pjesë në luftën e Vietnamit. NisjaMbrëmja e datës 4 tetor 1966, sipas Ramiz Fiçorit, shënoi dhe nisjen e misionit shqiptar nga fronti i luftës në Vietnam, për në Shqipëri. “Ishte planifikuar më parë, që itinerari i kthimit do të ishte andej nga erdhëm, por për shkak se sapo kishte filluar bombardimi i Hanoit, qyteti ishte i përpirë nga flakët, ekzistonte frika që mund të bombardohej dhe treni i linjës dhe rrezikohej jeta jonë”,- shkruan në shënimet e tij ish-oficeri shqiptar i misionit, Fiçori. Pas disa orëve të vështira udhëtimi nëpër territoret vietnameze në luftë, shton më tej ai, në orën 24.00 të natës, misioni shqiptar i shoqëruar nga ushtarakë vietnamezë, qëndron në stacionin kufitar të Dang Dangut, ku dhe do të bëhej ndërrimi i trenave. Po për shkak të situatës së luftës, vështirësisë së lëvizjes së trenave, për 12 oficerët shqiptarë u desh një ndalesë e detyruar në këtë stacion. Por, nuk ishte një pushim i zakonshëm siç ndodh nëpër stacionet ndërkombëtarë të trenave, por një situatë luftarake me qëndrim nëpër pozicione të fortifikuara. “Gjatë atyre orëve të qëndrimit në stacionin ndërkombëtar të Dang Dangut, ne qëndruam në një transhe me mur tullash, të mbuluar, derisa na lajmëruan se treni kinez me të cilin do të vazhdonim udhëtimin, ishte gati”,- tregon Ramiz Fiçori, xhenieri shqiptar në luftën e Vietnamit. Ndarja me vietnamezëtNjë mikpritje e përzemërt katërmujore në situata lufte, mirënjohja për mbështetjen shqiptare në këtë luftë, kishte bërë që miqësia mes ushtarakëve shqiptarë dhe vietnamezë, të forcohej. Kështu që dhe momentet e ndarjes, siç kujtojnë ushtarakët shqiptarë, ishin prekëse dhe emocionuese. Në momentet e ndarjes, sipas shënimeve të Fiçorit, ushtaraku përgjegjës vietnamez, i përlotur u është drejtuar shqiptarëve: “Lum si ju që po largoheni! Ne do u kujtojmë gjithmonë me dashuri e respekt, ne ngelemi përsëri në luftë, ndërsa ju po shkoni drejt paqes!”. Sapo u futëm në tokën kineze, ato orë të para të mëngjesit, ne u ndjemë si në derën e shtëpisë tonë. Tani kishim shpëtuar nga tmerret e luftës, nga alarmet e frikshme të natës, nga pusetat, helmetat, bretkosat e gjarpërinjtë”,-shkruan në shënimet e tij, Fiçori. “Klimë” tjetër në Kinë, për ushtarakët shqiptarëFiçori tregon, se me hipjen në trenin kinez e zbardhjen e agimit, ata panë e kuptuan se në territorin e Kinës ishte një “klimë” tjetër, jo si ajo që kishin lënë para katër muajve. U thanë e mësuam ato ditë të qëndrimit atje, se në Kinë kishte filluar revolucioni i Madh Kulturor, që sipas Mao Ce Dunit, do të vazhdonte në gjithë botën(!). Si u shmang një incident, mes ushtarakëve shqiptarë e gardistëve kinezë Gjatë afro tre ditëve të rrugëtimit me tren nëpër territorin kinez, si dhe gjatë pushimeve të detyruara nëpër stacionet e shumta, sipas Fiçorit, ushtarakët shqiptarë janë befasuar nga turma të shumta të të rinjve, gardistëve dhe ushtarakëve të rregullt, të cilët kishin stolisur gjokset me stema të kryetarit Mao, e nuk pushonin me thirrjet ”Mao zhu bi, sesja, sesja!”. Ishte “elektrizimi” i Revolucionit Kulturor, që sapo kishte nisur dhe do të përfshinte gjithë territorin kinez. Por në një moment, me dëshirën e një përshëndetje nga ushtarakët shqiptarë me një grup të madh gardistesh, afrimi i një reviste shqiptare “Ylli”, ku në kopertinën e saj kishte një foto të Mehmet Shehut e Lin Shao Ci-së, desh u kthye në incident. “Morëm vesh, se Lin Shao Ci në Kinë ishte cilësuar tradhtar, e ky ishte në qendër të goditjes së Revolucionit Kulturor, si armik”,- kujton Fiçori. Në stacionin e Pekinit dhe qëndrimi i gjatë në KinëNë stacionin e Pekinit, kujton Fiçori, ushtarakët shqiptar pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, i pritën ushtarakët e lartë kinezë, si dhe drejtues të ambasadës shqiptare atje. Ishin po të njëjtët persona që i kishin shoqëruar katër muaj më parë, gjatë udhëtimit për në frontin e luftës në Vietnam. “Në momentin e takimit, andej nga fundi, mua m’u drejtua përgjegjësi ushtarak kinez, duke më thënë “Balshoi, Balshoi!”, duke më vendosur gjithashtu dhe një distinktiv të madh të Maos në gjoks”,- kujton Fiçori. Ushtaraku i lartë kinez, të nesërmen u ka treguar shqiptarëve se gjatë kohës që ata ishin në luftën e Vietnamit, ai kishte qenë për një vizitë shtetërore në Shqipëri, e kishte mbetur i kënaqur, krahas të tjerave dhe nga vizita në Voskopojë, ku kishte parë të piqej qengj në hell e të shijonte atë. Pas disa ditësh qëndrimi në Kinë, tashmë jo si luftëtarë, por si mysafirë, 12 ushtarakët shqiptarë udhëtojnë drejt atdheut, të pajisur me “leksionet” e luftës vietnameze, të cilët më pas, do t’i materializonin në njësitë e repartet e ushtrisë shqiptare.(Fund)

e shtunë, prill 22, 2006

Fiçori:“Si ndërtonin vietnamezët natën, atë që lufta shkatërronte ditën!”

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet rrëfimeve të Ramiz Fiçorit, një prej 12 oficerëve shqiptarë pjesëmarrës në vitin 1966 në luftën e Vietnamit, sillen për lexuesit detaje të përballjes së vështirë mes kundërshtarëve në “Sezonin e thatë 1966”, eksperienca e përfituar atje, si dhe njohja me praktikën e vietnameze të ndërtimit gjatë natës të gjithçkaje që shkatërronte lufta ditën.Nesër do të lexoni:-Ditët e fundit të misionit shqiptar në luftën e Vietnamit.-Ndarja nga vietnamezët dhe vështirësitë e udhëtimit nëpër vendin e përfshirë nga lufta e ashpër.-Si u shmang incidenti me gardistët kinezë nga foto e Mehmet Shehut me Lin Shao Ci,ku i fundit i sapo shpallur armik në Kinë.(Vijon nga numri i kaluar)Si pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, 12 ushtarakët e misionit shqiptar, sipas Ramiz Fiçorit, gjatë muajve të qëndrimit të misionit atje panë nga afër dhe mësuan shumë të panjohura të një përballjeje ushtarake krejt të veçantë, që nga taktikat e luftimit e deri te rikuperimi i pasojave që sjell lufta në vazhdimësinë e saj. “Na bëri përshtypje, krahas të tjerave, harmonizimi i masave nga drejtuesit ushtarakë vietnamezë e forcat vullnetare, për rindërtimin, brenda natës, atë që bombardimet dhe sulmet e amerikanëve shkatërronin ditën”, -tregon ushtaraku shqiptar Ramiz Fiçori. Si përjetuan luftën ushtarakët shqiptarë në “sezonin e thatë 1966”Sipas Fiçorik, sezoni i thatë në Azinë Juglindore fillon aty nga muaji nëntor deri në fund të marsit të vitit pasardhës, por stina e thatë e vitit 1966, kohë në të cilën 12 ushtarakët shqiptarë ishin pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, mbahet mend si ndër më të thatat, më të gjatat në kohë, e mbi të gjitha, si një stinë me një luftë të ashpër mes palëve e me humbje të konsiderueshme nga të dy anët. Pothuaj në të gjithë territorin e Vietnamit, çdo ditë, harta e betejave ishte e mbushur me sulme e kundërsulme, goditje të përqendruara të aviacionit amerikan, luftë guerilje, si dhe me bastisje masive të vendbanimeve, kryesisht fshatrave. Me aq sa mund të konstatonim në betejat që zhvilloheshin në Hanoi e për rreth tij, e veçanërisht nëpërmjet informacionit që na jepnin ushtarakët vietnamezë pranë nesh, kujtojnë ushtarakët e misionit shqiptar, atë sezon të thatë të vitit 1966, numri i bombardimeve, betejave të zhvilluara, ishte në pikun më të lartë të kurbës së kësaj lufte disavjeçare. “Përveç detyrave të tjera, njohjes me këtë realitet e përvetësimit të eksperiencave të kësaj lufte, gjenim kohë e shënonim në blloqet tona elementë të kësaj përballjeje, bilance luftimesh të veçanta, taktika e strategji që ndiqeshin nga palët, emra vendesh e njerëzish protagonistë në këtë luftë”, - shkruan në kujtimet e tij Ramiz Fiçori, i vetmi oficer xhenier në misionin shqiptar në luftën e Vietnamit. Ata muaj të prezencës sonë në këtë luftë që përkojnë edhe me “sezonin e thatë 1966”, shton më tej Fiçori, amerikanët filluan një ofensivë të gjerë në të tërë Vietnamin, në të gjitha frontet, nga toka, ajri, deti, me bazë ushtrinë kukull vietnameze, por duke rritur ndjeshëm edhe repartet amerikane, ato speciale, aviacionin dhe forcat tokësore. Sipas shënimeve të kohës, sjellë për gazetën nga ish-ushtaraku Fiçori, disa nga bilancet e luftës në “stinën e thatë 1966” janë: Rreth 20 operacione luftarake masive në muaj, kundërshtari (ushtria kukull e amerikanët) në rreth 5 muaj patën 43 mijë të vrarë, rreth 1 440 aeroplanë të shkatërruar, 13 190 makina të blinduara (tanke, transportues të blinduar) të shkatërruar, bastisje të 11 fshatrave me 110 mijë banorë etj. Por të konsiderueshme, sipas statistikave, ishin edhe humbjet e forcave vendëse, që ndonëse ishin në mbrojtje, me aleatë strehimet, mbështeteshin në metoda të luftës guerile e partizane, ishin shumë inferiorë në armatim e teknikë luftarake. Si ndërtohej natën ajo që lufta shkatërronte ditënPërtej bilancit të luftës në përballjen e vendësve me amerikanët e ushtrinë kukull, sipas Fiçorit, për të, si specialist xhenier, një eksperiencë e vlefshme ishte organizimi i vietnamezëve për ndërtimin e mjeteve rrethanore për dëmtim fizik e terror ndaj kundërshtarëve. Kjo, sipas tij, bëhej pothuaj vazhdimisht natën, ku të gjitha objektet e dëmtuara nga aviacioni armik, gjatë sulmeve ajrore ditën, rindërtoheshin natën. “Deri në mesin e vitit 1966, urën e njohur në Ta Boi, aviacioni amerikan e bombardoi 20 herë, por dëmet e shkaktuara ditën riparoheshin natën, e kjo urë asnjëherë nuk u bë pengesë për manovra luftarake të ushtrisë vendëse e reparteve vullnetare në kryerjen e detyrave”, -pohon Fiçori. Vietnamezët, siç pamë e mësuam në këtë luftë, kishin reparte speciale xheniere për ndërtimin e urave, maskimin e tyre me rrjeta për të mos u vrojtuar nga ajri, por na bëri përshtypje se në rajone të ndryshme të territorit në luftë, këtë profesion e kishin marrë përsipër dhe e kryenin me sukses repartet vullnetare të grave. Ndërsa aplikimi i urave lëvizëse, që viheshin në lëvizje me gomat e prapme të makinave (që rrotullonin një helikë), gjë që ishte rezultative, e panjohur për ne si metodë, jo vetëm u vinte në ndihmë manovrave luftarake të vendësve, por parcelizonte në shumë raste dhe forcat kundërshtare, të cilat i çonte drejt një neutralizimi më të shpejtë. “Këta elementë të luftimit, veçanërisht ndërtimit të urave, pritave e maskimeve të objekteve, kalimit të lumenjve, të cilat i shikonim, i skiconim, ne i aplikuam dhe në raportet tona ushtarake pas ardhjen në Shqipëri nga lufta e Vietnamit”, -tregon Fiçori.(Vijon)

e premte, prill 21, 2006

Fiçori; si u bëmë ne ushtarakët shqiptarë pjesë e luftës në Vietnam



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Në këtë numër, ish-ushtaraku xhenier Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë pjesëmarrës në vitin 1966 në luftën e Vietnamit, tregon për lexuesin fragmente nga kjo luftë e përgjakur mes vendësve dhe amerikanëve, pjesëmarrjes masive të popullsisë në luftën partizane si dhe përdorimin e mjeteve rrethanore, insekteve dhe kafshëve për terror psikologjik e dëmtime fizike ndaj kundërshtarëve.

Në vazhdim do të lexoni:-Misioni shqiptar në “sezonin e thatë” 1966 të luftës vietnamezo-amerikane-Një ditë nga më të përgjakëshme e luftës së gjatë në Vietnam-Si u njohën ushtarakët shqiptar me eksperiencën vietnameze “Ndërto natën atë që lufta shkatërroi ditën!”Kishin kaluar rreth gjashtë javë të qëndrimit të 12 oficerëve shqiptarë në frontin e luftës vietnamezo-amerikane, e tashmë ata jo vetëm u ambientuan me këtë luftë të ashpër, me rrezikun e përhershëm për jetën e tyre, por po njiheshin me metoda e forma të veçanta luftimi të panjohura më parë për ta. “Na bënte përshtypje ato ditë një mobilizim total i popullsisë në mbështetje të frontit e pjesëmarrjen direkte në luftën guerilje, pamë e mësuam me dhjetëra raste të vetësakrifikimit të grave vietnameze për idealin e lirisë, deri dhe gra shtatzëna që ishin në ballë të qëndresë në këtë luftë”, -shkruan në kujtimet e tij Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë që për 4 muaj ishin pjesëmarrës në këtë luftë. Ditari i oficerit amerikan të zënë robZënia rob e ushtarakëve amerikanë dhe aleatëve të tyre nga njësitet luftarake vendëse, -tregon Fiçori, -ishte një gjë e zakonshme edhe gjatë kohës që ne oficerët shqiptarë ishim në luftën e Vietnamit. Por në shumë raste, shton më tej ai, falë gropave të maskuara, pritave me mjete rrethanore, rënia në grackë e kundërshtarëve u bë një mënyrë masive luftimi dhe për njësitet vullnetare vietnameze. Në një nga këta metoda partizane luftimi, në fillim të muajit gusht 1966, ra në duar të vendësve dhe një oficer amerikan. Në xhepin e tij, sipas Fiçorit, u gjet edhe një ditar, ku në të, mes të tjerave, ai shkruante: ”Ne bëjmë një luftë kundër një armiku që nuk e njohim, që nuk e shohim, që nuk e dimë ku ndodhet, kur do të na sulmojë. Ne kuptojmë vetëm kur shoku ynë që ecën me kujdes përpara nesh, njëherësh bie në grackë, futen në gropë ku i ngulen në mish copëra bambuje të mprehta si thika. Sa tmerr! Ai ulërin e kërkon shpëtim, po çfarë t’i bëjmë ne. Kur ne fillojmë t’i heqim kunjat nga mishi, shpesh na fluturojnë anash e mbi kokë plumbat e vietnamezëve që fatmirësisht ende nuk na kanë vrarë. Bëjmë t’i kapim, por ata na sulmojnë. Sot zhvilluam një luftim dhe shpëtuam, nesër s’dihet se si do të vejë puna!” Luftëtari që mori pjesë në 600 sulme ajroreIshulli i Vogël Hon Ko në provincën Bin Lin në brigjet e Vietnamit të Veriut, me një sipërfaqe 4 mijë kilometra katrorë, si një pikë strategjike, -kujton ushtaraku shqiptar Fiçorri, -ashtu si qindra objekte të tjera gjatë viteve të luftës, ishte një nga objektivat e goditura shpesh nga aviacioni amerikan. “Siç mësuam ato ditë të luftës, që nga viti 1964 e deri në korrik të vitit 1966 kur ne ishim në këtë front, ishte bombarduar pasivisht mbi 600 herë”, -nënvizon në shënimet e tij Fiçorri. Por banorët e tij, vazhdon më tej ai, jo vetëm që nuk e kanë braktisur, por kanë qëndruar heroikisht duke u përshtatur me ditë-netët e luftës, kanë marrë masa për kundërpërgjigje me zjarr të kundërajrorëve. Ndonëse kostoja ka qenë jo e vogël, banorët e ishullit janë të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e tij. Ushtaraku Fiçori tregon se vrojtuesi vietnamez Von Ton Ha, ka marrë pjesë në të gjitha këto luftime, duke qenë vigjilent e i gatshëm për zjarr me topin e tij kundërajror 37 milimetra në kullën e tij të vrojtimit... Për ushtarakët shqiptarë, rezistenca masive popullore e luftëtarëve vietnamezë, veçanërisht lufta guerile partizane, krejt e veçantë edhe në përsosmëri organizimi nga dita në ditë, po vështirësonte goditjen e aviacionit ushtarak amerikan dhe operacionet tokësore të reparteve amerikane, ndonëse kishin një teknikë të sofistikuar bashkëkohore, epërsi në forca e mbi të gjitha kontingjente të afta specialistësh e drejtuesish në të gjitha llojet e luftimit. Netët e luftës për ushtarakët shqiptarëAkademia e luftës e Vietnamit në Hanoi, ku ishin akomoduar 12 ushtarakët shqiptarë e ku kalonin përgjithësisht orët e natës, -kujtojnë oficerët e misionit, -ndonëse nën ruajtje dhe përkujdesje të forcave ushtarake, ashtu si të gjitha godinat dhe territoret e tjera të banuara, ishte objekt i sulmeve të aviacionit amerikan. Në këto kushte, vazhdon të tregoj Fiçori, shpesh ne ishim të detyruar që të linim pushimin në mes e të futeshim në vendstrehimet (gropat) individuale për të ruajtur kokën. Por detyra e dhënë në Shqipëri nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, për përvetësimin e eksperiencës së kësaj lufte bënte që ushtarakët të impenjoheshin maksimalisht për të përvetësuar praktikisht dhe teorikisht këto veçori lufte, që përgjithësisht ishin të reja për ta. “Unë gjeja kohën që leksionet e luftës së ditës, beteja, rrëfime, njerëz protagonistë e ngjarje, t’i hidhja imtësisht në bllokun e shënimeve”., -tregon Fiçori. Ndërkohë, edhe pse në një vend të largët, pa komunikim me të afërmit e Shqipërinë, ata gjenin kohë që edhe të argëtoheshin; aq sa mund të argëtohesh në luftë. Ndërsa ambientimi me pirjen e ujit të nxehtë, përdorimin herë-herë të orizit të veçantë në vend të bukës, u bë një domosdoshmëri. Ndërsa dy oficerët shqiptarë, K. Lumani e Z. Zyka, ngushëlloheshin me shishet e konjakut që i mbanim mbi komedina.

e martë, prill 18, 2006

Fiçori,Si njohëm fshatrat “strategjikë” amerikanë

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet shënimeve dhe bisedës me Ramiz Fiçorin, një nga 12 oficerët shqiptarë në luftën e Vietnamit, sillen momente të një prej periudhave të vështira të kësaj përballjeje të përgjakur, ku strategjisë së pushtuesve amerikanë për grumbullimin e popullsisë në “Fshatra strategjikë”, duke i veçuar nga njësitë e armatosura të ushtrisë, vendësit i kundërpërgjigjen me krijimin e “fshatrave luftarakë”.Nesër do të lexoni:-Befasia e 12 ushtarakëve shqiptar për mobilizimin dhe pjesëmarrjen e vietnamezëve në luftë kundër agresorëve amerikanë e aleatëve të tij.-C’ishin “Brigadat e rinisë” dhe misioni i tyre në luftën vietnamezo-amerikane.-Përgatitja nga vietnamezët e insekteve dhe kafshëve për luftën ndaj armiqve,eksperiencë e pa njohur për 12 oficerët shqiptar në këtë luftë.Vendin e francezëve që u larguan në mars të vitit 1956 nga Vietnami i Jugut menjëherë e zunë amerikanët. Fillimisht ndërhyrja amerikane në këtë vend të Indokinës së largët ishte me ndihma ekonomike për popullsinë e sapodalë nga lufta, por këto ndihma, me sjelljen nga Amerika të Din Ovenit dhe organizimin e ushtrisë vendëse, do të ishin pararoja e një lufte të gjatë e të vështirë për vite me radhë. Bekimi nga amerikanët i Din Ouenit si president, ndihma për qeverinë kukull që do të merrte pushtetin, çoi në përgatitjen e terrenit që në këtë luftë të impenjoheshin seriozisht me forca e mjete të shumta edhe amerikanët. ”Ushtria e Vietnamit të Jugut në 127 batalione gjithsej, solli kontrollin e plotë pothuaj në të gjithë territorin, me përjashtim të një pjese të vogël në kufi me Kamboxhian në deltën e lumit Mekong, ku fshiheshin disa njësite partizane, me të cilat mbahej lidhje nga Kamboxhia”, -tregon Ramiz Fiçori, një nga 12 ushtarakët e misionit shqiptar pjesëmarrës në luftën në Vietnam. Në këtë luftë të vështirë, për ne ushtarakët që kishin vajtur nga Shqipëria për eksperiencë, -tregon Ramiz Fiçori -ishin me interes taktikat dhe mënyrat që përdornin të dy palët për të arritur suksesin në fushën e luftimit. Sipas tij, të panjohura ishin edhe mënyrat e krijimit të fshatrave strategjikë nga amerikanët dhe fshatrave luftarakë nga vietnamezët mbrojtës. Fronti amerikano-aleat në luftën e VietnamitNë qershor të vitit 1966, një ndër periudhat më të vështira të luftës vietnamezo-amerikane, kohë në të cilën në frontin e luftës ishin për eksperiencë edhe 12 ushtarakë nga Shqipëria, amerikanët kishin në Vietnam 273 mijë forca, ushtria kukull (vendëse) 520 mijë, forca satelite 30 mijë, pra fronti përbëhej nga 820 mijë forca, të organizuar në 223 batalione. Kishin gjithashtu 2 883 aeroplanë (reaktivë, helikopterë, transporti, aeroplanë specialë zbulimi), 1 741 tanke e automjete të blinduara, 3 200 gryka zjarri (artileri, mortaja) etj.Lufta në Vietnam -shkruan në shënimet e tij oficeri shqiptar Fiçori, pjesëmarrës në këtë luftë, ishte një përballje krejt e veçantë, për nga raporti i forcave mes kundërshtarëve, metodat mbrojtëse të vendësve, pjesëmarrja popullore në luftë e deri te kohëzgjatja e saj. “Lufta në Vietnamin e Jugut ishte një luftë pa front, ushtria mbrojtëse i dilte përballë armikut atje ku ai nuk e priste, herë në mal, herë në fushë, gjë e cila e vinte në vështirësi ushtrinë amerikane, e cila, e favorizuar në epërsi forcash aktive në teknologjinë e sofistikuar të bombardimit nga ajri, kërkonte një përballje me front të rregullt”, -shton Ramiz Fiçori. Si ndërtuan amerikanët “fshatrat strategjikë”Për ushtarakët shqiptarë, pjesëmarrës në luftën në Vietnam, misioni zyrtar i të cilëve ishte marrje e eksperiencës, përballja mes dy kundërshtarëve të kësaj lufte sillte eksperienca të reja në planet taktike të përballjes. Sipas Fiçorit, një taktikë që mendohej rezultative dhe u aplikua gjerësisht nga amerikanët, ishte krijimi i “fshatrave strategjikë”, ose siç i thërrisnin shpesh, fshatra të jetës së re. Ndërtimi i këtyre fshatrave mbështetej në eksperiencën e dhënë në një libër të shkruar në vitin 1959 nga gjenerali amerikan në rezervë Maksyell Teilor (Maxvel Teilor, i cili sillte një strategji të re të grumbullimit të popullsisë së një vendi në luftë në vendbanime masive. “Siç pamë dhe mësuam nga vendësit, ekspert i krijimit të këtyre fshatrave strategjikë në Vietnam ishte një Tompson Maloi, i cili nisi krijimin e fshatrave të para, duke ndarë e veçuar popullsinë nga partizanët, duke krijuar mundësi për veçimin e asgjësimin e shpejtë të këtyre të fundit”, -pohon Fiçori. Sipas planit që amerikanët kishin në këtë luftë, shton më tej Fiçori, ata synonin që me këtë mënyrë të grumbullonin 2/3 e popullsisë së Vietnamit të jugut. Investimi fillestar i tyre për këtë qëllim ishte 73 milionë dollarë. Në këtë luftë, ushtarakët shqiptarë mësuan se ndërtimi i fshatrave strategjikë nga amerikanët u bë në tri etapa; në të parën që përfshinte ndërtimin e tyre në zonat e bardha (d.m.th. të pushtuara nga amerikanët), në zonën e gjelbër (ku vepronin dy palët) dhe në zonën kuqe (ku nuk ishte pushtuar ende). Në provincën Bin Din, amerikanë në rreth një vit (viti 1962) përfunduan ndërtimin e fshatrave e në operacionet ndëshkimore u vranë 5 600 fshatarë. ”Mësuam se banorë në këta fshatra grumbulloheshin më forcë, fshati izolohej për të mos u futur njeri pa lejë apo të largoheshin banorët , përreth kishte fortifikata e qendra zjarri, kishte vetëm një hyrje të kontrolluar me roje e mbahej nën kontroll të plotë”, -shkruan në kujtimet e tij Fiçori. Sipas statistikave, nga viti 1961 deri në vitin 1963, amerikanët ngritën në Vietnam 5 413 fshatra nga 16 mijë që kishin në plan. “Fshatrat luftarakë”, përgjigjja e vietnamezëvePërballë strategjisë amerikane me krijimin “fshatrave strategjikë”, vietnamezët përgjigjen gjatë ashpërsimit të luftës me krijimin “fshatrave luftarakë”. Duke u mbështetur në pjesëmarrjen masive popullore në krah të forcave të armatosura, përballë grupimeve të detyruara të banorëve nga amerikanë, vazhdon të tregoj Fiçori, vietnamezët ngritën fshatrat luftarakë. “Në thelb, krijimi i fshatrave luftarakë ishte kundërvënie e strategjisë së amerikanëve, ndërkohë që vietnamezët synonin që çdo fshat të tyre ta bënin të tillë, pra të pajisur me fortifikime, lidhje me transhe të lagjeve, shtëpive të fshatit e mes fshatrave, krijimin e vendstrehimeve për ruajtje nga bombardimet, përgatitja në perfeksion në përdorimin e armëve e deri në përballje në front me ushtrinë agresive”, -shkruan në shënimet e tij Fiçori, një prej 12 ushtarakëve shqiptarë pjesëmarrës në luftën amerikano-vietnameze. Sipas ushtarakëve shqiptarë në këtë mision, në këto organizime masive, pjesëmarrja aktive e popullit dhe rinisë në mbrojtje dhe furnizimin e frontit ishin ndër shkaqet kryesore të zgjatjes së luftës dhe përcaktimin e fatit të saj.