Ish-shefi i Shtatmadhorisë së ’90 tregon historinë e rrallë
Ish-shefi i Shtatmadhorisë së ’90 tregon historinë e rrallë
“Ata që u futën në ambasadat e ‘90 kujtuan se do t’i pushkatonim”
Në çastin që po i dërgonim në tragete menduan se ishin për në Malin me Gropa
Manjola Bregasi
Ajo që po ndodhte në Tiranë më 2 korrik të vitit 1990 ishte diçka e paimagjinueshme për të gjithë shqiptarët. Ata që jetuan, por edhe ata që ndoqën nga ekrani i televizionit shpërthimin me forcë të ambasadave të huaja, e kanë të pamundur të fshijnë nga kujtesa pamjet e rralla të një ngjarjeje të pakonceptueshme për realitetin e atëhershëm.
Grupe të tëra njerëzish, të përfshirë nga një eufori e jashtëzakonshme, ishin drejtuar për në ambasadat e vendeve perëndimore. I gjithë kryeqyteti ndodhej nën një kaos të tmerrshëm dhe ajo që po ndodhte ishte e pazakontë. Edhe pse nuk e dinin se ku do të përfundonin, shqiptarët po kapërcenin muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim. Rroba që vareshin dhe griseshin mbi kangjellat e ambasadave, njerëz që ndihmonin njëri-tjetrin për të kapërcyer matanë, nëna që me lot në sy lusnin fëmijët të ktheheshin pas, gra që përpiqeshin të bashkoheshin me bashkëshortët në anën tjetër të murit dhe fëmijë që dukej sikur fluturonin mbi hekura. Ishin këto pamjet e gjalla që përjetoi kryeqyteti shqiptar më 2 korrik të vitit 1990 dhe që televizioni i transmetoi atë ditë në të gjithë vendin. Një panoramë rrënqethëse dhe imazhe të pazakonta për shoqërinë tonë, që për më tepër se 45 vjet kishte qenë e izoluar në këtë drejtim. Historia e atij që më pas mori emrin “eksodi i ambasadave”, nisi pikërisht në ambasadën gjermane, kur një grup njerëzish me një makinë të madhe goditën murin rrethues të ndërtesës dhe pasi e rrëzuan depërtuan në territorin e brendshëm të saj. Lajmi që hyrja në ambasadë ishte e lirë u përhap shumë shpejt nëpër rrugët e Tiranës dhe kjo mjaftoi që njerëzit, sidomos të rinjtë, të drejtoheshin atje. Pas ambasadës gjermane, histori të ngjashme pati edhe në ambasadën italiane, greke dhe franceze. Ishin rreth 2700 persona, burra, gra dhe fëmijë, që pas hyrjes së dhunshme në ambasada, për më tepër se 2 javë jetuan në oborret e tyre. Ndërkohë selitë diplomatike në Shqipëri ishin të mbyllura dhe nuk kryenin asnjë funksion. E gjithë vëmendja e shoqërisë dhe e shtetit shqiptar të asaj kohe ishte përqendruar në këtë problem. Ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por në radhë të parë për krerët e qeverisë, të cilët nuhatën se situata po u rrëshkiste nga duart. Shpërthimi i ambasadave bëri që Evropa dhe gjithë organizatat ndërkombëtare të kthenin sytë nga Shqipëria, duke dërguar në vend përfaqësues të ndryshëm. Në këto kushte drejtuesit e vendit dhe Këshilli i Mbrojtjes i drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ramiz Alia, vendosën që për zgjidhjen e situatës dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend të përfshihej edhe ushtria. Halim Habazaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm,(1990-1991) dhe protagonist i disa çasteve vendimtare në ato vite, tregon për herë të parë në gazetën “Panorama” misionin që i ngarkoi ministri i Brendshëm, Kiço Mustaqi. Si vendosi qeveria për fatin e njerëzve që hynë në ambasada dhe cili ishte qëndrimi që mbajtën përfaqësuesit e OKB-së për emigrantët? Përse qarkullonin fjalë që këta persona do të vriteshin në Malin me Gropa? Cila ishte arsyeja që i trembi njerëzit në momentin që autokolona u ndal në Shijak? Incidenti me tragetin e jugosllavëve që kishte ardhur për të marrë emigrantët, të cilët do të udhëtonin drejt Marsejës.Zoti Habazaj, në korrikun e vitit 1990 kur në Shqipëri ndodhi fenomeni i paimagjinueshëm, ku njerëzit shpërthyen ambasadat dhe depërtuan brenda tyre keni qenë në piramidën e ushtrisë së atëhershme popullore si ndihmës i parë i shefit të Shtamadhorisë dhe më pas si shef i saj. Do të ishte me interes për publikun e gjerë të dinte nga ju se si kanë vijuar ato ngjarje të befasishme dhe të çuditshme për kohën dhe cila ka qenë veprimtaria juaj në misionin që iu ngarkua ushtrisë?Atëherë unë isha asistent i shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant i Frontit Bregdetar. Çështja e njerëzve që kishin hyrë në ambasada ishte kthyer në problem serioz dhe në zgjidhjen e tij u kërkua ndihmë edhe nga ushtria. Nga ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Kiço Mustaqi, i cili kishte biseduar me Ramiz Alinë u ngarkova të merresha me evakuimin e personave që kishin hyrë në ambasada. Këtë detyrë ai ma ngarkoi gojarisht pa hartuar ndonjë, dokument zyrtar dhe urdhra të tillë ne i merrnim shpesh.Si ishte klima në Tiranë dhe si u zgjidh çështja e këtyre personave?Ishin bërë më tepër se dy javë që nga koha kur shumë qytetarë shqiptarë, të cilët kishin hyrë me forcë në ambasadat perëndimore në Tiranë, vazhdonin të qëndronin në oborret e tyre në një gjendje tepër të rëndë. Ushqimet i merrnin nga familjarët jashtë kangjellave dhe nevojat fiziologjike i kryenin ku të mundnin. Ishte krijuar një situatë që ç’të të them. E gjithë Tirana ishte e përfshirë në një kaos. Ambasadat ishin mbyllur dhe nuk funksiononin. Vëmendja e gjithë shtetit shqiptar ishte përqendruar në atë çka po ndodhte brenda dhe jashtë mureve të ambasadave të huaja. Ndërkohë mes njerëzve qarkullonin fjalë nga më të ndryshmet në lidhje me fatin e njerëzve që kishin hyrë në ambasada. Fjalët mbërrinin edhe në veshët tanë. Thuhej se të gjithë do të burgoseshin e madje që do të çoheshin në Malin me Gropa dhe do të digjeshin. Por me sa duket qeveria e asaj kohe arriti të sigurojë marrëveshjet për sistemin dhe dërgimin e të gjithë këtyre njerëzve në vendet e perëndimit. Rrugët që u gjetën për zgjidhjen e këtij problemi unë nuk i di, sepse kanë qenë në kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ushtria u angazhua vetëm për evakuimin e tyre nga ambasadat në Portin e Durrësit. Siç ju thashë, unë u ngarkova për drejtimin e këtij operacioni. Çfarë masash morët për zbatimin e detyrës që ju ngarkuan?Pasi mora detyrën, hartova një plan për përmbushjen e saj. Situata nuk ishte aspak e qetë dhe duhej pasur kujdes në çdo veprim. Në këtë kohë, në Shqipëri erdhën dy përfaqësues të Kombeve të Bashkuara për emigrantët, të cilët do të vëzhgonin situatën dhe do të ndihmonin në zgjidhjen e problemit. Emrat nuk ua mbaj mend, por di që njëri prej tyre ishte holandez dhe tjetri danez. Më thanë se duhej të takohesha me ta. Ministri i Jashtëm, Reis Malile, më njoftoi me telefon se takimi me përfaqësuesit e OKB-së do të bëhej në Ministrinë e Jashtme. U takuam në ministri, ata të dy, unë dhe një përkthyes. Pasi biseduam në lidhje me problemin e krijuar, u thashë, se, sipas planit që kisha hartuar, mendoja që evakuimi të niste rreth orës 21:00 të mbrëmjes, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit. “Eshtë e pamundur të arrihet kjo”, më tha danezi, duke pasur parasysh që evakuimi nga Tirana dhe zbarkimi në Portin e Durrësit kërkonte kohë. Sa ishte numri i personave që kishin hyrë në ambasada dhe si ishte menduar të zgjidhej problemi i tyre? Në të gjitha ambasadat llogariteshin rreth 2700 qytetarë. Fluksi më i madh ishte tek ambasada gjermane, ajo italiane dhe më pak tek grekja dhe francezja. Nuk di të them shumë për sistemimin e tyre në shtetet e ndryshme, sepse kjo ishte diskutuar nga autoritet tona dhe ato të vendeve përkatëse dhe se detyra ime ishte evakuimi nga ambasada në porte. Pavarësisht hezitimit të përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, i cili gjithashtu na shoqëroi, operacioni nisi në orën 21:00. Nuk e mbaj mend datën e saktë. Me 50 autobusë, që u vunë në autokolonë morën emigrantët në të gjitha ambasadat. Në dorë kisha listat me emrat e të gjithë personave dhe ngjitja në autobusë u bë sipas emrave dhe destinacioneve për ku do të niseshin. Ndërkohë ishte biseduar me drejtorin e Portit të Durrësit dhe rruga do të ishte e lirë në pritje të trageteve, që do të vinin posaçërisht për të marrë njerëzit. Unë isha përpara me makinë. Duke ditur oraret e trageteve që ishin ca më vonë, në Shijak mendova të bënim një ndalesë për t’u çlodhur, por edhe për të qenë në port sa më afër orës së trageteve, në mënyrë që edhe njerëzit të mos prisnin kot.Por, sapo ndaloi makina e parë dhe pas saj e gjithë autokolona, nga autobusët nisën fjalët dhe të thirrurat. Ishte ajo që ju thashë më lart. Njerëzit u trembën dhe menduan se do t’i vrisnim. Këto fjalë më erdhën edhe mua, ndaj menjëherë vendosa të niseshim përsëri. Rruga kaloi e qetë. Shkuam në port, që ishte i gjithi i rrethuar me ushtarë. Aty njerëzit nisën të qetësoheshin se kuptuan që vërtet po dërgoheshin jashtë Shqipërisë. Autobusët e parë u futën brenda, ndërkohë që vargu i autokolonës vazhdonte deri tek ura e Dajlanit. Pritëm pak sa mbërriti trageti i parë, kur nisi të bëhet edhe zbarkimi i njerëzve nga autobusi. Edhe sot kur i kujtoj ato çaste ndjehem i emocionuar. Ishte vërtet diçka e pazakontë. Ata që iknin nxirrnin nga xhepat lekët e gjithë ç’kishin dhe ua jepnin shoferëve. Të tjerë uleshin dhe puthnin tokën. Dukej se nuk po e besonin që po largoheshin. Pas largimit të tragetit të parë, që mori një pjesë të njerëzve, pritëm të dytin e kështu me radhë, për t’i zbarkuar të gjithë. Autobusët ishin rreshtuar sipas destinacioneve. Pasi përfundoi zbarkimi i tyre që ishin për Itali, filluan ata të Gjermanisë, Greqisë dhe Francës. Kjo vendosje na e bëri edhe më të lehtë punën. Në orën katër të mëngjesit kishte përfunduar gjithçka. I gjithë ky proces përfundoi pa incidente?Mund të them që patëm një incident të vogël, por që gjithsesi kaloi qetësisht. Ishte trageti malazez, por me ekuipazh jugosllav që krijoi problemin. Ky traget do të merrte njerëzit që ishin për Marsejë. Sapo u fut në port, trageti ngriti flamurin dhe i gjithë ekuipazhi doli mbi kuvertë duke thirrur dhe bërtitur. E kam para sysh fytyrën e nervozuar të përfaqësuesit evropian, i cili reagoi në moment dhe urdhëroi që ekuipazhi të futej menjëherë brenda. Pas kësaj gjithçka kaloi qetësisht. “Nesër nuk do të flitet për këtë çështje”, më tha përfaqësuesi i OKB-së, kur u kthyem në Tiranë në mëngjes herët. Duke parë mënyrën e organizmit të punës, pasi mbaruam misionin, edhe pse nuk e dinte profesionin tim ai më tha: “ti duhet të jesh ushtarak”. Nuk i dhashë përgjigje. Ai madje më ftoi që të shkoja të punoja me të, por unë iu përgjigja se atë punë e dinte qeveria ime. Atë ditë bisedova në telefon me Ramiz Alinë, që më falënderoi dhe kishte mbetur i kënaqur nga puna që bëmë. Më vonë mora vesh që përfaqësuesi danez në OKB kishte folur shumë pozitivisht për mua tek Ramiz Alia dhe ndoshta kjo ndikoi që pak kohë më pas mua të më emëronin shef të Shtabit të Përgjithshëm...(Vijon nesër)
JetshkrimiHabazaj, njeriu që përcolli shqiptarët e ambasadave
Kolonel Halim Habazaj, u lind më 24 dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Pasi përfundoi mësimet e para në vend, shkoi në Tiranë ku kreu shkollën ushtarake “Skënderbej”, për të vazhduar më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Akademinë Ushtarake dhe kursin e lartë të Filozofisë. Gjatë karrierës ushtarake ka kryer detyra të ndryshme si komandat toge, komandat kompanie dhe batalioni. Ka qenë edhe shef Shtabi i brigadës dhe komandant brigade. Më pas, Habazaj ka pasur edhe detyra të tjera si oficer drejtimi, shef i degës së Planifikimit Luftarak dhe zv/drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes, komisar dhe komandant i Akademisë Ushtarake. Në vitin 1990 Halim Habazaj emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pasi kishte kryer më parë detyrën e ndihmës/shefit të Shtabit dhe komandantit të Frontit Bregdetar. Në këtë pozicion do të qëndronte deri në vitin 1991, kur me vendim qeverie mori detyrën e komandantit të Akademisë.
Vizita e Perez de Kuelarit tronditi komunizmin shqiptar
Askush nga shqiptarët e atyre ditëve nuk e harron atë moment sa të çuditshëm, aq edhe të papritur. Ajo që nuk ishte menduar jo për një kohë të shkurtër, por për 50 vjet me radhë, ndodhi në mes të kryeqytetit shqiptar, që për rreth 5 dekada ishte drejtuar me dorë të hekurt nga komunisti fanatik, Enver Hoxha. Pikërisht përpara monumentit të tij, që uzurponte sheshin kryesor të Tiranës, një turmë prej qindra e qindra njerëzish po duartrokiste politikanin e famshëm të botës Perez de Kuelar gjatë një vizite kortezie në Muzeun Historik Kombëtarë. Ishte një moment që shokoi shqiptarët në të gjithë shtrirjen gjeografike të shtetit, të cilët e ndiqnin drejtpërsëdrejti nga ekrani. Perez de Kuelarinë atë periudhë kryente detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të organizatës më të fuqishme të botës, siç ishin Kombet e Bashkuara. Pikërisht për këtë fakt opinioni i gjerë mbeti i befasuar, pasi ishte mesazhi më i saktë që tregonte absolutisht se në Shqipëri diçka po lëvizte. Kur dalja e politikanit Perez de Kuelar nga salla e Muzeut shkaktoi stuhinë e duartrokitjeve, shumë prej njerëzve e kuptuan saktë se pushteti komunist kishte pësuar çarjen e madhe. Dhe ashtu po ndodhte në të vërtetë. Gjithçka e tregoi së fundmi situata e krijuar në muret e ambasadave, kur vetëm pak muaj më pas, njerëzit u dyndën mbi to për të përfunduar në perëndim për në shtete të tjera, mjafton që të mos ishin komuniste.
neser do te lexoni
Cila ishte gjendja e ushtrisë shqiptare në muajt e parë të vitit 1991 dhe përse forcat e saj u përfshinë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë? Çfarë masash mori qeveria për të mbajtur nën kontroll situatën, në një kohë kur në radhët e forcave të armatosura nisi degradimi?
Çfarë ndodhi në bazën e Pashalimanit pas largimit të tre anijeve nga baza drejt Italisë dhe cili ishte vendimi që Shtabi i Përgjithshëm mori për ushtarakët e arratisur
Si e rrëmbyen civilët rimorkiatorin nga Porti i Vlorës, për t’u larguar drejt Italisë. Përse komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nuk e ndali largimin e tyre
<< Home