“Mehmeti vrau veten se nuk duronte kritikat e të paaftëve”
“Mehmeti vrau veten se nuk duronte kritikat e të paaftëve”
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj, rrëfen për “Shekullin”, sesi u përgatit plani për çlirimin e Kosovës, marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën e Mehmet Shehun, si dhe korrespodencën me Ramiz Alinë deri në vitet ’90
Kujtim Boriçi
Veli Llakaj, ish- protagonist për 8 vjet rresht në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare e jetës së vendit, si bashkëpunëtori ushtarak më i afërt i ish-ministrit të Mbrojtjes e kryeministrit të vendit në atë kohë, Mehmet Shehu e njëkohësisht edhe bashkëpunëtor ushtarak i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Enver Hoxha.
Njohja e jetës së ushtarakut të lartë Llakaj, nga oficer i thjeshtë deri në majën e strukturës më të lartë ushtarake të vendit, më pas deri në dënimin si armik, siç del nëpërmjet intervistës që ai jep, vjen nga një kujtesë e admirueshme, shënime origjinale të ruajtura me kujdes si dhe dokumente zyrtare të kohës. Njëkohësisht, ndonëse në momentin e kryqëzimit, në kontrollin e banesës iu sekuestruan materiale të shumta, përfshi qindra faqe dorëshkrime e foto të rralla, përsëri ai ka ruajtur apo gjetur foto tepër interesante të kohës që do të shoqërojnë në numrat në vazhdim pjesë të shkrimeve të tij të shkëputura nga arshiva personale. Në numrin e nesërm për lexuesin do të botohet shkrimi i Veli Llakajt për momentet e pas vrasjes së Mehmet Shehut, situata në vend e veçanërisht në ushtri, roli i tij, përgatitja e kryqëzimit të nr. 1 të ushtrisë shqiptare e kuadrove të tjera të larta, provokimet, prapaskenat, cilësimet “armik i popullit”, internimet etj..Në numrin nesërm, nga Veli Llakaj do të lexoni:-Skenat dhe prapaskenat për goditjen e kuadrove më të larta të ushtrisë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.-Letra anonime kërcënuese e provokuese me nënshkrimin “Vjosa” (pseudonimi Mehmet Shehut) që ju dorëzua Llakajt e kuadrove madhorë të ushtrisë.-Ç’bisedoi Llakaj me Kadri Hazbiun për këto kërcënime.-Terrori në familje dhe si u përgatit dhe u përhap lajmi se Veli Llakaj është arratisur me helikopter dhe më pas me anije.-Takimi i Llakajt me Ramiz Alinë për këto situata.-Përgjigjja e Alisë “Nuk është faji i yni, as i Partisë, por i yti!”-Si e detyrojnë Llakajn të bëjë një shkrim rreth situatës në ushtri, ku të vërtetohej në opinion se Llakaj nuk ishte arratisur, po ishte në krye të ushtrisë.Sot, pas kaq dekadash, mund të na thoni se cili qe shkaku i përzgjedhjes suaj nga Mehmet Shehu në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërkohë që situata ishte e rëndë?Nuk mund ta them saktë këtë, por them se gjithçka erdhi pas analizave të hollësishme në të gjithë ushtrinë mbi të ashtuquajturën “Veprimtari armiqësore e Beqir Ballukut”. Ka mundësi që këtë propozim ta ketë bërë dhe Haki Toska, i cili ishte i deleguari i Byrosë Politike në analizën e bërë në Korpusin e Fierit, ku megjithë “lenten” e qëmtimit të kërkimit të “veprimtarisë armiqësore”, për mua dhe ushtarakët e Fierit nuk u gjet gjë. Mund të ketë qenë propozimi i vetë Mehmetit, pasi më kishte ndjekur vazhdimisht në punë në Shtabin e Përgjithshëm kur isha oficer drejtimi për Korpuset e veriut, kur isha komandant i Brigadës së Parë që mori dhe titullin “Hero i Popullit”, në Korpusin e Fierit, e veçanërisht në stërvitjen “Semani”, e cila u drejtua nga vetë Mehmet Shehu.A ka vrarë veten Mehmet Shehu, sipas jush?Mehmet Shehu e dënonte vetëvrasjen, por në këtë rast, vrau veten. Mendoj se këtë akt e bëri nga sedra e tij e sëmurë, pasi karakteri i tij nuk mund të pranonte ta kritikonin padrejtësisht të paaftët që e rrethonin në Byronë Politike..Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kishit vartësi edhe nga Enver Hoxha që ishte komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Diçka rreth këtyre takimeve?Në bazë të platformës së Këshillit të Mbrojtjes, me Enver Hoxhën që ishte dhe komandant i përgjithshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ishte i detyruar të takohej një herë në muaj, përkatësisht në datat 4-6 të çdo muaji. Kjo praktikë përgjithësisht ndiqej dhe kur unë isha në detyrë, me ndonjë përjashtim kur vetë Enver Hoxha nuk kërkonte të bëhej takimi mujor. Në shkrimet e mia, zënë vend edhe këto takime.Është publikuar nga media e huaj edhe si fakt (pa hollësi) dhe për një plan për çlirimin e Kosovës, a ka ekzistuar ky plan, kush janë hartuesit dhe ç’u bë?Po, ka ekzistuar një plan i tillë i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë. Hartues jam unë me Maliq Sadushin, nën drejtimin Mehmet Shehut. Sigurisht, gjithçka bëhej me “OK!” e komandantit të përgjithshëm. Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Është një problem që kërkon dhe do të bëjmë një trajtim veças për lexuesin tuaj. Por theksoj se ky plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Ndërsa kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm në një zyrë të veçantë të dokumenteve luftarake të Shtabit të Përgjithshëm, dhe çelësat e kësaj kasaforte mbaheshin direkt nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga askush tjetër. Pra, ky rregull garantonte që asnjë njeri nuk mund të hapte këto dokumente pa qenë prezent ne të dy.Pse të dënuan?Dënimi im ka qenë politik, pse mendohej se do të isha bashkëpunëtor dhe mbështetës direkt i Mehmet Shehut që vrau veten. Jam shkarkuar dhe më është bërë gjyqi politik dhe ndëshkimi, 11 muaj pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. U kam vënë në dispozicion arkivën time personale, ku do të gjeni hollësitë, mëkatarët dhe viktimat. Gjyqi im politik u bë në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, më 13 tetor 1982, në të cilin u dënuan me masa të rënda ndëshkimore partie dhe shtetërore dhe Kadri Hazbiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes, Ndreci Plasari, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit pranë Komitetit Qendror të Partisë si dhe Nazar Berberi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Gjithçka trajtohen në një kapitull të veçantë të kujtimeve të mia.A mendoni se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e kanë tradhtuar Kosovën dhe kanë qenë kundër çlirimit të saj, siç është folur e shkruar jo pak gjatë këtyre viteve të fundit?Absolutisht jo. Do të them vetëm një hollësi për sot. Mehmet Shehu më ka takuar mua me një grup aktivistësh të Kosovës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që më 1979-ën, të cilët ishin në krye të revoltave e demonstratave të njohura më 1980-ën. Edhe sot ruaj miqësinë me ta. Po të njihesh me planin për çlirimin e Kosovës, do të njihesh edhe me qëndrimin dhe përpjekjet e Enverit për çlirimin e saj, si ideatori kryesor për një Kosovë të lirë e sovrane, deri në dhënien e detyrës direkte Shtabit të Përgjithshëm për një ndërhyrje të mundshme në Kosovë.Ju keni përjetuar kohën dhe pasojat e një materiali të përpunuar nga një grup ushtarakësh të që më vonë u quajtën “Tezat e Zeza”, dhe të gjithë ata që kishin marrë pjesë në punimin e këtyre materialeve janë dënuar, internuar ose pushkatuar. Ç’mund të na thoni për këtë?Unë këtë material e kam lexuar së bashku me dy shokë të tjera, përkatësisht me shefin e shtabit të Korpusit, zotin Gjergji Titani dhe shefin e artilerisë së Korpusit, zotin Zeqir Shehu, kur urdhri ishte që ky material të lexohej vetëm nga komandanti dhe komisari i Korpusit. Përgjigjen zyrtare me shkrim që kemi dhënë për këtë material, unë do t’ua vë në dispozicion për lexuesin se e kam në kujtimet e mia. Por paraprakisht mund t’ju them se po ta lexosh me kujdes dhe të bësh konsulta me kuadro specialistë, ashtu siç kemi rehatuar dhe ne me shkrim në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, në këto materiale nuk ka asgjë armiqësore. Më vjen jashtëzakonisht keq që ky qe një shkak politik për dënimin dhe pushkatimin e Beqir Ballukut dhe të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të tij, kuadrove më të talentuar të ushtrisë shqiptare si Petrit Dume e Hito Cako apo të dënuarve dhe internuarve të tjerë, një nga gjeneralët më të talentuar të strategjisë ushtarake, gjeneralin e dy akademive të Bashkimit Sovjetik, Spiro Shalësi, është një mëkat. Po kështu, edhe gjeneralët e tjerë si Vaskë Gjino dhe Ernest Jakova. Këto materiale vërtet kishin disa trajtime në terma jo në përputhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, por kurrsesi nuk mund të quhen materiale të sabotimit të artit ushtarak.Të kthehemi te dënimi i juaj?Përjashtimi nga Komiteti Qendror dhe nga partia siç thash më 13 tetor 1982, ishte automatikisht dhe nga të gjitha funksionet e tjera partiake e shtetërore, duke filluar nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, si deputet i Kuvendit Popullor, si anëtar i Këshillit të Mbrojtjes etj... Fillimisht më çuan në Cërrik në detyrën e shefit të stërvitjes të brigadës, ndërsa financiarisht merrja rrogën e komandantit të togës, aq sa merrte një oficer i sapo dalë nga bankat e shkollës ushtarake. Kam qëndruar familjarisht në këtë qytet 8 vjet. Si të dënuar, asnjë njeri nuk na hynte e dilte ditën në shtëpi, bile dhe kur më vdiq nëna, nuk më mori pjesë asnjë njeri. Ndërsa gruas sime që ishte e sëmurë dhe prej vitesh ishte në kemp, ia hoqën të drejtën e invaliditetit, duke e detyruar të bënte punët më të rënda në fermën bujqësore të Cërrikut. Ndërsa fëmijëve të mi u duhet të vuanin një kalvar të stërmundimshëm, që nga privimi i arsimimit të mëtejshëm, të rrinin larg shoqërisë etj. Por nuk do t’i harroj njerëzit e mrekullueshëm të asaj zone, të Gostimës, Belshit etj. që na deshën e respektonin tej mase, shpesh shmangnin frikën dhe natën na takonin në shtëpi. Ruaj sot e kësaj dite miqësi me ta.Keni qëndrua në Cërrik deri në vitin 1990, më pas ikët në Fier. Pse në Fier dhe kush u ndihmoi?Po. Kam qëndruar në Cërrik deri në prill të vitit 1990, nga ku më pas jam transferuar me të njëjtën detyrë në Fier, pasi kisha mbushur moshën e pensionit. Transferimi në Fier lidhet me një letër që i bëra Ramiz Alisë, si sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe falë interesimit të tij. Dua të shtoj këtu, se gjatë gjithë kohës që isha në Cërrik, kam dërguar një sërë letrash udhëheqjes së kohës, korrespodencë që e ruaj dhe ua vë edhe ju në dispozicion. Në letrën që i dërgoja Ramizit, i kërkoja të më transferonin se po dilja në pension në një vend ku më kishin çuar si “armik” dhe më shihnin si të tillë, nuk doja që vuajtjet e familjes sime të vazhdonin më tej. Pra, i kërkoja që të jepte të drejtën që jetën si pensionist ta kaloja në një qytet tjetër. Ramizi, në përgjigjen e tij më shkruante: ”Vitet e pleqërisë t’i bësh në çdo qytet që dëshiron, por me kusht që të qëndrosh oficer derisa të marrësh shtëpi e të sistemosh njerëzit e shtëpisë në punë!”. Kështu u bë. Në lëvizjen time, në sistemimin me shtëpi dhe punën të familjarëve, më kanë ndihmuar dy nga ushtarakët madhorë e të njohur të vendit, Kiço Mustaqi e Bajram Mane, të cilët, meqë më dhatë rastin ju në këtë intervistë, dua t’i falënderoj.Pleqëria, proceset demokratike ju gjetën në Fier, por përsëri ndërrimi i vendbanimit nuk qe i mbarë për ju, ju arrestuan?Po. Jam arrestuar në vitin 1993, pikërisht më 18 shkurt të këtij viti. Po zhvillonim një protestë të ligjshme me ish-ushtarakët e liruar dhe pensionistët për pensionet e mohuara nga qeveria e re demokratike..Ishim 17 veta që na arrestuan, na futën në dhomat e izolimit e nisën hetimet..Gjatë luftës në Kosovë, ju e shumë kolegë tuaj keni qenë atje, diçka më konkretisht?Çlirimin e Kosovës (çlirim për mua është pavarësia e plotë që presim) çdo bashkëkombës e ka pasur peng, e për më tepër unë që hartova dy dekada më parë planin për çlirimin e Kosovës dhe i kisha një borxh të madh Kosovës në këtë rast për t’ia shlyer. Ndaj po bëj një korrigjim (qesh), që kam qenë në Kosovë, shto këtu dhe Medvegjë-Bujanoc e tokat shqiptare në Maqedoninë e sotme, jo vetëm ditën që nisi lufta e deri sa mbaroi, por dhe më parë. Duke ua lënë të drejtën e leximit të arkivës sime personale, për këtë rast, disa detaje mund t’ua them dhe në këtë intervistë. Na erdhi një platformë nga Këshilli i Mbrojtjes së Kosovës, si shoqatë e Ushtarakëve Shqiptarë në Rezervë, të cilën na e dorëzoi një emër i njohur kosovar. Na kërkohej ndihmë direkte për përgatitjen e disa grupe kuadrosh e luftëtarësh nga ana ushtarake, njëkohësisht dhe ndihmë direkte me kuadro të larta në shtabe e drejtim luftimesh në tokat kosovare të pushtuara. Dua të theksoj këtu dhe ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim dhe kolegu im, Zyhdi Kroi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve shqiptar në Rezervë. Kemi takuar edhe presidentin e vendit Rexhep Mejdani për këtë “mëkat” tonin, e sigurisht ai bëri atë që duhet të bënte.Pra kemi bërë vetëm detyrën, ndonëse mund të ndodhte, siç kemi disa raste, që mund edhe unë të mos isha sot këtu me ju në këtë intervistë.Si jeton Veli Llaka sot?Si gjithë shqiptarët, me një pension 12 470 lekë në muaj që marr unë. Jetoj në një pallat parafabrikat në Breg-Lumi të Alliasit, vetë i gjashtë. Por nuk jam ankuar as dje, as sot, nuk është në natyrën time të ankohem, por të jem dinjitoz.
<< Home