e diel, tetor 22, 2006

1956 - Pranvera e dështuar shqiptare



1956 - Pranvera e dështuar shqiptare





Nga Prof. Dr. Ana LALAJ*






Në mëngjesin e 14 prillit 1956, në Kinema "Punëtori", diku prapa ndërtesës ku sot është selia e PS, u hap Konferenca e PPSH e Tiranës. Ishin gjithësej 453 delegatë me të drejtë vote vendimore, anëtarë të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror dhe të qeverisë, të cilët nën shembullin e Kongresit të XX të PKBS kishin zënë vend në mes të delegatëve, duke thyer rregullin e deriatëhershëm për t'u ulur në radhën e parë. Midis tyre pritej të ishte i pranishëm edhe Enver Hoxha, por u mor vesh se ai gjendej me pushime në Vlorë. Po çfarë ngjau në atë Konferencë që zgjati 6 ditë? Çfarë shpreh ajo në vetëvete? Çfarë tronditjeje kishte ndodhur sa që edhe pas Konferencës, 40 vjet radhazi, Enver Hoxha iu referua asaj, duke e veçuar ndër çastet më kritike në jetën e PPSH?Atë vit, në shkurt, ishte mbajtur Kongresi XX i PKBS, ndërsa në maj do të mbahej Kongresi III i PPSH. Kishin kaluar tre vjet nga vdekja e Stalinit dhe që atëherë ishte në zbatim Kursi i Ri i udhëheqjes sovjetike. Ky Kurs i Ri u ishte bërë i njohur gjithë udhëheqësve komunistë eurolindorë në qershor 1953. Moska i kishte tërhequr vëmendjen E. Hoxhës për situatën e paqëndrueshme në vend, për politikat e gabuara të kolektivizimit dhe triskëtimit, për administratën e fryrë dhe për qëndrimin ndaj Jugosllavisë. Për sa ishte thënë atë kohë, E. Hoxha u kishte kërkuar anëtarëve të Byrosë Politike të ruanin fshehtësinë. Të njëjtën gjë bëri edhe me Kongresin XX, kur mblodhi Plenumin e KQ, më 2 mars. "Tani do të parashtrojmë një çështje delikate, prandaj mbyllni defterët dhe kalemat i fusni në xhep e mos mbani asnjë shënim, u kishte thënë ai anëtarëve të Plenumit. Kjo çështje do të mbetet vetëm këtu, nuk do të dalë jashtë, se nuk do t'i thuhet asgjë Partisë". Çështja "delikate" e kultit të Stalinit, ajo që i digjte më shumë E. Hoxhës, dukej se do të mbahej thuajse e mbyllur. Por nuk ishte ky i vetmi shqetësim në vend. Planet nuk po realizoheshin, jetesa po bëhej më e vështirë. Ushqimet dhe mallrat e tjera të konsumit ishin të pakta, shërbimi shëndetësor mungonte. Ndërkohë kuadrot e lartë të Partisë dhe të shtetit ca e nga ca u mblodhën në në një zonë të Tiranës, të rrethuar me ushtarë dhe me një varg privilegjesh ekonomike, të quajtur Bllok. Në Ministrinë e Brendshme u krijua Komisioni i Internim Dëbimeve, që largonte nga Tirana të gjithë ata qytetarë që konsideroheshin "të rrezikshëm" për regjimin komunist, por për të cilët nuk kishte prova ligjore. U shtuan veprimet arbitrare të njerëzve të pushtetit ndaj cilitdo që shfaqte pakënaqësi ose kundërshtonte një vendim partie. Shprehja "këtë punë e di Partia" u kthye slogan i përditshëm, sa herë njerëzit e thjeshtë kërkonin sqarime e zgjidhje të halleve të tyre. Kështu po akumuloheshin dita-ditës jo vetëm vështirësi, por edhe pakënaqësi e zhgënjime nga drejtimi i keq i punëve. Megjithatë njerëzit ende shpresonin. Bashkë me ta edhe masa e gjerë e komunistëve.Fryma e Kursit të Ri dhe analizat e pas Kongresit XX në Evropën Lindore po sillnin reflektime të ndjeshme, si në plan të brendshëm ashtu edhe në plan ndërkombëtar. Në Bullgari, në Poloni, në Hungari, në Çekosllovaki, në Rumani, një numër i madh njerëzish po linin burgjet, kampet e përqendrimit dhe të punës, po rehabilitoheshin një varg personalitetesh të vdekur dhe të gjallë, të dënuar me akuza false ose me gjyqe të montuara politike; po shtoheshin kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve për një letërsi dhe art të lirë të pandikuar nga politika, ndërsa disa qeveri lëshuan dekrete që e lejonin fshatarin të largohej nga kooperativa nëse dëshironte etj. Të gjitha këto, në një mënyrë e një tjetër, patën jehonën e tyre edhe në Shqipëri. Komunistët e Tiranës, që dëgjonin radiot e huaja lindore dhe perëndimore, që lexonin shtypin lindor, që mbanin korrespondencë me studentët dhe specializantët shqiptarë jashtë shtetit, që komentonin zhvillimet politike të kohës, prisnin me interesim të veçantë analizat që do të zhvillonte KQ i PPSh në frymën e Kongresit XX të PKBS. Këto ishin rrethanat kur u mbajt Konferenca e Tiranës. Në krye u paraqit një raport rutinë për forcimin organizativ të partisë dhe për rritjen e rolit të saj udhëheqës në ekonomi, për shfrytëzimin racional të kapaciteteve prodhuese, për propagandën e partisë, për pranimet e reja në parti, për forcimin e regjimit të kursimit dhe aty-këtu me ndonjë kritikë sipërfaqësore për ndonjë drejtues ndërmarrjeje apo sekretar organizate partie. E pra, në organizatat e Partisë, siç ishin ajo e Kinostudios, e "Zërit të popullit", gazetës "Puna", e Ministrisë së Industrisë, madje edhe e Aparatit të Komitetit Qendror, kishin dalë shumë probleme dhe ishin adresuar kritika. Asgjë prej tyre në raportin e paraqitur nga Fiqret Shehu, sekretare e parë e PPSH për Tiranën. Menjëherë pasoi një lumë pyetjesh, aspak e zakonshme në praktikat e deriatëhershme. Sqarime kërkoheshin sidomos për probleme si: Reflektimi i KQ PPSh dhe i Byrosë së Komitetit të Partisë të Tiranës ndaj vendimeve të Kongresit XX të PKBS; kulti i individit në Shqipëri; qëndrimi zyrtar i KQ PPSh për çështjen jugosllave; standardi i ulët jetesës së popullsisë; si zbatohej ligjshmëria në PPSh, në veprimtarinë e organeve të Sigurimit të shtetit dhe në jetën civile të qytetarëve të thjeshtë. Duke qenë se pyetjet dilnin përtej veprimtarisë së Partisë për Tiranën, përgjigjet i mori përsipër i deleguari i KQ të Partisë, Beqir Balluku. Ashtu si raporti, edhe përgjigjet ishin standarde, madje në stilin ushtarak se vija e PPSh kishte qenë "e drejtë" dhe "e pagabueshme", ndërsa pyetjet nga salla ai i trajtoi si "mosbesim" për politikën e Partisë. Sipas tij, në Byronë Politike, në KQ të PPSh nuk kishte kult të individit, se PPSh nuk kishte asnjë rezervë ndaj Jugosllavisë, se PPSh nuk kishte bërë asnjë shkelje ndaj të dënuarve politikë si Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Koçi Xoxe etj. Salla mbeti e pakënaqur nga përgjigjet, duke u krijuar shpesh edhe ilaritet, zhurmë dhe të qeshura. U pa se një trajtim si ai i të deleguarit të KQ nuk do të ishte orientues për delegatët. Shumë prej tyre ishin të bindur se në zhvillimet e rëndësishme që po ndodhnin në bllokun komunist, duhej të përfshihej edhe Shqipëria. Këtu shtohej edhe premtimi që ata u kishin dhënë anëtarëve të organizatës se do të përfaqësonin dhe do të sillnin në konferencë zërin e tyre. Për rrjedhojë, delegatët vazhduan me vendosmëri diskutimet në rrjedhën e pyetjeve që kishin ngritur. Me radhë e morën fjalën Njac Mazi, Njazi Jaho, Adriatik Kanani, Vehip Demi, Kadri Ibrahimaj, Vandush Vinçani, Iljaz Ahmeti etj. Diskutimet e tyre të hapura dhe kurajoze u pritën me duartrokitje nga salla. Është për t'u theksuar se asnjë nga anëtarët e KQ dhe të Byrosë Politike, që ndodheshin të pranishëm, nuk e morën fjalën për të kundërshtuar këto diskutime. Megjithatë, ata e informuan E. Hoxhën për çfarë po ndodhte në konferencë. Ai mbriti në sallë në ditën e dytë të konferencës, pasditen e 15 prillit.Delegatët e konferencës së Tiranës, të cilët kërkuan rishikim dhe rivlerësim të politikës së PPSh në frymën e Kongresit XX, ishin intelektualë, që vinin nga sektorët e ideologjisë, të kulturës, të propagandës etj. Për shkak të punës që bënin, ata i njihnin mirë çështjet që shtruan në konferencë. Ndërkohë niveli i lartë kulturor i delegatëve kritikues, ndikonte që ata të prireshin jo nga dhuna, jo nga kufizimet, jo nga mbyllja, por nga hapja, nga liberalizimi, nga arsyeja. Shqipëria karakterizohej nga i njëjti model qeverisjeje politike, ideologjike, ekonomike e shoqërore si të gjitha vendet e tjera të bllokut komunist të Evropës Lindore. Sado e izoluar ishte Shqipëria dhe sado e fuqishme propaganda e udhëheqjes së PPSh për drejtësinë e vijës së saj, direktivat e Kursit të Ri patën jehonën e tyre në Shqipëri. Delegatët e Konferencës së Tiranës kundërshtuan dukuritë e komunizmit ortodoks, të manifestuara nga udhëheqja e atëhershme e PPSh, me synimin për të kufizuar arbitraritetin në Partinë e tyre dhe për të ulur pakënaqësinë që po rritej në popull. Dhe këtë e bënë kur ishin edhe vetë në pushtet. Ata kërkonin një socializëm human, por siç pohon pas 40 vjetësh një nga ish delegatët e konferencës "as vetë ne nuk e konceptonim si mund dhe si duhej të ishte". Megjithatë duke bërë rivlerësimin kritik të vijës së deriatëhershme të PPSh dhe duke kërkuar me idealizëm dhe guxim korrigjimin e saj, delegatët e Konferencës së Tiranës e evidencuan veten si disidentë të regjimit diktatorial në Shqipëri. Delegatet disidentë i dhanë zjarr konferencës me fjalën e tyre të çlirët, me kritikat, me autokritikat dhe me kërkesat e tyre të drejtpërdrejta, për përmirësimin e kushteve të jetesës së punëtorëve, për uljen e normave të larta, për zvogëlimin e privilegjeve të udhëheqjes, për një propagandë më reale dhe konkrete, për zbutjen e luftës së klasave, për rishikimin dhe rehabilitimin e të dënuarve politikë si Tuk Jakova, Bedri Spahiu etj. Pra ata iu drejtuan problemeve të Partisë dhe të gjithë vendit. Kjo rrjedhë e konferencës ndryshoi pas ardhjes së Enver Hoxhës. Ai i kishte llogaritur mjaft mirë lëvizjet e tij. Më 15 prill, sapo mbërriti në seancën e pasdites, ai u shfaq me tone të buta dhe qetësuese në atë atmosferë të elektrizuar nga diskutimet e deriatëhershme. Ai u tregua i përmbajtur, pranoi se ekzistonte një ekzaltim i personit të tij, bëri dhe autokritikë se KQ i PPSh nuk kishte analizuar veprimtarinë e vet në dritën e kongresit të XX të PKBS dhe se KQ nuk e kishte vënë në dijeni Partinë për çështjen e kultit të individit, ashtu siç kishin bërë të gjitha partitë e tjera komuniste, se disa privilegje për anëtarët e KQ të PPSh duheshin hequr etj. Por ky qëndrim ishte vetëm një taktikë e çastit. Të nesërmen, më 16 prill, E. Hoxha ishte tjetër. Sa filloi seanca, nga podiumi ai iu drejtua delegatëve: "Jam i bindur se ju mbrëmë nuk ju ka zënë gjumi, ashtu si dhe ne...Ju e ndjeni se është mashtruar Partia nga mënyra si u shtruan këtu çështjet...Disa elementë mashtruan me besimin tuaj". Ai u vërsul me ashpërsi ndaj diskutuesve të ditëve të para, duke nxirë të gjithë veprimtarinë e tyre politike e shoqërore të deriatëhershme, madje dhe duke i vënë delegatët përballë njëri-tjetrit. Ai i paralajmëroi ata se drejtësia e Partisë do të vepronte "jo me zigaren e drejtësisë... por me draprin dhe çekanin", duke iu drejtuar Njazi Jahos, sekretar i Komitetit të Partisë. Iu referua Vehip Demit, delegat i Radio Tiranës, i cili ndër të tjera kishte thënë se njerëzit kishin frikë t'i shprehnin lirisht mendimet e tyre dhe se kërkonte të dinte nga dilnin fondet për shpenzimet e Bllokut. U muar me V. Vinçanin, në Aparatin e KQ, i cili kërkoi të rishihej çështja e Tuk Jakovës. Replikoi me Njac Mazin, delegat i Kombinatit të Tekstileve, i cili kishte këmbëngulur se ligji ishte një për të gjithë dhe ishte shprehur kundër trajtimeve të diferencuara. Si e kupton kritikën, zotrote, iu drejtua ai Nj. Mazit. Unë nuk jam zotëri, iu përgjigj tjetri. Unë demokracinë e kuptoj kështu, ju të shprehni mendimin tuaj, po dhe ai të shprehë mendimin e tij. Me një presion mjeshtëror erdhi deri atje sa të formulojë akuzën e "armikut të partisë". Pas fjalës së tij Konferenca mori rrjedhë tjetër. Gjithçka u tulat dhe u shua çdo mendim kritik ndaj vijës së udhëheqjes së PPSh, shfaqur deri atëhere në sallë. Mjaft prej delegatëve u mbetën diskutimet në xhep. Madje, tregojnë pjesëmarësit, ndonjëri vajti në tualet ta griste nga frika mos e kontrollonin. Më 17 prill, Enver Hoxha bëri një mbledhje rrufe të Byrosë Politike, me cilësime për "elementë kundra-parti, komplotistë, fraksion i egër". Ai kërkoi masa të ashpra, por "pa bujë e pa zhurmë", madje Rezolucioni të ishte "në frymë ngrohtësie për elementët e lëkundur". Do të bëhëj dhe një Letër e mbyllur nga ana e KQ drejtuar organizatave të Partisë. Në fund u kërkua konspiracion në Parti, si ai i luftës, si dhe të hiqeshin mandatet e elementëve të dyshimtë e të zëvendësoheshin me punëtorë dhe fshatarë, me qëllim që Kongresi të ishte "luftarak". Më 18-19 prill, dy ditët e fundit të Konferencës së Partisë të Tiranës i ngjanë një gjyqi të pështirë hetimor. Thuajse çdo delegati disident iu drejtua pyetja dyshuese për bashkëpunim të fshehtë kundër Partisë. E. Hoxha bënte thirrje se "duhej t'i hapeshin Partisë...se ajo i ndihmon njerëzit shumë të sëmurë etj". Vërshuan përsëri kritikat, por tashmë jo kundër udhëheqjes së PPSh, por ndaj njeri-tjetrit. Delegatëve disidentë të akuzuar iu desh të përsërisnin disa herë se ishin komunistë të vendosur dhe se nuk ishin përfshirë në ndonjë komplot kundër Partisë. Më 21 prill, të gjitha organizatave të Partisë u mbrriti "Letra e mbyllur" e Komitetit Qendror, e firmosur nga vetë Enver Hoxha. Për një javë 135 organizata partie të kryeqytetit përfunduan mbledhjet, ku në përputhje me Letrën ndëshkuan gjithë delegatët disidentë të Konferencës së Tiranës dhe përkrahësit e tyre. Nën shembullin e Konferencës, edhe këto u kthyen në gjyqe të vërteta. Në organizatat më problematike u dërguan si të deleguar anëtarë të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror, qëllimi kryesor i të cilëve ishte të zbulonin rrënjët e "komplotit". Por asnjë komplot, asnjë organizatë, asnjë shtab nuk doli të kishte pasur. Për më tepër delegatët disidentë të Konferencës së Tiranës nuk i ishin drejtuar për ndihmë as ambasadës sovjetike, as ndonjë ambasade tjetër të Perëndimit në Tiranë dhe as ndonjë organizate ndërkombëtare. Ata me sinqeritet e me besim i shtruan problemet brenda partisë së tyre. Pas mbledhjeve rrufe, Byroja Politike, më 4 maj 1956 miratoi 18 përjashtime nga partia dhe 29 dënime të tjera me masa ndëshkimore. Në informacionet e ardhura në KQ të PPSh thuhet se "qëndrimi i elementit antiparti në organizatën bazë ka qenë negativ, asnjeri nuk ka bërë autokritikë..., se në mbledhjet e organizatave bazë pati hezitim për të diskutuar dhe dënuar si duhet këtë veprimtari antiparti" etj. Përse Enver Hoxha u tregua kaq energjik për të dënuar brenda dhjetë ditëve delegatët e Konferencës së Tiranës? E pra, Kongresi XX në propagandë deklarohej si busull orientuese dhe gjithçka kishte qenë në frymën e tij. Përse atëherë gjithë ky shqetësim? E. Hoxha kishte qenë në Moskë dhe kishte parë nga afër efektet e raportit "Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij" në punimet e Kongresit XX. Megjithëse raport i fshehtë, ai u bë epiqendra e Kongresit dhe sinonim i tij. Përmes kanaleve diplomatike, por dhe shtypit, ai ishte në kontakt të përditshëm ç'po ndodhte me partitë e tjera të bllokut komunis, të cilat ishin duke mbajtur qëndrime revizionuese të veprimtarisë së tyre. E. Hoxha e ndjente se Raporti i Hrushovit për kultin e individit përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë edhe për pozitën e tij si sekretar i parë i KQ të PPSh. Duke shfrytëzuar edhe rrethanat e asaj kohe, E. Hoxha kishte mundur ta zhvillojë pa pengesë kultin e personit të tij. Një lumë agjitatorësh ishin përhapur ngado për të fiksuar idenë e "pagabueshmërisë së udhëheqësit". Emri "Enver" ishte shkruar gjatë gjithë bulevardit të Tiranës, bustet e tij ishin të shumta, fotografitë e tij ndodheshin në çdo institucion shtetëror dhe partiak, shkollë e dyqan. Në tekstet mësimore, në fjalimet zyrtare epitetet "gjeniali", "i ndrituri" ishin bërë të zakonshme. Por nuk ishte vetëm pamja e jashtme. Si udhëheqës i ardhur nga Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai kishte përqëndruar në duart e tij veç postit të kryetarit të partisë, edhe atë të kryeministrit, të komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, të kryetarit të Frontit Demokratik, të ministrit të jashtëm. Gjithë ky përqëndrim krijoi terren për t'u ngritur kulti i udhëheqësit. Edhe kur u urdhërua nga sovjetikët të hiqte dorë nga pushtetet e tepërta, në qershor 1953 dhe kur vetë mbajti postin e sekretarit të parë, duke ia dorëzuar M. Shehut atë të kryeministrit, ai nuk harroi të theksojë me atë rast se: "Nuk mund të ketë problem shtetëror ose partie që të vihet në jetë pa u vendosur në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike". Kjo do të thoshte se i gjithë pushteti në Shqipëri, ai ekzekutiv dhe partiak, do t'i përkiste udhëheqjes së Partisë dhe, nënkuptohej, Enver Hoxhës në krye të saj. Kuptohet që në kushtet e një vendi dhe populli të vogël dhe të varfër si Shqipëria, të bëje të njohur në detaje raportin sekret të Hrushovit mbi kultin e individit, do të thoshte që gjithë vëmendjen e partisë dhe të popullit ta zhvendosje nga Stalini tek Enver Hoxha. Ky i fundit e kishte kuptuar këtë dhe me qëllim nuk e kishte venë në dijeni Partinë për kultin e Stalinit. Në këtë konkluzion arrijmë duke lexuar dokumentet e Plenumit të KQ të 10-11 majit 1956, ku ai e konsideroi qëndrimin e tij ndaj çështjes së Stalinit "të drejtë", pasi ishte bërë me qëllim që "armiku të mos përfitonte nga kjo dobësi dhe të na krijonte situata që nuk janë të mira, por të rrezikshme, siç janë krijuar në vendet e tjera të demokracive popullore, sidomos në Poloni". Konferenca e Tiranës u rimor edhe një herë në atë plenum, por në kahje tjetër, jo në atë të disidencës. Plenumi, edhe pse nën okelion se "do të analizonte gjithë veprimtarinë e PPSh nën dritën e mësimeve të kongresit XX të PKBS", pikërisht kjo nuk u bë. Ndërsa përsa i përket kultit u gjet rasti të shfrytëzohej një raport i një viti më parë, kur vetë udhëheqësi kishte kërkuar "t'i jepej fund njëherë e përgjithmonë manifestimeve të shfrenuara që janë shfaqur në praktikën e jashtme karshi personit të Enver Hoxhës". Në situatat e krijuara ai kishte dy rrugë: ose të hapej në Parti dhe të tërhiqte mbi vete gjithë kritikat e për pasojë dhe dënimin e mundshëm për praktikat e kultit të individit, ose të vazhdonte me mbledhjet e mbyllura e të dhunonte ata anëtarë partie që do të guxonin të ngriheshin kundër kultit të tij dhe kultit të funksionarëve të lartë të Partisë-shtet. Ai zgjodhi rrugën e dytë. Qëndrimi i tij në Konferencën e Tiranës ishte në përputhje me këtë zgjedhje. Prandaj dhe pas Konferencës E. Hoxha ditë pas dite shtonte nga një akuzë të re për ish delegatët, duke i cilësuar jo vetëm si elementë "antiparti", por edhe si "komplotistë", të organizuar me "gishtin e jashtëm". Kjo me qëllim që të vinte përballë tyre sa më shumë anëtarë partie kudo që ndodheshin. Në të njëjtën kohë ai mbrojti me vendosmëri ministrat dhe funksionarët e tjerë të lartë të Partisë-shtet, për t'i bërë ata të ndërvarur prej pushtetit të tij, për të zgjeruar rrethin e përkrahësve dhe për të mbrojtur më mirë veten. Është kjo arsyeja që E. Hoxha e kishte ndërprerë me arrogancë staliniste delegatin e Shkollës së Bashkuar të oficerëve, majorin Iliaz Ahmeti, kur ai në diskutimin e tij shprehu me shifra privilegjet e kandidatëve dhe të anëtarëve të KQ të PPSh, duke deklaruar se shpenzimet e çdonjërit prej tyre (duke llogaritur shoferët, makinat, shërbëtoret, dyqanet e veçanta, vilat shtetërore etj.) arrinin "mbi 70 mijë lekë në muaj, domethënë një milion lekë në vit". Enver Hoxha ndërhyri menjëherë për të mbyllur diskutimin e Iliaz Ahmetit në konferencë: "Nuk të lejoj të na nxjerrësh llogarira këtu. Unë them se këto që paraqit ti janë tendencioze, janë për diskreditimin e udhëheqjes së Partisë... Jam sekretar i Partisë unë. Unë të ndërpres fjalën, sepse kam edhe unë për të folur për ty. Edhe unë di për ty." Edhe kjo ishte një llogaritje djallëzore, duke u drejtur për mbështetje kulteve të më të vegjëlve, dhjetëra funksionarëve që abuzonin me postet e tyre. Konferenca e Tiranës u mbyt dhunshëm edhe pse nuk pritej të ndodhte ashtu. Në këtë kontekst, ka vend të shtrohet edhe një pyetje tjetër: a ishin në vëmendjen e Hrushovit dhe të PK të BS zhvillimet në Shqipëri? Nëse po, pse udhëheqja sovjetike nuk ndërhyri edhe tek ne të ndërmerrej një proces destalinizimi në jetën e vendit? Zhvillimet brenda kampit socialist edhe pse interesante, ato po sillnin edhe probleme për vetë BS dhe për rolin e tij në krye të kampit. Vendet e Lindjes, përjashtuar Shqipërinë, duket se mezi e kishin pritur afrimin me Jugosllavinë, sipas Kursit të Ri sovjetik Në disa vende socialiste si Poloni e Hungari po shprehej pakënaqësi për raportet paternaliste e shfrytëzuese të BS me to. Ndërsa me Shqipërinë ndodhte ndryshe. Ajo i shihte jetësore kreditë dhe ndihmat ekonomike të BS, por dhe udhëheqja e saj partiake e shtetërore i shihte vendimtare për të forcuar pushtetin. Prandaj ajo ishte shumë e kujdeshme për të mos krijuar probleme me sovjetikët. Por dhe këta të fundit ishin të kënaqur për momentin të mos kishin telashe edhe në këtë skaj të Ballkanit dhe shqiptarët ta menaxhonin vetë gjendjen. Kështu, Hrushovi, me gjithë rezervat e pakënaqësitë ndaj E. Hoxhës, e mbështeti atë. Në Kongresin III të PPSH, maj 1956, i deleguari i KQ të PKBS, P. Pospellov vlerësoi pozitivisht vijën e ndjekur nga KQ i PPSH në politikën e brendshme dhe atë ndërkombëtare. Konferenca e Tiranës shfaqet në dy pamje, në dy kohë dhe në dy grupe të mëdha njerëzish. Në 14 dhe 15 prill mbizotëruan zërat e delegatëve disidentë, që synonin të reformonin PPSh sipas Kursit të Ri. Më 16, 19, 20 prill, Enver Hoxha ndezi histerinë kolektive, ashtu si në Kongresin e Parë të PKSh dhe në një varg plenumesh të tjera të mëparshme, ku ishte dënuar N. Spiru, K. Xoxe, T. Jakova, B. Spahiu etj. Ashtu si në këto plenume edhe Konferenca e Tiranës përfundoi me fitoren e vijës zyrtare të PPSh. Por në dallim prej tyre, Konferenca e Tiranës mbeti në kujtesën e popullit, jo simbol i fitores së udhëheqjes së PPSh, por si simbol i qendresës së hapur dhe të vendosur ndaj pushtetit komunist ortodoks në Shqipëri. Madje edhe vetë Enver Hoxha në disa kongrese, plenume dhe fjalime të mëvonshme i është rikthyer Konferencës së Tiranës duke ritheksuar rrezikshmërinë e saj për PPSh dhe udhëheqjen e saj. "Mos harroni konferencën e Tiranës", përsëriste ai.Në goditjet ndaj Konferncës së Tiranës, E. Hoxha i dha asaj edhe një dimension tjetër negativ. U inskenua një lidhje e paqënë, lidhja me jugosllavët, megjithëse nga arrestimet, nga pyetjet në hetusi dhe nga mbledhjet që ishin bërë në organizatat e Partisë, nuk doli asnjë lidhje e organizuar e delegatëve reformatorë me spiunazhin jugosllav. Të vjen keq që edhe sot e kësaj dite, ka njerëz të pushtetit të asaj kohe, që pretendojnë se kanë bërë reflektime, por vazhdojnë ende të pohojnë se Konferenca e Tiranës ishte organizuar nga jugosllavët. Duke respektuar debatin e hapur mendoj se do të ishte e arësyeshme që ata të cilët Konferencën e Tiranës nuk e shikojnë si një proces të zhvillimeve të brendshme në vend e brenda Partisë, por si një kurdisje të jashtme jugosllave, të sjellin fakte. Hedhja e përfundimeve pa analizë, pra dhe pa fakte nuk ndihmon në saktësimin e së vërtetave historike dhe mendoj lë edhe një shije të pakëndëshme edhe për një çast historik, që duhet ndriçuar dhe vlerësuar siç është Konfernca e Tiranës. Delegatët disidentë nuk kishin një perspektivë të qartë strategjike të qëndrimit të tyre, pasi kjo perspektivë mungonte edhe në Kongresin XX të PKBS, të cilit ata i referoheshin. Ata nuk kërkonin ta përmbysnin sistemin komunist në Shqipëri, ata kërkonin vetëm ta liberalizonin, reformonin dhe përmirësonin atë. Edhe tezat e kongresit XX përfaqësonin vetëm disa mekanizma të përkohshëm lehtësues për të ruajtur sistemin komunist. Pikërisht këtë synonin lëshimet dhe kompromiset që filloi të zbatonte Hrushovi dhe udhëheqja e PKBS pas vdekjes së Stalinit. Stalini e kishte çuar në buzë të greminës sistemin komunist, ndërsa Hrushovi u përpoq të lehtësonte diktaturën staliniste në jetën e përditshme të njerëzve. Por praktikat e destalinizimit sollën edhe tronditje të mëdha në të gjitha vendet e bllokut komunist dhe shumë probleme të pazgjidhura mbetën pezull. Sot, pas 50 vjetësh, ne gjykojmë se ato tronditje ishin zigzaget që po e çonin sistemin komunist drejt fundit të tij. Simbol i tyre në Shqipëri u bë Konferenca e Tiranës. Ajo çka u tha në Konferencën e Tiranës ishte gjithçka mendonin dhe thoshin deri atëherë komunistët dhe njerëzit e thjeshte, brenda dhe jashtë organizatave të PPSh. Prandaj ndëshkimet nuk përfshinë vetëm një grup delegatësh, por u shtrinë masivisht dhe në mënyrë të rrufeshme në shumicën e organizatave të partisë të Tiranës. Kështu pra, më shumë se me një tubim partie, me një konferencë, kemi të bëjmë me një lëvizje, por gjithsesi të paorganizuar, spontane, e cila, edhe për këtë arsye e kishte të pamundur të dilte e fituar përballë sistemit të dhunës, frikës, servilizmit që po instalohej nga regjimi komunist në Shqipëri. Kjo konferencë ishte disidenca e parë dhe e fundit brenda PPSh. "Grupet armiqësore" të mëvonshme ishin vetëm viktima të akuzave të inskenuara, si pjesë e luftës për pushtet, që Enver Hoxha e praktikoi gjatë gjithë kohës. Sprova e parë e komunistëve të Tiranës u këput në embrion dhe nuk u përsërit. Kësisoj ajo qe një pranverë e dështuar për të gjithë të majtën shqiptare, që nuk arriti të përfshihej në Kursin e Ri të së majtës komuniste evropiane për të lehtësuar diktaturën në Shqipëri.(*Instituti i Historise në Akademinë e Shkencave)

e mërkurë, tetor 11, 2006

Belishova, sovjetikëve: “Në jetën e Enverit nuk ka pasur asnjëherë re”



Belishova, sovjetikëve: “Në jetën e Enverit nuk ka pasur asnjëherë re”
“Kozllovi më tha se shqiptarët duhet të qëndrojnë ose me 201 milionëshin tonë, ose me 601 milionëshin e Kinës”

Afrim Imaj / Manjola Bregasi
Ishin momentet e përplasjeve mes dy gjigantëve të komunizmit; Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që Shqipërisë së vogël i duhej të pozicionohej në këtë klimë. Me sa dukej lideri komunist shqiptar kishte nisur të arkitekturonte shkatërrimin e marrëdhënieve me sovjetikët, për të lidhur një miqësi të re me kinezët, duke justifikuar se Bashkimi Sovjetik nuk po mbështeste luftën kundër revizionistëve jugosllavë.
Në mbledhjen e 7 korrikut të vitit 1960, Byroja Politike, duke diskutuar rreth raportit të delegacionit të Kuvendit Popullor në vendet e demokracive popullore të Azisë, do të dialogonte gjatë për “gabimet” dhe “shkeljet” e pjesëtarëve të tij. Në situatën e krijuar, vizita e delegacionit shqiptar do të rezultonte fatale jo vetëm për atë që zhvillohej në një moment delikat për marrëdhëniet në të cilat kishin hyrë vendet komuniste, por më tepër për faktin se, shqiptarët, që teorikisht po përpiqeshin të mos përfshiheshin në këto konflikte të mëdha dhe të qëndronin asnjanës, do të informonin me detaje gjithçka ishte thënë nga kinezët në lidhje me sovjetikët, duke i “hedhur benzinë zjarrit”. Përgjegjëse për këtë, siç e dëshmon edhe letra që Enver Hoxha i dërgon Liri Belishovës, do të ishte pikërisht kjo e fundit dhe Gogo Nushi. Por si do të vijonte më pas qëndrimi i anëtarëve të Byrosë Politike ndaj përfaqësuesve të delegacionit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë ndaj Liri Belishovës, që kishte treguar gjithçka tek zyrtarët sovjetikë në Pekin? Në vijim të procesverbalit të mbledhjes, gazeta “Panorama” zbardh anë të panjohura të debateve, diskutimeve dhe replikave, që çuan më pas në mbledhjen e plenumit. Liri Belishova: Përpara se të shkonim për darkë unë thirra Rrapon (Dervishi) dhe i thashë se atje mund të na hapnin muhabete, prandaj të mbante atë qëndrim që do të mbaja edhe unë, pasi në mbledhjen e Bukureshtit Hysniu ka mbajtur këtë qëndrim, prandaj të mbajmë qëndrime të matura. “Mirë”, tha Rrapo..unë u përpoqa të mos futesha në bisedime, prandaj kur erdhi muhabeti për Kinën thashë se kanë vuajtur ata popuj nga imperializmi, se si brenda një nate kanë vdekur dy milionë njerëz nga uria, që prindërit ndërronin fëmijët e njëri-tjetrit dhe i hanin. Kolonizatorët u kishin ndaluar kinezëve të hanin mish dhe oriz. Popullata ishe lakuriq, zhveshur...Pastaj u thashë se çfarë kanë bërë francezët në Vietnam, sa që edhe në 1945 ata shisnin në Vietnam mish njeriu. Kjo është e tmerrshme u thashë...Prandaj popujt e Azisë Kanë një urrejtje shumë të madhe për imperializmin etj. Pastaj ata thoshin shakara, ata një, unë 10. Mendova të bënim kështu sa të kalonte koha.Unë ngrita një dolli përpara se Kosllovi të fliste hapur, fola për përshtypjet nga vendet e Azisë, për ndihmën e madhe që u jep atyre Bashkimi Sovjetik, që ka luftuar edhe për çlirimin e tyre dhe për ndihmën e madhe që po u jep tani këtyre vendeve... Theksova përpjekjet e mëdha të jugosllavëve për të ndarë partinë dhe popullin tonë nga Bashkimi Sovjetik, se i gjithë qëllimi i tyre ishte të godisnin shokun Enver, po autoriteti i tij ishte aq i madh, saqë ata nuk guxuan të bënin dot gjë kundër tij, prandaj filluan me Nako Spiron.. U thashë se si edhe unë në atë kohë u përjashtova nga partia. “Po pse të përjashtuan”, më pyeti Kusllovi. Se nuk isha dakord me rrugën revizioniste iu përgjigja dhe ai nuk tha gjë. Kur erdhën letrat e Stalinit e gjithë partia jonë u solidarizua me to dhe nuk shkoi në rrugë të gabuar...Kur unë thashë se jugosllavët janë banditë, Kozllovi ndërhyri dhe tha se nuk duhet folur me gjaknxehtësi. Unë i thashë se banditë kanë qenë dhe janë,...prandaj revizionistët i kemi luftuar dhe do t’i luftojmë dhe në këtë çështje asnjë lëshim nuk bëjmë. Po edhe dogmatizmi duhet luftuar, tha ai dhe pastaj filloi të fliste për mbledhjen e Bukureshtit dhe për Hysninë (Kapo).Enver Hoxha: D.m.th. ai të tha se edhe ju shqiptarët jeni dogmatikë. Ai të thumboi edhe kur të tha ose me 201 milionë, ose me 601 milionë.Rrapo Dervishi: Këtu fjala ishte për kinezët.Liri Belishova: Unë pa u ngritur thashë se ne nuk dimë si është zhvilluar mbledhja e Bukureshtit, po dimë një gjë; Në qoftë se në jetën e Gomulkës ka pasur re, në jetën e Enver Hoxhës nuk ka pasur asnjëherë re. Partia jonë ka qenë dhe është unike në pozitat e marksizëm-leninizmit dhe të miqësisë me BS dhe e tillë do të mbetet gjithnjë. Në këto muhabete ata filluan të thonë “Pa zigzage”, “ta pimë për miqësinë”. Unë bëra sikur nuk kuptova.Enver Hoxha: Ky është provokacion.Liri Belishova: Ne nuk u futëm në bisedime dhe unë thashë se ne nuk dimë si u zhvilluan bisedimet atje. (Në Bukuresht)Enver Hoxha: Pse nuk i the që këto gjëra duhet të zgjidhen në mbledhje?Liri Belishova: U thashë se do të bëhet mbledhja e nëntorit dhe atje do të zgjidhen këto gjëra...Përpara se Kozllovi të fliste hapur për qëndrimin e Hysniut në Bukuresht, tha se në këtë çështje ka dy rrugë, rruga e kongresit të 20 dhe 21 dhe rruga e Kinës. .. Unë i thashë se këto gjëra do të zgjidhen, po jo tha ai, kinezët nuk tërhiqen. Po duhet të bisedohet me ta, i thashë unë. Udhëheqja juaj u mor tri herë me jugosllavët, tri herë shkoi Hrushovi atje, gjithë kjo punë u bë atëherë dhe megjithatë, me ata asgjë nuk u bë, se ata janë të poshtër, shërbëtorë të imperializmit, kurse kinezët janë shokët tanë që luftojnë për komunizmin...Mehmet Shehu: Si ndodhi ajo që pamë në gazetë, se në fjalimin e Haxhiut në aerodrom në Pekin dhe në fjalimin tjetër në mbrëmje nuk thatë asgjë për revizionizmin jugosllav, gjë që shkaktoi të bëhej telegrami i shokut Enver.Liri Belishova: Kur ikëm, i thashë shokut Enver që në aeroport dhe në darkën që do të bëhej mund të mos flisnim për këtë çështje.Enver Hoxha: Për në darkë nuk të kam thënë, vetëm për në aeroport të kam thënë.Liri Belishova: Më ke thënë për të dyja...Enver Hoxha: Po të të kisha thënë, nuk ishte nevoja të kundërshtoja. Për në aeroport po, të kam thënë. Liri Belishova: Ne e morëm me shumë vonesë fjalimin e kinezëve. Sidoqoftë për revizionistët në Kinë ne nuk kemi lënë gjë pa thënë. Po të jetë për ndonjë gjë tjetër po.Enver Hoxha: Nuk është çështja ashtu. Ne menduam se këto ishin bërë protokollare.Liri Belishova: Pastaj unë nuk kisha as kohë për të bërë fjalimet.Enver Hoxha: Po ti vetë deshe të shkoje në këtë delegacion. Liri Belishova: Vetë desha. Të them të drejtën desha të bëja... si të thuash qejf.Mehmet Shehu:...Si e konsideron ti Liri çështjen, që në fjalimin e Kozllovit kur tha ose me 201 milionë, ose me 601 milionë, nuk the asnjë përgjigje?Liri Belishova: Të shikoj...Mehmet Shehu: Ti bashkë me Gogon vendosët t’u thoshit shokëve sovjetikë të gjitha ato që u thanë shokët kinezë dhe e zbatuat atë që menduat. Do të ishte e drejtë që edhe shokëve kinezë t’u thoshim ato që na thonë shokët sovjetikë për ta? A nuk është ky veprim sikur t’i hedhësh benzinë zjarrit?Rrapo Dervishi: Në drekën që dhanë sovjetikët kemi qenë në pozita shumë të vështira...Kur folën për Hysninë nuk e kuptova mirë çfarë thanë, dhe kur thanë se nuk jemi të kënaqur prej tij, mua më dogji, po prapë nuk kuptoja mirë çfarë thoshin. Mirëpo unë këtu e dija se këtu nuk ishte çështja e Hysniut, pas tij ishte Byroja Politike e KQ të partisë sonë.Memet Shehu: Kur shprehej kjo pakënaqësi kundër Hysniut, u ngrit ndonjëri nga ju e të thoshte atje se ne jemi plotësisht dakord me qëndrimin që ka mbajtur Hysniu, sepse ky është qëndrimi i Byrosë Politike. Kjo ka rëndësi të madhe për ne.Rrapo Dervishi: Qëndrimi ynë duhej të ishte i tillë, si qëndrimi që ata mbajtën kundër nesh...Shprehjen o me 201 milionë, ose me 601 milionë unë nuk e kuptova, sepse as që isha në dijeni të këtyre gjërave. Vetëm Nesti tha atje 901 milionë. Në aeroplan i thashë Lirisë se ajo drekë ishte për faqe të zezë...Kozllovi ngriti një shëndet për shokun Enver në fund të darkës. Këtu ai tha se sikur u plak shoku Enver, sikur ai ishte i sëmurë, ashtu si e kuptova unë, pastaj tha se nga mosha ne jemi vërsnikë.Enver Hoxha: Të gjithë mund të gabojmë në ndonjë situatë. Ti nuk e dije, po ti je anëtar i Byrosë Politike dhe kur ai tjetri ju thotë ose me 601 milionë, ose me 201 milionë, ose kur ju foli kundër Hysniut, ju duhej të reagonit. Pastaj ju duhej të realizonit çështjen që vija jonë është lufta e pamëshirshme kundër revizionistëve jugosllavë, po sovjetikët e bëjnë këtë? Jo. Ne luftojmë për të demaskuar deri në fund imperialistët, se ata janë armiku kryesor i yni dhe duhet të jemi vigjilentë kundra tyre. Ne jemi dhe kemi luftuar për paqen, për bashkekzistencën paqësore, po nga akuzat që i bëhen Kinës na thuhet edhe neve, kjo pavarësisht se çfarë u bë në Bukuresht...Rrapo Dervishi: E kuptoj tani dhe këtë e them jo për sentimentalizëm, ose se jam shqiptar.Enver Hoxha: Si anëtar i Byrosë Politike duhet të kuptosh esencën e këtij qëndrimi që kemi mbajtur ne. Se shiko çfarë bëjnë sovjetikët, kapin nga një llaf, ose shprehje dhe menjëherë e nxjerrin teori, po ne nuk duhet të kemi frikë. Ata mund të na thonë pse na kritikoni, ju jeni kundra BS dhe në fakt kështu ju thanë gjatë drekës, ose me ne, ose me kinezët. Rrapo Dervishi: Unë e kuptoj rëndësinë e këtyre gjërave...Liri Belishona: Tani si e konsideroj unë atë që ua thashë shokëve sovjetikë atë që dëgjuam nga shokët kinezë? Unë u nisa nga ajo që ne sovjetikët i konsiderojmë gjithçka, po tani e kuptoj që është gabim ajo që bëra.. që kur mora letrën e shokut Enver i thashë se kjo ngjarje u bë mësim për mua, d.m.th. që asnjë gjë nuk duhet bërë pa pyetur partinë. Për këtë gabim unë nuk kam fjetur gjashtë ditë me radhë në Pekin, po ne shokë u gjendëm në një situatë të vështirë. Aty nuk ishte vetëm çështja e jugosllavëve që ne dinim të mbanim qëndrim të prerë, këtu ngrihej tërë politika e BS dhe kur më thanë që ambasadori sovjetik nuk do të vijë as në mbrëmje dhe as në aeroport, unë u trondita shumë.Mehmet Shehu: E pse të të trondiste mosardhja e ambasadorit?Liri Belishova: Pranoj që kam bërë gabim, nuk është rrugë e drejtë ajo që kam ndjekur dhe për sa i përket asaj që them se u këshillova edhe me Gogon (Nushin) për qëndrimin që mbajta, nuk dua të ndajë përgjegjësinë me të.Gogo Nushi: Unë ia kam thënë Byrosë Politike.Liri Belishova: Po të tërë po flisnin për sovjetikët, unë të bëja ndryshe. Nuk isha e zonja të mendoja ndryshe. Unë nuk u thashë atyre ditën e parë, por minutën e fundit, kur të nesërmen do të iknim, sepse hezitoja shumë.Mehmet Shehu: Të kishe bërë telegram kur hezitoje dhe të prisje përgjigje, ose të ishe kthyer përsëri dhe të mos niseshe pa e sqaruar me ne këtë çështje. Thuaje copë e bëra, se është gabim dhe copë. Liri Belishova: Çdo njeri ka të drejtë të shpjegojë edhe rrethanat kur i kërkohen sqarime dhe rrethanat këto ishin...Enver Hoxha: E kupton mirë çështjen pse nuk duhej thënë sovjetikëve?Liri Belishova: Se kështu nuk është rruga si duhej vepruar.Enver Hoxha: Kështu si bëre ti është si t’i hedhës benzinë zjarrit. Ne shokëve sovjetikë ua kemi thënë të tëra gjërat, po për çështje që janë tonat.Liri Belishova: Partinë e BS unë nuk e vë në një rang me partinë kineze. BS është koka jonë, prandaj edhe i thashë se çështja kishte të bënte me BS. Enver Hoxha: Nuk shtrohet çështja se me cilën parti ne jemi më afër me atë të BS, apo atë të Kinës. Ne na ka rritur dhe edukuar në këtë rrugë Partia Komuniste e BS, por kur ka njerëz që shkelin këtë rrugë marksiste-leniniste, ne jemi kurdoherë me PK të BS, po njerëz të tillë që e shkelin marksizëm-leninizmin ne nuk jemi dakord, kushdo qofshin ata. Prandaj këtu ka shkelje, ka gabime nga të dyja anët. Prandaj bezinë zjarrit nuk duhej hedhur.Liri Belishova: E drejtë është, përse të flisja unë për këtë çështje. Partia ka Byro Politike, ka sekretar të parë...Enver Hoxha: Ne këtu do të gjykojmë çështjen, edhe si gjykojnë kinezët edhe si gjykojnë sovjetikët dhe do të mbanim qëndrimin tonë të menduar mirë. Atij që ka të drejtë do t’i themi se jemi me të.Liri Belishova: Megjithatë, pas takimit me të ngarkuarin me punë të BS në Pekin ne takuam edhe shumë shokë të tjerë sovjetikë dhe askujt nuk i thamë asnjë gjysmë fjale për këto çështje...(vijon nesër)

neser do te lexoni
Qëndrimi i ashpër i Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë përballë Liri Belishovës në vijim të mbledhjes së KQ. Si e kujton pas 46 vitesh debatin e kësaj mbledhjeje Rrapo Dervishi, njëri prej protagonistëve të saj.
Çfarë kishin thënë kinezët për Hysni Kapon, qëndrimin dhe fjalën e tij në mbledhjen e Bukureshtit? Mbrojtja e Liri Belishovës rreth bisedave me sovjetikët, duke u shprehur se "ata ishin përfaqësuesit e PK të BS. Unë nuk mundesha të futesha në luftë me ta".
Pozicionimi i Enver Hoxhës në mosmarrëveshjet midis Partisë Komuniste të Kinës dhe asaj të BS: "Të mos trembemi aspak nga formulat, se Hrushovi përdor shumë formula për të gënjyer njerëzit. Ai mund të thotë, si nuk ju interesojnë juve shqiptarëve këto gjëra?"

Letra e Enver Hoxhës dërguar Liri Belishovës në Pekin“Nuk duhet t’ju rritet mendja nga lëvdatat që ju bëjnë sovjetikët”
Gjatë ditëve të qëndrimit të delegacionit shqiptar në vendet e Azisë, Enver Hoxha i dërgoi një letër Liri Belishovës, në të cilën i tregon shkurtimisht qëndrimin që duhet të mbajë në lidhje me mosmarrëveshjet që kishin lindur mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë faksimilen e saj. Ja çfarë shkruhet në të...
E dashura shoqe Liri, Sigurisht ju jeni shumë të lodhur për këtë punë të madhe. Kur të ktheheni do të na tregoni. Të shkruaj këtë letër të vogël për me pas kujdes, mos të prononcohesh për mosmarrëveshjet që ekzistojnë në mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, për arsye se Byroja Politike e jonë ka gjykuar se kështu si po zhvillohet ky konflikt nga të dy palët nuk është i rregullt dhe në rrugë të drejtë. Eshtë vendosur nga të gjitha partitë tona të kampit, që këto çështje të bisedohen në një mbledhje të afërt që do të caktohet më vonë. Kjo është rruga e drejtë dhe pra në këtë mbledhje do të shfaqim mendim. Kush të të pyesë, ti thuaji se këto mosmarrëveshje janë të dëmshme dhe të rrezikshme për çështjen tonë. Duhet të zgjidhen mes dy partive në rrugë marksiste-leniniste. Dhe tash që është vendosur të bëhet mbledhja e PK dhe Punëtore të kampit tonë atje do të zgjidhen një herë e mirë. Partia jonë do të mbajë si kurdoherë qëndrim parimor marksist-leninist. Në Moskë edhe në Bukuresht ku informohen nga ana e sovjetikëve, të gjithë njerëzit që kanë vajtur në kongresin rumun për mosmarrëveshjet që ata kanë me kinezët, figuron edhe ti e Gogo në radhët e atyre që keni informuar sovjetikët se çfarë ju kanë thënë kinezët. Informatat që ju keni dhënë, sigurisht u kanë ardhur mirë sovjetikëve dhe ju mburrin me të madhe duke e quajtur gjestin tuaj “heroik”, “parimor”, etj. të tilla. Natyrisht nuk duhet t’ju rritet mendja nga këto lëvdata. Byroja Politike mendon (që kur na dërgove letrën dhe informacionin) se si ti dhe Gogo keni bërë gabim të rëndë për sa i përket çështjes së informacionit. Nuk duhej informuar pa marrë aprovimin e qendrës. Dhe e dyta, për arsye se ndonjë gjë të re sovjetikëve nuk u thoshit. Ato s’ishin çështje të partisë sonë, e cila për çështjet e saj s’ka pasur dhe s’ka asnjë të fshehtë për Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Dhe e treta, si kundër që e di mendimin tonë që këto mosmarrëveshje ju vënë mes sovjetikëve dhe kinezëve, duhesh dhe duhet të zgjidhen në rrugë dhe në formë partie dhe jo vesh më vesh dhe me t’i thënë njëri-tjetrit. Jashtë rrugës së partisë për këto çështje, partia jonë nuk duhet të marrë pjesë. Prandaj të shkruaj këtë letër që të kesh kujdes. Për sa të shkruaj janë absolutisht vetëm për ty. Të fala dhe përqafime, Enveri23 qershor 1960

© 2003 Gazeta Panorama

e hënë, tetor 09, 2006

Zbardhet procesverbali i mbledhjes së byrosë në ‘60



Zbardhet procesverbali i mbledhjes së byrosë në ‘60

Enver Hoxha në ‘60: Liri Belishova shiti kinezët te Rusia



Afrim Imaj / Manjola Bregasi



Teksa lidershipi komunist projektonte në Tiranë strategjinë e divorcit me Partinë Komuniste të BS, që do të finalizohej në nëntorin e vitit 1960, një vizitë zyrtare e nivelit të lartë e udhëheqjes shqiptare në vendet ish-socialiste verën e këtij viti, do të bëhej prologu i zhvillimeve të bujshme, që do ta rreshtonin Shqipërinë përkrah vendeve që do të kundërshtonin politikën e Hrushovit dhe të partisë më të madhe të kampit socialist.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, ish-presidenti i vendit dhe Liri Belishova, ish-sekretare e KQ të PPSH-së, gjatë rrugëtimit nga Moska, Pekini, Shangai, për të vazhduar më tej në Kore, Vietnam, Mongoli dhe në disa vende të tjera të demokracive popullore të Azisë, do të bëhej dëshmitar i kontradiktave që kishin lindur rishtaz në gjirin e partive komuniste. Në fakt, një pjesë e këtyre mosmarrëveshjeve ishin konturuar në mbledhjen e partive punëtore e komuniste, që ishin mbajtur pak kohë më parë në Bukuresht, ku udhëheqja shqiptare, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Hysni Kapo, kishte bërë prezente qëndrimet për mjaft çështje që binin ndesh me politikën e Hrushovit dhe të Moskës. Në këtë mjedis ku ishin shfaqur krisjet e para, sidomos në marrëdhëniet midis Kinës dhe BS, liderët shqiptarë që vizituan së fundi vendet e demokracive popullore jo vetëm që nuk mundën të orientohen drejt, por, siç del nga zbardhja e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike, ku u analizua veprimtaria e këtij delegacioni, herë pas here do të binin në kurthin e situatave të papritura të ngritura nga homologët vendas, duke thënë deklarata të papërgjegjshme e herë-herë madje edhe qesharake. Inferioriteti politik dhe paaftësia për të argumentuar qëndrimet e udhëheqjes së Tiranës do të krijonte një situatë kaosi në qëndrimet e tyre gjatë takimeve zyrtare. Më shumë se kaq, njëanshmëria në trajtimin e mosmarrëveshjeve do t’i bënte drejtuesit e delegacionit shqiptar të hapeshin “pa doganë” përpara krerëve të Partisë Komuniste të BS, duke informuar tek ata për çdo gjë që kishin mësuar gjatë takimeve me drejtuesit kinezë, të cilët kishin filluar tashmë t’i shprehnin haptaz mosmarrëveshjet dhe vërejtjet e tyre për Partinë Komuniste më të madhe. Liri Belishova, që përfaqësonte në delegacion udhëheqjen e Partisë, në këtë qëndrim nuk do të merrte parasysh as këshillat që i kishte çuar ato ditë nga Tirana Enver Hoxha. Njëherazi me kthimin e delegacionit zyrtar nga vizita në vendet e demokracive popullore, Byroja Politike, që e kishte ndjekur me shumë vëmendje veprimtarinë e tij, bëri një mbledhje urgjente, ku dëgjoi një raport të zgjeruar të përgatitur nga Liri Belishova për problemet që dolën gjatë takimeve me krerët e partive komuniste të vendeve të demokracive popullore. Eshtë një nga mbledhjet me dialogë të ashpër midis krerëve komunistë dhe përfaqësuesve të delegacionit, që siç u konkludua në fund, kishte deformuar vijën e partisë, duke çuar te drejtuesit sovjetikë problemet e ngritura nga udhëheqësit kinezë dhe duke shkelur mjaft nga parimet e lëvizjes marksiste-leniniste.Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë procesverbalin e kësaj mbledhjeje dhe për herë të parë bën të njohur për opinionin publik debatet e zhvilluara në të, ku u kristalizua profili i një grupi antiparti, siç do të cilësohej më vonë, i kryesuar nga Liri Belishova, e cila “kishte shitur interesat e partisë dhe çështjen e rëndësishme të marksizëm-leninizmit gjatë takimeve me kolegët e vendeve socialiste”. Njohja e drejtuesve sovjetikë me qëndrimet dhe vërejtjet e udhëheqësve kinezë për ta u vlerësua një gabim i rëndë i Liri Belishovës, duke u thelluar madje më tej në “prapavijën” e këtij gabimi.Po si rrodhi më tej debati në Byronë Politike? Si u përpoqën të shfajësohen anëtarët e tjerë të delegacionit, duke ia faturuar këtë vetëm Belishovës? Cili ishte qëndrimi i Enverit ndaj justifikimeve të Lirisë? Pse u shty diskutimi për në plenumin që do të bëhej enkas për këto probleme? Si procedoi pas kësaj udhëheqja e lartë e partisë ndaj liderëve që kishin shkelur “vijën marksiste-leniniste” gjatë takimeve me krerët komunistë të vendeve të demokracive popullore?
PROCESVERBALI mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH të datës 7.7.1960Rendi i ditës1.Raport i shokut Hysni Kapo mbi punën e delegacionit të PPSH që mori pjesë në mbledhjen e partive punëtore e komuniste të Bukureshtit.2.Raport i shoqes Liri Belishova mbi udhëtimin e delegacionit të Kuvendit Popullor të RPSH në vendet e demokracive popullore të Azisë.3.Mbi qëndrimin e ambasadorit sovjetik, Zamçevski dhe ambasadorit bullgar, Atanasov, në Semska Mitrovica e Serbisë, në një miting të mbajtur nga revizionisti i regjur, Aleksandër Rankoviç.4.Informacion i shokut Enver Hoxha, mbi incidentet e ndodhura në ambasadën e Republikës Popullore të Shqipërisë në Varshavë.5.Mbi problemin e bukës.Në këtë mbledhje mungojnë shokët: Rita Marko, që ndodhet me pushime dhe shoku Manush Myftiu, që ndodhet në Çekosllovaki.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi sekretari i parë i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha Raport i shoqes, Liri Belishova, mbi udhëtimin e delegacionit të Kuvendit Popullor të RPSH në vendet e demokracive popullore të Azisë.Në raportin që mbajti Liri Belishova në Byronë Politike në datën 7 korrik 1960, informoi me detaje për veprimtarinë e delegacionit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga presidenti Haxhi Lleshi në vendet e demokracive popullore të Azisë. Pas konsideratave shumë të mira nga pritjet në Kinë, Vietnam, Kore dhe Mongoli, gjatë raportit të Liri Belishovës përmenden edhe mbresat nga takimet në kthim me udhëheqësit sovjetikë...“Me siguri është për t’u theksuar se në Kinë, Vietnam dhe Mongoli shokët i drejtoheshin Haxhiut (Lleshit) dhe mua me fjalët “I dashuri shoku Haxhi, e dashura shoqja Liri Belishova, vizita juaj ka rëndësi të madhe” dhe vazhdonin të na vinin të dyve në krye të tavolinave. Kurse në Kore nuk vepruan kështu. Kudo edhe atje mua më vunë në krye, po në fjalimet nuk ma përmendën fare emrin...Haxhiu në përgjithësi ka punuar mirë, po nuk i jepet fare. Përveç kësaj na bëri edhe ca gjëra jo të mira. P.sh. kur bisedonim ne me Breshnjevin, të gjithë më drejtoheshin mua. I pari foli Breshnjevi, pastaj Haxhiu, foli mirë, pa letër. Mirëpo pastaj tha se partia jonë ka luftuar kundër revizionizmit, jo se ne jemi më të mençur se ju, por se e mbrojmë më me konseguencë marksizëm-leninizmin...Natyrisht atyre u erdhi shumë rëndë nga një gjë e tillë. Kjo më detyroi të ndërhyja unë dhe t’u them se përkthyesi ynë përkthen mirë, por nganjëherë edhe gabon, fillova ta ndreq atë që tha Haxhiu dhe të them se ne revizionizmin e luftojmë se ata na kanë bërë 500 poshtërsira. Pastaj Haxhiu i tha Firjubinit që ty të kanë dekoruar jugosllavët, prandaj edhe kjo m’u duk e pamatur nga ana e Haxhiut...Mehmet Shehu: Këtë e ke bërë mirë që e ke thënë. Liri Belishova: Në Vietnam, Haxhiu u tha shokëve vietnamezë se ne as marrëdhënie shtetërore nuk kemi me jugosllavët. Shokët vietnamezë nuk e dinin mirë këtë çështje. Kjo më bëri t’i them Haxhiut që të bënte kujdes kur fliste se keqinterpretohen gjërat...Haxhiu bëri edhe një gjë tjetër që nuk më pëlqeu. Në një darkë kur kinezët na thanë se ju nuk u kanë çliruar sovjetikët, po kanë qenë faktorët e brendshëm që kanë ndihmuar për çlirimin tuaj dhe këta faktorë kanë shumë rëndësi thanë ata. Unë ndërhyra menjëherë dhe thashë se është e vërtetë që nuk ka qenë ushtria sovjetike në vendin tonë, po ne çmojmë se pa Bashkimin Sovjetik Shqipëria nuk mund të çlirohej, pa këtë ndihmë as sot vendi ynë nuk mund të ndërtonte socializmin...Në vajtje, duke kaluar në Moskë, shokët sovjetikë nuk më thanë asnjë fjalë, folën vetëm për miqësinë midis dy vendeve tona.(është fjala për divergjencat midis kinës dhe Bashkimit Sovjetik që sa kishin filluar të shpalleshin)...Në bisedime me shokët kinezë u tregova shumë vigjilente. Megjithatë, Liu Shiao Ciu bëri aludime të hapura për këto çështje, disa herë më tha mua se të dyja partitë tona janë unanime për të gjitha çështjet. Unë ju përgjigja se në përgjithësi janë dakord të dyja partitë tona, se miqësia jonë është e pathyeshme, me Bashkimin Sovjetik në krye etj. Mirëpo Liu Shiao Ciu disa herë m’u drejtua direkt mua, duke më thënë se Shqipërinë ju e keni çliruar vetë, po unë ju përgjigja se pa Bashkimin Sovjetik ne nuk mund të kemi jetë(!)...Një herë Liu Shiao Ciu më tha se ne e përkrahim politikën e drejtë të jashtme të Bashkimit Sovjetik, po politikën e padrejtë të Bashkimit Sovjetik, ju e përkrahni, më tha pastaj, do ta mbështesni? Unë i thashë se ne as e mendojmë që Bashkimi Sovjetik të ketë një politikë jo të drejtë, po ai vazhdoi të thoshte ato që kishte për të thënë.Tani të shohim çështjen pse ua thamë këto zyrtarëve sovjetikë në Pekin.Me siguri që bëmë gabim që ua thamë pa pyetur partinë tonë...Shkaku i parë i këtij gabimi është se unë u trondita kur mora vesh gjithë këto gjëra që po diskutoheshin në sindikata, këtu ishte çështja e Bashkimit Sovjetik prandaj u trondita shumë.Pastaj mua më tronditi edhe taktika e shokëve kinezë, e cila më duket se është e dënueshme...Unë nuk dija çfarë kishte thënë në dolli Hrushovi në shkurt, po nuk është e drejtë që pasi gaboi ai të gaboj edhe unë.Më bëri përshtypje që këto gjëra të mëdha të partive tona të shtoheshin në sy të jugosllavëve...Këtë taktikë unë e quajta të dënueshme. Pastaj pse të mos më thërrisnin vetëm mua shokët kinezë, po m’i thanë gjithë këto gjëra në sy të 20 përkthyesve të Haxhi Lleshit, të Lefter Gogës dhe Vasil Nathanailit dhe të tjerëve.Kur u takova me drejtorin e propagandës të Partisë Komuniste kineze, ai më foli kundra gjithë eksperiencës sovjetike. Ai fliste haptazi se sovjetikët janë dogmatikë...Tani pse u thashë sovjetikëve unë?Kinezët mosmarrëveshjet me rusët i shtruan edhe në mbrëmjen që bënë me shefat komunistë të delegacioneve të sindikatave. Veç kësaj, kur delegacioni shqiptar hyri në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, u pa nga të gjithë, atje kishte edhe shumë përkthenjës. Prandaj mendova që shokët sovjetik që ndodhen në Kinë do ta kenë marrë vesh patjetër vajtjen tonë në K.Q. të Partisë Komuniste kineze. Të gjithë po i informojnë sovjetikët, mendova unë, vetëm unë nuk i kam informuar, prandaj po të mos ua them do t’u bëjë përshtypje dhe do të kujtojnë se ne jemi dakord me kinezët.Para se të bëja këtë hap, bisedova edhe me Gogon (Nushin), sado që e mora vet përgjegjësinë për këtë çështje dhe Gogo ishte dakord...Këshilltari i ambasadës sovjetike na tha se nuk i dinin këto gjëra se kinezët nuk ua kishin shtruar...Gogo Nushi: Në bisedime ti the se ishte parashikuar edhe komunikatë,po atë e lëmë.Liri Belishova: Mundet, po ne biseduam për komunikatën. Për atë që thuhet se Liria ka qënë në mbledhjen e Byrosë Politike kur është folur për bisedimet që ka bërë shoku Enver me Mikojanin, unë nuk di që në mbledhjen e Byrosë Politike të jenë shtruar këto probleme.Haki Toska: Në byronë politike është thënë që në Bashkim Sovjetik na kanë thënë se ekzistojnë mosmarrëveshje midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës...Liri Belishova: Në takimin me Mao Ce Dunin, ai nuk na foli për asgjë nga këto mosmarrëveshje që na vunë në dukje shokët e tjerë kinezë...Pastaj tha, ne nuk na pranojnë në OKB, amerikanët na i mbajnë Tajvanin etj., dhe na foli edhe për ndihmën e Bashkimit Sovjetik...Gjatë takimit me sekretarin e parë të Partisë së Shangait ai më tha që të gjithë jemi të interesuar që uniteti i kampit tonë të mos dëmtohet në luftën kundër imperializmit. I thoni partisë tuaj, më tha ai, se ne nuk ndahemi kurrë nga Bashkimi Sovjetik. Nga 10 gishtat që kemi 9 na bashkojnë me Bashkimin Sovjetik, vetëm një kemi kundër, po ky që kemi përmban probleme shumë të mëdha e serioze. Prandaj është e domosdoshme që ato t’i diskutojmë..Harrova t’ju them, në fund, kur shtruam darkën nga ana jonë, unë i thashë Liu Shiao Ciut se situata është shumë e rëndë, po ju mos e interpretoni qëndrimin tim se unë nuk jam e autorizuar për bisedime...Të më besoni, i thashë, jam shumë e preokupuar për këtë gjendje që është duke u krijuar dhe që ka të bëjë me unitetin midis vendeve tona. Ke të drejtë më tha ai, po nuk jemi ne që i kemi bërë këto gjëra. Në mbledhjen e shkurtit që u bë për problemin e bujqësisë, ishte Hrushovi që ngriti një dolli, kur bëri aluzion kundër partisë sonë.Enver Hoxha: Dhe Mikojani bisedonte vesh më vesh.Liri Belishova: Këtë unë nuk e di, po kjo rrugë them se nuk është e drejtë. Kështu i thashë unë...Sa erdhëm në Moskë, na priti Posjellovi... Tani, si shkoi darka te Breshnjevi. Atje ishte edhe Rrapo. Unë mbaj mend çfarë u tha, vetëm në radhitje mund të gaboj.Mehmet Shehu: Rëndësi ka çfarë u bisedua, jo radhitja.Liri Belishova: Në fillim foli Breshnjevi. Pas tij foli Haxhiu. Disa herë u ngrit dhe foli Kozllovi. Ai tha se gjendja ndërkombëtare është mjaft e ndërlikuar. Pastaj foli për kinezët, tha se pikëpamjet e tyre dhe rruga që ndjekin ata është jashtëzakonisht e gabuar dhe i ra me grusht tavolinës. Të shtrohen këto gjëra prapa kurrizit të partisë tonë, të bisedohet me delegacione të partive të tjera nuk është aspak e mirë, po neve të gjithë erdhën dhe na thanë...Çështja kryesore është ajo e luftës dhe e paqes, raporti i forcave në botë ka ndryshuar shumë, tha ai, po këtë shokët kinezë nuk e çmojnë. Megjithatë rreziku i luftës mbetet. Askush nuk thotë se imperialistët nuk janë grabitqarë, po sot ekziston edhe mundësia e evitimit të luftërave, megjithëse luftë mund të ketë. Lenini ka thënë, vijoi Kozllovi, se ekziston marksizmi krijonjës, po ekziston edhe dogmatizmi dhe Stalini ka qenë për marksizmin krijonjës. Forcat tona janë shumë të mëdha dhe kjo i frenon imperialistët, prandaj sot ekziston mundësia e evitimit të luftërave, po jo se ka ndryshuar natyra e imperializmit. Shokët kinezë janë për një politikë të ashpër që të çon në luftëra... Një luftë tani do të bënte të shkatërroheshin qendrat kryesore të qytetërimit, Parisi, Londra, Moska...Mehmet Shehu: Nuk është kështu. Mao ka thënë se ne nuk jemi për luftë se ajo ka pasoja të tmerrshme, po në rast se e shpërthejnë imperialistët nuk do të vriteshin të tërë, por gjysma e popullsisë...Liri Belishova: Lufta do të bënte të shkatërroheshin Parisi, Londra, Nju Jorku. Shqipëria vetëm një bombë donte, tha ai... Kinezët thanë për ne se nuk jemi vigjilentë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi shumë të fortë...Vetëm me një raketë mund ta bëjmë hi Nju Jorkun dhe Uashingtonin...Janë kinezët ata që nuk janë vigjilentë, se furnizimin e ushtrisë e kanë vënë në vend të 8 dhe të 10. Janë ata që thonë se imperializmi është një “tigër prej letre”...Enver Hoxha: Duke thënë këtë do të thotë se ata nuk e nënvleftësojnë aspak forcën e kampit socialist.Liri Belishova: Pastaj fjalën e solli për mbledhjen e Bukureshtit se ajo u zhvillua në një nivel jashtëzakonisht të mirë, se të gjithë ishin solidarizuar me BS dhe dënuan qëndrimin e mbajtur nga shokët kinezë. Atje, tha ai, folën shumë mirë Gomulka, Kadari, Ulbrihti etj. Po ne nuk na pëlqeu qëndrimi i përfaqësuesit të partisë tuaj, ai kishte thënë se këto janë çështje që kanë lindur në mes dy partive, prandaj në këtë rrugë duhet të zgjidhen. Kjo nuk është e drejtë, këto janë çështje të marksizëm-leninizmit, të deklaratës së Moskës, të vijës që ndjekin të gjitha partitë e tjera, prandaj këto çështje të rëndësishme nuk mund të zgjidhen vetëm midis dy partive...Unë e mbaj mend shumë mirë fjalën e shokut Enver në Moskë kur ka thënë se populli shqiptar është 201 milionë bashkë me Bashkimin Sovjetik. (këtë gjë ai e tha përsëri në një rast tjetër). Po sidoqoftë, kjo është puna juaj të jeni 201, apo 601 milionë. Këtë unë bëra sikur nuk e dëgjova.vijon nesër

“Haxhi Lleshit, veç fjalimeve, duhej t’i përgatisja edhe dollitë”
“Ajo ishte një situatë kritike dhe në çdo rast duhej të ballafaqoheshim me të papritura që vinin në diskutim gjëra parimore”. Ndërkohë që Liri Belishova shpjegohet përpara kolegëve se duhej të ishte edhe ndonjë shok tjetër me nivel të lartë politik në përbërje të delegacionit, ajo vë në dukje se prania e Haxhi Lleshit mjaft herë e ka vënë në vështirësi. “Veç fjalimeve, shton ajo, atij duhej t’i përgatisja edhe dollitë gjatë darkave zyrtare”. Qëndrimi i Haxhi Lleshit gjatë takimit me Breshnjevin dhe shkëmbimi i mendimeve për luftën kundër revizionizmit, sipas Belishovës, krijoi një situatë delikate. Një ngjarje pa precedent ishte sidomos reagimi i papritur i Haxhi Lleshit ndaj Firjubinit, të cilit i vuri në dukje faktin që atë e kishin dekoruar jugosllavët(!) Gjithësesi, sipas saj, në delegacionin e Kuvendit Popullor në vendet aziatike, në asnjë rast nuk ndodhi të cenohej vija e PPSH-së. Ndërkaq, duke iu rikthyer tani pas katër dekadash kësaj ngjarjeje, Liri Belishova dyshon edhe për vërtetësinë e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike, pasi siç thotë ajo, në mbledhje mbante shënime Haxhi Kroi dhe i zbardhte ato më vonë, sipas shijes së Enverit.


neser do te lexoni
Cila ishte përmbajtja e letrës sekrete që Enver Hoxha i dërgoi Liri Belishovës gjatë kohës që ishte në Pekin dhe pse hezitoi t’i përmbahej asaj
Misteri i deklaratës së papritur të drejtuesve sovjetikë: “Shqiptarët do të jenë pjesë e komunitetit me 201, apo me 601 milionë banorë?!” (me BS apo me Kinën)
Reagimet e Haxhi Lleshit dhe konstatimi i Belishovës, se në mjaft nga ndërhyrjet e tij u vu re paqartësi dhe mungesë e pjekurisë politike. Ndërhyrjet e ashpra të Mehmet Shehut për “shkelje të parimeve”