e hënë, janar 15, 2007

Debati në Byro: Na akuzojnë se shkojmë edhe në tualet me “Benz”



Debati në Byro: Na akuzojnë se shkojmë edhe në tualet me “Benz”


Afrim Imaj

E ndërsa mbyllej debati për kushtet e vëna nga opozita për zhvillimin e zgjedhjeve të para parlamentare, Ramiz Alia kërkon të vërë në vëmendje të kolegëve edhe një çështje tjetër: alergjinë e masave për privilegjet e drejtuesve të lartë të partisë e të shtetit.
Qysh me fillimet e tij, shtypi i kundërshtarëve politikë ka sensibilizuar opinionin me parajsën në të cilën jetonin shtetarët e lartë, duke vënë në shënjestër të tij Bllokun dhe bllokmenët. Tashmë gjendja ka dalë haptaz. Ndërkohë që populli ka përjetuar varfëri të tejskajshme, madje deri në kufijtë e mbijetesës, aristokracia komuniste ka bërë jetesë përrallore. “Na akuzojnë se edhe në tualet shkojmë me “Benz”-at e shtetit”. Me këtë deklaratë mbledhja arrin në një pikë kulminante. Nuk është e rastit që kreu i PPSH u përmend drejtuesve të lartë “Benz”-at me të cilët ata kanë mbërritur deri në sallën e KQ, vetëm pak metra larg nga banesat e tyre. Pa i lënë të shfajësohen, Alia vazhdon gjykimin e tij: “Kur dolëm mbrëmë nga mbledhja te porta ishin pesë “Benz”-a. Na u lodhën këmbët të vijmë nga shtëpia këtu në këmbë? Kështu dje, kështu sot: Pesë makina, pesë oficerë! Akoma kërkojmë të na e hapë derën e makinës oficeri, akoma presim të na e veshë pallton sekretarja”.Ka mjaftuar kjo që byroistët të zgjaten më tej me mundësinë se si mund të largohen një herë e mirë nga bota e privilegjeve të pamerituara. Po ajo që dëshmojnë hera-herës tingëllon qesharake. Njëri prej tyre e quan veten të qetë nga kjo akuzë, pasi e ka ndërruar “Benz”-in e ministrit me një Gaz(!). Një pjesë tjetër e anëtarëve të Byrosë mendojnë se shpëtojnë nga ky imazh i shëmtuar që është krijuar për ta, duke hequr punonjëset e shërbimit nga banesat e tyre. Ka ndër ta që mendojnë se privilegjet e Bllokut duhet të vazhdojnë t’i gëzojnë familjarët e Enver Hoxhës dhe Haxhi Lleshit. Po si vazhdoi më tej dialogu për këtë çështje të mprehtë? Çfarë vendosën anëtarët e Byrosë Politike për të reflektuar në aspektin e përfitimeve të pamerituara...PALI MISKA: Në fshat kemi 65 për qind të popullsisë.RAMIZ ALIA: Ashtu është, por në Velipojë e në gjithë zonën kufitare njerëzit bëhen gati për të ikur jashtë.HEKURAN ISAI: Me grupe bile.PALI MISKA: Nuk përjashtohet që edhe ikin.RAMIZ ALIA: Në zonën kufitare kjo është një gjë reale. Ja, duke biseduar dje me berberin që më qeth mua, i cili është minoritar e pyeta: “Të ka ikur njeri ty Llambi jashtë?” - Më iku, tha, djali i nipit. - Sa kanë ikur nga fshati juaj?, e pyeta përsëri. - 23 djem, tha, të tërë të rinj.Unë do të thosha që edhe ata 5 mijë veta që u futën në ambasada më 2 korrik erdhën në Tiranë nga të tëra rrethet. Pra çështja është që rinia nuk ka atë lidhje të ngushtë që kishte me Partinë. Eshtë larguar për shumë arsye. Në radhë të parë për arsye ekonomike, por edhe për arsye të dobësimit të punës së Partisë. Jo vetëm rinia, por mund të themi pa frikë që edhe inteligjenca krijuese është shkëputur nga Partia, pavarësisht se ndonjëri e ka teserën e Partisë, pavarësisht se ai është njeri i mirë dhe thotë se jam gati të vdes për Partinë, por në fakt ai që ka objeksionet e veta për vijën e Partisë, thotë të rishikohet vija e saj, të shikohet kjo dhe ajo çështje.PALI MISKA: Inteligjencia e prodhimit është më ndryshe.RAMIZ ALIA: Inteligjencia e prodhimit sigurisht është më ndryshe. Unë mendoj që kjo kategori inteligjencie nuk është si inteligjenca krijuese. Por edhe aty, për mendimin tim, ka probleme, që janë mjaft serioze.XHELIL GJONI: Inteligjencia teknike është shumë më agresive nga ajo krijuese.RAMIZ ALIA: Mundet. Me inteligjencën në përgjithësi, Partia ka probleme. Le të marrim administratat. Për mendimin tim qoftë administratat e Partisë, qoftë të shtetit janë burokratizuar, në aparatet e Partisë dhe të pushtetit ka njerëz të vjetër, të cilëve u ka rënë vlera, sepse flasin, premtojnë po nuk zgjidhin gjë, qofshin këta instruktorë të Partisë, apo funksionarë të aparateve shtetërore për arsye të vështirësive ekonomike, po edhe për arsye burokratike, se përtojnë, ka hatëre etj. Për veten e tyre janë rregulluar të tërë. Ky është një realitet, të mos kemi frikë ta themi. Nëpër komitetet ekzekutive nuk ka punonjës që kërkon punë ose të drejtë studimi për fëmijët e tij, se i kanë rregulluar. Kush del jashtë shtetit? Kush shkon me bursë jashtë shtetit? Merreni listën dhe shikojeni.XHELIL GJONI: Dhe mllefi më i madh i gjithë inteligjencies dhe rinisë është ndaj kësaj kategorie inteligjencie.ADIL ÇARÇANI: Dhe vetë inteligjencia është implikuar në këto gjëra.RAMIZ ALIA: Mua më shqetëson raporti që ekziston midis këtyre kuadrove dhe masave, shkëputja e Partisë nga masat, pasi të jemi realistë, këta njerëz masa nuk i sheh dot. Më erdhi një ditë një njeri i njohur e më tha “Shoku Ramiz, na bën përshtypje kur shikojmë fëmijët e anëtarëve të Komitetit Qendror që janë jashtë shtetit, nëpër ambasada ka njerëz të lidhur me krushqi dhe miqësi me anëtarët e udhëheqjes së Partisë, po kështu me tregtinë e jashtme, në turizëm etj”. E kam fjalën që kjo kategori kuadrosh që kemi nëpër aparate janë shkëputur nga masat, këto janë bërë alergjikë ndaj këtyre njerëzve, të cilët nuk gëzojnë simpatinë e tyre. Nuk them se janë të tërë kështu, po ky fenomen ekziston.Aparatet që kemi ne, qofshin partiake ose shtetërore, i kanë këputur lidhjet me masat. Pse vijnë njerëzit të ankohen në Komitetin Qendror dhe në Këshillin e Ministrave? Sepse komitetete Partisë dhe ato ekzekutive të rretheve nuk u dalin zot problemeve, nuk duan të përplasen me masat, nuk mbajnë lidhje me to. Jo rrallë u thonë njerëzve: “Nuk ta zgjidh dot hallin, shko ku të duash, deri lart”.Veprim partie është ky? Nuk mund të them që kjo është një parti efektive, që mendimi i saj ka lëvizur. Prandaj mua më duket se ajo ka nevojë për një rinovim, qoftë në aspektin politik e ideologjik, ashtu edhe në atë organizativ. Po kjo nuk është aq e lehtë, kështu që dhe përgatitja e kongresit është një gjë shumë e vështirë.NIKO GJYZARI: Sidomos nga ana ideologjike.RAMIZ ALIA: Nga të gjitha anët. Problemi është si do të vendosësh kontaktet që ke humbur me atë pjesë të inteligjencies kulturore dhe krijuese të rinisë, e cila është shkëputur nga ne, si do ta tërheqësh.SPIRO DEDE: Me një ideologji që do të dalë nga analiza e kushteve konkrete, e realiteteve dhe e zhvillimeve të reja, me këto subjekte që janë deri tani.XHELIL GJONI: Me këto subjekte do ta quaja më të lehtë bashkimin sesa me subjektin shtetëror. Pse? Se Partia tani do të vijë duke i lëshuar funksionet që ka, pavarësisht nëse i ka mbajtur apo jo me të drejtë. Do të vijë koha që vetë Partia do të dalë në opozitë me aparatin shtetëror, pasi do të mbrojë interesat e saj, sepse ligji është, po administrata prapë do të ketë burokraci, mungesa.SPIRO DEDE: Po nuk duhet ndërtuar më administrata kështu siç e kemi pasur deri më tani.XHELIL GJONI: Mirë, po ka subjektivizëm Spiro, dhe në krijimin e tyre.ABDYL BACKA: Nuk është se të tëra banesat, të tëra bursat etj., ndahen me hatëre.RAMIZ ALIA: Nuk është e vërtetë që të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror i kanë dërguar fëmijët e tyre jashtë shtetit, por edhe sikur 10 veta t’i kenë dërguar, njerëzit flasin.NIKO GJYZARI: Po mirë, shoku Ramiz, në qoftë se janë djem që e meritojnë, përse duhet të ketë alergji dhe të thuhet që nuk duhet të vejë djali i filanit?RAMIZ ALIA: Se ka dhe nga ata që s’e meritojnë.NIKO GJYZARI: Të zgjedhim ata që e meritojnë.RAMIZ ALIA: Pse e ngriti në plenum Marash Hajati për djalin e Sofos? Sepse ka vajtur jashtë për 5 vjet. Në qoftë se vajti, të kthehet pas 1 viti, jo të qëndrojë 5 vjet. Realiteti është që nuk është kthyer pas një viti. Pse është zgjatur afati? Pikërisht se është djali i Sofos. Unë nuk mbroj Marash Hajatin, po në këtë rast ai ka të drejtë.SPIRO DEDE: Ndaj këtyre gjërave duhet të jemi të prerë dhe t’i zgjidhim.RAMIZ ALIA: Pikërisht ky është problemi, kush ta zgjidhë, sepse këtu futen lidhjet fisnore, miqësore etj.NIKO GJYZARI: Të vejë ai që e fiton me konkurs.PALI MISKA: Edhe kriteret i kemi caktuar, por çështja është që nuk duhet të venë ata që nuk e meritojnë.RAMIZ ALIA: Unë nuk flas për individë, nëse e meritonte, apo s’e meritonte filani që vajti jashtë, por flas në përgjithësi për çështjen e lidhjes së Partisë me masat, të shkëputjes së saj nga masat dhe këtu ka një mori faktorësh.XHELIL GJONI: Një drejtor që s’u del për zot kërkesave të drejta të punëtorëve të tij, ka mbaruar si drejtor.PALI MISKA: Unë kam qenë drejtor vetë, po u dilja zot halleve që kishin punëtorët dhe familjet e tyre.RAMIZ ALIA: Ja thashë mbrëmë dhe Adilit që, kur dolëm nga mbledhja, 5 makina “Benz” ndodheshin para Komitetit Qendror. Përse? Që t’u tregojmë të tjerëve që kemi “Benz”-a, apo që u mblodhëm?Na lodhen këmbët që të vijmë prej shtëpive këtu në këmbë? Kështu dje, kështu sot, 5 makina, 5 oficerë. Nuk ka rëndësi se të kujt ishin, por nuk bën përshtypje të mirë. Kjo është mendjemadhësi, se duam që të na i hapë derën e makinës oficeri dhe ne të dalim.PALI MISKA: Unë shkoj me “Gaz” në zyrë.RAMIZ ALIA: Mund të shkosh me se të duash, po unë e kam hallin se është bërë mentalitet.LLAMBI GEGPRIFTI: Le t’i heqim të gjithë makinat, veç jush dhe shokut Adil.RAMIZ ALIA: Nuk shtrohet problemi hiq këtë e hiq atë, por duhet ta kuptojmë se ç’opinion krijojnë këto gjëra.Kur vajta mbrëmë në shtëpi, i gjeta fëmijët të revoltuar. Pse kështu mor baba, më thanë, gruaja e Enver Hoxhës, ish-komandant i Përgjithshëm i Luftës Nacional Çlirimtare dhe ish-udhëheqës i Partisë sonë për 45 vjet, tani në moshën 70-vjeçare shkon e blen në pazar qumështin dhe detyrohet të bëjë gjellën, të marrë fshesën e të fshijë shtëpinë vetë, se asnjë njeri nuk i kemi lënë në shtëpi?PALI MISKA: Më mirë të na i heqin neve punonjësen e shërbimit, sesa asaj. Ky është ekstrem.LLAMBI GEGPRIFTI: Duhet të rregullohet.HEKURAN ISAI: Po të gjithë i kemi hequr.RAMIZ ALIA: Ose po marr problemin tjetër: Haxhi Lleshi që ka qenë President i Republikës duhet trajtuar si ish-president.LLAMBI GEGPRIFTI: Kështu e ka gjithë bota.RAMIZ ALIA: E ka gjithë bota, kurse ne nuk e kemi. Ne ia kemi hequr të tëra. Unë jam dakord t’u hiqen të tërë shokëve, po Haxhi Lleshi është ish-President i Republikës, është nderi i vendit.Në duhet ta përgatisim Partinë që të lidhet me inteligjencien, me rininë, me klasën punëtore, t’i forcojë këto lidhje, në qoftë se kanë filluar të dobësohen.XHELIL GJONI: Disa lidhje duhet riformuar, disa duhen forcuar, disa duhen restauruar. Ja unë po i shtroj këto çështje, po më thoni: cili nga shokët e Komitetit Qendror që kemi i shkon mendja për këto punë?XHELIL GJONI: Aparati duket i paralizuar edhe nga poshtë.RAMIZ ALIA: Unë po them për Komitetin Qendror, jo për aparatin.KIÇO MUSTAQI: Jo, jo nuk e mendon njeri. Kur ne këtu i kemi sytë dhe veshët te ju, lëre të tjerët.RAMIZ ALIA: Prandaj thashë a jemi në gjendje ta përgatisim këtë kongres.NIKO GJYZARI: Po ato komisionet që krijuam, shoku Ramiz, për programin e Partisë dhe statusin e saj, nuk do të punojnë për përgatitjen e kongresit?XHELIL GJONI: Ato komisione do të ulen të punojnë, po puna është që a e njohim ashtu si duhet Partinë poshtë?RAMIZ ALIA: Ja këtu është problemi.(Deri këtu vazhdon incizimi).

Alia: Populli ka krijuar alergji për udhëheqjenMarash Hajati: Fëmijët e anëtarëve të KQ bredhin jashtë shtetit
“Privilegjet kanë ngjallur alergji te masa e qytetarëve. Akuzat për to po e shkatërrojnë fare Partinë. Duhet vlerësuar drejt kjo. Përfitimet e tepruara, miqësitë, tarafet, salltanetet e shumta kanë krijuar një imazh të shëmtuar për shokët e udhëheqjes”. Këtë e nënvizoi me shqetësim Ramiz Alia në përfundim të punimeve të mbledhjes së Byrosë Politike, duke veçuar për kolegët mjaft nga informacionet e mbledhura në rrugë zyrtare, ku për raste të ndryshme populli kishte filluar të ironizonte pashallarët e socializmit. Për kreun e komunistëve kjo dukuri ishte më shumë se mendjemadhësi, një qëndrim antinjerëzor, sidomos në kushtet e vështira ku jetonin qytetarët e thjeshtë.Në vijim të këtij argumenti, Alia gjen rast të sjellë në vëmendje të kolegëve të tij, një shembull që ka dëshmuar Marrash Hajati në mbledhjen e fundit të plenumit të Partisë. Publicisti i njohur, Hajati, ka denoncuar hapur faktin që pjesa më e madhe e fëmijëve dhe familjarëve të tjerë të anëtarëve të KQ bredhin jashtë shtetit me lekët e shqiptarëve. Ndërkaq, për të është vlerësuar e palejueshme që nga kjo kategori përfitohen bursa për në universitetet perëndimore, madje atje vazhdojnë të qëndrojnë edhe mbi pesë vjet pas përfundimit të afateve të tyre.Megjithëse byroistët duket se ndajnë të njëjtin shqetësim me liderin e tyre, e kanë të vështirë të bashkohen në qëndrimin për t’u prerë rrugën menjëherë këtyre përfitimeve të paligjshme. Në përfundim të kësaj retorike, Alia mbetet gati i vetëm në vështrimin kritik ndaj kësaj dukurie, të paktën për aq sa shfaqet: Duhet të jemi të prerë për këto gjëra, pa përfillur më tej për lidhjet fisnore e miqësore...!