e diel, janar 07, 2007

Zgjedhjet parlamentare `91`




Debatet në mbledhjen e Byrosë Politike të janarit ‘91

Dokumenti: Opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve me çdo kusht


Afrim Imaj
“Në qoftë se nuk shtyhet data e zgjedhjeve, së paku tre muaj, opozita ka vendosur t’i bojkotojë ato, madje ka deklaruar se do t’i bëjë thirrje popullit të mos dalë në votime”.
Ky ka qenë shqetësimi, që ish-presidenti Ramiz Alia, ka hedhur për diskutim në mbledhjen e forumit më të lartë të Partisë së Punës, pas një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të themeluar në vend pas vendosjes së pluralizmit politik. Ndërkohë që ishte dekretuar data e zgjedhjeve të para parlamentare dhe pritej që procesi të ecte normalisht në fillimet e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, nga opozita antikomuniste e krijuar rishtaz vjen reagimi energjik, që kërkon krijimin e kushteve për një konkurrencë të barabartë midis subjekteve elektorale dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kërkesa është ultimative dhe presioni i jashtëzakonshëm. Pikë risht për të shqyrtuar këtë situatë, u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme e udhëheqjes së lartë komuniste, që zgjati dy ditë me radhë (më 9 dhe 10 janar 1991). Po çfarë u diskutua në të? Gazeta “Panorama” ka siguruar dokumentin e procesverbalit të mbledhjes së Byrosë Politike dhe do të bëjë të mudur zbardhjen për herë të parë të debatit maratonë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri. Si e vlerësonte lidershipi komunist, që vazhdonte të mbante kontrollin e gjithë jetës së vendit, kërkesën e opozitës për krijimin e kushteve të barabarta për konkurrimin elektoral.Çfarë parashtroi Ramiz Alia përpara udhëheqësve të lartë të PPSH rreth kë rkesave që kishte vënë opozita për zhvillimin e zgjedhjeve. Cili ishte mendimi i anëtarëve të Byrosë Politike për rolin që duhej të luanin në zgjedhje organet e pushtetit dhe sidomos Policia Sekrete, e dominuar tërësisht nga komunistë fanatikë. Pse këmbëngulte opozita për përjashtimin e këtyre strukturave nga procesi zgjedhor dhe bindja e saj se prania e tyre do ta komprometonte procesin...Partia e Punës e ShqipërisëKomiteti QendrorSektori i PërgjithshëmProcesverbali mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë 9/10 janar 1991
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, në mbledhjen e datës 9/10 janar 1991, diskutoi lidhur me propozimet që janë bërë për shtyrjen e zgjedhjeve për deputet në Kuvendin Popullor.Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, sekretar i Parë i KQ të Partisë.Marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, shokët: Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Pali Miska, Xhelil Gjoni, Kiço Mustaqi, Llambi Gegëprifti, Niko Gjyzari, si dhe sekretarët e KQ të Partisë, shokët Abdyl Backa dhe Spiro Dede.Mungojnë me arsye shokët Vangjel Çërrava dhe Xhemal Dymylja.Zhvillimi i mbledhjesShoku Ramiz Alia: Ju thirra të bisedojmë për gjendjen e krijuar në prag të zgjedhjeve për deputet në Kuvendin Popullor.Me kërkesën e tyre dje takova përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët përsëritën edhe një herë kërkesat e tyre:E para: Për ndryshimin e ligjit të Zgjedhjeve, sepse ky ligj, sipas tyre, doli para se të krijoheshin subjektet e reja politike dhe e ndan Partinë e Punës efektivisht në pesë pjesë, duke i dhënë mundësi asaj që të paraqitet me pesë kandidatë.E dyta: Për shtyrjen e zgjedhjeve tre muaj, pasi janë të papërgatitur, nuk janë në kushte të barabarta me PPSH dhe me subjektet e tjera elektorale nga pikëpamja materiale dhe e mundësive efektive të propagandës.Para se të hyj në thelbin e problemit, u thashë, dua një përgjigje të saktë nga ju: primare keni çështjen e demokratizimit të vendit, interesat e atdheut, përparimin dhe zhvillimin e mbarë të tij, apo marrjen e pushtetit? Natyrisht, që ata u përgjigjën që kanë për qëllim demokratizimin, shtetin ligjor, të shëndoshin gjendjen ekonomike, po kuptohet që kjo është e lidhur edhe me çështjen e pushtetit...Unë u thashë që gjendja aktualisht është jashtëzakonisht e rëndë, në një krizë ekonomike dhe politike, në një situatë që vendi mund të destabilizohet nga çdo pikëpamje dhe çdo veprim i gabuar yni mund të ketë konsekuenca katastrofike. Gjendja ekonomike është shumë e rëndë, po edhe gjendja politike nuk është e mirë, njerëzit nuk punojnë por rrinë rrugëve, në mbledhje, në mitingje, po merren me muhabete. Ndërkohë ata ndërhynë dhe thanë që të gjitha mitingjet e Partisë së Punës janë bërë brenda orarit zyrtar. Domethënë u kemi dhënë ne argument atyre.Në vazhdim u thashë që zgjedhjet duhet të bëhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet Kuvendi Popullor, të aprovohet Kushtetuta, të krijohet stabiliteti politik në vend. Ju thoni që jeni për mbarëvajtjen e vendit, atëherë nuk ka pse të mos jeni të një mendjeje për këtë çështje.Teza e tyre ishte që nuk bëhemi dot gati, as kandidatët nuk i gjejmë deri në kohën që ka mbetur për zgjedhjet. Po edhe sikur të bëhen këto zgjedhje në kohën e caktuar, thanë, situata do të jetë po aq e rëndë, sa edhe sot, sepse në opinionin ndërkombëtar nuk fitojmë gjë, zgjedhjet do të konsiderohen unilaterale, për arsye se bëhen nga partia me të gjitha levat e veta, pra nuk do të kenë pamjen e një pluralizmi të vërtetë. Për rrjedhojë, gjendja politike do të mbetet e njëjtë, po ashtu edhe ajo ekonomike. Me një fjalë ata ngulin këmbë që zgjedhjet duhet të shtyhen, të bëhen në kushte më të favorshme, më demokratike etj. Fundi i fundit, thanë, tre muaj kohë po kërkojmë.Gjatë takimit prej dy orësh me ta, shtruan edhe disa kërkesa: Se janë të kufizuar në veprimtarinë e tyre, se nuk i ndihmon kush, përkundrazi, u nxjerrin pengesa policia dhe komitetet e partisë në rrethe, se nuk kanë mjete materiale etj.Duke parë argumentet që shtroja unë, në qoftë se nuk ka mundësi të shtyhen tre muaj thanë, atëherë të shtyhen dy muaj. Ne lëshuam, kurse ju nuk lëshoni asgjë, thanë. Këtu nuk është puna të lëshoni ju apo të lëshoj unë, po problemi është te situata e vendit. Për mua nuk ka rëndësi se sa vende do të fitojë kjo parti apo ky grup elektoral në zgjedhje, por që të formohet Kuvendi i ri Popullor, i cili duhet të aprovojë Kushtetutën, duke i hapur rrugë shtetit ligjor. Dhe ju nuk duhet t’i jepni rëndësi të madhe kësaj, u thashë, se në vend të 50 vendeve që ka parashikuar Sali Berisha, mund të fitoni 40, apo 60 vende. U hodh ai e tha që nuk kam bërë asnjë parashikim. Nga “Zëri i Amerikës” e kam dëgjuar, i thashë, po të jetë nevoja ta dërgoj ta dëgjosh edhe ti.Në qoftë se ju, u thashë, keni hallin e pushtetit, u japim edhe një alternativë tjetër: më 1992, sipas ligjit duhet të bëhen zgjedhjet për pushtetin lokal, i cili është determinant, se paralizon jetën e vendit. Po të doni ato mund t’i afrojmë, t’i bëjmë nga fundi i vitit ‘91 dhe po të fitoni atje, i paralizoni organet qendrore përnjëherësh. Pra, e keni edhe këtë mundësi, siç keni edhe një mundësi tjetër, që pas zgjedhjeve do të formohet qeveria, organizmat e ndryshme e të tjera dhe po të jeni të disponuar edhe ju, pavarësisht nëse merrni apo nuk merrni pjesë në zgjedhje, fitoni apo nuk fitoni shumë vende, me mirëkuptim mund të shikohet çështja që edhe ju të keni rolin në shtetin tonë dhe në këto organizma, duke pasur gjithnjë si kriter interesat e mëdha të atdheut...Ata pohuan se në këto kushte nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, se do t’i bojkotojnë ato, do t’u bëjnë thirrje njerëzve që mos të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë shtyrjen e tyre deri në ditën e fundit. Eshtë e drejta juaj, u thashë, që të mos merrni pjesë në zgjedhje, ashtu siç mund t’i bëni thirrje popullit të mos shkojë në votime, por në qoftë se ju do të vazhdoni në këtë rrugë, kjo do të thotë që ju kërkoni të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve, duke rënë kështu në kundërshtim me ligjin, i cili është i rreptë ndaj atyre që pengojnë zhvillimin normal të zgjedhjeve. Eshtë tjetër problem, u thashë, që t’i thoni popullit se nuk marrim pjesë në zgjedhje për këto dhe ato arsye, por të pengoni zhvillimin e zgjedhjeve me veprime të atilla që çojnë në destabilizimin e gjendjes, kjo është e kundërligjshme dhe e rrezikshme.Ju nuk e dini, u thashë, që në Kosovë ka 15 mijë ushtarë dhe që ne jemi të detyruar të mbajmë në kufij 20 mijë ushtarë për t’iu përballur atyre, gjë që e rëndon jashtëzakonisht ekonominë. Se mos ia japësh shtypit të huaj këtë lajm, i thashë Genc Pollos, që ishte aty, se keni bërë një proçkë, duke i thënë shtypit të huaj që qeveria shqiptare është e interesuar t’i përzërë grekët nga territori i saj. Mos harro që ky është krim kombëtar, prandaj matu për gjërat që thua.Gjithashtu u tërhoqa vëmendjen që të kenë kujdes edhe për një gjë tjetër: të ruajnë sensibilitetin e popullit, se ai është tepër sensibël në disa gjëra. Për shembull, është shumë sensibël në çështjen e luftës nacionalçlirimtare, se ka derdhur gjak për fitoren e saj. Të ofendosh luftën, u thashë, është e palejueshme. Ajo ka pasur një komandant të përgjithshëm, që e ka udhëhequr gjatë gjithë kohës së saj, prandaj duhet të kini kujdes në këtë çështje.Ne nuk e ofendojmë luftën, thanë, dhe nuk kemi folur asnjëherë kundër Enver Hoxhës. Madje në një miting, kur dikush nga masa tha “Poshtë!”, nga tribuna i thamë që nuk flasim për “Poshtë”, po për “Rroftë” dhe për të ecur përpara. Nuk i shikojmë këto, pavarësisht se kemi vërejtjet tona.Vërejtje mund të keni për kë të doni dhe për çfarë të doni, u thashë, por duhet të keni kujdes për disa gjëra që janë të shenjta dhe të paprekshme për popullin, ruajuni nga kjo, sepse mund të tërhiqni mbi vete një urrejtje të madhe popullore.Konkluzioni ishte që ata nuk marrin pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se do të abstenojnë, do t’i bojkotojnë zgjedhjet, do t’i bëjnë thirrje popullit në forma të ndryshme që të mos marrë pjesë në to. Natyrisht, kjo situatë implikon disa probleme, që ia vlen të shkëmbejmë mendime. Eshtë fakt që ideja e shtyrjes së zgjedhjeve ka dalë jo vetëm nga këta, por edhe nëpër mbledhje të ndryshme, madje edhe në mbledhjet që po bëhen tani për paraqitjen e kandidatëve për deputetë në Kuvendin Popullor, siç ka dalë edhe nëpër qendra pune...Është e vërtetë që ne kemi diskutuar njëherë çështjen e zgjedhjeve dhe mund të mos e diskutojmë më, por meqenëse lindin herë pas here probleme të reja, është e mira t’i diskutojmë dhe të parashikojmë më tej, sepse fatkeqësisht parashikime nuk ka shumë, pa pasur parasysh që kemi të bëjmë me një luftë të rreptë, e cila shkallëzohet sipas disa ligjeve të caktuara, që tashmë për ne nuk janë të panjohura. Ka një eksperiencë të Evropës Lindore, po shumë pak përpjekje bëhen për ta njohur atë, qoftë për të dhënat e veta negative, qoftë edhe për të parë veprimtarinë konkrete të armikut kundër komunizmit. Kjo na tregon që armiku synon pushtetin.Të supozojmë që zgjedhjet do të bojkotohen nga kjo parti, po mundet edhe nga subjekte të tjera politike që do të dalin. Ç’ndikim do të ketë kjo në zgjedhjet në disa zona siç janë Shkodra, Durrësi, Kavaja, Elbasani, Vlora, Fieri, Lushnja, Korça. Zgjedhjet do të bëhen, apo nuk do të bëhen dot fare? Kjo është e para.E dyta: Fitojmë gjë? Çfarë efekti do të ketë kjo brenda dhe jashtë vendit? Sepse zgjedhjet do të shpallen, nuk mbahen sekret dhe këtë herë nuk mund të pengojmë as prezencën e gazetarëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të huaj.Kjo çështje duhet menduar, duke marrë parasysh konsekuencat negative dhe pozitive, çfarë fitojmë dhe çfarë humbim. Pra, sipas variantit të parë: bojkotimit të zgjedhjeve, destabilizimi do të jetë i karakterit shoqëror, pa asnjë ekses politik.Varianti i dytë është që kjo opozitë të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve, duke pasur gjithmonë parasysh eksperiencën bullgare. Kundërshtimi mund të jetë me anë të grevave, qofshin paqësore, por që janë shqetësuese. Manifestimet mund të jenë të llojeve të ndryshme: dalja e njerëzve në qendër të qyteteve, para Kryeministrisë, Kuvendit Popullor, KQ të PPSH, grumbullim njerëzish që bërtasin, bëjnë grevë, siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës Lindore.Këto veprime, që në pamje të parë janë paqësore, do të paralizojnë tërësisht ekonominë. Faktori ekonomik është një nga faktorët kryesorë që inkurajon, ose u jep peshë të madhe politike veprimeve të opozitës...Po nuk është vetëm Tirana që ka pika të dobëta.Besnik Bekteshi: Dje filluan grevën edhe minatorët e Vërdovës, të Bitinckës, të Rehovës.Xhelil Gjoni: Edhe në minierën e bakrit, kromit, qymyrit, është kjo situatë.Ramiz Alia: Në Rumani, për të mposhtur studentët përdorën minatorët. Po minatorët tanë a vijnë të vendosin rregull në Tiranë? Asnjë nuk vjen. Të gjithë janë me studentët...Nuk mund të themi se janë infektuar të gjithë njerëzit, po fakti është që këta të Partisë Demokratike kanë gjetur bazë dhe elementë për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo është gjendja që desha të them, për të cilën shokët të japin mendime si duhet të veprojmë.Pali Miska: Gramoz Pashko foli dje në radio dhe bëri një presion shumë të madh, duke thënë se në rast se nuk shtyhen zgjedhjet, situata do të rëndohet jashtëzakonisht. Ndërsa për çështjen e pranimit në KSBE, tërë fajin na i hodhi neve. Pastaj tha që në rast se nuk shtyhen zgjedhjet, edhe për tu pranuar në KSBE i bëjmë kot përpjekjet...Me këtë rrugë që kanë nisur këta, kam mendimin se zgjedhjet duhet t’i shtyjmë dy apo tre muaj. Bojkotimi është një anë, po këta do të bëjnë presione të tjera para bojkotimit. Përvojë në këtë punë nuk kemi, nuk jemi mësuar me kundërvënie, me ballafaqime.Ramiz Alia: Këtu kemi faj të tërë, sepse të gjithë lexoni materialet për ngjarjet në Bullgari, Rumani, Çekosllovaki, Hungari, Poloni etj., po kam përshtypjen që asnjë nga ju nuk tërheq vëmendjen mbi to, vetëm sa i lexon si kuriozitet. Duhet të jemi realist në gjërat që ndodhin dhe duhet të mësojmë dhe nga eksperienca negative e të tjerëve.Pali Miska: Para situatës që është krijuar ne duhet të zgjedhim atë që është më pak e dëmshme. Siç e kanë zënë ata, nuk ndahen nga kërkesat e tyre. Nuk e di si mund të jenë bërë muhabetet në takimin me ju shoku Ramiz, po nuk besoj të jenë zhvilluar të jenë zhvilluar qetë-qetë. Ata janë me mllefe të mëdha.Ramiz Alia: Sigurisht që kanë mllefe. Mllefi i tyre është pushteti. Duke biseduar, njëri nga ata, Arben Imami, tha që programin ekonomik ne e kemi më të mirë nga ju. Kur qenka kështu, u thashë, ma thoni mua si president se ç’përmban që ta aplikojmë, se shpëtojmë ekonominë. Mirëpo ai ngeci, se nuk dinte gjë. Ndërkaq u hodh Gramoz Pashko, që e kisha në anën tjetër e tha që ne duhet medoemos të marrim ndihma nga jashtë. Eshtë shumë e thjeshtë të marrim ndihma nga jashtë, u thashë, dhe ne kemi kërkuar, po kush të jep? E keni parë ç’po ndodh me Bullgarinë e Rumaninë? Po atje janë akoma komunistët në pushtet, tha.

neser do te lexoni
Shkëndijat e para për të bërë kompromis me opozitën dhe reagimet patetike për destabilizim të vendit “po lëshuam pe për kundërshtarët politikë”.
Orë të tëra debate rreth dilemës “çfarë humbim dhe fitojmë po të shtyjmë datën e zgjedhjeve”. Përqasja e përvojës zgjedhore të vendeve të tjera të Evropës Lindore dhe rishfaqja e tezës se nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim.
Shqetësimi i byroistëve për pjesëmarrjen e madhe të rinisë dhe sindikalistëve në mitingjet e opozitës dhe evidentimi i krizës ekonomike që ka pllakosur jetën e vendit.
Ramiz Alia shfaq brengën për opinionet kritike të medias perëndimore rreth gjendjes në Shqipëri dhe tërheq vëmëndjen e kolegëve për t’u futur me argumente të reja në debatet politike me grupimet antikomuniste.