e enjte, janar 19, 2006

Byroistët e 1991: Nexhmije Hoxhës nuk do t’ia heqim shërbëtorët e familjes

Byroistët e 1991: Nexhmije Hoxhës nuk do t’ia heqim shërbëtorët e familjes


Fatos Veliu
Dy ditë zgjati ai takim sfilitës për byroistët e partisë që kishte drejtuar shtetin shqiptar për 50 vjet me radhë.
Ndërsa Ramiz Alia i kishte thërritur për të diskutuar dhe për të marrë një vendim urgjent mbi një ultimatum që i kishte dhënë Partia Demokratike, për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të cilat ishin caktuar në 10 shkurt, dialogu i tyre preku dhjetëra probleme që lidheshin jo vetëm me situatën në të cilën ndodheshin, por edhe me gabimet e tyre si udhëheqës të lartë të partisë, aq sa e
kishin çuar zemëratën popullore në ekstrem. Gjithçka rreth kësaj historie ka ndodhur plot 15 vjet më parë, pikërisht më 9 dhe 10 janar të vitit 1991, kur Shqipëria për herë të parë pas 50 vjetësh të regjimit komunist kishte hyrë në fushatën për zgjedhjet pluraliste. Shumë probleme u prekën dhe shumë u diskutuan gjatë. Dy ditë të tëra iu deshën për të analizuar shkaqet dhe pasojat e rrugëve politike që do të ndërmerrnin ata njerëz, që deri në atë ditë ishin njohur si “baballarët e kombit”. U diskutuan problemet e grevave, ato të privilegjeve të tyre ndaj njerëzve të afërt, madje deri te farefisnitë dhe krushqitë e tyre. Megjithatë, pavarësisht shpresës që ata kishin për ta mbajtur situatën nën kontroll, ata arritën të pranonin më në fund shumë gabime të tyre në lidhje me autoritetin dhe shembullin në drejtim të udhëheqjes së shtetit. Me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën frymë, byroistët në atë takim misterioz arritën edhe në fund të ditës së dytë, kur do të përfundonin krejt dialogun. Konkretisht, edhe në fund të takimit ata diskutuan jo vetëm për kufizimin e privilegjeve të njohura që kishin miratuar vetë me ligj, por deri te eliminimi i makinave me të cilat lëviznin. Në atë mënyrë, pa kuptuar se po bëheshin disi qesharakë me ato që pranonin se eliminonin, mendonin se mund të jepnin shembullin më të mirë para opinionit, të cilit duhej t’i paraqiteshin si engjëj. E veçanta e atij momenti ishte edhe rasti kur u diskutua për familjen e Enver Hoxhës, të cilës, sikur të mos shikonin dhe kuptonin se çfarë ndodhte rreth tyre, i qanin hallin për faktin se si kishte mundësi që Nexhmije Hoxha nuk kishte më në shtëpi pastrueset, kuzhinieret dhe punëtorët e tjerë të shtëpisë. Jo vetëm kaq, por ata byroistë që po përjetonin kalimin e Shqipërisë në pluralizëm, gjë që do të thoshte se vetë ishin në rrëzim e sipër, pranonin që të hiqeshin qoftë edhe shërbëtorët e tyre, ndërsa me Nexhmijes të mos i ndodhte kurrsesi një gjë e tillë. Gjithçka rreth atij takimi për opinionin e gjerë bëhet i mundur vetëm sot, pas 15 vjetësh, në këtë cikël botimesh të “Panorama”, të mundësuar pas sigurimit nga redaksia të procesverbalit origjinal të atij takimi.SHOKU RAMIZ ALIA: ...Problemi është si do të vendosësh kontaktet që ke humbur me atë pjesë të inteligjencës kulturore e krijuese dhe të rinisë, e cila është shkëputur nga ne, si do ta tërheqësh.SHOKU SPIRO DEDE: Me një ideologji që do të dalë nga analiza e kushteve konkrete, e realiteteve dhe zhvillimeve të reja me subjekte që janë tani.SHOKU XHELIL GJONI:Me këto subjekte do ta quaja më të lehtë bashkimin sesa me subjektin shtetëror. Pse? Se Partia tani do të vijë duke i lëshuar funksionet që ka, pavarësisht nëse i ka mbajtur apo jo me të drejtë. Do të vijë koha që vetë Partia do të dalë në opozitë me aparatin shtetëror, pasi do të mbrojë interesat e saj sepse ligji është, po administrata prapë do të ketë burokraci, mungesa.SHOKU SPIRO DEDE:Po nuk duhet ndërtuar më administrata kështu siç e kemi pasur deri tani.SHOKU XHELIL GJONI:Mirë, po ka subjektivizëm Spiro dhe në krijimin e tyre.SHOKU ABDYL BA-CKA: Nuk është se të tëra banesat, të tëra bursat etj, ndahen me hatëre.SHOKU RAMIZ ALIA:Nuk është e vërtetë që të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror i kanë dërguar fëmijët e tyre jashtë shtetit, por sikur edhe 10 veta t’i kenë dërguar, njerëzit flasin.SHOKU NIKO GJY-ZARI: Po mirë, shoku Ramiz, në qoftë se janë djem që e meritojnë, përse duhet të ketë alergji dhe të thuhet që nuk duhet të vejë djali i filanit?SHOKU RAMIZ ALIA:Se ka dhe nga ata që nuk e meritojnë.SHOKU NIKO GJY-ZARI:Të zgjedhim ata që e meritojnë.SHOKU RAMIZ ALIA: Pse e ngriti në plenum Marash Hajati për djalin e Sofos? Sepse ka vajtur jashtë për 5 vjet. Në qoftë se vajti, të kthehet mbas një viti, jo të qëndrojë 5 vjet. Realiteti është që nuk është kthyer mbas një viti. Pse është zgjatur afati? Pikërisht se është djali i Sofos. Unë nuk mbroj Marash Hajatin, po në këtë rast ai ka të drejtë.SHOKU SPIRO DEDE: Ndaj këtyre gjërave duhet të jemi të prerë dhe t’i zgjidhim.SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht ky është problemi, kush ta zgjidhë, sepse këtu futen lidhjet fisnore, miqësore etj.SHOKU NIKO GJY-ZARI:Të vejë ai që e fiton me konkurs.SHOKU PALI MISKA:Edhe kriteret i kemi caktuar, por çështja është që nuk duhet të venë ata që nuk e meritojnë.SHOKU RAMIZ ALIA: Unë nuk flas për individë, nëse e meritonte apo s’e meritonte filani që vajti jashtë, por flas në përgjithësi për çështjen e lidhjes së Partisë me masat, të shkëputjes së saj nga masat dhe këtu ka një mori faktorësh.SHOKU XHELIL GJONI: Një drejtor që s’u del për zot kërkesave të drejta të punëtorëve të tij ka mbaruar si drejtor.SHOKU PALI MISKA: Unë kam qenë drejtor vetë po u dilja zot halleve që kishin punëtorët dhe familjet e tyre.SHOKU RAMIZ ALIA: Ia thashë mbrëmë dhe Adilit që, kur dolëm nga mbledhja, 5 makina “Benz” ndodheshin para Komitetit Qendror. Përse? Që t’u tregojmë të tjerëve që kemi “Benz”-a apo që u mblodhëm? Na lodhen këmbët të vijmë prej shtëpive këtu në këmbë? Kështu dje, kështu edhe sot, 5 makina, 5 oficerë. Nuk ka rëndësi se të kujt ishin, por nuk të bën përshtypje të mirë. Kjo është mendjemadhësi, se duam të na e hapë derën e makinës oficeri dhe ne të dalim.SHOKU PALI MISKA: Unë shkoj me “Gaz” në zyrë. SHOKU RAMIZ ALIA: Mund të shkosh me se të duash, po unë e kam hallin se është bërë mentalitet.SHOKU LLAMBI GEG-PRIFTI: Le t’i heqim të gjithë makinat, veç jush dhe shokut Adil.SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk shtrohet problemi hiq këtë e hiq atë, por duhet ta kuptojmë se ç’opinion krijojnë këto gjëra. Kur vajta mbrëmë në shtëpi, i gjeta fëmijët të revoltuar. Pse kështu mor baba, më thanë, gruaja e Enver Hoxhës, ish-komandant i Përgjithshëm i Luftës Nacionalçlirimtare dhe ish-udhëheqës i Partisë sonë për 45 vjet, tani në moshën 70-vjeçare shkon e blen në pazar qumështin dhe detyrohet të bëjë gjellën, të marrë fshesën e të fshijë shtëpinë vetë, se asnjë njeri nuk i kemi lënë në shtëpi?SHOKU PALI MISKA: Më mirë të na e heqin neve punonjësen e shërbimit sesa asaj. Ky është ekstrem.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Duhet të rregullohet.SHOKU HEKURAN IS-AI: Po, të gjithë i kemi hequr.SHOKU RAMIZ ALIA: Ose po marr problemin tjetër: Haxhi Lleshi që ka qenë President i Republikës, duhet trajtuar si ish-president.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kështu e ka gjithë bota.SHOKU RAMIZ ALIA: E ka gjithë bota, kurse ne nuk e kemi. Ne ia kemi hequr të tëra. Unë jam dakord t’u hiqen të tërë shokëve, po Haxhi Lleshi është ish-President i Republikës, është nderi i vendit.Ne duhet ta përgatisim Partinë, që të lidhet me inteligjencën, me rininë, me klasën punëtore, t’i forcojë këto lidhje në qoftë se kanë filluar të dobësohen.SHOKU XHELIL GJO-NI: Disa lidhje duhet t’i riformojë.SHOKU RAMIZ ALIA: Disa lidhje duhen riformuar, disa duhen forcuar, disa duhen restauruar. Ja, unë po i shtroj këto çështje, po më thoni cilit nga shokët e Komitetit Qendror që kemi, i shkon mendja për këto punë?SHOKU XHELIL GJO-NI: Aparati duket i paralizuar, edhe nga poshtë.SHOKU RAMIZ ALIA: Unë po them për Komitetin Qendror, jo për aparatin.SHOKU KIÇO MUS-TAQI: Jo, jo nuk e mendon njeri. Kur ne këtu i kemi sytë dhe veshët te ju, lëre të tjerët.SHOKU RAMIZ ALIA:Prandaj thashë, a jemi në gjendje ta përgatisim këtë kongres.SHOKU NIKO GJY-ZARI: Po ato komisionet që krijuam, shoku Ramiz, për programin e Partisë dhe statutin e saj, nuk do të punojnë për përgatitjen e kongresit?SHOKU XHELIL GJONI: Ato komisione do të ulen të punojnë, po puna është që a e njohim ashtu siç duhet Partinë poshtë?SHOKU RAMIZ ALIA: Ja, këtu është problemi.(Deri këtu vazhdon incizimi)