e hënë, korrik 17, 2006

Në kryqëzor udhëtonte presidenti amerikan, Ejzenhaur


Incidenti i nëndetëses shqiptare me kryqëzorin amerikan “De-Mojn”
Kujtim Boriçi


Ekskluzive/Nëpërmjet dokumenteve të panjohura deri vonë, si dhe nëpërmjet shënimeve të Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, në këtë numër të gazetës sillen detaje interesante rreth një incidenti të ndodhur në Mesdhe në dhjetor 1959 mes një nëndetëseje të Pashalimanit në mision luftarak dhe anijeve amerikane që shoqëronin presidentin Ejzenhuaur, veprimet e komandantit Kosllov për shmangien e ndjekjes së anijeve dhe aviacionit Amerikan, raportimi te Hrushovi, i cili më vonë, kthen propozimin nga ndëshkim në ngritje në përgjegjësi për Kozllovin. Në vazhdim do të lexoni:-Si u njohën dhe miqësuan studentët shqiptarë të detarisë luftarake në Rusi me aktorin e famshëm indian Raxh Kapuri, protagonistit i filmit “Vagabondi”, “Zotnia 420” etj..-Biseda me Raxhin në vilën e këngëtarit të njohur rus Bejbutov, dhe ftesa e mirëpritur e Raxhit për të vizituar Shqipërinë.-Çfarë ndodhi pas takimit në vilën e këngëtarit rus dhe pse dështoi vizita e Raxhit në vendin tonë.(Vijon nga numri i kaluar)Në misionin sekret të nëndetëseve shqiptare, që në vitin 1958-1959 ishin ende nën komandën e dyfishtë shqiptaro-ruse, një nga detyrat luftarake dhe dëshmive të kohës, ishte dhe diktimi, njohja, fotografimi dhe grumbullimi i të dhënave të anijeve, nëndetëseve, korridoreve të lundrimit si dhe zbulimi i aktivitetit të përditshëm të dy grupimeve goditëse atomike të NATO-s që ushtronin aktivitet në detin Mesdhe. “Këtë detyrë, ashtu si dhe detyra të tjera të vështira luftarake, fillimisht i kryenim në bashkëpunim me komandat ruse, ndërsa më vonë këto operacione planëzoheshin e drejtoheshin nga kuadrot e Flotës sonë Luftarake, - tregon Xhafer Rrokaj, ish-shefi operativ i brigadës së nëndetseve. Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara kohët e fundit, por dhe nëpërmjet kujtimeve të ish-ushtarakëve madhorë të FLD-së në ato vite, në një prej inkursioneve sekrete të nëndetëseve shqiptare në vitin 1959 në Kanalin e Tunizit regjistrohet dhe një incident me pasoja me Flotën Luftarake amerikane, pikërisht me grupin e anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, në të cilin po udhëtonte dhe presidenti amerikan, D. Ejzenhaur.Misioni sekret i nëndetëses shqiptareSipas dokumentave të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve të marinës luftarake, kur kuadrot shqiptare përgatiteshin të merrnin në dorëzim komandën e nëndetëseve dhe anijeve luftarake nga rusët, zhvilloheshin stërvitje intensive të shumta, me qëllim aftësimin e kuadrit komandues shqiptar. Ishin ditët e para të dhjetorit 1959, kur nëndetësja e katërt e bazës, e komanduar nga Valentin Stepanoviç, ndër komandantët rusë më të zotët në Pashaliman, nis udhëtimin sekret njëmujor në ujërat e Mesdheut. Më tej, në shënimet e Qordukës thuhet: ”Kjo nëndetëse, pas disa ditë përgatitjesh intensive për lundrim, doli nga baza e Pashalimanit dhe filloi lëvizjen në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar-Pashaliman. Me ekuipazhin rus, në këtë detyrë luftarake ishin dhe komandanti shqiptar i nëndetëses Sh. Çuka, bashkë me ushtarakët e tjerë A. Popa, G. Rryta dhe A. Katro. Udhëtimi i atij misioni po ecte sipas planit të parashikuar (ditën në thellësi të ujërave, natën më në sipërfaqe), ndërsa temperatura nën ujë, ndonëse ishte dhjetor, ishin nuk përbënin shqetësim për këtë detyrë të gjatë”. Sipas specialistëve, ky mision kishte si veçori e specifikë vështirësinë e lartë, pasi kalonte përgjatë korridoreve, pranë bazave e poligoneve luftarake të anijeve dhe aviacionit të NATOS-s, ku mes të tjerave, në këtë rrugëkalim kryenin aktivitet të përditshëm luftarak dy grupime goditëse atomike të NATO-s.“De-Mojn” zbulon nëndetësen shqiptareMe gjithë regjimin e rreptë të gatishmërisë në kryerjen e misionit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve, nëndetësja shqiptare, pak ditë pas nisjes në këtë mision, përballet e diktohet nga vrojtues të anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, në të cilin udhëtonte presidenti amerikan gjatë kthimit pas një vizite miqësore në Athinë. Kjo, sipas ditarit të kohës së FLD-së ndodhi në Kanalin e Tunizit, hapësira ujore midis ishullit të Maltës dhe bregdetit tunizian, në momentin që nëndetësja e Pashalimanit po shkonte drejt Gjibraltarit. Ndërsa nëndetësja e Kozllovit, sipas shënimeve të mësipërme, që tentonte t’i afrohej sa më pranë kryqëzorit amerikan, me qëllim fotografimi sa më mirë nga aparati i periskopit të nëndetëses, u zbulua nga fregata amerikane që dha alarmin për zbulimin e nëndetëses së huaj nën ujë , duke u vënë në alarm me synim neutralizimin e saj dhe evitimin e ndonjë incidenti të mundëshëm , pikërisht në kohën që në kryqëzor ishte dhe presidenti. Në moment e diktimit, tregojnë ushtarakët shqiptarë, filloi ndjekja e nëndetëses sonë nga anijet dhe aviacioni amerikan, i destinuar për luftë kundër nëndetëseve, për ta detyruar atë të dalë në sipërfaqe e për ta bërë të parrezikshme. Në këto kushte, ushtarakët shqiptarë e rusë të nëndetëses vihen në situatë reale luftarake. Mbajnë lidhje të vazhdueshme me qendrën (komandën e Bazës) duke marrë udhëzime dhe manovrojnë me shkathtësi. Në kujtesën e ish-ushtarakëve që kanë qënë në atë lundrim luftarak, mbetet i pa shlyer qëndrimi profesional dhe i guximshëm i komandantit rus Kozllov. Ky, me mjeshtëri e shpejtësi ndërroi kursin e nëndetëses, duke spostuar kursin drejt Gjirit të Sitres në Libi, duke evituar efektin e anijeve dhe aeroplanëve amerikanë. Ishte një situatë dramatike dhe e vështirë që zgjati rreth 48 orë, por që u përballua me sukses. Në fund, gjithçka shkoi mirë e të gjithë ishin të gëzuar nga ky sukses. Komandanti Kozllov mblodhi gjithë ekuipazhin, rus e shqiptar dhe i përgëzoi për këtë sukses. Por ky incident që u raportua në udhëheqjen e lartë të Moskës, deri te Hrushovi, shpejt do të futej në rrugën e pasojave...Hrushovi kthen ndëshkimin në falënderim për KozllovinPor zbulimi i nëndetëses nga anijet shoqëruese të presidentit amerikan, sipas dokumentave të kohës, në Moskë, nuk u prit mirë, veçanërisht nga komanda e flotës ruse. Në këto kushte, kjo komandë parashikon dhe propozon shkarkimin e Kozllovit, një nga specialistët më të mirë të flotës luftarake. Por kur informacioni se një nëndetëse ruse kishte mundur të depërtonte në brendësi të ordenit të lundrimit, në të cilën udhëtonte dhe Ejzenhaueri, kishte ndjerë kënaqësi, duke u shprehur: ”E marr me mënd se sa duhet të jetë trembur presidenti amerikan nga prezenca e nëndetëses sonë, brenda ordenit që e shoqëronte”. Në këto kushte, sipas pohimeve të Qordukës, ish-ushtarakut madhor në FLD, kuptohet që dhe fati i Kozllovit, merr tjetër kah. Pas vlerësimit të Hrushovit, komanda sovjetike, në vend që ta shkarkonte nga detyra Kozllovin, e ngriti atë në përgjegjësi, duke e bërë zëvendëskomandant të brigadës sovjetike të nëndetëseve të Pashalimanit, ku shërbeu deri vonë, në prag të ikjes përfundimtare . (Vijon)