e enjte, korrik 06, 2006

17 shtator 1958. Ministri Beqir Balluku në ceremoni



Në Pashaliman ulen flamujt rusë, ngrihen flamujt luftarakë shqiptarë
Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumenteve të kohës dhe kujtimeve të Petrit Myftiut e Myfit Qordukës, ish-ushtarakë madhorë të FLD-së, në këtë numër sillen detaje rreth evenimentit historik të kalimit nga komanda ruse në komandën shqiptare të brigadës së nëndetëseve të bazës së Vlorës, prania e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku në këtë eveniment, bashkëpunimi i ushtarakëve tanë me ata rusë, si dhe planet e afërta të rusëve për strategjinë e bazës së Pashalimanit.Në vazhdim do të lexoni:-Fuqizimi i FLD-së në vitet 1957-1958 dhe urdhri i Enver Hoxhës për përzgjedhjen e studentëve më të mirë për përgatitje në Akademitë e Rusisë.-Roli dhe përkujdesja e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petruit Dume dhe kundëradmiralit Teme Sejko për Flotën Luftarake Detare dhe përgatitjen e kuadrove në Akademitë jasht vendit.(Vijon nga numri i kaluar)Që nga vitet e para të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në prag të prishjes së marrëdhënieve me Rusinë, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve madhorë të Flotës Luftarake Detare shqiptare, ka qenë një periudhë e “artë” marrëdhëniesh e bashkëpunimi mes ushtarakëve sovjetikë që kishin ardhur për ndihmë e asistencë dhe kuadrove tanë të detarisë që përgatiteshin për të marrë vetë “frenat” e komandimit të anijeve e nëndetëseve luftarake. Shkollat dhe akademitë ruse, tregon për gazetën ish-ushtaraku madhor Myfit Qorduka, ishin ndër më të njohurat e kohës, ndërsa ndihma dhe kontributi i kuadrove rusë të Flotës Luftarake për ne e te ne, është i pakrahasueshëm. Por një nga ngjarjet më të rëndësishme të Flotës sonë Luftarake e të jetës së vendit, mbetet 17 shtatori i vitit 1958, kur në një ceremoni në bazën e Pashalimanit, efektivat shqiptarë marrin krejtësisht në dorë drejtimin e shërbimit luftarak detar.Beqir Balluku në evenimentin historik për FLD-nëPër Flotën Luftarake Detare e veçanërisht për brigadën e nëndetëseve të Pashalimanit, 17 shtatori i vitit 1958, është një nga ngjarjet më të shënuara, pasi nëndetëset, kuadrot dhe efektivat e tyre prej vitesh nën komandë e nën drejtimin ushtarakëve rusë, kalojnë krejtësisht në drejtim të kuadrove shqiptarë e nën komandimin Komandës së FLD-së shqiptare. 69-vjeçari Petrit Myftiu, një nga drejtuesit e Pashalimanit (komandant nëndetëseje) në atë kohë, tregon se përgatitjet për këtë eveniment të rëndësishëm e të shumëpritur kishin kohë që kishin filluar. E në fund, kjo ditë erdhi. Në bazën e Pashalimanit, të zbukuruar si për festë, në prani të efektivave shqiptarë e rusë, eprorëve të tyre më të lartë, ishin edhe komandanti i Flotës Luftarake Detare, kundëradmirali Teme Sejko dhe ministri i Mbrojtjes që kishte ardhur nga Tirana, Beqir Balluku. Petrit Myftiu, nga kjo ditë, në shënimet e tij shkruan: ”..Ishte mëngjesi i 15 shtatorit 1958. Në prani të shumë autoriteteve më të larta të ushtrisë shqiptare dhe të Flotës Luftarako-Detare, të ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, të komandantit të Flotës Luftarako-Detare, Teme Sejko, në mënyrë ceremoniale, në bazën lundruese dhe në të 4 nëndetëset u ulën flamujt luftarakë të flotës sovjetike dhe, në vend të tyre, u ngritën flamujt luftarakë të Flotës sonë Luftarako-Detare, çka shënonte ligjërisht edhe kalimin pronësisë mbi anijet, sigurisht në përputhje me aktmarrëveshjet në kuadër të Traktatit të Varshavës”. E veçanta e këtij hapi të rëndësishëm që konfirmoi ceremonia e nënshkrimi i dokumentit, sipas dokumenteve arkivore e dëshmive të ish-ushtarakëve madhorë të FLD-së, ishte se Komanda e Brigadës së Nëndetëseve do të ishte në vartësi ushtarake nga Komanda shqiptare e Flotës, me qendrën e saj në Vlorë, ndërsa vartësia e ekuipazheve do të ishte si më parë.Bashkëpunim i frytshëm me rusëtKalimi i nëndetëseve në komandën e ushtarakëve shqiptarë, përveçse një ndjenjë krenarie, ishte dhe një përgjegjësi e madhe për kuadrot tanë të rinj, që u duhej të përballonin situata nga më të vështirat në ditët e muajt që do të pasonin. Kur komandanti i Brigadës së Nëndetëseve të Pashalimanit, kapiteni i rangut të parë, rusi Jegerov dhe kolegë e vartës të tij (emra të njohur të detarisë luftarake ruse në dekada) Kastromov, Karelin, Nekrasov, Ushkov etj.. me një karrierë të gjatë e relativisht 35 - mbi 50-vjeçare, u dorëzuan detyrat kolegëve shqiptarë, të gjithë 24-26-vjeçarë, kujtojnë ish-ushtarakët madhorë të Flotës Luftarake, sfida për detyrat që dilnin, merrnin përmasa të tjera. Por edhe pas kalimit të komandës te shqiptarët, kujton ish-ushtaraku madhor Myftiu, bashkëpunimi me kuadrot rusë ishte tepër i frytshëm, miqësor e në funksion të realizimit sa më cilësor të detyrave, deri në momentin e ftohjes politike që solli dhe prishjen e marrëdhënieve 3-4 vite më vonë. Sipas dokumenteve të kohës, në çdo hallkë drejtimi të Flotës, pranë komandave shqiptare ishte dhe një konsulent rus. Kështu, pranë Teme Sejkos ishte kapiteni i rangut të parë, Kulik, ndërkohë që pranë ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, ishte konsulent kundëradmirali rus, Zagrebin. Gjithsesi, në këtë kohë, qeveria shqiptare, sipas dokumenteve të kohës, nisur nga rëndësia që merrte Flota Luftarake, mori një sërë masash të tjera të rëndësishme, që synonin rritjen cilësore të përgatitjes speciale të efektivave. “Në këtë kohë, krahas të tjerave, me vendim të qeverisë shqiptare, u bë shtimi nga 3 në 4 vjet koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për marinarët, gjë e cila vinte në rakordim të plotë me vitet e shërbimit të Flotës Sovjetike”, - kujton Petrit Myftiu. Por marrëdhëniet me ushtarakët rusë, kujtojnë kuadrot tanë të detarisë luftarake, krahas efektivitetit në funksion të punës, u shtrinë dhe në sferën shoqërore e deri në marrëdhëniet e ndërsjella të miqësisë familjare.Pashalimani në projektet e ushtarakëve rusëBaza e Pashalimanit dhe Sazani përkundruall ku ishin forcat detare shqiptare e ruse, një mrekulli jo vetëm e natyrës, por të vlerësuar si pika strategjike luftarake, dje dhe sot, nga specialistë të shteteve e kampeve ushtarake të njohura të grupimeve ushtarake, nga Hrushovi, ushtarakët rusë dhe nga ato të Traktatit të Varshavës deri në prishjen përfundimtare me ish-BS-në e daljen nga Pakti i Lindjes, ishin në qendër të vëmendjes. “Politika dhe strategjia ushtarake e shtetit sovjetik synonte hapjen e forcave ushtarako-strategjike në Detin Mesdhe, si kundërpeshë ndaj Flotës së 6-të të SHBA-së. Jemi në vitet kur shteti sovjetik synonte të afirmonte veten superfuqi në pikëpamjen politiko-ushtarake”, - tregon Petrit Myftiu. Në atë kohë, vazhdon më tej Myftiu, dëgjonim mjaft nga sovjetikët për të ardhmen e Pashalimanit, të cilët jo pa mburrje na thoshin që në një të ardhme jo shumë të largët, diku në gjirin e Raguzos, në rrëzë të Karaburunit do të hapeshin tunele të cilët do të strehonin deri 20-25 nëndetëse atomike. Kështu, atë kohë në rrafshin e Ravenës, mbi Karaburun, filluan punimet për ndërtimin e pajisjeve të nevojshme për lëshimin e raketave tokë-ajër, të cilat do t’i siguronin Bazës Detare të gjirit të Vlorës një mbrojtje të sigurt. Këto plane, sipas specialistëve ushtarakë, do ta kthenin bazën e Vlorës në një bazë tepër të fuqishme e të avancuar të Traktatit të Varshavës në Mesdhe.. Por prishja e afërt me rusët, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve... (Vijon)