e premte, korrik 21, 2006

Enver Hoxha dhe Hrushovi vizitojnë bazën e Pashalimanit



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës, kujtimeve të ish-ushtarakut madhor të FLD-së, Myfit Qorduka e kolegëve të tij, në këtë numër sillen detaje të vizitës që bënë Hrushovi, Enver Hoxha e Grotenvoldi në bazën detare të Pashalimanit, udhëtimi drejt Butrintit, bisedat e Hrushovit me ministrin e tij të Mbrojtjes rreth bazave ushtarake shqiptare, si dhe incidentet e para mes ushtarakëve shqiptarë e rusë me nisjen e ftohjes së marrëdhënieve mes vendit tonë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.Në vazhdim do të lexoni:-Si ndodhi incidenti i armatosur më 11 prill 1959 midis nëndetseve tona të Pashalimanit dhe atyre të NATO-s.-Urdhëri i Beqir Ballukut komandës së FLD-së: “Mbroni me zjarr kufirin!”.-Incidenti me nëndetsen amerikane, provë “fajësie” në gjyqin ndaj Teme Sejkos, ish-komandantit të FLD-së.DokumentiHrushovi: “Me këtë bazë tonën, kemi në dorë Mesdheun!”Hrushovi thirri pranë Malinovskin, ministrin e tij të Mbrojtjes. Shiko, -dëgjova të pëshpëriste, - ç’mrekulli është këtu. Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona. Të gërmohen e të hidhen në det këto vjetërsira, ta shpojmë këtë mal dhe të dalim matanë- duke treguar me dorë Ksamilin. – Do të kemi në dorë bazën më ideale e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e sulmojmë gjithçka...Pas nja dy ditësh po të njëjtën gjë e përsëriti edhe në Vlorë. - E mrekullueshme, e mrekullueshme- thirri Hrushovi, duke u drejtuar nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peizazhin me të vërtetë mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë: Çfarë gjiri, sigurisht rrëzë këtyre maleve - thanë - që këtej me një flotë të fuqishme kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori deri në Gjibraltar. Mund të bëjmë zap këdo... M’u drodh mishi kur i dëgjoja të flisnin kështu, si zotër të deteve, të vendeve të popujve të tjerë. Kurrë ti s’do t’i kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Butrintin, as Vlorën, asnjë gisht të tokës shqiptare!.. “Paqja” fiktive me rusët, gjithnjë e më tepër po tronditej nga themelet.(Enver Hoxha, libri “Hrushovianët” , faqe 357)Maj 1959(Vijon nga numri i kaluar)Viti 1959, për efektivat shqiptare e ato ruse në bazën e njohur të Pashalimanit në Vlorë, krahas kompletimit me nëndetëse e anije luftarake bashkëkohore, sipas ish-ushtarakëve tanë madhorë të FLD-së, shënon periudhën e aftësimit të plotë të efektivave tona kuadro të shërbimit (që nga kuadrot madhorë, detarët e deri te manovruesit teknikë më të thjeshtë), ndonëse anijet luftarake e nëndetëset vazhdonin të ishin ende me komanda e efektiva të dyfishtë, të dubluar, rusë e shqiptarë. “Njëkohësisht, qëndrimi i gjatë me ushtarakët rusë në detyrat luftarake, krahas aftësimit të efektivave tona, solli një frymë bashkëpunimi efektiv e sinqeriteti të ndërsjellë, shpesh të shtrira edhe jashtë detyrave luftarake”, - pohon për gazetën Myfit Qorduka, ish-kuadër madhor i Flotës sonë Luftarake Detare. Në këtë vit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive të ish-ushtarakëve të FLD-së, në bazën ushtarake të Pashalimanit, atë të Sarandës e Butrintit, i viziton ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha e drejtues të tjerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës.1 qershor ’59, Enveri, Hrushovi e Grotenvold në PashalimanVizita e Hrushovit në bazat luftarake detare të vendit, sipas dokumenteve që ruhen në arkivën e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, u mësua në fund të muajit maj 1959, kur kreu i vendit më të madh të kampit socialist, kishte ardhur për një vizitë të gjatë në Shqipëri. Sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, një urdhër i dërguar nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes për komandat e bazave ushtarake, kërkonte vënien në shkallën më të lartë të gatishmërisë , si teknikën luftarake, ashtu dhe efektivat përkatëse, shqiptare e ruse; njëkohësisht, të krijonin mjedise të kulturuara e funksionale në të gjithë territorin e shtrirjes së njësive. Drejtues të lartë të ministrisë, sipas burimeve të mësipërme, ato ditë u gjendën në komandat e bazave për të ndihmuar nga afër, veçanërisht në bazën detare të Pashalimanit, ku ishin përqendruar teknika dhe forcat kryesore luftarake të Flotës, mes të cilave mendohej se do të kalonte më gjatë Hrushovi gjatë vizitës nëpër njësitë detare të jugut. Baza e Pashalimanit, kujtojnë ish-ushtarakët që drejtonin bazën atë vit, u përgatit si në festë, ndërsa mëngjesin e 1 qershorit 1959, ditë e hënë, në këtë bazë erdhën vizitorët e shumëpritur. Nën shoqërimin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit shqiptar, Hrushovi, së bashku me ministrat rusë që e shoqëronin, shkel në Pashaliman, ku pritet me ceremoninë përkatëse ushtarake. Së bashku me mikun e madh rus, në këtë vizitë, sipas dokumenteve të kohës dhe ish-ushtarakëve të Pashalimanit, ishte dhe Otto Grotenvold, ish-kryeministër i Gjermanisë Lindore.Udhëtimi nga Pashalimani në SarandëPritja e Hrushovit dhe miqve të tjerë në bazën e Pashalimanit, ishte një festë e vërtetë për efektivat shqiptare e ruse që shërbenin në këtë bazë të rëndësishme. Efektivat e bazës së Pashalimanit në atë kohë, nën drejtimin e kuadrove të aftë e të përkushtuar Xhemmal Shani, komandant i brigadës së nëndetseve, bashkë me komandantët e nëndetseve Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Jak Gjergji, Mihal Xhamo e Pali Carapuli, ushtarakët e tjerë Skënder Doçi, Beqir Gërbi, Dashamir Ohri, një pjesë e të cilëve më vonë do të ishin titullarë të FLD-së, kishin arritur jo vetëm të aftësoheshin vetë profesionalisht e në një nivel me ortakët rus, por ishin të gatshëm në çdo moment, të zgjidhin në mënyrë të pavarur detyra luftarake nga më të rëndësishmet. Në fjalën e tij, mes të tjerave, sipas dëshmitarëve të takimit, Hrushovi përgëzoi efektivat ruse e shqiptare për shkallën e gatishmërisë luftarake, miqësinë dhe bashkëpunimin e mirë mes tyre, si reflektim të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-ruse, por duke theksuar nevojën e fuqizimit të FLD-së, për të neutralizuar e pasur në shënjestër Flotën e 6-të amerikane që e kemi përballë dhe forcave ushtarake të NATO-s në Mesdhe. Edhe Enver Hoxha, sipas kujtimeve të ish-drejtuesve të FLD-së të pranishëm në këtë takim, duke falënderuar miqtë që vizituan Shqipërinë e bazën e Pashalimanit, theksoi nevojën e forcimit të gatishmërisë për ta mbajtur të paprekshëm kufijtë nga “imperialistët amerikanë dhe shërbëtorët e tyre të mbledhur në paktin agresiv të NATO-s”. Miqtë, të shoqëruar nga Enver Hoxha, pas takimit me kuadro e detarë të bazës së Pashalimanit, me anijen luftarake të komanduar nga kapiteni rus, Maksimov, u nisën në udhëtimin drejt Sarandës. Sipas dokumenteve të kohës dhe ish-ushtarakëve të flotës, përkrah rusit Maksimov, në drejtimin e anijes ku lundronin dy udhëheqësit më të lartë, ishte komandanti shqiptar Stavri Çika e disa kolegë të tjerë ushtarakë si S.Doçi, A.Pojani, etj...Marrëdhëniet mes ushtarakëve shqiptarë e rusë pas vizitësSipas Qordukës, jo shumë kohë pas vizitës së Hrushovit në Pashaliman e Sarandë, vizitë që u shoqërua me pritje madhështore e entuziazëm, nisën të ndjehet një farë ftohje dhe në marrëdhëniet mes bashkëdrejtuesve shqiptarë e rus të nëndetëseve, shtrirë në raste të veçanta dhe në rangje më të ulëta. Referuar dokumenteve që publikohen vite më vonë, kjo ftohje vinte nga kontradiktat që sapo kishin nisur mes udhëheqjeve përkatëse të dy vendeve, ku një nga pikat e mospërputhjeve, ishte dhe qëndrimi rus për misionin e bazës së Pashalimanit, për interesa të tyre, pa përfillur të zotët e shtëpisë, palën shqiptare. Enver Hoxha, në ditarin e tij (2 qershor 1959), midis të tjerave, sjell një fragment bisede mes Hrushovit dhe ministrit të tij të Mbrojtjes për Butrintin e Pashalimanin, ku Hrushovi është shprehur: ”...Që këtej, me një flotë të fuqishme, ne kemi në dorë të gjithë Mesdheun, që nga Bosfori në Gjibraltar..!”, që kundërshtohet prerë nga Hoxha.Mesviti 1959, shton më tej Qorduka, është periudha e incidenteve të para sporadike mes ushtarakëve tanë e atyre rusë, por muaj më vonë, ata do të ishin më të shpeshta e të ashpra.. (Vazhdon)