e enjte, korrik 27, 2006

Acarimi i situatës mes rusëve e shqiptarëve


Mehmeti udhëton urgjent në Pashaliman
Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës dhe kujtimeve të Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor në FLD, në këtë numër sillen detaje të acarimit të marrëdhënieve mes ushtarakëve rusë e shqiptarë në bazë, vizitën urgjente të Mehmet Shehu në Pashaliman, emërimin e Abdi Matit në FLD, si dhe tensionin që solli një lajm i datës 12 prill 1961, dhënë nga radio Moska.Në vazhdim do të lexoni:-Si ndodhi incidenti i rëndë mes rusëve e shqiptarëve në momentin që rusët ngrenë flamurin e tyre përkrah flamurit shqiptar në ceremoninë zyrtare në Pashaliman.- Debati i komandantit të FLD-së, Abdi Mati, me ushtarakun rus, Riballko, rreth incidentit të rëndë.- Si u kthye në simbol të qëndresës së FLD-së nëndetësja 105, histori e përjetuar në filmin “Ballë për ballë” dhe cilët janë protagonistët realë të ngjarjes.Dokumenti:Në shkurt të vitit 1961 zhvillon në Tiranë punimet kongresi i 4-t i Partisë Punës së Shqipërisë. Kongresi mori në analizë dhe miratoi qëndrimin që mbajti delegacioni shqiptar i kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive Komuniste e Punëtore në Moskë. Miratimi i qëndrimit të delegacionit shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë, në kongresin e katërt të PPSH-së, u shoqërua me vendime të KQPPSH-së lidhur me vazhdimin e luftës për mbrojtjen e Marksizëm-Leninizmit nga deviacionet e Hrushovit e pasuesve të tij që u shfaqën hapur në mbledhjen e 81 partive.(Arkiva e ish- KQPPSH-së, Kongresi i katërt i PPSH-së)Baza ushtarake e nëndetëseve në Pashaliman, e lakmuar me çdo kusht nga rusët, por objekt ushtarak i rëndësishëm i ushtrisë shqiptare, në prag të ftohjes së marrëdhënieve Shqipëri-Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kujtimeve të ish-ushtarakëve shqiptarë të FLD-së, veçanërisht pas mbledhjes së 81 partive në Moskë e kongresit të 4-t të Partisë Punës së Shqipërisë në shkurt të vitit 1961, u bë “arenë” e përplasjeve të shumta mes komandave të dubluara shqiptare e ruse, shpesh deri dhe mes marinarëve e punonjësve të thjeshtë. Sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak madhor i FLD-së, tashmë krisja politike mes udhëheqjeve të dy vendeve ishte bërë publike, veçanërisht pas qëndrimit kundërshtues të delegacionit shqiptar në Moskë, por zbatimi i detyrave të gatishmërisë në bazën e Pashalimanit, ende vazhdonte të ishte objekt i bashkëveprimit mes ushtarakëve tanë e atyre rus. “Për FLD-në e bazën në veçanti, nga Ministria jonë e Mbrojtjes ishin dhënë porosi konkrete që nga kalimi në gatishmëri të lartë luftarake, ruajtja e gjakftohtësisë e korrektesës me rusët, por gjithmonë të linim të kuptonin se baza ishte e jona e se shqiptarët ishin zotër. Ndërsa rusët, me orientimin tyre nga eprorët në Moskë, jo vetëm tentonin të vinin në dukje se ata ishin më të përgatiturit, më të aftët, por nga ana tjetër, synonin përforcime të reja në forca, mjete e logjistikë, me synim e avantazheve në situata më të vështira që priteshin”, - shton Qorduka.Mehmeti urgjent në PashalimanSipas dokumenteve zyrtare dhe kujtimeve të ish-ushtarakëve të FLD-së, në atë kohë situatat ndryshonin me ditë e me javë. Tashmë, kujton Qorduka, në linjë partie, por dhe nëpër shtabe, si kudo, por veçanërisht në bazë, ku komanda ishte e dubluar (ruse e shqiptare), punimet e mbledhjes së Moskës dhe qëndrimi i delegacionit shqiptar atje ishin bërë të njohura te kuadrot e efektivat shqiptare, gjë e cila nuk kishte si të mos binte në sy te pala ruse. Në këtë kohë, shton më tej ai, në shkurt të vitit 1961, u zhvillua në Tiranë kongresi i 4-t i PPSH-së, që miratoi qëndrimin e mbajtur nga delegacioni shqiptar në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Gjatë punimeve të kongresit, por edhe më pas, kujtojnë ish-ushtarakët e Pashalimanit, efektivat e kuadrot, të përforcuar me ekipe nga ministria, qëndruan të pagjumë e me armë mbushur, por në çdo rast gjakftohtë e vigjilentë ndaj çdo provokimi e incidenti të mundshëm nga rusët. Situata në bazë, ftohtësia e qëndrimet e palës ruse, provokimet e incidentet, sipas dokumenteve të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakëve, raportoheshin rregullisht në Tiranë, nga ku merreshin edhe urdhra e udhëzime të veçanta. Duke shfrytëzuar zhvillimin e punimeve të sapopërfunduara të kongresit të 4-t, por sigurisht me synimin për të parë nga afër këtë “pikë të nxehtë”, ku reflektohej në teren krisja e marrëdhënieve me Rusinë, në Pashaliman, në fundmars 1961, vjen me urgjencë Mehmet Shehu. “Ardhja e Mehmet Shehut në bazë, edhe pse qëllimi i ardhjes zyrtare iu komunikua dhe palës sovjetike në këtë njësi, nga ana e tyre, kuptohej fare qartë misioni i vërtetë i ardhjes së kryeministrit shqiptar në Pashaliman”, - vazhdon tregimin Qorduka. Më tej në shënimet e tij thuhet: “Në takimin me Mehmet Shehun që u zhvillua në sallën e bazës që merrte deri 1 000 vetë, morën pjesë dhe kuadrot e detarët rusë. Mehmeti ishte veshur me një kostum sportiv, çizme të gjata lëkure, kasketë kafe dhe ishte i shoqëruar nga këshilltari rus i ministrit të Mbrojtjes për Flotën, kundëradmirali Zagrebin. Futaj e Mehmetit në sallë, pritja me duartrokitje e thirrje frenetike Partia e Punës, Enver Hoxha, imponuan që nga zori edhe rusët të çoheshin në këmbë, për kortezi të bënin sikur takonin duart, ndonëse vlonin nga brenda!”. Mes të tjerave, sipas ushtarakëve të Flotës të pranishëm në këtë takim, kryeministri shqiptar foli për revizionistin Tito, ç’përfaqësonte ai për vendin tonë, për kampin socialist, rrezikun që paralajmëron ideologjia e tij për vendin tonë e socializmin, duke lënë të nënkuptojnë hapur se edhe mbështetja e tij nga rusët, ishte hap me rrezik e jo në drejtimin e duhur! Tregimi për revizionizmin titist e rrezikun për socializmin, gjatë bisedës Mehmeti e lidhi dhe me njohjet e tij me Titon, udhëtimin në të njëjtin vapor së bashku me ‘të për në Amerikë, qenien së bashku për gjah etj... Më pas, Shehu, duke folur për fuqizimin e bazës së Pashalimanit, rolin e saj në mbrojtjen e Shqipërisë dhe vendeve të Traktatit të Lindjes kundër rrezikut të imperializmit ndërkombëtar, theksoi: “Kush do të punonte për likuidimin e kësaj baze, do të forconte krahun jugor të NATO-s!”. Në këtë rast, kujtojnë ish-ushtarakët, mesazhi qe i qartë si për ushtarakët rus, ashtu edhe për ata shqiptar...Zhvillime të tjera në PashalimanVizita e Mehmet Shehut në bazën e Pashalimanit, sipas Myfit Qordukës, ish-ushtarak i FLD-së, dha mesazhin e qartë dhe direkt, se tashmë krisja e marrëdhënieve me rusët ishte një fakt real, se me gjithë manovrat, presionet e kërcënimet me të gjitha format nga ana e tyre, baza ishte e shqiptarëve e do të mbrohej me çdo kusht nga kuadro e marinarë të flotës. Në këtë mënyrë, nuk bëhej më fjalë për eliminimin e incidenteve, por për mbajtjen e situatës nën kontroll, rritjen e vigjilencës e marrjen e masave të gjithanshme që krahas ruajtjes së gjakftohtësisë, komandantë shqiptar së bashku me efektivat që drejtonin, të diktonin në kohë çdo plan apo manovër të rusëve, duke sjellë neutralizim të çdo përpjekje për marrjen e bazës apo rrëmbim të anijeve e nëndetëseve në një ikje të mundshme. Pikërisht në këtë periudhë nga më delikatet e historisë së Flotës sonë Luftarake, sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës, drejtuesit e ushtrisë e shtetit shqiptar, firmosin emërimin e kundëradmiralit Abdi Mati si zëvëndës të Hito Çakos në krye të FLD-së, i cili së bashku me Ziqiri Meron e Qamil Podën, ishin ndër kuadrot specialistëve më të njohur të kësaj arme. “Në atë gjendje të vështirë, maturia e pjekuria, niveli i lartë profesional i Matit, jo vetëm arriti të administrojë suksesshëm situatën, të përgatisë e mobilizojë efektivat tona detare për të përmbushur me sukses urdhrin për ruajtjen e bazës e të nëndetëseve, duke detyruar rusët të dështojnë në misionin e tyre, por arriti që të bëhet në një farë mënyre dhe simbol i Flotës!” - shton Qorduka.12 prilli 1961 në Pashaliman...Ish-ushtarakët shqiptarë të bazës së Pashalimanit, në periudhën e pikut të acarimit të marrëdhënieve me ushtarakët rusë, kujtojnë një ngjarje të fillim prillit 1961, që nga rusët, por dhe nga ushtarakët tanë u mor si sinjal i fillimit të luftës me armë.“Jo vetëm për ushtarakët e bazave tona ushtarake në Shqipëri, por dhe për studentët tanë në Rusi e qytetarët e thjeshtë, ai komunikim i rëndësishëm në radion ruse, siç kishte qenë në traditë, na parapërgatiti për luftë”, - tregon Qorduka. Në shënimet e tij lidhur me këtë rast, Qorduka thotë: “Ishte 12 prillit 1961, e Radio-Moska, nëpërmjet zërit të spikerit të njohur Levetan, pohon se pas disa minutash, të rrinin në dëgjim për një lajm tepër të rëndësishëm. Rusët e dinin, por dhe ushtarakët tanë që ishin shkolluar në akademitë e këtij vendi, se zëri i tij, tradicionalisht lajmëronte për luftë e beteja. Pasi, zëri i Levetanit, ishte bërë i njohur për ushtrinë e kombin rus, por dhe aleatët, për transmetimin direkt në radio të Urdhërave Luftarak, që hidhnin në beteja miliona luftëtarë.Por, ankthi u shkri, kur ky spiker pohoi me solemnitet se për herë të parë, kishte zbritur në hënë, kozmonauti rus Juri Gargarin!”...Në bazën e Pashalimanit, ky lajm që në një farë mënyre kishte përgatitur moralisht detarët për luftë, në moment “shkrin” tensionin, duke sjellë një ndjenjë krenarie të shfaqur hapur tek ushtarakët rusë... Por dhe ata shqiptarë.. Veçse përkohësisht.... (Vijon)