e mërkurë, korrik 05, 2006

Si u përgatitën kuadrot e parë të Flotës në Jugosllavi dhe Rusi



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakut madhor të Flotës Luftarake Detare, Myfit Qorduka, sillen momentet e vështira të fuqizimit të FLD-së me anije e nëndetëse bashkëkohore, nisja në vitin 1946 e kontingjenteve të para të kuadrove për përgatitje në Akademitë e Jugosllavisë e Rusisë, përballimin e incidenteve dhe provokimeve të fqinjëve nga detarët tanë si dhe inspektimi e detyrat e Enver Hoxhës në prill të vitit 1954 në bazën e Pashalimanit dhe ishullin e Sazanit.Në vazhdim do të lexoni:-Beqir Balluku në ceremoninë në Pashaliman, ku komanda e brigadës së nëndetëseve kalon nga rusët te shqiptarët.-Si ishte bashkëpunimi mes ushtarakëve rusë dhe atyre shqiptarë në bazën e Pashalimanit, deri në fillimin e acarimit të marrëdhënieve shtetërore.-Çfarë planesh kishin rusët për Pashalimanin e Sazanin dhe si punohej për realizimin e planeve afatgjata.24 prill 1954. Enver Hoxha në Sazan(Vijon nga numri i kaluar)Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin Flotës Luftarake Detare shqiptare që në muajt e parë të pasluftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane. Fillimisht, menjëherë pas luftës, që në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhënieve, pas vitit 1968 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë ruse, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë”, - pohon për gazetën Myfit Qorduka, ish-ushtarak madhor në FLD. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarakë që ruhen në arkivën e FLD-së, efektivave tona detare iu desh që krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, pajisjeve me teknikë e armatim bashkëkohor, të përballonin gjithashtu edhe dhjetëra incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptarë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, viktima mes detarëve e oficerëve në këto incidente, por duke i përballuar këto me sukses. “Në prill të vitit 1954, në përgëzim të realizimit të detyrave me sukses në efektivat detare, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin dhe ishullin e Sazanit, duke dhënë njëkohësisht edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detarë”, - pohon për gazetën Duka.Jugosllavia, vendi i parë i përgatitjes së oficerëve të flotësSipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit, kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nis menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Në fillim të vitit 1946 deri në vitin 1947, sipas dokumenteve të kohës, në një kurs njëvjeçar, dërgohen në Dalmaci një grup ushtarakësh që të përgatiten si specialistë për anijet luftarake. “Ndër kuadrot e para të detarisë ushtarake që u përgatitën në Jugosllavi, kujtoj Selam Qejvanin, Petro Trenin, Rami Mborjen, Xhavit Selimullarin, Hajri Binaj, Vaskë Themeli etj., që falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan jo pak nga eksperienca e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”, - pohon për gazetën Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën jugosllave të detarisë luftarake, ndër vite punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke pasur rastin të jenë dhe drejtues të këtyre njësive.Ish-Bashkimi Sovjetik, vendi i përgatitjes masive të ushtarakëve tanë detarëQë nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura ruse të marinës ishin vendet ku u përgatitën breza të tërë të kuadrove të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe në detyra të ndryshme në flotë në vjeshtë të vitit 1949. Sipas ish-ushtarakut Qemal Hysaj, grupi i parë i kuadrove shqiptarë të marinës u përgatit në kryeqytetin e Republikës së Azerbajxhanit, Baku, mbi detin Kaspik. “Kuadrot e parë që studiuan për marinë në Rusi ishin 10 vetë, pikërisht Xhemal Shani, Aziz Hasa, Mark Plani, Stavri Çika, Andrea Papadhimitri, Piro Kola, Muharrem Lulolli, Mehmet Karashabani, Shaqir Kapexhiu dhe Shefqet Pinari”, - shton më tej Hysaj. Qysh me ardhjen në atdhe, kuadrove të përgatitur në Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kolegëve që ende jetojnë, u emëruan në detyra të rëndësishme. Kështu, Xhemal Sinani emërohet komandant i Flotiljes e më pas komandant i Brigadës së Nëndetëseve; Mark Plani emërohet shef i shtabit të Flotiljes e komandant baze; Aziz Hasa, komandant i ishullit të Sazanit etj. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, në vitin 1948 dërgohen dy grupe studentësh të tjerë detarie për në Rusi, njëri prej 23 vetash po në Baku e tjetri prej 5 vetash në shkollën e lartë të inxhinierisë detare në Leningrad (sot Sant-Petërburg). Ndërsa nga mezi i viteve 50 deri në fillim të vitit 1960, në akademitë ruse u dërguan dhjetëra ushtarakë të tjerë për marinën shqiptare.Vizita e Enver Hoxhës në ishullin e SazanitArdhja e kuadrove të parë të shkolluar jashtë vendit në krye të FLD-së shqiptare e njësi të tjera të kësaj arme, sipas rrëfimeve të ushtarakëve madhorë të Flotës, solli përmirësim rrënjësor të nivelit të gatishmërisë në mbrojtje të ujërave tona detare. Sipas ish-ushtarakut madhor të flotës, Myfit Qorduka, e veçantë në këtë periudhë të fuqizimit të FLD-së, përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim, Vangjel Nano, një nga drejtuesit e efektivave detare, në kujtimet e tij shkruan se më 24 prill 1954, nga Vlora edhi në Sazan shoku Enver Hoxha, i shoqëruar nga Silur-Hedhësja Heroi, komanduar nga ekuipazh krejtësisht shqiptar. Enveri, sipas shënimeve të Nanos, mes të tjerave, para efektivit të kuadrove e detarëve të Sarandës theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e Partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se detarët do t’i ruajnë e mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur..”. (Vijon)