e enjte, korrik 13, 2006

Meçollari, në ditët kur ishte në krye të Shtatmadhorisë




Si e kundërshtova urdhrin e Mehmetit për 500 mijë uniformat ushtarake”

Afrim Imaj


“Të punoje nga afër me Mehmet Shehun ishte kënaqësi, por edhe sfidë e jashtëzakonshme”. Kështu e përmbledh periudhën kur ka bashkëpunuar me të në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, Sami Meçollari.
Ushtaraku që ka zëvendësuar gjeneralin karizmatik, kujton se është ndjerë optimist në përmbushjen e detyrës, ndërkohë që kishte pranë asistencën e njeriut me vizion e përvojë, siç ishte Mehmet Shehu, që shquhej ndër të tjera për një afeksion të veçantë për problemet e mbrojtjes dhe ushtrisë, madje edhe në periudhën kur nuk kishte qenë ministër i Mbrojtjes. “Ai ishte një akademi më vete, i qartë e bindës për ato që ofronte, por edhe i prerë e këmbëngulës për çka kërkonte për t’u zbatuar”, përmend Meçollari, disa nga tiparet e spikatura të ish-ministrit të Mbrojtjes, për të cilat thotë se ishin të domosdoshme dhe shumë të vyera për kohën.Sidoqoftë, gjërat nuk kanë shkuar vetëm kreshento gjatë bashkëpunimit në kreun e institucionit të ushtrisë. Mehmet Shehu, siç kujton më tej Meçollari, ishte ndërkaq edhe befasues në shumë iniciativa dhe zgjidhje të momentit. Ka qenë pikërisht ky tipar i tij që është bërë shkak për të tronditur disa herë marrëdhëniet midis tyre. Madje ka pasur raste që ato kanë arritur deri në konflikt të hapur. Ndërkohë që atëherë këto lloj përplasjesh kanë qenë të mbyllura e njiheshin vetëm nga një grup i vogël njerëzish, Sami Meçollari zbardh për herë të parë një pjesë të këtyre përplasjeve, që me gjithë emocionalitetin e momentit, nuk kanë ndikuar për ndonjë pasojë të veçantë në jetën e ushtrisë.Po si ka vazhduar komunikimi midis tyre? Për cilat vlera e veçonte Mehmet Shehu punën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ardhur rishtaz nga korpusi i ushtarakëve të karrierës? Cili ishte roli i Enverit në raportet specifike midis tyre dhe në hierarkinë ushtarake si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura? Si guxoi Meçollari të kundërshtojë haptas urdhrin e Mehmetit për të shpërndarë 500 mijë uniforma ushtarake për gjithë trupën e forcave vullnetare? Si do të ndikonte në ushtri prania e shefit të ri Shtatmadhorisë? Cilat do të ishin marrëdhëniet e këtij të fundit me Petrit Dumen dhe ushtarakët e lartë, që do të arrestoheshin vetëm pas pak muajve? Këto dhe aspekte të tjera nga periudha e asaj kohë zbardhen në vijim të bashkëbisedimit me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Sami Meçollari...Mehmeti, titullari që prezantoi kreun e ri të ShtatmadhorisëAjo ishte një ceremoni normale në një takim të oficerëve të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, ku Mehmet Shehu shpalli vendimin e emërtesës së lartë për disa ndryshime në Shtabin e Përgjithshëm dhe dikasterin e Mbrojtjes. Njëherazi me komunikimin për detyrën e shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm, ai citoi edhe pjesën tjetër të vendimit, sipas të cilit Petrit Dumja, deri atëherë shef i Shtabit të Përgjithshëm, emërohej zëvendësministër i Mbrojtjes. Një sërë ndryshimesh të tjera u bënë atë ditë, sipas të cilave linin vendin e punës një pjesë e mirë e kuadrove dhe ish-gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në vend të tyre vinte një grup tjetër nga radhët e oficerëve të trupës.Me ardhjen e Sami Meçollarit në krye të Shtatmadhorisë të ushtrisë, shënohej rasti i parë që në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm emërohej një nga ushtarakët që nuk kishte marrë pjesë në luftë. Po kështu, për herë të parë organi më i lartë i ushtrisë do të drejtohej nga një ushtarak i specializuar për mbrojtjen kundërkimike. Ndërkaq, ardhja në këtë detyrë e Sami Meçollarit, si një njeri pa asnjë lidhje me krerët e lartë të shtetit dhe partisë, ishte një tjetër precedent në besimin e postit shumë të rëndësishëm pa certifikatën e besnikërisë të liderëve kryesorë. Nga aq sa kujtojnë pjesëmarrësit në atë ceremoni, ndryshimi në kreun e mbrojtjes do të sillte një klimë më të çliruar në radhët e ushtarakëve, duke ndikuar drejtpërdrejtë në motivimin e tyre për detyrat...Komandanti i korpusit të Jugut në zyrën e Petrit DumesE ka përjetuar jo pa emocione detyrën në majën e piramidës ushtarake Sami Meçollari, ca më tepër kur kishte parasysh që do të kryente detyrën e një gjenerali karizmatik siç ishte Petrit Dumja. “Në plan të parë ishte njohja nga afër me gjendjen e armëve dhe shërbimeve strategjike që kishin të bënin direkt me problemet e gatishmërisë”, shprehet Meçollari. “Njohja me problemet e zbulimit, aviacionit luftarak, flotës Detare, Ndërlidhjes, njësive artmitraliere që shërbenin në vijën e parë të kufirit shtetëror etj., ishte një nga përparësitë e dinamikës së punës së ditëve të para”. Pastaj, ish-komandantit të Korpusit të Jugut, i duhej të përballej edhe me një sërë detyrash të tjera që kishin të bënin me problematikën e përditshme të njësive dhe reparteve, më prezantonin dita-ditës me kërkesa që duheshin zgjidhur hap pas hapi. Sidoqoftë, ndryshe nga detyrat e tjera që kishte kryer, ajo e shefit të Shtabit të Përgjithshëm ishte shumë më tepër komplekse, po edhe në raporte mjaft delikate me strukturat e partisë që fillonin që nga maja e piramidës komuniste e përfundonin në organizatën e partisë së repartit më të skajshëm. Një problematikë më vete ishin raportet me ministrin e Mbrojtjes, Mehmet Shehu. “Të punoje me Mehmet Shehun ishte një kënaqësi, por ndërkohë edhe një sfidë e jashtëzakonshme”, kujton Meçollari. Sipas tij, ishte kënaqësi e privilegj për faktin se Mehmeti në komunikimin e përditshëm ofronte një shkollë me vete për nga vizioni, përvoja dhe aftësitë drejtuese. Ndërkaq, ishte sfidë, ndër të tjera, për iniciativat dhe zgjidhjet e befasuese që ekspozonte hera-herës. Në këto të fundit, veçon ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, mjaft herë të gjente të papërgatitur, por edhe të paorientuar, gjë që bëhej edhe shkak për përplasje të herë pas hershme. Meçollari shton se nuk ishte fjala për ndonjë konflikt kush e di çfarë, por disa përplasje, të cilat janë ruajtur në një mjedis të ngushtë, me qëllim që mos të ndikonin në gjendjen moralo-politike të ushtrisë...Meçollari refuzon urdhrin e Mehmetit për 500 mijë uniforma ushtarakeQysh nga periudha kur Meçollari punonte nga afër me Mehmet Shehun, është ruajtur një dokument, që konfirmon hezitimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm për zbatimin e urdhrit të nënshkruar nga Mehmet Shehu për shpërndarjen e 500 mijë uniformave ushtarake tek të gjithë kontigjentët e rezervistëve dhe vullnetarëve popullorë. Kur bëhet fjalë për të, Sami Meçollari thotë se, tani pas kaq kohësh, në kushte e rrethana të tjera, nuk ia vlen të ndalesh në një “trimëri” të tillë. “Më shumë se kundërshtim urdhri, në rastin në fjalë kishim të bënim me mosnënshkrimin nga ana ime të një urdhri që e kërkonte procedura pas firmosjes nga ana e ministrit”, shprehet përmbledhtazi ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Pastaj shpjegon rrethanat dhe situatën lidhur me këtë: “Mehmet Shehut i kishte shkuar një projekt-urdhër i punuar nga një zyrë e veçantë në Ministrinë e Mbrojtjes, që bënte fjalë për shpërndarjen e 500 mijë uniformave për forcat vullnetare dhe rezerviste dhe ai e kishte nënshkruar. Në krahun tjetër të shkresës duhej edhe firma e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të cilën unë me bindje të plotë refuzova ta hedh. Këtu nuk ishte fjala për karshillëk, as për guxim aventurier, po aty për aty mendova se në një kohë të mundshme do t’i shpjegoja Mehmet Shehut arsyet pse nuk duheshin shpërndarë nga pika e hapjes uniformat ushtarake. Po me sa duket, burokratët që ma sollën për ta nënshkruar, kishin nxituar për t’ia vënë në vesh ministrit, në mënyrë që ai të qëndronte rreptë pas kësaj shkeljeje të rëndë”.Stërvitjet ushtarake ishin hobi i MehmetitKa punuar nga afër Sami Meçollari me Mehmet Shehun për katër muaj, pa ndërprerje. Krahas përplasjeve të ndryshme, ai kujton edhe mjedisin e veçantë që inicionte Mehmeti kur ishte puna për të kërkuar zgjidhje të ndryshme. “Mjaft herë, kujton ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm diskutonim e rrihnim mendime për mjaft nga opsionet e stërvitjeve të ndryshme, sidomos të atyre komando-shtabi që drejtonte drejtpërdrejtë Shtabi i Përgjithshëm. Në asnjë rast ai nuk mbetej thjesht i deleguar në këto takime. Ca më tepër në ndjekjen e dinamikës së këtyre stërvitjeve që asokohe ishin të shpeshta”. Në kujtesën e Meçollarit, Mehmet Shehu në krye të dikasterit të Mbrojtjes, ka mbetur njeriu që hidhte situata të ndryshme e kërkonte zgjidhje racionale të cilat kishin të bënin me efektivitetin e veprimtarisë luftarake. “Sa dhe unë, përmbyll Meçollari, mbresa të shumta nga këto stërvitje ku Mehmeti ishte mjaft interesant, kanë edhe shumë nga ish-shtabovikët dhe komanduesit e njësive ushtarake të asaj periudhe...

“Kur ndryshuam ceremonialin ushtarak dhe vendosëm nderimin me grusht”
Në kohën kur Sami Meçollari u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm, me porosi të Enverit u ngrit një grup punë në Ministrinë e Mbrojtjes për të riparë tekstin e Rregullores së Disiplinës. Qëllimi lidhej me thellimin e karakterit popullor të ushtrisë dhe forcimin e rolit udhëheqës të partisë në strukturat ushtarake. Meçollari kujton rekomandimin e ministrit të Mbrojtjes për të parë në këtë kuadër edhe ndryshimin e nderimit të ceremonialit ushtarak. Deri në atë periudhë nderimi bëhej me pëllëmbën e dorës së hapur mbi vetull. Ishte hera e parë pas shumë dekadash që kërkohej të studiohej mundësia e ndryshimit të këtij rituali ushtarak. I vënë në krye të grupit të punës për të argumentuar një mënyrë tjetër nderimi, Sami Meçollari ftoi në këtë debat një numër të madh specialistësh, duke filluar që nga ata të Institutit të Studimeve Shkencore Ushtarake, pedagogë të Akademisë së Mbrojtjes, profesorë e studiues të Akademisë së Shkencave, kuadro të Shtabit të Përgjithshëm etj. “Pas disa javë konsultash e ballafaqime, përvoja e modelesh, kujton kreu i Shtatmadhorisë, vendosëm të propozojmë për t’u kthyer te nderimi me grusht. Argumentet që paraqitëm te Enveri lidheshin me traditën e hershme të nderimit të shqiptarit dhe atë të ushtrisë partizane, që qysh nga fillimi në fund nderoi me grusht. “Enver Hoxha e kishte pëlqyer këtë ide dhe menjëherë u miratua ndryshimi i ceremonialit. Me këtë lloj nderimi, që njihet ndryshe nderimi që ka futur në ushtri Sami Meçollari, Forcat e Armatosura shqiptare shkuan deri në fillimin e viteve ‘90, ku nisën proceset reformuese të tyre.

“Semani” demonstrimi ushtarak me 150 mijë trupa në Fier, që vuri në alarm fqinjët
Nga karriera ushtarake, Sami Meçollari, njeriu që i ka provuar të gjitha nivelet e karrierës, nga komandanti i nënrepartit e deri në majën e kupolës së Shtatmadhorisë, e veçon stërvitjen ushtarake “Semani” që u bë në vitin 1974, si demonstrimin më të madh ushtarak në të cilin ka marrë pjesë. Ishte koha kur Lufta e Ftohtë përjetonte kulmet e saj dhe vendi ynë duhej të krijonte imazhin se mbetej një barrikadë e pakapërcyeshme. Pikërisht për këtë, me porosi të lidershipit politik u mendua të zhvillohej një stërvitje masive, ku të konfirmohej konsolidimi i mbrojtjes dhe aftësitë e larta të trupave ushtarake në përballimin e një sulmi të mundshëm. Sami Meçollari, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, udhëhoqi nga afër tërësinë e masave për përgatitjen dhe zhvillimin e këtij demonstrimi, që u realizua në vjeshtën e vitit ‘74 me pjesëmarrjen e 150 mijë trupave. Në ditën e përfundimit të tij ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe të kabinetit qeveritar. “Shkëlqyeshëm!”, vlerësimi i bërë nga Mehmet Shehu do të ishte “nota” që Partia i vinte me këtë rast ushtrisë. Po entuziazmin e kreut të Shtabit të Përgjithshëm për këtë, do ta cenonte disi raporti i mbërritur në zyrat e drejtuesve kryesorë të shtetit nga shërbimi i Zbulimit, që ato ditë kishte konstatuar alarmin e papritur që kishte shkaktuar kjo stërvitje masive te disa nga vendet fqinje që e kishin ndjekur me shqetësim atë që kishte ndodhur në zonën rreth e qark Semanit. Kur shumë kush priste se si do të procedohej me këtë informacion, Enverit do ti dukej diçka normale. “U thoni të lënduarve nga stërvitja jonë, porosiste ai, se këto janë trupa që veprojnë brenda territorit dhe asnjëherë nuk do ta kalojnë kufirin shtetëror”

“Një mbrëmje vonë, mysafirë në shtëpinë e Mehmet Shehut”
Ka qenë mbrëmja e vonë e datës 24 nëntor 1974, kur Sami Meçollari, në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Bejdo Isufi, komandanti i garnizonit të Tiranës, janë thirrur për një vizitë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Mysafirët e orës së vonë do të raportonin në takimin me ministrin e Mbrojtjes mbi përgatitjet përfundimtare për paradën ushtarake, që do të bëhej vetëm pak ditë më vonë për nder të 30-vjetorit të çlirimit. Bejdo Isufi që ishte caktuar nga udhëheqja si drejtuesi më i lartë i paradës, teksa e njohu Mehmetin me masat më të fundit që ishin marrë për përmbushjen me sukses të saj, hodhi aty për aty një romuz në shenjë miqësie, po kryeministri u vrenjt menjëherë në fytyrë dhe iu kthye me ton të ashpër, gati fyes. “Prej këtej, kujton Meçollari, nuk mbeti gjë tjetër, vetëm të shpejtonim çastet kur do të dilnim nga vila e kryeministrit. Teksa po largoheshim, i thashë Bejdos se nuk duhej t’i jepte shkak Mehmetit për t’u nxehur, ca më tepër kur i dinte edhe karakterin e veçantë. “Po ai, bëri mirë, ma ktheu Bejdo, duke vënë në dukje se nuk është në zakonin e shqiptarit ta presës mysafirin në shtëpi pa i nxjerrë të paktën një gotë raki”. Në fakt kështu kishte ndodhur, ndërkohë që ndenjëm në vilën e kryeministrit për orë të tëra, nuk na serviri kush asgjë për mirëseardhje(!). Për këtë duhej t’i jepja të drejtë komandantit me emër të garnizonit të Tiranës, po preferova të hesht. Ishte hera e parë që shkoja mik në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe nuk më erdhi mirë nga sjellja e ftohtë në mjedisin familjar. Gjithsesi, bashkë me Bejdon duhej ta harronim këtë pakujdesi dhe të besonim për ditë e më shumë në fjalën dhe gjestet e Mehmetit.

neser do te lexoni
Makthi i lajmërimit të papritur për një mbledhje të jashtëzakonshme me udhëheqjen e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Feçorr Shehu në krye të një dyzine të oficerëve të lartë të Sigurimit ruajnë sallën e kolegjiumit, ku bëhet komunikimi i shkarkimit të lidershipit të ushtrisë.
Misteri i urdhrave në listat A B C D, që vinin nga Byroja Politike dhe penalizonin drejtuesit e lartë të ushtrisë.
Me se motivohej shkarkimi i Sami Meçollarit dhe çfarë synohej me vendosjen e dy rojave në hyrje të banesës së tij.