e premte, korrik 14, 2006

Enverit: “Në akademitë ruse, studentët tanë më të mirë!”


Kujtim Boriçi



Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës e kujtimeve të ish-ushtarakëve madhorë të Flotës Luftarake Detare, Petrit Myftiu e Myfit Qorduka, sillen detaje rreth fuqizimit të FLD-së në vitet 1957-1958, përparësie e përzgjedhjes së studentëve më të mirë që do të studionin për detarinë luftarake në Rusi, në bazë të një urdhri të firmosur nga Enver Hoxha, si dhe roli i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Petrit Dume dhe ish-komandantit të FLD-së, kundëradmiralit Teme Sejko në fuqizimin e flotës dhe rritjen e gatishmërisë së saj.Në vazhdim do të lexoni:- Misteret e udhëtimit të fshehtë të nëndetëses shqiptare në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar- Pashaliman në dhjetor të vitit 1959.-Zbulimi dhe përballja në afërsi të Maltës e nëndetëses me ordenin e anijes amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De-Mojn”, ku udhëtonte presidenti amerikan Ejzenhauer dhe manovrat e kapitenit rus, Kozllov.-Ndëshkimet e eprorëve për ushtarakët rusë, për shkak të zbulimit të nëndetëses në Mesdhe nga amerikanët.1957-1958, fuqizimi i FLD-së(Vijon nga numri i kaluar)Në vitet 1957-1958, kur Flota Luftarake shqiptare u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse e armatim bashkëkohor, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, qeveria shqiptare, në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga Rusia të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçëm për përzgjedhjen e kontingjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t’u përgatitur në akademitë detare të Bashkimit Sovjetik. Ky kontingjent, kujton mes të tjerave ish-ushtaraku madhor i FLD-së, Myfit Qorduka, kalonte në një “sitë” tepër të imët, duke qenë më të mirët mes të gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve e shërbimeve të ndryshme që dërgoheshin për shkollim akademik në vendin mik. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdhër të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës.Urdhri për studentët e FlotësPas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, tregon për gazetën Myfit Qorduka, ish-ushtaraku madhor i Flotës Luftarake Detare, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik. Vendimi i qeverisë shqiptare në vitin 1957 me nënshkrimin e Enver Hoxhës për përzgjedhjen e veçantë të studentëve tanë që dërgoheshin si kontingjent i flotës, shton më tej ai, tashmë bëri që nxënësi më të shkëlqyer të shkollës ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, si dhe ndër më të mirët e gjimnazeve të Shqipërisë, të përqafonin profesionin e bukur e të vështirë të ushtarakut detar. Këtë privilegj ndër vite (deri në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me Rusinë), e patën dhjetëra e qindra djem të talentuar, që atë kohë kryen deri në dy apo tri shkolla e akademi në Rusi, duke shërbyer më pas ndër dekada si komandues nënujësish (nëndetëseje), në anijet e bazat ushtarake që nga Saranda, Pashaliman, Sazan, Durrës, Vlora, e deri në bazën veriore të vendit në Shëngjin. Jo pak prej tyre, ndër vite, si Robet Bali, Ndue Jaku, Perikli Xhixho, Tasim Meçe, Astrit Sevrani etj..,shton më tej Qorduka, u bënë ndër drejtuesit kryesorë të bazave tona ushtarako-detare, të Flotës e deri në ministrisë e Mbrojtjes.Përkujdesja e Petrit Dumes e Teme Sejko Problemet e gatishmërisë së FLD-së, në këtë kuadër dhe përzgjedhja e përgatitje e kuadrove që dërgoheshin për shkollim në Rusi, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, mbanin të angazhuar drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu, Petrit Dume që ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, tregojnë për gazetën ish-ushtarakët madhorë të FLD-së, jo vetëm interesohej vazhdimisht në hollësi për problemet deri në hallkën më të ulët të njësive luftarake detare, por shpesh gjendej mes tyre, duke u dhënë udhë vetë problemeve të ndryshme. Ndërsa kundëradmirali Teme Sejko që në janar 1958 emërohet komandant i Flotës Luftarake Detare, deri sa qe në krye të saj për dy vjet (pasi në korrik të 1960-ës u arrestua së bashku me Taho Sejkon, Tahir Demin etj, për “tradhti” të lartë, si agjent i rusëve e amerikanëve, duke u pushkatua në maj të vitit 1961), nga ushtarakë e detarë të flotës, mbahet mënd si një njeri i aftë dhe i përkushtuar, që bëri jo pak për këtë shërbim të rëndësishëm në ato kohë të vështira. Njëkohësisht, në kujtesën e pa shlyer të dhjetëra studentëve që niseshin për shkollim në akademitë ruse, ai mbetet mes të tjerave për porosinë e shumëpërsëritur që ata (studentët) të mësonin, të përvetësonin dijenitë e profesionin deri në imtësi, pasi shuam shpejt do të zëvendësonin brezin që ishte në drejtim. Myfit Qorduka, një nga studentët e Akademisë Detare të Bakusë e më vonë në funksione të rëndësishme në FLD, lidhur me këtë përkujdesje, në kujtimet e tij shkruan: ”Ishte qershori i vitit 1959, kur unë, mes të përzgjedhurve për studime në Akademinë e Bakusë për detari, R.Bali, F.Gjinali, I.Bregasi, T.Gerveni, Sh.Skëndaj, T.Kola etj, pasi u përcollëm e u porositëm gjatë nga Petrit Dume, nisemi për në Vlorë, në një takim të gjatë para nisjes me kundëradmiralin e komandantin e FLD-së, Teme Sejko. Do të udhëtonim me vaporin rus Irgiz, por detyrat e fundit do na i jepte Teme Sejko!”. Pasi tregon për porositë e zakonshme që lidheshin me korrektesën dhe nevojën e përkushtimit në studime në vendin mik, ish-studenti kujton porosinë e Teme Sejkos: ”Ju shkoni në një vend të madh, me një ekonomi të zhvilluar, me shkencë konkurruese me shumë vende perëndimore. Duhet të përfitoni sa më shumë e të bëheni kuadro të mirë, se ju do të na zëvendësoni ne!”. Qorduka, që e ka fiksuar këtë shprehje jo vetëm në shënimet e tij të kohës, por dhe në kujtesë, tregon gjithashtu se në ato vite, kur kuadro të tilla të dalë nga lufta, të kthyer në një farë mënyre në “mite” në ushtri e popull, e që mendoheshin si të pazëvendësueshëm në funksionet e larta, me një kujdes të tillë, veçanërisht me shprehjen “do të na zëvendësoni”, sillnin një realitet-ëndërr tek ish-studentët që sapo hidhnin hapin e parë të shkollimit në rrugën e vështirë të detarisë luftarake. Në të vërtetë, pak vite më pas, do të ishin edhe këta studentë të shkolluar në Rusi që do të zëvendësonin gjeneralët e njohur shqiptarë në poste e detyra të tjera të ndryshme. Por vite më vonë, kuadro të tjerë në armë e shërbime të ndryshme të ushtrisë fatkeqësisht u zëvëndësuan nga brezi i ri, jo në rrugë normale, por nëpërmjet një kalvari të stërmundimshëm, pasi një pjesë e mirë e ushtarakëve madhorë, të etiketuar “armiq e tradhtarë”, do të pushkatoheshin nga regjimi i kohës, ndërsa dhjetëra të tjerë, do të bënin dekada vite burg e internime ... (Vijon)