e diel, prill 23, 2006

Ditët e fundit të misionin shqiptar në luftën e Vietnamit

Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Në këtë numër, nëpërmjet kujtimeve dhe shënimeve të kohës të Ramiz Fiçorit, një nga 12 ushtarakët shqiptarë, që më 1966 ishin pjesëmarrës në luftën vietnamezo-amerikane, sillen për lexuesin detaje të përfundimit të misionit të tyre në frontin e luftës, vështirësitë e udhëtimit, qëndrimi dhe befasitë në Kinë ku sapo kishte nisur Revolucioni Kulturor, deri tek arritja në Tiranë. 12 oficerët shqiptarë, 4 muaj në luftën e Vietnamit(Vijon nga numri i kaluar)Ditë-netët e ankthit dhe të papriturat e një lufte të vështirë, po shkonin drejt fundit të tyre, kur 12 ushtarakëve të misionit shqiptar në luftën vietnamezo-amerikane, u komunikohet urdhri se do të bëheshin gati që të niseshin për në atdhe. Kishin parë nga afër e ishin njohur me beteja të shumta, bombardime të vazhdueshme të aeroplanëve luftarakë amerikanë, kishin parë gatishmërinë deri në vetëmohim të një populli për mbrojtjen e vendit, e gjithashtu kishin parë masakra e viktima të panumërta në të dy kampet e përfshira në këtë luftë. “Por, sigurisht, gjatë qëndrimit tonë katërmujor në Vietnam, ne kishim përfituar teorikisht e praktikisht disa taktika të luftimit, kryesisht të metodave partizane, kishim mbajtur shënime e ishim aftësuar që me kthimin në Shqipëri, disa nga këto forma, në përputhje me situata të veçanta që planëzoheshin për stërvitjen e mbrojtjen tonë, t’i aplikonim”,-pohon Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë, në përbërje të misionit që mori pjesë në luftën e Vietnamit. NisjaMbrëmja e datës 4 tetor 1966, sipas Ramiz Fiçorit, shënoi dhe nisjen e misionit shqiptar nga fronti i luftës në Vietnam, për në Shqipëri. “Ishte planifikuar më parë, që itinerari i kthimit do të ishte andej nga erdhëm, por për shkak se sapo kishte filluar bombardimi i Hanoit, qyteti ishte i përpirë nga flakët, ekzistonte frika që mund të bombardohej dhe treni i linjës dhe rrezikohej jeta jonë”,- shkruan në shënimet e tij ish-oficeri shqiptar i misionit, Fiçori. Pas disa orëve të vështira udhëtimi nëpër territoret vietnameze në luftë, shton më tej ai, në orën 24.00 të natës, misioni shqiptar i shoqëruar nga ushtarakë vietnamezë, qëndron në stacionin kufitar të Dang Dangut, ku dhe do të bëhej ndërrimi i trenave. Po për shkak të situatës së luftës, vështirësisë së lëvizjes së trenave, për 12 oficerët shqiptarë u desh një ndalesë e detyruar në këtë stacion. Por, nuk ishte një pushim i zakonshëm siç ndodh nëpër stacionet ndërkombëtarë të trenave, por një situatë luftarake me qëndrim nëpër pozicione të fortifikuara. “Gjatë atyre orëve të qëndrimit në stacionin ndërkombëtar të Dang Dangut, ne qëndruam në një transhe me mur tullash, të mbuluar, derisa na lajmëruan se treni kinez me të cilin do të vazhdonim udhëtimin, ishte gati”,- tregon Ramiz Fiçori, xhenieri shqiptar në luftën e Vietnamit. Ndarja me vietnamezëtNjë mikpritje e përzemërt katërmujore në situata lufte, mirënjohja për mbështetjen shqiptare në këtë luftë, kishte bërë që miqësia mes ushtarakëve shqiptarë dhe vietnamezë, të forcohej. Kështu që dhe momentet e ndarjes, siç kujtojnë ushtarakët shqiptarë, ishin prekëse dhe emocionuese. Në momentet e ndarjes, sipas shënimeve të Fiçorit, ushtaraku përgjegjës vietnamez, i përlotur u është drejtuar shqiptarëve: “Lum si ju që po largoheni! Ne do u kujtojmë gjithmonë me dashuri e respekt, ne ngelemi përsëri në luftë, ndërsa ju po shkoni drejt paqes!”. Sapo u futëm në tokën kineze, ato orë të para të mëngjesit, ne u ndjemë si në derën e shtëpisë tonë. Tani kishim shpëtuar nga tmerret e luftës, nga alarmet e frikshme të natës, nga pusetat, helmetat, bretkosat e gjarpërinjtë”,-shkruan në shënimet e tij, Fiçori. “Klimë” tjetër në Kinë, për ushtarakët shqiptarëFiçori tregon, se me hipjen në trenin kinez e zbardhjen e agimit, ata panë e kuptuan se në territorin e Kinës ishte një “klimë” tjetër, jo si ajo që kishin lënë para katër muajve. U thanë e mësuam ato ditë të qëndrimit atje, se në Kinë kishte filluar revolucioni i Madh Kulturor, që sipas Mao Ce Dunit, do të vazhdonte në gjithë botën(!). Si u shmang një incident, mes ushtarakëve shqiptarë e gardistëve kinezë Gjatë afro tre ditëve të rrugëtimit me tren nëpër territorin kinez, si dhe gjatë pushimeve të detyruara nëpër stacionet e shumta, sipas Fiçorit, ushtarakët shqiptarë janë befasuar nga turma të shumta të të rinjve, gardistëve dhe ushtarakëve të rregullt, të cilët kishin stolisur gjokset me stema të kryetarit Mao, e nuk pushonin me thirrjet ”Mao zhu bi, sesja, sesja!”. Ishte “elektrizimi” i Revolucionit Kulturor, që sapo kishte nisur dhe do të përfshinte gjithë territorin kinez. Por në një moment, me dëshirën e një përshëndetje nga ushtarakët shqiptarë me një grup të madh gardistesh, afrimi i një reviste shqiptare “Ylli”, ku në kopertinën e saj kishte një foto të Mehmet Shehut e Lin Shao Ci-së, desh u kthye në incident. “Morëm vesh, se Lin Shao Ci në Kinë ishte cilësuar tradhtar, e ky ishte në qendër të goditjes së Revolucionit Kulturor, si armik”,- kujton Fiçori. Në stacionin e Pekinit dhe qëndrimi i gjatë në KinëNë stacionin e Pekinit, kujton Fiçori, ushtarakët shqiptar pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, i pritën ushtarakët e lartë kinezë, si dhe drejtues të ambasadës shqiptare atje. Ishin po të njëjtët persona që i kishin shoqëruar katër muaj më parë, gjatë udhëtimit për në frontin e luftës në Vietnam. “Në momentin e takimit, andej nga fundi, mua m’u drejtua përgjegjësi ushtarak kinez, duke më thënë “Balshoi, Balshoi!”, duke më vendosur gjithashtu dhe një distinktiv të madh të Maos në gjoks”,- kujton Fiçori. Ushtaraku i lartë kinez, të nesërmen u ka treguar shqiptarëve se gjatë kohës që ata ishin në luftën e Vietnamit, ai kishte qenë për një vizitë shtetërore në Shqipëri, e kishte mbetur i kënaqur, krahas të tjerave dhe nga vizita në Voskopojë, ku kishte parë të piqej qengj në hell e të shijonte atë. Pas disa ditësh qëndrimi në Kinë, tashmë jo si luftëtarë, por si mysafirë, 12 ushtarakët shqiptarë udhëtojnë drejt atdheut, të pajisur me “leksionet” e luftës vietnameze, të cilët më pas, do t’i materializonin në njësitë e repartet e ushtrisë shqiptare.(Fund)