e premte, prill 21, 2006

Fiçori; si u bëmë ne ushtarakët shqiptarë pjesë e luftës në Vietnam



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Në këtë numër, ish-ushtaraku xhenier Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë pjesëmarrës në vitin 1966 në luftën e Vietnamit, tregon për lexuesin fragmente nga kjo luftë e përgjakur mes vendësve dhe amerikanëve, pjesëmarrjes masive të popullsisë në luftën partizane si dhe përdorimin e mjeteve rrethanore, insekteve dhe kafshëve për terror psikologjik e dëmtime fizike ndaj kundërshtarëve.

Në vazhdim do të lexoni:-Misioni shqiptar në “sezonin e thatë” 1966 të luftës vietnamezo-amerikane-Një ditë nga më të përgjakëshme e luftës së gjatë në Vietnam-Si u njohën ushtarakët shqiptar me eksperiencën vietnameze “Ndërto natën atë që lufta shkatërroi ditën!”Kishin kaluar rreth gjashtë javë të qëndrimit të 12 oficerëve shqiptarë në frontin e luftës vietnamezo-amerikane, e tashmë ata jo vetëm u ambientuan me këtë luftë të ashpër, me rrezikun e përhershëm për jetën e tyre, por po njiheshin me metoda e forma të veçanta luftimi të panjohura më parë për ta. “Na bënte përshtypje ato ditë një mobilizim total i popullsisë në mbështetje të frontit e pjesëmarrjen direkte në luftën guerilje, pamë e mësuam me dhjetëra raste të vetësakrifikimit të grave vietnameze për idealin e lirisë, deri dhe gra shtatzëna që ishin në ballë të qëndresë në këtë luftë”, -shkruan në kujtimet e tij Ramiz Fiçori, një nga 12 oficerët shqiptarë që për 4 muaj ishin pjesëmarrës në këtë luftë. Ditari i oficerit amerikan të zënë robZënia rob e ushtarakëve amerikanë dhe aleatëve të tyre nga njësitet luftarake vendëse, -tregon Fiçori, -ishte një gjë e zakonshme edhe gjatë kohës që ne oficerët shqiptarë ishim në luftën e Vietnamit. Por në shumë raste, shton më tej ai, falë gropave të maskuara, pritave me mjete rrethanore, rënia në grackë e kundërshtarëve u bë një mënyrë masive luftimi dhe për njësitet vullnetare vietnameze. Në një nga këta metoda partizane luftimi, në fillim të muajit gusht 1966, ra në duar të vendësve dhe një oficer amerikan. Në xhepin e tij, sipas Fiçorit, u gjet edhe një ditar, ku në të, mes të tjerave, ai shkruante: ”Ne bëjmë një luftë kundër një armiku që nuk e njohim, që nuk e shohim, që nuk e dimë ku ndodhet, kur do të na sulmojë. Ne kuptojmë vetëm kur shoku ynë që ecën me kujdes përpara nesh, njëherësh bie në grackë, futen në gropë ku i ngulen në mish copëra bambuje të mprehta si thika. Sa tmerr! Ai ulërin e kërkon shpëtim, po çfarë t’i bëjmë ne. Kur ne fillojmë t’i heqim kunjat nga mishi, shpesh na fluturojnë anash e mbi kokë plumbat e vietnamezëve që fatmirësisht ende nuk na kanë vrarë. Bëjmë t’i kapim, por ata na sulmojnë. Sot zhvilluam një luftim dhe shpëtuam, nesër s’dihet se si do të vejë puna!” Luftëtari që mori pjesë në 600 sulme ajroreIshulli i Vogël Hon Ko në provincën Bin Lin në brigjet e Vietnamit të Veriut, me një sipërfaqe 4 mijë kilometra katrorë, si një pikë strategjike, -kujton ushtaraku shqiptar Fiçorri, -ashtu si qindra objekte të tjera gjatë viteve të luftës, ishte një nga objektivat e goditura shpesh nga aviacioni amerikan. “Siç mësuam ato ditë të luftës, që nga viti 1964 e deri në korrik të vitit 1966 kur ne ishim në këtë front, ishte bombarduar pasivisht mbi 600 herë”, -nënvizon në shënimet e tij Fiçorri. Por banorët e tij, vazhdon më tej ai, jo vetëm që nuk e kanë braktisur, por kanë qëndruar heroikisht duke u përshtatur me ditë-netët e luftës, kanë marrë masa për kundërpërgjigje me zjarr të kundërajrorëve. Ndonëse kostoja ka qenë jo e vogël, banorët e ishullit janë të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e tij. Ushtaraku Fiçori tregon se vrojtuesi vietnamez Von Ton Ha, ka marrë pjesë në të gjitha këto luftime, duke qenë vigjilent e i gatshëm për zjarr me topin e tij kundërajror 37 milimetra në kullën e tij të vrojtimit... Për ushtarakët shqiptarë, rezistenca masive popullore e luftëtarëve vietnamezë, veçanërisht lufta guerile partizane, krejt e veçantë edhe në përsosmëri organizimi nga dita në ditë, po vështirësonte goditjen e aviacionit ushtarak amerikan dhe operacionet tokësore të reparteve amerikane, ndonëse kishin një teknikë të sofistikuar bashkëkohore, epërsi në forca e mbi të gjitha kontingjente të afta specialistësh e drejtuesish në të gjitha llojet e luftimit. Netët e luftës për ushtarakët shqiptarëAkademia e luftës e Vietnamit në Hanoi, ku ishin akomoduar 12 ushtarakët shqiptarë e ku kalonin përgjithësisht orët e natës, -kujtojnë oficerët e misionit, -ndonëse nën ruajtje dhe përkujdesje të forcave ushtarake, ashtu si të gjitha godinat dhe territoret e tjera të banuara, ishte objekt i sulmeve të aviacionit amerikan. Në këto kushte, vazhdon të tregoj Fiçori, shpesh ne ishim të detyruar që të linim pushimin në mes e të futeshim në vendstrehimet (gropat) individuale për të ruajtur kokën. Por detyra e dhënë në Shqipëri nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, për përvetësimin e eksperiencës së kësaj lufte bënte që ushtarakët të impenjoheshin maksimalisht për të përvetësuar praktikisht dhe teorikisht këto veçori lufte, që përgjithësisht ishin të reja për ta. “Unë gjeja kohën që leksionet e luftës së ditës, beteja, rrëfime, njerëz protagonistë e ngjarje, t’i hidhja imtësisht në bllokun e shënimeve”., -tregon Fiçori. Ndërkohë, edhe pse në një vend të largët, pa komunikim me të afërmit e Shqipërinë, ata gjenin kohë që edhe të argëtoheshin; aq sa mund të argëtohesh në luftë. Ndërsa ambientimi me pirjen e ujit të nxehtë, përdorimin herë-herë të orizit të veçantë në vend të bukës, u bë një domosdoshmëri. Ndërsa dy oficerët shqiptarë, K. Lumani e Z. Zyka, ngushëlloheshin me shishet e konjakut që i mbanim mbi komedina.