e martë, prill 18, 2006

Fiçori,Si njohëm fshatrat “strategjikë” amerikanë

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Në këtë numër, nëpërmjet shënimeve dhe bisedës me Ramiz Fiçorin, një nga 12 oficerët shqiptarë në luftën e Vietnamit, sillen momente të një prej periudhave të vështira të kësaj përballjeje të përgjakur, ku strategjisë së pushtuesve amerikanë për grumbullimin e popullsisë në “Fshatra strategjikë”, duke i veçuar nga njësitë e armatosura të ushtrisë, vendësit i kundërpërgjigjen me krijimin e “fshatrave luftarakë”.Nesër do të lexoni:-Befasia e 12 ushtarakëve shqiptar për mobilizimin dhe pjesëmarrjen e vietnamezëve në luftë kundër agresorëve amerikanë e aleatëve të tij.-C’ishin “Brigadat e rinisë” dhe misioni i tyre në luftën vietnamezo-amerikane.-Përgatitja nga vietnamezët e insekteve dhe kafshëve për luftën ndaj armiqve,eksperiencë e pa njohur për 12 oficerët shqiptar në këtë luftë.Vendin e francezëve që u larguan në mars të vitit 1956 nga Vietnami i Jugut menjëherë e zunë amerikanët. Fillimisht ndërhyrja amerikane në këtë vend të Indokinës së largët ishte me ndihma ekonomike për popullsinë e sapodalë nga lufta, por këto ndihma, me sjelljen nga Amerika të Din Ovenit dhe organizimin e ushtrisë vendëse, do të ishin pararoja e një lufte të gjatë e të vështirë për vite me radhë. Bekimi nga amerikanët i Din Ouenit si president, ndihma për qeverinë kukull që do të merrte pushtetin, çoi në përgatitjen e terrenit që në këtë luftë të impenjoheshin seriozisht me forca e mjete të shumta edhe amerikanët. ”Ushtria e Vietnamit të Jugut në 127 batalione gjithsej, solli kontrollin e plotë pothuaj në të gjithë territorin, me përjashtim të një pjese të vogël në kufi me Kamboxhian në deltën e lumit Mekong, ku fshiheshin disa njësite partizane, me të cilat mbahej lidhje nga Kamboxhia”, -tregon Ramiz Fiçori, një nga 12 ushtarakët e misionit shqiptar pjesëmarrës në luftën në Vietnam. Në këtë luftë të vështirë, për ne ushtarakët që kishin vajtur nga Shqipëria për eksperiencë, -tregon Ramiz Fiçori -ishin me interes taktikat dhe mënyrat që përdornin të dy palët për të arritur suksesin në fushën e luftimit. Sipas tij, të panjohura ishin edhe mënyrat e krijimit të fshatrave strategjikë nga amerikanët dhe fshatrave luftarakë nga vietnamezët mbrojtës. Fronti amerikano-aleat në luftën e VietnamitNë qershor të vitit 1966, një ndër periudhat më të vështira të luftës vietnamezo-amerikane, kohë në të cilën në frontin e luftës ishin për eksperiencë edhe 12 ushtarakë nga Shqipëria, amerikanët kishin në Vietnam 273 mijë forca, ushtria kukull (vendëse) 520 mijë, forca satelite 30 mijë, pra fronti përbëhej nga 820 mijë forca, të organizuar në 223 batalione. Kishin gjithashtu 2 883 aeroplanë (reaktivë, helikopterë, transporti, aeroplanë specialë zbulimi), 1 741 tanke e automjete të blinduara, 3 200 gryka zjarri (artileri, mortaja) etj.Lufta në Vietnam -shkruan në shënimet e tij oficeri shqiptar Fiçori, pjesëmarrës në këtë luftë, ishte një përballje krejt e veçantë, për nga raporti i forcave mes kundërshtarëve, metodat mbrojtëse të vendësve, pjesëmarrja popullore në luftë e deri te kohëzgjatja e saj. “Lufta në Vietnamin e Jugut ishte një luftë pa front, ushtria mbrojtëse i dilte përballë armikut atje ku ai nuk e priste, herë në mal, herë në fushë, gjë e cila e vinte në vështirësi ushtrinë amerikane, e cila, e favorizuar në epërsi forcash aktive në teknologjinë e sofistikuar të bombardimit nga ajri, kërkonte një përballje me front të rregullt”, -shton Ramiz Fiçori. Si ndërtuan amerikanët “fshatrat strategjikë”Për ushtarakët shqiptarë, pjesëmarrës në luftën në Vietnam, misioni zyrtar i të cilëve ishte marrje e eksperiencës, përballja mes dy kundërshtarëve të kësaj lufte sillte eksperienca të reja në planet taktike të përballjes. Sipas Fiçorit, një taktikë që mendohej rezultative dhe u aplikua gjerësisht nga amerikanët, ishte krijimi i “fshatrave strategjikë”, ose siç i thërrisnin shpesh, fshatra të jetës së re. Ndërtimi i këtyre fshatrave mbështetej në eksperiencën e dhënë në një libër të shkruar në vitin 1959 nga gjenerali amerikan në rezervë Maksyell Teilor (Maxvel Teilor, i cili sillte një strategji të re të grumbullimit të popullsisë së një vendi në luftë në vendbanime masive. “Siç pamë dhe mësuam nga vendësit, ekspert i krijimit të këtyre fshatrave strategjikë në Vietnam ishte një Tompson Maloi, i cili nisi krijimin e fshatrave të para, duke ndarë e veçuar popullsinë nga partizanët, duke krijuar mundësi për veçimin e asgjësimin e shpejtë të këtyre të fundit”, -pohon Fiçori. Sipas planit që amerikanët kishin në këtë luftë, shton më tej Fiçori, ata synonin që me këtë mënyrë të grumbullonin 2/3 e popullsisë së Vietnamit të jugut. Investimi fillestar i tyre për këtë qëllim ishte 73 milionë dollarë. Në këtë luftë, ushtarakët shqiptarë mësuan se ndërtimi i fshatrave strategjikë nga amerikanët u bë në tri etapa; në të parën që përfshinte ndërtimin e tyre në zonat e bardha (d.m.th. të pushtuara nga amerikanët), në zonën e gjelbër (ku vepronin dy palët) dhe në zonën kuqe (ku nuk ishte pushtuar ende). Në provincën Bin Din, amerikanë në rreth një vit (viti 1962) përfunduan ndërtimin e fshatrave e në operacionet ndëshkimore u vranë 5 600 fshatarë. ”Mësuam se banorë në këta fshatra grumbulloheshin më forcë, fshati izolohej për të mos u futur njeri pa lejë apo të largoheshin banorët , përreth kishte fortifikata e qendra zjarri, kishte vetëm një hyrje të kontrolluar me roje e mbahej nën kontroll të plotë”, -shkruan në kujtimet e tij Fiçori. Sipas statistikave, nga viti 1961 deri në vitin 1963, amerikanët ngritën në Vietnam 5 413 fshatra nga 16 mijë që kishin në plan. “Fshatrat luftarakë”, përgjigjja e vietnamezëvePërballë strategjisë amerikane me krijimin “fshatrave strategjikë”, vietnamezët përgjigjen gjatë ashpërsimit të luftës me krijimin “fshatrave luftarakë”. Duke u mbështetur në pjesëmarrjen masive popullore në krah të forcave të armatosura, përballë grupimeve të detyruara të banorëve nga amerikanë, vazhdon të tregoj Fiçori, vietnamezët ngritën fshatrat luftarakë. “Në thelb, krijimi i fshatrave luftarakë ishte kundërvënie e strategjisë së amerikanëve, ndërkohë që vietnamezët synonin që çdo fshat të tyre ta bënin të tillë, pra të pajisur me fortifikime, lidhje me transhe të lagjeve, shtëpive të fshatit e mes fshatrave, krijimin e vendstrehimeve për ruajtje nga bombardimet, përgatitja në perfeksion në përdorimin e armëve e deri në përballje në front me ushtrinë agresive”, -shkruan në shënimet e tij Fiçori, një prej 12 ushtarakëve shqiptarë pjesëmarrës në luftën amerikano-vietnameze. Sipas ushtarakëve shqiptarë në këtë mision, në këto organizime masive, pjesëmarrja aktive e popullit dhe rinisë në mbrojtje dhe furnizimin e frontit ishin ndër shkaqet kryesore të zgjatjes së luftës dhe përcaktimin e fatit të saj.