e shtunë, prill 22, 2006

Fiçori:“Si ndërtonin vietnamezët natën, atë që lufta shkatërronte ditën!”

Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet rrëfimeve të Ramiz Fiçorit, një prej 12 oficerëve shqiptarë pjesëmarrës në vitin 1966 në luftën e Vietnamit, sillen për lexuesit detaje të përballjes së vështirë mes kundërshtarëve në “Sezonin e thatë 1966”, eksperienca e përfituar atje, si dhe njohja me praktikën e vietnameze të ndërtimit gjatë natës të gjithçkaje që shkatërronte lufta ditën.Nesër do të lexoni:-Ditët e fundit të misionit shqiptar në luftën e Vietnamit.-Ndarja nga vietnamezët dhe vështirësitë e udhëtimit nëpër vendin e përfshirë nga lufta e ashpër.-Si u shmang incidenti me gardistët kinezë nga foto e Mehmet Shehut me Lin Shao Ci,ku i fundit i sapo shpallur armik në Kinë.(Vijon nga numri i kaluar)Si pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, 12 ushtarakët e misionit shqiptar, sipas Ramiz Fiçorit, gjatë muajve të qëndrimit të misionit atje panë nga afër dhe mësuan shumë të panjohura të një përballjeje ushtarake krejt të veçantë, që nga taktikat e luftimit e deri te rikuperimi i pasojave që sjell lufta në vazhdimësinë e saj. “Na bëri përshtypje, krahas të tjerave, harmonizimi i masave nga drejtuesit ushtarakë vietnamezë e forcat vullnetare, për rindërtimin, brenda natës, atë që bombardimet dhe sulmet e amerikanëve shkatërronin ditën”, -tregon ushtaraku shqiptar Ramiz Fiçori. Si përjetuan luftën ushtarakët shqiptarë në “sezonin e thatë 1966”Sipas Fiçorik, sezoni i thatë në Azinë Juglindore fillon aty nga muaji nëntor deri në fund të marsit të vitit pasardhës, por stina e thatë e vitit 1966, kohë në të cilën 12 ushtarakët shqiptarë ishin pjesëmarrës në luftën e Vietnamit, mbahet mend si ndër më të thatat, më të gjatat në kohë, e mbi të gjitha, si një stinë me një luftë të ashpër mes palëve e me humbje të konsiderueshme nga të dy anët. Pothuaj në të gjithë territorin e Vietnamit, çdo ditë, harta e betejave ishte e mbushur me sulme e kundërsulme, goditje të përqendruara të aviacionit amerikan, luftë guerilje, si dhe me bastisje masive të vendbanimeve, kryesisht fshatrave. Me aq sa mund të konstatonim në betejat që zhvilloheshin në Hanoi e për rreth tij, e veçanërisht nëpërmjet informacionit që na jepnin ushtarakët vietnamezë pranë nesh, kujtojnë ushtarakët e misionit shqiptar, atë sezon të thatë të vitit 1966, numri i bombardimeve, betejave të zhvilluara, ishte në pikun më të lartë të kurbës së kësaj lufte disavjeçare. “Përveç detyrave të tjera, njohjes me këtë realitet e përvetësimit të eksperiencave të kësaj lufte, gjenim kohë e shënonim në blloqet tona elementë të kësaj përballjeje, bilance luftimesh të veçanta, taktika e strategji që ndiqeshin nga palët, emra vendesh e njerëzish protagonistë në këtë luftë”, - shkruan në kujtimet e tij Ramiz Fiçori, i vetmi oficer xhenier në misionin shqiptar në luftën e Vietnamit. Ata muaj të prezencës sonë në këtë luftë që përkojnë edhe me “sezonin e thatë 1966”, shton më tej Fiçori, amerikanët filluan një ofensivë të gjerë në të tërë Vietnamin, në të gjitha frontet, nga toka, ajri, deti, me bazë ushtrinë kukull vietnameze, por duke rritur ndjeshëm edhe repartet amerikane, ato speciale, aviacionin dhe forcat tokësore. Sipas shënimeve të kohës, sjellë për gazetën nga ish-ushtaraku Fiçori, disa nga bilancet e luftës në “stinën e thatë 1966” janë: Rreth 20 operacione luftarake masive në muaj, kundërshtari (ushtria kukull e amerikanët) në rreth 5 muaj patën 43 mijë të vrarë, rreth 1 440 aeroplanë të shkatërruar, 13 190 makina të blinduara (tanke, transportues të blinduar) të shkatërruar, bastisje të 11 fshatrave me 110 mijë banorë etj. Por të konsiderueshme, sipas statistikave, ishin edhe humbjet e forcave vendëse, që ndonëse ishin në mbrojtje, me aleatë strehimet, mbështeteshin në metoda të luftës guerile e partizane, ishin shumë inferiorë në armatim e teknikë luftarake. Si ndërtohej natën ajo që lufta shkatërronte ditënPërtej bilancit të luftës në përballjen e vendësve me amerikanët e ushtrinë kukull, sipas Fiçorit, për të, si specialist xhenier, një eksperiencë e vlefshme ishte organizimi i vietnamezëve për ndërtimin e mjeteve rrethanore për dëmtim fizik e terror ndaj kundërshtarëve. Kjo, sipas tij, bëhej pothuaj vazhdimisht natën, ku të gjitha objektet e dëmtuara nga aviacioni armik, gjatë sulmeve ajrore ditën, rindërtoheshin natën. “Deri në mesin e vitit 1966, urën e njohur në Ta Boi, aviacioni amerikan e bombardoi 20 herë, por dëmet e shkaktuara ditën riparoheshin natën, e kjo urë asnjëherë nuk u bë pengesë për manovra luftarake të ushtrisë vendëse e reparteve vullnetare në kryerjen e detyrave”, -pohon Fiçori. Vietnamezët, siç pamë e mësuam në këtë luftë, kishin reparte speciale xheniere për ndërtimin e urave, maskimin e tyre me rrjeta për të mos u vrojtuar nga ajri, por na bëri përshtypje se në rajone të ndryshme të territorit në luftë, këtë profesion e kishin marrë përsipër dhe e kryenin me sukses repartet vullnetare të grave. Ndërsa aplikimi i urave lëvizëse, që viheshin në lëvizje me gomat e prapme të makinave (që rrotullonin një helikë), gjë që ishte rezultative, e panjohur për ne si metodë, jo vetëm u vinte në ndihmë manovrave luftarake të vendësve, por parcelizonte në shumë raste dhe forcat kundërshtare, të cilat i çonte drejt një neutralizimi më të shpejtë. “Këta elementë të luftimit, veçanërisht ndërtimit të urave, pritave e maskimeve të objekteve, kalimit të lumenjve, të cilat i shikonim, i skiconim, ne i aplikuam dhe në raportet tona ushtarake pas ardhjen në Shqipëri nga lufta e Vietnamit”, -tregon Fiçori.(Vijon)