e hënë, korrik 03, 2006

Incidenti i kanalit të Korfuzit në Gjykatën Ndërkombëtare


Një ndëshkim i pamerituar për Flotën Luftarake shqiptare


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Vangjel Nano dhe Myfit Qorduka, ish-ushtarakë madhorë në Flotën Luftarake Detare, nëpërmjet shënimeve të kohës, dëshmive të përjetuara e dokumenteve të kohës, sjellin në këtë numër të gazetës detaje interesante të incidentit me anglezët në kanalin e Korfuzit, përballjen në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, ku një gjyq i manipuluar për minimin e ujërave bregdetare të Sarandës, fajëson padrejtësisht vendin tonë.Akuzat e anglezëve në Hagë-Minat në ujërat e kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare, duke sjellë shkatërrimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë.-Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt.-Rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjësinë penale.(Dosja e incidentit të “Kanalit të Korfuzit” në Gjykatën Ndërkombëtare)Dy çështjet që diskutoi Gjykata Ndërkombëtare-A ka përgjegjësi Shqipëria për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim?-A e kanë dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë?(Dokument i shkëputur nga dosja e incidentin në Gjykatën Ndërkombëtare)Në vazhdim do të lexoni:-Si u bashkëpunua me grekët për çminimin e kanalit të Korfuzit nga forca e specialistë të dy flotave luftarake.-Përgatitja e dokumentacionit dhe përbërja e komisionit qeveritar të çminimit.-Vizita në Korfuz dhe bisedimet mes dy delegacioneve përkatëse.Nuk ishin mbushur ende dy vjet nga çlirimi i vendit, kur Flota Luftarake Detare e Shqipërisë, ende në hapat e para të ringritjes së saj, e vënë në shkallën më të lartë të gatishmërisë, vazhdon përballjen me incidentet e shumta të anijeve greke e angleze, ndërkohë që incidenti i shumëpërfolur i Kanalit të Korfuzit, tashmë ishte shtruar për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Sipas ushtarakut madhor të FLD-së Myfit Qorduka, ato muaj të vështirë, kur incidentet dhe provokimet ishin të shumta, kuadro e detarë kishin kaluar në shkallën më të lartë të gatishmërisë për të përballuar situata të pa pritura e të vështira. Në një prej këtyre ditësh, për të verifikuar situatën në vend, për të dhënë detyra në mbrojtje të kufirit ujor, mes detarëve ishte dhe Mehmet Shehu.Akuzat e anglezëve për “minimin” e kanalit të KorfuzitIncidenti në Kanalin e Korfuzit ku u shkatërruan dy nëndetëset angleze dhe humbën jetën disa marinarë të tyre nga shpërthimi i minave të luftës së dytë botërore, tregon ushtaraku Vangjel Nano, ato muaj të gjysmës së dytë të vitit 1946 dhe të fillimit të vitit pasardhës, krijuan një situatë kritike në bregdetin shqiptar në përgjithësi,e në veçanti në atë të Sarandës; detarë e kuadro natë-ditë rrinin në gatishmëri të plotë dhe me armët mbushur përballë incidenteve të anijeve të huaja në ujërat tona. Sipas tij, por dhe sipas dokumenteve zyrtare të kohës, anglezët ishin vënë në punë për të fabrikuar provat e fajësisë ndaj Shqipërisë, në gjyqin e hapur në Hagë. “Në funksion të fabrikimit të akuzave, nëpërmjet agjenturës së tyre brenda radhëve të marinës tonë luftarake, ata kishin përgatitur dhe arratisjen e një anije shqiptare, efektivi i së cilës do të dëshmonte se ishin ata që kishin vendosur minat në kanalin e Korfuzit”, - shton më tej ai. Referuar dokumenteve të kohës, në akuzën angleze që fajësonte Shqipërinë dhe kërkonte dëmshpërblimin, pretendohet se minat ishin vendosur nga shqiptarët në kundërshtim me Konventa Ndërkombëtare, se rojet shqiptare i kanë parë anijet që kanë bërë minimin, por kanë heshtur, duke qenë fajtore, si pretendimi se kishin prova që vërtetonin përgjegjësinë shqiptare në incidentin e ndodhur më 15 maj 1946.Dështimi i arratisjes së anijes..Në funksion të fajësimit të Shqipërisë për vendosjen e minave në kanalin e Korfuzit, shton për gazetën Nano, anglezët kishin përgatitur e sjellë në gjyq dhe një dëshmitar jugosllav, i quajtur Kovaçeviç. “Ai në gjyq dëshmoi se në mbrëmjen e datave 17-18 tetor 1946, ai kishte parë dy anije në portin e Shibenikut që ngarkoheshin me mina, udhëtuan drejt jugut, por nuk e dinte destinacionin. Gjykata Ndërkombëtare dërgoi një komision për të verifikuar këtë dëshmi në Shibenik, por arriti në konkluzionin se dëshmia e Kovaçeviçit ishte e rreme”, - shton më tej Nano. Në funksion të provës, anglezët përgatisin edhe një ngjarje tjetër, tepër e rëndë për kohën, arratisjen e një anije luftarake, pikërisht të motovedetës “Mujo Ulqinaku”, duke pasur si realizuar një agjent të tyre, nënoficer në flotën tonë luftarake, i cili kishte marrë detyrë të dëshmonte se “ishte pikërisht kjo anije dhe efektiva të saj që kishin vendosur minat në kanalin e Korfuzit”. Kjo arratisje që brezat e njohin nëpërmjet lojës së aktorëve Robert Drenika dhe Rikard Ljarja në filmin “Duel i heshtur”, rezultoi e dështuar falë trimërisë së detarit Spiro Kote. Lidhur me këtë akt, Vangjel Nano, ish-shefi operativ (i luftës) në FLD, në kujtimet e tij shkruan: ”Agjentët e anglezëve që kishin mundur të futen në radhët tona, mashtruan detarin Spiro Kota, duke i thënë se do të dilnin në det të hapur për t’i ardhur në ndihmë komisarit të bazës që i rrezikohej jeta. Por pas kalimit në ujërat neutrale, agjentët i tregojnë Spiros qëllimin e arratisjes, duke i ofruar në shkëmbim të jetës së garantuar në perëndim, pjesëmarrjen në dëshminë e përbashkët në favor të anglezëve, duke konfirmuar si të qenë vendosjen e minave në kanalin e Korfuzit. Por patrioti e besniku i betimit të bërë, Spiro, u përlesh e triumfoi mbi ta, duke bërë që të dështojë kjo provë tjetër e anglezëve!” Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12-13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin, pasoja, vendim i cili solli më vonë dhe bllokimin e arit shqiptar në bankat e Londrës.Mehmet Shehu mes detarëveNjë përkeqësim i situatës në prag të zhvillimit të gjyqit mes nesh e anglezëve në Hagë, veçanërisht shtimi i provokimeve (futja në ujërat tona e anijeve të huaja me armët gati për zjarr), vazhdon tregimin për gazetën ish-ushtaraku madhor Myfit Qorduka, sjell mes detarëve Mehmet Shehun. Tashmë notat e ndërsjella të protestës nga qeveritë përkatëse, qëndrimi i prerë i qeverisë shqiptare për një akt(minimi i Kanalit) që nuk e kishte bërë përballë anglezëve që pretendonin të kundërtën, në njëfarë mënyre reflektoheshin dhe situatën në teren. Ardhja e Mehmet Shehut për të mbajtur situatën nën kontroll e për të operuar me efektivitet, kujtojnë ushtarakët dëshmitarë, përkon me vendimin veprimin e njëanshëm të flotës angleze për të hyrë pa lejë në kanalin e Korfuzit e të pastrojë atë nga minat. Në shënimet e tij, ish-shefi operativ i FLD-së shkruan:” Më 10 nëntor qeveria angleze njoftoi qeverinë tonë, ndërsa më 12 nëntor 1946 nisi veprimin konkret. Me skuadronin e 15-të të Flotës Angleze, i përbërë nga aeroplanmbajtëse, kryqëzorë, fregata, nëndetëse, minahedhëse, të komanduara nga admirali Konnahan filluan lundrimin nga Butrinti në Karaburun; gjë të cilën e përsëritën dhe të nesërmen. Tytat e të gjitha armëve e gati për zjarr, në mënyrë provokative i kishin i drejtuan drejt bregut tonë. Thanë një herë se në distancën 3 milje gjetën një minë, pastaj dhe 22 të tjera, duke thënë se i hoqën”.Ndërsa ndjekja nga afër e situatës nga Mehmet Shehu, kujtojnë ushtarakët, bëri që detyrat luftarake të efektivave tona të realizoheshin me sukses e të evitohej ndonjë incident tjetër me pasoja të rënda..(Vijon)