e enjte, qershor 29, 2006

Enveri dhe Mehmeti, gjithmonë të pranishëm në bazën e Pashalimanit




Pashalimani, me rusët, nga miq, në armiq

Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Në një cikël shkrimesh që nis në këtë numër, nëpërmjet dokumenteve zyrtare të papublikuara deri sot dhe kujtimeve të ushtarakëve madhorë të kohës, sillen momente dramatike të ringritjes së shërbimit detar shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore, incidenti i kanalit të Korfuzit, gjyqi i Hagës për këtë incident, përgatitja e specialistëve tanë të parë në Jugosllavi e Rusi, sjellja e nëndetëseve të para në Shqipëri, përkujdesja e Enverit dhe Mehmetit për Pashalimanin, vizita e Hrushovit në këtë bazë, konfliktet me rusët për mbrojtjen e bazës, si dhe episodet tragjike në mbrojtjen e 416 km të kufirit detar.Nga historiku i Flotës Detare- Në vitin 1912 flota kishte 500 copë barka- Në vitin 1919 flota kishte 7 copë barka- Në vitin 1928 flota kishte 60 copë varka, 3 vaporë- Në vitin 1938 flota kishte 46 copë barka.- Në vitet 1926 krijohet Komanda e Marinës Luftarake dheqeveria bleu dy anije, “Shqiponja” dhe “Skënderbej”- Më 1936 blihen nga Italia anijet “Durrësi” dhe “Saranda”- Më 15 gusht 1945 krijohet Flota Luftarake Detare (FLD)- Në vazhdim, shteti shqiptar bleu anije luftarake, nëndetëse e armatime nga më moderne të kohës, duke e “blinduar” bregdetin shqiptar.Ishte 4 qershori i vitit 1961. Sapo kishte përfunduar një përplasje e ashpër deri në prag të përdorimit të armëve mes ushtarakëve sovjetikë që kërkonin që në ikje të merrnin nëndetëset e Pashalimanit të detarëve e eprorëve të tyre shqiptarë, që ishin të vendosur me jetën e tyre që nëndetëset të mos rrëmbeheshin nga rusët... “Për ne që e kemi përjetuar nga afër këtë situatë kritike, situatë që brezat e sotëm e kanë parë nëpër filma, kjo ditë ishte nga ditët më të shënuara jo vetëm për Flotën Luftarake Detare shqiptare (FLD), por për të gjitha forcat e armatosura e kombin, pas ndarjes politike me rusët, pasi u arrit që të mbanim me forcën e shpirtit dhe të armëve nëndetëset, anijet luftarake dhe armatimin, me anë e të cilëve mundëm të siguronin të paprekshëm 416 km kufi detar që ka vendi ynë”, - pohon për gazetën Myfit Qorduka, një prej kuadrove të lartë ushtarakë të FLD-së, e dëshmitar i përplasjeve me rusët.Ndërsa për Petrit Myftiun, një nga ish-drejtuesit e bazës së Pashalimanit në atë kohë (1961), ai vit i vështirë i ndarjes me rusët, kur efektivat e mbrojtjes bregdetare ishin natë-ditë në gatishmëri numër 1, përkujdesja e drejtuesve të kohës, Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, ka qenë e vazhdueshme. Enveri përgëzon efektivat e PashalimanitSipas Qordukës, pakkush e dinte se në një nga këto ditë gatishmërie, në Pashaliman do të vinte vetë komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, për të përgëzuar detarë e oficerë për qëndresën me çdo kusht në mbajtjen e nëndetëseve luftarake nga bastisja ruse. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, më 15 gusht 1961, në bazën e Pashalimanit vjen për inspektim Enver Hoxha. Lidhur me këtë rast, në kujtimet e tij, ushtaraku madhor i FLD-së , Myftiu, tregon: “Ishim në gatishmëri për vizitën e komandantit Enver Hoxha në bazën e Pashalimanit dhe kishim marrë të gjitha masat për këtë rast. Në këtë vizitë pune, bashkë me Enverin ishin edhe drejtuesit e tjerë të shtetit shqiptar, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu e të tjerë”. Dëshmitarët e inspektimit të Enver Hoxhës në gusht 1961 në Pashaliman, tregojnë se Enveri e personat që e shoqëronin, vizituan disa nga nëndetëset, takuan efektivat e shërbimit, kuadrot e bazës, duke dhënë dhe porosi të rëndësishme për rritjen e gatishmërisë luftarake, për të qenë “kurdoherë të gatshëm për të përballuar një agresion të mundshëm të armiqve të Shqipërisë, imperialistëve amerikanë, revizionistëve sovjetikë e shërbëtorëve të tyre!”Një rrugë e vështirë dhe me sakrificaSipas ish-kuadrove madhorë të FLD-së, ringritja e këtij shërbimi pas Luftës së Dytë Botërore, ngritja në nivelet bashkëkohore në përmbushjen e misionit të mbrojtjes së vijës bregdetare të vendit, jo vetëm ka kërkuar një kosto të lartë financiare, përkushtim të mijëra detarëve e kuadrove, por ka regjistruar një numër incidentesh të rënda (deri me humbje jete) me armiqtë e vendit tonë që kanë shkelur hapësirat tona detare. Sipas tyre, edhe këmbëngulja e Hrushovit për të mbajtur me çdo kusht Pashalimanin dhe Sazanin, pika të njohura strategjike luftarake (natyrore, por dhe të fortifikuara) për Ballkanin e Evropën, nuk u realizuan për shkak të shkallës së lartë të gatishmërisë së efektive tona detare dhe përkujdesjes së vazhdueshme të Enver Hoxhës e drejtuesve të lartë të shtetit të kohës. “Ne që kemi punuar për dekada në FLD, por edhe nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës, konfirmohet se Enver Hoxha, Mehmet Shehu e drejtues të tjerë të shtetit, vazhdimisht përkujdeseshin për Pashalimanin e efektivat e tjera të FLD-së”, - shton Qorduka.Zoti Qorduka, si një nga kuadrot kryesorë të FLD-së, ç’mund të na thoni për ringritjen e saj pas lufte, përplasjet me Rusët dhe fatin e Flotës sonë Detare ndër dekada?Është një rrugë e vështirë, me mund e sakrifica, përfshin kontributin e brezave ndër vite, ka vështirësitë, sakrificat dhe heronjtë e saj. Flota jonë u ringrit me tre motoskafë trofe të luftës në fillimvitin 1945, e shumë shpejt u kompletua me nëndetëset e anijet luftarake më moderne të kohës. Ka përballuar me sukses të gjitha detyrat luftarake të kohës, përfshi dhe qëndrimin burrëror e të vendosur në vitin 1961 përballë rusëve që donin të rrëmbenin nëndetëset nga baza e Pashalimanit.Sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive tuaja, pohohet se Enver Hoxha, Mehmet Shehu e drejtues të tjerë të shtetit të kohës, e kanë parë me përparësi FLD-në, në krahasim me strukturat e tjera të mbrojtjes së vendit?Unë dhe kuadrot që kemi punuar e jetuar në det rreth 40 vjet, e themi me plot gojën se përkujdesje e Enverit, Mehmetit dhe drejtuesve të lartë të shtetit të kohës për mbrojtjen bregdetare, nuk lidhjet me ndonjë privilegj, por me faktin e rëndësisë tepër të veçantë që ka pasur e ka mbrojtja e vijës bregdetare të vendit. Ndërsa përkujdesja e Enverit për Pashalimanin e bazat e tjera, ka qenë jo vetëm me vizitat e inspektimet direkte, por me investimet, kualifikimin e kuadrit, ku duhet thënë se kuadrot e flotës shqiptare, në të gjitha ballafaqimet ndërkombëtare në dekada, janë dalluar për profesionalizëm, trimëri e përkushtim deri me jetën për kryerjen e detyrës e mbrojtjen e vendit.Diçka për ngjarje të tilla si incidenti i kanalit të Korfuzit, çminimi i kryer në bashkëpunim me grekët, incidentet me rusët...Historia e nëndetëses, Flotës sonë Luftarake, është bërë e njohur gjatë dekadave, deri dhe në libra e filma të shumtë, por për ne protagonistët e atyre ngjarjeve, shumë pak njihet e dihet. Edhe dokumentet e fundit zyrtare që për efekte sekreti nuk janë publikuar për një periudhë të gjatë, flasin shumë në këtë drejtim. Kështu që në shënimet që i afrojmë lexuesit të gazetës suaj, dokumentet zyrtare të kohës të papublikuara deri më sot, do të hidhet një dritë e mëtejshme rreth rrugës së FLD-së, heroizmit të kuadrove të saj që sakrifikuan deri jetën në përmbushje të detyrës.(Vijon)