e hënë, qershor 26, 2006

Inspektimi në vendkomandën e luftës më 1978-ën



Enveri:“Jemi në prag lufte. A kemi sistem ndërlidhjeje rezervë”


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, në shënimet e radhës tregon detaje të tjera të inspektimit që Enver Hoxha e Mehmet Shehu bëjnë më 24 qershor 1978 në vendkomandën e përgjithshme të sapondërtuar në Linzë, shqetësimin e Enverit për ndërlidhje rezervë në një luftë të pritshme si dhe kontrolli praktik i funksionimit të ndërlidhjes me komandat e shtabet në Sazan, Sarandë, Pukë, Shkodër etjNë vazhdim do të lexoni:-Përfundimi i inspektimit të Enverit e Mehmetit në vendkomandën e re të luftës në Linzë dhe detyrat që la për gatishmërinë.-Porosia e Enverit: ”Mos kurseni për luftën, blini aparaturat më bashkëkohore në tregjet e huaja!”-Ku dhe si u blenë aparaturat radiondërlidhëse të udhëheqjes. Si shoqëronte e ndiqte blerjet jashtë vendit sigurimi i shtetit.Izolimi i vendit, veçanërisht dënimi i “kastës” ushtarake në fund të vitit 1974 dhe pushkatimi apo burgimi i shumë gjeneralëve dhe oficerëve madhorë, shoqëruar me goditjen e “Tezave të zeza” dhe hartimin e artit të ri ushtarak popullor, mbi parimin e mbështetjes krejtësisht në forcat tona, sipas dokumenteve të kohës, impenjoi maksimalisht Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e bashkëpunëtorët më të afërt në udhëheqje që të përkujdeseshin e investonin në funksion të mbrojtjes e përgatitjes së të gjithë popullit ushtar në përballimin e një lufte të pritshme. Në këtë kuadër, një nga masat e rëndësishme krahas fortifikimit të të gjithë vendit, sipas Shametajt, kryeinxhinierit të ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes atë kohë, ishte edhe ndërtimi i vendkomandës së Komandës e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Linzë të Tiranës. Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, për shkak të një infarkti në muajt e parë të vitit 1978, siç u mësua vite më vonë, Enver Hoxha urdhëroi ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të nëndheshëm për mbrojtjen e vendit, duke e përuruar e kontrolluar gatishmërinë më 24 qershor 1978.Interesimi i Enverit për ndërlidhje rezerve në rast lufteDuke sjellë detajet të vizitës së Enver Hoxhës në vendkomandën e nëndheshme të luftës të Linzë, ing. Shametaj tregon se në një moment, teksa po i printe për në mjediset e tjera të vendkomandës, Enveri ka qëndruar disa çaste me Mehmetin, Kadriun, Veliun dhe Abaz Thanën. “Siç më thanë më vonë të pranishmit, deri në ato çaste ai kishte mbetur i kënaqur nga shpjegimet e mia dhe kishte pyetur dhe i cilit isha. I kishin thënë se është djali i Mahmutit, të cilin Enveri e njihte që nga lufta”, - vazhdon të tregojë Shametaj. Por inspektimi i Enverit vazhdon në mjediset e tjera të “qytezës” së nëndheshme, e inxhinierit i duhet të japë shpjegime të tjera. Enveri, duke u konfirmuar shoqëruesve situatën e vështirë ndërkombëtare, mundësinë e një agresioni ndaj Shqipërisë, të vetmit vend socialist në Evropë, është interesuar dhe për mundësi ndërlidhjeje rezervë në rast lufte. Lidhur më këtë interesim, Shametaj në kujtimet e tij shkruan: ”E shoqërova Enverin edhe në sallën e aparateve telegrafikë të thjeshtë Mors, duke i thënë se i mbajmë rezervë për ndonjë rast avarie në teleshkrues. Më thotë se mirë bëni e se ato duhen shfrytëzuar në rast lufte, por duhen mbajtur në gatishmëri. U interesua edhe për mënyrën e ndërlidhjes rezervë në rast lufte, gjë të cilën ne e kishim; ia treguam e mbeti i kënaqur!”.Enveri verifikon gatishmërinë dhe kohën e ndërlidhjesRadha e inspektimit dhe verifikimit të gatishmërisë luftarake të sistemit ndërlidhës në vendkomandën e re të luftës në Linzë nga Enver Hoxha në cilësitë e komandantit të përgjithshëm, sipas dëshmitarëve e dokumenteve të kohës, i vjen sallës së centralit telefonik interrurban. Sipas kujtimeve të Shametajt, në atë moment në pozicionet e tyre luftarake ishin centralistet Minushe Selmani, Thëllëza Shalari, Zamira Karai dhe Vasilika Prifti. Enveri i përshëndet dhe më thotë mua se me kë do ta lidhnin në telefon. Pasi Shametaj i thotë se me kë të dojë ai, Enveri shton: “Më lidhni me Sazanin”. Centralistet vihen në garë, por e para që realizon lidhjen është Minushe Selmani. Lidhur me këtë fakt, Minushja tregon: ”Isha shumë e emocionuar, ndërkohë që duart vepronin me shpejtësi, abonenti në Zazan m’u përgjigj në çast. I them menjëherë Enverit që të flasë me ishullin”. Më pas ajo shton se Enveri mori gypin mikrotelefonik dhe i foli centralistit të Sazanit: “Alo! Jam Enver Hoxha, flas nga vendkomanda e përgjithshme, po provoj gatishmërinë, si më dëgjoni!” Centralisti, një djalë i shkathët nga Shkodra, iu përgjigj menjëherë e në bazë të rregullores. Më pas Minushja kujton: ”Enveri, pasi e pyeti për shëndetin, i kërkoi të lidhej me buzën e ujit, me qendrat e tunelizuara të artilerisë bregdetare, bisedoi me operativin dhe me komandantin e ishullit Naim Muho. Pasi komunikuan për disa probleme të efektivit dhe gatishmërisë në ishull, i përgëzoi gjithashtu për shkallën e lartë të gatishmërisë. Enveri ia kaloi gypin mikrotelefonik Mehmet Shehut!” Mehmeti, sipas tregimit të Shametajt, pasi bëri një shaka më abonentin e Sazanit me shprehjen “a të ka dërguar familja ndonjë shishe vere Reisling, kërkoi lidhjen tjetër nga vendkomanda me Sarandën. U lidh me komandantin e brigadës Qamil Kasa, e më pas dhe me armërojet e shërbimit në qytetin bregdetar të jugut. Pas pak, kujton Shametaj, ndërhynë përsëri Enver Hoxha që ta lidhnin me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë Sarandë. Minushja bëri lidhjen e menjëhershme, por biseda u krye me një nga kuadrot e tjerë, pasi sekretari ishte nisur që në mëngjes për një mbledhje në Tiranë. Shametaj shton: “Pamë se Enveri mbeti i kënaqur nga gatishmëria e ndërlidhjes, por edhe Mehmetit sikur iu largua ai shqetësimi i parë, nga fakti se komandanti i përgjithshëm deri në ato momente të inspektimit në vendkomandën e re, kishte mbetur i kënaqur..”. (Vijon)