e premte, qershor 30, 2006

Incidenti i kanalit të Korfuzit, misteri i pazbardhur për 60 vjet


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Nëpërmjet dokumenteve zyrtare të kohës, kujtimeve të ish- ushtarakëve madhorë të Flotës Luftarake Detare, Vangjel Nano e Myfit Qorduka, në këtë numër të gazetës sillen detaje të panjohura të incidentit të Korfuzit më 15 maj 1946, përplasja mes forcave detare shqiptare dhe anijeve angleze, precipitimi i ngjarjeve në vazhdim, akuzat e qeverisë angleze dhe përballja në gjyqi e Hagës.Dokumenti- Më 15 maj 1946, dy anije luftarake angleze që po lundronin në ujërat tona territoriale në afërsi të Sarandës nuk respektojnë sinjalin e Artilerisë Bregdetare për largim, por provokojnë, duke e detyruar këtë të fundit të hapë zjarr paralajmërues.-Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (1 kryqëzor e 3 destrojerë) të ardhur nga Porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat tona., duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas. Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët ranë në minat e mbetura të Luftës së Parë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz.(Nga dosja shqiptare në Gjyqin e Hagës!”Alibia angleze- Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan-Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët tanë.(Nga ditari i anijes flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës)Në vazhdim do të lexoni:-Akuzat e anglezëve për vendin tonë në Gjyqin e Hagës lidhur me incidentin Kanalit të Korfuzit.- Si u përgatit nga agjentura e huaj arratisja e anijes shqiptare që do të dëshmonte kunddër palës shqiptare dhe3 si dështoi arratisja.-Urdhëri për gatishmërinë e mbrojtjes bregdetare dhe vizita e Mehmet Shehut në bazë.15 maj 1946. Enveri: Ruani gjakftohtësinë!Edhe pse kanë kaluar plot 60 vjet nga përplasja mes mbrojtjes sonë bregdetare e një skuadrilje anijesh angleze, i njohuri si “Incidenti i kanalit të Korfuzit”, (në fakt, zyrtarisht janë dy të tillë në harkun 5 muajve), ku vendi ynë humbi padrejtësisht një përballje në gjyqin e Hagës, ende mbeten mister rrethanat dhe shkaqet e tyre. “Edhe pse vendi ynë u përball padrejtësisht me sanksione për këtë incident, ku pala shqiptare nuk ishte përgjegjëse për minimin e bregdetit, ne dëshmitarët e ngjarjeve, por dhe dokumente të kohës, të njohura së fundi, jo vetëm evidentojnë pafajësinë tonë, por tregojnë se detarët tanë të sapodalë nga lufta, ruajtën gjakftohtësinë përballë kundërshtarëve, duke siguruar paprekshmërinë e kufijve”, - pohon për gazetën Vangjel Nano, një nga ish-drejtuesit e FLD-së e dëshmitar i këtyre incidenteve.Referuar dokumenteve zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakëve që morën pjesë në këtë incident, në këto ngjarje të rënda, por dhe në incidente të tjera në ditët e muajt në vazhdim, personalisht Enver Hoxha dërgonte fonograme me porosinë “Ruani gjakftohtësinë”, dhe ndiqte nga afër veprimet luftarake të njësive detare në përmbushje të detyrës për mbrojtjen e kufijve detarë.Si ndodhi incidentiVangjel Nano, ish-komandant minaheqseje për dekada dhe një nga ushtarakët e pranishëm në incidentin e kanalit të Korfuzit, besnik i shënimeve të tij të kohës por dhe kujtesës, tregon me detaje incidentin e bujshëm me anijet angleze në vitin 1946 në afërsi të Sarandës. Ai tregon për gazetën se kanë qenë dy incidente të njëpasnjëshme, i pari më 15 maj dhe i dyti më 22 tetor të vitit 1946, objekt i të njëjtës akuzë që qeveria angleze ngriti më vonë për Shqipërinë në gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut. “Ishin orët e para të mëngjesit të 15 majit 1946, kur rojet tona diktojnë dy anije luftarake, pa flamur e shenja dalluese, që i afrohen bregdetit. Bateritë e artilerisë bregdetare, duke menduar se ato ishin anije greke që provokonin, siç bënin vazhdimisht, u japin shenjë, duke i urdhëruar të kthehen. Por ata nuk binden. Në këto kushte, zbatohet rregullorja dhe hapet zjarr paralajmërues. Të ndodhur para gatishmërisë sonë, anijet ngrenë flamurin anglez, detyrohet të largohen. Por ky incident, në gjykatën Ndërkombëtare, u sajua si një kërkesë për ndihmë nga ana e tyre që u refuzua nga ana jonë, që në fakt nuk kishte asnjë bazë”. Ndërsa për incidentin e dytë, atë të 22 tetorit 1946, Nano tregon: “Katër anije luftarake angleze, dy destrojerë dhe një kryqëzor, i konstatojmë se dalin nga porti i Korfuzit dhe me lundrim, pasi futen në ujërat tona, midis Kepit të Kasiopeas dhe Kepit të Varesë i afrohen bregut. Dy destrojerët ranë në një fushë ujore të minuar nga lufta e dytë Botërore, të pa ditur nga askush , duke u shkatërruar e duke pësuar humbje dhe në njerëz. Në akuzën e paraqitur në Gjykatën e Hagës, vendi ynë u akuzua padrejtësisht dhe fajësua se kishte minuar bregdetin në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare”.Enver Hoxha detarëve: ”Ruani gjakftohtësinë!”Incidentet në vijën bregdetare, sipas Nanos, ish-ushtarakut madhor të FLD-së, nga fillimviti ‘46 e më vonë, kryesisht në zonën e Sarandës, ishin të shumta. Sipas tij, me përjashtim të dy rasteve të mësipërme që u përmblodhën në incidentin e bujshëm të “Kanalit të Korfuzit”, ishin anijet luftarake greke që jo vetëm provokonin forcat tona mbrojtëse të bregdetit, por shpesh hidhnin apo tentonin të zbarkonin grupe desantësh apo të arratisur të armatosur me qëllim rrëzimin e pushtetit popullor. Referuar shënimeve të Nanos, por dhe ditareve luftarake e dokumenteve të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë kohë regjistrohen disa incidente si ai i 6 korrikut 1945, kur dy anije greke u futën në kepin e Qefalit që u përballën me zjarrin e artilerisë tonë bregdetare (rrëmbyen dhe një qytetar shqiptar dhe e çuan në Korfuz), incidenti i 17 korrikut të atij viti kur tri anije luftarake greke u afruan në bregun e Himarës e qëlluan me mitralozë qendrën e banuar, deri te incidenti i njohur detar-tokësor në kufi. Për incidentet e Kanalit të Korfuzit, sipas burimeve të mësipërme, Enver Hoxha dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, mbaheshin në kontakt të pandërprerë për situatën e jepnin urdhrat përkatëse për veprim luftarak të efektivave bregdetare. Në një fonogram që dërgonte Enver Hoxha për incidentin e tetorit, tregon ish-ushtaraku madhor i FLD Myfit Qorduka, midis të tjerave thuhej: “Ruani gjakftohtësinë, zbatoni detyrën për sigurimin paprekshmërisë së kufirit!” Por incidentet, pasuar me ballafaqimin në Gjykatën e Hagës pak muaj më vonë, jo për faj të detarëve shqiptarë, nuk u evituan... (Vazhdon).