e martë, korrik 04, 2006

Si çminuan së bashku Kanalin e Korfuzit, flota shqiptare dhe ajo greke



Kujtim Boriçi



Ekskluzive/ Nëpërmjet shënimeve të Vangjel Nanos, ish-ushtarakut madhor të FLD-së, e anëtar i Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Grek për çminimin e ujërave bregdetare, në këtë numër sillen detaje të çminimit të Kanalit të Korfuzit, ndihma e dhënë për flotën tonë nga rusët për këtë detyrë luftarake, bashkëpunimi efektiv me qeverinë e ushtarakët grekë nga planëzimi luftarak i hartës së çminimit, deri në përfundimin e detyrës dhe ceremoninë e përbashkët në qytetin e Sarandës, më 2 gusht 1958.DokumentiKronologjia e çminimit të Kanalit të Korfuzit-Megjithëse në gjendje lufte, qeveria greke i propozon qeverisë shqiptare në vitin 1956, ndërmarrjen e përbashkët për çminimin e Kanalit të Korfuzit.-Qeveria shqiptare, për shkak se nuk kishte pajisjet e duhura dhe për faktin se ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, njofton qeverinë e Bashkimit Sovjetik për propozimin, duke kërkuar logjistikën përkatëse dhe asistencë, për kualifikimin e ushtarakëve që do të merrnin pjesë në operacion.-Në fillim të vitit 1957, vjen nga Rusia ekipi hidrografik i flotës, i cili bashkë me specialistët tanë të FLD-së, bën planëzimin e saktë luftarak për këtë qëllim. Kjo detyrë përfundon në dhjetor 1957.-Po në maj të vitit 1957, vijnë nga Rusia 2 mina-heqës të Radës dhe u krijua grupi i anijeve mina-heqëse me efektiv kuadrosh e detarësh të përzgjedhur. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ndër kuadrot kryesor e përgjegjës për çminimin, caktohen Mark Plani, Paskal Thanasi, Vangjel Nano, Selami Qejvani, Beqir Demko etj.-Në tetor-nëntor 1957, përfundoi stërvitja e kualifikimi i efektivave mina-heqës dhe u përgatit dokumentacioni i plotë luftarak.-Në janar 1958, qeveria cakton Komisionin Qeveritar të çminimit të ujërave, të kryesuar nga ushtaraku madhor, Kapiteni i Rangut të Parë, Abdi Mati.-Më 2 shkurt 1958, Komisioni Qeveritar Shqiptar, udhëton e takohet me palën greke në Korfuz. Bisedimet vazhduan nga 3-7 shkurt. -Pas 6 muajsh punë e bashkëpunim efektiv me grekët, përfundon detyra e çminimit dhe më 2 gusht 1958, në qytetin e Sarandës u zhvillua ceremonia përfundimtare dhe nënshkrimi i protokollit me palën greke.(Nga arshiva e Ministrisë së Mbrojtjes)Në vazhdim do të lexoni:-Fuqizimi teknik i Flotës Luftarake Detare dhe nisja ne vitin 1946 e kuadrove të parë të detarisë për përgatitje në shkollat dhe Akademitë e shteteve të huaja.-Cilët ishin kuadrot e parë të FLD-së të përgatitur në Jugosllavi e Rusi dhe porosia e udhëheqjes shqiptare të kohës për emërimin e tyre në funksione të larta drejtuese.-Përballimi me sukses i incidenteve nga efektivat detare dhe vizita e Enver Hoxhës më 1954 në Pashaliman dhe Sazan.(Vijon nga numri i kaluar)Minimi i Kanalit të Korfuzit dhe një pjesë e ujërave detare mes Greqisë e vendit tonë, që nga Lufta e Parë Botërore, edhe pas një vendimi absurd të Gjykatës Ndërkombëtare për fajësinë e vendit tonë në incidentin me nëndetëset greke, vazhdonte të ishte problematik jo vetëm për flotën shqiptare, por dhe për flotat e mjetet lundruese të fqinjëve e vendeve të tjera që udhëtonin me misione në këto ujëra. “Kështu, për rreth një dekadë plot, pas incidentit të Korfuzit, kohë në të cilën flota jonë ishte fuqizuar në teknikë e me kuadro të përgatitur në Jugosllavi e Rusi, çminimi i ujërave detare vazhdonte të ishte jo vetëm kërkesë e Konventave Ndërkombëtare, por dhe për sigurinë e mjeteve lundruese ushtarake e të transportit civil”,- tregon për gazetën Vangjel Nano, ish-shefi operativ e FLD-së.Ftesa greke për çminimin e Kanalit të KorfuzitSipas dokumentave zyrtare dhe shënimeve të ushtarakëve madhorë që drejtuan FLD-në ato vite, është qeveria greke, e cila në vitin 1956, ndonëse në gjendje lufte me vendin tonë, i propozon qeverisë shqiptare çminimin e përbashkët të Kanalit të Korfuzit. Ato kohë, kujton Vangjel Nano, ish-ushtaraku madhor i Flotës Luftarake, efektivat e flotës, veçanërisht ato të bregdetit Sarandë-Himarë, vazhdonin të qëndronin në gatishmëri të lartë luftarake, ndërsa drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, ishin bërë si të “shtëpisë” në njësitë detare. Enver Hoxha, sipas dëshmive të ushtarakëve dhe dokumentave të kohës, nëpërmjet fonogrameve e vartësve informohej pa ndërprerë për situatën, ndërsa Mehmet Shehu, Beqir Balluku e drejtues të tjerë, udhëtonin shpesh në Pashaliman e njësi të tjera. Në shënimet e tij, Nano shkruan: “Me largpamësi e konstruktivitet, qeveria shqiptare e vlerësoi këtë ftesë, por për shkak të qënies së vendit tonë anëtar i Traktatit të Varshavës, por dhe për shkak se ende ne nuk kishim në organikë pajisje speciale për çminimin, u njoftua Bashkimi Sovjetik dhe u kërkua ndihmë në pajisje”. Ai vazhdon të tregojë, se në fillim të vitit 1957, për këtë qëllim erdhi nga Rusia ekipi hidrografik (që përpiloi me specialistët tanë hartat ekzakte të bregdetit), në maj të po këtij viti, sjellin dhe dy anije minahedhëse të Radës, u krijua grupi i anijeve mina-hedhëse (dy anije dhe një Katër Rade) nën drejtimin e Mark Planit, si dhe u zhvilluan stërvitje intensive nga qershori deri në tetor 1957, për realizimin e detyrës luftarake të çminimit.Në Korfuz, bisedimet me palën grekePasi efektivat përkatëse greke e shqiptare, kishin përfunduar secili veçmas përgatitjet për çminimin, në fillim të shkurtit1958, ushtarakët e Komisionit të Përbashkët takohen në Korfuz. Vangjel Nano, ish-ushtaraku madhor i flotës sonë dhe një nga drejtuesit e çminimit të Kanalit të Korfuzit, rreth këtij takimi shkruan: “Në orën 08.00 të 2 shkurtit, u nisëm nga Porti i Sarandës me anijen tonë Nr.335, kaluam Kepin e Shkallës e në ujërat greke na priste një anije fqinje. Dy oficerë grekë dhe piloti i Korfuzit hipën në anijen tonë, u përshëndetën, e kërkuan të vizitonin me imtësi mjediset e anijes. Ua plotësuam kërkesën. Më pas udhëtuam drejt Korfuzit, ku krahas anëtarëve të Komisionit Dypalësh të çminimit, na prisnin dhe autoritetet më të larta vendase”. Siç do të mësonim më pas, tregon Nano, vizita në imtësi në anijen tonë e ushtarakëve grekë, takimi me efektivat, gatishmëria, u kishin bërë përshtypje të madhe, gjë e cila u mësuam në zbritje nga pohimet para efektivave detare greke në Korfuz. Nano kujton momentin dhe deklarimet e oficerit madhor grek, Kamador Dhimataqis, njëkohësisht kryetar i Komisionit për palën greke: “Kam shërbyer në shumë anije të vogla e të mëdha, greke e të huaja, kam bërë kontrolle për gatishmërinë e komoditetin, pastërtinë, rregullin, por si në anijen tuaj nuk kam parë gjëkundi”. Më pas, Dhimataqis u është drejtuar oficerëve të tij, me shprehjen: “Merrni shembull nga këta!”.Një incident i vogël në KorfuzPërkundër korrektesës së ushtarakëve grekë. gjatë pritjeve e bisedimeve rreth çminimit që do të kryhej bashkarisht, kujton ish-ushtaraku Vangjel Nano, nuk munguan dhe incidente të vogla nga funksionarë civilë, me qëllim përbuzje ndaj nesh . Ushtaraku Nano kujton: “Dy të ftuar në darkën për nderin tonë, qëllimisht me zë të lartë zhvilluan një bisedë. Njëri i drejtohet bashkëbiseduesit, se ne (shqiptarët) na kanë veshur mirë, por harrojnë se janë njerëz me bisht. Shoku jonë, T. Kovaçi, megjithëse e kuptonte mjaft mirë gjuhën greke, për protokoll i thotë përkthyesit të përkthejë me zë të lartë. U krijua një situatë jo e mirë, edhe për ushtarakët grekë, por këmbëngulja jonë për përkthimin e shprehjes, shoqëruar dhe me shprehjen e shokut tonë, ja shikojeni, duke çuar dorën prapa, ishte një përgjigje që ndoshta nuk pritej”. Në këto kushte, kujton Nano, kryetari i palës greke të Komisionit, z. Dhimataqis, i kërkoi falje kolegut të tij shqiptar, z. Abdi Mati: “Zoti kryetar, ju kërkojmë falje për këtë incident të vogël. Por dhe në Greqi, ka njerëz të tillë që nuk e kontrollojnë veten e tyre, flasin gjëra që nuk i shërbejnë miqësisë e bashkëpunimit. Dhe njëherë, ju kërkoj falje!”. Ndërsa, përgjigja e Matit ishte: “S’ka gjë, ne kemi një proverb popullor, që thotë se “nuk ka pyll pa derra!”. Më pas, si në bisedimet që vazhduan nga 3-7 shkurt, në përcaktimin e detyrave të çminimit, çdo gjë shkoi normalisht.6 muaj, çminimi i bregdetitEdhe pengesa e fundit, këmbëngulja e palës greke që të merrte pjesë edhe ajo në çminimet në bregun shqiptar, falë argumentave profesionalë dhe demonstrimit praktik të specialistëve tanë për të kryer operacionet e çminimit (me kontakt, me thika, në sipërfaqe, me çminues elektro-magnetik, akustik) me kualitet, u kalua dhe u nënshkrua marrëveshja për nisjen e punës. Plot gjashtë muaj vazhdoi çminimi i bregdetit në të dyja anët, ku vetëm pala jonë pastroi nga minat një sipërfaqe prej 445.000 metër katrorë, një gjatësi lundrimi 52.000 milje, nga Kepi i Palermos në Gjirin e Stelias. “Çdo dy javë, siç e kishim lënë, takoheshim me grekët e raportonim për ecurinë e operacionit. Takimet i zhvillonim në ishullin e bukur të Tetranisit. Ndërsa në 2 gusht të vitit 1958, në qytetin e Sarandës, me grekët u nënshkrua protokolli përkatës i realizimit me sukses të detyrës së përbashkët. Në fund të operacionit, ushtarakëve shqiptarë u vjen me fonogram një falënderim nga Enver Hoxha, ndërsa pak kohë më pas, ai do të ishte vetë për vizitë mes tyre. (Vijon)