e martë, qershor 27, 2006

Shametaj: Francezëve u jepnim bretkosa e sherbel, blinim aparatura luftarake



Enveri-Mehmetit: “Mos kurseni, blini çdo gjë për luftën!”


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Në fund të shënimeve të tij, Ibrahim Shametaj, ish- kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes, sjell momentet e inspektimit të vendkomandës qendrore të luftës nga Enver Hoxha, porositë që dha ai për të blerë aparaturat radiondërlidhëse jashtë vendit, pa kursyer për problemet e mbrojtjes, si dhe mënyrën e blerjes së tyre nga specialistët në Francë, në këmbim të bretkosave, qilimave e sherbelës.Kur inspektimi i Enverit e Mehmetit në vendkomandën e përgjithshme të luftës më 24 qershor 1978 po shkonte drejt fundit, kujton kryeinxhinieri i ndërlidhjes Ibrahim Shametaj, ndodh dhe një e papritur. Ai kujton se pas kërkesës së Enverit për ndërlidhje me korpusin e Burrelit, ku foli me ushtarakun Damin Xhaferri, kërkoi të bisedojë me Pukën. Por, një defekt në Qafë Shtamë, nuk e mundësonte një gjë të tillë. E vetmja mundësi që aplikuam në moment, kujton Shametaj, ishte ndërlidhja nëpërmjet linjës civile, por që funksiononte tepër dobët e mezi dëgjohej. Ja them Enverit realitetin, duke u vënë disi në siklet, por ai ndërhyri e tha: “S’ka gjë, unë jam i kënaqur për gatishmërinë e ndërlidhjes!”. Më pas, duke iu drejtuar Mehmetit, kërkoi konfirmimin e tij: “Apo jo, Mehmet”. Mehmeti i përgjigjet: “Po, shoku Enver!”.Debati me Mehmetin, për blerjen e aparaturave luftarakeNë vazhdim të inspektimit në sallate tjera të “qytezës” së nëndheshme të drejtimit të luftës, kujton Shametaj, mes Enverit e Mehmetit, Kadriut e Veli Llakajt, në prezencën tonë, nisi një debat për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e aparaturave radiondërlidhëse për gatishmërinë luftarake, mundësinë e blerjeve dhe koston e tyre. “Pasi i fola në sallën e grupit të radiostacioneve 250 vv e URC-100 për aparaturat, duke parë dhe nga Mehmeti, Enveri u interesua për koston e blerjes së tyre!”,- kujton Shametaj. Enveri ndërhyri: “Sikur i keni blerë shtrenjtë këto aparatura!”. Shametaj, siç pohon për gazetën, i mirinformuar për tregun dhe koston e tyre i thotë: Shoku Enver, në fillim janë blerë me 33 mijë dollarë, dhe tani i blejmë me 32 mijë dollarë me ndihmën e një biznesmeni francez. Atij, i japim bretkosa, sherbelë e qilima dhe blejmë aparaturat luftarake që na duhen”. Në bisedë e sipër, kujton Shametaj, kolegët e pranishëm më bënë shenjë që t’i thosha Enverit se duhen më shumë fonde për blerje, ndërkohë që një vështrim i Mehmetit, pasuar me një shenjë, më tha që të heshtja, pasi ato punë ishin probleme të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes. Por, kjo nuk i shpëtoi Enverit, i cili ndërhyri: “E kuptoj, juve ju duhen fonde për të blerë aparatura të tilla, e do i blejmë, por mos harrojmë situatën, se fonde do dhe bujqësia, energjetika, industria minerare, ajo mekanike etj. Por nga ju kërkojmë që fondet të shpenzohen me nikoqirllëk, të thelloni dijet tuaja teorike e praktike në revolucionin tekniko-shkencor!”. Më shumë sesa me ne, kjo ndërhyrje e Enverit, shton Shametaj, ishte për Mehmetin e drejtuesit e tjerë të shtetit e ushtrisë që ishin aty. Në ndërhyrjen e tij, Mehmeti premtoi se ky problem do të shihej me përparësi. Në fund, Enveri tha: “Situata politike e ushtarake njihet, Shqipëria socialiste ka shumë armiq përballë, por është e fortë dhe e tillë do të jetë, mbrojtja jonë është e pathyeshme, ndaj ne nuk do të kursejmë për mbrojtje, blini aparaturat luftarake që duhen, mos kurseni!”.Blerja e aparaturave luftarake nga francezëtDuke e cilësuar mbrojtjen e vendit si “Detyrë mbi detyrat”, në zbatim dhe të porosisë së dhënë nga Enver Hoxha në inspektimin tij në vendkomandën qendrore të luftës, sipas dokumentave dhe ish-drejtuesve të lartë të ushtrisë, shteti i kohës nuk kurseu asgjë për blerjen e radioaparaturave dhe logjistikës tjetër ushtarake ,që duheshin për gatishmërinë luftarake të ushtrisë e të strukturave të tjera mbrojtëse të vendit.Kështu, radioaparaturat, sipas ing.Shametajt, bliheshin në Francë, kundrejt shitjes së sherbelës (bimë medicinave), bretkosave, qilimave e punimeve artistike artizanale, mjaft të kërkuara jashtë vendit atë kohë. “Më ka rënë rasti të punoja me dy tregtarë e specialistë francezë. Me ‘ta kontaktoja e nëpërmjet tyre, importoja aparatura radiondërlidhje bashkëkohore”,- tregon Shametaj. Por në këtë tregti, sipas Shametajt, krahas grupit të specialistëve ndërlidhës shqiptar, ishin të pranishëm dhe funksionarë të sigurimit të shtetit, të deklaruar si specialistë ndërlidhje. Sipas tij, kjo bëhej jo vetëm për faktin e të qenit tonë nën kontroll në takime biznesi me të huajt, por dhe se mes specialistëve francezë, siç edhe konstatuam dhe ne specialistët e mirëfilltë, kishte njerëz të shërbimeve sekrete të tyre, që sigurisht bënin punën e shtetit që përfaqësonin. “Sipas rregullit, kur bëheshin takime apo shtroja ndonjë darkë apo drekë për specialistët francezë, gjithmonë asistonte dhe një përfaqësues i shërbimeve tona inteligjente”,- pohon Shametaj. Në një prej këtyre takimeve (darkave), shkruan në kujtimet e tij Shametaj, ku sigurisht ishin të pranishëm dhe sigurimsat nga të dy palët, do të linte një debat rreth muzikës e këngës franceze. “Unë shpreha simpati për artistin e këngëtarin francez, Iv Montana. E kisha njohur në qytetin e Kievit në ish-Bashkimin Sovjetik, ku ai dha një koncert shumë të mirë”. Njëra palë (ne shqiptarët) mbronim mendimin se Montana ishte një revizionist, ndërsa kolegët, mendimin se ai ishte socialist i moderuar. Në fakt, dy nga bashkëbiseduesit, siç më thanë më vonë (konstatim i agjentit sekret të shërbimit tonë), ishin agjentë të shërbimeve të huaja. Vonë, shton Shametaj, siç më tha kolegu ynë i sigurimit. Një prej tyre ishte agjent i KGB-së, ndërsa tjetri në shërbim të CIA-s, por me rol të dyfishtë. “Por, në momentin e diskutimit rreth muzikës e këngëtarit të njohur francez, njëri prej bashkëbiseduesve të mësipërm, më dhuroi një kasetë me këngët e Iv Montanës. Pasi e dëgjova këtë kasetë, kolegu im i shërbimit inteligjent, më kërkoi kasetën e dhuruar, sigurisht për të bërë punën e tij!!”. Kolegu që më dhuroi kasetën me këngët e Montanës, ndonëse kishte planifikuar të rrinte 15 ditë, shton më tej Shametaj, iku, e ne e përcollëm deri në Rinas. Mesa duket, ai kuptoi se misioni i tij mbaroi, ndërsa për ne të shërbimit të ndërlidhjes, ishte e rëndësishme tregtia me leverdi e aparaturave luftarake me biznesmenët francezë.(Fund)