e martë, qershor 20, 2006

Misteri i natës së fundit: E vranë apo vrau veten djali i Hazbiut?!


Afrim Imaj

Ishte janari i vitit 1989 kur ndërroi jetë Agron Dauti, i biri i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Lajmin e morën vesh të parët familjarët, që jetonin në internim, në Kurbnesh.

Pastaj tragjedia do të bëhej e njohur edhe për rrethin e gjerë të shokëve të tij. Fillimisht do të ndihej tronditja për ngjarjen e papritur, mandej interesimi për rrethanat në të cilat ishte vrarë djali i ish-ministrit të pushkatuar. Lëndimi do të kapërcente kufijtë e shtëpisë mes malesh e do të pushtonte një opinion të gjerë. Shumëkush që e pati njohur dhe adhuruar futbollistin e fillimviteve ‘80, do të tronditej nga lajmi tragjik, pa mundur të shkonte më tej në fatin e paracaktuar të familjes së destinuar për të vuajtur si pjesë e “armikut të partisë e të popullit”. Dhimbja do t’ia linte vendin heshtjes dhe çdo gjë për vrasjen e djaloshit 30-vjeçar do t’i destinohej hamendjeve të gjithëfarëllojta. Ndërkaq, Agron Dauti do të shkonte në banesën e përjetshme në prani të katër pesë të afërmve dhe ndonjë të krisuri, që kishte guxuar t’i linte lamtumirën e tij shokut të afërt.
Kanë kaluar 17 vjet nga çasti mortor i saj përcjelljeje të dhimbshme diku në rrethinat e Kurbneshit të largët. Rrethanat e martirizimit të djaloshit, që e deshi aq shumë jetën dhe sportin, kanë mbetur edhe sot ende të pazbardhura. Dilema: “E vranë, apo vrau veten?” vazhdon të dominojë tek të gjithë ata që e njohën dhe i lidhi puna me të. Përballë versionit zyrtar, sipas të cilit, Agron Dauti u vetëshpërthye me dinamit në thellësitë e galerisë në kushtet e një goditjeje nervore, qëndrojnë me dhjetëra opinione të tjera që bëjnë fjalë për një asgjësim nga të tjerët. Ka madje edhe hamendje që e adresojnë krimin sa te punonjësit e Sigurimit, aq edhe te njerëzit që provuan penalizmin e të atit në kohën kur bënte ministrin e Brendshëm. Gjithsesi, misteri i dilemës vazhdon të lëndojë paqen e njeriut që ndërroi jetë kur ende ishte në lulen e jetës...
Petrit Hazbiu dhe paqja e lënduar e të vëllait
Petrit Hazbiu, i vëllai i Agronit është bërë i njohur në Tiranë së fundmi me studion e famshme, diku në rrugën “Myslym Shyri”, ku projekton realitetet e nesërme të qyteteve shqiptare. Emri i mirë që ka krijuar si arkitekt e mban të angazhuar mbi projekte për orë të tëra. Megjithatë, kur troket te zyra e tij dhe i kërkon të të rrëfejë për Agronin, shkëputet paksa nga puna, mbushet nga ngazëllimi dhe fillon të tregojë në mirëbesim për ato që ka përjetuar nga bashkëjetesa me të si vëlla, por edhe si shok. Eshtë i prirur t’i bjerë shkurtazi bisedës dhe të flasë në përgjithësi për jetën e Agronit, pa u futur në detaje dhe aspekte, që ende kanë profilin e misterit. E ka shumë të vështirë dhe hera-herës mundohet të fshehë lotët që i rrjedhin prapa xhamave të errët të syzeve. Nuk ka dëshirë të tërheqë vëmendjen e opinionit me dhimbjen e familjarëve të tij dhe mundohet të arsyetojë pse ndihet ngushtë sa herë i kërkojnë diçka për të vëllanë. Më shumë se një reagim emocional i çastit, është një pakt moral i tij dhe i familjes Hazbiu për ta përjetuar tragjedinë e njeriut të dashur në vetminë e tyre. “Se nuk duam t’ia lëndojmë paqen aty ku prehet Agroni ynë i shtrenjtë!”, të shpjegon Petriti me mirësjellje arsyet e kësaj sjelljeje fisnike, ndërkohë që për më shumë të ofron takimet me shokët e shumtë që pati Agroni në Tiranë e në Kurbnesh, të cilët edhe tani kanë mbetur mysafirë të nderuar në shtëpinë e tyre. Pastaj vjen një moment që biseda me arkitektin e plagosur shpirtërisht ngec si me komandë. Eshtë pikërisht çasti kur i kërkon të të kujtojë aq sa mban mend nga dita fatale e të vëllait dhe rrethanat në të cilat ndërroi jetë ai. Aty Petriti është gati ta prishë “kontratën e fjalës” dhe mblidhet në vetvete sikur t’i kesh shkaktuar një gjë tronditëse. Me këtë qëndrim i vëllai i dinamovitit të talentuar që nuk jeton më, të mbyll çdo hapësirë për të rrëmuar ditëvrasjen e Agronit. Ndërkaq, Petriti nuk rri pa përmendur edhe një lëndim që i shkaktojnë gazetarët, të cilët në mjaft raste sa herë bëhet fjalë për të vëllanë, i shmangen emrit të tij dhe nuk përtojnë të citojnë djalin e ish-ministrit. Agroni kishte emrin e tij dhe ishte shumë dinjitoz për këtë, thotë ai duke të përmendur emrat e shokëve me të cilët ai ishte mik deri në çastet e fundit të jetës. Dhe aty për aty të përmend Viktor Gjikolën, Luigj Gjinin, Gjergj Lucën, Nue Gjikolën, Shpresa Pepkolën...
Gjithsesi, Petriti është i vendosur në bindjen se i vëllai është interesant me jetën, me gjalljen dhe rininë e tij që pati një shkëlqim të veçantë.
Viktor Gjikola dhe konturet e një vrasjeje misterioze
Viktor Gjikola, ish-minatori i dikurshëm i Kurbneshit, tashmë punon në një nga zyrat e marrëdhënieve me publikun në Qarkun e Lezhës. Për tek ai të adreson i vëllai i Agronit, që e veçon shoqërinë me të, sidomos gjatë periudhës kur punonin të tre në sektorët e vështirë të galerive të nëntokës. Ishte koha kur Viktori, për çështje biografie, do të mbetej poet i ndaluar, ashtu sikundër do të mbetej i burgosur talenti i Agronit për futbollin. Kjo ishte një arsye më shumë që i bashkonte në ato vite të vështira. Në bisedën me të, të bën përshtypje një lloj detyrimi që ndjen për të rrëfyer të pathënat e vërteta, siç shpjegohet ai për djalin e shkëlqyer që mbërriti nga Tirana në Kurbnesh dhe u bë miku i minatorëve dhe i banorëve të tjerë të zonës. “Ishte njeri i shkëlqyer, i dashur, i afrueshëm, këmbëngulës dhe gjithmonë energjik, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme në të cilat jetonte”, shprehet përmbledhtazi Viktori, që, siç thotë, e ka pasur nga shokët më të mirë që ka njohur. Në këtë linjë me konsiderata e mbresa nga miqësia me Agronin, të cilat i ka ngulitur në kujtesë, Viktori vazhdon gjatë tregimin e tij. Madje diku këmbëngul për ta dëgjuar me vëmendje. Ai kujton një çast dobësinë e Agronit për nënë Hedon, e cila ishte e sëmurë, me probleme serioze nga zemra. “Hedo për të ishte perëndia”, cilëson miku i ditëve të vështira i familjes Hazbiu, pa harruar të përmendë dashurinë e veçantë të Agronit për nipërit e mbesat, që u detyruan për arsye politike të rriteshin jetim me prindër të gjallë. Po rrëfimi i tij ngec pikërisht kur biseda vjen te çasti fatal i janarit ‘89. Për Viktorin, njeriun e lidhur ngushtë me familjen Hazbiu, dilema “vrau veten apo e vranë?!” është një mëdyshje, që anon më shumë nga kjo e dyta. Megjithatë, ai e vlerëson jo shumë të rëndësishëm këtë fakt, pasi cilado të ketë qenë mënyra e vrasjes së tij, tragjedia ishte produkt i sistemit antinjerëzor me emërtimin komunist. Nuk është ndodhur në ato çaste në vendin e ngjarjes dhe gjithmonë ka dyshuar në versionin e një vetëvrasjeje. Madje as tani, pas 17 vjetësh, nuk e beson që miku i tij të arrinte deri këtu. Këtë bindje e mbështet në argumente, që siç thotë, janë të patjetërsueshme. Dhe fillon t’i rreshtojë në mënyrën e vet...
“E para, Agroni ishte një djalë me kurajë, që edhe në kushtet më tronditëse dinte të delte mbi to. E dyta, jemi në vitin ’89, kur ishte konturuar pak a shumë tjetërsimi i sistemit dhe këtë Agroni e ndiqte me shumë vëmendje dhe shpresë. Nga ana tjetër, të gjithë ne që i kemi njohur marrëdhëniet e tyre familjare gjatë kohës së internimit, mbajmë mend kurajën që rrezatonte Agroni tek të tjerët. Dhe më kryesorja, ai ishte një njeri që e përbuzte aktin e vetëvrasjes në çdo lloj rrethane, madje shpesh, kur qëllonte biseda për raste të kësaj natyre, ai e quante një lloj krimi”. Interesimit për të shkuar tek e vërteta, Viktor Gjikola i përgjigjet me shpjegimet që mund të ofrojnë njerëzit që kanë qenë atë ditë pranë Agronit. Këtu, me sa i kujtohet atij, mund të ndihmojë Shpresa Koleka (Pepkola) një nga ekonomistet e ish-minierës, që ka marrë vesh e para lajmin për vrasjen e tij. Për më tej, sipas mikut të ish-futbollistit të martirizuar në minierë, mund të ofrojë informacion ish-drejtori i minierës, Ndue Marku, që duhet ta ketë marrë vesh patjetër kushtet në të cilat ndodhi ngjarja makabre atë mbrëmje janari të vitit ‘89...
Shpresa Pepkola dhe tronditja e çasteve të para
Ajo ka qenë në zyrë në momentin e shpërthimit që mori jetën e Agron Dautit. Ka qenë nga të parat që është njohur me lajmin tragjik për vdekjen e tij. “Aksident në galeri, është vrarë Agron Dauti!”, kujton ajo thirrjen e një minatori të ri, i cili sapo kishte dalë nga hyrja e minierës që ishte afër zyrës së saj. “Ua, Goni, djali i Kadri Hazbiut!”, kujton Shpresa tronditjen dhe habinë e shoqeve të saj ato momente. Më tej, tregimi i saj ka të bëjë me përjetimet e para pas ngjarjes fatale. “Ato momente të gjithë përmendnin vetëm fjalën aksident, shton Shpresa. Kështu flitej shpesh në raste të kësaj natyre. Fjalën aksident e dëgjova edhe gjatë një raportimi që u bë në telefon pak minuta më vonë. Vazhduan kështu çaste të tëra. Dikush u porosit për të lajmëruar Petritin, të vëllanë, që atë ditë ishte turn tjetër. Pastaj u dukën dritat e një gazi të Degës së Punëve të Brendshme. Pas kësaj thanë se në galerinë ku kishte ndodhur shpërthimi ishin futur ekspertët. Ndërkohë kishte rënë nata. U larguam nga puna me dhimbjen që kishte shkaktuar vdekja aksidentale e Agronit. Të pakën deri në kohën që ishim aty e dinim se kishim të bënim me një aksident. Vetëm të nesërmen do të dëgjonim në zyrat e ndërmarrjes se ajo kishte qenë një vetëvrasje (!)”. Teksa i kthehet kësaj retrospektive të dhimbshme. Shpresa Pepkola, vajza nga Bregu. që e ka kaluar rininë e saj në këto vise të largëta, të shpalos dyshimet e para që ka ndjerë në ndryshimin e cilësimit të ngjarjes nga aksident, në vetëvrasje. Ndërsa të rekomandon një takim me ish drejtorin e minierës të asaj periudhe, ka dëshirë të të japë edhe konsideratat e saj për Agronin, që siç e mban mend ajo, ka qenë një djalë i kulturuar, i sinqertë dhe shumë fisnik, pavarësisht kushteve tejet të vështira në të cilat jetonte. “Një djalë i tillë, me një kurajë të spikatur, nuk mund të arrinte kurrë në një akt të tillë fatal”, përmbledh ajo rrëfimin për njeriun që ka humbur jetën në minierë një ditë janari të vitit ‘89, në kapërcyellin e sistemeve politike në Shqipëri...
Drejtori Marku dhe “vetëvrasja” zyrtare
Ndue Marku ka qënë drejtor i minierës së Kurbneshit në kohën e tragjedisë së Agron Dautit. Eshtë një tip i mbyllur dhe duket më serioz nga mosha që ka. Megjithatë, bëhet shumë disponibël kur i kërkon diçka nga mbresat e tij për Agronin. “Ata ishin dy vëllezër që filluan punë me turne në minierë menjëherë sa mbërritën në Kurbnesh”, tregon ai, “Të dy djem të qetë e të edukuar. U integruan me dinjitet në shoqërinë me minatorët dhe qysh në fillimet e punës fituan respektin e tyre”. Për ish-drejtorin e Kurbneshit, fakti që ata nuk i kishin sjellë as shqetësimin më të vogël, madje ishin ndër punëtorët që tejkalonin vazhdimisht normën, ishte diçka domethënëse, pavarësisht “lëndës” që kërkonin fshehtas punonjësit e Sigurimit për çdo detaj të jetës së tyre, si dy nga fëmijët e “armikut të partisë e të popullit”. Më tej Ndue Marku ndjehet disi ngushtë kur i kërkon diçka për ngjarjen tragjike të janarit ‘89. Rrëfimi i tij herë pas here merr profilin e një ndodhie, që e ka mësuar nga të tjerët...
“Mbrëmjen që ka ndodhur ngjarja unë isha në shtëpi në Rrëshen. E kam marrë vesh në mëngjes. Në orën 03:00 pas mesnate, trokiti në derë një nga policët e qytetit dhe më tha se ishte vrarë djali i Kadri Hazbiut. U gjenda në zyrë aty nga ora 07:00. Aty gjeta dhjetëra hetues e policë dhe një dyzinë ekspertësh, që kishin mbërritur nga Prokuroria e Përgjithshme. Në të gjitha rastet e kësaj natyre ngjarjet ishin mjaftuar me ekspertizën e specialistëve të rrethit. Këtë herë porosia mesa dukej ishte dhënë për të tejkaluar profesionalizmin dhe besueshmërinë e tyre. Kjo ndoshta për nga specifika e emrit të viktimës. Me përfundimet e tyre u njoha sapo mbërrita. Bëhej fjalë për vetëvrasje në kushtet e një tronditjeje psikike. Më shumë se kaq, unë drejtori i minierës nuk mund të zbardhja version tjetër. Aty për aty dhashë urdhër për të marrë masat e nevojshme për të ndihmuar me aq sa kishim mundësi familjen. Ndërkaq, i pari që më trokiti në zyrë ishte i vëllai i Agronit, Petriti, i cili kishte me vete rrobat me të cilat do të vishte trupin e viktimës, që në atë moment e kishim sistemuar në një nga zyrat e minierës. Pasi e ngushëllova dhe i shpjegova rrethanat që kishin zbardhur ekspertët, dëgjova vetëm një reagim nga goja e tij: “Zoti drejtor, vëllai im nuk mund ta bënte kurrë këtë, madje ai me shpirtin që kishte nuk mund të therte as një pulë!” E shoqërova për te trupi i të vëllait dhe komunikova me përgjegjësin e komunales për ceremoninë mortore...”
Kështu e kujton drejtori i minierës së Kurbneshit ditën e ngjarjes së 28 janarit 1989. Ai për çdo gjë i referohet ekspertizës zyrtare, që më shumë se aksident, e cilëson vetëvrasje. Megjithatë, drejtori, përtej pozicionit zyrtar, është njeri që jo për çdo gjë mund t’u besojë letrave. “Më kanë munduar edhe mua dyshimet që dëgjoheshin nën zë atëherë, shton ai në mirëbesim. Madje, kam bërë edhe një lloj investigimi privat, duke u kthyer te njerëzit që kanë qenë dëshmitarë në ngjarje. Po deri tani nuk kam gjetur ndonjë argument të fortë që ta përjashtojë vetëvrasjen...” Të fundit që ka takuar vetëm para pak kohësh ka qenë Geg Lufi (Shkurti), i cili ka qenë në çastet e fundit në ballë të galerisë me Agronin...
Geg Lufi dhe çastet fatale në ballë të galerisë
Njeriu që ka ndarë minutat e fundit të jetës së tij me Agron Dautajn, quhet Gegë Lufi, i cili dikur mbante mbiemrin Shkurti, për efekt biografie. Mjafton një trokitje në rajonin e policisë të Rubikut dhe të shfaqet përpara profili i tij me uniformën që i shkon në trupin e bëshëm. Ka qenë dikur minator dhe pas viteve ‘90 e ka gjetur veten e tij në radhët e forcave të Rendit. Sa e merr vesh shkakun se, për çfarë e ke kërkuar, të fton në kafe dhe fillon të tregojë me qetësi...
“Ishte pasditja e datës 28 shkurt 1989. Para se të fillonim punë në galeri me Gonin, u takuam me përgjegjësin e sektorit, për t’u këshilluar për çka do të bënim në turn. Agroni rikthehej në punë pas tetë ditësh, pasi kishte qenë i sëmurë me regjim shtrati. Kishte mbaruar raportin mjekësor dhe detyrimisht duhej të paraqitej në minierë. Mbaj mend që kërkoi për të vazhduar pushimin, se nuk ndjehej mirë, po përgjegjësi hezitoi, madje me këmbëngulje. “Më beso, nuk mundem, ndjehem keq”, iu lut Agroni, por ishe e kotë. Madje, aty për aty punëdhënësi na ndërroi edhe galerinë e zakonshme ku punonim gjithnjë me Gonin. Nejse, filluam punë dhe deri aty rreth orës tetë të mbrëmjes gati kishim mbyllur ciklin, siç i thoshim atëherë përfundimit të evadimit të mineralit nga balli i frontit të galerisë. Teksa lashë Gonin të mbushte një gjysmë vagoni që kishte mbetur ende, u largova nga galeria për të përgatitur pajisjet e nevojshme për procesin e plasjeve. Nuk kaluan as dhjetë minuta pas kësaj, kur u dëgjua një zhurmë shpërthimi, që u pasua me tymin që filloi të vinte nga balli i galerisë. Për momentin mendova se do të kishim të bënim me ndonjë minë të paplasur dhe vrapova për te Goni. Mbërrita në çast aty, po ç’të shikoja, trupi i tij ishte copëtuar dhe copat e mishit ishin shpërndarë në të gjitha faqet e galerisë. Në brez kishte fitilin detonator rreth 2 metra. Gjithçka rreth tij ishte mbuluar me pluhur. Dola me vrap dhe dhashë lajmin. U thirra pas kësaj edhe nga ekspertët. Dëshmova atë që dija dhe bindjen time se kishim të bënim me vetëvrasje. Ishte tronditëse dhe e dhimbshme humbja e tij. E kisha një nga shokët më të mirë. Ndër të tjera na bashkonte edhe ndëshkimi politik, unë si nipi i Lufajve dhe ai si djalë i Kadri Hazbiut, që ishte pushkatuar nga regjimi. Kaq, dhe pastaj...”
Më tej, njeriu që është ndarë i fundit me viktimën e datës 28 janar 1989, të thotë se çdo dilemë përtej këtij varianti është e kotë. Duket i bindur në atë që të thotë dhe të kërkon për ta ndihmuar me adresën e familjarëve të Agronit, për të bërë një vizitë si miku i tij...

Largimi nga ekipi i futbollit të Kurbneshit, dënimi i dytë i Agronit

Prania e Agron Dautit në ekipin e futbollit të minierës së Kurbneshit, do ta bënte këtë të fundit të sfidonte të gjitha skuadrat e tjera të rrethit të Mirditës. I kujtohet mirë ky detaj Ndue Markut, ish-drejtorit të minierës, pasi e bënte të ndjehej mirë përballë kolegëve të tjerë që drejtonin ndërmarrjet e mëdha në zonë. Ndërkaq, nga kjo histori ruan edhe një qortim, që për kohën nuk ishte i rëndomtë. Teksa ekipi i drejtuar nga Agroni kishte mundur më në fund edhe atë të qytetit, dikush nga lart do të pozicionohej parimisht dhe bashkë me urdhrin për të zhdukur nga skuadra e futbollit djalin e armikut të partisë, do të ndëshkonte edhe drejtorin për mungesë të luftës së klasave.
Nga kjo histori, Ndueja mban mend sidomos paraqitjen e djalit të ish-ministrit të Brendshëm me kostumin e bukur sportiv dhe atletet me një mbishkrim anash. Te kjo pamje e tij dikush kishte kërkuar origjinën borgjeze të veshjes dhe kishte këmbëngulur për përkthimin e mbishkrimeve në të. “Kjo, shton ish-drejtori i ndërmarrjes, do ta lëndonte edhe më shumë Agronin, i cili do ta përjetonte me dhimbjen e një dënimi të dytë...”

neser do te lexoni

  • U vetëvra, apo e vranë djalin e Kadri Hazbiut? Mesazhet më të fundit në redaksinë e gazetës, pas botimit të retrospektivës për Agron Dautin.
  • Bashkëkohësit që rrëzojnë mundësinë e vetëvrasjes. Dëshmitë e punonjësve të Sigurimit, që ruanin nga afër familjen Hazbiu gjatë internimit.
  • Historia e një operacioni që nuk e lejua të bënte në Tiranë, por në Rrëshen, nga mjek jo specialist.
  • Zbardhet misteri i fshehjes së Agronit natën e internimit në një shtëpi private në Tiranë. Si e qanë në familjen e Dervish Hatixhesë djalin e shtëpisë së tyre, siç e quanin ata.