e hënë, qershor 19, 2006

Enver Hoxha në vendkomandën e re të Shtabit të Përgjithshëm



Kujtim Boriçi


Ekskluzive/ Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, në shënimet e radhës sjell detaje rreth situatës në ushtrinë shqiptare pas daljes nga Traktati i Varshavës, fortifikimin masiv të vendit, urdhrin e Enver Hoxhës, komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura për ndërtimin e vendkomandës së re “qytezës” së nëndheshme) në Linzë dhe parapërgatitjet për vizitën e tij dhe të Mehmet Shehut në këtë objekt të rëndësishëm lufte.Në vazhdim do të lexoni:-Si u pritën Enveri dhe Mehmeti në vendkomandën e re të luftës nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj dhe për çfarë u informua komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.-Takimi i parë në zyrën e mjediset e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.- Si informuan Abaz Thana e Ibrahim Shametaj Enver Hoxhën për instalimin dhe funksionimin praktik të sistemit ndërlidhës të komandimit nga shtabi i luftës.Linzë, qershor 1978(Vijon nga numri i kaluar)Pas prishjes së marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik, me interesimin dhe porosinë direkte të Enver Hoxhës, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, sipas dokumenteve luftarake të kohës në Ministrinë e Mbrojtjes, u vendos që vendkomanda e komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm në rajonin e Bërzhitës të kalonte në vendkomandë rezervë dhe të ndërtohej vendkomanda e re në rajonin e Linzës. Ndërtimi i vendkomandës së re, e gjitha nëntokësore, sipas specialistëve dhe drejtuesve të mbrojtjes në atë periudhë, u bë në përputhje me konceptet e reja të mbështetjes së mbrojtjes në forcat tona. “U desh një kohë e gjatë, mund, djersë dhe investime të mëdha, derisa ky objekt i rëndësishëm nëntokësor , të përfundonte e të vihej në funksionin në mesin e vitit 1978”, - tregon për gazetën Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe një nga specialistët kryesor të projektimit e realizimit të sistemit të gatishmërisë së ndërlidhjes në këtë objekt lufte.SituataDënimi i grupit “puçist” të Beqir Ballukut në ushtri që çoi në pushkatimin e tre gjeneralëve të lavdishëm të luftës e ringritjes së ushtrisë shqiptare (Ballukut, Dumes e Çakos), dënimin me dhjetëra vite burg e internime për shumë kuadro të tjerë madhorë të ushtrisë, në procesin e zbatimit të direktivës së Partisë së Punës “Mbrojtja e Atdheut detyrë mbi detyrat” dhe “i gjithë populli ushtar”, veçanërisht pas vitit 1974, solli jo vetëm shtimin numerik të forcave ushtarake aktive, por edhe investime të rëndësishme në fushim e fortifikimit. Kështu, sipas Shametajt, krahas ndërtimit të mijëra qendrave zjarri të fortifikuara në të gjithë vendin, u ndërtuan sisteme të rëndësishme tunelesh nëntokësore, vendstrehime për popullatën si dhe vendkomanda që nga nënrepartet më të ulëta, deri në vendkomandën e Shtabit e komandës së Përgjithshme. “Nga viti 1975 deri në vitin 1978, unë udhëhoqa e drejtova punimet jo vetëm në kompleksin e mësipërm (vendkomanda e përgjithshme), por dhe në ndërtimin e qendrave të ndërlidhjes në bllokun udhëheqjes, në tunelin vilave në malin e Dajtit, në vilat e udhëheqjes në Durrës, Vlorë e Pogradec, në tunelizimin e qendrës së ndërlidhjes në ministrinë e Mbrojtjes dhe ndërtimin e rrjetit kabllor nëntokësor në garnizonin dhe periferinë e Tiranës”, - kujton Shametaj. Referuar statistikave në arkivën e Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë viteve të luftës së ftohtë, në shkallë vendi u ndërtuan gjithsej 36 000 qendra zjarri të fortifikuara, 3 264 pozicione zjarri të artilerisë së rëndë si dhe kilometra të tëra tunelesh e vendstrehimesh në të gjithë territorin. Por një nga objekte madhore e më të rëndësishme të mbrojtjes së vendit, sipas specialistëve, ishte ndërtimi i kompleksit të nëndheshëm të vendkomandës së Shtabit e komandës së Përgjithshme në Linzë, objekt shumëfunksional dhe ndoshta unikal në Ballkan e më gjerë, që u ndërtua me porosinë e përkujdesjen direkte të Enver Hoxhës, që ishte edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.Vendkomanda e luftës, “qytet” i nëndheshëmVendstrehimi i luftës që u ndërtua në Linzë të Tiranës, ku në një luftë të pritshme do të drejtonte Enver Hoxha dhe shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, sipas Shametajt, ishte ndërtuar për t’i rezistuar goditjeve direkte me bombardime ajrore, deri dhe atomike, me aftësi mbrojtëse nga goditja direkte, nga vala goditëse, rrezatimi termodinamik, radiostacioni përshkues dhe efektet e dëmtimit të armëve kimike e bakteriologjike. “Ai ishte i pajisur me dyer të blinduara disaradhëshe, me pajisje ventiluese, agregatë të fuqishëm për ndriçim e ngrohje, pajisje matëse e kontrolluese të lagështisë. Në brendësi në tunele kishte dhoma të shumta fjetjeje, dushe, nyje funksionale hidrosanitare, sallë kinemaje e mbledhjesh me një kapacitet 500 vetash, kafene, ambiente çlodhëse, sall e mjedise të bollshme për efektivat komandues e të shërbimit të të gjitha armëve, rezerva logjistike e ushqimi etj”, shton ai. Së pari, në mjediset e vendkomandës së luftës, sipas specialistit Shametaj, kishte një ndërlidhje të instaluar e perfekte radiondërlidhje, që ishin ndër elementët kryesorë të suksesit në drejtimin luftimit.Parapërgatitjet për pritjen e Enverit në vendkomandën e luftësPas përfundimit të punimeve në “qytetin” e nëndheshëm të luftës, Enver Hoxha që ishte urdhëruesi e nga më të interesuarit për realizimin projektit në një kohë sa më të shkurtër e në parametrat cilësor, kishte konfirmuar vizitën në këtë objekt të rëndësisë së veçantë për të parë e verifikuar nga afër shkallën e gatishmërisë të strukturave të mbrojtjes së vendit në një situatë të improvizuar lufte. “Para se në vendkomandë të vinte Enver Hoxha, Mehmet Shehu (kryeministër e ministër i Mbrojtjes njëkohësisht), shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, kishte bërë për rreth një muaj kontrolle të befasishme në vendkomandë, në qendrat e ndërlidhjes, duke verifikuar direkt nivelin e gatishmërisë me të gjitha komandat e korpuseve e drejtoritë në ministrinë”, - shton Shametaj. Kontrollet e vazhdueshme të shefit të shtabit, Llakaj, shton më tej Shametaj, ne i vlerësonim si një verifikim i shkallës së gatishmërisë rreth situatës që kalonte vendi atë kohë, pa ditur se parapërgatitej ardhja e Enver Hoxhës, gjë e cila u realizua më 22 qershor të 1978-ës. (Vijon)