e mërkurë, qershor 21, 2006

Inspektimi, Mehmet Shehu rrinte si mbi “gjemba” para Enverit



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Në këtë numër, Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes për 12 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes, sjell detaje interesante të inspektimit të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut më 24 qershor 1978, në vendkomandën e re të luftës në Linzë. Si provoi komandanti i përgjithshëm gatishmërinë e ndërlidhjes me komandat e reparteve në rrethet e vendit, si dhe porositë që dha për rritjen e gatishmërisë luftarake për përballimin e një agresioni të armiqve ndaj Shqipërisë.Në vazhdim do të lexoni:-Çfarë tha Enver Hoxha gjatë inspektimit të “qytezëz” luftarake të nëndheshme në Linzë.-Çfarë biseduan Enveri dhe Mehmeti, kokë më kokë, në mjediset e vendkomandës së luftës.-Njohja e Enverit me teknikën e ndërlidhjes dhe porositë që dha për përsosjen e mëtejshme të sistemit të ndërlidhjes luftarake nga Komanda e Shtabi i Përgjithshëm deri në nënrepartin më të largët të vendit.Qershor 1978. Enveri në vendkomandën e luftës(Vijon nga numri i kaluar)Shprehja e Enver Hoxhës: “Të jemi gati në çdo çast për luftë”, drejtuar Mehmetit në përfundim të raportimeve që oficerët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes i bënë para inspektimit praktik të vendkomandës së re të luftës më 24 qershor 1978, sipas Ibrahim Shametajt, vuri në siklet të gjithë kuadrot në shoqërimin që i bënin komandantit të përgjithshëm në mjediset e pozicionet luftarake në “qytetin” e nëndheshëm të Linzës. “Kisha dëgjuar dhe e dija se Enveri e Mehmeti, ndryshe nga drejtuesit e lartë të shtetit të asaj kohe, kur vinin për kontrolle, ishin e vinin të përgatitur, ndaj gjatë shpjegimeve që duhet të jepja, duhet të isha i saktë, bindës e, për më tepër, me rezultate konkrete gjatë ndërlidhjes së befasishme që mund të kërkonin me komandat e njësive ushtarake apo titullarë të institucioneve shtetërore të Tiranës apo rretheve”, - shton Shametaj. Ndërsa vetë Mehmet Shehu, ndonëse ishte në krah të Enverit, shtojnë burimet për gazetën, rrinin si mbi “gjemba”, në pritje të konstatimeve dhe vlerësimeve që do të jepte Enveri për vendkomandën qendrore të luftës e, mbi të gjitha, për nivelin e gatishmërisë.Enveri: “Dua të dëgjoj specialistin!”Ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes, Ibrahim Shametaj, tregon se pas prezantimit me Enverin, atë mesditë të 24 qershorit 1978, në mjediset e nëndheshme të vendkomandës së re të luftës në Linzë, i pari që i ka raportuar për gatishmërinë e ndërlidhjes ishte Abaz Thana, drejtori i ndërlidhjes së ushtrisë. Në momentin që Abazi po i fliste Enverit për destinacionin dhe lidhjet që realizoheshin me njësitë e repartet, tregon Shametaj, Enveri ndërhyri papritur: ”Sistem teleteks është kjo ndërlidhje me teleshkrues!” Për këtë moment, në kujtimet e tij, Shametaj shkruan: ”Abazi më shikoi menjëherë në sy, duke më thënë me vështrim që të vazhdoja unë, pasi ishte një pyetje teknike... Në një farë mënyre, pyetja teknike që më bëri Enveri, një pyetje që mund ta bëjnë vetëm specialistët e kësaj fushe, ndonëse për të tjerët ishte befasi, për mua jo. Kjo pasi dy djemtë e Enverit, që unë i kisha shokë, kishim respekt për njëri-tjetrin, ishin njëri inxhinier elektronik (Sokoli) e tjetri, Iliri, inxhinier mekanik; e dija që shpesh kishin debatuar në familjen e tyre me babanë edhe për probleme teknike”. Më pas, nëpërmjet kujtimeve, Shametaj flet rreth përgjigjes që i ka dhënë Enverit. “Ky është sistem manual centrali automatik telegrafik, teleshkrues teleks është instaluar në postëtelegrafën qendrore. Këtu kemi dy aparate teleshkruesish që lidhen me sistemin teleteks të vendit dhe me anën e tyre lidhemi automatikisht me njësitë e repartet e ushtrisë, dikasteret qendrore dhe ato të rretheve“, -iu përgjigja. Në pak çaste, shton më tej Shametaj, teksa Enveri më ndiqte me vëmendje, ndodhi ajo që pritej, kërkesa e tij për ndërlidhje praktike, për të verifikuar kohën e ndërlidhjes, shkallën e gatishmërisë dhe materializimin praktik të “leksionit” që dëgjoi nga ne.Enveri: “Më lidhni me Korçën!”Duke lëvizur disa hapa, kujton Shametaj, Enveri u afrua tek efektivët që ishin në detyrë. Afrohet te telegrafistja Diana Mata, e përshëndet dhe e pyet: ”Me kë ke lidhje? “Me Korçën!” - përgjigjet Diana. “Po mirë, pa na lidh me Korçën!” - urdhëron Enveri Dianën e përqendruar mbi aparatura. Shametaj rreth këtij momenti kujton: ”Në atë çast Enveri shikoi orën për të verifikuar kohën e lidhjes me abonentin që kërkoi. Të njëjtën gjë bëri dhe Mehmet Shehu, por tek ky i fundit unë vura re dhe një farë përqendrimi e merakosje, që lidhej me suksesin apo mossuksesin e funksionimit të ndërlidhjes së kërkuar. Sapo Diana mbaroi thirrjen, korrespodenti nga Korça iu përgjigj menjëherë, pa kaluar asnjë sekondë!”. Enver Hoxhës, tregon më tej Shametaj, i bëri shumë përshtypje se nuk fiksoi asnjë kohë vonesë e po lexonte i përqendruar përgjigjen e Korçës. “Shikoi nga unë, më pas nga të tjerët dhe qeshi, filluan të qeshnin edhe të tjerët, me përjashtim të Mehmet Shehut, Veli Llakajt dhe ne të tjerëve që ishim në ethet e kontrollit. E qeshura u shkaktua se asnjëri nga të pranishmit nuk fiksoi orën e vonesës së hyrjes në lidhje. “Enveri mbeti shumë i kënaqur për nivelin e gatishmërisë në këtë sektor, u përshëndet me telegrafistët dhe dolëm nga salla e teleshkruesve”, - kujton Shametaj. Më pas, shton Shametaj, e thirrën shpejt Veli Llakajn e Abazin dhe e urdhëruan: “Braçe, shoqëro shokun Enver!” (Vijon)