e martë, qershor 20, 2006

Enver Hoxha- Mehmetit: ”Të jemi në çdo çast gati për luftë!”



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes për 12 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes, sjell në këtë numër kujtimet e tij rreth inspektimit që Enver Hoxha, Mehmet Shehu e drejtues të tjerë të lartë të shtetit, bënë më 22 qershor 1978 në vendkomandën e re të luftës, të sapondërtuar në Linzë të Tiranës, raportimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, e oficerëve të tjerë madhorë për gatishmërinë e njerëzve të teknikës në një situatë lufte për vendin.Në vazhdim do të lexoni:-Çfarë kërkoi Enver Hoxha nga specialistët ndërlidhës në vendkomandën e luftës në Linzë dhe porositë që dha për rritjen e gatishmërisë.- Meraku i Mehmet Shehut dhe ndërhyrjet e tij gjatë bisedës së Enverit me ushtarakët e sigurimit të gatishmërisë së ndërlidhjes.-Si e provoi Enver Hoxha shkallën e gatishmërisë së ndërlidhjes me komandat ushtarake dhe strukturat civile në rrethe të ndryshme të vendit. 24 qershor 1978, në vendkomandën e re në Linzë(Vijon nga numri i kaluar)Vendkomanda e shtabit të komandës së përgjithshme në Linzë të Tiranës, që në kompleks ishte një “qytezë” e nëndheshme, prej një muaj, sipas Shametajt, kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes, nën drejtimin dhe kontrollin e Veli Llakajt, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, jo vetëm i ishte nënshtruar një kontrolli sistematik për nivelin e gatishmërisë luftarake në të gjithë elementët, por ishte pajisur e kompletuar me të gjithë logjistikën e nevojshme, në pritje të ardhjes për inspektim të Enver Hoxhës, Mehmetit e drejtuesve të tjerë më të lartë të shtetit të kohës. “Për vetë situatën, problemet që po kalonte ushtria e vendi, mbrojtja e atdheut u vlerësua si detyrë mbi detyrat, ndaj inspektimi i komandantit të përgjithshëm në mjediset ku do të drejtohej një luftë e mundshme ndaj Shqipërisë ishte një përgjegjësi e madhe jo vetëm për titullarët e ushtrisë, por dhe ne që ishim marrë me projektimin dhe realizimin e elementëve të ndryshëm të planëzimit luftarak, përfshi edhe atë të ndërlidhjes, si nga më kryesorët”, - tregon Shametaj.24 qershor 1978, Enveri në vendkomandën e re të luftësPër të pritur Enver Hoxhën dhe ata që e shoqëronin në këtë inspektim të rëndësishëm, kujton ing. Shametaj, u ndërtua edhe një tendë e bukur në një vend piktoresk jashtë hyrjes së tunelit të nëndheshëm. Për shoqërimin e Enveri në pjesën e përgjithshme të tunelit, nga shërbimi i ndërlidhjes ishte caktuar Abaz Thana, drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes, ndërsa në pjesën e qendrës së ndërlidhjes isha caktuar unë dhe komandanti Jaho Banushi. Lidhur me momentet e ardhjes së Enverit për inspektimin e vendkomandës së re të shtabit të përgjithshëm, kryeinxhinieri i ndërlidhjes në ministri, në kujtimet e tij shkruan: “Në datën 24 qershor 1978, në orën 10.00, mbërritën Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Kadri Hazbiu, Llambi Gegprifti etj. Ata u pritën nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Veli Llakaj, nga sekretari i Komitetit të Partisë së Ministrisë Mbrojtjes, Ali Vukatana, si dhe titullarët e drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes. Fillimisht, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit, të shoqëruar nga pritësit, u vendosën në çadrën e përgatitur në hyrje të “qytezës” së nëndheshme për këtë qëllim...”. Për vetë situatën që po kalonte vendi, edhe ushtria shqiptare atë kohë, shton më tej Shametaj, inspektimi i vendkomandës së re të luftës nga Enver Hoxha, ishte jo vetëm një vlerësim dhe impenjim direkt i tij si komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura për sigurimin e një drejtimi rezultativ të operacioneve luftarake ndaj një agresioni të mundshëm të Shqipërisë, por edhe një “koalidim” për punën e bërë në këtë objekt të rëndësishëm.Raportimet i ekspozojnë situatën Enver HoxhësEfektivat e vendkomandës së re të komandës e Shtabit të Përgjithshëm ishin vënë në gatishmëri nr. 1, ku përgjegjësia maksimale për detyrën luftarake nuk mund të ndahej nga gëzimi e privilegji që oficerët madhorë të ushtrisë deri te centralistet e thjeshta që do të mundësonin ndërlidhjen e Enverit me abonentë.Në tendën e përgatitur, sipas Shametajt, Enver Hoxhës iu raportua, nga titullarë të ministrisë e drejtorë të drejtorive, situata e gatishmërisë luftarake në njësi e reparte, gatishmëria e armëve e shërbimeve, gjendja dhe pajisja e vendkomandës së re si dhe shkalla e drejtimit e komandimit në situata të një lufte të mundshme ndaj vendit.I pari që i raportoi Enverit, kujton Shametaj, ishte Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe njeriu kryesor që përgjigjej para komandantit të përgjithshëm për të gjithë elementët luftarakë të gatishmërisë së strukturave mbrojtëse. “Me një raportim të saktë deri edhe në detaje, për shkak të përgatitjes profesionale, por dhe për faktin se e njihte në detaje vendkomandën e re dhe shkallën e gatishmërisë në të gjitha elementët e saj, i pari i raportoi Enverit shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj”, - kujton ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes Shametaj dhe i pranishëm në këtë inspektim që udhëheqja bëri më 24 qershor 1978 në vendkomandën e re të luftës në Linzë. Më pas, komandantit të përgjithshëm i raportuan për gatishmërinë drejtorët e drejtorive të ministrisë, Mendu Back (drejtor i xhenios), Abaz Thana (drejtor i ndërlidhjes) si dhe të gjithë drejtorët e tjerë për sektorët e tyre. Me shprehjen e Enverit, drejtuar Mehmetit: ”Të shikojmë konkretisht, të jemi gati për luftë”, u mbyllën raportimet. “Enveri, Mehmeti dhe drejtuesit e tjerë të shtetit në këtë vizitë, dëgjuan me vëmendje raportimet, por fillimisht nuk shprehën vlerësime, me sa duket, i lanë për në përfundim të inspektimit konkret në qytezën e nëndheshme”, - kujton Shametaj.Enveri mes ndërlidhësve në vendkomandën e rePas raportimeve të ushtarakëve madhorë, kujton Shametaj, Enver Hoxha, Mehmeti e shoqëruesit e tjerë e nisën fillimisht inspektimin nga zyra dhe mjediset e nëndheshme të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, për të vazhduar më tej. Lidhur me këto momente, Shametaj në kujtimet e tij shkruan: ”Në këtë kohë personeli i shërbimit ishte ulur në postet luftarake të ndërlidhjes, ndërkohë që unë dhe Jaho ishin në një tension maksimal para një provimi që nuk e kishim provuar më parë në jetën tonë”. Pas pak, sipas Shametajt, Enveri futet në qendrën e ndërlidhjes. “Jaho dhe unë e pritëm në hyrje. Sa na pa, Enveri që shoqërohej nga fare pranë nga Behari (Zhurda) e Dashamiri, ktheu kokën, nuk shkoi në zyrat e radhës, por erdhi drejt nesh, te qendra e ndërlidhjes”, - kujton Shametaj. Fillimisht Enveri takon Jahon, i cili e nderon dhe i raporton ushtarakisht. Më pas, kujton Shametaj, të njëjtën gjë bën dhe ai, duke i theksuar në raportim se ishte kryeinxhinier i ndërlidhjes. Enveri në këtë moment, pasi i ka hedhur dorën në qafë Shametajt, ndërhyn: ”Hë, do të na tregosh teknikën! Më kanë informuar se keni instaluar një qendër ndërlidhjeje të mirë e me aparatura moderne!” Shametaj tregon se i është përgjigjur: “Jemi përpjekur, shoku Komandant!”, duke e shoqëruar drejt aparaturave dhe efektivave që prisnin në gatishmëri. (Vijon)