e diel, qershor 18, 2006

Kur luanim në një skuadër me djalin e Kadri Hazbiut”





Afrim Imaj


“Ndodhi një ditë që Agroni, djali i njeriut më të besuar të Enverit, të përfundonte në minierën e Kurbneshit. Atëherë kur shumëkush prej ne tjerëve nga familje të zakonshme rrinim në ankth, qoftë edhe për një kleçkë të vogël në biografi, do të kryqëzohej ai që nuk na shkonte mendja kurrë(!)...”
Me këtë metamorfozë e fillon rrëfimin e tij për Agron Dautajn, një nga shokët më të afërt të ish-futbollistit të Dinamos, Mujo Targaj. Ai, për vite të tëra ka aderuar bashkë me të në klubin e ministrisë së Brendshme dhe ka qenë një nga miqtë më të sinqertë të tij. Ishte koha kur futbolli i Dinamos përjetonte shkëlqimin e vet dhe ata të dy ishin ndër protagonistët kryesorë të këtij suksesi. Për mjeshtrin e sportit të gjendur nga provinca në klubin e privilegjuar të Tiranës, shoqëria me djalin e ish-ministrit, do t’i falte shumë nga shprehitë e jetesës në metropol. Sidoqoftë, në kujtesën e ish-futbollistit të kombëtares, Agron Dautaj është fiksuar si modeli i njeriut të thjeshtë e modest, që i përjetonte privilegjet e bllokut me rutinën e adresës së një shtëpie komode, që kishte të bënte me punën e rëndësishme të të atit. “Po edhe ne, sportistët e Dinamos kemi përfituar diçka nga privilegjet e Gonit. Porta e hapur e shtëpisë së tij dhe bujaria e nënë Hedos, që nuk përtoi të gatuante për shokët e të birit që shkonin shpesh, do të na bënte për pak çaste “bllokmenë” edhe ne, djemve dinamovitë që e kishim atë si strehëzën tonë”, shton Mujua, duke kujtuar mjaft raste kur hynin pa ndrojtje në shtëpinë e Kadri Hazbiut në kohën kur ai kryente detyra shumë të rëndësishme. Përtej këtyre ditëve të bukura, Targaj rrëfen edhe për dramën e familjes Hazbiu, pas arrestimit të ish-ministrit, që pasoi me fatkeqësinë e Agronit, degdisur në minierën e Kurbneshit dhe vrarë në rrethana misterioze në fillimin e vitit ‘89. Sipas tij, kjo ka qenë një plagë edhe për dinamovitët e viteve ‘70/’80, të cilët e kanë përcjellë si një ngjarje të rëndë, që ka shkaktuar jo pak dhimbje tek ta. Targaj thotë se më shumë nga kjo, miqtë dhe shokët e tij ndjehen të lënduar, sidomos nga rrethanat e pazbardhura të tragjedisë në një nga galeritë e minierës së Kurbneshit...
Zoti Mujo! Si ju kujtohen momentet e njohjes me Agron Dautajn në ekipin e Dinamos?Ka qenë viti ’77, kur erdhi për herë të parë në ekipin e Dinamos Agron Dautaj. Pjesa më e madhe nuk e dinin që ishte djali i ish-ministrit të Brendshëm. Ndoshta nga mbiemri, po sidomos nga paraqitja e thjeshtë e tij, nuk na shkonte mendja se ai mund të ishte djali i Kadri Hazbiut, që në atë kohë ishte një ndër figurat më karizmatike të udhëheqjes komuniste. E mbaj mend mirë ditën e parë kur mbërriti aty me një biçikletë të thjeshtë, veshur po thjeshtë me një kostum sportiv. Dukej disi i ndrojtur, por gjithsesi i qetë. Ndenja për pak çaste me të...
Për çfarë folët gjatë atij takimi spontan?“Mujo Targaj, të adhuroj”, më tha ai në fillim. Nga mënyra si fliste, tregonte që e njihte mirë ekipin dhe futbollistët e Dinamos. Aty për aty më përmendi dy-tre ndeshje ku unë kisha pasur sukses dhe përmendi idhullin e tij, Ilir Përnascaka, që me sa dukej njihej mirë me të. Pastaj më pyeti se nga cila zonë e Tepelenës isha. Kur i thashë vendlindjen e plotë qeshi dhe më tha se nga nëna edhe ai ishte nga Tepelena. Teksa e ngacmova më tej bisedën, e mora vesh se ishte djali i ministrit të Brendshëm, që Dinamon e kishte skuadrën e zemrës. Kaq ishte prezantimi me të. Më tej vajti ora e stërvitjes dhe Agronin e prezantoi trajneri Saimir Dauti që e kishte njohur qysh më parë.
Në cilin pozicion filloi në ekipin e Dinamos?Agroni ishte mbrojtës i krahut të djathtë. Mbaj mend fanelën me numrin 3 që veshi në ndeshjen e parë. Ishte koha kur nga klubi i Dinamos ishte larguar një nga lojtarët më energjik që kishte spikatur në mbrojtje dhe në mesfushë. I qëlloi kështu Agronit të mbushte boshllëkun e krijuar në ekip me largimin e Fred Gjinalit.
Dhe duhet thënë që qysh në ndeshjen e parë ai u bë një lojtar formacioni...Megjithatë, Agroni siç dihet ka marrë fanelën e të famshmit Çeco gjatë një ceremonie ku ky i fundit dorëzoi fanelën sportive...Pagëzimi i Agron Dautajt në formacionin e ekipit të Dinamos është bërë gjatë një ceremonie që u organizua në një pragndeshje, me rastin e lamtumirës së futbollistit të mirënjohur, Iliaz Çeço. Në atë eveniment, si gjithmonë në të tilla raste ka qenë i pranishëm edhe Kadri Hazbiu, që e kishte pikë të dobët ekipin e Dinamos. Me sa mbaj mend ka qenë ndeshja Dinamo-Vllaznia...
Çfarë mbani mend nga karriera sportive e Agron Hazbiut?Ai ishte një sportist energjik. Sa zuri vend në ekip, u bë i domosdoshëm si mbrojtës i krahut të djathtë, po shumë herë, sipas rastit, luajti edhe si mesfushor i djathtë. Ishte shumë i shpejtë, teknik dhe i qëndrueshëm në fushë. Mbi të gjitha ishte shumë korrekt gjatë ndeshjeve. Kishte sedër të spikatur gare dhe ishte mjeshtër i integrimit të ekipit gjatë ndeshjeve. Shquhej për frymën e kolektivitetit dhe këmbënguljen për ta mbajtur me ritëm garën deri në çastet e fundit...
Sa ndjehej Agroni djalë ministri në mjedisin e klubit dhe rrethin e futbollistëve?Ishte koha kur fëmijët e bllokut bënin një jetë plotë privilegje dhe dalloheshin në mjediset, ku punonin për një frymë aristokracie. Me Agronin ndodhte krejt ndryshe. Atë nuk e pamë asnjëherë të vinte me makinë në stërvitje, apo në ndeshje. Përdorte një veshje të thjeshtë dhe ishte i komunikueshëm me të gjithë. Për nga sjelljet dhe reagimet në shoqëri, ishte modeli i njeriut modest që di ta vendosë veten në pozita të barabarta me këdo. Të qenit djalë ministri ishte në njëfarë mënyre privilegj për ne, shokët e tij, që bënim jetë konvikti dhe duhej të provonim shpesh herë gjellën e ngrohtë të nënë Hados, të ëmës së tij, që na priste në shtëpi si djemtë e saj me çfarë t’i ndodhej.
Cilat ishin raportet e tij me të atin, i cili atëherë ishte pjesë e udhëheqjes së lartë?Padyshim që i ati e ndiqte rregullisht ecurinë e Agronit në sport. Ishte një ndjekje në distancë, ku nuk dallohej ndonjë përkujdesje e veçantë. Për Kadri Hazbiun ishte përbuzëse mania për të ndikuar me pozicionin e tij zyrtar në emrin e të birit në sport, siç ndodhte rëndom me mjaft nga përfaqësuesit e nomenklaturës së lartë me fëmijët e tyre. Megjithëse duhet thënë se syrit të ministrit që e kishte për zemër ekipin e të birit, nuk i shpëtonte ndonjë mungesë, apo reagim i Agronit, sidomos gjatë ndeshjeve të ndryshme. Për to ai bëhej tepër i rreptë, po gjithsesi me një lloj takti, në mënyrë që të zinte vend kritika e të mos përsëritej më ajo që nuk i kishte pëlqyer atij...
Mbani mend ndonjë rast të tillë ku keni qenë edhe ju i pranishëm?Më është fiksuar në kujtesë një rast, ku Agroni mori një karton të verdhë gjatë një takimi të rëndësishëm. Ishte një ndëshkim për një ndërhyrje të gabuar ndaj kundërshtarit. Pas ndeshjes më qëlloi të isha në shtëpinë e Gonit dhe sa erdhi Kadriu, befi në dhomën ku rrinim. Jo si herët e tjera kur na uronte për fitoren, këtë herë e nisi nga qortimi për të birin. “Nëse do të vazhdosh me të verdha, më mirë lere futbollin!”, iu drejtua ai. Agroni u skuq në çast dhe aty për aty i tha të atit se një rast tjetër si ky nuk do të përsëritej më. Dhe në fakt, Goni ishte një futbollist shumë korrekt në fushë, si edhe në jetë...
Keni pasur rast që keni qenë në ndeshje jashtë vendit. Çfarë kujtoni nga shoqëria me Agronin?Kanë qenë disa turne për kupën e kupave. Mbaj mend ndeshjen me Ajaksin. Ka qenë një nga ndeshjet më të bukura të Agronit. Edhe në ditët kur ishim jashtë shtetit, ai mbetej zembereku i shoqërisë. I qetë, i afërt, dashamirës dhe në çdo rast i sjellshëm në bisedë...
Thatë që ka qenë një nga tifozët personal të Përnaskës, po ekip tjetër përveç Dinamos kë kishte për zemër?Flamurtarin! Thoshte shpesh që po mos të ishte kjo Dinamoja ai do të ishte tifoz i saj, madje edhe lojtar i ekipit vlonjat. Adhuronte shumë sidomos tek ky ekip Kreshnik Çipin, që e krahasonte me Bekenbauerin.
Nga ekipet e huaja, kë adhuronte Agroni?Ai kishte për zemër ekipin italian dhe përpiqej të ndiqte të gjitha ndeshjet e tij, sidomos gjatë kampionateve botërore që për të ishin festat më të bukura...
Thatë që Agronin e kishit shok të ngushtë gjatë kohës që ishit në një ekip. Si e kujtoni ndarjen me të?Ka qenë një ndarje e dhimbshme, me lot në sy nga të dy. Më kujtohet momenti kur ai më këshilloi të mos e takoja më, pasi do të kisha probleme. Ishte koha kur të atin, Kadri Hazbiun, e kishin futur në burg, madje ditët e para të këtij arrestimi të bujshëm. Agroni sa ishte diplomuar dhe ishte duke bërë zborin ushtarak te Rrapi i Treshit. Ato ditë, aty kishte pësuar një toksikim dhe e kishin sjellë në Spitalin Ushtarak. I shkova aty, në çastin që sa kishte hequr serumin. U befasua me praninë time dhe pasi më tha çfarë kishte ndodhur me të atin, më këshilloi që të mos e takoja, pasi kjo do të më sillte probleme. Kështu jam ndarë së fundi me të. Të nesërmen ata u transferuan familjarisht në Kurbnesh dhe nuk pata më rast për ta takuar...
Po gjatë kohës që ishte në internim, a shkëmbenit mesazhe me njëri-tjetrin?Në kushtet që Agroni u internua familjarisht, kontaktet e drejtpërdrejta ishin të pamundura. Kështu që unë dhe shumë nga shokët e tjerë kemi shkëmbyer mesazhe të herëpashershme në mënyrë indirekte. Njeriu që i ka mbajtur këto lidhje të pandërprera nga Tirana ka qenë Shkëlqim Skifteri, një shok i afërt i Agronit, që ishte nipi i Dervish Hatixhesë. Ishte një miqësi e vjetër e prindërve të tyre, ajo që kishte ndikuar në lidhjet dhe shoqërinë e Çimit me Agronin...

Nipi i Dervish Hatixhesë, miku i Agron Dautajt
Teksa mjaft nga fëmijët e ish-udhëheqësve komunistë e kishin vështirë të shoqëroheshin edhe me shokët e fakultetit, Agroni ndjehej mirë në miqësinë e njerëzve të thjeshtë. Duke veçuar këtë tipar të veçantë të tij, Mujo Targaj, tregon për një nga shokët e afërt të Agronit. Shkëlqim Skifteri, i njohur ndryshe edhe si nipi i dervish Hatixhesë, do të futej natyrshëm në shoqërinë e djalit të ministrit. Nëse nuk e lidhte profesioni i punëtorit të thjeshtë, shumë gjëra të tjera do të bëheshin shqetësime të përbashkëta në shoqërinë e veçantë të tyre. “Shpesh pas stërvitjes, apo ndeshjeve të ndryshme, tregon Mujua, Goni do të hidhte në supe çantën sportive dhe do të rendte me biçikletë për tek lagjja afër stacionit të trenit. Shumë herë edhe do të flinte në shtëpinë përdhese, duke çmuar fisnikërisë e të zotëve të saj. Çimi për Gonin ishte bërë një vëlla i dytë...” Më tej Targaj kujton rebelimin e mikut të Gonit pas internimit të këtij të fundit në Kurbnesh. Mjaft herë do ta kërkonte qetësinë tek alkooli dhe do fillonte të shprehte nëpër lokale çmendurinë e Enverit me familjen e Kadri Hazbiut. Kjo do t’i kushtonte edhe pa kohë burg, shton ish-futbollisti i Dinamos, që e ka pëlqyer shumë këtë vlerë interesante të karakterit të Gonit.

Një top futbolli në rrjetën e spiunazhit“Adidasi”, operacioni sekret i Sigurimit në qytezën e Kurbneshit
“Adidas”! Kështu do të quhej një operacion i fshehtë i punonjësve të Sigurimit, që do të kishte për objekt ish-futbollistin e Dinamos, aty nga mesi i viteve ‘80. Mujo Targaj ka pasur rastin të njihet i pari me qëllimet e tij. Miku i Agron Dautajt kur të rrëfen për këtë, detyrohet të betohet herë pas here për vërtetësinë e asaj që të tregon...“Pas ndeshjes që bëmë me Gjermaninë në Tiranë, na sollën në Klubin e Sportit dy topa futbolli të firmës “Adidas”. Ishin vërtet të bukur. Menduam t’ia çojmë njërin Agronit si dhuratë në Kurbnesh. Dhe kështu proceduam. E morëm një mbrëmje tinëz dhe ia dhamë Çim Skifterit, njeriut që mbante lidhje të pashkëputura me Gonin. Ai, në rastin më të parë e çoi me mënyrën e vet deri në Kurbnesh. Për Gonin ishte mrekullia vet. Qysh të nesërmen do ta merrte dhe do të ftonte në ndeshje shokët e tij të punës. “Adidasi” që vetëm në Tiranë ishte parë deri atëherë, do të befasonte banorët e qytezës minatore. Çudia më në fund do të bëhej pjesë e punës së operativit të zonës, vigjilencës së të cilit nuk mund t’i shpëtonte asgjë, ca më tepër kur bëhej fjala për njërin nga familjarët e armikut të partisë. Që këtej do të startonte operacioni për të shkuar te gjurmët e mbërritjes së këtij produkti kapitalist deri në Kurbnesh. Rrezja e këtij operacioni shumë shpejt do të mbërrinte deri në Tiranë. Për “Adidasin” më foli në konfidencë një miku im, ndërkohë që më këshilloi të rrija sa më larg kësaj historie. Ia pranova këshillën dhe u ktheva te profesor Fatmir Frashëri, i cili kishte dijeni për topin që i kishim çuar Gonit. Le ta lëmë midis nesh, më tha ai me idenë për të bërë të paditurin. Dhe kështu bëmë. “Adidasi” mbeti në mes të rrugës, por që edhe na tronditi disi...”Për ish-futbollistin e Dinamos ka mbetur kjo ngjarje një e papritur vulgare. “Gjithsesi, përmbyll ai, duhet të futesh në kontekstin e kohës për të ndjerë vlagën e ndodhisë”.

neser do te lexoni
Si u shfaq bluza e Dinamos me numrin 8 në galeritë e Kurbneshit. Rrëfimi i Iliaz Çeços, mjeshtrit të sportit që i dorëzoi vendin në formacion djalit të Kadri Hazbiut.
Si mbërriti deri në minierën e bakrit bluza e Brigelit, dhuratë për Agronin pas ndeshjes Shqipëri-Gjermani. Fotografitë e Enver Shabanit, ruajtur në fshehtësi, të vetmet kujtime nga jeta sportive e Dautajt.
Çeço hedh poshtë çdo version për vetëvrasjen e pasardhësit të tij. Sa e kujtojnë dinamovitët e sotëm mbrojtësin e djathtë dhe mesfushorin e talentuar të fund viteve ‘70