e shtunë, qershor 17, 2006

Si përgatiste Kadri Hazbiu radiondërlidhësit e shërbimit të fshehtë


Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, tregon për përgatitjen e radiondërlidhësve të shërbimit të fshehtë nën drejtimin e Kadri Hazbiut, të cilët, me aftësinë e klasin e tyre, arritën të mashtrojnë zbulime të huaja të shteteve perëndimore, të cilët mbështetën pa rezerva grupime të arratisurish shqiptarë që hidheshin nga ajri, toka e deti, me synim ndryshimin e kursit të qeverisjes së vendosur në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore.Në vazhdim do të lexoni:-Problemet që dolën për organizimin e të mbrojtjes së vendit, përfshi shërbimin e ndërlidhjes , pas prishjes me rusët e daljes së Shqipërisë nga Pakti i Lindjes.-Caktimi i Shametajt e disa kolegëve të tij në ministrinë e Mbrrojtjes dhe përgjegjësitë e shërbimit ndërlidhës me udhëheqjen.-Takimet e punës me Enver Hoxhën dhe interesimi i Komandantit të Përgjithshëm për problemet e ndërlidhjes.Në vitet e Luftës së Ftohtë(Vijon nga numri i kaluar)Kadri Hazbiu, i njohur e vlerësuar si agjenturisti më i mirë i vendit në Shqipërinë e pasluftës, për Ibrahim Shametajn, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes, ka një meritë tepër të veçantë edhe për përgatitjen e radiondërlidhësve “specialë”, misioni i të cilëve ishte vendimtar në infiltrimin dhe mashtrimin e bandave terroriste të përgatitura në shtete të ndryshme të Evropës, që hidheshin në Shqipëri me qëllim rrëzimin e pushtetit komunist të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Në realizimin detyrave delikate të radiografistëve “specialë” radiotelegrafistë, që përzgjidheshin mes ushtarakëve më të mirë në fushën e ndërlidhjes, sipas Shametajt, është kontributi dhe merita e veçantë e Kadri Hazbiut.Situata që diktoi përgatitjen e radiotelegrafistëve specialëSipas dokumenteve të kohës dhe shënimeve të ing. Shametaj, pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, grupime nacionalistësh që gjatë luftës e më pas, por edhe kundërshtarë të regjimit e deri bashkëpunëtorë të pushtuesve, emigruan jashtë vendit, me synim rikthim të shpejtë në vend e ndryshim të kursit të ri të qeverisjes. Në këto vende (Itali, Greqi, Gjermania Perëndimore, Angli, Amerikë, Australi etj), sipas burimeve të mësipërme, këto grupime u riorganizuan edhe me ndihmën e shërbimeve sekrete në përmbushje të misionit që kishin. Sipas dokumenteve të kohës, krerë të tillë të njohur si Mitat Frashëri, Abaz Kupi, Zef Pali, Seit Kryeziu, Nuçi Kote, Halit Maçi, Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Gaqo Gogo, Gani Tafili, Asllan Zeneli, Ihsan Toptani, Muharrem Bajraktari, Hysni Mulleti, Eqerem Telhai e shumë të tjerë mblodhën qindra shqiptarë dhe i dërguan në shkollat e spiunazhit amerikan. Vetëm në kampin e spiunazhit amerikan të Gjermanisë Perëndimore, deri në vitin 1948, shton Shametaj, u përgatitën 302 shqiptarë. “Ata u përgatitën nga profesorë e specialistë të zotë të spiunazhit amerikan, italian, gjerman për punë diversioniste, telegrafistë e radiotelegrafistë që në formë grupesh diversioniste u hodhën në territorin shqiptar në rrugë tokësore, ajrore apo detare”, - shton Shametaj. Në krye të këtij organizimi, sipas dokumenteve të kohës, qëndronte komiteti “Shqipëria e Lirë”, krijuar më 26 gusht 1949 në Paris e me seli në Londër. Duhet thënë, shton me tej ai, se radiotelegrafistët e përgatitur në ato vende në atë kohë (kryesisht në vitet 1945-1952), ishin tepër të aftë, siguronin profesionalisht ndërlidhje e bashkëveprim me abonentë e grupime që vepronin brenda Shqipërisë, ndaj edhe detyra e specialistëve tanë për njohjen radio-karakteristikave (radiotelegrafistëve të grupimeve), infiltrimin apo futjen në rolin e abonentit në Shqipëri pa u diktuar, ishte tepër e vështirë.Enveri dhe Mehmeti ia besojnë Kadriut misionin e vështirëVitet 1948-1952, për shkak të zbarkimeve të grupimeve të shumta të përgatitura jashtë vendit, me qëllim ndryshimin e regjimit, ishin vitet më të vështira të mbijetesës së pushtetit të ri komunist të vendosur pas luftës. Krahas përpjekjeve të forcave të mbrojtjes me grupime kundërshtare që zbarkonin kryesisht në Shqipërinë e Mesme e veri të vendit, udhëheqja e kohës, shkruan në shënimet e tij Shametaj, i kushtoi rëndësi të veçantë infiltrimit të specialistëve të sigurimit, (rol të rëndësishëm kishin radiondërlidhësit) mes grupimeve, me qëllim neutralizimin e asgjësimin e tyre. Për këtë mision të vështirë e delikat, udhëheqja e kohës i dha besimin Kadri Hazbiut. “Në këto kushte krijohet grupi operativ i MPBr... Në krye të grupit operativ u caktua Kadri Hazbiu dhe në të bënin pjesë kuadro të përkushtuar, guximtarë e të sakrificës si Hasim Aliko, Hekuran Pobrati, Mark Dodani, Gjolek Alia, Medin Bilbili dhe radiotelegrafisti Fejzo Kasimati”, - pohon Shametaj. Sipas tij, grupi operativ hartoi dhe realizoi një plan të guximshëm për të zhbiruar, çmontuar e neutralizuar veprimtarinë e këtij organizmi të shërbimeve inteligjente sekrete ndërkombëtare.Fejzo Kasimati, njeriu kyç i “radiolojës”Nën drejtimin e Kadri Hazbiut dhe njerëzve të ngarkuar e udhëzuar prej tij, në planin “Radioloja”, veçanërisht në vitet 1948-1952, u arrit të futen në kurth shumë shërbime sekrete të huaja. Një ndër aktorët kryesorë që realizoi kurthin e këtij radiomashtrimi, tregon më tej Shametaj, është juristi e aspiranti radiotelegrafist Fejzo Kasimati. “Radiotelegrafistët që u hodhën në Shqipëri nga ajri me grupet diversante, si Tahir Preçi, Kasem Zhupa etj., jo vetëm ishin përgatitur në shkolla prestigjioze ndërkombëtare, por atyre u ishin incizuar, fotografuar e regjistruar të gjitha karakteristikat individuale që ka një telegrafist. Këto ishin bërë në mënyrë shkencore të sofistikuar për të parandaluar një mashtrim të mundshëm, të cilët nuk arritën t’iu shmangeshin dot, ku fitoi mjeshtëria e profesionalizmi i Fejzo Kasimatit”, -tregon Shametaj. Fejzo, sipas Shametajt, u bë një artist-aktor në llojin e vet, duke studiuar, përshtatur dhe krijuar besueshmëri te dhjetëra radiotelegrafistë të shërbimeve sekrete të huaja. Dy nga operacionet më të suksesshme që sollën asgjësim apo neutralizim të qindra personave të grupimeve kundërshtare të zbarkuara nga shtete të ndryshme të Evropës, ku meritë të padiskutueshme kanë specialistët tanë e Fejzo Kasimati, pohon Shametaj, janë ata të emërtuar “Liqeni i Vajkalit” dhe “Buza e Bredhit”. Pre e radiomashtrimit “Liqeni i Vajkalit”, që u zhvillua në zonën e Dibrës, Matit e Martaneshit, kujton Shametaj, u mashtruan shërbimet sekrete të CIA-s, ndërsa në operacionin “Buza e Bredhit”, që u realizua në Tepelenë, Progonat, mali i Gribës, Lopës, u realizua radiomashtrimi i shërbimeve sekrete italiane.Në këto kushte të radiomashtrrimit shqiptar, qeveritë e mësipërme hidhnin me parashuta diversantë, armatime, veshje, valutë, mjete ndërlidhjeje (mes të cilave 15 radiostacione RT-3, shoqëruar me dokumentacion e kode ndërlidhëse me qendrën e tyre në kryeqytetet evropiane), duke menduar se binin në duar të njerëzve të dërguar për rrëzimin e qeverisjes shqiptare, por, në fakt, binin në duar të sigurimit shqiptar e forcave të ndjekjes”, - përfundon Shametaj. (Vijon)