e shtunë, qershor 17, 2006

Agron Dautaj, jeta e panjohur e djalit të Kadri Hazbiut






Afrim Imaj


Ka shkëlqyer në fillimet e tij si futbollist, duke u bërë një nga protagonistët e trofeve të Dinamos, por më pas e ka ndjekur fatkeqësia e dyfishtë.
Eshtë detyruar të lërë përdhunshëm fushën e sportit dhe t’i nënshtrohet përndjekjeve politike diku në malësitë e Kurbneshit. Më tej do të bëhej viktimë e një vrasjeje misterioze, që do të mbetej e pazbardhur për vite me radhë...Agron Dauti, djali i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, do ta përjetonte këtë metamorfozë teksa ëndërronte një rini të bukur dhe një jetë të thjeshtë. Ngjarja fund e krye do t’u përkiste viteve ‘80. Për të rinjtë e asaj periudhe, ca më tepër për ata që kishin zgjedhur për skuadër të zemrës së tyre Dinamon, të papriturat e fatit të tij do të fiksoheshin në kujtesë, si një vegim i dhimbshëm. Djaloshi që suksesin në karrierën sportive nuk e mbështeti asnjëherë në autoritetin e të atit, si një nga krerët kryesorë të shtetit, do të humbiste gjithçka të emrit dhe prestigjit të vet, nga goditja që do t’i bëhej ish-ministrit të Brendshëm, si armik i pushtetit popullor dhe Partisë së Punës(!). Bashkë me kryqëzimin e të atit do të shkërmoqej edhe figura e shkëlqyer që kishte bërë Agron Dauti në radhët e ekipit të Dinamos. Pastaj heshtja ndaj vendimeve që mbanin siglën e luftës së klasave do ta fshinte nga biografia e klubit emrin e djaloshit, që fali rininë për fanellën e ekipit. E gjitha kjo vetëm se ishte djali i Kadri Hazbiut, ish-ministrit, që me sa akuzohej kishte tradhtuar Enver Hoxhën.Po cila është jeta e panjohur e ish-futbollistit të talentuar të Dinamos, Dautaj? Gazeta “Panorama” zbardh për herë të parë jetëshkrimin e djalit të ish-ministrit të Brendshëm, që la karrierën sportive në mes, i detyruar nga biografia politike. Nëpërmjet dokumenteve dhe intervistave me familjarë e bashkëkohës, me kolegë e bashkëvuajtës, hidhet dritë në atë që la pas 30-vjeçari i martirizuar në galeritë e nëntokës. Si u angazhua me futbollin djali i ish-ministrit? Pse zgjodhi klubin e Dinamos? Si u lidh me titullarët e ekipit, kur ishte në fillimet e tij? Cili ishte roli i të atit në karrierën sportive? A i ofroi shanse e privilegje të qenit djalë i një zyrtari të rëndësishëm në konkurrencën sportive? Sa ndikoi te shokët me avantazhet që i jepte jetesa në Bllok, për t’i mbajtur afër e për t’i ndihmuar në zgjidhjen e shqetësimeve të ndryshme? Si u këput në mes karriera sportive pas arrestimit të të atit, ish-ministër i Brendshëm? Jeta në Kurbnesh dhe pasioni i fashitur, peripecitë dhe izolimi nga miqtë dhe të afërmit për tetë vjet. Si u bë minator me tre turne djaloshi i lindur e rritur në Bllok? Si u integrua në jetën e njerëzve të qytezës minatore? Fejesa e shkurorëzuar me vullnetin e tij në Tiranë dhe ditënetët e ftohta në galeritë e Kurbneshit. Si e përjetoi fillimin e proceseve demokratike në ish-Lindjen evropiane dhe shpresa për t’u kthyer në gjirin e shokëve e të miqve në Tiranë? Dita e aksidentit dhe misteri rreth tij: Vrau veten apo e vranë? Pse kaloi në heshtje vdekja e tij dhe çfarë fshihej pas këmbënguljes zyrtare për ta motivuar atë si vetëvrasje? Ç’u bë me dilemat dhe versionet që thanë njerëzit ato ditë, sipas të cilave, Agroni nuk kishte vrarë veten? Djali i ministrit që preferoi lojën në rrugicaI lindur në kushte komode, si bir i një zyrtari të lartë, Agron Dautaj do ta zgjidhte shoqërinë përtej mureve të Bllokut. Jo pse nuk i pëlqenin fëmijët e kolegëve të të atit dhe mënyra e jetesës së tyre, por temperamenti i tij kërkonte një hapësirë më të madhe. Në miqësinë me djemtë e rrugicave të Tiranës do të gjente mjedisin, ku do të fitonte shumë gjëra për ta ndërtuar jetën jo në hijen e autoritetit të të atit, por në atë që do të arrinte vet. Ky tipar i Agron Dautit, përpara se të konstatohej nga shokët dhe miqtë e tij, do të vihej re nga familjarët, të cilëve kjo shkujdesje do t’u pëlqente, po do t’u sillte njëherazi edhe andralla. “Unë dhe Goni, - rrëfen Petriti, vëllai më i madh i tij, - kemi lindur në kohën që babai ishte ministër. Po nuk kemi parë ndonjë privilegj të veçantë, madje vet babai interesohej për të mos u mësuar të përkëdhelur. Ishte në dëshirën e tij që shoqëria jonë t’i tejkalonte kornizat e Bllokut. Me këtë merak përgjonte në mënyrën e vet sjelljet tona që fëmijë dhe futej me takt kur shikonte ndonjë gjë që nuk shkonte”. Petriti shton ndërkaq se Kadri Hazbiu, ashpërsinë karakteristike që demonstronte gjatë ushtrimit të detyrës, në familje e zëvendësonte natyrshëm, me përkushtim dhe dashuri të ngrohtë. Djali i ish-ministrit e mban për model mënyrën e sjelljes në familje të të atit, ndërkohë që shumë gjëra të të vëllait i vlerëson si përthyerje të karakterit të tij në sjelljet dhe personalitetin e Agronit. “I gjallë, entuziast, ekspresiv, i afrueshëm, modest dhe këmbëngulës, si babai, veçon Petriti disa nga cilësitë e të vëllait, që mendon se i pati dhuratë nga i ati.Gjithsesi, për Petrit Hazbiun këto janë thjesht gjëra të mjedisit familjar dhe nuk mendon se kanë ndonjë vlerë për opinionin, prandaj i ka qëndruar edhe larg medias. Për të, fëmijëria e të vëllait në shoqërinë e fëmijëve të familjeve të thjeshta të Tiranës, por sidomos ndeshjet e futbollit në fushat e improvizuara midis pallateve dhe shtëpive private, ka qenë diçka mbresëlënëse. Në kujtesën e tij janë fiksuar sidomos pasditet e vona, kur Agroni kthehej në shtëpi me gjunjët e gërvishtura, që shpesh i mbulonte me dorë, që mos t’ia shikonte i ati.Futbolli dashuri e parë, Dinamo shtëpi e dytë“Agroni u dashurua me futbollin qysh kur ishte fëmijë”, kujton Petriti, i cili mban mend edhe 12 emrat e shokëve të lagjes me të cilët luante shpesh gjatë kohës së pushimit. “Mjaft prej tyre ishin nxënës të shkollës “11 Janari”, të cilët i kishte shokë klase, po kishte edhe të tjerë që jetonin në rrugën e “Elbasanit” dhe vinin e i thërrisnin gati çdo pasdite”, shton i vëllai i ish-futbollistit të Dinamos. Interesimit se a pyeste i ati për shokët e tij, Petriti i përgjigjet, se për asnjërin nga fëmijët Kadriu nuk ka ndërhyrë në zgjidhjet e tyre. “Babai vet ishte një tifoz i zjarrtë i Dinamos, shpjegon Petriti dhe e vetmja “ndërhyrje” ishte qetësia që kërkonte kur luante ekipi i zemrës së tij. Kjo me sa duket u bë edhe pasioni ynë. Që të vegjël i ngjiteshim nga prapa kur shkonte në stadium. Pastaj u bëmë të gjithë tifozë të Dinamos. Po Agroni shkoi më tej. Endërroi të bëhej lojtar i saj dhe ia arriti. Kjo padyshim e gëzoi jashtë mase babanë, që ishte ndërkaq krijuesi i Dinamos qysh në vitin 1950...”Agron Dauti do të pagëzohej futbollist i Dinamos pas një rruge të gjatë në ekipet zinxhir të saj. Qysh në vitet 1970-‘72 debutoi në ekipin e para të rinjve, për të vazhduar më tej në vitet 1974-‘78 me ekipin e të rinjve. Pas një ecurie të spikatur si futbollist me talent, në vitin 1978 thirret në ekipin e parë të Dinamos dhe prej fillimit mbeti lojtar titullar në formacionin e ekipit. Për të vëllanë Agroni çoi te ekipi jo thjesht talentin dhe aftësitë e fituara për vite të tëra stërvitje, por edhe shpirtin e pastër dhe korrektësinë shembullore. “Po, mori shumë gjëra nga Dinamo”, shton Petriti, duke kujtuar solidaritetin vëllazëror dhe miqësinë me mjaft nga yjet e sportit shqiptar të atyre viteve. Sidoqoftë, Dinamo për Agron Dautin u bë si një shtëpi e dytë që e deshi me zemër, deri në fundin e jetës së vet...Dinamoviti që i ktheu krahët Bllokut për futbollin“Në fakt shtëpia jonë nuk ka qenë brenda Bllokut, por trajtimi i familjes gjatë kohës që babai ishte ministër bëhej njësoj si për udhëheqësit e tjerë”, thotë Petriti. Sipas tij, Agroni i rritur në shoqërinë e fëmijëve të thjeshtë të Tiranës do t’u nxirrte herë pas here telashe punonjësve të sigurisë, pasi gati çdo ditë do të futej në banesë me një duzinë shokësh. Ndërkaq, sa filloi rrugën e futbollit, u bë edhe vet mysafir i vilës së ministrit.Dhe në fakt kështu ndodhi me të. Sa u pagëzua në ekipin e Dinamos zgjodhi për strehëz qytezën e klubit, ku kalonte kohën më të madhe. Kishte ëndërruar shumë për t’u bërë pjesë e këtij ansambli dhe ndjehej i lumtur mes tij. “Në shtëpi, - shton Petriti, - vinte gjithnjë e më rrallë. Po sillte edhe ndonjë shok me vete. Njëherazi sillte edhe mjaft përjetime nga ditëqëndrimet mes sportistëve. Nuk harronte ndërkohë të kërkonte ndihmën tonë për ndonjë hall të shokëve të tij, siç ishin rastet e sëmundjeve, apo shqetësime të tjera...” Kështu do të startonte në karrierën sportive dinamoviti, që i ktheu krahët Bllokut për ëndrrën e vet, futbollin. Emri i mirë qysh në fillimet e para e sfumoi tagrin e djalit të ministrit, duke i bërë jehonë Gonit, që shkëlqente në mbrojtje dhe në mesfushën e “Dinamos”. Përtej kësaj, dinamoviti Dautaj do të bëhej idhulli i mjaft të rinjve, krahas të tjerëve që shkëlqyen në fundvitet ‘70. Më shumë se kaq, djali i ish-ministrit të Brendshëm do të behej i njohur në rininë kryeqytetase për sjelljen modeste dhe figurën shembullore. Më parë ishte Agroni, pastaj djali i ministrit“Ai kishte emrin e tij dhe e mësoi veten të rritej vet në jetë. Para se të ishte djali i ministrit, ishte Agroni, që midis shumë ofertave për një degë speciale në universitet, zgjodhi atë të Kulturës Fizike”. Me këtë merak Lena, motra e madhe e Agronit, kërkon të korrigjojë diçka në punën e gazetarëve, të cilët sa herë bëhet fjalë për të citojnë togfjalëshin “djali i vogël i ish-ministrit të Brendshëm”.Ndërkaq,ajo është e bindur se jetëshkrimi i të vëllait, më shumë se nga familjarët, mund të zbardhet nëpërmjet mbresave të shokëve të tij. Këtë bindje kanë edhe familjarët e tjerë. Petriti të shpalos një listë të tërë me emra të njohurish e miqsh të tij, të cilët edhe sot kanë mbetur mysafirë të familjes së tyre. Për të Mujo Targa, Kreshnik Çipi, Ilir Përnacka, Shkëlqim Skifteri, Iliaz Çeço, Agustin Kola, Arben Vila, Halit Gega e dhjetëra të tjerë, nuk ishin thjesht të njohur e shokë të Agronit, por edhe miq të familjes së tyre, që nuk i shkëputën në asnjë rrethanë lidhjet me të. “Agroni kishte një shoqëri të gjerë dhe jepej shumë pas saj”, shton Leni, që ngazëllehet menjëherë, sa i kërkon të të rrëfejë për jetën e të vëllait, që nuk jeton më. Fakti që Agroni nuk e përdori asnjëherë emrin dhe autoritetin e të atit, për të është një vlerë morale që e vlerëson shumë. Gjithsesi, Lena ndihet tërësisht e brengosur, që vitet e internimit dhe ditët e kontrolleve policore janë bërë shkak për t’u shfarosur fotografitë më të shumta që kishte me të vëllanë dhe familjen e saj...Tifozi i Dinamos që shumëzoi vetveten në KurbneshNdodhi një ditë, që ish-futbollisti titullar i Dinamos të mbetej vetëm një tifoz i zjarrtë i saj. Agron Dautit, pas arrestimit të të atit, i qëlloi ta ndiqte ekipin e zemrës nga bjeshkët e Kurbneshit. Internimi do t’i kushtonte jo pak ish-futbollistit titullar të Dinamos, duke e privuar nga shumë gjëra. Por për asnjë çast nuk do t’i veniste ndjenjën e dashurisë për ekipin, që e deshi me shpirt dhe i fali shumë nga vetja. I integruar rishtaz me shoqërinë e qytetit të vogël në veri, do ta rrezatonte dashurinë për Dinamon edhe te të tjerët që e lidhte puna në thellësitë e galerive. Dhe pak nga pak do ta zgjeronte rrethin e atyre që do ta ndiqnin në tifozerinë për skuadrën e kryeqytetase. Mjaft syresh mandej do të merrnin edhe rrugën për të ardhur në Tiranë, në ndeshjet e rëndësishme që kishte Dinamo. Ai, si gjithnjë, ishte destinuar ta shikonte vetëm në televizor, në një banesë të thjeshtë mes malesh. Praninë e tij djemtë e Kurbneshit, në një farë mënyre, do ta kishin për privilegj. Agroni do të bëhej nismëtar për organizimin e garave dhe ndeshjeve sportive, që do të gjallëronin jetën e qytezës minatore... Teksa u kthehet këtyre përjetimeve të dhimbshme, Petriti, vëllai i tij, kujton mënyrën e veçantë se si e ndiqte Agroni pasionin e tij të hershëm në kushtet e izolimit. “Për tetë vjet me radhë, - thotë ai, - Goni i bënte lejet e zakonshme vetëm kur kishte Kampionat Botëror ose Evropian, ndërkohë që të shtunave e të dielave ndërronte turnin me shokët, për të ndjekur Kampionatin Kombëtar të Futbollit”...

Agroni, djali i vogël i ish-ministrit të Brendshëm
Agron Dauti ishte djali i vogël i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ai lindi në Tiranë, në prill të vitit 1959. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare “11 Janari” dhe gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, filloi studimet e larta në institutin e kulturës fizike “Vojo Kushi”, të cilat i përfundoi në vitin 1980. Në vitin 1970-1972 mori pjesë në ekipin e para të rinjve të futbollit të Dinamos. Pas debutimit në ekipin e të rinjve si mesfushor i djathtë në periudhën 1974-1978, u bë pjesëtar i formacionit të ekipit të parë të Dinamos. Në periudhën 1979-1982 luan si titullar në të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, ku shquhet për shpirt të lartë gare dhe frymë kolektiviteti. Specialistët e futbollit kujtojnë se Dautaj bënte njëherazi shumë mirë mbrojtësin dhe mesfushorin e djathtë. Për ta ka mbetur shembulli i një lojtari korrekt dhe njeriut fisnik. Agron Dautaj njihet ndërkaq, si një nga protagonistët e trofeve të Dinamos, siç ishin ato të fituesit të Spartakiadës Kombëtare të Shqipërisë, të Kupës së Republikës në vitet 1978-1982 dhe titullit kampion në edicionin 1979-1980. Ka qenë një nga titullarët në takimet ndërkombëtare të ekipit të Dinamos siç ishte ndeshja me Ajax e Amsterdamit, Karl Zais Jena të Gjermanisë, Aberdin të Skocisë etj. Në vitet 1980-1982 ushtroi profesionin e mësuesit të edukimit fizik në shkollën e mesme Ekonomike në Tiranë. Më 18 tetor 1982, menjëherë pas arrestimit të të atit, internohet bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes në Kurbnesh të Mirditës. Nga tetori i vitit 1982 deri në janar të vitit 1989 punoi me tre turne në galeritë e minierës së bakrit. Më datën 28 janar 1989 u vra në kushte misterioze në minierë.

Djali i ish-ministrit të Brendshëm, midis dy perëndive
Ishte një periudhë kohe kur Enver Hoxha, ish-lideri komunist dhe Ilir Përnacka, ish-futbollisti i Dinamos, u bënë dy nga idhujt e Agron Dautit. Këtë ndodhi disi paradoksale, gazetari sportiv, Gëzim Sinemati, e shpjegon me një rrëfim të veçantë...“Agronin e kisha shok që nga fëmijëria dhe më qëllonte të shkoja në shtëpinë e tij vazhdimisht. Rrinim bashkë në dhomën e tij për orë të tëra. Ishte një mjedis i thjeshtë, me dy divanë të zakonshëm dhe një dollap rrobash. Në dy faqet e murit më tërhiqnin vëmendjen dy fotografi të ndryshme. Në njërën shfaqej Enver Hoxha me buzën në gaz midis familjarëve të Agronit gjatë një ceremonie, në tjetrën dallohej Ilir Përnacka, ish-futbollisti i shquar i Dinamos, duke ekzekutuar një gol. Të dyja ishin vendosur në korniza të mëdha dhe dominonin tërë peizazhin përreth. Ato binin në sy sapo futeshe në dhomë dhe për një çast të rrëmbenin me vështrimin e tyre. Ndërsa nuk guxoja ta pyesja për fotografinë e Enverit, një ditë i thashë diçka për atë të Përnackës. Thjesht më dukej e tepërt fotoja e tij në atë mjedis familjar, ca më shumë kur Agroni ishte pjesë e formacionit të Dinamos, ku bënte pjesë edhe Përnaska. “Ç’thua, - ma ktheu Agroni, - Iliri është përbindëshi që trondit kundërshtarin, është perëndia e futbollit shqiptar. Ashtu siç është Enveri për Shqipërinë!” Si e pashë që ishte e pamundur t’i ndërhyja në zgjedhjen, ndërrova bisedë, duke i kujtuar ndeshjen e radhës. Pastaj u hodha edhe një sy fotografive që ishin varur në mur. Vështrimi i Enver Hoxhës kryqëzohej me atë të Ilir Përnackës dhe më dukej sikur dy perënditë e Agronit flisnin nën zë për gjëra që vetëm ata mund t’i dinin...”Këtë detaj Gëzim Sinemati, gazetari i talentuar sportiv, e ka përjetuar me një ndjenjë të veçantë, sa herë që është gjendur në shtëpinë e Agron Dautit. Po do të vinte një ditë, që dhoma e thjeshtë, me dy perëndi mbi krye, do të braktisej përdhunshëm dhe i zoti i saj do të merrte rrugën e largët. Qysh nga ajo ditë, Sinematit i ka mbetur peng që nuk mundi të takohej më me mikun e vjetër...

neser do te lexoni
Si mbërriti në galeritë e minierës së Kurbneshit futbollisti i Dinamos pas arrestimit të të atit? Fejesa e prishur pas dramës në familjen Hazbiu
Si i mbajtën kontaktet dinamovitët e viteve ‘80 me shokun e tyre të internuar? Cili ishte roli i Shkëlqim Skifterit, nipit të Dervish Hatixhesë në vendosjen e lidhjeve të fshehta, Kurbnesh-Tiranë?
Grotesku i operacionit “Adidas” në hetim të origjinës së topit të futbollit, dhuruar fshehtaz Agronit nga shokët. Miqësitë e sinqerta të djalit të ish-ministrit me minatorët e galerive