e enjte, qershor 15, 2006

Revolta e Mehmet Shehut: "Më përgjohen telefonat"



Kujtim Boriçi

Ekskluzive/ Ibrahim Shametaj, ish-shefi i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes për 12 vjet, në shënimet e radhës sjell për lexuesin detaje të përkujdesjes së Mehmet Shehut për rritjen e nivelit të gatishmërisë për radiondërlidhjen si element tepër i rëndësishëm i mbrojtjes së vendit, vlerësimin e tij për arritjet në këtë fushë, si dhe revoltën e Shehut lidhur me dyshimet se i përgjoheshin bisedat në zyrë e shtëpi nëpërmjet ndërlidhjes, që çoi në urdhrin për hartimin një rregulloreje të veçantë për kontrollin e gatishmërisë së radiondërlidhjes së udhëheqësve kryesorë të shtetit.Në vazhdim do të lexoni:-Kadri Hazbiu, i besuari i Enevrit e Mehmetit për radiolojën që përgatitet për azgjësimin e grupimeve kundërshtare të ardhura nga vendet fqinje me qëllim përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri.-Si punonte Kadri Hazbiu me radiotelegrafistët specialë dhe ata që infiltronin në grupet kundërshtare.-Si u veprua nga radiotelegrafistët specialë në planin “Radioloja” për futjen në kurth të shërbimeve sekrete ndërkombëtare.Rregullore e re për ndërlidhjen e BllokutRevolta e Mehmet Shehut: “Më përgjohen telefonat!”(Vazhdon nga numri i kaluar)Gjatë kohës që Enver Hoxha e Mehmet Shehu ishin në krye të shtetit, krahas masave të larta të gatishmërisë së ndërlidhjes, asaj të zakonshme dhe asaj sekrete, specialistë të kësaj fushe vazhdimisht kryenin matje me aparatura të posaçme për kontrollin e cilësisë përcjellëse të sinjalit dhe evitimin ndërhyrjeve të mundshme që mund të ulnin këtë ndjeshmëri. Por në disa raste, zbatimi i kësaj detyre nga specialistët çonte edhe në incidente të rënda. “Veçanërisht kohët e fundit, para vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kryeministri jo vetëm shfaqi hapur dyshimin se bisedat e tij nga zyra dhe banesa përgjoheshin, por u detyrua dhënia e një urdhri për hartimin një rregulloreje të veçantë për kontrollin e ndërhyrjeve në ndërlidhjen e bllokut dhe zyrat e krerëve të shtetit”, - kujton për gazetën Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes për 12 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes.Interesimi i Mehmetit për gatishmërinë e ndërlidhjesMehmet Shehu, gjatë viteve që ishte ministër i Mbrojtjes, por edhe si kryeministër i vendit, kujton ing. Shametaj, i kushtonte një përkujdesje të veçantë gatishmërisë së ndërlidhjes si një nga elementët kryesorë të drejtimit të operacioneve luftarake e mbrojtjes së vendit. “Ai, nëpër analiza të ndryshme, në inspektimet e vazhdueshme në qendrat radiondërlidhëse në Shtabin e Përgjithshëm e në të gjitha garnizonet e vendit, nëpërmjet alarmeve e provave të gatishmërisë, por dhe me përkujdesjen direkte për blerjen e aparaturave funksionale bashkëkohore, ndikonte ndjeshëm në përmbushjen e detyrës që kishte ky shërbim”, - shkruan në kujtimet e tij Shametaj. Lidhur me këtë fakt, Shametaj më tej tregon: ”Ishte 24 qershori i vitit 1978, kur pas inspektimit të gjatë të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit në vendkomandën e luftës së Shtabit të Përgjithshëm, verifikimit praktik të nivelit të gatishmërisë së ndërlidhjes, Enveri u njoh edhe me kërkesat tona lidhur me domosdoshmërinë e blerjes së aparaturave bashkëkohore jashtë vendit. I fola hapur, por meqë këto probleme Mehmeti i dinte, ma bën me shenjë që të rezervohem para Enverit, në mënyrë që të mos e lodhja me probleme të tilla, por dhe se kërkoheshin fonde jo të pakta për këtë operacion në treg”, - kujton Shametaj. Por Enveri e ka pikasur dhe ndërhynë: ”Lëreni, të flasë inxhinierin!”. Shametaj tregon se i ka thënë Enverit se aparaturat e fjalës së fundit, të sapoinstaluara, me një vlerë 33 mijë dollarësh në tregun e huaj, falë ndihmës së dy biznesmenëve francezë, janë blerë gati tri herë më lirë. “Por kjo nuk mjafton, duhen fonde për blerjen e aparaturave të tjera, pasi shkalla e gatishmërisë luftarake që kërkohet në strukturat mbrojtëse të vendit e kërkon një gjë të tillë”, - u kërkova Enverit dhe Mehmetit. Enveri, sipas Shametajt, u kthye e pa në sy Mehmetin, i cili u përgjigj: “Po, po, do të bëjmë diçka!” Sipas Shametajt, Mehmet Shehu nuk e la në harresë një kërkesë të tillë. Disa ditë më pas, me interesimin direkt të tij, një grup specialistësh hartoi një studim kompleks për radiondërlidhjen për vitet 1980-2000, që nisi financimin e menjëhershëm për fazën e parë të tij. “Kështu, falë përkujdesjes direkte të Mehmetit, u blenë aparatura, materiale e pajisje bashkëkohore radiondërlidhjeje, duke bërë që ky shërbim tepër i rëndësishëm të përmbushë plotësisht misionin për nivel të lartë gatishmërie në përgatitjen e strukturave luftarake të vendit dhe mbrojtjen e territorit të Shqipërisë”, - pohon Shametaj.Shametaj, “Si na vlerësoi Mehmeti!”Mehmeti i rreptë, njeriu që rrallë qeshte, personi që askënd nuk bënte “burrë”, kërkues i patolerueshëm në detyrë për vartësit, sipas Shametajt, dinte të të jepte hakun, të vlerësonte për punën që bënte. Sipas tij, në vitin 1978, periudhë kur si në të gjitha fushat e jetës, edhe mbrojtja e vendit mbështetej në parimin “mbështetjes në forcat e veta”, Mehmeti sapo kishte ushtruar një kontroll lidhur me problemet e gatishmërisë në shkallë vendi, ku sigurisht, përfshiheshin dhe problemet e shërbimit të ndërlidhjes. Kishte mbetur përgjithësisht i kënaqur, veçanërisht për ndërlidhjen e efektivat e saj, ndonëse Mehmeti nuk kënaqej lehtë. Në një letër (konkluzione) dërguar në ministri, midis të tjerave, Mehmeti shkruante: ”Po të mos kishte qenë ai inxhinieri (Shametaj), niveli i lartë i gatishmërisë së aparaturave e personelit që nga ushtarakët drejtues e deri te centralistet e thjeshta, kontrolli në vendkomandë e strukturat e gatishmërisë nuk do të ishte i suksesshëm”. Ky vlerësim, sipas Shametajt, ishte meritë e të gjitha efektivave të ndërlidhjes, por në veçanti atyre në vendkomandën e përgjithshme si Abaz Thano, Jaho Banushi, Sokrat Vishnja, Vladimir Prifti, Sofokli Çipi, Diana Mata, Zina Yza, Nebi Dura, Minushe Selmani, Thëllëza Shalari, Zamira karai, Vasilika Prifti etj. Raste të tilla të përkujdesjes e vlerësimit që Mehmet Shehu bënte për shërbimin e ndërlidhjes dhe efektivave të saj, gjatë viteve që unë isha si kryeinxhinier i ndërlidhjes në ministri, janë të shumta.Revolta e Mehmetit për përgjimin e telefonaveGjatë viteve të fundit të jetës së kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë (Mehmeti u vetëvra në tetor 1981), sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive të njerëzve që punuan pranë tij, Mehmeti ka përjetuar apo manifestuar një tension moral, fizik e shpirtëror që vinte si pasojë e nuhatjes së lëkundjes së besimit të Enverit ndaj tij (një akuzë pas vetëvrasjes ishte se ai donte të vriste Enverin e t’i zinte vendin), si dhe problemeve të shumta me të cilat përballej vendi i izoluar, ku një nga drejtuesit kryesorë e përgjegjësit e kësaj situate ishte edhe ai. Në kujtimet e vartësve të kryeministrit, njerëzve që kanë punuar pranë tij, kohët e fundit (veçanërisht vitet 1980-1981) të jetës së tij, Mehmeti dyshonte se telefonat e tij të punës dhe ato në vilën e banimit përgjoheshin. Për këtë, sipas dëshmitarëve dhe dokumenteve të kohës që u publikuan vonë, ai ka shprehur dhe revoltën për këtë përgjim telefonash, duke kërkuar zyrtarisht ndërprerjen e kësaj praktike. Një nga këta persona, është dhe Ibrahim Shametaj, ish-kryeinxhinieri i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes. Për këtë fakt, në kujtimet e tij Shametaj shkruan: ”Kohët e fundit, aty nga vitet 1980-1981, Mehmetit i ishte krijuar fiksimi se nëpërmjet ndërlidhjes i kontrolloheshin bisedat, gjë e cila shpesh e bënte nervoz. Më kujtohet që teknikët tanë bënin matjet në distancë të telefonave që ishin vendosur në shtëpitë dhe vilat e udhëheqësve. Kjo bëhej për arsye që të parandalohej ndonjë defekt i mundshëm. Por gjatë matjeve në telefona ndjehej ndonjë zhurmë e vogël, e Mehmeti urdhëroi që të mos bëhej më një veprim i tillë. Të gjendeshin forma të tjera për të kontrolluar gatishmërinë e telefonave dhe radiove që ishin në ambientet e lartpërmendura. Për këtë shkak, u urdhërua dhe u përgatit një rregullore e veçantë për këto kontrolle”, - shkruan Sahmetaj. Pas shumë hezitimesh, kjo rregullore u firmos nga vetë Mehmet Shehu, në cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, por deri në momentin e vetëvrasjes atij nuk iu hoq dyshimi dhe bindja se telefonat dhe radiot që ai përdorte, në punë e shtëpi, i përgjoheshin.. (Vijon)