e mërkurë, qershor 14, 2006

Shametaj, “Kadri Hazbiu, drejtues i aftë e njeri zemërgjerë!”




Tri vitet e Kadriut në Ministrinë e Mbrojtjes

Kujtim Boriçi

Dossier Nr. 10. Ibrahim Shametaj

Ekskluzive/ Shënimet në vazhdim të Ibrahim Shametajt, ish-kryeinxhinier i ndërlidhjes për 12 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes, sjellin disa nga mbresat e kujtimet e tij gjatë qëndrimit trevjeçar të Kadri Hazbiut në detyrën e ministrit të Mbrojtjes, interesimin e ministrit për problemet e mbrojtjes në përgjithësi e shërbimin e ndërlidhjes në veçanti, kontaktet e tij të punës me të, si dhe detaje të tjera interesante të Hazbiut si drejtues dhe si njeri.Në vazhdim do të lexoni:-Si interesohej Mehmeti për problemet e ndërlidhjes, si element kryesor në gatishmërinë e mbrojtjes së vendit.-Përkujdesja dhe urdhri i Mehmetit për blerjen jashtë vendit të aparaturave radiondërlidhëse bashkëkohore.- Rebelimi i Mehmetit: ”Më përgjojnë telefonat”, dhe urdhri i dhënë për hartimin një rregulloreje të re për ndërlidhjen e krerëve të shtetit dhe në bllok.Kush ishte Kadri Hazbiu- Kadri Hazbiu u lind më 15 korrik 1922 në Mavrovë të Vlorës.- Pasi mbaroi shkollën tregtare të Vlorës, pas luftës mbaroi në Moskë të BRSS-së shkollën e lartë të sigurimit.-Ka qenë drejtues i disa formacioneve partizane në Luftën e Dytë Botërore, ku dhe u plagos dy herë.-Në vitet 1950-1954 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme.-Në vitet 1954-1979 ka qenë ministër i Brendshëm.-Në vitet 1979-1982 ka kryer detyrën e ministrit të Mbrojtjes.-Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga ministër i Mbrojtjes, më 13 tetor 1982 Plenumi i Komitetit Qendror e përjashton dhe nga paria, arrestohet më 15 tetor 1982, ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet.- Më 4 nëntor 1995 gjenden eshtrat e tij në afërsi të Selitës dhe rivarrosen nga familjarët.Karriera si ministër i Mbrojtjes, për Kadri Hazbiun, i vlerësuar si agjenturisti më i mirë i vendit për kohën, jo vetëm ishte më e shkurtra në funksionet e larta që ai kreu që pas çlirimit të vendit, por është njëkohësisht dhe periudha e një “ftohjeje” me udhëheqjen, periudhë mosbesimi nga Enver Hoxha, e që mbyllet me prangat në sallën e plenumit të KQPPSH-së më 15 tetor 1982 e pushkatimin rreth një vit më vonë në periferi të Tiranës. Për vartësit e bashkëpunëtorët e Hazbiut në dikasterin e Mbrojtjes, ai ishte e mbetet ndër ministrat më të aftë, komunikues, e mbi të gjitha njerëzor. Dinte të të orientonte e mbështeste në zgjidhjen e problemeve, duke koordinuar mjaft mirë marrëdhëniet e punës me ato shoqërore, gjithmonë pa tolerimin më të vogël në kryerjen e detyrave.Marrëdhëniet e Kadri Hazbiu me ndërlidhësitPër Ibrahim Shametajn, ish-shefi i ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë tri viteve që Kadriu drejtoi këtë dikaster, Kadriu ishte jo vetëm një njohës i mirë, por dhe dashamirës e vlerësues i shërbimit të ndërlidhjes. “Si me gjithë të tjerët, Kadri Hazbiu ishte i afrueshëm, i thjeshtë e popullor. Gjatë kësaj periudhe e kam takuar shpesh, duke ruajtur mbresat më të mira në komunikimin me të rreth problemeve të punës, përkujdesjes së veçantë që tregonte për problemet e ndërlidhjes si një nga shërbimet kyçe në problemet e gatishmërisë, por dhe si një njeri që të impononte respekt e të imponohej natyrshëm për të punuar më shumë”, - tregon për gazetën Shametaj. Një prej mbresave të veçanta të kontakteve me Kadri Hazbiun, ish-kryeinxhinieri Shametaj kujton 24 qershorin e vitit 1978, kur së bashku me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e Adil Çarçanin, në një inspektim në vendkomandën e luftës së Shtabit të Përgjithshëm në Bërzhitë, erdhi dhe Kadri Hazbiu. Interesi i Enver Hoxhës dhe drejtuesve të tjerë në këtë inspektim pune, krahas verifikimit të shkallës së gatishmërisë në repartet e strukturat e tjera të mbrojtjes në rast agresioni të mundshëm ndaj vendit, sipas dokumenteve të kohës, ishte dhe verifikimi i funksionimit të ndërlidhjes me komandën e Traktatit të Varshavës. Sipas Shametajt, ai dhe një koleg tjetër i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes ishin përgjegjës dhe ishin ngarkuar që të jepnin “leksion” teorik e praktik për shkallën e kësaj gatishmërie. Pas interesimit të gjatë të Enverit, Mehmetit e udhëheqësve të tjerë për nivelin e gatishmërisë së ndërlidhjes, kujton Shametaj, Kadri Hazbiu qëndroi e komunikon më gjatë me të. “More inxhinier, na more shpirtin, mos do të na bësh edhe ne inxhinierë ndërlidhjeje?” - i thotë Kadriu, pasi është interesuar në detaje jo vetëm për ndërlidhjen me Traktatin e Varshavës, me shtabet e repartet në vend, por dhe me nevojën e pajisjes me radiondërlidhje bashkëkohore e probleme të vetë efektivave të shërbimit të ndërlidhjes. “Inxhinier jo, por që ta vlerësoni më mirë ndërlidhjen duhet. Se ka edhe ndonjë që e identifikon ndërlidhjen nga aparati telefonik në zyrë dhe jo nga ajo punë e madhe e shkencore që bëhet”, - i përgjigjet Shametaj. Ndërsa mes kontakteve të tjera të shumta me ministrin e Mbrojtjes, Hazbiu, për Shametajn është momenti i radiondërlidhjes pranë tij gjatë operacionit për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës. “Ishte nga momentet e fundit të qenies së tij në detyrën e ministrit, shtatori i vitit 1982, njëkohësisht koha kur ndaj tij ishte shfaqur dyshimi për besnikëri nga Enveri, gjë të cilën Hazbiu e kishte kuptuar, e shpesh kjo ftohje “lexohej” dhe në mjediset e afërta të tij të punës me njerëzit që kontaktonte”, -kujton Shametaj.Në ditëlindjen e Kadri HazbiutPër ing. Shametajn, kryespecialisti i ndërlidhjes në ushtri dhe gjatë kohës që dikasterin e drejtonte Kadri Hazbiu, ministri dinte të respektonte vartësit e tij, duke i uruar dhe për gëzime të ndryshme apo duke marrë pjesë në fatkeqësitë e jetës. Por “klima” e mirë që vetë Kadriu krijonte me vartësit reflektohej me respektin e këtyre të fundit, deri dhe me vizita në shtëpi të ministrit. Në kujtimet e Shametajt zë vend edhe një vizitë që ai dhe drejtori i ndërlidhjes në këtë ministri, Abaz Thana, i bëjnë Kadri Hazbiut në një përvjetor ditëlindjeje. Shametaj kujton: ”Në një 15 korrik, nuk më kujtohet viti, 1980 apo 1981, me Abaz Thanën që ishte drejtor i ndërlidhjes së ushtrisë, i vajtëm ministrit Kadri Hazbiu për ta uruar për ditëlindjen. Në momentin që shkuam, aty gjetëm edhe Dritëro Agollin, i cili jo vetëm ishte i fjalës, krijonte mjedis të këndshëm me shakatë e orientimin bisedës, por dhe që e kishte qejf rakinë. Kadriu, tepër zemërbardhë, zakonisht mbante raki të mirë, bënte muhabete pa teklif, sipas traditës mikpritëse të labërisë. Kështu që shumë shpejt na u krijua një atmosferë shumë e ngrohtë dhe e ndjenim veten si në shtëpinë tonë. Kadriu, ashtu dhe Dritëroi, gotë pas gote, ju qepën Abazit duke e nxitur të pinte dhe ai. Abazi që dhe ai pinte jo pak, pas hezitimeve të para, nuk ua refuzonte këmbënguljen e u pi goxha raki atë natë. Por Abazi shpesh më drejtohej edhe mua, që megjithëse në atë kohë unë nuk konsumoja alkool, u detyrova të futem në valle. Ishte një mbrëmje e bukur, një mikpritje pa asnjë shenjë protokolli, falë Kadriut si njeri e mikpritës”.Tragjedia e Fekenit, Hazbiu në familjen Shametaj6 shkurti i vitit 1981, shënoi një ngjarje të rëndë. Si pasojë e një orteku të madh dëbore në Feken të Tiranës, humbën jetën 14 studentë ushtarakë, pedagogë e drejtues të Akademisë Ushtarake që ishin në një periudhë stërvitje dimërore. Mes të vrarëve ishte dhe Dushan Shametaj me detyrën e komandantit të batalionit, djalë i Fejziut, vëllait të Ibrahim Shametaj, që mbeti nën ortek në përpjekje për të shpëtuar jetën e studentëve të tij. Ishte një fatkeqësi e rëndë natyrore, një dhimbje për familjarë e kolegë të viktimave. Në këtë fatkeqësi, kujton për gazetën Shametaj, në familjen e tyre ishte për ngushëllim dhe Kadri Hazbiu. “Në ato momente të rënda, Kadri Hazbiu, si ministër, por mbi të gjitha si njeri, erdhi disa herë në shtëpinë tonë, duke na ngushëlluar e duke na dhënë kurajo për ta përballuar këtë fatkeqësi që na gjeti”, - kujton Shametaj. Fakti që Kadriu, edhe për shkak të një lidhje pak të largët me familjen tonë, shton më tej Shametaj, por më shumë nga njohja që kishte për prindërit dhe farë e fisin tonë, duke na qëndruar pranë, sikur na e lehtësonte dhimbjen. (Vijon)