e hënë, shkurt 20, 2006

Si e regjistrova në celuloid rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës”



Si e regjistrova në celuloid rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës”


Afrim Imaj
Me ditën e 20 shkurtit 1991, kur shqiptarët do të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës në qendër të metropolit të tyre, Tiranës, operatori Fatmir Çepani, ka të lidhur një nga momentet më të rëndësishme të jetës, po sidomos të profesionit të tij, ku e ka ndjerë më shumë se kurdoherë tjetër mrekullinë që të fal kamera, kur me të gjendesh në çaste të tilla të kapërcylleve të mëdha historike.
Padyshim që ato nuk janë aq të shpeshta, por kur fati të përkëdhel për të qenë në qendër të tyre dhe di si të ngrihesh mbi pështjellimet që sjellin për të dokumentuar për të tjerët, madje edhe për vet historinë atë që përjeton shoqëria ato momente, mbetesh ndërkaq një protagonist jo i parëndësishëm i zhvillimeve aq të bujshme, që përcaktojnë stade të reja në jetën e bashkëkohësve. Gjithkush prej shqiptarëve do ta kishte dëshirën për të qenë i pranishëm para 15 vjetësh në sheshin “Skënderbej” për të parë shkërmoqjen e fundit të imazhit të diktatorit dhe diktaturës komuniste, por asgjë nga ato çaste dramatike, nga ato momente triumfi, nuk do të mbetej për historinë dhe të nesërmen, nëse po në shesh të mos ndodhej atë ditë operatori i talentuar Fatmir Çepani, i cili duke mos marrë parasysh asgjë nga vështirësitë e kohës, do ta përcillte nga fillimi në fund ngjarjen e bujshme të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Eshtë një shërbim i veçantë dhe i spikatur, që ai i ka bërë memories kombëtare dhe vet historisë së shqiptarëve. Kamera e tij, kësisoj nuk ka më pak vlera se ajo e operatorëve të luftës e të fronteve të vështira në të katër anët e globit...Po si është gjendur operatori i televizionit publik atë mëngjes shkurti në qendër të turmës së rrëmbyer, që operonte për të rrëzuar monumentin e diktatorit. Për ku u nis dhe si arriti të depërtojë në mes të turmës së njerëzve të irrituar. Si mundi të xhirojë ato çaste momentet e rrëzimit të monumentit. Si e shpëtuan televizionin shqiptar ato 17 minuta xhirime të Fatmir Çepanit nga pështjellimet e mëtejshme dhe agresiviteti i turmës që kërkonte me çdo kusht, që nga kjo dritare e vetme në atë kohë ta merrte vesh gjithë opinioni publik atë që kishte ndodhur atë ditë në sheshin “Skënderbej”...Ndërsa rrëfen sot pas 15 vjetësh për gazetën “Panorama”, operatori i vetëm që hodhi në celuloid çastet e përmbysjes së madhe, kujton peripecitë që e ndoqën pas kësaj, duke e hequr nga puna e duke e ndjekur nga afër si një njeri të rrezikshëm për shtetin dhe shoqërinë. Më tej, Fatmir Çepani e përjeton si një brengë jo të zakonshme fatin në të cilën përfunduan materialet e tij filmike nga ngjarja e 20 shkurtit, të cilat u shfrytëzuan në mënyrë abuzive nga një pjesë e kolegëve të tij, që i riprodhuan ato në televizionet e hapura rishtas në demokraci me autorësinë e tyre. Më shumë se ndjenja e detyrës, Fatmir Çepanin mëngjesin e 20 shkurtit të vitit 1991, e thirri në sheshin “Skënderbej”, zëri i brendshëm i profesionistit, që e jetonte nga afër pulsin e kohës dhe ndryshimeve të mëdha që po vinin...Kanë kaluar 15 vjet nga xhirimet e kronikës së rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Si e përjetoni faktin, që këtë kapërcyll politik keni mundur ta regjistroni vetëm ju?Gjatë këtyre 15 viteve më ka qëlluar, për detyrën që kam pasur, të shëtis gati në të gjitha vendet e globit. Mesazhi i vetëm që kam marrë nga kolegët e huaj, që janë njohur me këtë fakt rishtas është përqendruar në honorarin e lartë që mund të kisha marrë si autor i vetëm i një kronike të një rëndësie të jashtëzakonshme. Për ta është e pabesueshme, që jo vetëm nuk më shkoi mendja për të kërkuar honorar, por që pas kësaj më ndoqën peripeci nga më të ndryshmet...Gjithsesi, ndjehem mirë e krenar që në momentin e caktuar m’u dha rasti të regjistroj një ngjarje kulmore historike për popullin tim. Dhe kjo për një profesionist, gjykoj se është një honorar jo i vogël, edhe pse shumë domethënës.Si do ta përshkruanit sot, pas 15 vjetësh, mënyrën si u gjendët në sheshin “Skënderbej” në çastet kur turmat ndërmorën aksionin për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës?Atë ditë, sipas ndarjes së detyrave në departamentin e lajmeve të televizionit shtetëror, do të ndiqja bashkë me gazetaren Amali Dhamo një veprimtari të Komunitetit Mysliman në Pallatin e Kulturës, në të cilën do të merrte pjesë lideri i opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Mbaj mend që ky i fundit mori fjalën dhe i ra shkurt, duke përmendur faktin se do të shkonte te studentët, që asokohe ishin në kulmin e protestave masive për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Pas tij, takimi zgjati vetëm pak çaste dhe të gjithë u shpërndanë në punët e tyre. Në shesh përpara pallatit kishte vetëm pak njerëz, ndërkohë që turma të tëra vazhdonin t’u bashkoheshin studentëve në afërsi të rrugës së Elbasanit...Tirana e atyre momenteve i ngjante një krijese që përpëlitet për të gjetur një çast të thellë frymëmarrjeje. Vet sheshi me një qetësi të rreme, dukej sikur të ftonte për të qëndruar në të, për t’iu bashkuar dëshmitarëve të shumtë, që do të shpërthenin më vonë e do të ishin të pranishëm në ngjarjen e madhe. Në këtë ndjesi që më mbuloi në kohën që Sali Berisha u nis me shpejtësi për te studentët, i them Amalisë, gazetares që do të shkruante lajmin rutinë për mbledhjen e Komunitetit Mysliman, se unë do të vazhdoja të rrija te sheshi me paramendimin se pritej afrimi i studentëve dhe manifestuesëve të tjerë për të rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës. Dhe kështu bëra. Ndërkohë që Amalia u largua për në televizion, unë përgatita kasetën e re dhe kamerën për të qenë i gatshëm në pritje të zhvillimeve të reja. Më shumë se detyra, (ndërkohë që askush në televizion nuk mund ta mendonte se ç’mund të ndodhte ato çaste në shesh), një ndjenjë e brendshme më shtyu të vazhdoja të qëndroja për të pritur ngjarjet, që do të ndodhnin me protestuesit, që nga Qyteti Studenti kishin filluar të zhvendoseshin drejt qendrës...Keni xhiruar në kushte tejet të vështira, madje në mes të një turme të eksituar, si mundët të hidhnit në celuloid tërë dimensionet e asaj ndodhie?Me pjesën e parë të turmës jam kontaktuar aty rreth orës 10, ku shkova në kafen që ishte në katin e tretë të Pallatit të Kulturës. Ishte një masë e madhe njerëzish, që më shumë se për kafe, prisnin me padurim rrjedhën e zhvillimeve të pjesës tjetër të protestuesve, që zbriste nga Qyteti Studenti. Me ta pata goxha probleme, pasi kamera në dorën time, për ta ishte më shumë se bezdi. Me kalimin e orëve, salla mbushej gjithnjë e më tej me njerëz të shumtë, që nga dialektet dalloheshin sa verior, aq edhe nga viset e tjera të vendit. Kur filloi të dëgjohej zhurma e studentëve dhe manifestuesve, që mesa dukej kishte ngecur te hyrja e Radiotelevizionit, mora kamerën dhe hipa mbi parvazin e një prej dritareve të sallës dhe hapa xhamat e saj për të pasur një fushëpamje të pastër përpara. Njerëzit ndërkohë kishin lënë kafen dhe të gjithë në turmë, ishin kthyer me fytyrë nga sheshi, ku sa kishin filluar të vinin grupet e para. Ndërkaq, sa hap e mbyll sytë, nga të gjitha krahët turma të tëra vërshuan përpara Pallatit të Kulturës dhe të papërmbajtura u sulën nga monumenti. Ishin këto çastet e para kur kisha nxjerrë kamerën dhe kisha filluar të filmoja. Isha në një pozicion të vështirë, ku mbi shpinë ndjeja peshën e dhjetëra njerëzve që me kërshëri të jashtëzakonshme ishin duke ndjekur veprimet e turmës. Kur sheshi ishte tejmbushur nga të gjitha anët, filloi edhe vërshimi drejt monumentit që ruhej me shumë policë të armatosur, që mbanin për dore edhe qen kufiri. Përballja e parë e turmës me policinë, u mbyll me tërheqjen e protestuesve. Mesa dukej ishte një tërheqje, për t’u rivërsulur në një mënyrë frontale, ashtu sikundër ndodhi pak momente më vonë, ku forcat e rendit provuan të fusnin në veprim edhe qentë e kufirit. Turma sërish u zmbraps. Dhe sërish u vërsul, këtë radhë për të mos u tërhequr më deri në rrëzimin e monumentit. Me kamerën mbi sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim atë që ndodhte poshtë Pallatit të Kulturës, i xhirova të gjitha këto çaste, që kishin të bënin me sprovën për mposhtjen e asaj fantazme që nxinte sheshin “Skënderbej”...Vazhduan disa momente kështu. Turma përpara forcave të shumta e të blinduara të policisë. Njerëz që shtoheshin në sekondë dhe nuk reshtnin në synimin e tyre për të tërhequr zvarrë atë që kishte marrë zvarrë jetën e tyre për 40 vjet me radhë. Finalja do të ishte pikërisht ajo, madje me çdo çmim. Kjo ishte bindja që lexohej lehtas tek çdo njeri, që gati ishte shpërfytyruar në ato momente kur vetëm pak minuta do të ndanin nga shembja e madhe. Kësaj mospërmbajtjeje i shtohej hera-herës gjendja kaotike, ku shumëkush qëllonte me gurë dhe çfarë të mundte mbi forcat e rendit dhe vet monumentin. Për pasojë pati disa të plagosur, mes tyre edhe një fotograf italian, që kishte depërtuar deri në mesin e turmës...Nga kronika që ka mbetur nga ato çaste, dallon rrëzimi i monumentit nëpërmjet disa lëkundjeve derisa arrin përtokë. Si keni mundur ta filmoni këtë moment final?Rënia e monumentit të diktatorit ishte një finale më vete. Kam mundur ta hedh në celuloid atë moment me instinktin e turmës. Gjatë gjithë kohës, unë operatori mbeta pjesë e saj, me hapin dhe lëvizjet e saj, me nervin dhe lëkundjet e saj duhej ta përcillja këtë skenë deri te çasti përfundimtar. Gjatë gjithë kohës, deri në momentin e shembjes së monumentit, lëkundesha sipas turmës, kështu që edhe produkti filmik që do të xhiroja me kamerë, do të fiksohej sipas kësaj tronditjeje, që sa rastësore mbetet edhe mjaft simbolike. Kanë qenë këto momente interesante, por të ngarkuara edhe me shumë emocion dhe stres. Duhej ta përballoja peshën e turmës mbi shpinë, duhej ta përballoja goditjen anësore të njerëzve që nga shtytjet binin mbi kamerë, ashtu siç duhej t’i bëja sfidë edhe ndonjë guri mbi krye. Kjo falë edhe fizikut tim të mirë. Gjithsesi, arrita t’ia dal mbanë. Arrita ta fiksoja në celuloid të gjithë atë akt të jashtëzakonshëm historik që u demonstrua në sheshin “Skënderbej”...Çfarë bëri operatori Fatmir Çepani pas kësajDuhej të shkoja në televizion dhe menjëherë mora rrugën duke çarë turmën për aty. Njerëz të ndryshëm më ndiqnin nga prapa për të siguruar atë që kisha filmuar. Ishte një ngjarje e madhe dhe ata herë pas here më këshillonin për ta transmetuar menjëherë në televizion, me qëllim që ta merrte vesh i gjithë opinioni se tashmë idhulli i Enver Hoxhës kishte rënë edhe simbolikisht. Ishin disi të papërmbajtur në këshillën e tyre, por edhe dyshues se mos kronika do të fshihej e nuk do të transmetohej me urdhër të udhëheqjes. TVSH-ja asokohe ishte i vetmi stacion, ndërkohë që xhirimet e mia ishin të vetmet që ishin bërë gjatë atij demonstrimi spektakolar. Ndërsa po futesha në godinë, dëgjova edhe thirrjen e fundit të atyre që më shoqëruan: “Në qoftë se nuk do ta transmetojë televizioni, atëherë ne do ta hedhim në erë!Nejse, arrita ta siguroj kronikën e xhiruar dhe u futa direkt në departamentin tim të lajmeve për ta përgatitur atë për transmetim...Çfarë ndodhi më tej me fatin e materialit të xhiruar në sheshin “Skënderbej”Ato çaste në televizion, i gjeta të gjithë në momente hutimi dhe ankthi. Kolegët dhe drejtuesit e mi ishin informuar për ndodhinë dhe kishin dërguar për te vendi i ngjarjes një grup tjetër xhirimi, i cili kishte mbërritur aty në kohën kur gjithçka kishte mbaruar dhe turmat tërhiqnin zvarrë trupin e diktatorit. Më kujtohet si tani kontakti i parë me drejtorin e televizionit, Virgjil Kule, i cili kur i thashë se kisha xhiruar gjithçka që kishte ndodhur në sheshin “Skënderbej”, ku ishte rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës, u gëzua jashtë mase dhe më tha ta çoja në pikën e montazhit për ta bërë gati për transmetim. Në çastet kur prisnim për të dalë filmi nga laboratori, i gjithë stafi priste me ankth te dera e tij. Gjërat shkuan mrekullisht. Me një staf më vete u përgatit edhe teksti i kronikës dhe... erdhi ora për ta transmetuar. Kaluan edhe këtu peripeci të shumta...Drejtori Virgjil Kule thirri më në fund Alfons Gurrashin për të “interpretuar” rrjedhën e ngjarjes...A patët pengesa për të transmetuar në lajme materialin me xhirime nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës?Televizioni atëherë ishte shtetëror, gjë që do të thoshte se për çdo gjë duhej të merrej leje nga autoritetet e larta të shtetit. Po nga lart ç’mund të prisnim në një rast të tillë. Gjithsesi, kuraja dhe guximi profesional i drejtorit Kule, këtë herë e sfidoi këshillën dhe urdhrin e kupolës së kuqe, madje edhe vet porosinë e kryeministrit Çarçan, që këmbënguli deri në çastet e fundit për ta fshehur atë kronikë. Atë ditë në dyert e Drejtorisë së Televizionit kanë trokitur me dhjetëra e dhjetëra autoritete të larta, madje edhe titullarë të Sigurimit të Shtetit me të vetmin mision për të mos dhënë rrëzimin e Enver Hoxhës nga ekrani i vetëm që shikonin ato kohë të vështira shqiptarët. Nejse, u vendos që kronika do të jepej dhe kështu u bë. Në të do të zinte vend edhe xhirimi i dy kolegëve të mi, Gazmir Shtino, dhe Bujar Kore, të cilët ishin mjaft aktivë në xhirimet që bënë nga përjetimet në Tiranë gjatë datës 20 shkurt...Ora 6 e datës 20 shkurt për ne punonjësit e televizionit, ishte një moment historik. Transmetimi i plotë i kronikës nga sheshi “Skënderbej”, i bënte me dije shqiptarët për rrëzimin e simbolit të fundit të komunizmit dhe diktaturës. Ky mesazh do të përjetohej me një gëzim të jashtëzakonshëm në të gjitha viset, ku flitet shqip...Çfarë risku do ta ndiqte nga prapa njeriun që filmoi nga afër dhe u transmetoi shqiptarëve rrëzimin e monumentit të Enver HoxhësNjë situatë vërtetë e rëndë. Nga çdo anë më vinin presione të gjithëfarëllojta. Madje nuk kurseheshin edhe familjarët e mi.Po përballë tyre më falnin kënaqësi përgëzimet e mjaft kolegëve e krijuesve të ndryshëm, të cilët e vlerësonin këtë kronikë si një moment historik, jo vetëm në jetën e televizionit publik, por të krejt shoqërisë shqiptare...Ndëshkimi i parë do të niste me pushimin nga puna. Pastaj do të vijonin të tjerët. Megjithatë është rasti për të përmendur këtu ndihmën që më dhanë Skënder Buçpapa dhe Qemal Sakajeve, të cilët më thirrën për të shërbyer rishtas në televizion pas tre vitesh pezullimi pa asnjë motiv...Kanë kaluar 15 vjet që nga ngjarja e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Nga mënyra se si pasqyrohet kronika që bën fjalë për këtë ndodhi në mediat e shumta, të duket sikur e ka humbur ekskluzivitetin dhe autorësinë e saj...Eshtë plotësisht e vërtetë ajo që konstatohet sot me mënyrën si serviret kronika ekskluzive nga sheshi “Skënderbej” në mëngjesin e datës 20 shkurt 1991. Fragmente të tëra të shkëputura e të montuara në forma të ndryshme e me efekte të gjithëfarëllojta, të krijojnë përshtypjen sikur atë ditë në shesh ka pasur me dhjetëra operatorë, madje të duket sikur monumenti i Enver Hoxhës ka rënë disa herë. Ca më keq, ka ndodhur me shumë fotoreporterë, të mësuar tashmë me artin e “stop” kamerës, servirin montazhe nga kjo kronikë si produkte të tyre gjatë asaj ngjarjeje. Pra, nuk deformohet thjesht një material filmik, që i gjithë nuk i kalon 20 minutat, por karakteret njerëzore, profilet krijuese, të vërtetat reale.Ka ndodhur që ky material historik me një vlerë të jashtëzakonshme të banalizohet aq shumë, saqë është bërë një lëndë ilustruese edhe për Teatrin e Kukullave. Për mua kjo është amorale dhe duhet reflektuar sa më shpejt. Madje ky reflektim më shumë se për këtë kronikë, lipset edhe për shumë të tjera të një rëndësie të tillë që vazhdojnë të shpërfytyrohen nga pseudokrijues dhe pronarë mediash që mesa duket priren vetëm nga fitimi, pa u qederosur për tjetërsimin e vlerave dhe të kritereve profesionale.Çdo vit kur përkujtohet rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, të gjitha televizionet, kush më shumë e kush më pak, shfaqin pamje të kronikës që kam përgatitur unë në cilësinë e punonjësit të televizionit publik. Çuditërisht, askush prej tyre nuk kujtohet të vërë në qoshe të figurës qoftë edhe me gërma të vogla siglën “prodhim i TVSH”, pa le që për emrin e autorit as që bëhet fjalë. Dhe vazhdojnë kështu për vite me radhë.

Reagimi i kryeministritÇarçani: Po e transmetuat rrëzimin e Enverit do t’ju shpallim armiq
“Po e transmetuat rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, do t’ju shpallim armiq të popullit!” Ky ishte zëri hakërrues i kryeministrit Adil Çarçani në çastet kur në studiot e TVSH-së përgatitej kronika e xhiruar atë paradite në sheshin “Skënderbej”. Ndërsa kujton këtë detaj, operatori Fatmir Çepani që ato çaste ka qenë i pranishëm në zyrën e drejtorit të tij, Virgjil Kule, bashkë me dy-tre kolegë të tjerë, përmend vendosmërinë e të gjithë stafit për t’i bërë sfidë këtij urdhri të mbrapshtë. “Do ta transmetojmë patjetër se është lajm, madje një lajm historik”, do t’ia kthente me guxim dhe me një ton të veçantë drejtori Kule që do të jepte edhe porositë e rastit për të kompletuar një kronikë serioze dhe me efekte të rëndësishme. Më tej, pa as më të voglin hezitim, materiali do të merrte rrugën e studios së transmetimit. Në orën 6, nëpërmjet zërit brilant të Alfons Gurrashit, përmbyll Fatmiri, do të njihej i gjithë opinioni me atë që kishte ndodhur në sheshin “Skënderbej”. Gjithsesi, presionet e kërcënimet ndaj njerëzve të TVSH do të vazhdonin edhe më prapa.