e enjte, shkurt 16, 2006

Pranga në sallë edhe për Hito Cakon e Rrahman Parllakun

Pranga në sallë edhe për Hito Cakon e Rrahman Parllakun

Veli Llakaj

Ekskluzive/ Veli Llakaj, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë përkrah Mehmet Shehut për gati 8 vjet, në këtë numër sjell për lexuesin situatën e rëndë në Plenumin e 6-të të KQPPSH-së për dënimin e grupit „puçist“ në ushtri, arrestimin në sallë, pas Petrit Dumes, të Hito Cakos e Rrahman Përllakut, si dhe komunikimin e Enverit për arrestimin në të njëjtën kohë në Selenicë të „kryepuçistit“ Beqir Balluku


Plenumi i dhjetorit 1974„Gjyqi politik!“, që ndëshkon „puçistët“ në ushtri Me thënien e Enver Hoxhës „Tani jemi të qetë se armiqtë i shporrëm, prandaj t’i fillojmë diskutimet normale!”, në Plenumin e 6-të të Komitetit Qendror të Partisë të dhjetorit 1974, lidhur me dënimin e “grupit puçist“ në ushtri, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, në një sallë ku pak më parë ishin vënë pranga tre ushtarakëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, nis thellimi i analizës për të gjetur edhe bashkëpunëtorë e „armiq“ të tjerë të puçistëve“. I pari, pasi ka dorëzuar dokumentin e partisë, ka provuar prangat Petrit Dume, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pak më vonë, në të njëjtin plenum partie, janë arrestuar edhe Hito Cako e Rrahman Parllaku, ndërsa në të njëjtën kohë e në të njëjtën ditë është arrestuar në Selenicë të Vlorës edhe Beqir Balluku, ministri i Mbrojtjes, i saposhkarkuar nga ky funksion shtetëror. Nëpërmjet shënimeve të Veli Llakaj, në këtë numër vijnë te lexuesi ato momente tepër të rënda, kur kuadrot më të njohur të ushtrisë shqiptare, të cilët bënë luftën, kryqëzohen nga partia si „armiq“ e „puçistë“ dhe arrestohen po në sallë! Por „gjyqi politik“, po në këtë sallë plenumi vazhdon; të tjerë ushtarakë madhorë denigrohen e fyhen, duke u kërkuar të bëjnë autokritikë (!!), të tregojnë mëkatet e tyre si bashkëpunëtorë direkt apo indirekt në hartimin e „tezave të zeza“ dhe përgatitjen e „puçit“ ushtarak të drejtuar nga ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Vazhdon një listë e gjatë të ndëshkuarish, një pjesë e të cilëve në ditët e muajt e ardhshëm do të përfundonin nëpër burgjet e egra të kohës apo në internime, duke dhënë dhe jetën në mënyrë tragjike. . . Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:-Thellimi i ndëshkimeve për ushtarakët „puçistë” dhe zëvendësimi i të gjithë drejtuesve ushtarakë në ministri, njësi e reparte. - Mehmet Shehu në drejtim të disa stërvitjeve të ideuara e zhvilluara kundër frymës së „Tezave të zeza“ që përgatiti grupi „puçist“ etj... Enveri, “Beqir Ballukun e arrestuam në Selenicë!“Akuza të Plenumit ndaj „puçistëve“Shumë nga anëtarët e KQP-së ngritën probleme interesante, të padëgjuara, ngarkonin „puçistët“, dhe më shumë i ngrinin ata që nuk ishin zanatit e ushtarakut, por i ngrinin ata të sektorëve civilë. Kudo ata dilnin si me shpëtimtarët, në frymën e partisë, duke komentuar se partia është gjithçka, organet e tjera duhet të bëjnë patjetër si thotë partia?Kjo tendence kritike nga këta kritizerë të sëmurë, të paaftë, karrieristë e servilë, duke iu referuar fjalës së Enverit se partia është një komandë, i referoheshin letrës së hapur të vitit 1966, për heqjen e gradave dhe vendosjen e funksionit të komisarit dhe krijimin e komiteteve te partisë. Shumëkush për të marrë flamurin ngrinte edhe probleme kodra pas bregut se gjoja Beqiri nuk e dëgjonte shumë zërin e partisë, të komiteteve, nuk i përfillte, shkonte për dreka e darka, bënte ahengje etj. Dikush kritikonte “Tezat e zeza”, por nuk dinin asgjë se çfarë ishin këto dhe çfarë trajtonin, dikush mori flamurin dhe për “teorinë e rrëshqitjes”, pa çka se nuk e kuptonte fare se çfarë ishte rrëshqitja, si ishte trajtuar apo si duhej trajtuar. Enveri, duke folur në ndërhyrjet dhe përgjigjet e pyetjeve që u bënin Petritit, Hitos dhe Rahmanit, ndërhyri dhe i tha Hitos se “Ti, Hito Çako, je një revizionist i gjallë dhe shumë i rrezikshëm!”. Hitua, pa marrë leje, ia ktheu: “Unë, shoku Enver, nuk jam aspak revizionist, por një ushtar besnik i partisë dhe i popullit, revizionistët shikoji se i ke aty pranë!”. Arrestimi i Petrit Dumes në sallën e Plenumit të KQPPSH-së, që kujtoj se nuk e dha veten, i bindur se nuk kishte bërë asgjë armiqësore, në dëm të ushtrisë e vendit, ishte fillimi, pasi, në radhë ishin dhe bashkëpunëtorët e tij. Pra, i erdhi radha edhe Hitos. I jepet fjala më pas edhe Rahman Përllakut. Nuk lejohet të flasë si bashkëpunëtor i Beqir Ballukut, prandaj edhe ai arrestohet. Pas këtij arrestimi, Enveri komunikon edhe arrestimin e Beqir Ballukut, duke thënë se ky arrestim ishte bërë po atë ditë në Selenicë. Bëhet një pushim. Pas pushimit e merr fjalën përsëri Enveri e thotë: ”Tani jemi të qetë, se armiqtë i shporrëm, prandaj t’i fillojmë diskutimet normale!“. Fjala i jepet Dilaver Pocit. Dilaveri u ngrit e bëri autokritikë se nuk kishte mundur të kuptonte gjithë këto gabime e mangësi deri në punë armiqësore... Dilaveri në atë kohë ishte drejtor politik, funksion të cilin e kishte marrë para tre muajsh. Dikush propozoi që Dilaveri të kthehet nga anëtar në kandidat i KQP-së. Shumë veta u revoltuan dhe kërkuan masë për shokun që propozoi një masë të tillë për Dilaverin. Enveri u ngrit e tha: ”Shokë, edhe unë jam dakord dhe shoku e bëri këtë propozim se i kam thënë unë!”. Pra, edhe Dilaveri nuk i shpëtoi dot, ai përjashtohet nga KQP-ja, ngeli anëtar partie. Por më vonë u përjashtua edhe ky nga partia. Po kështu, në këtë Plenum u përjashtuan nga KQP-ja dhe nga partia Sadik Bekteshi e Halim Ramohito, që për atë kohë nuk ishin kritikuar në atë shkallë për atë kategori mase etj... Unë, megjithëse isha ngritur në përgjegjësi, bëra edhe autokritikë, aq sa nuk e meritoja, por në moment shoqja Nexhmije Hoxha ngrihet në çastin që unë diskutoja e më thotë: ”Nuk na duhen fraza të përgjithshme, por na thuaj pse ju ka munguar vigjilenca dhe çfarë mase propozon të merret për ty, se kështu nuk mund të kalohet!“. Dhe po vetë Nexhmija propozoi për mua një vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit! Ky propozim u përkrah nga Mehmet Shehu dhe kështu u vendos. Pra, edhe kjo, si duket, ishte e parashikuar që më parë. Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Mehmet Shehu më thotë: ”Nesër duhet të vish në zyrë te unë në ora 08.00, të marrësh në dorë përfundimisht punën!”. Kështu bëra të nesërmen. Më dha detyrat e radhës, më lejoi të shkoj në familje një natë, duke shtuar: “Të marrësh rrobat përkatëse për të jetuar këtu e jo të shkosh çdo të diel në shtëpi, derisa të rregulloheni me shtëpi!“Kur shova në familje në Fier, babai (Muhameti) më thotë: ”Djali i babait, të ngritën në përgjegjësi të madhe, pse të duhej kjo… Kujdes se ai kur po dënon ata që kanë bërë luftën dhe i ka pasur shokë, po tyja çfarë të ka…Unë ta kam shumë merakun”. Këto fjalë të babait as nuk i prisja, por as nuk i kundërshtoja, por mirë nuk më erdhi, edhe pse m’i tha, po edhe se unë kisha shumë besim tek udhëheqja se nuk do të përfundoja si paraardhësit e mi, duke menduar se ata u cilësuan “armiq”, unë nuk bëhem kurrë i tillë. Por koha do të vërtetonte se unë isha gabuar, se edhe unë dola pas 8 vjetësh “armik”. Në mbledhjen e këtij plenumi u vendos që të shkrihet Drejtoria Politike e Ushtrisë dhe këto funksione t’i merrte aparati i KQP-së, se në ketë drejtori pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore ishin bërë shumë “krime”. Këto kusure nuk mbaruan vetëm me kaq; ato vazhduan me analiza më të “hollësishme” . Me porosi të aparatit të KQP-së do të vazhdonin më tej analizat për zbulimin e goditjen e “armiqve“ të tjerë që mund të kenë mbetur brenda partisë dhe ushtrisë. Orientimi ishte që duhet të zbulohen sa më shumë e të merren masa sa më të rrepta. Në këto analiza, sipas orientimeve, shumë ish-kuadro të emëruar në aparatin e ministrisë, duhej të merrnin pjesë dhe të informonin KQP-në. Unë u mendova t’u shmangesha këtyre analizave, se isha tepër i zënë me punën e detyrës se re. Por shokët e komitetit ë partisë së ministrisë këto analiza i caktuan mbasdite. Desha s’desha, lotaria me ra, ose me mirë të them, m’u caktua të merresha me dy figura kryesore që ishin në udhëheqjen e ministrisë. Në analizën e ish-drejtorit të zbulimit të ushtrisë, Andon Shetit dhe ish-drejtorit të Drejtorisë së Forcave Vullnetare, Muhamet Prodanit. Në analizën e organizatës ku bënte pjesë Andon Sheti, u ngritën shumë probleme të karakterit të tij, sidomos të shfaqjeve të arrogancës e prepotencës, të vetëvendosjes pa pyetur shokët drejtues apo zëvendësin e tij, por gjithçka ashtu siç mendonte ai. U fol shumë se ai edhe detyrat nuk i ka kryer mirë, sepse asnjëherë nuk kishte bërë analiza të bazuara në realizimin e planit të punës së drejtorisë dhe nuk kishte pyetur asnjëherë për organizatën, bile kritikat i kishte përçmuar aq shumë, sa në disa raste kishte kaluar në ofendime. Personalisht, me sa mundësi që pata, u mundova për ta ndihmuar që të mos shkonim në masë ekstreme, në përjashtimin nga partia, se nga ushtria ishte çmobilizuar. Por me ato gabime dhe me ato propozime që u paraqitën unanime, ishte përjashtim përfundimtar nga partia. Organizata kështu vendosi, po kështu pas dy ditësh edhe komiteti i partisë së ministrisë. Andoni kërkoi me çdo kusht të mos përjashtohej, por të paktën të mbetej kandidat partie dhe stazhin ta bënte në një sektor nga më të vështirët. Po kështu edhe në organizatën ku bënte pjesë Muhamet Prodani u ndodha shumë keq. Për Muhametin çfarë nuk u ngritën se problemet ishin marrë me porosi të gjitha. Problemet pothuaj se u përqendruan në 10-vjeçarin e fundit te personi i tij. Ideja ishte dhënë sekretarit të organizatës se ai Muhameti, duhej përjashtuar si pjesëtar i grupit “puçist” të Beqir Ballukut. Ku si e pse, këtë e dinte “partia”Vetë Muhamet Prodani bëri autokritikë, e kërkonte me çdo kusht të mos përjashtohej nga partia. Ai kërkoi të ngelet kandidat partie e të shkoj kudo që ka nevojë partia, e atje do ta justifikojë gabimin që ka bërë. Atëherë në një seancë pushimi, unë bisedoj me një komunist që ishte dhe zëvendësdrejtor i kësaj drejtorie bashkë me Muhametin, me Feti Rashon. Ai ishte i mendimit që po të mos kisha unë në kundërshtim, Muhameti të ngelej kandidat. Unë isha po i atij mendimi dhe ky propozim kështu u bë. Por shokët të gjithë nuk ishin dakord dhe me vota, u vendos përjashtimi i tij. Pas dy ditësh, dhe ai, po nga komiteti i partisë u përjashtua nga partia. Urdhri ishte i prerë, kush do të përjashtohet, kush do të kthehej në kandidat e kush nuk do të dënohej fare në parti. Siç ndodhi me Adnan Qatipin, që me porosi të Enver Hoxhës nuk duhej të përjashtohej nga partia, pavarësisht nga gabimet e përsëritura që mund të ketë pasur gjatë gjithë kohës së tij?Pas disa ditësh më njoftuan se me vendim të Byrosë Politike dhe disa me urdhër të ministrit të Mbrojtjes ishin çmobilizuar nga ushtria, prandaj unë duhej t’i thërrisja e t’u komunikoja këto vendime e urdhra. Midis tyre kishte ish-komandantë e komisarë të shkollës së Bashkuar të Oficerëve, të Akademisë Ushtarake, të Institutit të Studimeve Ushtarake, ish-komandantë korpusesh dhe disa bashkëpunëtorë me mua në aparatin e ministrisë para disa vitesh. Të gjithë këta i shikoja me bisht të syrit dhe me keqardhje, se më vinte shumë keq. Midis tyre unë do të veçoja ish-komandantin e Shkollës së Bashkuar, Enver Begën, që kam pasur e kam respekt të jashtëzakonshëm, pasi e kam pasur për shumë kohë eprorin tim, një kuadër tepër serioz, korrekt, kërkues e zemërbardhë. Po nuk ke çfarë i bën, detyra, koha, momenti, situata, pamundësia e kërkonte të bëhej siç ishte vendosur nga lart. Mbi të gjitha, vendimi i partisë. Të gjithë kësaj armate të madhe kuadrosh të luftës që u dënuan, iu ngjit nga një „bisht“: dikujt liberal, dikujt kalemxhi, dikujt vasal, pastaj pati edhe nga ata që u quajtën agjentë të UDB-së, KGB-së, CIA-s, dikush komplotist, dikush kundërshtar i X, dikujt përkrahës i komplotistëve etj. Fatkeqësi se ishin të gjitha te trilluara...