e enjte, shkurt 02, 2006

Tragjedia e Fekenit, orteku që mori jetën e 11 studentëve ushtarakë



Tragjedia e Fekenit, orteku që mori jetën e 11 studentëve ushtarakë
62 të tjerë mbetën të plagosur dhe të gjymtuar rëndë

Afrim Imaj

Tragjedia e Fekenit! Kështu është regjistruar tashmë jo vetëm në kujtesën e ushtarakëve ngjarja e rëndë e 6 shkurtit e vitit 1981, ku humbën jetën 11 pedagogë e studentë ushtarakë, gjatë një stërvitjeje dimërore në malin me borë mbi Dajt. Në historikun e saj të pas Luftës së Dytë Botërore, ushtria shqiptare e ka memorizuar këtë si ndodhinë më të rëndë, me numrin më të madh të viktimave e të lënduarve.
Ndërkohë që kanë kaluar plotë 25 vjet qysh atëherë, në opinionin publik është folur gjithmonë me rezerva për katastrofën që ndodhi gjatë atij demonstrimi, në kushte shumë të vështira moti e terreni. Madje, në periudhën kur ndodhi, autoritetet zyrtare ndaluan në mënyrë të prerë transmetimin e lajmit në mediat e kohës. Për vite të tëra, ngjarja u vesh me një lloj misteri dhe në asnjë rast, gjatë periudhës së komunizmit, për të nuk u zhvillua ndonjë ceremoni zyrtare, përjashtuar takimin e përvitshëm të familjarëve të viktimave në vendin e ngjarjes dhe përshpirtjen e bashkëkohësve të tyre në mjediset e Akademisë Ushtarake. Vetëm pas viteve ‘90, të rënët e ortekut të Fekenit u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe të mbijetuarit u dekoruan me medalje të ndryshme. Gazeta “Panorama” sjell për herë të parë një profil të plotë të asaj që u përjetua në atë ditë të ftohtë shkurti mes studentëve të Shkollës së Lartë të Oficerëve, të goditur befasisht nga një ortek i fuqishëm bore që përpiu vetëm në pak sekonda rreth 150 prej tyre. Ngjarja vjen kësisoj, çast pas çasti, në rrëfimin e katër dëshmitarëve, që më shumë se të tillë ishin ndër protagonistët kryesorë të organizimit shembullor, që bëri të mundur kufizimin maksimal të viktimave e pasojave të asaj katastrofe të jashtëzakonshme…Bashkim Lika: Orteku i parë rrëmbeu më shumë se gjysmën e kolonësNjeriu që rrëfen çastet e para të asaj goditje të befasishme, është njëri nga ish-pedagogët e përgatitjes fizike, që atë ditë udhëhiqte marshimin e dy nënreparteve. Ka qenë pikërisht në qendër të goditjes nga orteku dhe ka parë me sytë e tij tërë atë “gjëmë”, siç thotë ai “që rrëmbeu, sa hap e mbyll sytë, gati tërë kolonën e gjatë të studentëve që i ngjiteshin Micekut”. Teksa riprodhon ngjarjen, Bashkim Lika nuk mund ta përmbajë dhimbjen dhe hera herës ngashërehet si nga një lëndim i brendshëm, që lidhet pikërisht me tragjedinë e papritur të atij fillimshkurti të acartë. Rrëfimi i tij nis me kronologjinë e atij demonstrimi alpinistik mbi majëmalet e ngarkuara me dëborë...“Ishte mëngjesi i 6 shkurtit i vitit 1981. Ishte një ditë e ftohtë dhe me erë të rrëmbyeshme. Me 12 toga, që kishin në përbërjen e tyre 204 studentë, atë ditë do të përpunonim ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe bore. Nisja ishte e zakonshme, si në të gjitha ditët e tjera. Kolonën e marshimit e udhëhiqte, si gjithnjë në të tilla stërvitje, pedagogu i talentuar Mark Mici, i cili me trupin e lehtë dhe kondicionin e lartë fizik, printe gjithë optimizëm dhe energji. Për çdo rast nevoje, ishin 15 pushkatarë të vendosur 5 në krye të kolonës, 5 në mes dhe 5 të tjerë në fund të saj. Ata garantonin jetën e shokëve nga çdo e papritur gjatë marshimit. Kështu veprohej gjithnjë në demonstrime që bënim jashtë fushimit e sidomos gjatë stërvitjeve në lartësi dhe në pyje, ku edhe gjatë verës nuk ka jetë. Na kishte ndodhur jo rrallë përballja me kafshë të egërsuara, maje edhe me arinj të uritur. Gjithsesi, vështirësive të kësaj natyre ua kishim marrë dorën dhe u paraprinim me masa sigurie të veçanta...Kur kreu i kolonës arriti në majën “Tre pemët e vetmuara”, siç e kishim koduar në hartat tona topografike, na rrëshqiti nën këmbë me një shpejtësi të jashtëzakonshme e tërë faqja e malit, mbështjellë me një trashësi të madhe dëbore. Ishte një goditje e beftë dhe e fuqishme, që ushtoi me një gjëmim shurdhues dhe rrëmbeu me vete sa hap e mbyll sytë gati gjysmën e kolonës. Për pak sekonda shokët humbën nën trashësinë e dëborës. Sakaq, ai mal i madh dëbore rrëshqiste e rrëshqiste me shpejtësinë e rrufesë shpatit të thepisur. Panik dhe ulërima, thirrje dhe krisma vijuan për pak çaste. Ata që mundën të dalin nga masivet e bardha të borës bërtisnin e kërkonin ndihmë, për të shpëtuar shokët e mbetur në rrënojat e ortekut, që aty për aty kishte gëlltitur gjysmën e efektivit...”Njeriu që e ka parë nga afër goditjen e parë, kujton ndërkaq edhe çastet kur përballej vetë me vdekjen: “Më rrëmbeu vala e parë dhe nuk dija ku më çonte nëpër rrokullimë. U përplasa diku, mesa dukej në trungun e një peme dhe më mbuloi sërish një masiv i madh bore. Isha mpirë i tëri dhe kur bëra të lëviz paksa, majat e gishtave më prekën në fytyrën e njërit prej shokëve të tjerë, që rënkonte me dhimbje mbi trupin tim. Mblodha për një çast veten dhe u përpoqa të dal mbi masivin e borës. Këtë provë kishte filluar të bënte edhe studenti që kishte rënë mbi mua. Dhe ashtu, të goditur e të gjakosur mundëm të çohemi në këmbë. Mblodha për një çast veten dhe hodha vështrimin përqark, kur ç’të shikoja, trupa të gjymtuar, pajisje e orendi të shpërndara poshtë e lartë dhe shokë që bërtisnin e bërtisnin. Kishte ndodhur hataja e vërtetë, po aty për aty askush nuk mundte të bënte një bilanc të plotë. Kush kishte humbur, kush ishte gjymtuar, sa kishin vdekur, sa të tjerë prisnin me shpresë nën rrënojat e bardha të ortekut. Ndërkaq, në komandë, në qendër të fushimit ishte dhënë kushtrimi dhe pritej nga momenti në moment të vinin shokët e tjerë, për të kërkuar të humburit dhe për të transportuar të gjymtuarit. Në krye të këtij reagimi u gjend menjëherë ushtaraku i shtabit të përgjithshëm, Bashkim Topçiu, që atë ditë kishte ardhur për të inspektuar demonstrimet stërvitore në kushtet e vështira të motit dhe terrenit. Pastaj, të gjithë që nga komanda e shkollës, repartet e tjera e deri te punonjësit civilë...”Petrit Murzaku: Orteku i dytë ishte më i fuqishëm dhe më tragjik“Orteku i dytë ishte edhe më i tmerrshëm e tragjik. Tashmë, te vendi i ngjarjes ishte grumbulluar gati tërë efektivi i shkollës, për të ndihmuar të dëmtuarit dhe për të kërkuar trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës. Afërsisht, pas dy orësh nga orteku i parë, goditi furishëm dhe në mënyrë të papritur i dyti, që shkaktoi edhe më shumë viktima...”. Kështu e nis përmbledhtas rrëfimin e tij Petrit Murzaku, njeriu që është gjendur në vendin e ngjarjes fill pas dhënies së sinjalit të kushtrimit, pastaj i rikthehet me detaje “gjëmës”, siç thotë ai, që ka parë me sy...“Lajmin, për që kishte ndodhur me togat që bënin ngjitjen malore, e mora vesh në godinat e fushimit. Menjëherë komunikova me komandantin e shkollës, Rustem Peçin, i cili në tronditje e sipër bëri organizimin e parë për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga orteku i borës. Për te vendi i ngjarjes u nis rrufeshëm toga e gatishmërisë, e drejtuar nga Vasil Nathanaili, bashkë me ne, një grup kuadrosh të shtabit të shkollës që ato çaste ishim të angazhuar me detyra të tjera. Vetëm në pak çaste u gjenda aty, ku kolona ishe kacafytur me përbindëshin e bardhë dhe u tronditëm nga pamjet rrëqethëse e zërat lemeritës të studentëve, që nga plagët e shumta dhe dhimbja për shokët e vdekur, ishin pushtuar nga një gjendje ankthi dhe përjetonin një dramë të jashtëzakonshme. Njeriu që kishte udhëhequr marshimin, pedagogu i talentuar dhe shumë energjik, Mark Mici, kishte pësuar goditje psikike dhe lëvizte kuturu mbi relievin e përgjakur, duke bërtitur me fjalë e thirrje të pakuptimta: “Ishin shokët...” “Humbën shokët...”, “Na ra mali mbi krye...”. E mbërtheva për supesh për ta përmendur dhe urdhërova dy-tre nga ushtarët e togës së gatishmërisë për ta çuar në fushim. Po Marku edhe në ikje vazhdonte të njëjtin ritual: “Ishin shokët... Humbën shokët...”. Pasi ndava grupet e studentëve dhe pedagogëve për të kontrolluar në hapësirën ku orteku ishte përplasur së fundi dhe kishte gëlltitur në thellësi të tij trupat e pesë studentëve që ende nuk ishin gjetur, fillova të gërmoj pranë trungut të një lisi, ku dalloheshin gjurmë gjaku dhe një palë dorashka të zeza që kishin mbetur mbi sipërfaqe. Gati në gjysmë metri thellësi, duart më prekën trupin e studentit Besnik Shehu dhe fillova ta nxjerr me kujdes. E dallova që në vështrimin e parë, ndërsa i bëja frymëmarrje artificiale. Ai ishte njëri nga studentët e njohur në mjediset e pedagogëve jo vetëm për rezultate të shkëlqyera në mësime, por edhe për emrin e mirë që kishte bërë në ekipin e futbollit të shkollës dhe në grupin polifonik të Ansamblit Artistik të Ushtrisë, ku kishte spikatur, sidomos me interpretimin e këngës “Birbilenjtë trembëdhjetë...” Bëra ç’është e mundur për ta risjellë në jetë, po zemra e tij me sa dukej kishte pushuar së rrahuri. Pak më tej, gjeta trupin e coptuar të studentit Aleko Gjoni. Vazhduan gati dy orë gërmimet në dëborë. Me grupin tonë ishte bashkuar ndërkohë edhe pjesa e komanduesve dhe pedagogëve të tjerë, që kishin ndërprerë stërvitjen në terren dhe kishin mbërritur aty me një frymë. Ndër ta, më kujtohet Dushan Shameti, Nikollaq Bero, Çlirim Pulaj, Luftar Guri, Myzafer Kambo, Abaz Cipi, Sali Gjokutaj e dhjetëra të tjerë, që për çaste të tëra, me lot në sy, kërkonin trupat e studentëve të fundosur nga orteku. Tre të parët do të kishin fatin e keq që, gjatë këtij operacioni për të shpëtuar shokët, do të mbeteshin edhe vetë, duke u bërë pishtarë të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor...”Deri këtu rrëfimi i njeriut që ka drejtuar katedrën e përgatitjes fizike, vjen i plotë e me po atë vlagë që është përjetuar para 25 vitesh. Për atë që ka ndodhur më tej, Petrit Murzaku e ka të vështirë ta zbardhë e shtjellojë. Për të ka dëgjuar çfarë i kanë thënë të tjerët, pasi për vete, siç thotë, ka qenë nën dëborë. “Ndërkohë që po bënim një bilanc të asaj që kishte ndodhur, ia befi orteku i dytë, shton Petriti. I befasishëm, tronditës dhe me një zhurmë të llahtarshme, na ra mbi krye sa hap e mbyll sytë. Më rrëmbeu masivi i borës dhe nuk dija ku më çonte me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Ndjeja që përplasesha hera herës me gurë e pemë dhe vazhdoja të rrëshqitja pa u orientuar se çfarë po ndodhte. Për çaste të tëra kështu, derisa orteku mbi mua do të përplasej furishëm në honin e rrugës, ku fillonte një masiv i dendur pemësh. U përmenda për një moment dhe pashë që isha ende gjallë. Në zgavrën ku kisha mbetur, provova të zgjas njërën dorë dhe të mundohem për t’u çuar, po sasia e borës mbi trup më zhyti më thellë. U përpoqa sërish të orientohem dhe vazhdova të gërryej mbi masivin e bardhë që më zinte frymën dhe më rëndonte pa masë. Munda të nxjerr jashtë vetëm dy gishtat e njërës dorë dhe kjo kishte mjaftuar që, të tjerët, të mbijetuar fatmirësisht nga kjo gjëmë e madhe, të më nxirrnin nga thonjtë e vdekjes me të cilën bashkëjetova për minuta të tëra nën dëborë. Ndërsa mora disi veten, pashë se më kishte mbetur brenda njëra nga çizmet. Duke kërkuar për të, shokët, fare rastësisht, gjetën nën trashësinë e dëborës trupin e një studenti që ishte në grahmat e fundit. E nxorën menjëherë dhe si e përmendën, e nisëm për në spital. E deshi fati që edhe ai të mbijetojë. Kur kuroheshim bashkë në Spitalin Ushtarak, më thoshte shpesh me shaka se jetën e kishte dhuratë nga çizmja ime...Orteku i dytë na mori kështu jetën e gjashtë shokëve, mes të cilëve tri pedagogë, dhe gjymtoi mbi gjashtëdhjetë të tjerë, dy prej të cilëve ishin Përparim Veliu nga Saranda dhe Luan Muça nga Peshkopia, që mbetën për tërë jetën të paralizuar.

“Deshmore te Atdheut”
Dushan Shameti komandant batalioni
Çlirim Pulaj oficer shtabi
Nikollaq Bero pedagog
Besnik Shehu student
Ilir Gramatikoi student
Bujar Ago student
Aleko Gjoni student
Qemal Lika student
Bilbil Pashai student
Nexhip Çoba student
Pëllumb Rrapo student

neser do te lexoni
Çfarë fshihej pas urdhrit të mbërritur te autoritetet e larta ushtarake nga sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, për të mos e bërë të ditur ngjarjen për median.
Pse urdhëroi Kadri Hazbiu që mos të botohej në gazetën “Luftëtari”, organin qendror të Forcave të Armatosura në atë kohë, shkrimi i bërë enkas për këtë situatë nga një brigadë shtypi e ngritur me urgjencë, që operoi në vendngjarje bashkë me grupin e emergjencës.
Enigmat dhe misteri i transportimit të trupave të viktimave vetëm në muzgun e natës dhe mundësisht në kushtet e mungesës së plotë të kontaktit me qytetarët e tjerë.
Urdhri i Mehmet Shehut për t’i veshur studentët e vdekur me uniformën e ceremonialit të oficerit dhe porosia e tij për drejtuesit vendorë, për të qenë të kujdesshëm e vigjilentë gjatë ceremonive mortore.