e diel, shkurt 05, 2006

Gjovalin Shestani tregon për luftën e klasave në art



Gjovalin Shestani tregon për luftën e klasave në art

“Mehmet Shehu më solli nga Parisi flautin tre mijë dollarë”
Kryeministri e shpërbleu për performancën përpara Çu En Lait

Manjola Bregasi
3 mijë dollarë për një flaut. Eshtë kjo shuma që vetë kryeministri i atëhershëm i vendit, Mehmet Shehu, ka shpenzuar për të sjellë nga Parisi në Tiranë instrumentin e argjendtë që do të mbërrinte më pas në zyrat e Radio Tiranës.
Por cila qe arsyeja që e shtyu kryeministrin shqiptar të qeverisë komuniste të shpenzonte një shumë të tillë për një instrument muzikor, në një kohë kur diskutohej buka në vend dhe populli jetonte në varfëri? Ishte koha kur Shqipëria shihej nga bota si një shtet i izoluar nga perëndimi, por që shpesh kishte nevojën e miqve. Dhe miku i radhës ishte Kina. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, lideri komunist, Enver Hoxha, dhe qeveria e tij i kthyen sytë nga populli i madh kinez. Në këtë kuadër të marrëdhënieve të ngrohta me këtë vend aziatik, kryeministri i atëhershëm i Kinës, Çu en Lai, e vizitoi tri herë Shqipërinë. Në vitin 1963 Çu en Lai do të mbërrinte në prag të fetës së Vitit të Ri, pasi kishte vizituar më parë vendet afrikane. Ai u prit me nderime të veçanta nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar, por mori takime edhe me punëtorët, artistët, shkrimtarët dhe ushtarakët, për të qenë i pranishëm gjithashtu edhe në Koncertin Shtetëror të Vitit të Ri. Duket se diplomatët e huaj që vizitonin vendin tonë ishin të interesuar të njihnin edhe jetën artistike të shqiptarëve, ndaj shpesh të shoqëruar nga krerët e shtetit, shkonin në koncertet e organizuara posaçërisht për ta dhe që atëherë quheshin “koncerte qeveritare”. Këto aktivitete ishin në një farë mënyre edhe shprehje e respektit dhe nderimi që qeveritarët shqiptarë u bënin miqve. Por cila ishte surpriza që tre artistët shqiptarë, Mentor Xhemali, Zoica Haxho dhe Gjovalin Shestani morën në sallën e operave, pas koncertit të përgatitur me rastin e ardhjes së Çun en Lait në Shqipëri? Cila ishte biseda që këta artistë patën me kryeministrin Mehmet Shehu pas përfundimit të koncertit? Profesor Gjovalin Shestani, flautisti i njohur dhe pedagog në Akademinë e Arteve, i përgatitur në konservatorin Çajkovski në Moskë, tregon historinë e rrallë dhe vlerësimin e kryeministrit shqiptar. Por çfarë do të ndodhte më pas me flautistin, që kishte një vëlla të dënuar në burgun e Spaçit me akuzën për agjitacion dhe propagandë? Si do të fshihej emri i tij nga listat e atyre që do të shkonin për koncerte jashtë, nga rreziku i arratisjes dhe përse arriti të shpëtonte edhe ai nga ndonjë ndëshkim i mundshëm? Ja çfarë ndodhte brenda ambienteve artistike, që nuk ishin aspak të përjashtuara nga lufta e ashpër e klasave. Profesor Gjovalin, ju jeni një prej shumë studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Moskë në vitet e marrëdhënieve të ngrohta me Bashkimin Sovjetik dhe me prishjen e tyre u detyruat të qëndronit në Shqipëri. Si e përjetuat këtë fakt? Në kohën që marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik morën fund, unë kisha mbaruar të katër vitet e konservatorit dhe ndodhesha në Tiranë për t’u përgatitur për diplomën. Lëvizjet kishin nisur të ndjeheshin dhe pëshpëritej që situata me rusët po rëndohej, megjithatë ne studentët kishim shpresa që gjërat të rregulloheshin dhe në fakt nuk e menduam që do të arrihej deri aty. Kur gjithçka mbaroi dhe u vendos që të gjithë studentët nuk do të ktheheshin sërish në Bashkimin Sovjetik, e mblodhëm mendjen. Gjithsesi unë isha vërtet i papërgatitur për një fund të tillë, dhe e kam përjetuar, nuk e mohoj. Madje në shtëpi më mbeti edhe flauti i shkollës, të cilin e kisha marrë me vete për t’u përgatitur për diplomën dhe që duhet ta dorëzoja kur të kthehesha. Mund të na thoni diçka për aktivitetin tuaj artistik pas ardhjes në Shqipëri?Jeta që gjeta në Tiranë në krahasim me jetën që lashë në Moskë ndryshonin si nata me ditën, por isha i detyruar edhe pse të them të drejtën nuk kisha aspak dëshirë të qëndroja këtu. Shumë shpejt fillova punë në Radio Tirana në orkestrën e sapokrijuar të saj. Në çfarë aspekti paraqitej ky ndryshim mes të dy vendeve? Në të gjitha aspektet, duke filluar që nga gjendja ekonomike, kushtet e jetesës, mundësitë për të qenë më i lirë në veprime dhe mendime. Unë u ktheva dhe fillova punë në orkestrën e Radio Tiranës, por në atë kohë në Shqipëri, ndaj studentëve që kishin mbaruar në Moskë, kishte një vështrim më kritik dhe për këtë arsye duhej të ishim më të kujdesshëm për veprimet që bënim apo edhe për kërkesat tona. Për këtë vendosa që të shihja punën dhe të mos pëshpërisja shumë poshtë e përpjetë. Lufta e klasave ekzistonte edhe brenda artit. Por pavarësisht kësaj, ka një mendim që artistët në atë kohë kanë qenë më të privilegjuar nga pjesa tjetër e shoqërisë, jeni ndjerë edhe ju pjesë e këtyre privilegjeve?Mbase duhet të them që varet se çfarë kupton me privilegje, sepse unë mendoj që ata që privilegjohen janë edhe më të rrezikuar, është si një thikë me dy presa, megjithatë privilegj për mua në atë kohë mund të konsiderohej vetëm fakti që kisha një flaut tepër të shtrenjtë, dhuratë nga kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Për të tjerat pastaj, kishim edhe ne artistët telashet tona. Përse kryeministri ju bëri një dhuratë të tillë?Në fund të vitit 1963 në Tiranë erdhi Çu en Lai. Zakonisht kur vinin përfaqësues të rëndësishëm të vendeve të huaja, orkestra e Radios organizonte koncerte të veçanta që quheshin koncerte qeveritare, ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit. Na njoftuan që duhej të përgatiteshim për të dhënë koncert në opera për kryeministrin shqiptar dhe kryeministrin kinez dhe nisëm menjëherë nga provat. Në mbrëmje gjithçka ishte gati. Pasi mbaroi koncerti, Mehmet Shehu, që kishte mbetur i kënaqur nga prezantimi ynë skenik na takoi dhe pasi na përgëzoi na tha se dëshironte të na shpërblente për performancën tonë, ndaj na pyeti se çfarë dëshironim. Në përgjithësi kisha vënë re se ishte natyrë që e donte artin dhe e vlerësonte atë. Kujt tjetër përveç jush iu ofrua një mundësi e tillë? Isha unë, Mentor Xhemali dhe Zoica Haxho. Me sa mbaj mend Mentori kërkoi një piano, Zoicën e bënë Heroinë të Punës Socialiste, ndërsa unë i kërkova një flaut, sepse ai që kisha që nga koha e shkollës nuk ishte i mirë.Cila ishte përgjigja që ju dha kryeministri? Më tha se do të dërgonte dikë për ta mbaruar këtë punë dhe pak ditë më pas më erdhi katalogu nga Parisi. Kush ua solli katalogun dhe ku? Mesa mësova katalogun e kishin siguruar përmes Albimportit dhe ma sollën në radion ku punoja në atë kohë. Mes shumë instrumenteve zgjodha një flaut cilësor prej argjendi, që pak javë më pas mbërriti në zyrat e Radio Tiranës. Për këtë ndihmoi edhe drejtoresha e radios, Nefo Myftiu. Në vitin 1981, kur po bisedoja me artistin francez, Alen Marion, i cili erdhi në vendin tonë për një koncert, mësova që ai kishte dy flaute të tillë, një si imi prej argjendi dhe një tjetër flori. Ky ishte privilegji më i madh që arrita të kem si artist. E keni ende në shtëpi flautin?Ah, jo fatkeqësisht. E përdora për shumë vite atë flaut, por tani as vetë nuk e di se ku mund të ketë përfunduar. Pas ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, diku aty nga vitet ‘90, teksa po kaloja përpara hotel “Dajtit” me çantën në dorë, dikush erdhi me vrap pas shpine dhe ma mori nga dora. Pak më sipër thatë që edhe ju artistët kishit telashe në atë kohë. Nga e kishin burimin? Siç ju thashë, me prishjen e marrëdhënieve me rusët, ne që kishim studiuar në Bashkimin Sovjetik ishim në qendër të vëmendjes sepse shiheshim si kontingjent i rrezikshëm, që kishim marrë një formim të ndryshëm nga kolegët tanë që kishin studiuar në Shqipëri. Për mua gjërat do të vështirësoheshin disi më tepër, pas dënimit të tim vëllai për agjitacion dhe propagandë dhe burgosjes së tij në Spaç në vitin 1972. Ai ishte mekanik dhe u mendua që isha unë frymëzuesi i mendimeve të tij. Për këtë arsye kam pasur shumë telashe, të cilat fillonin që me heqjen e emrit për koncertet jashtë e deri tek ajo ku duhej të isha tepër i vëmendshëm për të mos pasur fatin e tim vëllai.Dhe cila ishte arsyeja që ju nuk e patët një fat të tillë?Mendoj që flauti më ka ndihmuar shumë. Në atë kohë ka pasur disa artistë që kishin probleme të tilla në familje, por ndoshta puna e tyre dhe fakti që u kthyen në njerëz publikë dhe të nevojshëm për shtetin i shpëtoi nga ndonjë ndëshkim i madh. Megjithatë, unë e kam vuajtur shumë edhe nga ideja që emri im fshihej gjithmonë në momentin e fundit për turnetë që zhvilloheshin jashtë vendit. Ndodhte shpesh një dukuri e tillë?Edhe ndodhte. Hera e parë ka qenë në vitin 1962, kur sapo isha kthyer nga Moska. Isha caktuar për të shkuar në koncertin e Finlandës dhe më pas mora vesh, që isha zëvendësuar me dikë tjetër. A e mësuat përse ndodhi ky zëvendësim? Arsyeja ishte e qartë. Në atë kohë isha i pamartuar, ndaj dhe ata kishin frikë se mund të arratisesha, gjë që të them të drejtën e kisha menduar, dhe ku i dihet mund të kem folur diku. Kush ishin ata që e kishin këtë frikë? Organizata bazë e Partisë, që vendoste se kush do të shkonte dhe kush jo. E njëjta gjë ndodhi edhe për koncertin që do të zhvillohej në Kinë. Në atë kohë ishte Simon Gjoni, që bënte propozimet dhe mora vesh që kishte vënë edhe emrin tim, i cili më pas ishte fshirë. Shpesh do të kishte episode të tilla gjatë jetës sime artistike, të cilat aty nga fundi i vitit 1985, kur edhe lufta e klasave ishte zbehur, duket se u fashitën disi, me koncertin në Kosovë, në të cilin mora pjesë edhe unë.

Pedagogu që i shpëtoi ndëshkimit prej flautit
Gjovalin Shestani u lind në qytetin e Shkodrës më 11 prill 1940. Shkollën fillore e kreu në fshatin Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës, kurse edukimin e parë muzikor e mori nëpërmjet korit të kishës nën drejtimin e Dom Zef Pashkos. Më pas vendoset në qytetin e Shkodrës, ku kryen arsimin 7-vjeçar. Nisur nga ecuria me mësime dhe dhuntitë e tij artistike, në vitin 1953 u përzgjodh për të ndjekur liceun artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Në periudhën 1953-1957 kreu ciklin e plotë 4-vjeçar të kësaj shkolle në degën e Muzikës, ku u caktua në specialitetin e flautit. Në shkollën e mesme “Gjovalin Shestani” u përgatit nën drejtimin e prof. Ramadan Sokoli. Pas përfundimit të shkollës së mesme, falë rezultateve të tij të larta, në vitin 1957 Gjovalini u dërgua për të ndjekur studimet e larta në konservatorin e Moskës “P.I. Çajkovski”. Në vitin 1961, pasi kishte kryer të katër vitet e studimeve, me prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u kthye në atdhe. Gjate viteve të studimit në Konservator, ai u aktivizua në shumë aktivitete konceptore si solist dhe orkestrant, duke pasur fatin dhe mundësinë të punojë nën drejtimin e mjeshtrave të mëdhenj rusë si: K. Kondrashi, K. Zanderling, etj. Në vitin 1960, në takimin ndërkombëtar të Konservatorëve të Evropës, i besohet roli i flautistit të parë në Orkestrën e Konservatorit Çajkovski.Me kthimin në atdhe, Shestani u emërua flautist i parë në orkestrën e sapokrijuar të Radiotelevizionit Shqiptar. Në shkurt të vitit 1962 me çeljen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ai ishte një ndër pedagogët e parë të shkollës së lartë muzikore në Shqipëri. Në vitin 1985 për arsye shëndetësore profesionale, e ndërpreu aktivitetin me instrumentin, duke vazhduar më pas si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë. Eshtë vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1984 dhe prej vitit 1999 mban gradën Profesor.

Si më ndiqte sigurimi gjatë takimeve me Alen Marion
Më 10 shkurt të vitit 1981 në Tiranë u zhvillua një koncert i artistëve francezë. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, Gjovalin Shestani do të shoqëronte për disa ditë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore, Alen Marion. Por duket se njolla në biografi dhe vëllai i burgosur i artistit edhe në këtë rast do të krijonin shqetësim për të, aq më tepër kur bëhej fjalë për qëndrime të gjata me një të huaj perëndimor. Edhe pse vetë njerëzit e organizatës së Partisë e kishin ngarkuar të qëndronte me Marionin dhe ta shoqëronte për vizitat e tij edhe jashtë kryeqytetit, ata i kishin vënë pas një agjent të sigurimit, duke e paralajmëruar madje që të kishte kujdes. Për këtë arsye gjatë bisedave me flautistin francez, kur ky i fundit e pyeste rreth studimeve, Gjovalini nuk i tregoi asnjëherë që kishte studiuar në BS. “Gjithmonë e anashkaloja këtë temë dhe ai nuk këmbëngulte, sepse të huajt nuk janë si ne shqiptarët që të insistojnë në raste të tilla”, tregon artisti. “Shpesh ai më përsëriste se duhej të kisha studiuar jashtë”. Dhe kjo ishte e vërtetë, vetëm se Gjovalini nuk arriti kurrë të merrte diplomën e “Çajkovskit”. Gjithsesi nën drejtimin e kompozitorit Çesk Zadeja, ai e mbrojti diplomën në vitin 1961 në Tiranë, por i mbeti një kujtim i bukur nga “Çajkovski”. Pikërisht flauti që ai kishte marrë në universitet për t’u përgatitur gjatë verës mbeti në Shqipëri së bashku me Gjovalinin. Me këtë instrument, artisti luajti disa herë në skenat tona dhe jashtë tyre, deri në momentin e zëvendësimit të tij nga flauti i ri.

Flautisti u diplomua në TiranëPrishja e marrëdhënieve me rusët e sjell në Tiranë pa diplomë
Gjovalin Shestani është një nga shumë stdudentët shqiptarë që pati fatin e mirë dhe të keq të studionte në Moskë. Fatin e mirë sepse studioi përkrah emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në konservatorin “Çajkovksi”, por fatin e keq, sepse me prishjen e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, ai u detyrua të qëndrojë në Shqipëri si shumë studentë të tjerë, pas katër viteve studime pa e marrë diplomën. Kjo ishte një ngjarje që la shije tepër të hidhur tek studenti shqiptar, i cili nuk e priste të përballej me këtë dukuri, pikërisht pasi kishte përfunduar krejt studimet në një prej konservatorëve më të mëdhenj të botës. Ishte krejtësisht i papërgatitur kur mësoi që nuk kishte më të drejtë të shkelte në Rusi për t’u diplomuar. Megjithatë emri i Gjovalin Shestanit është tashmë tepër i njohur në konservatorin “Çajkovski”, ku ai luajti si flautist i parë i orkestrës.