“Beteja te Shkolla e Bashkuar, si shmangëm tragjedinë”
“Beteja te Shkolla e Bashkuar, si shmangëm tragjedinë”
Habazaj: Ekzistenca e studentëve të politizuar përbënte rrezik konflikti
Manjola Bregasi
Çasti kur turma e irrituar e njerëzve rrëzoi nga sheshi “Skënderbej” bustin e diktatorit Enver Hoxha, do të sillte në Shqipëri edhe fundin e regjimit komunist. Mesdita e 20 shkurtit të vitit 1991 shënoi për shqiptarët një moment historik dhe të paharrueshëm për të gjithë ata që e jetuan atë kohë.
Enver Hoxha, njeriu që për më tepër se 45 vjet me dorën e tij të hekurt kishte drejtuar dhe qeverisur Shqipërinë, tashmë shtrihej rrugëve të Tiranës, duke u tërhequr zvarrë nga po ata njerëz, që vite më parë e kishin duartrokitur. Askush nuk kishte mundur ta ndalte atë çast. As qeveria e asaj kohe, që prej muajsh kishte marrë goditje të forta dhe as forcat e saj policore. Por, sigurisht një ndryshim i tillë dhe kaq drastik, që do të sillte shndërrimin e të gjithë sistemit politik në vend, nuk mund të konceptohej njëlloj nga të gjithë qytetarët. E ndërsa të rinjtë, ata që përqafuan menjëherë ndryshimin vraponin të ekzaltuar nëpër shesh duke brohoritur, kishte të tjerë, ata që të mësuar dhe edukuar me një frymë komuniste për një jetë të tërë, që teksa ndiqnin ngjarjen nga ekrani i televizionit ndjeheshin të shqetësuar. Çuditërisht një fenomen i tillë ndodhi edhe me ushtarakët e Shkollës së Bashkuar. Këta njerëz mendonin se pëshpërimat e tipit: “Enveri ra”, apo “studentët e rrëzuan Enverin” po sillnin edhe rrëzimin e shtetit dhe fundin e gjithçkaje. Dhe në fakt, situata e vështirë në ato ditë të ftohta shkurti po rëndohej me ngjarje sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme, që pasonin njëra –tjetrën. Gjate grevës së studentëve në kinoklubin e Qytetit Studenti, turmat e njerëzve në sheshin “Skënderbej” kishin rrëzuar bustin e diktatorit, ndërkohë që jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria ziente. Kështu e gjeti kryeqytetin edhe 21 shkurti i vitit 1991, me njerëz të tubuar, të cilët kishin vendosur të marshonin drejt bllokut të udhëheqjes. Por ç’ndodhte në majën më të lartë të piramidës shqiptare, tashmë që baza e saj kishte lëvizur fort? Si po i përjetonin njerëzit e kreut të shtetit, ditët e fundit të qeverisjes komuniste? E ndërsa drejtuesi i atëhershëm i vendit Ramiz Alia përpiqej të gjente zgjidhje në një situatë të atillë, më 22 shkurt, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve ndodhi një dukuri e paparashikuar, që krijoi pështjellim te jashtëzakonshëm për të gjithë. Oficerët e këtij institucioni u ngritën kundër heqjes së monumentit të diktatorit në sheshin “Skënderbej”, madje guxuan të kërkonim rivendosjen e tij, duke iu drejtuar vetë Ramiz Alisë, si përgjegjës dhe fajtor që nuk arriti ta mbronte monumentin. Këta ushtarakë shpallën edhe një komision të quajtur komisioni Nismëtar i Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit dhe Atdheut, dhe përmes një peticioni drejtuar presidentit, partive politike dhe mbarë popullit, kërkonin mbajtjen e një referendumi për këtë çështje. Në një takim që u zhvillua mes përfaqësuesve të partive politike dhe ushtarakëve pati replika të ashpra. Situata degradoi edhe më tej, kur ambientet e Shkollës së Bashkuar u rrethuan nga civilët, të cilët dy ditë më parë, të mbushur me urrejtje, e kishin rrëzuar diktatorin nga piedestali. Të gjitha këto momente krijonin një situatë të tensionuar si brenda ashtu edhe jashtë mureve të shkollës, duke çuar në vdekjen e disa personave. Përflitej se qeveria e asaj kohe po përgatiste një grusht shteti, në përpjekje për të qëndruar ende në fuqi. Por, si e menduan njerëzit e piramidës shtetërore dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare zgjidhjen e problemit të krijuar? Cilat qenë mendimet që u shtruan? Si u provokuan nga jashtë drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare? Cili ishte urdhri që Ramiz Alia lëshoi në ato momente drejt ushtarakëve, për të ruajtur rendin dhe qetësinë? Përse vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë kërkoi nga ministri heqjen e bustit të Enver Hoxhës nga ambientet e Shkollës Ushtarake të Bashkuar? Në pjesën e fundit të kujtimeve të tij për ato ngjarje vendimtare në historinë e Shqipërisë, ish-shefi i Shtatmadhorisë, Halim Habazaj, për herë të parë zbulon disa nga misteret që veshën atë çështje aq të përfolur, duke saktësuar vendin e ushtrisë në ngjarjet që ndodhën. Zoti Habazaj, në vitet 1990-1991, ju keni qenë dëshmitar okular i disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë shqiptare. Bëhet fjalë për momentin kur në vend u ndërrua sistemi politik. Dy ditë pas rënies së bustit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, oficerët e Shkollës së Bashkuar reaguan duke kërkuar rivendosjen e tij. Ky veprim shpesh është cilësuar edhe si grusht shteti. Ç’mund të na thoni ju si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në atë kohë rreth këtij fakti?Eshtë e vërtetë që në këtë periudhë unë kam qenë në krye të ushtrisë shqiptare, por në lidhje me atë që po ndodhte në ambientet e Shkollës së Bashkuar jam informuar nga televizori. Çfarë bëtë në atë moment? Sigurisht që ishte një çast i vështirë dhe krejt i papritur. Në radhë të parë, në këtë ngjarje kishim të bënim me thyerje të hapur të rregullores ushtarake, e cila në asnjë mënyrë nuk lejonte tubime kolektive dhe aq më tepër në ambientet e brendshme të shkollës. Menjëherë mora kontakt me ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, i cili kishte biseduar dhe ishte konsultuar ndërkohë me Ramiz Alinë. Dhe cili ishte urdhri i Ramiz Alisë në ato momente?Vlerësimet e situatës në atë kohë janë bërë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, i drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ramiz Alia, me të cilin ato ditë kam komunikuar shpesh në telefon, duke i raportuar në lidhje me situatën e krijuar. Megjithatë, urdhri kryesor i Ramizit ishte, që në asnjë mënyrë nuk duhej të vriteshin njerëz. Këtë urdhër e morët nga Ramizi apo nga ministri i Mbrojtjes? Nga ministri gojarisht dhe nga Ramizi përmes telefonit.Si vepruat më pas? Aty, në zyrën e Kiço Mustaqit, menjëherë thirrëm komandantin e shkollës dhe pasi biseduam gjerësisht në lidhje me problemin u thashë: “Nëse do të vazhdojmë ta lemë situatën të degjenerojë me tubime kolektive brenda reparteve, do të bëjmë gabimin më të pafalshëm, do të kompromentojmë rolin e ushtrisë, ndaj mendoj që më mirë të arrijmë deri në masa të atilla, që ta mbyllim shkollën. Ky ishte mendimi im, të cilin edhe ministri e mbështeti. Mendonit që kjo ishte zgjidhja më e mirë? Ajo ishte një masë e rreptë, por nëse do të vazhdohej në atë gjendje dhe degjenerim nuk kishte asnjë arsye për t’u mbajtur shkolla. Cili ishte urdhri apo vendimi që morët në zyrën e ministrit për të zgjidhur situatën, ndërsa bisedonit së bashku me komandantin e shkollës më 22 shkurt të vitit 1991?E menduam të arsyeshme se katastrofa mund të evitohej me qëndrimin e oficerëve brenda ambienteve të shkollës. E pamë të udhës që me çdo kusht studentët duhej të qëndronin në shkollë, dhe besoj që nuk gabuam. Ishim në momentet e ndryshimit të sistemit politik dhe natyrisht që probleme do të kishte, por unë mendoj që në Shqipëri ky ndryshim u bë më lehtë se në shumë prej vendeve të tjera, që drejtoheshin nga sisteme monopartiake apo komuniste. Duke qenë se më sipër folëm për kompromentimin e rolit të ushtrisë. Le të ndalemi pak këtu. Shpesh është përfolur pozicioni i saj në ato momente. Ju si shef i Shtatmadhorisë, a i përligjni këto thënie?Nuk duhet të harrojmë që situata e krijuar ishte tepër e tensionuar dhe ndikimi i jashtëm tek oficerët ishte jashtëzakonisht i lartë. Mbi të gjitha, duhet të dimë që ushtarakët ishin njerëz të popullit, ishin pjesë e popullit dhe jashtë mureve të shkollës kishin edhe ata familjet e tyre. Ushtria ishte edukuar që ta donte popullin dhe gjithashtu, edhe ajo e priste ndryshimin, madje e pranoi atë. Nëse shkolla do të kishte dalë nga ambientet e saj, atëherë vërtet besoj që do të kishte pasur ndonjë katastrofë, ndaj thashë më sipër që nuk gabuam kur morëm një vendim të tillë. Për mua ushtria është ajo pjesë e shtetit shqiptar të atëhershëm, që nuk i hapi vendit asnjë plagë, pavarësisht provokimeve që kemi pasur edhe ne si drejtues të saj. Cili ka qenë karakteri i këtyre provokimeve?Ato nisnin që me telefonatat anonime, që kam marrë edhe unë personalisht, ku njerëz të panjohur më bënin pyetje se përse duhej që ushtria të mbante akoma armët apo të ekzistonte, e deri tek provokimet që u bënë në shkollë. Elementë destruktivë nga jashtë bënë që për disa ditë aty të ndërpritej furnizimi me ujë të pijshëm dhe ushqime, dhe situata jetike të bëhej tepër kritike. Ç’qëndrim keni mbajtur ju si shef i Shtabit të Përgjithshëm ndaj këtyre provokimeve? Synimi im ka qenë që ushtria të ruhej gjithmonë e pastër, të shmangeshin provokacionet dhe të zbutej situata. Për këtë arsye, pak ditë pas rënies së bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, i kërkova vetë ministrit të Mbrojtjes të hiqnim edhe bustin që ndodhej në Shkollën e Lartë të Bashkuar, që mbante emrin “Enver Hoxha”. Cili qe reagimi i tij? Pasi i dhashë arsyet përse mendoja ta bëja një veprim të tillë, me qëllim që ta mbanim ushtrinë jashtë polemikave, ai pranoi. Në orën 21:00 të mbrëmjes thirra komandantin e shkollës, komandantin e Akademisë, drejtorin e Drejtorisë së Xhenios në ministri dhe komandantin e Regjimentit të Fortifikimit. U dhashë urdhër ta hiqnin monumentin, ta largonin dhe të shmangnin ndonjë incident provokativ. Për çudinë time, të nesërmen në mëngjes busti ishte në vend. Nuk e kishin hequr. Cila ishte arsyeja e moszbatimit të këtij urdhri?Këtë nuk di ta them, ndoshta ata kështu e kishin parë të arsyeshme. Si u hoq më pas busti nga këto ambiente? Ato ditë unë u largova nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe u emërova komandant i Akademisë. Në vendin tim erdhi ish-komandanti i Akademisë. Njëkohësisht, ministër i Mbrojtjes u emërua, Perikli Teta. Gjatë kryerjes së detyrës si komandant i Akademisë, çdo mëngjes shikoja grumbuj njerëzish që lëshonin thirrje: “Akoma këtu Dulla?”, “Përse ju duhet?”. Si vepruat pas këtyre reagimeve? Duke dashur ta mbaj ushtrinë larg këtyre gjërave, si komandant i Akademisë i kërkova ministrit, Perikli Teta, heqjen e bustit dhe ai pranoi. Kur e hoqët bustin dhe a pati reagime nga studentët për heqjen e tij? Bustin e hoqëm me shumë lehtësi gjatë natës, duke i zbërthyer vidat që e mbanin dhe e dërguam në një prej magazinave të ushtrisë. Në mëngjes nuk pati asnjë reagim dhe gjithçka u mbyll me aq.
<< Home