e hënë, shkurt 20, 2006

Balluku: “Ka urdhëruar, Enveri!“. Konflikti me Beqir Ballukun për të quajturat „Teza të zeza“

Balluku: “Ka urdhëruar, Enveri!“. Konflikti me Beqir Ballukun për të quajturat „Teza të zeza“


Veli Llakaj


Firma për materialin, frikë e panik tek oficerët madhorë Kundërfirma nga drejtorët e drejtorive në ministri dhe komandat e korpuseve, pas njohjes së materialit „Tepër sekret“ në verën e vitit 1974, ka vënë në siklet, pse jo edhe frikë, ushtarakët madhorë. Kjo për faktin se në atë material, që sipas urdhrit, do të shërbente për pasurimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes e hartimin e artit ushtarak popullor, ndryshonin shumë koncepte teorike e praktika të deritanishme, si në strukturën organizative (parashikohej krijimi i divizioneve), ashtu dhe në planin taktik (mënyra e organizimit të mbrojtjes). Kështu, siç konfirmon në shënimet e radhës Llakaj, për shumë ushtarakë madhorë, përfshirë dhe vetë atë, që kishin kryer disa akademi, që njihnin teorikisht e praktikisht taktikat dhe strategjinë e ushtrisë ruse, për më tepër e kishin zbatuar në dekada, mënyra e njohjes e dhënia e „OK!“ për këtë material, ishte një përgjegjësi tepër e madhe. Për më tepër, siç del nga shënimet e Llakajt e siç do të formulohej akuza pas zbulimit të „puçistëve“ që përgatitën këto teza, gjithçka ishte bërë nga Beqir Balluku, pa dijeni të Enver Hoxhës. Momente të vështira për Llakajn si dhe për oficerët e tjerë janë ato të firmosjes për këto materiale. Konflikti e përplasja me ministrin Beqir Balluku pas hezitimit të hedhjes së firmës pa u konsultuar me vartësit, shoqërohet me nxjerrjen e kartës nga ky i fundit; „Ka urdhëruar Enveri për këtë material!“. Por shpejt këto „Teza...“ do të zbuloheshin nga vigjilenca e partisë, e autorët e cilësuar „puçistë“, do të ekzekutoheshin, burgoseshin apo internoheshin. Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:-Mbledhja e 4 korrikut 1974 për “Tezat...”, në Shtëpinë e Ushtarakëve Durrës me të gjithë kuadrot madhorë të ushtrisë. -Shkarkimi nga Byroja Politike e Beqir Ballukut nga ministër dhe emërimi i Mehmet Shehut. -Takimi i Beqir Ballukut në „Vilën e Zogut“ në Durrës me Alfred Moisiun dhe Muhamet Prodanin. Në maj të vitit 1974 më thërret Beqir Balluku në zyrën e tij, në prezencë të ish-komandantit të Akademisë Ushtarake, gjeneral Vask Gjino, komandantin e korpusit të katërt të Mbrojtjes Bregdetare, Moisi Elezin, dhe shefin e zyrës tepër sekrete të Shtabit të Përgjithshëm, Ymer Preçin. Këtë takim punë e filluam me disa batuta nga ato që përdorte Beqir Balliku kur ishte në humor. Sigurisht, edhe me pyetje për punët e njësisë ku unë shërbeja. Beqiri më thotë: ”Mbi bazën e materialit që ju kemi dërguar me shumë ndryshime cilësore të bëra dhe nga Këshilli i Mbrojtjes, do të bëhen disa ndryshime në strukturën e ushtrisë dhe në planet e mbrojtjes operativo-strategjike. Prandaj, ju shikojeni me kujdes këtë material dhe planin e njësisë suaj, pra të korpusit, dhe pasi të bindeni, ta firmosni se na i kërkon shoku Enver! Konsultohu me shokun Vaskë, si ekspert i bregdetit, mbasi ai ka qenë për një kohë të gjatë komandant i korpusit bregdetar me qendër në Tiranë“. Dokumentet ishin bërë fakt i kryer, sepse në materialin teorik për Këshillin e Mbrojtjes, struktura e korpusit paraqitej me regjimente dhe divizione, që për mua nuk luante asnjë rol të rëndësishëm që zëvendësoheshin me brigadat e hallka të ndërmjetme; regjiment e divizion. Në këtë formë, puna e ngarkesa e komandave të korpuseve lehtësohej shumë, pasi nga 15-24 njësi, do të reduktohej punë direkte me 4-5 njësi dhe ngarkesën tjetër e merrnin hallkat ndërmjetëse, kryesisht divizionet. Ndërsa në trajtimin e mbrojtjes në materialin „Tepër sekret“ (që më vonë u quajtën „Teza të zeza“), unë u befasova, sepse mbrojtja nuk ishte solide në buzën e ujit, por diku e tërhequr si në kodrat e Ardenicës-Pojanit-Levanit-Mifolit-Qafa e Koçiut etj. Pasi u përqendrova shumë në studimin e këtij varianti, arrita në konkluzionin se edhe mund të trajtohej ashtu, por duhej një lloj koncepti tjetër për mbrojtjen dhe një lloj tjetër vije mbrojtjeje në përcaktimin e detyrave luftarake. Konsultohem me Moisi Elezin, ish-komandant korpusi bregdetar, si unë, për drejtimin e Tiranë. Ai më thotë: “Në dilemë jam edhe unë, por po lëkundem. Kam kërkuar disa mendime nga shoku Beqir, por po më huton gjeneral Vaska, i cili më thotë se kështu do të ndryshojnë dhe konceptet e mbrojtjes në artin ushtarak popullor. Për të qenë sa më i përgjegjshëm dhe i bindur, vendosa dhe u konsultova edhe me gjeneral Vaskën. Por ai këmbënguli: “Kështu do të bëhet, doni apo nuk doni ju, sepse kështu ka vendosur udhëheqja e lartë e Këshillit të Mbrojtjes. Po e firmosët, juve do t’ju ngrihet vlera si kuadro të kohës e jo shabllon siç ju kemi mësuar neve deri më sot nga Akademitë Ruse”.Në përfundim të mendimit kërkoj takimin me shokun Beqir. Duke më pritur me përzemërsi, më thotë: “Po e dija që do të ishe patjetër dakord, se me ju të rinjtë e kemi kollaj, por si t’ua bëjmë atyre që ngulin këmbët si mushka e nuk pranojnë!”. Duke mos dashur ta mërzis, por edhe të mos e prish, se gjithmonë më është dukur njeri shumë i mirë, i afrueshëm, tamam një babaxhan, por isha zënë shumë ngushtë, se vendimi i një korpusi, në radhë të parë, nuk merret vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore apo në Shtabin e Përgjithshëm, por në bashkëpunim me kuadrot kryesorë të njësisë, pra në këtë rast me ata të korpusit. Në vendimin e hedhur në hartë ishin përcaktuar pozicionet e njësive, brezat e mbrojtjes, thellësia, vendkomandat, pikat e drejtimit, objektet e furnizimit me armatim-municion-ushqim, spitalet e njësive, ai i korpusit etj. Pra, mua nuk më ngelej asnjë vrasje mendje, por thjesht robot; të firmos pa pyetur asnjeri. Përgjigjja ime ishte e prerë: “Shoku, Beqir, unë nuk jam dakord dhe nuk mund të firmos pa komisarin, pa shefin e shtabit, pa komandantët e tjerë dhe shefat e llojeve të armëve e të shërbimeve!“. Beqirit i ngeli shumë hatri dhe menjëherë u përgjigj: “Ju jeni aguridh!”. I nervozuar tej mase, si nuk e kisha parë ndonjëherë, urdhëron Ymer Preçin që të më japë një material për ta lexuar, material që i kishte dërguar shokut Enver. Materiali ishte jo më shumi se 7-8 faqe dhe bënte fjalë për këto ndryshime. Atje thuhej se kjo strukturë është mbi bazën e materialit të tretë që u kemi dërguar. Në këtë material jepeshin argumente pothuajse bindëse që kështu ishte më mirë, por thuhej se dhe shumë komanda janë të këtij mendimi etj. Beqiri, ende me atë tensionin e mëparshëm, zgjat dorën te shënimi i shokut Enver, shkruar me stilograf: “Shoku, Beqir, jam dakord, thirri komandantët e korpuseve, bisedojeni me ta, të binden duke ju lënë edhe vërejtjet. Veproni e pastaj të mblidhemi e ta miratojë Enveri”. Duke lexuar këtë shënim, u lëkunda shumë, por nuk mund të veproja prapa shpinës së të gjithë atyre kuadrove aq të mrekullueshëm pa i pyetur. Përsëri i them Beqirit: “Jam dakord me shokun Enver, por ky plan të më jepet me vete, ta diskutoj me shokët kryesorë të shtabit dhe pas dy ditëve ta sjell!“. Nuk e kisha parë kurrë shokun Beqir aq të revoltuar e të nervozuar, kur me tha:“Largohu se nuk kemi nevojë fare për mendimin tuaj!“. U largova shumë i vrarë në ndërgjegje. Kjo mosfirmosje dhe ajo përgjigje rreth materialeve të quajtura më vonë “Të zeza“ , që për mua nuk ishin të tilla, mund të riparoheshin e të mos dënoheshin, siç u bë, gjithë ato kuadro. Ndërsa personalisht mosfirmosja, me doli për mbarë gjatë diskutimit të tyre.