Ramiz Alia, byroistëve të ‘91: Mos hipni familjet në makinat e punës
Ramiz Alia, byroistëve të ‘91: Mos hipni familjet në makinat e punës
“PD po bën kujdes të na godasë në drejtim të privilegjeve që përfitojnë njerëzit tanë”
Fatos Veliu
Situatë tepër e tensionuar në selinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Një diskutim rutinë i nisur mes përfaqësuesve më të lartë politikë të Partisë së Punës po degjeneronte në një debat pa fund aq sa gjithkush fliste dhe askush nuk vendoste “pikën” në objektin e asaj për të cilën i kishte mbledhur Ramiz Alia.
Ishte 9 janari i vitit 1991 kur Shqipëria, e cila trashëgonte një sistem 50-vjeçar monopartiak, për herë të parë do të hynte në zgjedhje pluraliste, të cilat ishin vendosur të zhvilloheshin një muaj më mbrapa, pikërisht në 10 shkurt (1991). Ramiz Alia po komunikonte para vartësve dhe kolegëve të tij të nomenklaturës së lartë politike debatin dy orësh që kishte bërë me përfaqësuesit e PD-së një ditë më parë, i cili kishte të bënte me një kërkesë ultimative të tyre për shtyrjen të paktën 2-3 muaj të zgjedhjeve parlamentare. Në këtë temë, për të cilën i sqaroi Alia, prej shtjellimit të së cilës ai kërkonte një përgjigje për t’u kthyer kundërshtarëve politikë, mori rrjedhë biseda e atyre që quheshin njerëzit e rëndësishëm të kohës. Por, çuditërisht ajo bisedë u zgjat dhe u zgjerua në tema të tjera, derisa u arrit në një moment kur ata të gjithë filluan të akuzonin njëri-tjetrin për përfitimet e padrejta të tyre, deri edhe te krushqitë e tyre. Kuptohet qartë se kriza ndërmjet tyre ishte shkaktuar nga situatën e vështirë në të cilën ndodheshin. Nuk kishte mundur as të konceptohej më parë nga ta se do të vinte një ditë e tillë që të detyroheshin të përballonin ultimatume të asaj natyre dhe të kontrollonin veten në lidhje me privilegjet, vetëm për shkakun se do të përfliteshin nga opozita dhe nga opinioni i gjerë. “Mos hipni fëmijët dhe gratë tuaja në makina”. “Mos pranoni privilegje të tepruara”, “Duhet të jeni të kujdesshëm” dhe porosi të tilla. Jo vetëm kaq, por u arrit edhe më tej sa të përdoreshin emra si ai i Llambi Gegpriftit apo edhe i ndonjë tjetri se kishin marrë krushqit e tyre apo njerëzit e tjerë të fisit dhe i kishin sistemuar me punë në vende të mira ashtu siç kishin ndihmuar fëmijët e tyre për t’i dërguar jashtë shtetit për studime. Gjithçka rreth asaj situate, e cila dukej si një komedi humoristike për vetë faktin se ata njerëz që kishin përfituar dhe kishin jetuar në një distancë ekonomike të madhe me popullin e thjeshtë, tashmë po i bënin thirrje vetes dhe kolegëve që të ishin të kujdesshëm nga frika e opozitës e cila donte t’i rrëzonte nga pushteti. Gjithçka që ka ndodhur ato dy ditë në sallën misterioze të takimeve të Byrosë Politike po zbardhet për herë të parë për publikun vetëm sot, kur kanë kaluar plot 15 vjet nga ajo ditë. Kjo bëhet e mundur tashmë kur në redaksinë e gazetës ka mbërritur procesverbali sekret i ruajtur për kaq vite me një fanatizëm të veçantë, siç ndodhte në materialet e tjera të Byrosë Politike. Një ish-funksionar i asaj kohe, në momentet e ndërrimit të sistemeve, ka mundur të shtijë në dorë disa procesverbale, të cilat tashmë po i vë në dispozicion të publikut të gjerë. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Më fal po ç’t’u kërkojmë atyre ne? (bëhet fjalë për veteranët dhe shtetasit që nuk janë dakord me kushtet e PD-së për të shtyrë zgjedhjet, shënimi im F.V)SHOKU SPIRO DEDE:Ne t’u kërkojmë atyre, e para që koha e shtyrjes të jetë jo dy muaj, po ndoshta dy muaj e gjysmë. E dyta, të dyja palët të heqim dorë nga çdo lloj mitingu dhe ta bëjmë punën, qoftë ata për forcimin e pozitave të tyre a ta quajnë si të duan, qoftë ne, në biseda jashtë pune me punëtorët, me kolektiva punonjësish, etj.SHOKU RAMIZ ALIA:Qartë. Domethënë ti sugjeron që ne të bëjmë njëfarë marrëveshje me ta. Cilat do të jenë kushtet?SHOKU SPIRO DEDE: Një ndër kushtet duhet të jetë që në vija të përgjithshme të biem dakord për Kushtetutën.SHOKU RAMIZ ALIA: Atë e aprovon Kuvendi Popullor. Çështja është të shkojmë deri në Kuvendin Popullor, pastaj se çdo të bëhet, e ka ai në kompetencë. SHOKU SPIRO DEDE: Dakord. Të dyja palët të distancohen nga forcat e errëta. Në qoftë se do të sigurojmë lëndë të parë, në qoftë se do të mbushim tregun, në qoftë se do të hidhemi në tërë Shqipërinë të sqarojmë njerëzit kush jemi ne, si e shikojmë të ardhmen, çfarë do të bëjmë, si do ta sigurojmë këtë dhe atë, mund të arrijmë të fitojmë masat, se me ata elementë që kanë ata me vete, kurrsesi njeriu që ka fijen e ndërgjegjes nuk bashkohet me rrugaçërinë. Atyre do t’u dalë boja në qoftë se ne, këtë një muaj e gjysmë që do t’i shtyjmë zgjedhjet, do të dimë të bëjmë një punë tepër të efektshme, me bindjen që do të fitojmë. Të dy variantet kanë të këqijat dhe të mirat e tyre, por bota do të bindet që jemi vërtet të futur në rrugën e plotë të demokracisë pluraliste. Dhe me forcat që ka partia, unë kam besim që do të jetë në gjendje ta bindë. Vërejtje më kanë bërë shumë intelektualë që forcat e rendit duhet të veprojnë. Punëtorit të Rajonit Nr. 1, që foli në mënyrë të shkëlqyer në mitingun e organizuar nga Komiteti i Partisë i këtij rajoni, rrallë kam dëgjuar punëtor si ai, pas dy ditësh, dy persona me motoçikletë e kanë qëlluar me një hekur dhe ai është shtruar në spital. Kjo sepse përkrahu fjalën e shokut Ramiz Alia.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Ata duhen kapur patjetër.SHOKU XHELIL GJONI: Një komuniste në Korçë e kanë marrë në telefon dhe i kanë thënë që o të dorëzojë teserën e partisë të nesërmen, ose i iku koka e djalit.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Dhe Sadik Bocën e morën në telefon e i thanë që “ty të kemi në shënjestër, je komunist i vjetër” e të tjera.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Ashtu na marrin dhe ne, 3-4 herë më kanë marrë në telefon në shtëpi.SHOKU SPIRO DEDE: Forcat e ruajtjes së rendit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të mos shikojnë ç’tha ky e si e tha ai, por do të bënte efekt shumë të madh në popull në qoftë se do të kapnin kontrabandistët, hajdutët me thyerje. Për këta le të bëhen gjyqe në popull, me fakte, me argumente shumë të forta dhe kjo do të bëjë që njerëzit të binden se kjo parti di të vendosë rregull e të forcojë rendin.Ne duhet të bëjmë dhe një veprim tjetër, të përmirësojmë diçka nga imazhi i Partisë. Për shembull, ata të Partisë Demokratike kanë vënë njerëz para çdo shtëpie të shokëve të udhëheqjes dhe ruajnë kush hipën në makinë, ku venë etj. Në një rreth njerëzish të afërt më thanë: “Bravo i qoftë shokut Llambi që la vilën dhe bëtë mirë që për këtë shkruat në gazetë, po shoku Llambi vajti dhe mori pesë dhoma e një kuzhinë në një apartament akoma më të mirë se vila që kishte. Unë u thashë që shoku Llambi ka tre fëmijë dhe nënën, ndaj i takon. Mund ta merrte në një zonë tjetër, thanë, se është prapë afër Bllokut. Po krushkun pse e solli nga Durrësi dhe i ka dhënë dy dhoma e një kuzhinë? Ju flisni për luftë kundër privilegjeve, më thanë, po ç’do t’i thoni popullit? Llambi fëmijët i ka në Francë dhe sjell krushkun nga Durrësi në Tiranë.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Për çështjen e krushkut përgjigjem unë, se është e vërtetuar që ai ka ardhur këtu para se unë të isha kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Tiranës. Njerëzit mund të thonë ç’të duan, po mund ta jap edhe unë përgjigjen në “Zërin e Popullit” e të them që këto janë shpifje.SHOKU SPIRO DEDE:Nuk na i beson as populli, shoku Llambi.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Të shikohen dokumentet, ku vërtetohet që unë nuk kam qenë kryetar kur ai ka ardhur këtu.SHOKU RAMIZ ALIA:Po ç’rëndësi ka që nuk ke qenë aty? Ke qenë në një vend tjetër, njësoj është.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kur ka ardhur krushku këtu, ne nuk kishim lidhur krushqi me të. SHOKU SPIRO DEDE:Nuk duhej t’i diskutonim fare këto gjëra, se është turp të flasësh për 10 apo 12 anëtarë të Byrosë Politike që kemi ne, po tani kemi arritur në atë pikë siç qemë në luftë. Shokët që kanë luftuar e dinë mirë që edhe vilën e rrushit po të merrte partizani, megjithëse qe i uritur, ajo kishte vlerën e një pasurie dhe për këtë ai dënohej me plumb, sepse situata ishte e tillë që duhej ta kishte figurën të pastër në popull. Kur na thonë që Dhimitër Shandro (shef i sektorit të statutit në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë), merr pesë dhoma dhe një kuzhinë për çiftin dhe pas asaj i merr për vete ato dhoma dhe çiftit, vajzës së shoqes Lenka me të birin e tij, i jep dy dhoma e një kuzhinë të tjera, çfarë do t’i themi popullit?SHOKU RAMIZ ALIA:Dhe djali i tij shkoi jashtë shtetit me studime!SHOKU SPIRO DEDE: Si mund t’i dalim ne popullit t’i themi që po luftojmë kundër privilegjeve? Nuk i themi dot, sepse ta mbyllin gojën me këto fakte.Ata të Partisë Demokratike kanë kapur me dhjetëra raste. Më thanë që kanë vënë njeri pranë shtëpisë së shokut Abdyl Backa.Një ditë, kur po nxitoja, sekretarja ime më zgjati pallton. Menjëherë më thanë që, “shiko Spiro, mos u bëre dhe ti që të të mbajnë pallton”? Dua të them që jemi në një kohë kur na matin çdo fjalë që themi e çdo veprim që bëjmë. Prandaj kërkohet të përmirësojmë imazhin tonë, që njerëzit të mos kenë ç’të thonë për ne.SHOKU PALI MISKA:Këto që the ti Spiro, Lenka nuk i bëri sot, deri tani janë zënë 100 herë në gojë.SHOKU RAMIZ ALIA: Na nderon kjo që nuk janë bërë sot?SHOKU PALI MISKA: Jo, nuk na nderon, po i kemi diskutuar shumë herë këto gjëra. Prapë do t’u kthehemi?SHOKU RAMIZ ALIA: I kemi diskutuar, po nuk kemi bërë gjë. Prandaj duhet t’i shikojmë.SHOKU SPIRO DEDE: Gratë dhe fëmijët e shokëve të udhëheqjes në këtë periudhë nuk duhet të hipin në makinë.SHOKU PALI MISKA: As kanë hipur, as hipin gratë dhe fëmijët në makinë.SHOKU RAMIZ ALIA:Hipin, hipin.SHOKU PALI MISKA: Po ju them sinqerisht, shoku Ramiz, që ne nuk hipim në “Benz”.SHOKU HEKURAN ISAI: Ka dy vjet që nuk punon më “Benzi”.SHOKU RAMIZ ALIA:Në qoftë se ne mendojmë që çdo gjë lidhur me çështjen e privilegjeve është mirë, atëherë pse nuk e mbrojmë veten?SHOKU PALI MISKA:Po dhe duhet ta mbrojmë shoku-shokun, kur i dëgjojmë këto gjëra.SHOKU RAMIZ ALIA: Po mos të themi që jemi nga çdo anë në rregull.SHOKU SPIRO DEDE: Ata mund të thonë çdo gjë, po ne duhet të jemi në rregull për të mos u dhënë shkak që të flasin. Mua më folën për Abdyl Backën, por ua ktheva përgjigjen. U thashë që Abdyl Backën e njoh prej 20 vjetësh dhe e di çfarë thjeshtësie ka. Por them që duhet të ruhemi nga këto gjëra.SHOKU ABDYL BACKA: Në kohën që vinte shoferi për të sjellë ushqimin, komshiu e shikonte. Prandaj më mirë të hiqet dorë nga këto. SHOKU RAMIZ ALIA: Ajo është e qartë.SHOKU HEKURAN ISAI: Për sa i përket policisë, mendoj se është periudha që ajo duhet të marrë në mbrojtje dhe duhen goditur shkelësit e ligjit me forcën më të madhe. Në rast se policia është urdhëruar që të kthejë fshatarësinë për të mos marrë pjesë në miting, për atë që ka urdhëruar duhet të merren masa. Përderisa e lejojmë ligjërisht që të bëhet mitingu, pse të kthehen fshatarët?SHOKU RAMIZ ALIA: Me saktësi nuk e di, por mundet që sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Vlorës t’i ketë thënë shefit të policisë të nxjerrë roje në Mifol, në Qafë të Kociut, në Tragjas për të mos lënë fshatarët të vijnë në Vlorë që të marrin pjesë në mitingun e Partisë Demokratike.SHOKU PALI MISKA: Eshtë e gabuar ajo.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Këtu nuk ka faj polici.SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk ka faj polici, por ai që ka dhënë urdhrin.SHOKU HEKURAN ISAI: Ne jemi shtet ligjor, prandaj veprojmë me ligje. Mitingjet janë ligjore.SHOKU RAMIZ ALIA: Mitingjet jo vetëm që janë ligjore, por janë dhe zyrtare. Shefi i policisë ka të drejtë të vejë dhe në podiumin e mitingut, të nxjerrë aparatin regjistrues dhe të regjistrojë atë që flet, me qëllim që të ketë fakte kur të thuhet se foli kundër këtij dhe kundër atij. Pra nuk kemi nevojë të dëgjojmë llafet e botës, por kemi personin zyrtar të ngarkuar për këtë punë.Unë i kam thënë shokut Hekuran që dhe Partia e Punës, kur bën mitingje, të kërkojë lejë. Po ashtu të kihet kujdes edhe në caktimin e shesheve të mitingjeve, jo njërit t’i caktohet sheshi kryesor e tjetrit jo.Duhet të jemi gjakftohtë. Do të dëgjojmë dhe gjëra të tjera. Ende nuk kemi hyrë në vallen e luftës politike. E lexuat çfarë thoshte Azem Hajdari te “Rilindja Demokratike”? I përgënjeshtronte të tëra ato që i ngriheshin për të në një fletërrufe. Aty thoshte se meqë është folur për personin tim, unë jam i martuar, kur u martova unë isha 17 vjeç, kurse gruaja 15 vjeç, kemi dy fëmijë, asnjëherë nuk jam marrë në proces gjykimi.SHOKU PALI MISKA: Po si mund të gënjejë ai?SHOKU RAMIZ ALIA:Në qoftë se ai gënjen, le të dalë ndonjëri dhe të thotë se Azem Hajdari gënjen. Jo të dalë me pseudonim, por me emër, se po të dalin me pseudonime, polemika do të jetë e hapur.SHOKU SPIRO DEDE: Në variantin e dytë, po të gjendet një formulë e mirë, me kushte të përbashkëta, mund të fitojmë shumë. Personalisht jam për variantin e dytë...
akuzat e byroisteve
SPIRO DEDE: Kur na thonë që Dhimitër Shandro (shef i sektorit të statutit në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, shënimi im F.V), merr pesë dhoma dhe një kuzhinë për çiftin dhe pas asaj i merr për vete ato dhoma dhe çiftit, vajzës së shoqes Lenka me të birin e tij i jep dy dhoma e një kuzhinë të tjera, çfarë do t’i themi popullit?
RAMIZ ALIA: Dhe djali i tij shkoi jashtë shtetit me studime!
SPIRO DEDE: Në një rreth njerëzish të afërt më thanë: “Bravo i qoftë shokut LLambi që la vilën dhe bëtë mirë që për këtë shkruat në gazetë, po shoku Llambi vajti dhe mori pesë dhoma e një kuzhinë në një apartament akoma më të mirë se vila që kishte. Unë u thashë që shoku Llambi ka tre fëmijë dhe nënën, ndaj i takon. Mund ta merrte në një zonë tjetër, thanë, se është prapë afër Bllokut. Po krushkun pse e solli nga Durrësi dhe i ka dhënë dy dhoma e një kuzhinë? Ju flisni për luftë kundër privilegjeve, më thanë, po ç’do t’i thoni popullit? Llambi fëmijët i ka në Francë dhe sjell krushkun nga Durrësi në Tiranë?
SPIRO DEDE: Gratë dhe fëmijët e shokëve të udhëheqjes në këtë periudhë nuk duhet të hipin në makinë.
PALI MISKA: As kanë hipur, as hipin gratë dhe fëmijët në makinë.
RAMIZ ALIA: Hipin, hipin.
PALI MISKA: Po ju them sinqerisht, shoku Ramiz, që ne nuk hipim në “Benz”.
neser do te lexoni
Vazhdojnë diskutimet e çuditshme të byroistëve në mbledhjen e 9-10 janarit të vitit 1991. Në vijim situata u sjell momente vetëkënaqësie, aq sa janë të bindur se përfaqësuesit e PD-së si Azem Hajdari do të diskreditohen shpejt në popull
Situatat ekstremiste të krijuara në vazhdim të mbledhjes gjatë të cilave byroistët, ndryshe nga çfarë kishin pranuar në diskutimet e mëparshme në lidhje me lëshimet që mund t'i bënin PD-së, më mbrapa filluan të bënin thirrje që të mos lëshonin absolutisht, madje të vepronin ashpër ndaj shkelësve të ligjit
<< Home