e premte, janar 13, 2006

Ramiz Alia në janar ‘91: Në rast presioni të PD-së, ne duhet të mprehim shpatën




Ramiz Alia në janar ‘91: Në rast presioni të PD-së, ne duhet të mprehim shpatën
Në okazionet e shtruara në byro ishte edhe ai nëse nuk duhej të merrej parasysh ultimatumi i PD-së

Fatos Veliu
Një histori e tërë e shtrirë në një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Nisi si një takim i zakonshëm për çështjen e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbaheshin një muaj më pas dhe vazhdoi me lloj-lloj enciklopedish, duke filluar që nga problemet e Partisë që drejtonin, tek ato të shtetit e deri te çështjet e tyre personale. Në atë histori nuk mbetën jashtë diskutimeve të gjata dhe të shpeshta të byroistëve as problemet e privilegjeve dhe të abuzimeve të tyre, duke arritur deri aty sa t’i nxirrnin njëri- tjetrit të palarat, në lidhje me ndërhyrjet që kishin bërë për familjarët dhe të afërmit. Jo pak vend zuri në ato diskutime edhe çështja e prezantimit, që ata duhej t’i bënin partisë së tyre në popull, e cila, sipas tyre, duhej të dukej në sytë e tij si një Parti gjithmonë e patundur dhe largpamëse e denjë për të përfaqësuar hallet dhe interesat e popullit, ashtu siç kishte bërë deri në atë kohë. Situatat më të nxehta brenda asaj salle ku dialogonin njerëzit, që deri në atë kohë kishin bërë ligjin në Shqipëri, arritën në momentin kur e panë se ndryshe nga dëshira e vet, ata ishin të detyruar të bënin lëshime të njëpasnjëshme, pasi një gjë të tillë ua kërkonin opozitarët e parë, të cilët do të hynin si të barabartë në zgjedhje. Ishte një ultimatum i Partisë Demokratike i bërë në 8 janar 1991, kur duhej dhe një muaj nga zgjedhjet e para pluraliste, ai që detyroi Ramiz Alinë të mbledhë të nesërmen byrositët. Gjithçka nisi pas një ekspozeje, që Alia i bëri para kolegëve të vet asaj që ai kishte biseduar një ditë më parë, në takimin dyorësh më përfaqësuesit e PD-së. Pas saj, në mënyrë të thjeshtë kishin vijuar dialogët për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, që kishte shtruar Alia dhe që lidhej me atë nëse duhej të shtyheshin zgjedhjet, apo jo. Por, ajo situatë u transformua në detaje të tilla, saqë ata që deri në atë moment ishin mbajtur për “burra shteti” dhe njerëz të “pagabuar” të kombit, të ndesheshin në lloj-lloj problemesh deri nga më të pazgjidhshmet. Gjithçka dukej se ishte në disfavor të tyre. Pavarësisht se ata mendonin që herë pas here kishin mundësi t’i kapërcenin ato situata, sërish kujtoheshin për të deklaruar se grevat nëpër ndërmarrje më të fuqishme të vendit ishin në një lulëzim të vazhdueshëm, gjë që po e rrënonte ekonominë deri në atë fazë, që po shuante funksionimin e çdo institucioni zyrtar. Gjithsesi, byroistët e mbledhur në sallën karakteristike të godinës së Komitetit Qendror, në të cilën kishin vendosur për 50 vjet mbi fatet e popullit, mundoheshin për të gjetur dhe shpikur lloj-lloj formash vetëm për të pasur një vazhdimësi sa më normale të politikës së tyre. Ky ishte edhe shkaku, që ata po e “peshonin” në mënyrë të jashtëzakonshme faktin, nëse zgjedhjet duhej të shtyheshin më tej se 10 shkurti, apo jo. Për këtë çështje ata filluan të diskutonin edhe për shoqatat dhe organizatat, që duhej të merrnin pjesë në zgjedhje. Gjithçka rreth asaj ngjarjeje të ndodhur pikërisht në janarin e vitit 1991, kur Shqipëria për herë të parë pas 50 vjetësh të sundimit monopartiak po hynte në zgjedhje pluraliste. Ai takim, i cili është mbajtur në kushte të rrepta sigurie dhe sekreti është regjistruar në procesverbal të plotë të etiketuar me okelion “Tepër Sekret”. Gjithsesi në momentet e ndërrimit të pushteteve, ai është mundur të merret nga një ish-funksionar i lartë i asaj kohe dhe tashmë, nëpërmjet gazetës “Panorama”, vihet në dispozicion të publikut të gjerë. Redaksia merr përsipër ta pasqyrojë të plotë, duke bërë vetëm korrigjimet ortografike. SHOKU HEKURAN ISAI:Ata (Përfaqësuesit e PD-së, në lidhje me pretendimet për deputetët e pavarur) nuk kanë të drejtë të thonë kështu, sepse individi paska të drejtë me 300 firma, të shpallet deputet i pavarur, kurse një organizëm nuk ka të drejtë të rekomandojë njerëzit e saj! Kjo nuk ka logjikë.SHOKU NIKO GJYZARI: Ata e konsiderojnë pjesëmarrjen e organizatave të masave në zgjedhje, sikur Partia e Punës është ndarë në pjesë. Po nuk është kështu themi ne.SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk janë të parët këta që e thonë këtë, e kanë thënë dhe të tjerë.SHOKU SPIRO DEDE:Organizatat e masave në botën perëndimore si veprojnë?SHOKU RAMIZ ALIA:Ka disa organizata që marrin pjesë në zgjedhje, siç ka dhe që nuk marrin, po dalin me kandidatët e partisë. Efektivisht unë nuk kam parë që të ketë marrë pjesë në zgjedhje ndonjë organizatë gruaje ose profesionale.Po ta marrësh nga pikëpamja numerike, i vetmi favor i yni është se nëpërmjet këtij mekanizmi për një vend paraqesim katër kandidatë, që mund të jenë komunistë. Kurse nga pikëpamja e votimit është në favor të demokratëve, sepse votat do të ndahen midis kandidatëve të subjekteve të ndryshme. Po të ishte një kandidat i vetëm, të tërë do të luftonim për kandidatin e Frontit, dhe Rinia dhe Gruaja, dhe Bashkimet Profesionale, ashtu siç kemi luftuar, dhe 90 për qind e votave do të shkonin në favor të tij. Këtë ua theksova dje dhe atyre të Partisë Demokratike. Pavarësisht nga kjo, është një tezë që ata mund ta ngrenë.SHOKU SPIRO DEDE:Tani e keqja nuk është që nuk pranon Liseni, as Sotir Koçollari që të shtyhen zgjedhjet. Derisa janë organizata politiko-shoqërore të pavarura, ato kanë të drejtën e tyre dhe nuk mund t’i urdhërosh.SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se ato nuk janë dakord, atëherë përse do t’i shtyjmë zgjedhjet?SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk ka pse t’i shtyjmë atëherë.SHOKU KIÇO MUSTAQI: Derisa Rinia dhe Bashkimet Profesionale thonë jo, përse do të shtyhen?SHOKU ABDYL BACKA:Po i bojkotuan zgjedhjet vetëm për hir të subjekteve të tjera elektorale, kjo nuk duhet pranuarSHOKU HEKURAN ISAI: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lë të shtohet edhe me 2-3 veta të tjerë.SHOKU RAMIZ ALIA:Nuk është ky problemi, se komisionin mund ta shtosh sa të duash, por ata thonë se nuk marrim pjesë në zgjedhje po u bënë më 10 shkurt.SHOKU HEKURAN ISAI: Atëherë u del boja më shumë.SHOKU RAMIZ ALIA:Të mos mendojmë se meqë e vendosëm kështu, do të bëhet kështu, se mund të ketë edhe variante të tjera. Dhe sikur të vendosim kështu siç thonë shokët, prapë duhet të gjejmë argumentin që flamurin ta mbajmë ne, jo t’ua lëmë atyre, ashtu siç vepruam për të burgosurit politikë. Për ketë porosita Enver Halilin, që ta sqaronte çështjen në televizion dhe të jepej njoftimi në gazetë. Po e rrëmbyem ne flamurin, qetësojmë edhe opinionin tonë, demaskojmë dhe kundërshtarin. Këtu duhet të gjykojmë, ama, që kanë edhe ata planet e tyre. Diku e kanë dëgjuar, që e kam thënë unë dhe më thanë qartë në takimin me ta, që pozita jonë është komode. Ashtu është u thashë, ju vetëm mund të kritikoni, se nuk keni llogari për të dhënë.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Po nuk kanë gjë në kurriz ata.SHOKU ADIL ÇARÇANI: E tërë gazeta e sotme e tyre ishte kritikë.SHOKU RAMIZ ALIA:Kritikë për të gjitha çështjet.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Ashtu është kollaj. Mitro Çela “vret e pret” në të gjitha anët.SHOKU RAMIZ ALIA:Mitro Çela thoshte të zgjidhet lehtë gjendja ekonomike e vendit po të marrim kredi, sikur bota e ka hapur kasën për Mitro Çelën.SHOKU HEKURAN ISAI: Një nga argumentet e partisë Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve është që nuk po gjejnë dot kandidatët për deputetë, prandaj t’u jepet kohë shtesë.SHOKU RAMIZ ALIA: Kujt t’ia themi këtë, popullit?SHOKU HEKURAN ISAI: Po opinionit.SHOKU SPIRO DEDE: T’i themi që kjo bëhet për hir të unitetit, të stabilitetit të Shqipërisë.SHOKU RAMIZ ALIA:Argumenti duhet të jetë politik, jo argument sevapçinjsh. Argumenti politik është uniteti i kombit, stabiliteti, toleranca. “Meqë ata kërkojnë dhe është parti e re, ne asnjë kundërshtim nuk kemi që t’u japim mundësi të paraqiten me të gjitha mundësitë që kanë. Neve nuk na tremb asgjë, përkundrazi tërë e kaluara, tërë historia jonë është e tillë që flet për partinë tonë, për të gjithë këtë sistem shoqëror. Prandaj është mirë që në zgjedhje të vemi të tërë, se kështu e do interesi i vendit, stabilizimi i gjendjes ekonomike dhe politike. Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke marrë mendimin e të gjitha subjekteve, vendosi që t’i shtyjë zgjedhjet”. Ky është argumenti politik, jo ai që nuk po gjejnë kandidatët për deputetë.Po në qoftë se ata do të kërkojnë edhe ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve?SHOKU SPIRO DEDE: Në ç’aspekt?SHOKU RAMIZ ALIA: Në aspektin që organizatat e masave nuk duhet të jenë subjekte elektorale.SHOKU NIKO GJYZARI: Ata duan që subjekte elektorale të jenë dy: Partia e Punës dhe Partia Demokratike.SHOKU SPIRO DEDE: Po Partia Ekologjike.SHOKU RAMIZ ALIA:Mundet edhe ajo.SHOKU XHELIL GJONI: Nuk mund të mohojmë atë realitet, që organizatat e masave janë një forcë dinamike, organizata politiko-shoqërore me traditë, që po zhvillohen në kushtet e reja dhe kanë shpallur programet e tyre.SHOKU RAMIZ ALIA: Jam dakord me këtë argument që thua t’i, por ata mund të thonë që nuk i pranojmë, nuk i njohim fare.SHOKU XHELIL GJONI: Pse nuk i njohin? Po ta kenë pushtetin ata, mund ta thonë këtë.SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk marrim pjesë në zgjedhje, thonë.SHOKU BESNIK BEKTESHI: Nuk mund të regjistrohen te Ministria e Drejtësisë këto organizata, si bashkimet profesionale e të tjera?SHOKU ADIL CARCANI: Të tëra janë regjistruar si subjekte politike.SHOKU BESNIK BEKTESHI: Të thuhet që ministri i Drejtësisë i regjistroi si subjekte politike.SHOKU RAMIZ ALIA: Duhet të jenë të regjistruara diku, se unë mbaj mend që kur është bërë Kongresi i Unifikimit të Rinisë më 1946, kam shkuar vetë në Ministrinë e Drejtësisë dhe kemi regjistruar organizatën e rinisë.SHOKU ADIL CARCANI: Që të ndryshojë ligji i zgjedhjeve do të thotë që të prishen të tëra subjektet, prandaj kjo nuk mund të bëhet.SHOKU NIKO GJYZARI: Nuk kanë të drejtë, as ligjore nuk është kjo.SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se ne nuk do të pranojmë, ata do të vazhdojnë presionin. Atëherë duhet të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë këtij presioni me forcë. Organet tona të punëve të brendshme dhe forcat e mbrojtjes duhet të mprehin shpatën, kurse organet tona ekonomike të jenë gati për t’u ndeshur me minatorët, me punëtorët e të tjerë që do t’i nënshtrohen këtij presioni. Ja, këtë duhet të kemi të qartë. SHOKU PALI MISKA:Vetëm kjo duhet evituar.SHOKU RAMIZ ALIA: Duhet evituar, prandaj po e them.SHOKU HEKURAN ISAI: Kjo është gjakderdhje. Ne nuk duhet të shkojmë në gjakderdhje. (Miratojnë dhe të tjerët)SHOKU NIKO GJYZARI: Këtë skenar që mendojnë ata, nuk do ta bëjnë vetëm zgjedhjet, po më tej, se kam bindjen që e dinë se nuk do të fitojnë. Do të veprojnë si në Bullgari.SHOKU RAMIZ ALIA:Po veprimi ynë si duhet të jetë?SHO9KU NIKO GJYZARI: Ne do të veprojmë me ligjet tona.SHOKU SPIRO DEDE: Sikur, shoku Ramiz, të bëhet një takim me përfaqësues të të gjitha subjekteve, ku të shtrohet problemi që Partia e Punës është dakord të plotësojë kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve për hir të stabilitetit të gjendjes ekonomike e politike e të tjera, organizatat e masave do të thonë jo.SHOKU RAMIZ ALIA:Ashtu siç do të mbledhim ne Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë për të diskutuar rreth çështjes së shtyrjes së zgjedhjeve, dhe organizatat e masave duhet të mbledhin plenumin e tyre për këtë qëllim. (Patjetër, thonë shokët).SHOKU XHELIL GJONI: Ata që flasin me kaq siguri, si duket, i kanë mbledhur plenumet e tyre.SHOKU PALI MISKA:Ç’punë ka plenumi me datën e votimeve për zgjedhjen e deputetëve? Atë e ka caktuar Presidiumi i Kuvendit Popullor...

Ish-ministri i Tregtisë së Jashtme tregon detaje të panjohuraNedin Hoxha: Tregtia e shtetit komunist bëhej mbi parime politike?
Në lidhje me shumë probleme ekonomike, që shtrohen në tavolinën e Byrosë Politike të vitit 1991 duket se janë shumë larg zgjidhjeve të tyre, pasi, siç tregon ish-ministri i Tregtisë së Jashtme, ato nuk vareshin shumë nga ata sesa nga parimet, që i kishin çuar në atë ditë. Konkretisht, ndër të tjera në lidhje me këtë çështje Nedin Hoxha tregon: Në shtetin e atëhershëm komunist për ekonominë e vendit mbështeteshim në disa parime absolutisht të pandryshueshme. Ne atëherë, për shembull, nuk e lejonim blerjen me kredi, që do të thoshte të mos mbeteshe asnjë ditë borxh ndaj askujt, se konsiderohej kredi dhe pastaj keqpërdorej politikisht.Konkretisht, asnjëherë nuk e blinim mallin nga një shtet perëndimor, në qoftë se nuk do t’i kishim kaluar paraprakisht paratë në bankën e tij, të cilat i kishim ngrirë po ne. Vetëm në këtë rast, sipas udhëzimeve të shtetit tonë, lejonim lëvrimin e mallit drejt Shqipërisë. Këtë e theksoj, se në të shumtën e rasteve donatorët shprehnin gatishmëri për t’i dërguar ato drejt nesh, mirëpo nuk e pranonim ne një veprim të tillë, pasi, siç ju theksova, kjo konsiderohej marrje malli me kredi, gjë që binte ndesh me parimet tona kushtetuese. Kështu që, siguronim një herë paratë, i dërgonim ato në destinacion, pastaj tërhiqnim mallin e duhur. Vështirësitë në atë detyrë ishin të pafundme, pasi përherë mund të ndodhnin çrregullime. Kuptohet që kishte raste që pengoheshin lëvrimet nga ana e atyre, apo që krijoheshin probleme nga ana jonë. Kishte jo pak raste që shkeleshin edhe kontratat. Kjo kërkonte që të filloje tërësisht takimet nga e para, për të ribërë rakordimet e reja. Në këto raste duhej të bëje kujdes të madh, se mund të ndodhte që të ishe edhe para incidenteve diplomatike, që mund të përbënin skandal për shtetin tonë, siç desh na ndodhi në rastin e nënshkrimeve protokollare me Rumaninë, por që falë ndërhyrjeve tona me shumë takt, e evituam lehtë dhe pa probleme problemin e shtyrjes së nënshkrimit të letrave tregtare. Atëherë blinim nga jashtë një sasi të madhe artikujsh ushqimorë dhe industrialë, duke filluar që nga sheqeri, orizi, kafeja, etj. Ndërsa artikujt industrialë kryesisht ishin lëndë e parë për industrinë tonë prodhuese, duke filluar nga pambuku për kombinatin, pajisjet për naftën dhe për të gjithë sektorët e ekonomisë. Ne blinim dhe shumë objekte, por këto ishin shumë të ndërlikuara. Ngecja e këtyre problemeve e çonte diskutimin deri në udhëheqjen më të lartë të shtetit.

neser do te lexoni
Si nisi dita e dytë e mbledhjes së Byrosë Politike e bërë në datën 10 janar, 1991. Kërkesat e Alisë mbi atë, që duhej të paraqiste para PD-së dhe procedurat, që ai sugjeronte për të favorizuar Partinë e tyre të Punës
Çfarë u vendos për mundësinë e votimit të ardhshëm për partitë e tjera të porsakrijuara, siç ishte Partia Ekologjike. Situata e krijuar në atë sallë, kur Alia tregoi se atë ditë ishte regjistruar edhe Partia Republikane
Deklaratat e irrituara të byroistëve mbi kërkesat, që ata donin t’i impononin PD-së. Pse ata kërkonin, që opozita të hiqte dorë nga mitingjet dhe protestat dhe çfarë masash propozonin ndaj forcave politike të pabindura