e hënë, janar 16, 2006

Byroja e janarit ‘91: PD do na shkaktojë shqetësime politike pas zgjedhjeve



Byroja e janarit ‘91: PD do na shkaktojë shqetësime politike pas zgjedhjeve
Ramiz Alia paraqet shembujt e shteteve ish-komuniste ku kishte triumfuar opozita

Fatos Veliu
Në vazhdim të diskutimeve të byroistëve në janarin e vitit 1991, u hap çështja e partive të reja, që formoheshin çdo ditë, dhe pasojat që ata, si klasë politike e vjetër, mund të kishin nga e nesërmja parlamentare e këtyre partive.
Konkretisht, nga sa u fol për krijimin e Partisë Republikane, e cila sapo ishte regjistruar, u kërkua sqarim dhe u diskutua mbi këto detaje: Kush ishin themeluesit e saj? Çfarë të kaluare kishin ata? A kanë qenë të goditur apo jo, gjë që mund të kuptonin se mund të kishin mllefe ndaj tyre si byroistë? Çfarë deklaratash zyrtare, madje edhe biseda të lira kishin bërë ata? A do të hynin në zgjedhje apo jo, gjë që do t’i ndihmonte ata byroistë, sepse, sipas tyre, ajo parti do të merrte vota nga Partia Demokratike. Ishin këto disa nga pyetjet, që u hodhën në atë takim për t’u diskutuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ramiz Alisë. Jo vetëm kaq, por në atë takim të Byrosë Politike, të mbajtur në 9-10 janar, si rezultat i ultimatumit të PD-së për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të para pluraliste, u hodh edhe ideja që për të dëmtuar Partinë Demokratike në mënyrë që ajo të arrinte të copëtohej sa më shumë nga vetë Partia e Punës, e cila vazhdonte të ishte në pushtet, duhej të ndihmoheshin për t’u fuqizuar partitë e reja, që ishin në krijim e sipër. Gjithsesi, pavarësisht nga lloj-lloj hipotezash dhe aludimesh, që u bënë gjatë atyre dy ditëve në atë takim urgjent, i cili zhvillohej në një konspiracion të plotë, binte dukshëm në sy se gjatë diskutimeve të tyre ndihej hapur frika e të ardhmes së partisë së tyre dhe si rrjedhim dhe e jetës së tyre. Jo më kot Ramiz Alia herë pas here prezantonte situata të ngjashme të ndodhura jashtë shtetit, ku maxhorancat komuniste, pavarësisht se në shumë raste kishin fituar në zgjedhjet pluraliste të drejtën e krijimit të qeverisë, përsëri ishin futur në debat politik me shumë lloje formash, të cilat i afron vetë shoqëria pluraliste. Kështu, në ato vende opozita kishte përdorur grevat, protestat dhe të gjitha makinacionet, duke mos njohur madje dhe zgjedhjet, me qëllim që të rrëzonin qeverinë, presidentin e gjithë institucionet shtetërore që rrjedhin nga këto. Me këto mënyra ishte kaluar në qeverira teknike dhe ishin bërë zgjedhje të reja në ato vende. Pra, me këto forma ata kishin marrë pushtetet. Këto lloj aludimesh dhe të tjera të bëra me plot gojën, jo vetëm nga byroistët e thjeshtë, por edhe nga vetë Ramiz Alia, i cili gjatë diskutimeve të kolegëve bënte here pas here thirrje, që t’i shikonin me sy realiste problemet që ekzistonin. Janë shumë detaje të tjera të panjohura, të diskutuara në datat 9-10 janar 1991, në sallën e posaçme të Byrosë Politike, në godinën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Gjithçka që ka ndodhur në atë kohë, nga ata njerëz, të cilët për 50 vjet me radhë nuk e dinin fare çfarë do të thoshte të përballeshin jo me një opozitë politike të organizuar, siç po u ndodhte me PD-në, por as me një lloj mendimi opozitar, ka ngelur për 15 vjet sekret absolut. Gjithçka bëhet e qartë për herë të parë vetëm tani, kur në redaksi të gazetës “Panorama” mbërrin procesverbali origjinal, ku është zbardhur ai takim. Një ish-funksionar i lartë i asaj kohe ka mundur të shtijë në dorë dokumentet sekrete të atyre takimeve dhe tashmë pranon t’i bëjë të njohura për opinionin e gjerë. Redaksia i boton pas asnjë ndryshim, duke bërë vetëm rregullimet ortografike.
SHOKU RAMIZ ALIA: Duhet të kemi të qartë idenë e luftës politike. Ligji i luftës politike është që deputeti lufton brenda dhe jashtë Parlamentit. Në rast se ai ngre një kërkesë në Parlament, e di se aty është me pakicë, por si përfaqësues i një mase të caktuar e ka atë në këmbë, në mbështetje të asaj kërkese. Eshtë tjetër problem në qoftë se marrim shtete të stabilizuara siç janë SHBA, Franca etj.SHOKU HEKURAN IS-AI:Vetëm dy parti ka në SHBA.SHOKU RAMIZ ALIA:Atje është e stabilizuar gjendja, por po të shohim eksperiencën tjetër, atë të vendeve të Lindjes evropiane si, Bullgaria, Rumania etj., vëmë re, se masa të caktuara njerëzish, megjithëse kanë përfaqësuesit e tyre në Parlament, ngrihen në greva. Kjo praktikë është e njohur për ne.SHOKU NIKO GJY-ZARI:Para Parlamentit bile grumbullohen.SHOKU ABDYL BA-CKA: Shoku Ramiz, që do të ketë raste të tjera konfrontimi, domethënë luftë politike, këtë e vërteton vetë jeta dhe nuk mund ta mënjanojmë tani, duke i shtyrë zgjedhjet. Kjo ka avantazhin se i fusim si pjesëmarrës në Parlament dhe në opinion do të kemi një qeveri të dalë nga Kuvendi i ri Popullor.SHOKU XHELIL GJONI: Po vetëm që, i tërë opinioni që kemi ne, aq sa kemi, do të vijë në rënie.SHOKU HEKURAN IS-AI:Do ta sqarojmë opinionin.SHOKU SPIRO DEDE: Ne duhet ta bëjmë për vete opinionin.SHOKU PALI MISKA: Çështja e shtyrjes ose e mosshtyrjes së zgjedhjeve mendoj se duhet vlerësuar mirë. Ta zëmë se nuk i shtyjmë. Po të kihet parasysh se ata po punojnë intensivisht, duke përfituar edhe nga mungesat që kemi ne nëpër qendrat e punës.SHOKU RAMIZ ALIA:Po përfitojnë edhe nga mungesa e punës sonë, këtë të mos e harroni, ne nuk po punojmë.SHOKU PALI MISKA: Të dyja këto do të bëjnë që ta shkallëzojmë punën dhe ata punëtorë, që sot janë për të mos e shtyrë datën e zgjedhjeve do të kthehen për ta shtyrë, sepse po i manipulojnë avash-avash, për këto dy arsye që thamë. Tani, në rast se ne i shtyjmë zgjedhjet ata nuk do të punojnë më në këtë drejtim, por në drejtimin tjetër: duke u bërë thirrje : ngrihuni e kërkoni rritjen e pagave, kërkoni këtë edhe atë.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Rreth asaj partie janë mbledhur gjithë njerëzit e lëkundur, forcat më reaksionare, më të errëta, armiqtë.SHOKU PALI MISKA: Në komisionin nismëtar të krijimit të Partisë Republikane është edhe Vangjush Gambeta.SHOKU RAMIZ ALIA:Në qoftë se e ka krijuar ai Partinë Republikane, për mua kur është fjala për opozitë pozitive, është njeriu më pozitiv.SHOKU HEKURAN IS-AI: Dhe do ndihmuar bile, që ta forcojë.SHOKU RAMIZ ALIA: Sigurisht.SHOKU PALI MISKA: Se ashtu e copëton atë tjetrën.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Enver Halili më tha, që s’qe paraqitur Vangjush Gambeta, po një tjetër, një Gafurr Muka.SHOKU RAMIZ ALIA: Enver Halili bën muhabete apo bën punë?Unë s’e marr vesh këtë njeri.SHOKU ADIL ÇARÇANI: I kishte thirrur përfaqësuesit e kësaj partie dhe i kishte regjistruar.SHOKU RAMIZ ALIA:Do të paraqitet në zgjedhje kjo parti?SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI:Mund të paraqitet.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai kishte folur mirë, domethënë ishte njeri pozitiv.SHOKU RAMIZ ALIA: Te ne ka një pasivitet të palejueshëm. Mua kjo më shqetëson. Nuk e kuptoj pse shokët tanë janë kaq indiferentë. Në qoftë se ata u paraqitën në Ministrinë e Drejtësisë si Parti Republikane dhe ajo e regjistroi, ministri mund t’i pyeste: Por kandidaturat kur do t’i paraqisni? E dini ligjin e zgjedhjeve? Eshtë shumë mirë të paraqiten.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Mund t’i kenë thënë.SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk e dimë.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI:Në të gjitha takimet që marrim me përfaqësues të këtyre partive, pasi vijnë për kërkesa, nga konceptet dhe mendimet që shprehin, duket që nuk janë për anarshi e për rrëmujë. Tregohen shumë normalë, me sa i kam dëgjuar unë. A e bëjnë këtë për hipokrizi, a i kanë të vërteta apo s’i kanë të vërteta ato që thonë, nuk dihet, po të paktën nga bisedat që keni bërë, tregojnë që janë për demokraci, për debat politik, vënë në dukje të metat. Ja sot, për shembull, kisha këta të Partisë Demokratike, që kërkonin një seli tjetër, sepse atë që kemi tani, thanë, do ta përdorim për degën e Tiranës. Kërkuan godinën e Bashkimeve Profesionale të rrethit. U thashë se atë e kanë Bashkimet Profesionale, që janë organizatë e pavarur, prandaj do të pyesim ata. Njëri prej tyre tha që donin dhe një sallë për mbledhje.SHOKU RAMIZ ALIA: Kush të ka ardhur për këto kërkesa?SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Bardhyl Resua, Arben Imami, Aleksandër Meksi. Vijnë herë pas here. Kanë ardhur edhe ata të Partisë Ekologjike, po s’kishin ndonjë pretendim të madh, një telefon kërkuan, godinën e kemi gjetur vetë thanë.SHOKU PALI MISKA: Eshtë e vërtetë ajo që the ti Llambi, që kur vijnë tek ty tregohen shumë normalë, por në mitingje janë ultra.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Nuk kanë ardhur nga ata.SHOKU PALI MISKA: Edhe këta që drejtojnë.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve duhet parë me kujdes, se më vonë mund të dalin probleme më të mprehta.SHOKU RAMIZ ALIA:Problemi nuk është aq i thjeshtë, përkundrazi, është mjaft i komplikuar, prandaj dhe kemi dy ditë që diskutojmë. Eshtë i komplikuar, se nga njëra anë kemi hallin që të mos i japim argumente kundërshtarit që të kundërveprojë në një mënyrë të jashtëligjshme, në anën tjetër, e keqja e dytë është që, duke i shtyrë zgjedhjet i japim opinionit të Partisë, aty ku mbështetemi ne, një goditje, sepse kjo shtyrje bëhet nga udhëheqja, nuk bëhet nga masat. Derisa bëhet nga udhëheqja, atëherë opinioni i Partisë do të thotë që u tremb udhëheqja, ne s’jemi dakord. Edhe letrat që më vijnë pikërisht këtë thonë, që u duhet qëndruar fort këtyre që bëjnë presione për shtyrjen e zgjedhjeve. Sali Berisha është i tillë, thonë, tjetri është vagabond, ky tjetri është kështu, prandaj pse të dëgjohen këta njerëz? Natyrisht, mendime si këto ka sa të duash, ato janë në plan personal dhe shprehin një mentalitet disi të vjetër. Po sidoqoftë, vendimin që të shtyhen zgjedhjet e merr nga lart, kur masa e popullit ka një opinion tjetër dhe ky opinion ekziston në një shumicë të madhe, nuk është se ekziston në një pakicë. Kjo ka rrezik të na shkëpusë nga Partia, e cila thotë: “S’na pyet udhëheqja, ajo bën në kokën e vet” dhe kështu bëhet indiferente. Nga pikëpamja e udhëheqjes humbim të drejtën morale që t’i themi Partisë të përballojë situatën që mund të krijohet pas zgjedhjeve, se ajo të thotë: “Bëj ç’të duash, kur ishte për të më pyetur s’më pyete, vendose vetë, prandaj tani përballoje vetë, unë nuk kam qenë dakord me atë çështje.”.Domethënë të lë në baltë kur të duash. Do të thoni ju se të ka lënë edhe sot se ja në Shkodër, në Tiranë, në Kavajë nuk të doli të mënjanonte ngjarjet e padëshiruara. Mirë, në qoftë se nuk doli në Tiranë, në Kavajë apo në Shkodër ne prapë jemi në sulm,në kuptimin që kemi të drejtë ti themi: çfarë komunisti je ti që s’po del? Pra e kemi të drejtën morale të flasim prapë. Kurse nesër në rast se do t’i shtyjmë zgjedhjet pa më pyetur mua, bile u trembe dhe i dhe kurajë kundërshtarit që të veprojë kështu.Këto dy aspekte të opinionit të brendshëm nuk duhet ti harrojmë. Po të kishim garancinë që të themi se mbas shtyrjes nuk do të ndodhe gjë mund ta bënim shtyrjen. Por garancinë nuk e kemi. Bile jo vetëm se kemi, por eksperienca e të tjerëve na tregon se ata do të vazhdojnë në këtë rrugë. Pse? Sepse nga pikëpamja numerike, çfarëdo përpjekjesh që të bëjnë për dy muaj nuk mundet ta kthejnë situatën që të marrin shumicën e votave, të paktën në këtë raport forcash që është tani. Prandaj edhe me 50 veta sikur të jenë në Parlament, që është pakicë, ata do të përpiqen e do të kërkojnë që opozita e tyre të jetë aktive, me synimin që së pari të rrëzojnë qeverinë, së dyti, të rrëzojnë presidentin, së treti, të ndryshojnë Kushtetutën. Që në momentin e parë që të hapet Kuvendi i Ri Popullor në shumë gjëra të Kushtetutës do të thonë që nuk jemi dakord, duke filluar që nga emërtimi i Shqipërisë Republikë Popullore Socialiste...

Ramiz Alia, byroistëve: Duhet të mësoni të bëni dialog me grevistët
Disa nga idetë dhe orientimet e Alisë në atë takim ishin: ...Duhet të mësoni të bëni dialog (me punëtorët grevistë), sepse ndodh që njëri është dakord, tjetri nuk është. Për mendimin tim, nuk kishte pse të vinin ata te ju, po mund të shkoje ti tek ata.E dyta, bisedimet mund të vazhdojnë dy javë, pse një muaj dhe jo një gjysmë dite apo një orë. Për problemin e shtëpive u thuhet që nuk jam unë për këtë punë, prandaj nesër do të njoftoj kryetarin e Komitetit Ekzekutiv bashkë me shefin e strehimit, që të takohen me komisionin tuaj në filan orë. Për çështjen e pagave do të ngarkoj njerëz për ta studiuar dhe pas një jave do të takohet komisioni juaj me këtë person. Kështu do të veprohet edhe për çështjen e përmirësimit të ushqimit në mensat e minatorëve dhe për probleme të tjera, duke bashkëvepruar në këtë rast edhe me shokët e bashkimeve profesionale... ....Populli po na thotë “pse rrini në vila” e ne po diskutojmë për këtë deri në Aktivin Kombëtar të Partisë dhe jo të mos thotë “pse keni frikë”. Dhe kush ta thotë? Partia, komunistët. Prandaj, që të mos na akuzojë ne si Byro Politike për frikë, medoemos duhet të marrim mendimin e Komitetit Qendror.Për sa u përket organizatave të masave, mundet të marrim përsipër ne si Komitet Qendror i Partisë, që të mblidhen vetëm forumet e tyre kryesore. Imagjinoni po të mblidhen të gjitha organizatat e masave dhe bashkë me ta Komiteti Qendror e të diskutojnë që t’i shtyjmë, apo të mos i shtyjmë zgjedhjet, siç bëmë ne këtu. Brenda të gjitha këtyre organizatave ka demokratë sa të duash. Ky muhabet është bërë akoma pa vajtur tek ata... ....Në qoftë se ne nuk do të pranojmë, ata do të vazhdojnë presionin. Atëherë duhet të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë këtij presioni me forcë. Organet tona të punëve të brendshme dhe forcat e mbrojtjes duhet të mprehin shpatën, kurse organet tona ekonomike të jenë gati për t’u ndeshur me minatorët, me punëtorët e të tjerë që do t’i nënshtrohen këtij presioni. Ja, këtë duhet të kemi të qartë.

neser do te lexoni
Diskutimet e byroistëve në lidhje me kongresin e Partisë. Pse Hekuran Isai kërkoi që ai të mblidhej urgjent dhe kush ishte përgjigja e Alisë në lidhje me të
Situata e papritur e krijuar në sallën e Byrosë Politike, kur Ramiz Alia deklaroi, se ata tashmë ndodheshin para një kongresi të jashtëzakonshëm partie
Analiza e Alisë në lidhje me strukturat e partisë, ku ai pranon frikën, pasivitetin dhe tërheqjen totale të anëtarësisë nga lufta dhe e ardhmja e tyre politike