Vazhdojnë debatet dhe diskutimet e gjata në sallën e posaçme të godinës së Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Ndërsa takimi i Byrosë Politike ka kaluar në ditën e dytë të punimeve, Ramiz Alia vazhdon të kërkojë sqarimin e të gjithë situatës në të cilën ata ndodhen. Për herë të parë, në atë sallë diskutohet për grevat dhe protestat e punëtorëve, për të cilët pranohet hapur se kanë arritur në atë shkallë sa që kërkojnë dyfishim page, madje vazhdojnë edhe me kërkesa politike, qw për çudinë e byroistëve janë në koherencë të plotë me kërkesat e Partisë Demokratike. Gjithçka ka ndodhur pikërisht në janar të vitit 1991, pra para 15 vitesh, kur Shqipëria për herë të parë pas 50 vjetësh të sundimit komunist ka hyrë në zgjedhjet e para pluraliste. Në Byronë Politike, të mbledhur me urdhrin urgjent të Ramiz Alisë, pas një ultimatumi të Partisë Demokratike, ndryshe nga praktika 50-vjeçare e ndjekur deri në atë ditë, në 10 janar po pranohej se njerëzit, masa e gjerë e popullit po i largohej partisë së tyre. Jo vetëm kaq, por në atë mbledhje u pranua edhe fakti se grevat dhe demonstratat e organizuara nuk kishin qëllim thjesht për të rritur pagat dhe për të rregulluar kushtet e punës dhe të jetesës, por ata kishin synim që të rrëzonin krejt komunistët nga pushteti. Në këtë temë, byroistët u ndalën në çështjen e mënyrës së funksionimit të shoqërisë demokratike. Dukej qartë se në një farë mënyre ata po pranonin fundin e misionit të tyre politik, pasi në shumë detaje të atij dialogu po u mëshonin çështjeve të tilla se si mund të kishin sa më pak humbje në votime. Një temë e nxehtë ishte edhe ajo për përmasat që kishin marrë grevat e punëtorëve, për të cilën ata vetë pranuan me plot gojën emrat e shumë ndërmarrjeve të mëdha, të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Ka qenë ajo situatë e shfaqur papritur para Byrosë Politike të Partisë së Punës, të cilën Enver Hoxha u kishte lënë trashëgim shqiptarëve, gjatë diskutimeve të gjata, të mbajtura në kushtet e një konspiracioni absolut në datat 9-10 janar, të cilën redaksia e “Panorama” e bën publike vetëm tani, kur kanë kaluar plot 15 vjet. Gjithçka është mundësuar pas sigurimit të procesverbalit tepër sekret, të zbardhur në atë kohë nga shiriti i incizimit të mbledhjes. Një nga kuadrot e lartë të asaj kohe, në kohën e ndërrimit të pushteteve, ka mundur që ato procesverbale t’i shtijë në dorë dhe që tashmë pranon që nëpërmjet “Panorama” t’i vërë në dispozicion të publikut të gjerë. SHOKU BESNIK BE-KTESHI: Në qoftë se ata (Punwtorët e minierës së Valiasit, të cilët ishin ngritur nw grevë) kërkojnë rritjen e pagës dyfish, unë do t’u them që kemi studimin tërësor për këtë çështje, që do të përfundojë brenda 6-mujorit të parë, po nuk e shikoj të arsyeshme të rritet në këtë masë. SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja kryesore në punën tonë është të bindim njerëzit, por mua më duket se jemi shkëputur nga njerëzit. A e kuptoni këtë? Provoni të shkoni në minierën e Valiasit apo në TEC-in, në kombinatin e autotraktorëve “Enver Hoxha”, në Radiotelevizion, në Institutin e Lartë të Arteve dhe do të vini re që nuk e keni në dorë kolektivin. Po e shikoni vetë çfarë situate është. Ne jemi mbyllur në zyra dhe nuk po shkojmë atje të punojmë me masën e punëtorëve. SHOKU BESNIK BE-KTESHI: Unë përpara dy javësh kam qenë në Valias, në mes të punëtorëve, veç herëve të tjera, por nuk vete dot më, se kërkojnë dyfishin e pagës, gjë që unë s’kam forcë ta zgjidh. SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj metodat e zgjidhjes të problemeve duhet të ndryshojnë. Në rastin konkret të grevës së minatorëve të Valiasit, në qoftë se janë 30 vagabondë që ngrenë tërë masën e punëtorëve në këmbë, duhen neutralizuar. Por ata nuk neutralizohen me një takim që mund të bësh me ta. Në këtë mes duhet të futësh të tëra levat, që nga bashkimet profesionale, etj. Nuk e di nëse i keni ndjekur disa emisione televizive, ku tregohet se ministri i Punës i filan vendi bën takim me kryetarin e sindikatës, me komisionin e metal-mekanikëve, me punëtorët etj, për rritjen e pagave e për çështje të tjera, diskuton me ta, ca i bind, ca i neutralizon. SHOKU BESNIK BE-KTESHI: Tani u ngritën në grevë dhe punëtorët e nxjerrjes së bakrit, të cilët e duan pagën të rritet 200 për qind. SHOKU HEKURAN IS-AI: Këtu në Tiranë kemi Valiasin dhe TEC-in. SHOKU BESNIK BEKTESHI: Të tërë kërkojnë rritjen e pagës në masën 200 për qind. SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, tjetër çfarë kishit? SHOKU XHELIL GJONI: Nga takimet që kam pasur me sekretarë të partisë të rretheve dhe të rajoneve, si dhe me drejtues të organizatave të masave, ka mendime të tilla që shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk është se s’na bën gjë neve, përkundrazi, na bën gjë në dy drejtime: edhe në drejtim të brendshëm, edhe në atë të jashtëm. Më bëri përshtypje biseda me shokun Vangjel (Çërrava, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Korçës, shënimi im FV) në telefon që në Bilisht dhe në dy-tre fshatra të tjera nuk do të votojnë pa u ndarë toka. SHOKU PALI MISKA: Ai e ka fjalën për të ndryshuar kufijtë midis korporatave që ndahen, jo për të shpërndarë tokën. SHOKU XHELIL GJONI: Mirë, mund ta kem unë gabim, por pretendimi është. Vangjeli gjithashtu më tha që demokratët kanë ndikim atje, domethënë orekset e tyre do të vijnë duke u shtuar, sepse ata kanë dalë me programin e tyre për tokën e për të gjitha çështjet e tjera. Më bëri përshtypje sidomos mendimi i Robert Kolit (Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës) që ne duhet të hyjmë në marrëveshje me ta për t’i bindur që të bëhen zgjedhjet, se është edhe në të keqen e tyre, në qoftë se mendojnë për çështjen kombëtare, dhe në të keqen e kombit, tonën e të gjitha. Ai thoshte se në asnjë mënyrë nuk duhet t’i shtyjmë zgjedhjet, sepse do të humbasim shumë në pjesën dërrmuese të popullit dhe të partisë. Pastaj duhet të mësohemi, tha, dhe me grevat, se nuk do të jenë të parat këto, do të ketë edhe më tej. Partitë e tjera, për një pretekst a për një tjetër, në ato shtresa dhe kategori që do të kenë influencë, do të nxisin të bëjnë greva, të cilat do të jenë brenda kuadrit të Kushtetutës. Të themi të drejtën, mendimi i këtyre njerëzve është për të mos i shtyrë zgjedhjet. Ç’është e vërteta, pavarësisht nga defektet që kanë në punët e tyre, kanë asistuar në të tëra diskutimet, në të gjitha takimet me punonjësit në ndërmarrje e kudo dhe kanë arritur këto mendime. Unë jam për kompromisin, gjithnjë me idenë që të mos shkojmë drejt përplasjes. Gjithashtu kam mendimin që organizatat e masave, të cilat u shpallën publikisht subjekte të pavarura, me programet e tyre gjatë kësaj kohe ata nuk e kanë justifikuar veten. Shpallen vetëm programet, ndërsa duke u nisur nga aktiviteti i tyre dyshoj në bindjen dhe sigurinë që kanë ata poshtë në bazë, kur thonë që jemi për të mos i shtyrë zgjedhjet. Tani, në qoftë se dhe këta do të bien dakord për këtë çështje, duhet të marrin masat e tyre për këtë fushatë se aktualisht nuk i kanë marrë. SHOKU RAMIZ ALIA: Ne nuk po veprojmë. Nuk e di a e shikoni që jemi të paralizuar. E ndjeni apo se ndjeni këtë? Mendoj se këtu është defekti më i madh, që askush nuk po reagon. Shtypi nuk reagon, nuk është agresiv në këtë çështje, po futet në ca gjëra të tjera të parëndësishme, televizioni nuk reagon, s’del njeri të flasë në televizion për gjendjen. Eshtë tepër e domosdoshme që të shkojmë të diskutojmë me popullin, të shtojmë dhe të forcojmë kontaktet me të. SHOKU SPIRO DEDE: Në qoftë se zgjedhjet nuk do të shtyhen, menjëherë do të fillojë një punë totale me njerëzit. SHOKU HEKURAN IS-AI: Shtyrja e zgjedhjeve, them unë, do të ishte një kompromis. SHOKU XHELIL GJONI: Në disa rajone tonat janë bërë debate në popull për shtyrjen e zgjedhjeve, sidomos aty ku kanë hyrë këta të demokratikes, si në Laprakë dhe në dy lagje të Tiranës së re, ku është shpallur kandidatura e Hamit Beqjes. SHOKU SPIRO DEDE: Forcat më aktive nuk janë atje, shoku Xhelil. SHOKU XHELIL GJONI: Prandaj mua më çudit që Lisen Bashkurti flet me kaq siguri për rininë. SHOKU SPIRO DEDE: Kjo më çudit dhe mua. E kemi kudo rininë, tha ai. SHOKU XHELIL GJONI: Rinia nuk është prezent kudo. SHOKU PALI MISKA: Ku i ka Liseni të rinjtë, se ne shumicën e njerëzve i kemi të moshës së rinisë? SHOKU RAMIZ ALIA: Remzi Lani është kryeredaktor i “Rinisë” dhe shkruan në “Rilindjen demokratike”. SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Dëshira jonë shoku Ramiz është që zgjedhjet të mos shtyheshin, po duhet ta bëjmë me çdo kusht këtë kompromis. Në rast se këtë kompromis nuk e pranon organizata e Bashkimeve profesionale ose e Gruas dhe kanë mendimin që të vemi në votime më 10 shkurt, pra të mos shtyhen votimet, do të thosha që ato nuk e njohin realitetin. SHOKU XHELIL GJONI: Çfarë thonë drejtorët, kryetarët e këshillave popullore të lagjeve? Tirana ka 62 lagje, me rreth 4000 frymë secila. SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ka dhe nga ata që thonë të shtyhen. SHOKU HEKURAN IS-AI: Unë isha nga ata që mbështeta edhe shokun Pali, edhe shokun Adil, dhe shokë të tjerë. Këtu ka dy probleme të mëdha: e para, ata të Partisë Demokratike do të kërkojnë me këmbëngulje që të shtyhen zgjedhjet, duke ngritur njerëzit në mënyrë masive. Do të bëjnë atë që diskutuam mbrëmë. E dyta, jemi të interesuar ne të dalim si monoparti në zgjedhje? Gjendja është mjaft e rëndë. Unë mendoj që situata në Valias do të jetë një flamur i ngritjes së gjithë klasës punëtore. Populli për studentët dhe për punëtorët ka sentimentalizëm. SHOKU RAMIZ ALIA: Kush mbeti tjetër, në qoftë se janë studentët dhe klasa punëtore objekt i sentimentalizmit për popullin? SHOKU SPIRO DEDE: Pensionistët dhe veteranët. SHOKU HEKURAN IS-AI: Në qoftë se ndesh diçka me punëtorët, populli nuk mund ta pranojë që ne, pushteti i punëtorëve, të dalim me armë kundër tyre. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Punëtorët nuk janë më shumë për shtyrjen e votimeve. SHOKU HEKURAN ISAI: Situatën në Tiranë e kemi shumë të acaruar. Në rast se ne që jemi këtu, ndonjëri që ka fuqi e mundësi ose shokë të tjerë, nuk shkon të zhvillojë dialog me punëtorët e Valiasit, të TEC-it dhe të shumë ndërmarrjeve të tjera, do ta lënë Tiranën edhe pa bukë, s’do të ketë as furnizim dhe do të krijohet një situatë shumë e rëndë. SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo situatë mund të krijohet në çdo kohë. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Edhe në qoftë se i shtyn zgjedhjet. SHOKU RAMIZ ALIA: Më duket që ne nuk kemi më kontroll mbi qendrat e punës, mbi kolektivat e mëdha, ato nuk janë më në drejtimin tonë, por i manipulon tjetërkush. SHOKU HEKURAN IS-AI: Për ndërmarrjet e Tiranës kështu është. SHOKU NIKO GJY-ZARI: A i marrim në dorë këto ndërmarrje në qoftë se i shtyjmë zgjedhjet? Ata të Partisë Demokratike kërkojnë edhe anulimin e ligjit të zgjedhjeve, shoku Hekuran. SHOKU HEKURAN ISAI: Unë po them atë që tha shoku Llambi, dëshira jonë është për të mos i shtyrë zgjedhjet, por kur vjen puna për të përballur situatat, ata 20 mijë komunistë të Tiranës nuk duken gjëkundi. SHOKU XHELIL GJONI: Logjika e ngjarjeve është e tillë që ata nuk kërkojnë vetëm shtyrjen e zgjedhjeve, por që të ikin komunistët, kërkojnë pushtetin. Pas zgjedhjeve kujtoni ju se ata do të bëhen më të dobët në kërkesa? SHOKU HEKURAN ISAI: Po, lufta do të vazhdojë. SHOKU XHELIL GJONI: Unë them se lufta do të bëhet më e fortë. SHOKU SPIRO DEDE: Po patëm një opozitë në Parlament, atëherë debati dhe kërkesat e tyre i heq nga rruga dhe i kalon atje...
Dialogët e nxehtë në takimin e byrosë më 9-10 janar ‘91 RAMIZ ALIA: Ne nuk po veprojmë. Nuk e di a e shikoni që jemi të paralizuar. E ndjeni apo s’e ndjeni këtë? Mendoj se këtu është defekti më i madh, që askush nuk po reagon. Shtypi nuk reagon, nuk është agresiv në këtë çështje, po futet në ca gjëra të tjera të parëndësishme, televizioni nuk reagon, s’del njeri të flasë në televizion për gjendjen. Eshtë tepër e domosdoshme që të shkojmë të diskutojmë me popullin, të shtojmë dhe të forcojmë kontaktet me të. HEKURAN ISAI: Situatën në Tiranë e kemi shumë të acaruar. Në rast se ne që jemi këtu, ndonjëri që ka fuqi e mundësi ose shokë të tjerë, nuk shkon të zhvillojë dialog me punëtorët e Valiasit, të TEC-it dhe të shumë ndërmarrjeve të tjera, do ta lënë Tiranën edhe pa bukë, s’do të ketë as furnizim dhe do të krijohet një situatë shumë e rëndë. PALI MISKA: Ku i ka Liseni (Bashkurti) të rinjtë, se ne shumicën e njerëzve i kemi të moshës së rinisë? RAMIZ ALIA: Remzi Lani është kryeredaktor i “Rinisë” dhe shkruan në “Rilindjen demokratike”. HEKURAN ISAI: Në qoftë se ndesh diçka me punëtorët, populli nuk mund ta pranojë që ne, pushteti i punëtorëve, të dalim me armë kundër tyre. HEKURAN ISAI: Unë po them atë që tha shoku Llambi, dëshira jonë është për të mos i shtyrë zgjedhjet, por kur vjen puna për të përballur situatat, ata 20 mijë komunistë të Tiranës nuk duken gjëkundi. XHELIL GJONI: Logjika e ngjarjeve është e tillë që, ata nuk kërkojnë vetëm shtyrjen e zgjedhjeve, por që të ikin komunistët, kërkojnë pushtetin. Pas zgjedhjeve kujtoni ju se ata do të bëhen më të dobët në kërkesa?
neser do te lexoni - Debatet e lindura në sallën e Byrosë Politike për situatat që krijonte PD-ja në radhët e punëtorëve grevistë. Çfarë ndodhi kur ata pranuan se grevat e tyre ishin të organizuara nga opozita që u kërkonte pushtetin
- Lajmi i marrë në atë sallë edhe për krijimin e Partisë Republikane. Cilat ishin diskutimet dhe mendimet e tyre për atë parti dhe çfarë tha Ramiz Alia për njerëzit që atij i raportuan se ishin themelues të saj
- Në vijim shfaqen mendimet e Alisë në lidhje me frikën e tyre për të mos u dhënë shkak opozitarëve për t’i nxituar që grevat të merrnin përmasa të paparashikuara sepse, siç shprehej ai, një gjë e tillë do të thoshte rrëzim të menjëhershëm
|
<< Home