Byroja e janarit ‘91: Në sytë e popullit të dukemi sikur s’kemi frikë nga PD-ja
Byroja e janarit ‘91: Në sytë e popullit të dukemi sikur s’kemi frikë nga PD-ja
Kur po pranonin ultimatumin e opozitës, byroistët kërkonin justifikim për opinionin
Fatos Veliu
“T’i shtyjmë apo të mos i shtyjmë zgjedhjet, kjo është çështja”. Kjo shprehje duket si një thënie proverbiale, por për hir të së vërtetës dhe për hipokrizi të situatës që kalonte Shqipëria në vitet ’90, ajo ka qenë tema e diskutimit prej dy ditësh të ekipit më të lartë politik që drejtonte shtetin shqiptar të atyre viteve.
Ka ndodhur plot 15 vjet më parë, pikërisht në 9-10 janar të vitit 1991. Gjithçka filloi si një mbledhje rutine, ku lideri komunist i shtetit, Ramiz Alia, mblodhi vartësit e tij, me të cilët kishte drejtuar shtetin në vitet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe u komunikoi një bisedë që kishte bërë një ditë më parë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të porsaformuar. Në debatin prej dy orësh me ta, ai kishte marrë në formë ultimative kërkesën për shtyrjen të paktën 2-3 muaj të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, për të cilat ishte vendosur data 10 shkurt (1991). Kaq kishte mjaftuar që ata njerëz, që rrinin të ulur përballë Alisë dhe që ishin konsideruar jo vetëm nga populli, por edhe nga vetja se ishin “mite” të kombit, të hynin në biseda pa krye duke aluduar lloj-lloj hipotezash, për të bërë të kundërtën. Gjithsesi, ndërmjet tyre kishte edhe të tillë që mendonin të pranonin kërkesat e opozitës për vetë faktin se do të kishin pasoja më të rënda në qoftë se nuk do të plotësonin kërkesat e tyre. Megjithatë, duket disi paradoksal veprimi i diskutimeve të gjata dhe të pafundme për të aluduar mbi një veprim të tillë teknik, kur vetë pranonin se ishin në një situatë që shumë kolektiva punonjësish, madje të ndërmarrjeve prodhuese me peshë të konsiderueshme në ekonominë kombëtare të vendit, ishin çuar në protesta jo vetëm ekonomike, por edhe politike, ku ndër të tjera kërkonin edhe shtyrjen e zgjedhjeve. Më i çuditshëm bëhet veprimi i tyre kur ata vazhdojnë të njëjtin avaz edhe kur nga Alia, Çarçani e ndonjë tjetër u sqarohet situata se, masat e gjera të popullit po i braktisnin. Jo vetëm kaq, por ata vazhdonin në të njëjtën temë dhe me mendim të pandryshueshëm për të mos lëshuar pe edhe në rastin kur Alia u kujton ngjarjet e ngjashme që kishin ndodhur në vendet homologe ish-komuniste. Mirëpo, ata njerëz që deri në atë ditë konsideroheshin më të zgjuarit e kombit, sërish vazhdonin të mendonin se jo vetëm nuk ishte mirë të shtynin zgjedhjet, por ata kishin mundësi që të jepnin sulme politike me rrugë të ndryshme gjatë fushatës elektorale dhe të bindnin popullin. Ata akoma mendonin se mund të bënin përmirësime të dukshme si në ekonominë e vendit, duke filluar nga pagat e punëtorëve, e deri në kushtet e jetesës dhe të punës në ndërmarrje. Hipokrizia dhe paradoksi i këtij fakti qëndron në fenomenin se ata kishin shpresa për përmirësimet që theksonin, në një kohë që e dinin shumë mirë se rezervat e shtetit ishin shfarosur krejt, ndërkohë që kishte filluar të përdorej thesari i floririt të paprekshëm. Dhe e gjitha kjo jo për luksin, por për bukën e gojës së popullit që drejtonin, pasi kishte pllakosur plotësisht kriza e bukës. Gjithçka rreth asaj mbledhje të stërzgjatur që vazhdoi plot dy ditë u evidentua në mënyrë tepër sekrete në procesverbalin e posaçëm, i cili u sigurua në kaskadat e veçanta të arkivit të ish-Partisë së Punës. Gjithsesi, sot, kur mbushen plot 15 vjet nga ai moment që shënonte etapën e fundit të periudhës komuniste, pasi ka ndodhur vetëm një muaj para zgjedhjeve të para pluraliste, bëhet i njohur për publikun e gjerë. Kjo mundësohet kur redaksia e “Panorama” (nëpërmjet një zyrtari të lartë të asaj kohe, i cili në periudhën e fundit të ndërrimit të sistemeve ka mundur të sigurojë disa procesverbale origjinale të atyre mbledhjeve tepër sekrete dhe që tashmë i vë në dispozicion të publikut të gjerë) arrin të shtijë në dorë procesverbalin e plotë të atij takimi sa misterioz, aq edhe paradoksal e i çuditshëm.
(Nga fundi i numrit të kaluar u zbardh momenti kur nëpërmjet diskutimeve të ndryshme hidhet hipoteza që të pranohet ultimatumi i PD-së për shtyrje të zgjedhjeve. Në këtë fazë diskutantët mendojnë se si ta justifikojnë në popull këtë veprim tërheqjeje)
SHOKU RAMIZ ALIA:Po opinionit të brendshëm çfarë do t’i themi? (fjala është për rastin që mund të pranohet shtyrja e zgjedhjeve, shënimi im F.V)SHOKU BESNIK BEKTESHI:Do ta mendojmë. Ky është dhe problemi më i madh.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Do të themi që reflektuam, që ne nuk jemi një mur i palëvizshëm dhe kompromiset në raste të tilla kanë vend, bile gjëra dhe më të mëdha.SHOKU XHELIL GJONI: Ashtu është, nuk jemi të palëvizur, po ky opinion është shumë i fortë dhe duhet ta marrim po aq të vështirë sa ç’është ky i krahut tjetër, sidomos nga pikëpamja e pasojave. Në qoftë se nuk do ta përballojmë mirë, do të thotë që partia të largohet prej nesh. SHOKU RAMIZ ALIA: Eshtë larguar ca.SHOKU XHELIL GJONI: Të jemi të ndërgjegjshëm që për një kohë shumë të shkurtër janë bërë gjithë këto gjëra dhe kanë tingëlluar sikur këto masa janë marrë nga presioni. Prandaj dhe shtyrjen e zgjedhjeve që po diskutojmë tani, e bëjmë që të mos vijë si presion. SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kështu janë komentuar, sikur ne jemi tërhequr nga presionet. Dhe në fakt ka një të vërtetë.SHOKU BESNIK BEKTESHI: Njoftimi që u dha sot në gazetë për takimin që patët ju, shoku Ramiz, dje me një përfaqësi të Partisë Demokratike për mendimin tim ka një diçka evazive, që mbrëmë është lënë për mirëkuptim, domethënë nuk është prerë çështja e shtyrjes së zgjedhjeve. Së dyti, faktin që ne themi se ky problem ka dalë dhe nga mbledhjet e ndryshme për propozimin e kandidatëve për deputetë në Kuvendin Popullor, nuk kemi pse ta marrim thjesht si presion, po duhet gjetur formulimi.SHOKU RAMIZ ALIA:Si ta gjejmë formulimin?SHOKU BESNIK BEKTESHI: Formulimin e kam në kuptimin që jo t’i referohemi thjesht një presioni, por tashmë, siç duket, është një kërkesë jo vetëm e Partisë Demokratike, por edhe populli në takime të ndryshme ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.SHOKU XHELIL GJONI:Kini një gjë parasysh, që në shumicën dërrmuese të diskutimeve kërkesat janë për t’u bërë zgjedhjet më 10 shkurt.SHOKU BESNIK BEKTESHI: Mirë, ju jeni të azhornuar më në detaje.SHOKU PALI MISKA: Mund të thuhet që ata nuk janë përgatitur për zgjedhjet e 10 shkurtit, po nuk duhet të themi që shtyrjen e tyre e ka shprehur populli. Kjo ndikon keq.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Mirë, dakord.SHOKU SPIRO DEDE: Sot takova titullarët e organizatave të masave dhe bisedova me ta se si po vete faza e parë e zgjedhjeve. Shumë mirë, më thanë. Në mënyrë totale dhe të padiskutueshme ishin të mendimit që në asnjë mënyrë zgjedhjet të mos shtyhen. Lisen Bashkurti (Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, shënimi im F.V) u shpreh që ne e kemi rininë totalisht me vete dhe do të kemi një humbje të madhe si parti në qoftë se shtyjmë zgjedhjet. Të njëjtën gjë shprehën edhe shokët e klasës punëtore. Ne mendojmë, thanë ata, se do të jetë nga gjërat më të rënda në qoftë se shtyhen zgjedhjet. Klasa punëtore, në tërësi, është me partinë.SHOKU PALI MISKA: Kush e merr përsipër këtë?SHOKU SPIRO DEDE: Sotir Kocollari (Në atë kohë ishte president i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, shënimi im F.V)(Ka reagim nga shokët)SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Sotir Kocollari:Nuk e di fare gjendjen e klasës punëtore.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Pse shoku Sotir nuk doli një herë në televizion apo të shkonte të bënte mbledhje me punëtorët dhe tua thoshte një gjë të tillë?SHOKU PALI MISKA: Pse nuk vete në Valias, apo vajti dhe nuk e pyetën?SHOKU SPIRO DEDE: Të njëjtin mendim kishin dhe Lumturi Rexha (presidente e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, shënimi im F.V) dhe Myqerem Fuga (Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar, shënimi im F.V), bile ky thoshte që veteranët po na zënë për mënge dhe po na thonë: “Çfarë bëni? Qëndroni të fortë. Dhe ne do të qëndrojmë të fortë, jemi me partinë”.SHOKU RAMIZ ALIA: Po Leka (fjala është për Leka Shkurtin, i cili ishte sekretar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë, shënimi im F.V) ishte në takim?SHOKU SPIRO DEDE: Po, ishte dhe tha që nuk duhet të lëmë shteg në asnjë mënyrë që ne jemi për shtyrje zgjedhjesh.Mendimi i tyre ishte i plotë, i prerë, i padiskutueshëm që në asnjë mënyrë nuk duhen shtyrë zgjedhjet, sepse do të jetë me dëm shumë të madh për partinë, për pushtetin. Ata bënë dhe vërejtje, duke thënë që për çështjen e ekonomisë të flasin shokët e qeverisë, ministra, drejtorë ndërmarrjesh etj, që janë marrë këto masa, se lëndën e parë do ta sigurojmë këtu dhe aty etj, dhe se komitetet ekzekutive duhet të lëvizin më shumë.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Shoku Spiro, mirë kur nuk e kanë lëndën e parë, po atje ku e kanë dhe nuk venë në punë? Si e shpjegoni këtë?SHOKU SPIRO DEDE: Do të vij dhe tek ajo. Unë këto po i transmetoj se më porositën disa herë që t’i sjell këtu dhe në qoftë se i jap kështu, nuk i jap nga ana ime, po ishte një atmosferë që mua më ka prekur shumë dhe më ka bërë që të mendoj thellë, sepse për një çështje jemi të gjithë. Një ndër faktorët kryesorë që njerëzit të punojnë, ata përmendin lëndën e parë dhe pjesët e këmbimit, gjithashtu gjendjen e tregut, të transportit etj, sepse shumë njerëz mbeten pa shkuar në punë, thoshin, vetëm për çështje autobusësh ose për sebepe të tjera. Elementi armik që kërkon destabilizim e të turbullojë situatat doemos vepron e futet kudo. Ai do të kapet pas autobusit, pas pagës etj, po ne t’i rregullojmë këto dhe të vemi në zgjedhje medoemos më 10 shkurt.Propaganda duhet të bëjë të vetën, thoshin ata, t’i japim një gjallëri të veçantë asaj, duke u hedhur të gjithë në sulm. Mendimi i tyre ishte që shoku Ramiz, në mënyrë shumë të qetë, të shpjegojë në televizion situatën.Unë mendoj që televizioni të hapë rubrika të tilla, si mendojmë për stabilizimin e gjendjes së vështirë ekonomike, ku të ftohen përfaqësues të Partisë së Punës, të Partisë Demokratike etj, dhe të japin mendimet e tyre. Ata tani po luftojnë me parulla e me mitingje dhe nuk po futen në problemet konkrete. Ti mundim ata, doemos që populli do të bëhet me ne. Lisen Bashkurti më thoshte që “jam në gjendje menjëherë të ngre masa të rinisë që të flasin, të diskutojnë, të thonë fjalën e tyre që ne e mbështesim këtë program”.SHOKU RAMIZ ALIA: Po kryeartikullin e sotëm të gazetës “Zëri i rinisë” kush e ka shkruar?SHOKU HEKURAN ISAI: Në të thuhej që rinia nuk ka asnjë lidhje me partinë.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po rinia është ajo që merr pjesë në të tëra mitingjet e Partisë Demokratike. Mbi 35 vjeç nuk ka.SHOKU PALI MISKA: Rinia është më shumë në mitingje. Atëherë si do t’i ngrejë Lisen Bashkurti?SHOKU SPIRO DEDE: Dhe këtë ia thashë, megjithatë më habiti me atë që thoshte se masat e rinisë i kemi me vete.Unë e kam mendimin që po të dimë të flasim në televizion, të vemi në qendrat e punës e t’i ngremë të gjithë në këmbë, mund të fitojmë. Të bindim vëzhguesit e huaj dhe të gjithë në këmbë mund të jenë të pranishëm në zgjedhje, se populli po voton, se këto janë zgjedhje të drejta e të lira.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në bisedimet që bënë me shokun Ramiz ata të Partisë Demokratike thanë që do të reflektojnë, kurse “Rojteri” tha që vendosën t’i bojkotojnë.SHOKU SPIRO DEDE: Ata bojkotim mund të bëjnë, se nuk po gjejnë dot kandidatët. Lisen Bashkurti më thoshte që në Shkodër nuk kanë gjetur asnjë, se nuk ka pranuar asnjë intelektual të bëhet deputet i tyre. Se ç’mund të kenë në letra të fshehta, që mund ti nxjerrin në fund, është punë tjetër. Në Tiranë më kanë thënë që kanë kapur katër-pesë veta për këtë qëllim, por u kanë thënë që nuk janë dakord.SHOKU RAMIZ ALIA:Atë më thanë dhe mua që nuk kemi kandidatë, nuk kemi kohë t’i gjejmë.SHOKU SPIRO DEDE: Neve na intereson që në Kuvendin Popullor të ketë 20-50 deputetë të tyre, se do të jetë mirë dhe për opinionin e jashtëm. Ndryshe do të jetë me pasoja, do të lihet shteg për të bërë sherr dhe destabilizim. Ka dhe një variant të dytë. Shumë intelektualë nga universiteti, nga aparati këtu më kanë zënë dhe më kanë shprehur mendimin që të shtyhen zgjedhjet. Në fakt, edhe njerëz punëtorë të ekuilibruar e duan këtë. Disa nga këta bëjnë llogari të tillë, në qoftë se partia jonë mendon se për dy muaj që mund të shtyhen zgjedhjet do të humbasë vendi apo vetë partia, nuk është parti. Kurse unë personalisht kam bindjen e plotë që partia jonë është shumë e fortë, është shumë e sigurt dhe gjatë kësaj kohe do të rregullojë shumë gjëra që tani i kanë rënë, ca kanë ulur kokën, ca janë trembur, ca janë hutuar, se janë dhe disa faktorë që na dobësojnë. Në këtë mes, në qoftë se do të arrihej në një kompromis, siç thanë shokët, me lëshime reciproke, ku të thuhej që në kushtet kur kërkohet një stabilizim i gjendjes dhe njerëzit të punojnë normalisht, për interesat e vendit e për të mirën e demokracisë, ramë dakord që zgjedhjet të shtyhen. SHOKU PALI MISKA: Si argument për shtyrjen e zgjedhjeve e thua ti këtë?SHOKU SPIRO DEDE: Patjetër që duhet argumenti për ta bindur veteranin apo të riun që kërkon të mos shtyhen zgjedhjet. Këtë nuk e bëjmë nga frika, por nga pikëpamja se kështu i bëhet më mirë Shqipërisë...
Nedin Hoxha: Ekonomia komuniste filloi rrënimin pas largimit të Kinës
Ish-ministri i Tregtisë së Jashtme të periudhës së shtetit komunist Nedin Hoxha, pyetjes sonë mbi shkaqet e rrënimit katastrofik të ekonomisë së atyre viteve i përgjigjet: Problem i madh ekonomisë sonë i doli në periudhën kur u shkëputën marrëdhëniet me Kinën. Menjëherë pas prerjes së tyre, u ndje një tronditje e fortë në të gjithë ekonominë tonë, pasi me Kinën në atë periudhë kishim dhjetëra e dhjetëra kontrata të nënshkruara me afate të shkurtra, të mesme dhe të gjata. Me të kishim filluar, pas dhjetëra nënshkrimesh dhe marrëveshjesh, shumicën e objekteve në ndërtim, si dhe eksportonim në vendin e tyre mbi 300 mijë tonë krom në vit. Veç asaj, atje eksportonim shumë minerale të tjera apo dhe shumë artikuj, të cilët i sillnin fitime të mëdha ekonomisë sonë kombëtare. Shkëputja e marrëdhënieve politike solli rrjedhimisht rrufeshëm ndërprerjen e marrëveshjeve ekonomike, që do të thoshte që këto mijëra tonelata minerare, të cilat i lëvronim në vendin aziatik, të na ngeleshin stok nëpër mandrat e porteve detare, ashtu siç do të na ngeleshin në procesin e ndërtimit dhjetëra objekte të papërfunduara. Por, nga ana tjetër, moslëvrimi i gjithë këtij malli do të thoshte që të krijoheshin deficite në bilancin e eksport-importit, çka do të thoshte që të binte edhe importi i mallrave ushqimore, si dhe i artikujve të kancelarisë që merrnim qoftë nga Kina, qoftë dhe nga vende të tjera, por që përdornin të ardhurat me tregtinë kineze. Pra, shkëputja e marrëdhënieve të tilla bëri atë që, duke filluar që në ditët e para, tregu ynë ndjeu urinë e artikujve të cilët nuk na kishin munguar prej vitesh.Vështirësitë që u krijuan që në ditët e para të shkëputjeve tregtare me Kinën, do të na duhej kohë që t’i kapërcenim, megjithëse jo plotësisht. Ekonomia jonë kërkonte patjetër rregullimin e bilanceve për të funksionuar normalisht. Për këtë do të kërkoheshin tregjet për të shitur mallrat që na ngelën stok, sidomos minerali i kromit, nga i cili Kina merrte jo më pak se 300 mijë tonë në vit. Ishin dhjetëra specialistë dhe dhjetëra tratativa me shumë shtete, ku do të bëheshin përpjekje kolosale, derisa pas shumë vitesh të gjenim dalëngadalë tregje për të kaluar njërin apo tjetrin artikull. Dhe arritëm që nga një moment në tjetrin jo ta zhduknim krejt atë shqetësim financiar që u krijua, por të paktën të zbutnim në mënyrë të konsiderueshme atë shpërpjesëtim, deri në atë pikë saqë të ishte të paktën për ekonominë tonë jo shumë shqetësues.
neser do te lexoni
Diskutimet surprizë në vazhdim të mbledhjes së ekipit më të lartë politik të vitit 1991. Situatat arrijnë deri në ekstrem kur njerëzit më të fuqishëm të politikës, të periudhës komuniste, arrijnë të akuzojnë njëri-tjetrin për përfitimet që kishin pasur familjarët dhe të afërmit.
Kush ishin diskutantët që akuzuan dhe çfarë thanë ata. Cilat ishin akuzat për Llambi Gegpriftin, Abdul Backën, Pali Miskën etj. Situatat komike të atyre thashethemnajave, të cilat arritën që të vinin mbi tavolinën më serioze të asaj kohe të gjitha krushqitë dhe farefisnitë e njerëzve të lartë
<< Home