e hënë, janar 09, 2006

Byroja e ’91: Ta dënojmë Azem Hajdarin se ka sharë Enverin



Byroja e ’91: Ta dënojmë Azem Hajdarin se ka sharë Enverin
Ramiz Alia: Nuk ekziston ligj për një dënim të tillë

Fatos Veliu
Vazhdon situata e tensionuar në Byronë Politike të mbledhur në 9 janar të vitit 1991, pas një ultimatumi për shtyrjen e zgjedhjeve që Partia Demokratike e porsakrijuar i kishte bërë një ditë më parë Ramiz Alisë.
Në diskutimet e atij takimi, i cili ka vazhduar dy ditë me radhë, byroistët kanë shfaqur mendime nga më të ndryshmet, duke guxuar në të njëjtën kohë që për herë të parë ata të pranonin edhe shumë të meta që kishin në shtetin të cilin kanë drejtuar për 50 vjet me dorë të hekurt. Të shtyjnë apo të mos shtyjnë zgjedhjet e përgjithshme, të cilat i kanë përcaktuar të mbahen jo më shumë se një muaj më mbrapa, pikërisht në 10 shkurt (1991). Kjo është tema, e cila atyre u “hëngri” jo vetëm dy ditë kohë, por orë e orë të tëra debatesh dhe përplasesh deri në akuza për njëri–tjetrin. Megjithëse nga mendimet e shfaqura nuk kanë aspak dëshirë të zbatojnë ultimatumin e PD-së, sërish ndër ta shfaqet një frikë e hapur se, një veprim i tillë mund t’u kushtojë shtrenjtë, ndoshta deri në sabotimin e zgjedhjeve. Pikërisht në këto momente pranohet hapur se “PD-ja, pavarësisht se nuk i ka ngritur akoma mirë strukturat e saj në të gjithë vendin, gjithsesi dalëngadalë ajo po bën për vete të gjitha shtresat e punëtorëve, gjë që duket nga grevat me karakter politik që kanë përfshirë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve të rëndësishme të vendit”. Por nga ata njerëz, që deri atë ditë nuk ishin mësuar me ultimatume të atij karakteri, pranohej edhe fakti tjetër se, pavarësisht se çfarë ka deklaruar për ta sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, Lisien Bashkëshkurti, se “rinia është e gjitha me Partinë e Punës”, mitingashët e PD-së nuk janë më të mëdhenj se 35 vjeç. Gjithsesi, aludimet mes diskutimesh dhe ndërhyrjesh të panumërta të bëra në atë sallë karakteristike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku dikur kishin marrë vendime të tilla si shpronësimet e fshatarësisë nga toka dhe bagëtia, janë nga më të ndryshmet, që tregonin edhe frikën nga situata në të cilën ndodhen, edhe atë të parandjenjës se shpejt mund të iknin nga pushteti. Pikërisht në ato momente, shumë prej tyre dalin me propozime si ato të Vangjel Çërravës dhe Pali Miskës që të ndëshkoheshin njerëzit si Azem Hajdari, të cilët në mitingjet e PD-së kishin guxuar të shanin mësuesin e tyre, Enver Hoxhën. Gjithçka rreth asaj historie të ndodhur plot 15 vjet më parë, pikërisht vetëm pak kohë para zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare, zbardhet vetëm sot pas sigurimit nga redaksia e “Panorama” të procesverbalit tepër sekret të ruajtur deri tani në kaskadat më misterioze të ish-arkivës së Partisë së Punës.
(Në mbyllje të shkrimit të numrit të kaluar u pasqyruan sqarimet që Ramiz Alia ka bërë me byroistët. Ai tregon kryesisht për bisedën e bërë me përfaqësuesit e PD-së, Gramoz Pashko dhe Arben Imami, për gjendjen ekonomike në vend. Ndërsa Alia u ka thënë se ka kërkuar ndihmat që ata pretendojnë të marrin nga jashtë dhe të gjitha qeveritë i janë përgjigjur negativisht. Në këtë rast, Pashko i ka thënë se, nuk ka marrë dot ndihma sepse në shtetin tonë qeverisin komunistët. Pas kësaj e merr fjalën sërish Alia, gjë që pasqyrohet në vijim të shkrimit të mëposhtëm.)
SHOKU RAMIZ ALIA: “Po Hungarisë, i thashë, çfarë i kanë dhënë?” “Ja, u fut në Këshillin e Evropës”, tha. “Po Këshilli i Evropës nuk është organ ekonomik, po politik, prandaj nuk më the gjë. Ke ndonjë argument tjetër, i thashë, pa me këto nuk më bind”. Me një fjalë ra brenda. Synimi i tyre është të ikin komunistët nga pushteti.SHOKU PALI MISKA: Atje është synimi i tyre.Ja e pranuam datën e shtyrjes, po me ligjin e zgjedhjeve si do të bëhet? SHOKU RAMIZ ALIA:Një herë të shikojmë çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve, pastaj ligjin e zgjedhjeve. Si e ke mendimin ti?SHOKU PALI MISKA:Unë e kam mendimin tim që ta shtyjmë datën e zgjedhjeve.SHOKU RAMIZ ALIA:Po opinioni i brendshëm ç’do të thotë?SHOKU PALI MISKA: Opinioni i brendshëm është tepër i ngarkuar nga kjo anë, se do të na thonë që po lëshoni e po lëshoni. Ta mendojmë si do t’ia bëjmë.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dy rrugë janë, o do t’i shtyjmë zgjedhjet, o do t’i bëjmë, nuk ka tjetër rrugë. Në qoftë se i shtyjmë brenda vendit, do të kemi disa avantazhe. Do të duhet që Partia të përballojë një punë shumë më të madhe dhe në rezultatet e zgjedhjeve do të parashikojmë që do të kemi një minus karshi asaj që parashikonim të kishim duke i bërë në datën 10 shkurt. Nuk kemi bërë asnjë anketim, po sipas fjalëve që thuhen në takimet që janë organizuar për shpalljen e kandidatëve për deputetë shumica janë që të mos shtyhen.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Në kushtet që jemi, duke pasur parasysh avantazhet dhe disavantazhet, të mirat dhe të këqijat, qoftë për situatën brendshme, qoftë për atë të jashtme, një kompromis, shoku Ramiz, duhet bërë por të shikojmë masën sa do të lëshojmë. Në mbledhjet që po shpallen kandidaturat ata po dalin hapur për shtyrjen e zgjedhjeve. Do ta lëmë një muaj, një muaj e gjysmë apo dy muaj kohën e shtyrjes, kjo nuk ka rëndësi.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Që të mos bojkotohen zgjedhjet, ata duhet të marrin pjesë, të vënë kandidaturat e tyre që edhe Parlamenti të ketë përfaqësuesit e tyre.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Në qoftë se nuk i shtyjmë zgjedhjet, si do të reagojë opinioni i jashtëm?SHOKU RAMIZ ALIA: Duhet të llogaritim edhe opinionin e brendshëm.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Do të vemi të takojmë popullin dhe do t’ia shpjegojmë me shumë urtësi që doli ky problem i ri.SHOKU RAMIZ ALIA: Ku janë kontaktet me popullin? Nuk e shihni që minierat po hidhen në grevë?SHOKU ADIL ÇARÇANI: Të gjithë popullin nuk e kemi kundër.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ajo që thatë ju, shoku Ramiz është e vërtetë, infeksioni ka hyrë dhe në fshat.SHOKU RAMIZ ALIA: Në Lushnjë nuk janë mbjellë akoma 1500 hektarë tokë.SHOKU PALI MISKA: Ka pasur dhe kushte objektive, shoku Ramiz, që nuk është mbjellë kjo sipërfaqe toke.SHOKU RAMIZ ALIA: Në muajin nëntor ti nuk na ke thënë që nuk i kemi mbjellë 1500 hektarët, megjithëse i kishit kushtet për t’i mbjellë.Shoku pali miska:Nuk është e vërtetë, shoku Ramiz, që fshatarësia është shkrehur nga puna. Unë jam takuar me përgjegjësit e seksioneve të bujqësisë në rrethe, me punëtorët e me kooperativistë dhe del që ka vetëm një tërheqje të vogël.Tani ndodhi greva e Valiasit. Eshtë fakt se motivet që i shtyjnë minatorët të bëjnë grevë janë të tëra politike (politike janë –thonë dhe shokë të tjerë) Po dhe këtë situatë do ta përballojmë.Si nuk na dëgjojnë punëtorët ne? Na dëgjojnë, do t’u themi dhe masat që janë marrë.SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë masash?SHOKU PALI MISKA:Siç ishte ajo e pagave.SHOKU RAMIZ ALIA:Çfarë iu bë pagave? Ajo i ngatërroi punët.SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe unë jam për kompromis, shoku Ramiz.Situatat, ashtu siç thatë ju, do të vijnë duke u acaruar. SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI:Ne, shoku Ramiz, nuk po zbatojmë ligjet. Përderisa jemi shtet ligjor, duhet të zbatojmë ligjet. Në qoftë se ngrihet Azem Hajdari e thotë: “Poshtë Enver Hoxha!”, atëherë të zbatohet ligji.SHOKU RAMIZ ALIA: Ku e ka thënë?SHOKU PALI MISKA:E ka thënë në mitingun e Lushnjës, është e incizuar.SHOKU RAMIZ ALIA:Nuk është e incizuar, por edhe në qoftë se e ka thënë, cili është ligji që e dënon? SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ka dalë jashtë kontureve të parullave që do të hidhte në miting.SHOKU RAMIZ ALIA:Nuk ke ligj për ta dënuar.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: E dënon për shpifje, intriga, gënjeshtra.SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë ligji duhet zbatuar për të tërë.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po, për të tërë duhet zbatuar.SHOKU RAMIZ ALIA: Me urdhër të sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të rrethit kanë nxjerrë policinë që të mos i linin njerëzit në Vlorë nga fshatrat përreth, për të marrë pjesë në mitingun e Partisë Demokratike.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ajo është bërë gabim.SHOKU RAMIZ ALIA: Epo atëherë, të jemi korrektë dhe ne.SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI:Ne po tregohemi korrektë, po i presim shumë mirë ata. Tek unë sot erdhën ata të Partisë Ekologjike.SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk jemi korrektë.SHOKU PALI MISKA: Ne duhet t’i dalim zot partisë sonë dhe Enver Hoxhës. Po të jetë se duhet të plotësojmë ndonjë ligj, le ta plotësojmë.SHOKU RAMIZ ALIA: Këtu ngarkesat emocionale, Pali, duhen lënë mënjanë.SHOKU PALI MISKA: Po dhe me ndjenja jemi, shoku Ramiz, nuk bëhet kjo punë kështu që të rrimë kur ata flasin mbarë e mbrapsht për Enver Hoxhën.SHOKU ADIL ÇARÇANI:Duhet kuptuar, Pali, që ligji ndërhyn kur është çështja e vandalizmit, akteve të dhunës, veprimeve raciste, fashiste.SHOKU PALI MISKA: Ata nuk ndalen, do të ketë edhe gjëra më të rënda.SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne le ta bëjmë shtyrjen e zgjedhjeve, po përsëri eksese nga ana e tyre do të ketë. Ata si parti nuk kanë akoma një strukturë të organizuar që direktiva e tyre të zbatohet, por me vete tërheqin elementë të tjerë, provokatorë, gjithfarëlloj njerëzish, që do të provokojnë shtyrjen e zgjedhjeve për qëllimet e tyre.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Edhe unë jam për një kompromis në këtë drejtim. Rrugët dhe metodat, rregullat dhe ligjet duhen parë, se vendimin për t’i bërë zgjedhjet më 10 shkurt e ka marrë presidiumi i Kuvendit Popullor. Megjithatë, faktori ekonomik prapë mbetet, nuk është shtyrja e zgjedhjeve çelësi që do të qetësojë gjendjen.SHOKU RAMIZ ALIA; Cili është motivi i kërkesave të minatorëve të rrethit të Korçës?SHOKU BESNIK BEKTESHI: Minatorët e Bitinckës dhe Rehovës në Korçë kanë të njëjtat kërkesa si ata në Qafën e Barit. Bile këta të pellgut të Devollit, siç më tha Vangjeli (Vangjel Çërrava, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe sekretar i Parë Komitetit të Partisë të rrethit të Korçës. Shënimi im F.V.) mbrëmë, veç të tjerave kanë ngritur idenë që të dalin si rajon më vete, siç ka dalë Kavaja. Kërkesa e tyre është që të shumëfishohet paga.SHOKU RAMIZ ALIA:Po ju çfarë përgjigje u dhatë?SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kanë vajtur shokët tanë për të punuar me njerëzit, për t’u shpjeguar në radhë të parë vendimin që morën për punonjësit e nëntokës.SHOKU RAMIZ ALIA:Në qoftë se nuk duan të punojnë, le të mbyllet miniera dhe të shkojnë në fshat.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Ne akoma nuk kemi mbërritur te kjo. E kaluam nëpër mendje këtë, po këtu nuk është problemi i 30 vetave, siç kishim në Qafën e Barit, është një sasi më e madhe e punëtorëve. Prandaj biseduam që tani të punohet në këtë drejtim, pastaj të shtrojmë problemin tjetër, që në qoftë se nuk fillohet puna në minierë, të veprohet në bazë të Kodit të Punës.SHOKU RAMIZ ALIA: Sa më shumë të zgjatet kjo punë, aq më tepër komplikohen gjërat.SHOKU BESNIK BEKTESHI:Përfundimisht jam i mendimit për t’u bërë një kompromis në këtë kuadër. Mendoj që ju, shoku Ramiz, jashtëzakonisht drejt i shtruat gjërat dhe diçka duhet bërë në këtë kuadër.(Vijon nesër)

Ish-kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit tregon për krizën e bukës në ‘90Niko Gjuzari: Qeveria e viteve ’90 nuk dinte për harxhimin e floririt
Zoti Gjyzari, keni deklaruar për publikun e gjerë shqiptar se gjatë viteve të komunizmit, kur ju kryenit detyrën më specifike si kryetar i Komisionit të Planit të shtetit, siguronit produktet ushqimore, duke filluar që nga gruri, duke përdorur thesarin e paprekshëm të shtetit. Kishte dijeni qeveria për një veprim të tillë të ndërmarrë nga instancat eprore të saj? Ishte kryesia e Këshillit të Ministrave dhe nuk flitej për të pasur dijeni të gjithë ministrat.
Ju thoni se nuk kishte dijeni një ministër për harxhimin e thesarit të shtetit?Përse duhet të dinte fjala vjen ministri i Transporteve apo ndonjë tjetër? Këtu flitet që çdo ditë kryesia e Këshillit të Ministrave mblidhej dhe diskutonte për problemet e reja që kishin dalë në tregun ekonomik ndërkombëtar, të cilat i sillte qartazi ministri i Tregtisë së Jashtme, Shane Korbeci. Ministrat e tjerë të qeverisë dinin vetëm faktin se po harxhohej rezerva kryesore e shtetit, por për detaje të hollësishme, si për shembull sa ishte sasia mujore e harxhuar apo ç’mallra bliheshin saktësisht, ata nuk kishin dijeni. Jo vetëm kaq, por të gjithë ministrat, sikur të mos merrnin erë fare nga situatat dramatike të ekonomisë së shtetit, synimin e kishin që, në planizimet vjetore të buxhetit të shtetit të merrnin për dikasteret e tyre sa më shumë fonde, ndërsa sa për të tjerat nuk donin t’ia dinin. Kështu që diskutimet e tyre sa herë vinte puna te buxhetet synonin vetëm në këtë pikë, duke pretenduar orë e minutë për problemet dikasteriale. Herë-herë më vinte keq që ata njerëz të përzgjedhur si zyrtarët më të lartë të shtetit nuk jetonin me situatat konkrete, të cilat detyrimisht në njërën formë apo në tjetrën do të rëndonin mbi kurrizin e popullit.

neser do te lexoni
Vazhdon dialogu i tensionuar i Byrosë Politike në janar të vitit 1991, e mbledhur pas ultimatumit të PD-së për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Cilat janë deklaratat e në vazhdim të byroistëve. Përpjekjet dhe propozimet e ndryshme të tyre për të paraqitur lëshimet e detyruara nga PD-ja si iniciativa të vetat.
Frika e byroistëve kur mendojnë se shtyrja e zgjedhjeve mund të ndikojë që të humbasin rininë. Për të Lisien Bashkëshkurti i ka garantuar se e kanë të gjithë me vete
Aludimet e byroistëve për pozicionin politik të rinisë, që gjatë ndërhyrjeve në dialog deklaron se pjesëmarrësit në mitingjet e PD-së janë të moshës deri në 35 vjeç